Guest viewing is limited
  • Përshëndetje Vizitor!

    Nëse j’u shfaqet ky mesazh, do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar, ju arrini të shihni pjesën më të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. J’u lutem:REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Zbulohet një statujë romake e përmasave të mëdha në Apoloninë e lashtë. Zbulimi i statujës është bërë gjatë punimeve që po kryen ekspedita shqiptaro-franceze, në sektorin “G” të parkut kombëtar arkeologjik Apolonia, në pjesën veriperëndimore të qytetit antik. Në fakt, punimet e kësaj ekspedite kanë katër ditë që kanë filluar në sektorin e vilave romake me impolvium.. Punimet janë vazhdim i gërmimeve të zhvilluara nga e njëjta ekspeditë qysh në vitin e kaluar, ekspeditë kjo e drejtuar nga profesor Zhan Lyk, përfaqësues i palës franceze si dhe profesor Faik Drini, përfaqësues i palës shqiptare. Sipas profesor Zhan Lyk, statuja dyshohet se është e hedhur në këtë pjesë të vilave romake. Ai tha se ky është një zbulim i rrallë dhe se statuja mendohet të përfaqsojë figurën e një atleti, ose sportisti. Dhe kjo, tha ai, mbështet edhe nga pamja e statujës së pashkatërruar dhe simboli me kalë që ajo ka në brezin e saj të skalitur .

Ndërkohë që profesori Lyk shtoi se statuja është gjendur gjatë gërmimeve të kryera në pjesën e jashtme të vilave, sakaq profesor Drini mbështeti tezën se kjo statujë është e rrallë për nga përmasat e saj në zbulim dhe se ajo mund të jetë hedhur në këtë pjesë të vilave ose është fshehur për t’i shpëtuar valës së vjedhjeve gjatë luftës së parë dhe të dytë botërore. Ajo i përket një figure sportisti, - shtoi ai dhe ne ende nuk mund të japim të dhëna të tjera pa kryer studimet përkatëse të këtij monumenti të rrallë historik. Ndërsa kreu i zyrës rajonale të Parkut “Apolonia”, Marin Haxhimihali, u shpreh: “Statuja është e para e këtij lloji dhe e këtyre përmasave në vendin tonë. E fundit e këtyre dimensioneve ka qenë statuja e zbuluar nga ekspedita ruso-shqiptare, drejtuar nga prof. Selim Islami dhe prof. Bllavatski në fund të viteve ‘50.”
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Nje francez zbulon mitet


Ekspeditat e arkeologut te shquar Leon Heuzey ne Shqiperine e 1860-es. Perendite e antikitetit ne Orikum e Apolloni, dedikimet per Dioskuret ne gjirin e Gramates. Legjenda dhe rrefime nga thellesia e koherave

Luan Rama

Nje nga mitet me te vjetra te kultures evropiane, te kenduar nga bardet antike (cka e ben dhe prekursorin e epikes legjendare ballkanike e evropiane), eshte ai i Dioskureve, qe ne greqishten e vjeter do te thote “bij te Zeusit”, bijte binjake te Zeusit me Leda-n, te cilet quheshin nga romaket Kastor dhe Pollux dhe qe ishin mbrojtesit e marinareve dhe shpetimtaret e njerezve ne situata te deshperuara. Eshte interesant fakti qe tempulli i Dioskureve nuk ndodhet vetem ne Olimp dhe as vetem ne Rome, meqe romaket e huazuan kete mit ashtu si shume mite te tjera greke. Ai gjendet edhe ne Gramata te Shqiperise, ne nje nga gjiret e vegjel midis Karaburunit dhe Himares, i cili ne kohen antike, e me pas bizantine e mesjetare, ishte kthyer ne nje vend pelegrinazhi. Ne vitin 1861, Léon Heuzey, nje arkeolog i shquar francez, bashke me bashkepunetorin e tij, arkitektin Honoré Daumet, ishin nisur me mision nga perandori Napoleon III, qe te zbulonin vendet ku ishte ndeshur Cezari me Pompeun. Ata kishin hulumtuar ne Farsale dhe Filipopolis te Maqedonise dhe pastaj kishin zbarkuar ne Shqiperi, duke zbuluar Durresin apo Dyrrachium-in antik si dhe Apollonine, te cilat ishin kthyer ne fushebeteja te pergjakshme midis legjionareve romake te te dyja kampeve. Por vec kesaj, ata iu drejtuan dhe nje prej vendeve mjaft te njohura te asaj epoke, Orikumit, ku kishte zbarkuar fillimthi Cezari bashke me “cahortat” e tij per te luftuar kunder Pompeut. Ne shenimet e tij rreth ketij udhetimi, Léon Heuzey ka shkruar: “Para udhetimit tone ne kete vend, hartat e Greqise se vjeter, nuk e shenonin sakte pozicionin e qytetit te vogel te Orikumit ne brigjet e gjirit te Vlores, ne Epir, pra nje nga stacionet bregdetare me te famshme dhe me te fortifikuarat e Antikitetit. Ne ate harte, ajo vendosej shume teper ne lindje, nderkohe qe ajo gjendej ne jug-lindje, ne pjesen me te terhequr te gjirit, midis maleve Akrokeraune dhe lumit Kélyoinos, apo Lumit te Bardhe, sic e quajne sot. Gjiri i futur, ne raden e mbyllur te Vlores, eshte vendi i vetem qe mund te ofroje qendrimin e mbrojtur te anijeve kunder gjithe ererave. Ky vend quhet nga banoret “Porti i Dukatit” dhe ne pjesen me te thelle te tij, quhet “Pasha-Liman”, ne kujtim te kapiten-pashes, meqe aty strehoheshin zakonisht flotilet turke, ashtu sic ne Oricum-in e vjeter qendronin anijet romake, apo ne Mesjete, Jeriko, ku strehoheshin anijet bizantine apo normande. Pikerisht atje, ne zbuluam ne vitin 1861, gjurmet e qytetit antik dhe shenuam te dhenat e ndryshme topografike, cka shpjegojne emrin e tij te famshem, gjithashtu dhe si nje kantier detar… Atje, shtepite formonin nje vazhdimesi shkallesh koncentrike, secila me rruge ne cdo rreth te tyre dhe me shkallare te shumta qe ngjiteshin ne te gjitha anet deri ne lartesite e akropolit. Ai vete eshte i perbere nga nje mur rrethues, i ndare me dy pjese permes nje muri te brendshem. Ne maje ishte nje kapele e rrenuar, ku dhe vete shenjti ishte harruar, cka shenonte dhe sheshin qendror te tempullit te qytetit. Ky pozicion i krijuar nga natyra si nje lloj vizatimi, i pergjigjet katerperciperisht, asaj c’kemi mesuar mbi Orikumin dhe pikerisht pershkrimi shume i sakte, dhene nga Julius Cesar mbi kete strehim bregdetar ne brigjet e Epirit… Por nga koha e Perandorise Romake shihen ende gjurmet madheshtore te “rhéteur”-it Herode Atticus, i cili e ringriti kete qytet me shpenzimet e tij… “

Por nje nga zbulimet mjaft interesante ishte dhe ai i vendit te shenjte te Dioskureve, per te cilin nuk dihej asgje dhe qe vetem nje udhetar italian, para dy shekujsh e kishte pikasur dhe kishte shenuar disa nga mbishkrimet rreth tyre. Heuzey e kishte gjetur kete shenim dhe kureshtar per te zbuluar te verteten rreth ketij vendi, qe ne Paris e kishte percaktuar se do te shkonte dhe ne Gramata. Dhe keshtu do te ndodhte, pasi Dioskuret ishin nje nga mitet me terheqes, per te cilin autoret antike kishin shkruar shume, duke filluar me Homerin i cili i permend ata ne vepren e tij Iliada. Dihej gjithashtu se se keta dy luftetare te jashtezakonshem, kishin vdekur para Luftes se Trojes, por megjithate, epika e kenduar thoshte se edhe pse ne boten tjeter, ata ishin te gjalle dhe Zeusi i mbulonte me ndere e lavde.

Meqe nga ana e tokes, vendi ishte mjaft i veshtire per te zbarkuar dhe duhej shkuar me nje barke nga ana e detit, Heuzey vendosi te dergonte bashkepunetorin e tij me te ri, Daumet. «Pjesa me e eger e maleve Akrokeraune, - vazhdon ne shenimet e tij Heuzey, - na beri te mundur te shohim mbishkrime te shumta. I kisha kerkuar zotit Daumet te shkonte ne anen e pasme te maleve qe binin mbi det, ne gjirin e vogel te Grammata-s, atje ku Ciriako i Ankones kishte kopjuar tashme ne greqisht dhe latinisht disa dedikime per nder te Dioskureve. Me ndihmen e nje varke, z. Daumet preku gjirin e vogel ne nje te futur ku kishte rere, rrethuar aty nga shkembenj, vend i cili, nga ana malore iu duk pa dalje. Por ajo carje shkembore ofronte nje vend te mrekullueshem shpetimi ne rast stuhie kunder shkembenjve qe binin thike mbi det. Atje, ne dy vende te faqeve shkembore, kishte mbi njemije mbishkrime qe ne greqisht justifikonin emrin “εις Γραμματα”, dhe qe na kujtojne emrat e vizitoreve te shumte qe rastesia e udhetimit ne det i kishte sjelle ne kete vend te shkretuar. Atje ata jane zbavitur dhe kane shkruar mbi shkemb, duke deshmuar ndjenjat e tyre fetare, ne kete strehe te krijuar si mrekullisht kunder rreziqeve me te medha… Por mjerisht, koha i kishte fshire mbishkrimet mbi shkemb, duke e bere leximin e tyre pothuaj te pamundur. Ato mbishkrime te rralla qe kopjoi, Daumet mendoi se vetem ato mund te shenonte lehtesisht dhe qe i perkisnin periudhave te ndryshme. Mbishkrimet e Ciriakos (Cyriaque), jane “proscynèmes”, pra per nder te Dioskureve, zoterve-shpetues, mbrojtesve te anijeve dhe te marinareve. Por udhetaret, ne evokimet e tyre ne keto mbishkrime, nuk mendonin vetem per veten: shpesh, perpara hyjnive, ata luteshin ne emer te nje apo disa familjareve te tyre, apo njerezve qe i kishin ngarkuar te benin per ta ate akt perkushtimi fetar, duke shkruar e gervishtur mbi gur emrin e tyre… Duket se vendi i Dioskureve te maleve Akrokeraune, “Dioscoureion”, nuk kishte vetem vizitat e rastesishme te marinareve ne fatkeqesi, por ai ishte kthyer ne nje vend te vertete pelegrinazhi. Zoti Daumet ka pare nje faqe shkembore dhe nje gurore ku nxirreshin gure, te ngjashem me ato te gjetura ne shume nga antikitetet e Dyrrachium dhe te Apollonise. Veshtiresia e transportimit nga toka, permes maleve te Epirit, beri qe banoret t’i gjenin e merrnin me mire guret ne faqet shkembore anes detit. Me pas, une pikasa ate cka kisha vene re ne guret e Filipopolit ne Maqedoni. Perkushtimi kristian i kishte zevendesuar keto formula e simbole si dhe perkushtimet e paganeve. Nje numur i madh mbishkrimesh mbanin tashme kryqe dhe pikerisht ne te njejten faqe shkembore, ku ishin bere mbishkrimet per Dioskuret. Ata luteshin per ndihmen e Zotit. Nje mbishkrim i dates 1367, tregonte ne greqisht emrin e perandorit Jan Paleologut I, i cili mbreteroi nga viti 1356 deri ne vitin 1391. Viti 1367 eshte pikerisht viti kur ai ndermorri udhetimin detar drejt Venedikut e Italise me shpresen e kote qe edhe pse pranonte nga halli te konvertohej ne katolik, ta bente Papen Urban V qe ta ndihmonte ne mbrojtjen e perandorise se tij qe po pushtohej tashme nga turqit. Sigurisht, ai mund te kete kaluar kendej dhe ndalur ne gjirin e vogel te Grammata-s. Gjithashtu, nje tekst ne gjuhen vulgare (popullore) flet per zakonin shqiptar te te berit “vllam”. Mbishkrimet vazhdojne gjer ne kohra te aferta me ne, ku me te fundit jane ato te nje viti me pare se udhetimi yne, pra te vitit 1860. Sic e dime tashme, atje ka nje ansambel monumentesh, ku udhetari qe do te kishte kohe t’i studionte shkembenjte e Grammata-s, do te bente te njohura gjera shume interesante.

Mjerisht, mbishkrimi i shkruar ne gjuhen vulgare apo popullore, sic shkruan Heuzey, eshte fshire, cka eshte interesante jo vetem etnografike, por se pari nga ana linguistike. I kujt shekulli ishte ky mbishkrim? Nje enigme si shume te tjera qe kane mbetur per historine shqiptare…

Murgjit e Apollonise dhe Nymfeu qe heshti…

Kur kishte shkuar ne Apolloni, murgjit e atjeshem i kishin treguar Heuzey-it dhe dhe per ekzistencen e nje Nymfeu, (Nymphaeum), i cili lidhej me legjenda qe vinin qe larg nga bota antike. Ne fakt, kishte qene Herodoti, ai qe tregonte pikerisht per Nymfeu-n e Apollonise, ku toka nxirrte parreshtur shtervane zjarri e avujsh nga nentoka qe nuk shuheshin. Madje i folen dhe per historine e bariut Evenios, e cila ishte percjellur nga njeri brez ne tjetrin: “Ne Apolloni kishte bageti qe i ishin kushtuar diellit. Cdo vit, nje nga banoret e zgjedhur, naten ruante bagetite. Por nje nate, kur ishte roje Evenios, ujqit kishin ardhur ne vathe dhe kishin coptuar 60 prej tyre. Atehere, prijesit e Apollonise, bariut Evenios i krryen syte. Mirepo bagetia filloi te shkretohej dhe tokat te mos prodhojne me. Njerezit shkuan te orakujt e Dodones dhe te Delfit dhe u ankuan per kete. Orakujt u thane se kjo kishte ndodhur, pasi ata i kishin kerryer syte Evenios. Pra ata duhej te kenaqnin deshirat e tij ne menyre qe ai vend te behej serish i shenjte. Njeri nga prijesit e atij vendi u ul nje dite prane Evenios se verbuar dhe e pyeti si rastesisht se cfare do te donte ne kete jete. Evenios i foli atij per toka dhe shtepine me te bukur te qytetit. Atehere ata ia dhane dhe qe atehere, vendi u be perseri i shenjte.”

Lidhur me vezhgimet e asaj dite, Honoré Daumet, pati kohe vecse sa te skiconte disa nga bazorelievet dhe kokat e mrekullueshme te gjetura aty. Heuzey u mahnit nga shtylla e vetme qe kishte mbetur nga Tempulli i Dianes. «Eshte e vetmja shtylle greke qe gjendet ne vend dhe ne gjithe zonen e madhe mbi veri te Athines… Persa i perket akropolit, vendosja e tij eshte e konturuar nga muret mbajtese dhe nga disa tarraca ne nje pllaje te kultivuar, e cila me ekstremitetin lokal te kodrines krijon nje pike dominuese nga ku kemi nje pamje te gjere mbi te gjithe pllajen midis dy lumenjve si dhe mbi detin me larg. Pak me ulet eshte nje platforme ku eshte vendosur manastiri i Pojanit, qe ruan ende emrin disi te ndryshuar te Apollonise se vjeter te Ilirise». Krahas Daumet, edhe Heuzey vizatonte me laps ate qe me vone do te jete nje lloj gravure e nje vendbanimi te hershem antik. Ne hyrje te raportit te misionit te tij, dorezuar Napoleonit te III, Heuzey kishte shkruar: « Sir… Duke zbritur ne rrafshinat e Turqise qendrore, permes Via Egnatia-s ne gjetem me pas ne bregun e Adriatikut, dy qytete antike te dores se pare. Ne saje te nje pozicioni te shkelqyer, perballe Perandorise, dhe ne kryqezimin e rrugeve ushtarake qe lidhte kryeqytetin e Perandorise ne komunikimin me Orientin, Apollonia e Dyrrachium kane gezuar nje fat me zgjerimin e pushtimit romak. Sot, megjithe gjendjen e shperndare te rrenojave, secila nga keto qytete ruan ende nje karakter te vecante, qe i pergjigjet roleve te ndryshme qe ato kane luajtur gjate historise… »

Heuzey ishte nje shkencetar me pervoje dhe nuhatje te thelle profesionale, dhe shqiptaret i kishte njohur qe ne udhetimin e tij te pare ne Ballkan, ne Thesali, ne vitin 1858, atehere kur shqiptaret e shoqeronin si roje, (ne fillim 12 shqiptare e pastaj nje i vetem), gjate udhetimit te tij per ne Larisa e ne Meteore, sic kujtonte ai ne shenimet e udhetimit qe i botoi ne Paris nen titullin Excursion dans la Thessalie turque en 1858, (Eskursion ne Thesaline turke me 1858). Madje i semure nga ethet, ai kishte qendruar diku ne nje fshat arvanitasish, ku i beri pershtypje, qe ndryshe nga turqit, shqiptaret me kostumet e tyre karakteristike, i mbanin grate prane tyre dhe nuk i largonin kur vinin te huajt. Ishte gruaja dhe dy vajzat e shqiptarit qe u perkujdesen per te. Dhe tani, perseri shqiptaret ishin ata qe po e prisnin me aq bujari. Por Heuzey ate dite nxitonte. Ai duhej te vezhgonte sa me shume, edhe pse deshira ia kishte qe te ndalonte gjate dhe te hidhte kazmen e pare te arkeologut, cka beri dhe ne Maqedonine antike, ne Philippe e Farsale.

«Rrenojat e Apollonise, - do te shenonte ai nga ky qendrim i shkurter, - paraqesin imazhin e nje qyteze qe gjate gjithe antikitetit i ka ruajtur traditat e jetes helenike, madje edhe gjate pushtimit romak. Kur vezhgojme objektet qe jane grupuar ne vendin e dikurshem te akropolit dhe qe formojne ne manastirin e Pojanit nje muze te vertete, ndjejme nje gezim te vecante te gjendemi ketu si ne Greqi. Megjithate, keto fragmente te grumbulluara pothuaj nga njezet ndertime te ndryshme, kane gjurmet e nje stili me pak te ashper sesa monumentet e shekullit te Perikliut: nje «antefix» ne mermer qe paraqiste dy valltare te perqafuara nga perdredhja e nje palme, ishte ndoshta shembulli me i shkelqyer i artit grek «te zbukuruar», qe nuk habitemi ta gjejme gjithashtu ne nje koloni te Korintit. Ne shume fragmente dorike dhe vecanerisht ne koken e nje luani qe ka rene nga korniza e nje tempulli, duken gjethet dhe ornamentet korintase qe pleksen me ornamentet gjeometrike. Nje «atlant» prej guri, (trupi i nje gjigandi qe mban nje tempull, L.R.), mjerisht shume i demtuar, i cili ka mbajtur arkitraun e ndonje portiku, eshte nje deshmi tjeter e pasurise se nje popullsie te zhvilluar, vecanerisht ne ndertimet publike. Ne gjetem gjithashtu dhe koken e nje gruaje me shami, por vetem bukuria e kesaj koke mjafton per te treguar se asnje nga artet e Greqise antike nuk degjeneroi ne duart e koloneve te Korintit ne keto brigje te largeta te Ilirise. Apollonia dhe porti afer tij, Oricum, gjurmet e te cilit une i gjeta, ishte per ne fundi i ketij udhetimi…»

Demetra

Busti i nje gruaje me vello mbi koke terhoqi vemendjen e vecante te Heuzey-it. Ajo ishte ndryshe nga te tjerat dhe me nje dhimbje te madhe ne shprehine e saj. Ne fakt kete skulpture e kishte ndeshur me pare kapiteni anglez Martin Leake, i cili kishte vizituar Apollonine dhe manastirin e Shen Maria-s ne shtator te vitit 1805. Ne shenimet e tij ai shkruante per nje «Bust i nje gruaje me vellon e hedhur mbi floke e qe pastaj i kalon ne gjoks. Ky bust, thone murgjit, ishte i persosur, derisa disa ushtare te Beratit, menduan se ishte i pershtatshem per t’u argetuar, duke e goditur me mushqetat e tyre, gje qe i shkaterroi hunden e mjekren…» Pikerisht kjo skulpture e Demetres, hyjnise se te korrave, tokes dhe pjellorise, nenes se Persefonit, virgjereshes se Pranveres (te rrembyer me pas nga Hades ne boten ferrike), kishte mbijetuar gjer diten qe kishte ardhur Heuzey. Ja cfare do te shkruante nder te tjera me vone Heuzey rreth kesaj skulpture qe gjeti ne Apolloni ne studimin e tij te njohur «Kerkime mbi tipin e Demetre-s se mbuluar me vello ne artin grek», skulpture te cilen ai e mori me vete dhe e solli ne muzeun e Luvrit. «Monumenti qe na sherben si pikenisje ne kete studim eshte gruaja me vello, ne mermer, nje fragment i nje statuje greke te gjetur ne Apollonine e Epirit dhe qe une e solla ne Luver. Se pari, ajo qe e ben kete koke te Apollonise te denje per t’i kushtuar nje vemendje te vecante, eshte qendrimi i saj i rende, por njeheresh, i trishte e i embel, cka e dallon nga disa lidhje me idealin pagan… Dhe kjo eshte vecse hyjnia Demetre, ku kulti dhe legjenda, si dicka thelbesore, qendrojne ne imazhin tragjik te nje hyjnie ne zi. Ne himnin homerik, vello mbi koke, ishte mbi te gjitha shenje e dhimbjes dhe e trishtit te zymte qe ajo donte ta fshihte nga veshtrimet e te gjalleve. Ne shohim se ne legjenden dhe misteret e saj, skulptura kerkonte te krijonte nje keqardhje per fatkeqesite e hyjnise, e dermuar nga lodhja dhe e dobesuar nga e pangrena e dhimbja. Dhe kjo duket si ne vizatimin e vazos antike te Poniatovski-t, ku hyjnesha shfaqet ne krah te karros se Triptolemeut, sic e shohim dhe ne nje statuje te Demetres me vello ne muzeun e Londres apo ne Muzeun e Luvrit, ku busti paraqet pikerisht nje hyjni me vello ne koke, e njellojte per nga zymtesia fetare me koken e gjetur ne Apolloni… »
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Anemikët e Butrintit
Fotot që ju shikoni janë skeletet e mbetura të banorëve të Butrintit! Në Butrint njerëzit
nuk e kalonin moshën 50 vjeçare, rezulton së fundmi nga studimet e arkeologëve. Këta
arkeologë, të cilët punojnë atje prej vitesh, u nisën të zbulonin një vilë romake dhe
gjetën një mazoleum të mbushur me varre njerëzish anemikë, apo të prekur nga infeksione si turbekulozi. Skeletet që ju shikoni në foto i përkasin pikërisht këtij mazoleumi.


Njëra nga fotot tregon skeletin e një vajze merren me këtë problem në Butrint kanë
mundur të dokumentojnë mungesë të vitaminës C në trupin e kësaj të reje të varrosur
në Butrint. Përveç kësaj rezulton që e reja të ketë vuajtur edhe nga kequshqyerja.


Një foto tjetër i përket një djaloshi adoleshent jo më shumë se 12-14 vjeç. Sistemi
imunitar i djalit fatkeq rezulton të ketë qenë mjaft i dobët në momentin e vdekjes. Ai
vuante nga turbekulozi.


Studiuesit në Butrint e kanë të vështirë të përcaktojnë nëse trupi i tij ka qenë i ekspozuar ndaj sëmundjeve infektive për shkat të mungesës së dietës së pasur ushqimore, apo për shkak të infeksionit. Gjatë periushës romake është fakt i njohur që turbekulozi gjendej në produktet e qumështit, sidomos të qumështit të lopës.


Fotoja e tretë paraqet varrin e tre personave të rritur, dy burra të moshës përkatësisht 25-30 vjeç dhe 40 vjeç, si dhe një femër 25 vjeç. Edhe gruaja këtu tregon të dhëna të qarta të mungesës së dietës së pasur ushqimore dhe anemisë, gjë që mund të ketë shkaktuar vdekjen e saj.


Varret studiohen nga profesori që u morr me viktimat e 11 shtatorit në SHBA
Të gjitha këto të dhëna vijnë nga lagja romake e Butrintit, në Fushën e Vrinës, ku vitet e fundit një grup arkeologësh nga Fondacioni Trashëgimia Shqiptare në bashkëpunim me Parkun Arkeologjik të Butrint dhe Institutin e Arkeologjisë kanë gërmuar dhe vazhdojnë të gërmojnë çdo vit, pikërisht në zonën e ashtuquajtur dikur nga arkeologët shqiptarë Nekropoli Romak.


Gërmimi i strukturës funerare e quajtur mauzoleum, paraqitur më poshtë në formën
e një rikonstruksioni tredimensional, nxori në dritë 13 varre me 24 individë, disa të ruajtur në gjëndje shumë të mirë, ndërsa disa të tjerë tërësisht të shkatërruar për shkak se kjo zonë gjatë viteve 60 ka qenë pluguar për përdorim bujqësor.


Sot, kjo lagje e Butrintit romak, ndodhet brenda Parkut të Butrintit dhe interesi për studime sidomos vitet e fundit është rritur mjaft. Përveç strukturave arkeologjike dhe urbanistrikës së zonës, përdorimit të tokës e shumë pyetjeve të tjera që arkeologët
kanë ngritur, një vëmendje e veçantë i është kushtuar të dhënave për popullsinë.


Kush ka banuar atje? Kanë qenë romakë ata njerëz, apo vendas? Kanë qenë skllevër apo pjesëtarë të kastës së lartë të aristrokracisë romake? "Materiali arkeologjik shpesh nuk është i mjaftueshëm për pyetjet e mësipërme, prandaj arkeologët u drejtohen antropologëve", thotë për gazetën drejtuesja e gërmimeve në Fushën e Vrinës, arkeologia Valbona Hysa.


Falë Prof. Thomas Crist nga "Utica College" në Nju Jork, i cili së bashku me studentët
e këtij universiteti vijnë çdo vit në Butrint, është bërë bërë i mundur studimi i këtij materiali kockor. Të dhëna si mosha, seksi, shkaku i vdekjes, sëmundje, deformime e të
tjerë janë përcaktuar nga studiuesi.


Deri tani, asnjë prej skeleteve nuk i përket një të moshuari që mund të konsiderohet
si i tillë në ditët e sotme. Skeleti me moshë më të madhe është gjetur deri në 50 vjeç. Një tjetër fakt interesant që ka dalë në dritë është sëmundja e anemisë dhe sëmundjeve infektive në një pjesë të mirë të këtyre skeleteve (edhe pse ka dhjetëra lloje anemish) që nga periudha romake.


Hysa ka arritur të mbledhë të dhëna se kjo sëmundje, në fakt, ka qenë e përhapur
në masë deri vonë në këtë zonë të Shqipërisë. Mos kemi të bëjmë me të njëjtën
popullsi që ka trashëguar edhe këtë karakteristikë? Kolegu i saj Prof. Thomas Crist
mendon se për ti dhënë përgjigje kësaj pyetje dhe pyetjeve të mësipërme, nëse janë
popullsi vendase apo e ardhur, nëse janë e njëjta popullsi që ka vazhuar edhe sot
apo janë të ardhur duhet t'i drejtohemi një laboratori për Analizat e ADN.


Kjo analizë në fakt jep përgjigje për shumë pyetje. Fatkeqësisht, në Shqipëri ende nuk ekziston një laborator i tillë për ekzaminimin e ADN së skeleteve antike. "Për këtë duhet të drejtohemi laboratorëve jashtë Shqipërisë që janë jo pak të kushtueshëm. Kështu që pyetja jonë ngelet ende pa përgjigje", thotë Hysa.


Eksperti i Kullave të 11 Shtatorit, në Butrint
Dr. Thomas A. Crist, një antropolog amerikan, profesor në Kolegjin e Utikës, u dërgua dy herë në Neë York për të identifikuar viktimat e sulmeve të 11 shtatorit në Kullat Binjake. Ai është një ndër antropologët më në zë sot në SHBA, autor i kërkimeve
laboratorike të eshtrave të një varri mbi 400 vjeçar, të zbuluar në një qytezë amerikane pak vjet më parë, eshtra që rezultuan se kanë qenë të një prej më të parëve europianë që shkeli në Amerikë.


I njëjti profesor po studion edhe eshtrat në Butrint. "Puna ime e parë filloi në 11 tetor
2001, ekzaktësisht një muaj mbas saj dite fatale", kujton profesori i njohur. Ai ishte caktuar të punonte në turnin e natës në vendin e grumbullimit të mbetjeve "Flesh Kills" në Ishullin Stalen.


"Detyra ime kryesore ishte të bëja dallimin midis mbetjeve humane nga ato të materialeve jo-humane në grumbullimet inerte të cilat ishin sjellë nga Manhattan në vendin e grumbullimit", tregon Crist. Ai punoi në "Fresh Kills" për tre vjet, ndërsa bashkëshortja e tij, Dr. Molly H. Crist e zëvendësoi në fakultet, në kursin e anatomisë.

"Unë u ktheva në New York në Janarin e 2007-ës dhe u pozicionova në Zyrën e
Egzaminimit Mjeksor në Manhattan ku detyra ime kryesore ishte të konfirmoja
nëse materialet e derguara aty nga pika e grumbullimit "Fresh kils" ishin mbetje
humane ose jo", thotë ai.
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

VEPRA ARTI ME IMAZHE NEGRE NË SHQIPËRI
Në varret monumentale të Selcës afër Pogradecit, arkeologu Neritan Ceka ka gjetur edhe tri vathë ari, ku secili nga vathët ka të modeluar në miniaturë nga një kokë femërore negre. Modelimi i secilës kokë është i ndryshëm dhe me tipare vetiake

Nga Dr. Moikom Zeqo

Të para në profil krahasimi i vijës së ballit, hundës dhe buzëve tregon qartë individualitetin antropologjik dhe artistik. Kokat e vajzave negre janë bërë prej ebaniti të zi, flokët i kanë me një frizurë origjinale, me vija të ndara të kaçurrelave të dendura dhe tipike për racën e zezë, e ashtuquajtura “frizurë afrikane, negroide”.
Tre vathët i takojnë epokës helenistike të sinkronizimit të kulturave të ndryshme në botën globale të krijuar nga perandoria e Aleksandrit të madh. Më saktë janë të shekullit III para Erës sonë. Këto vathë njihen në literaturën arkeologjike. Të tillë janë gjetur edhe në Maqedoni, por edhe në Egjipt, ku pas vdekjes së Aleksandrit të Madh ka sunduar dinastia e Ptolemejve, themeluar nga Ptoleme Lagu, gjeneral i afërt i Aleksandrit të madh. Origjina e punishteve të argjendarisë së kësaj tipologjie vathësh ka qenë, sipas disa studiuesve qendra e Aleksandrisë në Egjipt, që shpjegon parapëlqimin e imazheve negre. Me siguri këto vathë janë importuar edhe në Shqipëri. Vathët janë përdorur nga seksi femër, pra nga gratë ose konkubinat e princërve ilirë, që në malin shkëmbor të Selcës kanë pasur nekropolin e tyre të elitës aristokratike. Nuk përjashtohet mundësia që ndonjë nga konkubinat të ketë qenë negre.
Në shekullin e III para Erës sonë figura femërore e regres në bizhuteritë e çmuara lidhej me konceptin e shtrirjes gjeografike të pikëtakimeve të Evropës, Azisë dhe Afrikës Veriore dhe të njohjes së bukurisë së racës të zezë nga raca e bardhë ( nuk ekzistonte asnjë doktrinë racizmi e përçudnuar!)
Në vitin 1988 në një galeri lindore të amfiteatrit të Durrësit gjatë një gërmimi arkeologjik unë zbulova një fragment qeramike të gllazaruar, pjesë e brendshme e një tasi të madh, që kishte me incizim figurën e një koke negre, djathtas në profil, me flokët me frizurën e njohur, me qafën e gjatë me tre byzylykë zbukurimi, mbi kokën duket edhe gjethja e një palme. Kjo qeramikë mesjetare i takon shekullit të XII me origjinë nga Sicelia. Qeramika të tilla janë gjetur dhe në Selanik. Fragmenti ynë ka qenë pjesë e një kompozimi, pra e një skene me figura të tjera.
Në shekujt e X-XII, Durrësi ka qenë qyteti i ekspozuar ndaj sulmeve të normanëve, anzhuinëve, kryqëzatave etj. Në Siçeli qe zhvilluar një art me ndikime të shumë qytetërimeve vikinge, italiane, arabe, afrikane duke bërë simbioza të çuditshme. Shpesh në ushtritë mesjetare kishte edhe shumë mercenarë zezakë. Disa të tillë i përmend në Durrës në shekullin XII dhe Konstandin Jeriçeku. Piratët shqiptarë të Ulqinit kanë pasur detarë zezakë, disa prej pinjollëve të tillë rrojnë akoma edhe sot në Ulqin. Kolë Idromeno e ka pikturuar një zezak nga Ulqini në fillim të shekullit të XX.
Arkeologu Bertold Trandafilos, që ka studiuar praninë e imazheve negre në artin mesjetar evropian, thotë se figura e femrës negre simbolizon Mbretëreshën Shaba, që sipas rrëfimit biblik u takua me mbretin Solomon dhe u martua me të.
Sidoqoftë koleksioni i vathëve dhe qeramika e gllazuruar koncentrohen tek simboli femëror negroid i njohur me shekuj në Shqipëri.
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

MASKA ILIRE PREJ FLORIRI


Një përkrenare ilire me maskën prej floriri së një të vdekuri. Datimi: Viti 520 para Krishtit. Është gjetur në ishullin e Rodit në Egje. Dekani i arkeologjisë shqiptare Hasan Ceka ka studiuar tipologjinë e përkrenares ilire, të fiksuar dhe si simbol numizmatik në monedhat ilire

Nga Dr. Moikom Zeqo

Në vitin 1999 gjatë një vizite në Muzeun Arkeologjik të Selanikut u befasova kur pashë një objekt arkeologjik të jashtëzakonshëm. Një përkrenare ilire me maskën prej floriri së një të vdekuri. Datimi: Viti 520 para Krishtit. Është gjetur në ishullin e Rodit në Egje. Dekani i arkeologjisë shqiptare Hasan Ceka ka studiuar tipologjinë e përkrenares ilire, të fiksuar dhe si simbol numizmatik në monedhat ilire. Përkrenarja ilire ndryshon nga përkrenarja atike, korintike, apo romake. Kjo është sqaruar përfundimisht. Gjeografia e gjetjeve të përkrenareve ilire është e madhe: që në veri të Adriatikut, në ishujt grekë, në Olimp, në Delf deri në Azinë e Vogël. Në Shqipëri është gjetur koleksioni më i madh, që përfshin afro 30 copë. Në pikat e skajshme këto përkrenare kanë shërbyer edhe si ex-voto, dhurata blatimi për zotat paganë. Një arsye tjetër është edhe shtegtimi i luftëtarëve ilirë gjatë aventurave të mëdha të betejave antike. Tek monedhat ilire të Shkodrës figura e përkrenares simbolizon pushtetin mitik të hyut të luftës, Medaurit. Tek Pafka e Selcës (Shekulli i III para Krishtit) imazhi i kalorësit është i armatosur me përkrenare dhe mburojën ilire me simbole rrethore të kultit të Diellit. Mbas kalorësit është Kadmi mitik i shndërruar në një gjarpër dragua me fuqi mbrojtëse, ktomike.
Përkrenarja ilire është e realizuar me derdhje në kallëpë gonderikë të bronzit të shkrirë. Mbi pjesën e sipërme, mbi ballë deri poshtë qafës ka qenë vendi ku fiksohej kreshta me qime kali, pjesë e heraldikës dhe ceremonialit paraqitës vizual. Standardi i përcaktuar i kësaj përkrenare dokumentohet që nga epoka arkaike (shekulli i VIII para Krishtit) deri në pushtimin romak (shekulli II para Krishtit).
Le të rikthehemi tek përkrenarja me maskë floriri. Është një ekzemplar i rrallë dhe i mrekullueshëm. Ilirët e shekujve Vi-V para Krishtit e kanë njohur zakonin princëror dhe ritual të maskave prej floriri për fytyrat e të vdekurve, zakon ky i njohur nga egjiptianët dhe kretasit, madje edhe nga babilonasit dhe kinezët. Në fshatin shqiptar Trebenisht pranë Ohrit janë zbuluar disa maska floriri sipas tipologjisë kreto-mikenase, të shekullit VI para Krishtit.
Rasti i këtij shkrimi është absolutisht i veçantë maska prej floriri është e ngjitur me përkrenaren, duke formuar një kokë skulpturore arti.
Maska është bërë sipas tipareve të princit ilir, duken vetullat, qepallat e mbyllura, hunda e hijshme dhe buzët e zgjatura për të respektuar kanonin e “buzëqeshjes arkaike” , që e kanë statujat e epokës së artit arkaik.
Maska tregon se i vdekuri ka qenë i ri, s’ka mbajtur as mustaqe, as mjekër. Fytyra është çuditërisht e bukur, për ankthin funebror, ngjan si njeriu që ka mbyllur qepallat, duke medituar dhe që përpiqet të sjellë ndër mend diçka, ndoshta gazmore, harenë e jetës dhe “buzëqesh” . Natyrisht kjo përshtypje është krejt virtuale, një iluzionizëm estetik. Në muzeun arkeologjik të Selanikut ky objekt quhej thjesht “ilir” disa përkrenare ilire të gjetur në Olimp kanë edhe mbishkrime si p.sh. “Verzo, i biri i Grabonit” (emra ilirë), që i ka studiuar H. Kunze.
Maska prej floririt e ilirit pa emër është identiteti i tij antropologjik (si fotografia e pasaportave të sotme). Dimë tashmë fytyrën, por jo si quhej. Qe rinor, i bukur, por fytyra e vërtetë është zhdukur, ekuivalentit të saj prej floriri ka mbijetuar.
Kjo maskë floriri flet për profesionistët, pra artistët e floririt. Ishte një subjekt ku praktika nderuese lidhet me historinë e hershme të artit. Rrallë ka ndodhur që fytyra e një iliri t’i jetë përcjellë shekujve dhe së ardhmes në këtë mënyrë speciale, me anë të modelimit identik dhe shndritës së floririt.
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

BUSTI I FAMSHËM I ASKLEPIT KTHEHET FALË TARES DHE CANËS


Igli Tare së bashku me Lorik Canën, dy lojtarët e njohur të ekipit tonë kombëtar, kanë paguar një çek prej 20 mijë eurosh, për të risjellë në Shqipëri bustin e njohur si Asklepius (ose Zeusi), të vjedhur nga muzeu i Butrintit në prill të vitit 1991. “Shpresojmë të inspirojmë dhe të tjerët”, thonë ata

Igli Tare ka ndërmarrë një nismë që nuk ka lidhje me futbollin. Dicka e vecantë për një futbollist profesionist, ndër më të njohurit e historisë së futbollit shqiptar. Së bashku me Lorik Canën, një tjetër shtyllë e ekipit tonë kombëtar, Tare ka paguar një cek prej 20 mijë eurosh, për të risjellë në Shqipëri bustin e njohur si Asklepius/ Zeusit, të vjedhur nga muzeu i Butrintit në prill të vitit 1991. Fjala është për një vepër antike me vlera unikale, e cila u ble së fundi nga një koleksionues privat italian në ankandin e njohur londinez të Christie’s. Dy futbollistët e njohur kanë kontaktuar para pak javësh me kolekisonistin italian dhe i kanë shfaqur atij dëshirën për t’ia blerë këtë kokë të mrekullueshme dhe për ta kthyer në Shqipëri. Transaksioni ka marrë fund me sukses, koka është blerë ngë Tare dhe Cana dhe ajo do t’i dorëzohet së afërmi presidentit Topi në Tiranë nga dy futbollistët e njohur.
Igli Tare pranoi të shpjegojë për MAPO-n arsyet e këtij gjesti bamirësie.

Zoti Tare, cfarë ju shtyu të merreni me dicka kaq të largët nga profesioni juaj i njohur, futbolli?

Kisha dëgjuar rastësisht në Romë rreth shitjes nga Christie’s të kësaj koke, si dhe historinë e saj intriguese, e cila niste me gjetjen e saj në Butrint shumë vjet më parë nga arkeologu i njohur italian Ugolini, si dhe vjedhjen e saj në vitin 1991 nga stendat e muzeut të Butrintit. Këto rrethana më bënë që të kërkoj dhe të interesohem me anë të avokatit tim, për të gjetur personin që e kishte blerë atë kokë, si dhe për t’i ofruar atij një shumë parash që të na e shiste, me qëllim kthimin e saj në atdhe pas rreth 18 vjetësh. Bisedova me Lorikun dhe ai u tregua entuziast në këtë ndërmarrje. Pjesën tjetër të historisë ju e dini.

Si e komentoni faktin që e gjitha kjo kryhet nga ju dhe Lorik Cana privatisht, dhe jo nga Ministria e Kulturës e cila ka mbi tre vjet që është në dijeni për rikthimin e këtij busti por nuk ka ndërmarrë asnjë veprim?

Ka qenë indiferenca e shtetit ajo që më ka bërë përshtypje, po aq sa edhe historia dramatike e vetë kokës së Zeusit. Institucionet që merren me këto punë, duhet të kenë ide të qarta për vendndodhjen dhe mënyrat e rikthimit në Shqipëri të kësaj pasurie të madhe kombëtare, që sot endet nëpër koleksionet e gjithë botës dhe që është vjedhur e grabitur në mënyrë të shëmtuar nga muzeumet tona. Shpresoj se ky gjest modest i yni, të shërbejë si një akt sensibilizimi dhe vënieje në lëvizje të strukturave në Shqipëri, për gjetjen dhe rikthimin e sendeve të vjedhura monumentale dhe arkeologjike. Së bashku më Lorikun, jemi shumë të kënaqur që presidenti Topi ka shfaqur gatishmërinë e tij për të na pritur ditën që do ta sjellim në Tiranë këtë objekt me vlerë, për t’ia dorëzuar autoriteteve shqiptare.
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

NE BUTRINTIN E ENEAS...KOHA ËSHTË NDALUR PËR SHQIPTARËT

Nga: Ben Andoni
Legjenda është e fjetur tani në Butrint, ndërsa drejtuesve të rinj, që fare pak u duket këmba në qytetin e madh, u duhet të spastrojnë. Pas ndërrimit të kahut të politikës dhe për Butrintin nuk pati më qetësi. Si në një plenium partie, ministri i sotëm i kulturës, i kërkoi drejtorit aktual që të largonte njerëzit e mëparshëm

Disa shpezë të egër i shikoj që tutje, që lodrojnë të qeta në breg. Vau, i kahmotshëm, përcjell banorët përtej, kurse dy punëtorë bëjnë kinse sikur punojnë në ndarjen e jashtme të qytetit antik të Butrintit. Asnjëherë nuk kam ardhur në dimër. Nuk ka shumë rëndësi. Njësoj, sa herë që njerëzit përmendin Butrintin, asosacioni të lidh vetvetiu me historinë, arkeologjinë e një treve, që ka shtrirë rrënjët pafund në histori. Në dimrin 2007, Butrinti, nuk të grish më me ndonjë veçanti, përveçse kënaqësisë për të parë në dheun e gërrmuar dhe për të hetuar aty mbeturinat pafund, që i kanë qëndruar shekujve.
Njeriu i biletave respekton kartën e gazetarit (Ndryshe nga sitet e tjera arkeologjike në vend). Pastaj pamja e mësuar në sy. Si dekada e dekada më parë: Kulla veneciane, kështjella në majë të kodrës, teatri antik, Baptisteri, Bazilika, gurët e mureve, dhe një det përtej, që çuditërisht e gjej gjithmonë të qetë e më të qetë. Të gjitha, përmblidhin në një fjalëz të vetme, Butrint. Kjo kryevepër e natyrës dhe e njeriut është në skajin jugperëndimor të Shqipërisë, ku gjendet një nga gadishujt më të bukur, Ksamili ose Heksamili...Nga një anë Joni, në anën tjetër liqeni i Butrintit, Pelodestit të lashtë ose liqeni i Zanave...

Rikthim
I jam rikthyer Butrintit vetëm pak muaj më pas. Më saktë qytetit, që prej vitesh mahnit shumicën e turistëve, që frekuentojnë Shqipërinë dhe Mesdheun. Këtë herë jo si vizitor, por me një sy tjetër. Një vajzë simpatike, që më thotë se punon sipër, do më drejtojë, por jo guidën. “E bëj vetë”-i them me dashamirësi. Më grish për muzeun. Objekti nuk ka energji, dhe si për dreq, është e vetmja gjë të cilën nuk e kam parë në Butrint. E duam, e kërkojmë. Teatrin e ka zënë gjumi dimëror, ndërsa boshësia e njerëzve e bën më të vetmuar. Tabelat e bukur-përshkruar janë piketat e vetme të lavdisë. Në këtë vetmi, plot me lagështinë e një dite shiu, të preh qetësia e liqenit prapa malit, pyllit më në lindje, manastirit të vjetër...Vajza e sheh që interesi ka rënë, por që në fillim ma ka pritur thatë: “Do ju’a tregoj muzeun, drejtori nuk është”. Për fat është tepër e edukuar. Nuk flet më fare. Nuk e shqetësoj. Hap dalëngadalë derën dhe më grish brënda në interioret e Kalasë veneciane. E ndjek pa gojë. I përsëris se orientohem vetë. Paqja është vendosur në errësirë. Në vitin 1997, këtu gati ndodhi hataja, por arkeologët e kishin parashikuar. Pjesa më e madhe e objekteve u dërgua me shpejtësi në Tiranë...Në errësirë Agripa, Ahtinoi, Asklepi, të shikojnë pa jetë. U ndriçoj fytyrat me një Ericson po aq të vjetër. Të ngurtësuar në shekuj, nuk dinë më shumë se ç’të thonë. Statuetat më tutje në sheshin e brendshëm të muzeut tregojnë një pjesë të kësaj krenarie, që ka qenë në vend. Më pas monedha, armë gjithshka...Duket se momentin e shfrytëzojnë dhe dy të tjerë që vijnë dhe vizitojnë dhe ata. Nuk flasim. Lëvizim si hije.

Butrinti...politik
Dalim. E falenderojmë. Kaq. Asgjëkundi Rangers-at e njohur. I druhem vajzës. Ndërsa, pak më parë, kam pyeut ata që kanë punuar ose ata që punojnë ende. Pas ndërrimit të politikës dhe për Butrintin nuk pati më aq qetësi. Si në një plenium partie, ministri i sotëm i kulturës i kërkoi drejtorit aktual që të largonte njerëzit e Auronit Tares, drejtorit karizmatik, që e kam fiksuar me siluetën e stërgjatë në kronikat e kohës, duke e ruajtur qytetin nga fantazmat e kohëve moderne. I ngrati e dinte se në Shqipëri funksionon me “të fortë”. “Akoma i mban ti ata”, i tha Z.Leskaj, drejtorit për ish-punonjësit, që shpëtuan dikur qytetin. Për hir të vërtetës, drejtori i ri, nuk kishte luajtur deri më atëhere asnjë nga punëtorët. Atij, vetë, i duhej të udhëtonte nga Elbasani në drejtim të Butrintit dhe anasjelltas, por asnjëherë të mos vendosej në qytet. “Nëse jeni i interesuar te dini se si jam ndier për ndryshimin e drejtimit të Parkut, mund t’iu them se nuk ka asgjë të veçantë për t’u përmendur. Çdo njeri ka në kokë një ‘drejtor ideal’”, më ka thënë patetike një specialiste e tashme.. Në fakt, më thotë se është e kënaqur që ka po ata kolegë, po atë zyrë dhe që i është rritur rroga. Nuk jam fare aq i interesuar, por vajza simpatike që punon dhe është laureuar vetëm pak vite më parë, është e prerë. Një tablo tjetër me fakte ma jep një ish-punonjës i Butrintit. Nuk fyen, pavarësisht se ndjehet i prekur. Tek ai ndjej, pak pulsimin e Butrintit. Puna që është bërë vitet e fundit në Butrint, dhe që personalisht dua t’ua atriuboj shumë njerëzve të shkuar, duket se i ka rrënjët e thella. Këtë e ndjen në qytetin relativisht pastër, ndërsa tabelata të orientojnë mirë për qytetin. Kuptohet se gjëkundi nuk ka drejtor dhe Rangers. Qyteti, më duket i plakur në këtë post vend, ndërsa kujtoj se një presion politik iu var mbi kokë dhe Ugolinit, në kohën e tij, për të gjetur pjesën e Romës në këtë vend.
E Butrinti ngjalli cmirën e të gjithë burokratëve shqiptarë, pasi falë drejtorit të dikurshëm, ajo u fut në shumë axhenda, por më shumë se kaq, ajo u bë një vend “i detyrueshëm” për VIP-at më të njohur të botës. “Kush ka ardhur tani?”- pyes dikë, që më hiqet si kopetent dhe që e gjej rastësisht. “Njerëz”,-më përgjigjet. “Po të huaj”, e pyes. “Vinë dhe ikin”, më thotë. “Nga je”- e pyes. “Nga Skrapari”,-më gjegjet, ndërsa nuk e gjej që nga fillimi, kur kam ardhur se ç’bën me murin e jashtëm. “Çfarë pune keni bërë së fundi?” Më shikon me dyshim. “Ç’të hyn në punë”. “Jam gazetar”- i përgjigjem. Hesht. OK...Bëhemi miq. E miklon fakti që tentoj t’i bëj foto...

Çfarë mund të bëheshin
Nuk e di, çmund të bëhej, por Demiri, një nga punonjësit e njohur në këtë vend më sqaron se nga ky vend është larguar një ekip i tërë, tashmë i konsoliduar dhe i vlerësuar nga institucionet ndërkombetare. Muzeumin, që e shikoj vetë, restauruar më 2005 tashmë nuk ka drita dhe si rrjedhojë duhet të ketë probleme të mëdha në administrimin dhe manaxhimin e tij. Pse jo edhe duke e rrezikuar koleksionin, që mbart. Vetë, kam fat, sepse dita e shiut më ka dhënë pak dritë difuze.
Në vitin 2000 me mbështetjen e Bankës Botërore, përherë të parë në Butrint u krijua një ekip Rangers, të cilët u trajnuan nga Federata Botërore e Rangers. Ky ekip u konceptua si një ekip roje, por edhe udhërrëfyesish për vizitorët që vinin në Park. Në dhjetor të këtij viti, ky ekip u shpërbe, dhe u vendos që Parku të ruhet nga roje private, më sqaron dikush. Nga këta, dy njerëz ishin trajnuar në SHBA, ndërsa një tjetër ishte përgatitur dhe kishte një diplomë ndërkombëtare për guida turistike, marrë në Qipro. Sipas njerëzve, që tashmë nuk punojnë në këtë vend, shumë nga punëtorët e Butrintit kishin kaluar në disa kurse kualifikimi për restaurime dhe kishin një eksperiencë të gjatë në Butrint. Në të vërtetë, rishtarët dhe sidomos ky që flas, është nga Skrapari. Nuk bëj dot lidhje, pastaj gjej një arsye shqiptare, që më mposht. Mbase llogjika e drejtorit aktual, që vazhdon të japë leksione në universitetin e Elbasanit, duke e ndarë kohën e tij mes këtij qyteti dhe Butrintit nuk shkon më shumë. Por, këto ndryshime kanë bërë që mos të ketë asnjë projekt të ri nga administrata aktuale. Madje, edhe projekti për një mision arkeologjik të pavarur shqiptar nën drejtimin e prof. Cekës është ndaluar. Falë këtij Projekti, prej dy vitesh vazhdonte këndshëm ardhja e studentëve tanë për të punuar në Butrint. Nga kjo politikë, tashmë kemi vetëm një ekspeditë arkeologjike, ajo angleze e fondacionit Butrinti. Prej këtyre të fundit paguhet një rrogë drejtori aktual te Parku, një rrogë për dikë, që e ka ndarë kohën e tij në dy vende...
Por, njerëzit që pyes- më tregojnë se edhe plani i Manaxhimit, që është kërkuar nga UNESCO, prej një viti- nuk është hartuar dhe paraqitur akoma. Ndërsa, të ardhurat, që vinë prej vizitorëve, nuk kanë gjetur ndonjë rrugnajë...
Pak për Butrintin e të gjithëve
Të lodhshme, por të vërteta. Preferoj t’i kushtohem pak Butrintit, që çdo herë më duket më i bukur.
Kanali i Vivarit në zbaticë i kalon ujrat e liqenit në det dhe në baticë i kalon ato të detit në liqen. Në një kohë, falë kësaj pozite, qyteti përdorej edhe si skelë. Itenerarët detarë e përmendin këtë fakt në shekullin e III, por në këtë vend kalonte dhe rruga e madhe detare prej Dyrrahut e Aulonës në Nikopol e më tej. Por, Natyra nuk mjaftohej me kaq. Fusha e Kestrinës (Vrinës) dhe kodrat e bleruara i siguronin Butrintit korrje të begatshme dhe një blegtori të mirë. Liqeni, nga ana tjetër, jepte peshq e midhje pafund. Jo më kot, afër këtij vendi, ka një qendër prehistorike. Nga periudha e parë e hekurit sheshi i sipërme i kodrës u rrethua me blloqe të mëdha e të papunuara. Ky ishte fortifikimi i parë. Qyteti i parë i identifikuar që përmëndet në gjeografi i shekullit të VI para Krishtit Hekateu, është Butrinti. Pas pesë shekujsh e hasim sërish emrin e tij.
Këtë herë është rradha e Teukrit të Kizikut, që risjell një legjendë të lashtë, sipas të cilës Eneu, heroi i Trojës duke lundruar nga Troja në Perëndim bëri fli një ka për hyrjen e tij në Epir. Kau i plagosur çau me të shpejtë përmes detit, hyri në një gji dhe doli në bregun e një toke ku ra dhe ngordhi. Këtë ai e quajti profeci dhe tokës i vunë emrin “Buthrotus”. Ndërsa, Rasini vendosi Andromakën. E kujtoj si në jerm përmallimin e Mitrovicës, që dëshironte ta luante në Sarandë...

Nëpër të
Më duhet të ndjek itenerare të njohura, por gjithmonë njeriun e grish Porta e Luanit...E kujtoj se është bërë që t’i ngjante në Trojë, portës me të njëjtën emër, mbase...Rrugës mund të meditosh, kur kaloj teatrin, nimfeun, Bazilikën... Ky ka qenë një nga qytetet epirote të kaonëve, sepse thjesht një hamëndje të çon në legjendën e krijimit të tij, që si mundi t’u jepej armiqve të akenjve. Në shekullin e IV para Krishtit u ndërtua shëtitorja dhe tempulli dhe nisi jeta dhe përtej mureve. Pas vitit 168 para Krishtit, kur u krijua lidhja e Presaibëve, Butrinti u kthye në një vend me një sërë qytetesh satelite e kështjella të varura (Karalibeun, Qenurionin, Kalivonë, Vagalatin, Malathrenon, Çukën e Ajtoit, Kataajtoin). Në Butrint ishte Eklesia (këshilli i qytetarëve-që vendoste për gjëra madhore); Buleja (administronte qytetin); strategu (kreu ushtarak dhe civil); prostati dhe kryeprifti. Qyteti ka teatër dhe dy tempuj, që tregojnë se dikur vendasit kishin interesa të thella kulturore. Sot, ato flenë, por me një dinjitet të rrallë. Për fat, Butrinti nuk pësoi fatin e 70 qyteteve epirote, që u shkatërruan nga romakët. Ajo mbeti kryeqendër e krahinës, ndërsa Çezari i madh e ktheu në depo. Qyteti filloi të merrte ujë nga Xarra dhe kjo duket në monedhat. Në këtë kohë qyteti arrin 11 ha. Të kësaj kohe janë gjimnazi, tre çezmat monumentale të qytetit etj...
Në kohën e Julian Apostatës në shekullin e IV kemi dhe mozaikët, kurse në vitin 451 përmëndet edhe peshkopi i Butrintit... Ai përmendet integralisht edhe në Mesjetë dhe i shpëton dorës së Ostrogotëve, falë fortifikimeve. Më 1081- 1084 është arenë luftrash mes Bizantit dhe Romanëve. Hyn në Despotatin e Epirit, pastaj në dorë të Bizantit sërish më pas, Anzhuinëve dhe pastaj më 1386 venecianëve. Ali Pasha ndërtoi më 1807 kështjellën në Vivar. Për fat, nga viti 1928-1930, Zogu e dha për gërmime me koncesion dhe fati i madh ishte Ugolini, me grishjen e tij instiktive por edhe të ndikuar, që la Finiqin dhe erdhi këtu duke bërë zbulime të njëpasnjëshme...
...
E bukur,-i kthehem skraparlliut, që është siguruar se po i bëj foto, që nuk do t’i duhen. “Ku keni punuar, sëfundi?”. Më shikon në sy. “Këtu, afër”- më thotë, por me dëshirën e madhe që t’i hiqem sysh. Po. Do t’i hiqem. Shiu po afron me nxitim. Janë nuk e di sesa kilometra deri në Tiranë. Atje, ku shpesh flitet për Butrintin, por që më duket se pak e njohin. Iki. Ndërkohë vau bën rrugën e rradhës. Butrinti shtyn e pret. Ai është mësuar të presë vdektarë dhe Zota. Ashtu si priti Enean, dhe para tij edhe Andromakën e gjorë. Mbesin, ato, që në periudha të ndryshme kanë jetuar: kulla veneciane, kështjella, muzeumi i sotëm deri vonë pa objekte, teatri i famshëm antik, kollonat e mbetura greko-romake, liqeni që bashkohet me detin, dhe pafundsija blu, që të afron me të panjohurën e shekujve. Largohem. Eshtë dimër. Muzgu mbulon fushën e Vrinës dhe kështu shuhen pak nga pak edhe zhurmat që lëshojnë pas shpendët, ndërkryer me teatrin antik teksa ndjekin pretë e tyre. Kthim.
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

ALBANOPOLISI, KËTU FLENË ALBANËT

Nga: Ben Andoni
Eshtë pak kilometra nga qyteti i Krujës. I përhumbur, mbytur në shkurrishte gjethegra dhe pa shpresë se do të kurohet ndonjëherë, ashtu si e meriton nga arkeologët shqiptarë. Falë një llogaritje gjeografike të Ptolemeut në shekullin e dytë pas Krishtit, këtu mendohet se është Albanopolisi

Një grup turistësh të huaj, që erdhën në erën socialiste, ishin të parët, që i bindën realisht njerëzit e këtij vendi, se ishin ndryshe nga të tjerët. Deri më atëhere, përpjekjet e arkeologëve Ceka (Plaku), Islami e të tjerë, duket se nuk
u kishin bërë përshtypje banorëve të Zgërdheshit në Krujë, që punonin të qetë tokën dhe kullosnin mbi qytetin antik bagëtitë e tyre. Por, të huajt, që erdhën atë ditë të vitit ’80 nuk ishin aq indiferentë. Në skajet e fshatit, që tashmë është parcelizuar dhe mbushur me tarraca me shumë ullinj, njësoj si atëhere, flinin pa fund bunkerë. Shumë syresh aq të mëdhenj (duhet të mbanin topat e kalibrit të rëndë)sa mund të habisnin edhe indiferentin më të madh...Kuptohet, jo fokusin e turistëve, që shpejtuan të materializonin gjithshka, bashkë me kalanë, ku mendohej se mori jetë emri i Albanëve. Ajo që do të ndodhte më pas merret lehtë me mënd. Nuk shkeli më këmbë turisti, por edhe këmbë arkeologu. Ajo që ishte bërë ishte bërë. Banorët ishin zhytyr sërish në harresë. Ishte zonë ushtarake, ndërsa historianët e përkthyen më lehtë justifikimin e tyre. Sipas një rregulli të shenjtë në arkeologji, kur nuk di se çfarë të bësh, është më mirë që të heshtësh, pra që të mos gërmosh. Që atë ditë arkeologët u rralluan në këtë vend. Humbën dhe shpresat e banorëve se do ishin diçka dhe do i bënin karshillëk Krujës së Skënderbeut, që i sodiste ngultas dhe shpërfillshëm nga pak kilometra lart, prej shekujsh që nuk mbahen mënd....

Në fshatin e kalasë së Albanëve
Merit Seferin, një 55 vjeçar, që e takojmë të parin duke iu afruar kalasë së Zgërdheshit, është njeriu i parë që e shpreh hapur indiferencën e tij. “Keni ardhur në kryeqytetin e Ilirëve, na thotë patetik-këtu është qyteti më i parë i të gjithë ilirëve. Këtë duhet ta dini mirë”. Eshtë një ekspert “i vërtetë” dhe më kot, mundohesh t’i shpjegosh, se nuk është bash ashtu. Në kokën e tij Iliria është një shtet i ngjashëm me të sodit. Gruaja, që i shkon pas ish-mësuesit hesht, por në këtë memecëri miraton me shkëlqimin e syve- zgjuarsinë e të shoqit. Pak tinëzisht, na hedh disa vështrime triumfatore, që përfundojnë të prehura në fytyrën e errët dhe të rreshkur të mashkullit të saj. Ky i fundit vijon të tregojë për historianët, që kanë qenë në shtëpinë e tij. Atyre, që plaka e tij e vjetër, u shërbente dikur. Kanë qenë arkeologë specialistë (një nga një i shqipton emrat e njohur) dhe kanë pasur strehë tek shtëpia e mësuesit të fshatit. Në fakt, në ditët tona shumë prej tyre nuk janë...Eshtë i vetmi moment, që më bën ta shikoj me adhurim intelektualin-fshatar. Ky është dekiku i vetëm, që e falenderoj burrin e veshur thjesht dhe qytetarçe: që nga ana e tij, përfundon me një deklamim potencial: “Kjo është kalaja e Zgërdheshit...Albanapolisi i famshëm”.

Albanapolisi
Teksa i hedh sytë, nga më thotë ai, shikoj se asgjë nuk ka të famshme për një rishtar ky vend. Mjedis baritor. Ndërsa, sipër tij, disa gërmadha, mbushur me shkurrishtet që i kanë shpëtuar sezonit të fillimdimrit. Duke ardhur, pas një shmangie nga magjistrali kryesor, shkrimi i zakonshëm në një tabelë rrugore dhe më pas, një fjalë e vetme në një ndërtesë rurale, janë e vetmja gjë, e cila realisht të kujton Albanopolisin e arbërorëve. Por, aq dobët sa janë shkruar, ato të sjellin më shumë ndërmend emrin e një klubi...sesa një qytet hijerëndë, si u pëlqen që të nanuritet sedra e banorëve. Në shtëpitë e fshatit duket ka pak gjallërim, kurse tymi i zbehtë nga pak oxhaqet tregon se banorët duhet të jenë shpërndarë për bukën e përditshme. Janë të gjithë të paqëm. Ashtu si këto ditë dimri të qeta, që shkojnë të patrazuara, edhe në fshatin Zgërdhesh dimri është ende në frymën e parë. Më të vegjlit shkojnë në shkollë, të tjerët e shtyjnë në qendër të fshatit dhe në rrugën që lidh Fushë-Krujën me Krujën, ndërsa pjesa tjetër e mbetur (ata që nxjerrin bukën) në Gropat e gëlqeres. Këto të fundit, të fshehura me tymin e kapërthyer të tyre, që shpesh herë e kalon katin e parë dhe të dytë të shtëpive të zakonshme të fshatit, janë të llahtarshme. Afrimi ynë ngjall kureshtje, ndërsa gjërat shkojnë në vend kur mënjanohemi drejt kalasë. Kam pak minuta që e kam lënë Meritin dhe ngjitemi në kodrën, ku mendohet se është qyteti nga të cilët morën emrin shqiptarët Mesjetarë. Në të njëjtën kohë, më duhet që t’i shpjegoj një kolegeje italiane çfarë është ky qytet për shqiptarët...Më buzëqesh pa fund, por duket se pak i bën përshtypje. Nga poshtë fshatit në horizont, qytetin e famshëm të Meritit, e kam parë thjesht si një grup të vijueshëm rrënojash, që vazhdojnë dhe i ngjiten sipër kodrës, që tutje në horizont ka si mbrojtje kalanë e dikurshme të Kastriotit. Meriti, nga ana tjetër e rrugës, bashkë me të shoqen e shikoj nga tutje sesi i avitet pak nga pak qendrës së fshatit. E ndjek me sy dhe kujtoj se në këtë fshat, që tashmë numëron 370 shtëpi, ai vegjeton. Ka lënë mësuesinë, sepse i bie më mirë që të punojë si punëtor. Dikur është laureuar në Tiranë për letërsi dhe punon. Më ka thënë se mbante dhe bibliotekën e fshatit. Tani?!!!Ka gjetur një mënyrë pune në gropat e gëlqeres, që lulëzojnë mbi fshat dhe mbijeton. “Kur ka punë punon, kur nuk ka rrin”, kujtoj fjalinë e vetme shqiptuar nga goja e të shoqes. Jemi shkëputur shumë dhe tashmë i jemi drejtuar malit. Por, deri më atje, duhet që të ndalojmë në një shtëpi dhe të hamendësojmë drejt kalasë së Zgërdheshit, e cila shtrihet e gjitha mbi fshatin, e orientuar në drejtim veri-jug si qytet. Pak metrat e fundit, që duhet t’i afrohemi kalasë duhet të kalojmë dhe një tarracë të rrethuar, ku ndanë disa ullinjve tepër të zgavruar, që janë vetë ripërtëritur me disa filizë, kullosin dele, kurse përballë tyre disa kuaj rrinë të qetë dhe krenarë duke i mbrojtur. Nuk është e lehtë të përshkosh hapësira të panjohura, por ja që duhet të shkosh në Zgërdhesh...

Qyteti
Realisht në atë që quhet sot “Kodra e kalasë” e fshatit Zgërdhesh në rrethin e Krujës shquhen muret e një kalaje të moçme. Në literaturë kam lexuar përshkrimin e kujdesshëm të një studiuesi Jovan Adami, nga ku kam marrë njoftimet e para. Ky vend është bash i lokalizuar në fundin i një vargu kodrash nga lindja që zbresin në perëndim dhe nga lartësia i identifikon më lehtë. Kodra jonë, nga ana lindore, ndahet prej kodrave më të larta me një qafë. Atje gjej një bari që bërtet pa fund dhe monologon mes shkurrnajave, por që nuk ia kuptoj lehtë gjuhën e malit. Përshëndetemi nga larg. Nga ana jugore dhe perëndimore, kodra kufizohet prej përrenjsh të thellë, ndërsa “nga ana perëndimore ulet që nga maja me kuotën 252 për në fushë duke arritur gjeri në kuotën 162”. Një pikë topografike që gjej aty dhe që hamendësoj që është e shkuar, më orienton për pikat e horizontit. Duhet sqaruar se pas Luftës së Dytë Botërore, ata që u morën me këtë vend zbuluan vazhdimin e mureve antike. Gjatë gërmimeve, që u bënë në vitin 1949, kanë dalë edhe disa godina. Arkeologët panë me kalimin e kohës, se qyteti që zbuluan ata shtrihej deri në fushë dhe rrethonte krejt anën perëndimore dhe veriore të arave. “Nga pastrimi i pyllit doli në dritë jo vetëm i gjithë muri, por u arrit në konkluzion se disa kulla, të cilat dukeshin të vetmuara si godina të veçanta ishin kulla të murit”. Një kullë anash duket realisht si më e mirëmbajtura. I admiroj një hark të këndshëm, që i ka dhënë muratori antik i panjohur. Shumë afër janë rrënojat e një kishe, tek e cila dallohet apsida e thjeshtë dhe që arkeologët e kanë fiksuar në shënimet e tyre sipër një kulle të murit tërthor. “U gërrmua rreth e brenda godinës katërkëndëshe që gjendet puq me kullën e rrumbullakët të murit A. U gërmua fundi i kullës katërkëndeshë në jug të kullës së rrumbullakët të murit edhe u bënë disa gërmime rreth godinave. Gjatë kërkimeve dhe gërmimeve u zbuluan tre objekte prej balte të pjekur, një copë tjegull me një vulë me dy shkronja TI dhe 20 copë monedha të ndryshme. Në të dyja anët e kullës së rrumbullakët muret nuk vazhdojnë as nga ana jugore as nga ana veriore pasi si nga jugu ashtu dhe nga veriu formacioni i terrenit është pjesërisht shkëmb dhe pjesërisht formonte mbrojtje natyrale”, shfletoj shënimet e arkeologëve.
Historianët mendojnë se ky qytet ka qenë i formësuar tamam dhe ruan disa elementë shumë të veçantë, ku midis tyre mendohet se ka qenë rrethuar me mure mbrojtëse po ka pasur tre mure tërthore paralele. Ka fragmente ende që janë deri një metër mbi tokë, ndërsa konstruksionet e tyre zakonisht janë prej gurësh të latuar dhe pjesërisht prej gurësh të papunuar. Në një vend, pak më tutje, duken rrënojat e një fragmenti tjetër që e bëjnë atë pjesë si të vetmuar, ndërsa një gur i qoshes është gati 1,93x0,80x0,60 dhe tjetri 4,61x0,84x0,45 m. Pjesa e murit midis këtyre dy qosheve formohet prej gurësh të papunuar. Kjo si biçim kulle vërtetë nuk ka lidhje me ndonjë mur, veçse nga ana veriore ajo mbështetet pas shkëmbit...
“Poshtë kullës duket një pjesë muri pjesërisht me gur të latuar dhe pjesërisht me gur të papunuar dhe vetëm me një faqe nga ana e poshtme duket një mur terrace…
Poshtë këtij muri dhe afër 60 metra prej kullës, duket një mur i tretë paralel me muret B dhe C. Ky mur nga ana lindore nuk fillon me nëj kullë po me një mur dhe 14 m pas këtij muri duket një kullë (6) e cila si kullat e tjera të mureve pjesërisht del përjashta faqes së murit”, sqaron në shënimet e tij Jovan Adami. Prej të tri rradhëve, që duken sipër tokës, gurët janë 2,00 m dhe 2,50 m të gjatë dhe 0,80 të trashë.
Kemi një vend tjetër që duket se ka shërbyer si mur terrace. Pak më poshtë këtij muri dhe më tepër nga ana veriore, janë të preçizuara shkallë të punuara në shkëmb, të cilat të shpinin në këtë shkëmb.
Me pak fjalë, duket se kalaja e Zgërdheshit, referuar studiuesve ka patur si mure mbrojtëse murin me kullën e rrumbullakët nga ana lindore dhe muret nga ana perëndimore. Kurse nga jugu dhe nga veriu, ajo ka qenë e mbrojtur prej terrenit tepër të pjerrët dhe prej shkëmbit. Ka të ngjarë, që muret tërthorë duhet të jenë bërë kohë mbas kohe sipas zgjerimit të qytetit. Nga sipër humbas në një trung të përcëlluar nga një rrufe, ndërsa nëpër gurë has në fosile guackash, në të vetmin moment, që e bëj t’i tërheq vëmëndjen koleges së huaj. Por, kaq mjafton...

Sikur të jetonin me kalanë
Pasi kemi fotografuar këtë ngrehinë, që e kam në kokë falë artikullit skrupuloz të studiuesit të vjetër, më duhet të zbres. Por, në pamundësi, të një orientimi, përfundoj gabim dhe më duhet të përshkoj me kolegët e mi dyfish qytetin antik dhe të përfundoj në një si biçim tyrbe, ku janë dy gurrë varri, pa më të thjeshtën shenjë identifikimi. Dhjetë minuta më vonë, mikpritësi im, Halil Voka, ish-oficer këmbsorie, por që tashmë është kryeplaku i fshatit më thotë shumë dhe asgjë, kur zbres në fshat. Ushtarakisht, burri, që e ka humbur prej kohësh shprehjen e oficerit, më shpjegon me fytyrën e një nëpunësi pedant. “Gjëndja ekonomike jo e mirë. Ne jemi gati 2000 banorë dhe 370 shtëpi. Këtu jemi dy fshatra të bashkuara. Fiset janë nga më të ndryshmet. Kemi fise Karroq, Faruk, Sefer, Halilaj, Zogaj dhe shumë e shumë të ndryshëm”. Referuar tij, Karroqët, Vokët, Seferët, Halilët janë vendalinj, ndërsa pjesa tjetër ka ardhur nga Malësia e Krujës dhe nga Dibra e nga Kukësi. Kanë ardhur të gjithë dhe jemi inkuadruar të gjithë në fshatin Halilaj. Por, këtu kanë përfunduar, shumë dhe pas shitjes së tokave. Remineshenca e vitit 1997 është e gjallë përmes këtij fakti. Që mund t’i shtohet dhe ardhja e aventurierëve të ndryshëm, të cilët kanë kërkuar për florinj në këtë vend. Nuk mbaron këtu përralla e tij, sepse vijojnë çudirat, që më duket se i dëgjoj në jerm. Kuptohet se flet për historikun e fshatit! Fshati Zgërdhesh është fshati më i vjetër në Ballkan! “Kalaja që ishit ju, është kalaja e Arbërve, që sipas historikut kanë qenë 10,000 banorë. Asnjë investim nuk është bërë qoftë në kohën e Enverit dhe qoftë edhe në kohën e Demokracisë fare”. Nuk di kujt ti besoj. Por, atje ku kam gjetur fosilet- prej 16 vjetësh, sipas kryeplakut, ferra e mbulon njeriun e zakonshëm. “Për herë të fundit kemi parë arkeologë në vitin 1992”, më thotë duke më hedhur poshtë fjalët e Meritit, që më ka treguar interesin për këtë vend, por të vakët. Sipas tij, pak ditë më parë, ka qenë dhe Ceka (I Riu) që është ngjitur në qytet. Kryetari vazhdon dhe më tregon për një shoqatë që mban emrin e Albanapolisit dhe ai duket se është boll i pakënaqur. Ashtu si edhe me të huajt. “Kanë ardhur edhe ca francezë dhe panë... dhe u shpjegova se Ju duhet të investoni pak dhe ne investojmë me mundësitë që kemi për të bërë diçka të bukur. Të bëjmë zbulime...”. Kthehet sërish te shoqata, që më sa duket ka probleme. “Ne u kemi kërkuar dhe u kemi thënë hajde që të bashkëpunojmë dhe të njihet kalaja. Të jetë një shoqatë me këtë emër dhe të mos interesohet... është kot fare...”, më sqaron ankueshëm. I shpjegoj se ai vetë nuk ka bërë dhe mundimin më të vogël për qytetin. Kthehet me forcë. “E kam vendosur,-thotë- në xhade një tabelë”. I shpjegoj se është pak. Pak minuta më vonë, kryetari ulet: “Kjo është më se e drejtë, por me thënë të vërtetën të gjitha janë bërë privatisht. Nuk kemi ndihmë nga Bashkia as edhe një lek, që ka fondin për këtë. Janë një fond i veçantë, por asgjë nuk bën. Sepse një tabelë kushton 10.000 lekë”, më justifikohet.
Por, çudia nuk mbaron këtu. Më sqaron se mësuesit i dërgojnë gati çdo javë në qytetin sipër nxënësit. Nuk jam i prirur të besoj, sepse në qytet sipër nuk kam parë as edhe më të voglën gjurmë, që zakonisht lënë ata që e prekin një vend shpesh. Por, i dukemi, një mall i mirë për të na hedhur hi syve...Ai vazhdon retorikën dhe pak minuta më vonë të sqaron vetë..se në kohë tjetër është e vështirë të ngjitesh…

Rekuiem për varfërinë e Arbërorëve të shekullit XXI
Eshtë një varfëri e madhe dhe jetojnë me mjete private duke përdorur gropën e gëlqeres, që është në kundërshtim me të gjitha parametrat që duhen për ndotjen. “Unë kam dhënë intervistë, por nuk kanë ku shkojnë, më sqaron kryetari. Eshtë e vërtetë që kanë tokë, por ajo nuk jep asgjë”. E banorët djegin goma dhe vazhdojnë që të djegin. Gati një muaj më parë kanë dërguar një grua, që i ka rënë infarkt prej kësaj pune. Por, kush do t’ia dijë. Vetë kryeplaku ka kërkuar matje, nga autoritetet dhe përfundimi ka qenë katastrofal: Ka dalë se gjatë 24 orëve ka dalë mbi 300% të normës së lejuar, thotë duke ulur kokën. Ata, që janë më të fortë, tashmë kanë prekur të gjithë botën, si të gjithë shqiptarët duke kërkuar një alternativë tjetër. Në Greqi, Itali, Francë dhe në të gjitha vendet e botës, por jo në “kryeqytetin e Ilirisë”, që të jep kancer dhe pak lavdi.
Sepse të tillë janë banorët këtu, që në kohët e moçme e kanë njohur veten me emrin Kakariq. Kanë tokë të varfër, ndërsa vetë e kanë fjetur mëndjen, që kaq është. Sikur të mos mjaftonte kjo, në Krujë kanë prishur një rezervuar nga ku ujiteshin tokat e këtij vendi. Kështuqë sot nuk prodhohen as gjërat më elementare… as zarzavatet e veta. Ndaj, jetojnë vetëm me gëlqere dhe me punë të zeza, por edhe me emigracion. Ata të paktit në vend mezi e shesin me çmim shumë të ulët gëlqeren e prodhuar “100 lek kilogrami”.
“Ka 8-9 vjet që uji nuk shfrytëzohet sepse janë prishur kanalizimet e ujit nga rezervuaret dhe puna e keqe e gurorëve dhe inerteve ka bërë që ato të dalin jashtë përdorimit. Fshati ynë prej vitesh nuk vaditet”, më thotë në fund fatkeq kryetari.
Ia di epilogun. Duhet të vejë dorë shteti...ose monumentet e kulturës. Sipas tij, Zgërdheshi mund të thithë shumë vizitorë të huaj, sepse është një vend shumë i mirë. Gjithmonë Providenca-shtet.
...
Më duket fatkeq dhe i kotë në përpjekjen e tij. Nuk i them dot që kalaja nuk hahet.
Largohem dhe kjo është gjëja më e mirë, që të dëgjosh njerëz, që kanë lindur për tu shtypur.
Asgjë nuk e ka peshën e dikurshme në këtë vend. Këtë e shikon kur ikën. Por, Meriti dhe Halili, janë të bindur se ky vend është i veçantë. Por, e dinë, që derisa nuk është bërë, atëhere në atë kohë, shumë ka pak mundësi që gjërat të ndryshojnë tani. Kuptohet, bëjnë sikur besojnë të kundërtën. E derisa fitohet në Butrint, pse mos të fitojnë dhe ata. Në fakt, kaq dinë. Kurse Zgërdheshi rri nga sipër dhe i shikon të mjerët. Për ata, që gjeografikisht janë “kryeqytetarët e Ilirisë”. Për fat, nuk vinë më turistët e dikurshëm, por shumë historianë dhe studiues të huaj, që shkojnë dhe vinë...nuk thonë më asgjë...Kur ikin u mbetet t’i pëshpërisin njëri-tjetrit:Vallë të jenë ata kryeqëndra e Ilirëve?! Askush nuk ua thotë burrave...Kujtojnë vetëm se që nga dita kur ktheheshin arkeologët e vjetër në këtë vend nuk shkeli më askush...Fati kishte ikur bashkë me turistët e viteve të socializmit.
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Të rejat e Rikut për Fyellin!? Violeta Murati 1

Ekspedita e përbashkët shqiptaro-gjermane, e cila po kryente gërmime arkeologjike në zonën historike të Lezhës, zbuloi ndër të tjera disa elementë kockorë, enigmatikë, cilindrikë



Për të shkuar në laboratorin e vetëm që kemi për restaurimin e objekteve arkeologjike duhet të marrësh në telefon shefin e tij, pasi një derë e madhe prej druri, që është gati në të rënë, ku janë varur dy dryna me zinxhirë të hollë, të rinj është mbyllur... Rruga e vjetër me kalldrëm - zona më e fundit e shpallur historike, nuk shkelet më as nga makinat por dhe janë ditët e fundit dhe për vetë laboratorin. “Policia na ktheu dje këtu, sërish, por vetëm për pak kohë”, - thotë shefi i Laboratorit të Arkeometrisë dhe Konservimit, Frederik Stamati. Pak kohë me parë nga të zotët e shtëpisë ishte nxjerrë me forcë që andej dhe tani ishte kthyer derisa të gjejnë një strehë të re për laboratorin.

Aty ka mjaft qetësi, ka hapësirë të madhe kur deri para pak kohësh shërbente për parking. Pamja përballë është e mjerueshme, e zymtë gati në të shembur një nga shtëpitë më karakteristike të Tiranës ku ndodhemi, tek Laboratori i Konservimit dhe Arkeometrisë. Aty shkojnë objektet më të çmuara të arkeologjisë, ato të sapogjetura dhe më të vjetra që janë në grahmë të fundit. Por, shefi i këtij laboratori sa heq zinxhirët e derës të mbyllur thotë: “Do ikim shumë shpejt, dje na solli policia”.

***

Copëza të vogla kockore në ngjyrë bardhë e zi, cilindrike, janë shpërndarë mbi një tavolinë të gjatë, disa të futura në qeska të vogla... shpjegimi i tyre deri tani nga arkeologët është krejt enigmatik: është instrument muzikor etnografik, ndoshta një fyell?! Ndërsa shtojmë pyetje të tjera: Janë zbulimi i ndonjë tradite, kulturë dhe artizanat? Çfarë është përcaktuar deri tani nga arkeologët është se kanë të bëjnë me një gjetje që i takon shekullit I para Krishtit ose shekullit I mbas Krishtit.

Ekspedita e përbashkët shqiptaro-gjermane, e cila gjatë vitit 2009 po kryente gërmime arkeologjike në zonën historike të Lezhës, zbuloi ndër të tjera disa elementë kockorë, enigmatikë, cilindrikë dhe me një ose dy brima. Në fakt, edhe një vit më parë ishin zbuluar disa fragmente pranë të njëjtës zonë. Shefi i Laboratorit të Konservimit, Frederik Stamati, dje i ka dhënë fund restaurimit të tyre, por ende pa nxjerrë ndonjë gjë me shpresë, duke i lënë pjesët e lidhura, që ngjajnë me fyellin nën rrahje hipotezash.

Stamati tregon se qysh në momentin e zbulimit u ngrit një pikëpyetje për domethënien e tyre. Mendimi paraprak ka qenë se këto fragmente kockash i përkisnin një instrumenti muzikor, ndoshta një fyelli. Stamatit, kjo punë mbi pesëmujore, i ringre edhe një herë problemin e restaurimit të objekteve muzeale. Nëse duhet kaq shumë kohë për një objekt, atëherë çfarë do të bëhet me objektet e tjera arkeologjike dhe etnografike, që presin radhën dhe janë në procesin e dekompozimit? Laboratori aktualisht ka në organikën e tij vetëm dy punonjës dhe edhe një herë lind kërkesa urgjente për forcimin e laboratorit me kuadro të tjerë të diplomuar në kimi dhe që janë të aftë për të përballuar këtë punë.

Nga ana tjetër, çfarë nuk është thënë ndonjëherë është dhe rruga që ndjekin objekte të tilla pasi marrin formën e plotë dhe identifikohen qartë. Stamati në intervistën ekskluzive për “standard” na flet për raste të rralla ekspozuese të objekteve më të famshme të gjendura këto vitet e fundit në Shqipëri.



Ka disa muaj që në Laboratorin e Arkeometrisë dhe Konservimit një qeskë me elementë kockorë u bë një kërshëri mediatike se çfarë mund të ishin këto sende të zbuluara në Lezhë. Tani që ka mbaruar restaurimi, çfarë mund të thuhet?



Ekspedita e përbashkët shqiptaro-gjermane, e cila gjatë vitit 2009 po kryente gërmime arkeologjike në zonën historike të Lezhës, zbuloi ndër të tjera disa elementë kockorë, enigmatikë, pranë të njëjtës zonë. Që në momentin e zbulimit u ngrit një pikëpyetje për domethënien e tyre. Mendimi paraprak ka qenë se këto fragmente kockash i përkisnin një instrumenti muzikor, ndoshta një fyelli.

Në tetor të vitit të kaluar të gjitha fragmentet u sollën në Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë të Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit, pranë QSA-së.

Deri tani është harxhuar për restaurimin në fjalë një kohë prej më se shtatë muaj. Të gjitha fragmentet kockore ishin të mbuluar nga balta. Arkeologët nuk kishin guxuar të bënin pastrimin e tyre, sepse fragmentet e kockave ishin dëmtuar shumë në tokë, nga ujërat etj. ose nga ndonjë djegie dhe ishte vetëm balta ajo që i mbante për të mos u shpartalluar plotësisht. Gjatë punës restauruese dolën shumë të dhëna, për shembull, ishte përdorur fyelli i kockës, pjesa e jashtme e fragmenteve ishte rrumbullakosur me torno, zbukurimi ishte shpuar me punto; nganjëherë puntoja ishte futur aq thellë, saqë kishte prekur edhe murin e pasmë. Tashmë duken mirë shenjat e lëna nga instrumentet e përdorura. Në disa raste vihet re një ulluk i sheshtë, që lidh brimat, por që akoma nuk e kemi përcaktuar funksionin. Në disa raste shohim se kocka është sharruar në dy pjesë në drejtimin gjatësor. Interesante është se cilindrat nga brenda nuk janë të tornuar, por kanë mbetur me gunga. Ky fakt lind pikëpyetjen e parë: A ka qenë fyell?

Pra, hipotezën e parë e kishit për fyell, a doli kjo e vërtetë?

Ajo çfarë patë para një viti, ka përfunduar duke na dhënë një ide më të qartë. Janë restauruar rreth 2 mijë fragmente kockore që ishin mbasi u pastruan, u trajtuan janë montuar aq sa ka qenë e mundur. Çdo gjë tani është në vendin e vet dhe nuk ka asnjë gjë që të jetë vënë kuturu. Ato fragmente që i shikoni të lënë mënjanë, nuk lidheshin, janë pjesë të dekompozuar, ndoshta mund të jenë dhe pjesë të humbura. Dhe ne na kanë dalë këto pjesë të instrumentit që nuk e kemi përcaktuar përfundimisht, por mund të jetë një fyell a ndonjë instrument muzikor, të cilat mund t’i kategorizojmë; janë pjesët e gjata me dy vrima dhe pjesët e shkurtra me një vrimë.

Të gjitha pjesët kanë dekoracion me rrathë koncentrikë të bërë me dorë. Pjesët e gjata i kanë zbukurimet, ndërsa të shkurtrat jo. Ndonjë prej tyre ka një si lug, ndoshta kjo ishte për të lëvizur gishtat. Po nga brenda këto pjesë të fyellit nuk janë të rrumbullakëta. Puna vazhdon akoma, jo vetëm për restaurimin maksimal, por dhe për të përcaktuar llojin e kockës, moshën ekzakte dhe për të kuptuar domethënien e kësaj gjetjeje.

Pra, pas gjithë këtij përshkrimi dhe pritjes - konkluzioni?

Përfundimi është ky: në këtë rast u restauruan dhe qoftë ne, si laborator, qoftë dhe arkeologët nuk japin akoma dot një formë përfundimtare se si ka qenë ky instrument muzikor. Por, mendojnë që të ketë dy variante; e para mendohet se në Lezhë të ketë qenë një punishte për prodhimin e veglave muzikore dhe këto që mbajmë në duar mund të jenë skarcitete që i kanë hedhur, sepse shikojmë që nga brenda nuk janë të tornuara, se si mund të lidheshin pjesët me njëra-tjetrën. Varianti tjetër është se kjo mund të ketë qenë një dyqan, që shiste instrumente muzikore dhe mund të ketë rënë zjarri dhe këto mund të jetë çfarë ka mbetur nga shkrumbimi.

Me një nga arkeologët që biseduam dje, ishte i këtij mendimi që akoma e kemi të papërcaktuar se çfarë është, por duhet të thirren specialistët e degëve muzikore, historianë të veglave muzikore që të dimë se çfarë instrumenti është ky. Ka një lloj shansi tjetër, që të gërmohet më shumë rreth e qark vendit ku janë zbuluar këta elementë se mos gjendet edhe ndonjë pjesë tjetër që lidhet me këto, sepse janë dashur dy vjet për t’i gjetur. Deri këtu ku kemi arritur ne u deshëm shtatë muaj punë.

Mendimet se ky fyell lidhet me hipotezat se mund të ketë pasur në Lezhë një punishte prodhimi të veglave muzikore apo dhe ajo e një dyqani të tillë, a mendoni se ka një bazë pse dilni në këtë përfundim, a ka ide të zhvilluar për ndonjë traditë artizanati në këtë zonë?

Këtë nuk e themi dot. Këto pjesë të fyellit dimë që i takojnë periudhës romake që i takon shekullit I para Krishtit ose shekullit I mbas Krishtit. Por për ndonjë traditë të asaj natyre nuk flasim dot, vetëm mund të mendoj se në këtë periudhë mund të ketë pasur shumë barinj që e kanë përdorur fyellin për kullota. Kujtoj se harpa dhe fyelli kanë qenë instrumentet muzikore që përdoreshin nga etnokultura e asaj kohe.

Ju mendoni se do të jenë muzikologët që do ta thonë fjalën e fundit për këtë instrument?

Po, patjetër do të jenë ata që do ta përcaktojnë. Akoma nuk kemi kontaktuar me ndonjë muzikolog, sepse tani sapo ka përfunduar restaurimi dhe prisnim një pamje më të qartë nga lidhja e pjesëve. Janë arkeologët pastaj që do të lidhen me këtë punë, sepse muzikologët do t’u bashkëngjiten mendimeve të tyre përfundimisht se me çfarë gjetje kemi të bëjmë. Sigurisht që objekti do të marrë kontekstin arkeologjik.

Tani që detyra juaj restauruese ka mbaruar, ku do të jetë destinacioni i fyellit?

Këto pjesë të lidhura që ne e kemi menduar se i përket një fyelli të epokës ilire, do t’i dorëzohen Qendrës së Studimeve Albanologjike. Atje, mbasi të mbarojë studimi, mund të ekspozohet. Por është interesante, që një specialist i arkeologjisë, Ilir Zaloshnja, po më tregonte se në vitin 1975, rastësisht në Apoloni kanë gjetur në një buzë tenxhereje prej bronzi dhe kishte brenda disa copa që ngjanin me këto të fyellit, që ishin të prera. Ajo ishte zbuluar rastësisht e shkelur nga një makinë. Nuk e di nëse për këtë rast janë bërë studime. Këto përbëjnë dy raste në Shqipëri që janë të ngjashme, nuk mund të themi se janë të njëjta.

Gjithë këto restaurime të objekteve arkeologjike, çfarë rruge marrin pasi dalin prej këtej të identifikuara?

Normalisht, pasi përfundon puna në laborator, objektet i marrin arkeologët dhe ata bëjnë studimin më pas. Ata mbi këtë konfiguracion aq të plotë, qoftë qeramikën, monedhën, metalin bëjnë studimin dhe botohen. Por është edhe faza e ekspozimit, por jo të gjitha. Kjo varet çfarë vlen për t’u prezantuar në publik.

A mund të na thoni se sa nga objektet, flas këtu kryesoret, që ju keni restauruar janë ekspozuar?

Mund të flas për monedhat që janë zbuluar dhe restauruar në laborator, pothuaj të gjitha janë studiuar dhe janë botuar në organet shkencore të arkeologjisë. Po ju them vetëm rastin e monedhave. Ato kanë qenë shumë të rëndësishme, sepse monedha daton.

A i ndiqni në vazhdimësi objektet arkeologjike që dalin nga laboratori se çfarë jete bëjnë?

Disa mund të them po. Ju jap një shembull të një albumi që kanë bërë gjermanët, që edhe u ekspozua në Mynih, gjysma e objekteve kanë qenë trajtuar nga laboratori. Disa nga këto kanë pasur fatin të jenë nëpër ekspozita. Marrim për shembull një tjetër rast, varrin e Belshit, që u zbulua rastësisht nga disa ushtarë dhe zboristë. Por fshatarët e zonës ku e kanë parë, e kanë thyer, sepse mendonin mos ka florinj a ndonjë gjë të çmuar. Më pas ka shkuar Neritan Ceka, i cili kur i ka parë të restauruara, nuk e kishte imagjinuar se do t’i shihte në atë formë. Në fakt, varri ka pasur objekte argjendarie, qeramike, karfica, varëse etj. Ky është varri më i pasur që është zbuluar në Shqipëri. Këto të gjitha janë ekspozuar këtu dhe nuk ka mbetur ekspozitë jashtë vendit që të mos shkonin objektet e këtij varri.

Rastet e rralla

2000 amfora më të vjetrat në botë

Rreth 2000 amfora të shek. 4 p.e.s. i janë nënshtruar procesit të restaurimit në Laboratorin e Konservimit. "Amforat e zbuluara pak kohë më parë në Apoloni, janë të tipit greko-romak", - tha shefi i këtij laboratori, Frederik Stamati.
Gjetja e tyre në një mur të ndërtuar nga tre rreshta me përmasa 23 metër gjatësi dhe 5.6 metër gjerësi shënon rastin e gjashtë në botë të zbulimit të një muri të tillë.
Amforat, të cilat mendohet se janë ndër më të vjetrat në botë, u zbuluan në pozicion përmbys me funde të thyera, ndërsa mendohet se janë dëmtuar nga punimet që janë bërë në periudhën romake ose nga dukuritë natyrore si tërmetet, rrëshqitjet e dherave.
Amforat janë të vulosura me bojë të kuqe, si rezultat i kalimit në pikat kufitare. Gjatë gërmimeve arkeologjike pati hipoteza të ndryshme për funksionin që kanë kryer këto amfora, të cilat mendohej se kishin shërbyer si lapidarë.
Tjetër hipotezë është se ato i ishin dhënë si shpërblim një sportisti, që kishte fituar çmim të parë në Lojërat Olimpike, ka treguar Stamati. Por, amforat mund të jenë përdorur për rregullimin e ujërave, që vinin nga kodra për të mbrojtur qendrën e qytetit, ose të kenë shërbyer si filtrues të ujit, ose si tarraca. Pas restaurimit, amforat do të vendosen në Apoloni, vendi ku janë gjetur. Një mur i tillë me amfora është zbuluar në Romë (Itali) nga fundi i shekullit XIX, në Athinë (Greqi) dhe Vjenë (Austri).

Mbi 40 bizhuteri të Mesjetës

Vathë, unaza, zinxhirë gjithçka me të cilat zbukuroheshin vajzat shqiptare nga Mesjeta janë zbuluar në varrezat pranë pallatit “Rinia”, në Durrës. Ato janë objekte metalike, që i përkasin periudhës mesjetare. Janë 40 palë vathë, unaza, zinxhirë me përbërje bronzi dhe argjendi, të cilat i janë nënshtruar restaurimit nga Stamati. Sipas tij, bizhuteritë kanë shumë të dëmtuara dhe paraqesin shumë vështirësi për t'u restauruar. Midis tyre ka edhe kryqe, që i përdornin si varëse në qafë, gjatë kësaj periudhe. Objektet janë zbuluar gjatë gërmimeve që janë bërë në vitin 1980 në Durrës. Pas restaurimit, këto bizhuteri janë vendosur në Muzeun Arkeologjik të Durrësit.

Mburoja, restaurimi më i vështirë

Mburoja, gjendur e copëtuar në 8153 fragmente është zbuluar në vitin 1984 nga arkeologu Vangjel Dimo, e cila është restauruar nga Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë dy vite më parë. Diametri i mburojës është 72 cm dhe është një nga 3 objektet më të mëdhenj metalike, të zbuluar në Shqipëri.

"Restaurimi i kësaj mburoje mund të konsiderohet si objekti më i vështirë që kemi pasur ne në laborator, gjatë të gjitha kohërave”, - ka thënë Stamati. Mburoja ishte e copëtuar nga koha në 8153 fragmente. Gjatë nxjerrjes pranë fshatit Kryegjatë, ku është gjetur është shembur pjesërisht duke u dëmtuar me tej. Që prej 25 vjetësh ajo qëndronte në laborator duke u restauruar vazhdimisht.
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Mitologjia e Jonës mështjerrë me viçin, hyun-dem Epafi dhe e Nymfeut të Epirit, në numizmatikën iliro-epirote

Fama dhe lavdia mesdhetare e gjedhëve të “Kopeve të Gerionit, kopeve të Herakliut, kopeve Pirrike, kopeve të Kaonit të Malit Pergam, kopeve të Mëzisë” etj
Duke iu referuar burimeve të shkruara antike, qysh nga Hesiodi, Homeri, Aristoteli etj, e deri te S. Bizantini, mundemi të krijojmë një përfytyrim e sintezë për rritjen dhe shfrytëzimin e gjësë së gjallë nga paraardhësit tanë në trojet ilire e epirote, kryesisht për ato kafshë të cilat hyjnë në grupin e atyre që gjuha jonë e lashtë popullore i kishte klasifikuar si “bagëti, gjâ e gjallë e trashë, gjeri, gjedhë”.

Ne mundemi të vërejmë se kemi disa ish-pronarë të lashtë barbarë kopesh, emrat e të cilëve lidhen edhe si bazileusa mitologjikë edhe si emërtime toponimie, oronimie, hidronimie etj, me trashëgimtarë me pemë gjenealogjikë, me shndërrime/metamorfoza, me ndërhyrje të perëndive politeiste etj. Të gjitha këto pasqyrohen edhe në objektet e pikturuara qeramike, në basorelievet e skulpturat, siç edhe në monedhat. Me këtë rast mitologjia që reflektohet në monedhat, sigurisht shkon shumë më lashtë se vetë kronologjia e monedhave.
Hesiodi, i cili kishte shkruar edhe veprën ‘Teogonia’ (Mbi prejardhjen e Perëndive) shkruante për gjallorët frymorë të vdekshëm tokësorë të Epirit:
“Është një fushë, Hellopia, shumë pjellore dhe me luadhe të mira,
e pasur në dele dhe në qe këmbëharkuar;
këtu banojnë burra me shumë kope gjedhësh
dhe një sasi e panumër fise mortarësh;
këtu, në pjesën e fundit është ndërtuar Dodona;
këtë Zeusi e deshi që të jetë një faltore
e vyer për njerëzit…
[“Carmina”, Fragment 134 (156); “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, 1965, f 14]
S. Bizantini, shek VI, citonte Hekateun (shek VI-V p.e.r.) dhe shënonte: “ABROI, fis pranë Adrias së Taulantëve, fqinj të Helidonëve sipas Hekateut”; po aty ai shënonte: “ADRIA, qytet dhe pranë tij gjiri Adrias, si dhe lum, sipas Hekateut. Krahina është e pasur me kullota, prodhon dy herë në vit, lindin binjakë, shpesh tre dhe katër keca në vit, gjithashtu në disa raste edhe pesë e më tepër; edhe pulat pjellin dy herë në ditë dhe nga madhësia janë më të vogla se të gjitha pulat e tjera. Qytetari dhe banori; adrianos, sipas Asianit. U thonë edhe adriates dhe detit – Adriatik. …BERENTION, fshat pranë Adrias. Theopompi, XLII, emri etnik Baretinos. …TEGESTRA/Tergestron… nga Tergestre e deri te gjiri i Adrias janë 5029 stade… (S. Bizantini, “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, 1965, f 416, f 421;)


Konstatohet se origjina e emërtimit të detit Adria/Adriatik dhe origjina e emërtimit të lumit, të gjirit, të krahinës, të malit dhe fisit Adrian, lidhen etimologjikisht me gjuhën ilirishte dhe me banorët ilirë të anëdetit tonë. Identifikimi i kësaj qyteze e krahine si, Adria në anëdetin tonë të Ilirisë ishte vërtetuar katërcipërisht nga Aristoteli (shek IV-III p.e.r.), i cili bazohej në të njëjtën temë dhe material të cituar nga Hekateu dhe Theopompi të shek VI-V p.e.r.. (De Mirabilibus Auscultationibus, 842 b, 128) Gjerësisht ne e kemi trajtuar gjetiu.
Aristoteli, bazuar në autorë më të vjetër kishte dhënë mjaft përshkrime, sidomos për “kopetë pirrike” me lopë, me dhen, për metodat e rritjes dhe ushqimit etj. Kjo traditë e lashtë dhe ky emërtim zanafillonte, sipas mitologjisë, qysh nga koha e mbretit të lashtë epirot Pirro, i biri i Neoptolemit, nga fisi i Akilit. Këtu lidheshin edhe fijet me kaonët, trojanë e kaonët pellazgjikë epirotë me pirridët epirotë dhe me kopetë pirrike. Nuk i kishte shpëtuar vëmendjes as Bonasi, një lloj bizoni në rritje të lirë i mbuluar me lesh, i cili gjuhej vazhdimisht për mishin e shijshëm, dhe për këtë arsye u shfaros. (Aristoteli, “De Animalium Historia”, “Ilirët…”, cit., f 40-41)
Në lidhje me “pronarin Gerionin ose vëllezërit trinjakë TreGerionët e Epirit”, me të cilët ishte ndeshur me një duel edhe Herakliu, na rezulton se në antikitet kishte ekzistuar një debat midis disa shkrimtarëve antikë. Arriani (shek I-II), duke cituar Hekateun e shek VI-V p.e.r. kishte nënvizuar: “Logografi Hekateu thotë se Herakliu, prej Argosi, i dërguar nga Erystheu për të grabitur dhe për t’i dërguar lopët e Geryonit në Mykenë, nuk zbriti as te Iberët (këtu, Spanja afër Gjibraltarit. A.L), dhe as mbi një ishull të quajtur Erythi, të vendosur në oqean (oqeani Atlantik. A.L); Hekateu thotë se, Geryoni ishte një mbret i kontinentit që jetonte midis Ambrakisë e Amfilohisë dhe se ishte pikërisht ky vend ku Herakliu i grabiti gjedhët, duke i dhënë fund ndërmarrjes së tij të vështirë. Unë di dhe që kjo krahinë, Epiri është e pasur në kullota dhe ushqen lopë shumë të bukura. Lavdia e lopëve të Epirit rrjedh ndoshta nga një kohë shumë më e vjetër se Erystheu dhe nuk është aspak e paarsyeshme të besohet se mbreti i Epirit quhej Geryon”. (Alexandri Anabasis”, Lib. II, 5, 16)


Në po këtë temë mitologjike, edhe Skylaksi i shek V p.e.r. kishte shkruar: “…në viset e brendshme janë atintantët, sipër Orikisë dhe Kaonisë, deri në Dodonë. Në krahinën e Kastidias (në Iliroi) thuhet se ndodhet një fushë që quhet Erytheia. Këtu thuhet se kishte ardhur Gerioni dhe kishte kullotur qetë. Në këto vise janë malet Keraune, në Epir dhe aty afër është edhe një ishull që quhet Sason”. (Scylakis, “Periplus, Illyroi”, 26)
Bazuar mbi këto debatime e burime antike, del se realisht paskemi pasur mitologji të lashta autoktone pellazge epirote e ilire, me grabitje kopesh etj. Herakliu i famshëm, eksploratori tokësor, detar e qiellor, i njohur edhe si murerrethues e ndërtues qytetesh, si seleksionues e mbarështues kopesh, siç e shohim, ia paska grabitur ato kopetë me lopë, viça e dema, me buaj, buaca e kotorrë, TreGerionëve në territorin e Epirit, ndërsa grekët e degdisën atë “në fundin e botës”.
Kështu, mendoj se në këtë temë duhet diskutuar pak edhe autoriteti i sotëm europian i interpretimeve mitologjike, P. Grimal, i cili duke i dhënë prioritetin kryesor variantit të “Bëmave të Herakliut”, shkruan: “Një variant traditë tjetër e sjell fushën Eritheia në Epir, në krahinën e Ambrakisë”. (P. Grimal, “Enciclopedia dei Miti”, 1988, f 303, zëri Gerione)
Grimal, me sa duket nuk e vuri re se, “Gerioni atlantik, në Perëndimin e Diellit në Fundin e Botës”; Gerioni si rojtar i faraonit egjiptian Busiridi etj, ishte një deformim-variant i ndërtuar mbi një bazament më të lashtë epirot.
Mitorregulluesit e përvetësuesit helenë e paraqitën Gerionin/Gerionin e Trefishte epirot me tendencë fyese, si një simbol i një barbarie primitive, pak a shumë si ajo legjenda e fisit/popullit të Ilirit, vëlla me Keltin e Galin, si tre bijtë e Ciklopit Polifem. Këtë tendencë poshtëruese, përveç edhe një diference në fazën e zhvillimit, e kishte theksuar e interpretuar autoriteti dr. prof. M. Korkuti. Si “barbarë”, të aristokratizuarit e fisnikët helenë quanin jo vetëm Euromedontin e legjendës së Feakisë edhe Epidamnin e Ilirisë, por deri vonë edhe Filipin e Maqedonisë etj. Ndoshta i influencuar nga ky ndikim helen, Dante Aligheri e përzgjodhi dhe e dënoi Gerionin si një rojtar-guardian besnik në rrethin e tetë të ‘Ferrit’! Por, a e meritonte këtë TreGerioni?! (D. Aligheri, ‘Ferri’, 1960, K. XVII-XVIII, bisha Gerion f. 195. Ish-vigan mitologjik me tri koka e tre trupa në ishullin Erife etj.)
Ndërkaq, shumë shekuj më përpara, shkrimtari antik i shek II, Lukiani nga Samosta e kishte interpretuar Gerionin e Trefishtë ashtu siç kishte qenë realisht, si simboli i miqësisë vëllazërore dhe humane, të cilin e kishte parë edhe me sytë e tij në pikturat e ndryshme të qeramikës etj. (“Vep. të Zgj.”, bot. 1979, f 413)

Duke e trajtuar mbi këtë lloj pikëpamjeje realiste, bëhet e kuptueshme përse në “rrjetën e merimangës mitologjike” përzihen edhe albanët e gadishullit tonë me Malin Alban, me kullota të pasura; përse na del bazileusi mitologjik ilir Adria; përse do të kemi, përveç disa emërtimeve të njëjta, madje edhe emërtime si Japigjia, andej e këndej detit Jon; përse kemi dy Jonë mitologjikë ilirë, një Jon italik e një Jon hy kokëdem/Ios, me fytyrë demi/kau në gadishullin Gaza; përse Hellopi na del si biri i Jonit: përse mështjerra Jona e Bardhë hidhet në detin Jon dhe përshkon Ilirinë; përse me flijimin e kaut e me Kaonin themelohet Buthrotos (demi/kau i flijuar), ku kemi edhe kopetë dhe barinjtë e Malit Pergam si kopje homologëve trojanë; përse na del EpriDemi/Epidamnos, nimfa Melisa dhe kulti i Jonës mështjerrë me viçin gjipirës, kulti i Demetrës, kulti i Izidës egjiptiane; përse na del Herakliu edhe në legjendën e Epidamnit e Dyrrahut; përse na del Kadmi fenikas duke ndjekur një lopë që mban midis brirëve një sferë, në kërkim të motrës së humbur Evropa/Europa e metamorfizuar si mështjerrë dhe e mbarsur nga demi/mzati Zeus etj.


Monedha e famshme prej argjendi e “lopës me viçin duke pirë qumësht” në Epir dhe në Iliri
Në Shkodër ka një shprehje të urtë popullore: “Na ka tretë lopa me gjith viç”, dhe po kështu edhe një tjetër: “Na ka tretë bulli me gjith bullicën”. Kishte pasur ndonjë lidhje ose jo kjo shprehje relikte me një mitologji të lashtë ose me disa variante të saj, gjithsesi ne e përdorëm, sepse i shkon mjaft mirë temës.
Duke shkruar më 1939 për këtë monedhë argjendi, e emërtuar thjeshtë shqip: “lopa/mështjerra me viçin gjipirës”, shumë e njohur dhe e përhapur në tërë pellgun Adriatik dhe në të dy gadishujt, medievisti e numizmati G. Valentini e mendonte futjen e saj fillimisht nga modelet e punishteve nga Korinti, e sidomos nga Korkyra. Pak më vonë kjo monedhë argjendi do të qarkullonte masivisht nga prerjet e Durrësit dhe Apollonisë. Simbolika në faqen e “lopës me viçin” nuk interpretohej, ndërsa ana e pasme komentohej si “Kopshtet e Alkinout në Korkyrë”.
Qysh herët, në një katalog e manual monedhash, “Monete Greche”, specifikisht për këtë prerje/stampim ishte hedhur hipoteza se, stampat lidheshin me ndonjë lloj mitologjie e besimi politeist, ndërsa në monedhat e kolonive autonome kishte pasur edhe disa shtesa e përshtatje në lidhje edhe me kulte lokale.
Mbi legjendën mitologjike të Epidamnit e Dyrrahut, ndër autorët tanë shkroi i pari M. Barleti, pastaj studiuesi autoritet Marin Sirdani dhe duke vazhduar nga ku e la ai, shkruan më pas edhe H. Ceka, S. Anamali, N. Ceka etj.
Historia e Shqipërisë (bot. 1959 e 1967), pa komente, paraqiti disa interpretime dhe gjetje arkeologjike, ku veçoheshin dy drahme të Dyrrahut dhe një e Lidhjes Epirote.
Me një paraqitje më të zgjeruar e prezantuan këtë monedhë njeri mbas tjetrit, dy arkeologët akademikë, Hasan dhe Neritan Ceka. Dr. prof. N. Ceka e thekson se prerja e këtyre monedhave autonome të Dyrrahut e Apollonisë, statere me vlerë katër drahmesh, duhet të ketë filluar aty nga gjysma e dytë e shek V p.e.r., edhe si një lloj imitimi e imponimi nga korkyrasit etj. N. Ceka mendon se, “katrori me ornamente” paraqet “kopshtet e lulëzuara” të bazileusit të Korkyrës, Alkinou, sipas përshkrimit të Homerit. Ai botoi edhe disa monedha të bazileusit Monun, rreth 280 p.e.r., ku interpretonte edhe një “nofull derri”, si një flije e preferuar e Poseidonit, por nuk ishte shprehur për interpretimin e mitologjisë së ‘lopës me viçin gjipirës’.
Studiuesi H. Ulqini, duke shkruar më 1980 për objektet e grabitura arkeologjike, paraqet edhe kokën e një demi/kau të lauruar në Dyrrah, flet për objekte me kultin e Demetrës, “Nënës së Madhe” etj.
Për paraqitjen e relievit të Durrësit si një kokë, rrashtë demi dhe lidhjen e etimologjisë si Epidamnos/Mbi, Epir, EpirDemi, pra me një etimon me Dem, unë, sipas edhe kumtimit të një skede nga albanologu Kol Luka, kam shkruar qysh më 1968 e 1972. Këtë shkrim e kishte miratuar edhe prof. V. Toçi. (Për etimologjinë me bazë “dem”, shih E. Çabej, “St. Etim. Në fushë të shqipes”, III, 1987, f 190)
Interpretime dhe diskutime të reja

Herodoti e kishte shprehur idenë se mitologjitë e lashta autoktone pellazge ishin futur në bashkëpunime, me marrje-dhënie, me krahasime, identifikime e integrime të mitologjive pellazge me mitologjitë mesdhetare, më veçanërisht me ato fenikase e egjiptiane. Kështu, Herodoti sillte shembullin se si tempulli i Amonit në Teba të Egjiptit dhe ai i Zeusit në Dodona, profetizonin njëlloj, se si helenët i huazuan dhe i sofistikuan perënditë pellazge etj.
Kohët e fundit nga arkeologjia italiane janë raportuar disa gjetje të monedhës së Durrësit dhe Apollonisë, “Vacca/giovenca con vitello”, shoqëruar edhe me interpretime të reja. Ne do t’i krahasojmë këto edhe me disa monedha, gjetje në vendin tonë, dhe do të zhvillojmë ndonjë diskutim.
Sipas vlerësimit të specialistëve italianë, kjo monedhë e Durrësit (fig. 9), paraqet kokën e Isidës “me mistere të shumta”, nga miti egjiptian i Isidës, e lidhur me kultin e Osiris, e hyut kokëdem Apis. Ky kult direkt kishte hyrë edhe në Itali. Kulti i Isidës lidhej me ngjizjen, pjellorinë etj.
Kandili i ndezur lidhet me festimet për “Isidën Ndriçuese”, në fillim të korrikut, porsa perëndonte dielli. Disa autorë kanë parë lidhje imitime më vonë edhe nga kulti i Maries me birin Jezus/Isa. Nën kandil ka edhe një objekt të paidentifikueshëm. Monedha ka edhe emrat e dy magjistratëve, KTHTOΣ dhe ΦANIΣKOY. Ana tjetër, edhe sipas komentatorit italian, paraqet një katërkëndësh të ndarë në dy pjesë me ornamente.

Për interpretimin direkt të Isidës egjiptiane, unë kam një mendim diskutues disi më ndryshe. Mbas ndonjë hyrje si “Kult i Isidës dhe Apisit” fillimisht, mendoj se gradualisht duket se kemi të bëjmë me mitologjinë e Ios/Jonës e Epafit. Herodoti e krahasonte dhe e identifikonte Isidën si të ngjashme me Demetrën. Autorë të tjerë kanë parë ngjasime edhe me Nënën e Madhe, me Gjean etj. Ndërkaq, shumica e autorëve kanë parë identifikime, madje edhe një përzierje dhe një zëvendësim me mitologjinë e Ios/Hios/Jonës/Hyjneshës. (Shih, Io e Epafo.mht Wikipedia)
Jonën, bijën e Inakut, një priftëreshë e virgjër e një tempulli të Herës, e ka pikasur dhe e ka vënë në shënjestër Kryezoti e kryeepshori tekanjoz Zeusi. KryeZoti Zeus e gjen rastin dhe me përdhunë e lë shtatzënë Jonën. “Sekreti” zbulohet, dhe kjo zgjon xhelozinë e tmerrshme dhe hakmarrëse të Herës. Për ta ruajtur, Zeusi e metamorfizon Jonën si një mështjerrë të bardhë. Por Hera e tërbuar i dërgon mështjerrës një zekth, që dihet se pickon e thith gjak në organet gjenitale. Duke mos i duruar dot dhembjet, Io/Jona hidhet në det.


Në variantin helen të Herodotit, Io hidhet nga porti Argos, nga Jonia e Egjeut. (Historia II, 153) Edhe vetë Herodoti e identifikonte Epafin me Apisin Por, sipas variantit të Apollodorit [Bibliotheca, Lib. II, 7, (1, 3, 5)] e ndonjë autori tjetër, Jona ishte hedhur nga deti Jon, duke përshkuar bregdetin e Ilirisë dhe ngushticën midis dy qyteteve Japigjia, njëri në Itali dhe tjetri në Iliri. Deti Jon një farë kohe kishte përfshirë një pjesë të madhe të Adriatikut. Jona, nga Jon-Adriatiku, kishte kaluar tërë Egjeun, kishte kaluar edhe Ngushticën e Bosforit/ Bόσπορος = Kalimi i Lopës, kishte përshkuar Detin e Zi dhe kishte shkuar për konsultime në Kaukaz, te Prometeu. E këshilluar nga Prometeu, ajo kthehet mbrapsht dhe shkon në Gaza të Egjiptit, për të lindur hyun kokëdem Epafin, të cilin e krahasojnë dhe identifikojnë me Apisin. Epafi bëhet edhe mbret i Egjiptit etj. Sipas Lukianit, kjo mitologji e Ios dhe Epafit, ishte e parathënë se, mështjerra do të lindte në Egjipt një hyjni dem, se Io/Jona do të shndërrohej përsëri si femër e bukur, se e ëma dhe i biri do të bëheshin hyjni/perëndi qiellore, se Epafi do të bëhej mbreti i Egjiptit etj. (shih Lukiani, “Vep. të Zgj.”, Noti dhe Zefiri, f 203-204 etj)
Sot është mjaft e vështirë të interpretohen shtresat më të thella, se si mundej të kishte qenë kjo mitologji në kohën e Kronit, pa kaluar në fantazi, por duhet të vërejmë se gjuha jonë ende ruan disa relikte të magazinuara nga lashtësia. Vetë mitologjia antike e territoreve tona kishte edhe nja dy Ilirë të ndriçuar, njeri i biri i Kadmit e tjetri i biri i Herakliut, të njohur edhe si qyteteformues me emrin e tyre. Ndërsa emërtimi i madh, Illiria/Illyria, sipas S. Bizantinit, jepte edhe një rrjedhim si folja illyrizon. (Cit. f 419, ILLYRIA) Por, kush mundet të illyrizojë-shndrisë, përveçse Ylli/Illi/Hylli?! Këndej ne mundemi ndoshta të dalim edhe te etimologjia, ku Io/Hiona/Jona është hyjnesha mështjerra/gjiovenka e lashtë pellazge, siç është edhe hyji si Io i afrueshëm me Apisin e Epafin si Japigjia etj.
S. Bizantini, bazuar në autorë të hershëm, jep këtë sintezë shumë interesante: “JONION, det pranë Italisë. Eskili në ‘Prometeu i lidhur’. Disa thonë se rrjedh prej ilirit të quajtur Jon, të tjerë prej italikut Jon. Edhe Adriatiku quhet gjiri i Jonit. Jone quhej edhe që nga Gaza deri në Egjipt, prej Iu-t, që kishte fytyrën si të demit/kaut”. (Cit. f 419; po aty zëri Japygia)


Ishte koha kur dora–dorës kishte dominuar hegjemonia e akejve dhe helenëve, e cila më pas do kompletohej me pushtimet e Aleksandrit të Madh, me nënshtrimin e Egjiptit etj. Krahas disa imitimeve, identifikimeve e përzierjeve si procese nga poshtë, aso kohe ndodhën edhe një seri manipulimesh nga lart, siç ishin reflektuar edhe në Bibla etj.
Sipas interpretimit tonë, ky “katrori me ornamente” nuk ka lidhje me “Kopshtet e Alkinout”, por paraqet ndoshta “Portën/Pragun e Bronztë të Feakisë/Korfuzit”, në lidhje me pozitën-çelës si bazë detare e shkëlqyer. Në rastin tonë përsëritet kjo simbolikë me “Portën e Epidamnit/Dyrrahit, si Porta/Taverna e Adriatikut”, me dy porte, siç kishim dy porte edhe në Feaki, siç kishim edhe Treportin tonë etj.
Nga krahasimi i legjendave të Feakisë dhe të Durrësit tonë, vërehet se dalja nga barbaria e Euromedontit dhe Epidamnit kryhet nga vija femërore e bijave të bukura Perribe e Melisa, përmes fisnikërimit “me farë/spermë e gjak” nga Hyu i Detit Poseidoni, ku Dyrrahu dhe Nausiti, përveç si ndërtues portesh e orakulltoresh të Poseidonit, na paraqiten edhe si reformatorë agrarë që ndajnë toka. Pra, “katrori me ornamente” duket se paraqet një lloj porte si një simbolikë, ku në një monedhë të Apollonisë përdoret edhe si një heraldikë me zjarrin e Nymfeut të Epirit. Në disa monedha të Korintit unë e gjej edhe si vel të një anijeje karava etj.
Nymfeu i Epirit mendohej si dy kroje të nëndheshëm, ku ka pasur edhe ndonjë përpjekje për ta identifikuar diku aty te Mbrakulla ose te Zharrëza etj. Disa interpretime të paraqitjes së “Nymfateumit të Epirit” si një ndezje natyrore nafte, gazi apo sere, në monedhat e Apollonisë edhe të Durrësit, na bën të reflektojmë edhe për mendimin e shprehur nga M. Barleti: “Durrësi, i cili më parë quhej Epidamn… është kryeqyteti detar i Epirit, kryeqyteti i taulantëvet, pyrejve e parthinëve… i rindërtuar nga korkyrasit dhe po t’u besojmë shkrimtarëve shumë të vjetër dhe legjendës, ai numërohet ndërmjet qyteteve të tjerë më të vjetër”. (M. Barleti, H.S., përkth. shqip S. Prifti, bot. i parë 1964, f 482; bot. i dytë 1967, L. XIII, f 486) Kjo duhet të jetë një arsye shpjeguese pse këtë “zjarr” e kanë edhe monedhat e Dyrrahut. Mbase, mbase, Kryedemi i lashtë ishte vetë Kroni, siç na paraqiten edhe perënditë e lashta asiro-babilone me brirë.
Vërejmë se edhe në Shkodër ka një sasi të madhe nga ky tip. Shkodra ka pasur një faltore të Apolonit, “ΑΠΟΛΟΝ ΣΚΟΔΡΙΗ”, e madje ky kult me sa duket ka kaluar edhe në paleokristianizëm e deri vonë në Mesjetë, me kishën e Shën Apollon
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Në Dumre, në “Kopshtin e Edenit”, ku njerëzit flenë mbi thesare

Një ditë të bukur maji bashkë me disa shokë, Fetah Elezin, pedagog në Universitetin Bujqësor të Kamzës; Shyqo Peshtanakun, biznesmen, dhe Dhimitër Shtëmbarin, gazetar, u nisëm drejt Dumresë. Thonë se qejfi ha kumbullatë tharta e jo më mjalt që në pikë të mëngjesit. Sa kalojmë Urën e Peshkatarit në Mullet dhe ecim goxhá, nuk e mbajmë mend emrin e vendit, por ishte afër grykës së tuneleve që do të hapen në autostradën Tiranë-Elbasan dhe Shyqoja, një biznesmen i shkathët, që e njeh shoqërinë dhe që bën shumë gjëra nga ato që nuk i bëjnë dot kolegët e tij, na ktheu në parkun e bletëve, që e ka ngritur thjesht dhe vetëm për pasionin e tij prej fshatari. Jo si shumë të tjerë, që e kanë për turp origjinën dhe nuk e zënë kurrë në gojë vendlindjen e tyre, Shyqoja është ndryshe. Në park sa kanë rënë rrezet e para dhe bujitja sinfonike karakteristike e bletëve është në kulmin e saj, ndërsa ne në tonën, me oreshka mjalti përpara, por edhe me një ndjesi ngazëlluese që të jep një mëngjes i tillë, larg zhurmës së qytetit, me këtë ajër të pastër dhe gjelbërim të pamatë. Është maj dhe, siç shkruan në një poezi poeti Koçi Petriti: ”...në maj as pleqtë nuk kërrusen”!... Në Qafë-Krrabë u themi miqve të ndalonim në një vend, ku Tomorri duket për herë të parë kur shkon nga Tirana, ose të fundit kur vjen nga Elbasani. Miqtë e tanë u habitën me këtë farë rebusi, por u qetësuan dhe na erdhën në ndihmë menjëherë kur u thamë se donim të gjenim pikën nga ku piktori i madh anglez, Eduard Lir, ka pikturuar Tomorrin dhe, më pas, ka shkruar në ditarin e tij se “ishte e vështirë t’i ktheje shpinën kësaj pamje malore të mrekullueshme, këtyre skutave e qosheve të kësaj bote të bukur, këtyre pamjeve prej të cilave asnjë shpirt piktori nuk lodhet kurrë”. Pasi kërkuam, më në fund e gjetëm. Ishte në një qafë mbi fshatin Gracen. Një shesh i bukur në anë të një shkëmbi, ku ai ka pikturuar disa luftëtarë shqiptarë, ndoshta shoqëruesit e tij, është edhe sot me po atë formë, pavarësisht se aty është hapur rruga automobilistike. Në sfond, në një hirnosje mëngjezore të hapësirave të Darsisë, Dumresë, Sulovës, Nahijes së Beratit, në mes mezi shquhet ravijëzimi i Tomorrit legjendar, që në këtë rast, deri sa e kërkojmë, na duket si një personazh i gjallë. Pas një kafe në Elbasan, vetëm e vetëm për të na tregur vendet dhe sektorët ku kishte punuar si specialist e drejtor ferme, Fetahu na çon nëpërmjet rrugës së Paprit në Cerrik. Në Cerrik ndenjëm shumë pak, sa për një cigare. Ishte një javë para zgjedhjeve dhe miqtë tanë që kishin njerëzit e tyre aty nuk donin të ngatërroheshin. Do t’i paragjykonin sikur kishin ardhur për fushatë, ndaj ikëm shpejt që këtej drejt Dumresë. Fusha e Cerrikut, pjesë e çiflikut të Biçakçinjve të Elbasanit, është e vendosur midis dy lumenjve Shkumbin dhe Devoll. Ajo ka një veçanësi strukturore aluvinare që e bën shumë të lehtë në kullim dhe vaditje, por edhe në pjellori. Jo më kot italianët në kohën e Zogut ia vunë sytë kësaj fushe për të ndërtuar një fermë të madhe kuajsh, më e madhja në Ballkan që do të furnizonte ushtrinë italiane, por edhe do të mbushte tregun botëror me kuaj rrace të të gjitha llojeve. Italianët nuk arritën ta realizonin dot projektin e tyre. Ata lanë aty vetëm disa godina që janë edhe sot. Më parë, në periudhën e socializmit, ka qenë e mirënjohura si ferma e Cerrikut. Sa mbaron fusha e Cerikut, merr paksa më të djathtë dhe të del Shalësi, një fshat goxha i madh, fshati i parë i Dumresë, si të thuash porta për të hyrë në të.

Që para gati 30 vjetësh, kur më ra rasti të kaloja një herë këtej kam shkruar se është një gjë tepër e rrallë, hatër i natyrës, që në një sipërfaqe prej 21 500 hektarësh, të ketë 85 liqene me sipërfaqe 770 hektarësh, që mbajnë rreth 30 milionë m3 ujë. I qëndroj edhe sot asaj që kam thënë duke shtuar se si nuk paska sy njeriu, kuptohet nga ata lartë, që ta shikojë këtë mrekulli shqiptare e të bëjë diçka për të. Një vend tjetër i botës do të krenohej me këtë kopsht të Edenit dhe do të rivinte në vend atë që është prishur dhe shkatërruar aq barbarisht. Se Dumreja, simotra më e madhe e Lurës, ka qenë po aq e bukur sa dhe Lura, madje, më e bukur. Pyjet e saj të lartë prej dushku, frashri e shkoze, kanë qenë një xhungël e vërtetë, sa nuk i dilte dot njeri matanë. Shtoji këtij peizazhi edhe kaltërsinë e format e çuditshme të liqeneve dhe mundohu të përfytyrosh çfarë mrekullie të del përpara. Një përrallë! Se si ka qenë Dumreja më parë, vetëm të vjetrit e dinë dhe vetëm atyre u dhemb. Mjafton të shikosh lisat e shekullorë të mbetur aty-këtu majë ndonjë kodrine, si fjala vjen, në varrezat e fshatit Hardhi, që të përfytyrosh mrekullinë e dikurshme. Përgjatë rrugës janë ngritur disa lokale të bukur. Kthehemi në njërin prej tyre. Zabit Zekthi na lutet të rrimë. Nuk ju vonoj, thotë, peshkun e kam gati. Tani sa më erdhi. Por ne ngutemi. Pak më tej, kur në një qafë ku duket qyteza e vogël e Belshit po bënim disa foto me sfond liqenin, zbret nga makina një njeri jo vetëm trupmadh, por edhe zhurmëmadh, shakaxhi i thekur, se filloi me njëherë nga ato të tijat. Jakup Uruçi e quanin. E njihnin të gjithë për qyfyret dhe shakatë që kishte bërë, kur ishte shofer i kryetarit të kooperativës, por edhe për ato të tanishmet, si biznesmen i suksesshëm. Belshi është një vend i bukur. Jo më kot Sami Frashëri donte ta shihte kryeqytet të Shqipërisë. Tani ai është lënë krejt pasdore. Jo që kryeqytet s’u bë, por as qytet për të qenë nëk është bërë. Mu duk tamam si 30 vjet më parë, veçse me një ndryshim; me një masakër urbane, që po ia zë frymën dhe po e helmon liqenin me derdhjet në të. Tash së fundmi ky qytet ka filluar të vizitohet nga turistët vendas e të huaj, të cilët, në më të shumtën e herës, ngelen të zhgënjyer. Të kesh një perlë të tillë e të mos e vlerësosh për shumë pak gjë, në radhë të parë për rregull e pastërti, pastaj për ndërtime me kriter e infrastrukturë bashkëkohore, kjo nuk është normale. Kushedi si do të ishte Belshi të ishe në një vend tjetër të botës! Po e gjithë Dumreja me gjithë ata liqene ku njëri është më i bukur se tjetri me ato kodra të rrumbullakosura me lartësi të njëjtë që ndahen nga njëra-tjetra nga lugina të vogla, qafa e gropa që i japin pllajës pamje të mahnitëse!? Edhe nga pikpamja administrative, bashkë me Sulovën dhe Darsinë fqinje, krahina me të njëjtat kushte gjeografike, ekonomike, sociale e kulturore, Dumreja mund të organizohej ndryshe, duke formuar një rreth më vete, që do t’i jepte mundësi menaxhimit më të mirë punëve si në drejtim të turizmit, por edhe të zhvillimit ekonomik. Kjo është një zonë që dikur ka kultivuar duhanin dhe lulediellin, ndarsa tani janë krijuar plantacione të tëra me ullinj dhe vreshta, të cilat janë shoqëruar edhe me ngritjen e fabrikave të vajit dhe të përpunimit të rrushit dhe frutave. Një drejtim tjetër zhvillimi këtu është peshkimi. Sipërfaqja e përgjithshme e liqeneve, këtu shkon në 770 hektarë(!). Vëllimin më të madh të ujit në këto liqene e ka ai Merhojes me 11.3 milionë metra kub. Po kështu, të mëdhenj konsiderohen edhe liqeni i Çestinjës me 97 hektarë; Seferani 87.5 hektarë; i Degës 37.5 hektarë, ndërsa më i vogli është liqeni i Çartallozit, me 0.5 hektarë. Ndërsa më të thellë janë: Merhoja 61 metra; Çërraga 29 metra; Seferani 20.8 metra etj. Thellësia më e vogël zbret në 10 metra. Karakteristikë e liqeneve karstike të Dumresë, është se ata janë liqene me regjim shiu dhe mbushja me ujë e gropave të tyre përgjithësisht bëhet nga rrjedhja e përkohshme sipërfaqësore. Gjatë stinës së verës ndodh që afro 20 liqene të thahen përkohësisht. Këta liqene kanë tejdukshmëri të vogël dhe në thellësinë 15 metra, në disa prej tyre vihen re shenja të acidit sulfhidrik. Në liqenet e Dumresë gjendet me shumicë krapi, ballëgjeri, por edhe peshqë të tjerë kënetorë. Ndërkohë që të gjithë këta liqene janë shumë të përshtatshëm për zhvillimin e florës dhe faunës ujore e bregliqenore. Në Dumre është zhvilluar një tip i veçantë i karstit me hinka e gropa të shumta karstike. Ato përbëjnë tiparin dhe veçorinë e relievit dhe peizazhin e Dumresë, kanë një diametër nga 15-20 m dhe thellësi 3-3 m. Një nga këto në fshatin Hardhi është mbushur me mbetje inerte, një tjetër midis Kosovës dhe Fierzës, me një diametër 1.5 km dhe thellësi 100 m, me një bimësi të dendur, thonë se është kërkuar nga një italian për turizëm, por nuk është konkretizuar marrëveshja. Toka e Dumresë rrit një florë të pasur me shumëllojshmëri bimësh të egra, por edhe të kultivuara. Bujqit meraklinj kanë ngritur plantacione të tëra me vreshta, të cilat të ekspozuara nga dielli, japin shumë prodhim, por edhe një prodhim cilësor. Që e pranon rrushin toka e Dumresë, e dëshmon edhe një fakt i thjeshtë, që një fshat këtu quhet Hardhi. Ndërsa ndër bimët e egra, këtu rritet një lule e veçantë, që quhet Lekoi i Bardhë, që është një nga lulet më të bukura që rritet në ujërat e liqeneve të Dumresë. Kjo lloj bime kryesisht rritet në gjolin e Turbullt të Rrafmanit dhe në atë të Seferanit. Po kështu në këto liqene rritet edhe Lekoi i Verdhë. Të huajt marrosen pas tyre dhe liqeneve, dhe gjithnjë e më shumë po sulen drejt tyre për të shijuar këto mrekulli të natyrës. Banorët e zonës tani janë të motivuar për përmirësimin e infrastrukturës dhe nuk po tentojnë të largohen më nga zona, e cila dikur thahej për një pikë ujë.

Në gjendjen e tanishme, Dumreja ka vetëm një rrugëzgjidhje të shpejtë e të përkohshme. Atë e shpëtojnë vetëm investimet. Nga tepèja e Gradishtës, i vetmi “mal” që mburret me 180 e ca metrat lartësi, Dumrea duket si në pëllëmbë të dorës. Gradishta ka një vlerë monumentale jo vetëm natyrore, por edhe arkeologjike. Ajo është akropoli i Dumresë, Tomorri i Dumresë, siç e ka quajtur poeti ynë i mirënjohur, Xhevahir Spahiu. Jo më kot të parët e kanë zgjedhur këtë vend dominant, këtë belvedere, si qendër banimi dhe administrative. Gërmimet arkeologjike më 1969, 1973-74 në Gradishtë dëshmojnë si vendbanim ilir të periudhës së mesme të bronzit, që u zhvillua pa ndërprerje në fazat e hershme të epokës së hekurit. Në shek. VI p.es. ishte qendër protourbane, ndërsa në shek IV-I p.e.s. u kthye në qytezë të fortifikuar të krahinës së fisit ilir të parthinëve. Në perëndim të qytezës, në liqenin e Seferanit, ishte faltorja e Afërditës dhe kulti i saj ushtrohej duke hedhur në ujë enë e terrakota si dhurata për perëndeshën. Është kjo arsyeja që herë pas here edhe sot zhytësit gjejnë në fundin e liqeneve relikte të rralla. Belshi vazhdoi si qendër banimi dhe gjatë shekullit të I-IV të e.r. duke qenë pranë degës nga Apollonia të rrugës Egnatia. Në shek IV-VI u fortifikua me mure gur. Ndonëse të rralla, një vend të veçantë zënë edhe punimet në bronz, ku në shumicën e rasteve ka të skalitur drerë, mamuthë që janë zbuluar në afërsi të qendrës së Belshit. Ndërkohë që në vende të tjera janë shfaqur edhe punime me vlera si pjata me zbukurime, të cilat janë shumë të hershme. Ecim në rrugën e re që përshkon Dumrenë nga lindja në perëndim, dmth, nga Belshi, zemra e Dumresë, deri në Kosovë të Vogël, ku i thonë Myzeqe. Kjo rrugë bashkëkohore e ktheu Dumrenë në një zonë tashmë edhe me zhvillim tregtar. Në Hardhi, në një drekë të mirë, me verë shtëpie e peshk táze, Bedri Qypi, kryetari i komunës së Fiërzës, një djalë i ri, i mirë, për ta pirë në kupë, siç thotë populli, na tregon historinë e kandidimit të tij për herë të dytë. Më kishin ngelur ca punë të mira për të bërë, ndaj dhe në fushatë u thashë zgjedhësve, do t’i bëjmë apo do t’i lëmë në mes ato gjëra që kemi nisur? Andej nga Tirana mund të jenë politike zgjedhjet, këtej nga ne janë praktike, nga zgjedhje bëhen zgjidhje për njerëzit. Dhe shkel syrin pa të keq. I urojmë fitore dhe ndahemi me të. Më vonë mësuam se ai kishte fituar. Hallall, kur thonë turqit! Kjo krahinë me një natyrë kaq të butë, të bukur, që prodhon vetëm mirësi, edhe njerëzit i ka të tillë, të mirë, punëtorë të zotë, por edhe luftëtarë trima kur e ka dashur puna. Mahmut Hidri, xhaxhai i Sul Hidrit, një figure komplekse e të njohur në Dumre, oficer i lartë i ushtrisë turke, ka qenë ai që ka mbrojtur Kongresin e Lushnjes dhe e ka shoqëruar qeverinë e ngritur aty për në Tiranë. Po kaq e njohur është edhe figura e Nebi Balit, zëvendësit të Haxhi Qamilit, të torturuar nga Esat Pasha në Peqin. Në luftë Dumreja ka qenë një nga vatrat më të zjarrta me formacionet e saj partizane, batalionin e saj të famshëm që bashkëpunonte ngusht me Grupin e Parë partizan të Myzeqesë. Megjithëse Dumreja me 40 fshatrat dhe me 40 mijë banorët e saj fle mbi thesare, askush nuk e di, madje sa vetë ata që ngrysen e gdhihen aty, le të tjerët. Por do të vijë një ditë që ajo do të bëhet siç e përfytyronte gjenerali i mendimit të Rilindjes sonë Kombëtare, mendjendrituri Sami Frashëri. Qofshim gjallë deri atëhere!
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Kryqi grepc si simbol nder Ilirë.
Fletorja Nationalsozialische Beamten Zeiting Nri. 12 Vj. 2 ( Jahrgang), Berlin, me 1 Shtatuer, 1935, fq. 709 në nji artikull të vetin Franken in der Deutsche Geschichte, flet mbi kohë para Indongermanët; mandej flet mbi kohë 4000 e 2000 vjetë p.Kr. e thotë prej katër anësh u rrasnë ndë Frankenland fise bulqish e barish qi e njifshinë zejën e kontrovarit (Topferei), e ngulënë këtu; u venduen këtu polemi ardhë prei Rrenit t’Epër e ngulën ndë Ries (Frankenland) e katundarë (bulqë) të fisit dinarik banuenë fushoret e këti vendit qi, tue ardhë prei brigje vet të mjesëme të Tunësë, ngulënë ndë Uffenheim e Schëeinfurt. Tjera fise prei Nordit ngulënë ndë trikandshin e Majnit ( lum) tue zdrypë prei Thuringen.

Mandej ndë mbarim të vj. 3000 p.Kr. U lëshuen mbi këto fise bulqish do tjera fise fituese, d.m.th nji ndër ta polemi qi kjuhet nd’Arkeologi i Zonenbecherkultur, ardhë prei së lëmi, ashtu polemi i Nordit qi thirret Schnurkeramiker (prei lajlesh qi bajshinë ndër ortunga dheut). Këta njerëzë fuqimëdha u shkrinë ndë nji polem kjujtë polemi Illyr (Illyr) ndë të cillin printe (thotë auktori) si politikisht ashtu edhe kulturisht elementi i nordit, por kah fisi (gjaku) mbozotëronte fisi (rraca) dinarike.

Pa shumë trazime ma vonë kah vj. 100 djersë ndë 500 p.Kr u plotësue naltismi i këti polemit Indogerman, qi mbërrini ndë skape të madhënisë së vetë me kohën qi kjuhet Hallstattzeit (koha e Hallstattit ndë arkeologji) me nji kulturë të mbështetun ndë punime të tumakut (brunxit e hekurit, e kështu prënjimendi edhe madhënin e vetë politike. Frankenlandi ishte aso here i banuem fort me gjithëse vend i ftohtë e i papyje. Me nji shije të përparue me zeje, Illyrët i zbukurojshnë enët e veta, sidomos njato qi ishin trajtue me nderue të dekunët, me ngjyeje (Farben) e ndër sa edhe me Kryqin e Grepc prus jete e shëndeti. Pse qendra e jetesë së tyne fetare ishte dielli: “In feinentëickelten Kunstsinn schmuckten die Illyer ihre Gefasse, besonders soëeit sie den Totenkult dienten, mit Farben und geometrischen Figuren, darunter dem heilbringenden Hakenkreuz. Mittelpunkt ihres religiosen Lebens ëar die Sonne.

Germani pra vetë e pranon se Kryqi Grepc, (kështu don me kjujtë e jo kryqi i thyem, ky asht i Maxharrëvet...) ashtë perfitim Illirësh. E vërteta ashtë se ndë Shqipëni kam pa gra e janë edhe sodë qi këtë farë sheji e qindisnë me rruza ndër manga të xhubletavet (M. Madhe). Psehin s’diejnë m’e kallëzue: kur e pash së pari kujtova se ishte nji gja e shkerbyeme (imitueme) mbas fletoresh e Kryqit grepc german, por mbas përvetjesh qi bana, e tue kjenë grueja nieri i pa shkollë, e pash se ishte nji gja e vjetër fort. E kanë edhe hindjanët e Amerikës së Veriut e të Kanadahit.

Që shka thotë P. Syxtus O.P.R ndë libër Notiones Archaelogiae Christiane. Vol. II. Pars Secunda. Caput I. Christianorum epitaphorum symbola, fq. 33 (bot. 1910): At duo sunt crucis genera e primaevis Christianis adhibita, eaque, veluti religionis singa, multo ante Christum, apud Aegiptios et apud orientales preasertim gentes usurpata; nempe ut in tabulis 66 e 67 apparent (këtu qet fëtyra e). Rpimum signum dicitur ANK et magis proprie Aegyptium est, alterun vocatur SVASTIKA vel crux gammata, cuius radii, quasi sint ignei as circa centrum moveantur, flexi sunt.

Shton: sbastika ktë gjetë ndër murana të Kretësë. Svastika nuk i ka rrezet e sjellëme sikurse kryqi grepc. Mandej shton: Praetera crux gammata et in Europae regioni bus in usus fuit tempore quod praehistoricum vocant, ut Cypri, in Archipelago, in Italia Superiori (V.o. banue dikur prei Ilirësh) apud Danubium (Tuna) flumen et alibi.

Auktori P. Syxti s kallëzon sepse gjindet kryqi grepc edhe nd’Azi. Vetë kishe me thanë se kje bartë atje prei Ilirësh. Qe arësyeja. Kam lezue nji artikull ndë të përkohëshëmën: Zeit im Querschnitt (vj.9. Berlin. 15 fruer 1941. Nri. 4), fq 57 xjerrë prei së Përk, germane: Forschumengen und Fortschritte, shkrue prei Prof. Dr. Reinhard Herbig (ndë za). Ky pandehë se Dorët e Filistejt (Pelishtim) kjenë ilirë; arësyenat prei Testamentit të vjetër, së dytit prei lajmevet të lanëme prei mbëretit M- agjyp Ramses-it të II-të, e prei germimevet të bame ndë vend; polemi i Pelishtimvet kah vj. 1200 p.K. nguli ndë Palestinë së cillës i dha emënin. Qe pse I, shejët e pambohueshëme të fisit të Nordit qi diftojnë eshtënat; 2 poftja e ndertimit t’anijavet të tyne qi perkon me atë poftën e Nordit e jo të mjesdheut; 3 trajtimi i enëvet (Keramika) qi perkon me atë të Mykenësë ma të vonëshëmin; 4 nji njisi petku e veshe qi bjen me nji herë ndë sy sidomos kësula e hekurtë si nji kunorë me gjethë kallmit 9 Schilf, Schilfblater). Gjethët e kallmit janë të shkerbyem (imituem) me hekur merret vesht, se jo gjethë të vërtetë. Ky auktuer shton tue thanë se ndër Dorë të Grekisë ishte fisi i Hyllejëvet (si ndër illirë krh. Hylles, Hyllis, etj). Krahe, Die Alten Balkanillyrischen Geograf. Namen, fq. 23-24) e mundesh m’e lezue vetë shka shton gjat’e gjatë, e ndë fq. 58 thot se: Illyrët janë trajuesët e kulturës së krahinësë së Lausitz-it ndë Germani (ndërmjet Elbësë e Oder-it).

Prandej mundet qi edhe kryqi grepc, sikurse helmi me gjethë hekuri ndë trajtë të gjethit të kallmit, kje bajtë prej Ilyrësh (Filistej, Dorë etr) nd’ Azi.
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Pamje nga Arkeologjia.......
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

ARKEOLOGËT GJERMANË VIZITUAN SHPELLËN E SPILESË NË HIMARË
Një shkrim i botuar nga gazetari i ATSH-së për Shpellën e Spilesë në Himarë, bazuar në faktet historike, mitologjinë për kthimin e Odiseut nga Troja për në Itakë.

Një shkrim i botuar nga gazetari i ATSH-së për Shpellën e Spilesë në Himarë, bazuar në faktet historike, mitologjinë për kthimin e Odiseut nga Troja për në Itakë, si dhe duke iu referuar historianit vlonjat, prof.dr.Bardhosh Gaçe, vazhdon të zgjojë interesin e arkeologëve dhe historianëve të huaj. Pas mbërritjes në këtë shpellë 2 muaj më parë të 3 arkeologëve anglezë, këtë objekt me vlera të shumta të antikitetit, e vizituan edhe dy studiues gjermanë.

Tre javë më parë, dy arkeologët mbërritën në Vlorë dhe udhëtuan drejt Himarës, për të shkuar në vendin mitologjik, në Shpellën e Spilesë. Ashtu si edhe kolegët e tyre anglezë, arkeologët nga Gjermania treguan interes të madh për këtë mjedis që evokon ngjarje të antikitetit, që i kalojnë kufijtë rajonalë. Përmes shkrimit të transmetuar asokohe nga ATSH-ja, për herë të parë bëhej publik fakti se, “Shpella e Spilesë në Himarë, ishte vendi ku zhvillohej skena e famshme e fiksuar në filmin “Uliksi”, interpretuar nga aktori i njohur kosovar me famë botërore, Bekim Fehmiu, kur ai përballej me Ciklopin Polifem. Pasi vizituan Shpellën dhe fotografuan ambjentet brenda saj, studiuesit gjermanë u kthyen në Vlorë, ku bashkëbiseduan me historianin Bardhosh Gaçe, lidhur me dimensionet historike dhe ato natyrore të Shpellës. Sipas Gaçes, ata kishin lexuar web-et që citonin ATSH-në dhe faktet që trajtoheshin për shpellën e Spilesë dhe deklaratat e vizitës së Bekim Fehmiut në të. “Më vjen mirë që ATSH bëhet promovuese e këtyre vlerave dhe ka këtë impakt tek të huajt, aq më tepër për të tilla objekte me background të pasur historik”, thotë Gaçe, i impresionuar për bashkëbisedimin me specialistët gjermanë.

“Kishin kaluar pothuajse katër vjet nga fundi i gushtit të vitit 2006, kur Fehmiu kishte vizituar Shpellën e Spilesë, mjedisin që sipas tij “duhej të ishte skena e vërtetë ku duhej të luhej në filmin “Uliksi”, momenti i përballjes me Ciklopin", kujton profesor Gaçe që e shoqëronte Fehmiun në këtë vizitë.

"Ky është një monument i rëndësishëm që duhet të ruhet dhe të promovohet, pasi sjell momente të njohura të historisë së mitologjisë", sjell në kujtesë Gaçe thënien e Bekim Fehmiut, që pasi vinte për herë të parë në Vlorë, kishte mbetur i mahnitur nga gjithçka ai pa. Fehmiu i kishte treguar historianit vlonjat se, për të interpretuar Uliksin, kishte lexuar shumë nga historia e mitologjisë greke."Kishte lexuar mjaft libra të autorëve grekë dhe kishte adhurim për mitologjinë. Madje, shprehu keqardhjen se origjinaliteti i krijimtarisë së dikurshme të mitologjisë, trajtohej ndryshe nga autorët aktualë. Përmes leximeve të shumta, Fehmiu kishte hyrë në brendësi të rolit dhe siç tregonte, e përjetonte atë me të gjithë forcën e shpirtit. Prandaj dhe donte të kishte një kujtim nga vendi real historik, ku ishte zhvilluar skena e Odiseut me Ciklopin. Bëmë fotografi dhe ai e mori atë me vete si një gjë të shtrenjtë", kujtonte Gaçe bashkëbisedimin me aktorin e famshëm, gjatë asaj vizite të tij të parë në Vlorë dhe në Shpellën e Spilesë, që do të mbetej edhe e vetmja.

Dhe për këtë ngjarje të rëndësishme për kulturën dhe historinë shqiptare, unë përgatita një shkrim “In memoriam”, që u transmetua nga ATSH një ditë pas ndarjes nga jeta të Bekim Fehmiut, në datën 15 qershor të vitit 2010. Në këtë shkrim përshkruheshin momentet, mbresat dhe deklaratat e aktorit kosovar gjatë vizitës së tij në Shpellën e Spilesë. Dy muaj më parë, në fillim të muajit dhjetor të vitit 2011 Gaçe më përcolli me mjaft entuziazëm bashkëbisedimin me kolegët anglezë, ndërkohë që tani flet edhe më me optimizëm për atë çka diskutuan me arkeologët gjermanë. Për Gaçen, interesi që ka ngjallur tek arkeologët e huaj Shpella e Spilesë në Himarë, duhet të shërbejë si një ngacmim për vetëdijen tonë lidhur me vlerat që kemi, qofshin ato historike, arkeologjike, natyrore etj. “Anglezët dhe gjermanët kanë mbetur të impresionuar dhe madje edhe paksa të çuditur që këto vlera nuk janë promovuar sa duhet, aq më tepër kur këto lidhen e dhe me emra kolosësh si Bekim Fehmiu”, nënvizon Gaçe, që shton se “pavarësisht se çfarë premtojnë të huajt për promovimin, vetë ne duhet të bëjmë më tepër”.
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Gjetjet fantastike dhe mjaftë të vlefshme.
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Zbulohet thesari i rrallë shqiptar në New York
Auron Tare

"Në këtë kohë një racë njerëzish totalisht e panjohur dhe e çuditshme erdhi në Kostandinopojë. Ata quheshin Avar. I gjithë qyteti doli në muret mbrojtëse për t'i parë pasi kurrë ndonjëherë njerëz të kësaj race ishin dukur në këto anë. I mbanin flokët të thurura me gërsheta, por rrobat i kishin njësoj si të Hunëve"
Kronikani Bizantin Theophrastes

Eshtë mjaft ftohtë dhe bora bie pa pushim duke i dhënë një pamje të mahnitshme qytetit që nuk fle kurrë, New York-ut. Të gjithë njujorkezët që vrapojnë për diku thonë nëpër dhëmbë se borë e tillë ka kohë që nuk bie në këtë qytet. Me sa duket Viti i Ri ka ardhur me furi duke sjelle një kohë e cila do të mbahet mend.
Megjithatë bora e madhe që ka mbuluar New York-un nuk i pengon dashamirësit e shumtë të artit për të vizituar edhe sot një nga Muzetë më të famshëm në botë. Muzeun Metropolitan të New York-ut.
Të vish në New York është gjithmonë kënaqësi, megjithatë sot kam ardhur për të parë diçka mjaft të rrallë që ka lidhje me vendin tim. Një pasuri të madhe kulturore të cilën Muzeu Metropolitan i New York-ut e mban me krenari në një nga sallat qendrore të saj, por që Shqipëria vendi nga ky thesar ka ardhur as që e ka dëgjuar ndonjëherë. "Thesari Shqiptar" i zbuluar në fshatin Vrap të periferisë së Tiranës, është prej koleksioneve shumë të rëndësishme që ky Muze i njohur ekspozon në galeritë e tij. I vendosur pranë koleksioneve të tjerë të famshëm "Thesari Shqiptar" i Vrapit ka tërhequr vëmendjen e studiuesve të njohur të cilët akoma edhe sot nuk kanë mundur të japin një përgjigje të saktë mistereve të shumta që mban ky thesar në historinë e tij.
Për fat të keq kuratorja e këtij koleksioni Melani Holcomb është e sëmurë por ndihmësja e saj simpatike është e gatshme për të na shoqëruar kudo nëpër këtë Muze gjigant. Duke hyrë në hollin e madh të mbushur me njerëz përnjëherë impresionohesh nga përmasat e mëdha dhe koleksionet e mrekullueshme që ndodhen të ekspozuara këtu. I themeluar në 1870 nga një grup vizionarësh dhe filantropistësh amerikanë Muzeumi Metropolitan ka sot mbi 2 milionë objekte të rralla por vetëm objektet më të famshme janë të ekspozuara për publikun e gjerë. Ndër to edhe Koleksioni Shqiptar i Vrapit.
Koleksioni
Po çfarë është ky koleksion. Kush e ka gjetur dhe si ka mundur të largohet nga Shqipëria? Çfarë përfaqëson dhe kujt kulture i përket? Si ka përfunduar në këtë Muze kaq të famshëm dhe pse askush në Shqipëri nuk ka ndonjë ide të saktë mbi të?
Sipas dokumenteve në arkivin e Muzeumit Metropolitan "Thesari Shqiptar" është shfaqur në tregun e antikuarëve në Romë diku nga pranvera e vitit 1910. Ky Thesar lidhet me emrin e konsullit austro-hungarez në Durrës Remi de Kiatovski, një diplomat aristokrat i cili kishte disa vite që jetonte në Shqipëri. Mesa duket konsulli austro-hungarez i ardhur në Romë posaçërisht për një mision special që kishte lidhje me fatin e Thesarit Shqiptar kishte kontaktuar një prej njohësve më të mirë të tregut të objekteve arkeologjike në Romë, Ludwik Pollak. Dr. Pollak një arkeolog hebre gjerman dhe Drejtor i Muzeumit Barraco në Romë ishte jo vetëm një njohës i rafinuar i artit antik por edhe një dealer i njohur në tregun e trafikut të objekteve kulturore. Në letrën që konsulli Kiatovski i kishte dërguar përpara vizitës së tij në Romë, Ludwig Pollak ndër të tjera ai shkruante "dëshiroj t'ju prezantoj një thesar të veçantë Bizantin që gjenden në pronësinë time i zbuluar në zonën e Durrësit". Jo më shumë se një javë më pas nga takimi midis këtyre dy personazheve, Ludovik Pollak e prezanton koleksionin shqiptar agjentit të blerjeve të Muzeumit të Metropolitanit në Romë Xhon Marshall.
Por, si kishte mundur që ky Thesar të binte në dorën e konsullit Austro-Hungarez të Durrësit? Pothuajse asnjë detaj nuk dihet se si ky Thesar është zbuluar në fshatin e Vrapit. Nuk kemi asnjë shënim të lënë nga dora e konsullit Kiatovski mbi gjetjen e objekteve të çmuara. E vetmja dëshmi mbi zbulimin e këtij Thesari vjen nga botimi i një studimi në 1917 nga studiuesi vienez Strygovski i cili gjithsesi nuk ka lënë shumë detaje mbi këtë zbulim. Prof. Strygovski shkruan se Konsulli austro-hungarez Kiatovski ju ka kërkuar autoriteteve Turke në Tiranë të hapnin një investigim mbi zbulimin e një qypi të madh me objekte të çmuara brenda tij, të gjetura nga një fshatar diku në rrethinat e Tiranës.
" Në 1901 një fshatar shqiptar në fshatin e Vrapit zbuloi në tokën e tij një kazan bakri të cilin e mori për vete në shtëpi. Duke mos e çarë shumë kokën për objektet e tjera që ishin brenda në kazan ai ja shiti ato për tre mechide një shqiptari tjetër i cili i solli këto objekte në Kullën e tij në fshatin Arbane jo shumë larg nga Vrapi."
Se çfarë ndodhi më tej dhe përse Konsulli Austro-Hungarez ka qenë i përfshirë në këtë histori nuk ka më asnjë dëshmi por duket se Kiatovski ka përdorur të gjithë influencën e tij pranë autoriteteve turke për ta shtënë në dorë këtë Thesar të zbuluar në Vrap.
Pollak dhe Kiatovski mesa duket kanë ndjekur këshillën e Drejtorit të Metropolitan pasi kanë dërguar një seri fotosh të Koleksionit Shqiptar në adresën e J.P.Morgan. Fatkeqësisht për ta, në atë periudhë J.P.Morgan nuk ishte në Amerikë, por po lundronte në yachtin e tij të famshëm drejt Egjyptit për të parë kërkimet arkeologjike të cilat i sponsorizonte prej vitesh. Koleksioni i fotove të pa njohura për publikun e gjerë që i janë dërguar J.P.Morganit nga Roma tregon se objektet e Thesarit të Vrapit ishin fotografuar me mjeshtëri të lartë nga të dy personat të cilët në fshehtësi të madhe kërkonin që të shisnin këto objekte ari dhe argjendi tek një prej koleksionistëve më të mëdhenj të shekullit të 20.
J.P.Morgan një financier dhe miliarder amerikan i cili i kishte bërë paratë e tija gjatë bumit të madh ekonomik amerikan pas Luftës Civile ishte një prej filantropistëve më të mëdhenj të kohës së tij. Prej vitesh ai kishte filluar të koleksiononte vepra arti jo vetëm në pikturën italiane të rilindjes por edhe vepra të rralla të antikitetit. Blerjet e tija ishin të famshme dhe antikuare nga e gjithë Europa kërkonin me çdo kusht që të vendosnin kontakte me miliarderin amerikan. J.P Morgan kishte në pronësinë e tij një numër të madh objektesh me vlera të rralla të cilat ai i blinte në udhëtimet e përvitshme që bënte në kryeqytetet europiane. Mbështetës i fuqishëm i kërkimeve arkeologjike në Egjipt, J.P Morgan kalonte një pjesë të madhe të kohës në vendin e Piramidave duke udhëtuar me jahtin e famshëm çdo pranvere nga Amerika për në Mesdhe. Reputacioni i tij si blerësi më i njohur i veprave të artit sigurisht e bënte atë që të merrte oferta nga më të ndryshmet të cilat në pjesën më të madhe i refuzonte. Njohës i thellë i artit klasik ai kërkonte veprat më të rafinuara dhe më të veçanta që mund t'i binin në dorë. Thesari Shqiptar i Vrapit me sa duket kishte qenë një prej këtyre ofertave të cilën pasi kishte parë fotot e dërguara nga Roma J.P.Morgan e kishte refuzuar. Tregu i antikave dhe objekteve të artit në atë kohë ishte një treg shume i rafinuar por edhe i rrezikshëm. I mbushur plot me falsifikatorë profesioniste, tregtarë pa skrupuj dhe arkeologë të gatshëm të ofronin këshilla për atë që paguante më shumë ky treg ishte orientuar tashmë nga blerësit e mëdhenj amerikanë të cilët ishin të gatshëm të paguanin shuma të mëdha për të mbushur koleksionet e tyre private. Por, amerikanët e pasur me gjithë urinë e madhe që kishin për objekte arkeologjike ishin mjaft të kujdesshëm që objektet që blinin në tregun fluid të antikuarëve të mos ishin false. Për këtë arsye edhe J.P.Morgan kishte pajtuar në shërbimin e tij njohës të mirë të këtij tregu.
Arsyet se përse J.P.Morgan nuk e bleu Thesarin Shqiptar nuk i dimë por nga Ditari i Dr. Pollak mësojmë se Konsulli austro-hungarez i Durrësit po bënte përpjekje të shumta që ky thesar t'i binte në dorë miliarderit Amerikan. Nga letërkëmbimi i ruajtur në arkiv mësojmë gjithashtu se një person shumë i interesuar për fatin e Thesarit shqiptar ishte edhe diplomati dhe koleksionisti austriak Kont Moris Palffy, i cili me sa duket është interesuar për të gjetur blerës kundrejt një përqindje nga shuma e shitur. Por, e thëna më interesante që del nga këto dokumente mbi prapaskenat e shitjes së këtij Thesari është fakti se Dr. Pollak dhe Konsulli i Durrësit Kiatowski janë përpjekur për të blerë shërbimet e dy studiuesve me famë botërore Profesorit Vienez Josef Strzygowski si dhe Wilhem Bode Drejtor i Muzeumit të Berlinit. Të dy personalitete të cilët kishin influencë mbi blerjet e J.P.Morganit në koleksionet e paraqitura në Europë. Sipas një prej letrave të Dr. Pollak lexojmë se Drejtori i Muzeumit të Berlinit kishte shkuar në Romë apostafat për të parë personalisht Thesarin Shqiptar dhe për t'i raportuar J.P.Morganit i cili priste në Firence sugjerimet e këshilltarit të tij. Jo më larg se një vit më parë Pollak me ndërhyrjen e Drejtorit të Muzeumit të Berlinit i kishin shitur J.P.Morgan një vepër të Donatelos dhe shpresonte se edhe kësaj radhe J.P.Morgan do blinte këtë Thesar të rrallë të ardhur nga Shqipëria. Por, me sa duket miliarderi amerikan e kishte refuzuar këtë blerje. Deri në këtë kohë shumë pak persona kishin dijeni mbi ekzistëncën e këtij Thesari i cili kishte mundur të tërhiqte vëmendjen e blerësit më të famshëm në Amerikë. Njeri prej personave të përfshirë në këtë aferë ishte edhe profesori vienez Stryzgoëski i cili pasi e kishte ekzaminuar me imtësi këtë Thesar kishte përgatitur një artikull shkencor për botim. Ka shumë mundësi që rëndësia që i jepte studimi i Profesorit Vienez këtij Thesari ka influencuar në vendimin e J.P.Morganit për ta parë personalisht këtë Thesar një vit më vonë. Një vit më vonë më në fund në Romë Kiatoëski qëndroi përballë me miliarderin e famshëm amerikan J.P.Morgan dhe për herë të parë i prezantoi atij të gjitha objektet prej ari dhe argjendi të Thesarit Shqiptar. Dhe kështu Thesari i gjendur nga një fshatar i Vrapit i shitur për tre mechideturke dhe i rënë në dorën e Konsullit austro-hungarez të Durrësit i ble për gjysëm milion franga nga legjendari amerikan J.P.Morgan.
Studimi i Prof. Stryzgowski pati një efekt të jashtëzakonshëm në fatin e Thesarit Shqiptar. Jo vetëm mbi koleksionistin J.P. Morgan por shumë më gjerë në debatin shkencor që zhvillohej në qarqet intelektuale europiane mbi Artin Bizantin. I njohur pothuajse pak arti bizantin ishte një subjekt i ri studimi dhe si i tillë kishte pasur debate të shumta mbi origjinën dhe influencën që ky art kishte pasur në Europën kristiane. Thesari Shqiptar i Vrapit do të risillte një debat të fortë midis një sërë Bizantologësh të kohës mbi influencën e fiseve barbare në artin bizantin dhe lidhjet me fiset gjermanike të shekullit të 6 dhe 7 pas Krishtit . Megjithatë ishte Profesor Stryzgowski që për herë të parë hodhi idenë se ky Thesar i përkiste një popullsie pak të njohur dhe aspak të studiuar deri me atë kohë, popullsisë Avare.
Shumë pak njihet mbi prejardhjen e popullsive Avare. Kronikani i shekullit të V Priskus flet për lëvizje të popullsive nga Azia Qendrore drejt Europës ku në mes tyre mendohet se ishin edhe Avaret. Ndërsa Kronikane të tjerë si Theophrates Bizantini apo Gregori i Turit dhe Paul Dekoni shkruajnë se Avarët ishin popullsi e ardhur së bashku me Hunet. Cilado qoftë e vërteta, Avarët mesa duket janë shfaqur në Europë në fillim të shekullit të 6 të erës sonë gjatë rënies përfundimtare të Perandorisë Romake dhe procesit të formimit të Perandorisë Bizantine. Avarët, një popullsi shumë luftarake e cila hyri në territoret Lindore të Perandorisë Bizantine në fillim si hordhi plaçkitësish dhe më vonë si kolonë, ishin një element i rëndësishëm në formimin e popullsive bullgaro-sllave.
Pikërisht për një mori misteresh të lidhura me ekzistencën dhe pushtimet e këtyre hordhive barbare në Ballkan, Thesari Shqiptar i Vrapit ka tërhequr vëmendjen e disa studiuesve seriozë pas studimit të parë mbi të në 1920. Ky Thesar është ndër më të rrallët dhe përfaqëson kulturën e një populli luftëtar, por endacak i cili erdhi papritmas nga stepat e pafundme lindore duke sjellë ndryshime serioze në historinë e Ballkanit.
Pasuesi i Profesor Stryzgowskit në çështjen e Thesarit Shqiptar të Vrapit është një tjetër studiues gjerman. Joachim Werner i cili për disa vite studioi objektet e thesarit të Vrapit si dhe u mundua që t'i jepte një përgjigje misterit të vendndodhjes së tij në territorin shqiptar. Ai vizitoi Shqipërinë në fillimin e viteve '80 dhe paraqiti një studimin të botuar për herë të parë në Vjenë. Në përfundimin e këtij studimi Werner e quajti thesarin e Vrapit "një thesar arkeologjik të përmasave europiane", por pa nxjerrë një përfundim të saktë mbi pronësinë apo rrethanat se perse ky Thesar gjendej në rrethinat e Tiranes. Megjithatë edhe të tjerë ekspertë që janë marre me studimin e thesarit kanë hedhur pyetjen nëse ky thesar ka qenë i grabitur nga ndonjë lider i panjohur Avar i cili në rrethana të pazakonta ka qenë i detyruar ta groposte në Vrap. Nga burimet e kohës dihet se trupat avare kanë shërbyer si mercenare në ushtrinë Bizantine dhe sigurisht janë gjendur shpesh në territoret e Shqipërisë së sotme. Po nga burime të shkruara të kohës si në "Kronikën e Monevasisë" apo "Jeta e Shën Pankratit" flitet për dyndje të trupave "pseudoavare" sllavo-bullgare, të cilët sulmonin territoret romane sidomos ato përgjatë Via Egnatias duke plaçkitur apo edhe duke u vendosur në zona të shkreta. Sipas këtyre burimeve këto trupa, gjatë fushatës së dytë në Greqi 586-588 e.s u dukën deri në muret e Durrësit dhe të Ohrit.
Po nga këto Kronika mësojmë se një figurë interesante me prejardhje avare që ka qenë aktiv në territoret e Shqipërisë së sotme ka qenë komandanti ushtarak Bizantin Vitelianusi. Pasi kishte shërbyer për një kohë të gjatë në radhët e ushtrisë Bizantine ai iu kundërvu Bizantit nën nxitjen e Theodorikut të Madh dhe Papës Hormidas në vitin 506.
Kronisti Bizantin Malala shkruan se Vitelianusi pati një fushatë të suksesshme kundër trupave bizantine në zonën e Ohrit."Në kohën e Perandorit Anastas, Trakasi Vitelianus iu kundërvu Perandorit në krye të trupave hune dhe avaro-bullgare. Pastaj ai pushtoi Trakën, Moesinë, Skithinë dhe Odeososin"
A mos vallë ky Thesar mund të ketë lidhje me figurën e një personaliteti kaq të rëndësishëm ushtarak sa rebeli Vitelianus? Mos vallë këto objekte ari t'i kenë përkitur Vitelianusit i cili shkretonte dhe plaçkiste territoret Bizantine të Adriatikut Perëndimor? Mos vallë i sulmuar papritmas nga ndonjë ushtri Bizantine e kohës rebeli i famshëm t'i ketë groposur këto objekte Ari ne katundin e Vrapit për t'i marrë më vonë?Askush nuk e di. Gjithsesi Thesari i groposur për shekuj me radhë tashmë ka një vend të merituar në pavijonet e Muzeumit Metropolitan të New York-ut.
80 vite në NeW York
Thesari Shqiptar i Vrapit i cili qëndron prej gati 80 vjetësh në Muzeun Metropolitan të Nju Jorkut, u vu përsëri në qendër të vëmendjes së studiuesve botërorë në 14 shtator 1981 kur në Galerinë e famshme në Sotheby, Londër u paraqit koleksioni i quajtur "Parke Bernet & Co" ndryshe edhe Thesari i Ersekës. I ardhur përsëri nga një krahinë jugore e Shqipërisë ky koleksion prej ari dhe argjendi i prezantuar si Thesar Avar mendohej se kishte shumë përngjasje me Koleksionin e Vrapit i gjetur më 1901. Mistere të shumta e mbulojnë edhe këtë Thesar të dytë me përmasa kaq të rëndësishme të dalë nga Shqipëria. Të dhënat për të janë shumë të pakta. Askush nga arkeologët shqiptarë nuk di me saktësi ndonjë të dhënë për ekzistencën apo gjetjen e Thesarit Avar të Ersekës. Një fakt shumë i zbehtë mbi gjetjen e thesarit është regjistruar në 1987 nga një banor i fshatit Lëngës në Ersekë i cili thotë se ky thesar ishte zbuluar nga një familje e fshatit me mbiemrin Qiriazi, në fund të vitit 1890 buzë një përroi. Familja Qiriazi u largua nga fshati dhe u vendos në Slovë të Maqedonisë ku fati i kësaj familjeve dhe i thesarit që mori me vete nuk u mësua kurrë.
Sipas katalogut të botuar nga Sotheby në 1981,Thesari i Ersekës ka gati 123 objekte ari dhe argjendi shumë të ngjashme me Thesarin e Vrapit. Studiuesi gjerman Werner ka qenë personi i parë që ka folur për ekzistencën e këtij thesari sipas fotografive të vëna në dispozicion nga familja që e posedonte. Sipas Werner-it ky Thesar ndodhej në duart e një familje e cila në vitet 30 kishte qenë në elitën e udhëheqjes naziste. Thesari i Ersekës për një kohë të gjatë mendohej të kishte prejardhje gote dhe kuptohet qartë se kishte një vlerë shumë të madhe për një familje e cila besonte në rilindjen e racës gjermanike. Me sa duket pas rënies së regjimit nazist edhe rëndësia e këtij thesari ishte lënë në harresë për të dalë në skenë vetëm në vitin 1981 në Sotheby të Londrës, në kushtet e një anonimati të plote mbi pronarin e tij të vërtetë.
Studiues austriakë të Universitetit të Vjenës që kanë parë fotot e thesarit të Ersekës, mendojnë se ai duhet të jetë pjesë e thesarit të Vrapit, por si dhe përse ai është gjetur buzë një përroi në një fshat të Ersekës askush nuk mund t'i japë përgjigje të saktë.
Për herë të parë dje në "Exclusive" fotot e Thesarit të Ersekës tregojnë për një koleksion shumë interesant objektesh ari dhe argjendi të cilat nuk dihet se ku ndodhen pasi u prezantuan në shtëpinë e ankandit në Londër, Sotheby.
J.P.Morgan miliarderi i famshëm amerikan e mbajti Koleksionin Shqiptar vetëm për disa vite. Duke parë se shëndeti i tij sa vinte dhe rëndohej, përpara vdekjes ia dhuroi të gjithë koleksionin e tij madhështor Muzeut Metropolitan, i cili sot gjendet në Pavijonin me emrin Morgan. Krahas objekteve më të famshme të koleksionuara ndër vite nga J.P Morgan është edhe Thesari Shqiptar i Vrapit.Gazeta Shqiptare/
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Eshte gjetur figure e shahut me vjetra ne Evrop
Nese eshte kjo bretresh apo mbret ende nuke dihet,por nje figur e shaut esht.
Kjo figur e shahut e vjeter 1400 vjet esht gjetur ne Shqiperi, dhe tashe duhet
historine e shahut e evrope te ndryshohet.
Deri me tashe esht besuar se shahu kishte ardhur ne Evrope ne vitin 1300.
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Në Shkodër, zbulohet Xhamia 300-vjeçare
Gjatë punimeve që po kryhen për rikonstuksionin e ambientit rrethues në Xhaminë e plumbit në qytetin e Shkodrës në Shqipëri, janë zbuluar rrënojat e një tjetër Xhamie të vjetër, që sipas drejtuesve të komunitet musliman, ky objekt ka vlera të rralla arkitekturore dhe kulturore pasi i përket një ndërtimi rreth 300 vite më parë.
Rrënojat e zbuluara i përkasin Xhamisë që njihej me emrin “Xhamia e Qafës”, një lagje kjo në hyrje të qytetit të Shkodrës rrëzë Kalasë Rozafa, buzë lumit Drin.
Sipas Myftiut të Shkodrës, Muhamet Syrtari objekti i zbuluar është një monument me mjaft vlerë që flet shumë për qytetin dhe si i tillë duhet që Insituti i Monumeteve të Kulturës ta klasifikojë si trashëgimi kulturore.
Themelet e kësaj Xhamie shekullore janë dëmtuar dhe nga vëndosja e tubacionit të ujësjellësit që furnizon gjithë lagjen me ujë të pijshëm, dëmtim i cili është kryer me qëllim nga regjimi i asaj kohe.
Në ekspedita të ndryshme arkeoligjike në këtë zonë janë nxjerrë në sipërfaqe herë pas here zbulime që e klasifikojnë qytetin e Shkodrës si nje nga zonat me një vlerë të rrallë historike dhe kulturore.
http://www.youtube.com/watch?v=haHyOkQ4AhI&feature=channel
 
Back
Top