• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse j’u shfaqet ky mesazh, do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar, ju arrini të shihni pjesën më të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. J’u lutem:REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Bodrumi i Muzeut Arkeologjik si thesari i Ali Babait
Foto Shekulli

Kristi Pinderi

Muzeu Arkeologjik në Tiranë ku ekspozohen mbi 2100 eksponantë të datuar nga prehistoria, deri në mesjetën e vonë, nuk është pasuruar me objekte të reja që nga viti 1985, ndonëse pas atij viti janë zhvilluar dhjetëra e dhjetëra ekspedita herë në bashkëpunim me universitete të huaja, e herë ekskluzivisht vetëm nga specialistët shqiptarë.

Specialistët e arkeologjisë tregojnë se objektet që janë zbuluar gjatë ekspeditave të 25-30 viteve të fundit duhet të jenë të arkivuara një kat më poshtë atij muzeumi! Por kur i pyet se pse nuk ekspozohen, ndihen ngushtë… Thonë se, “pyetja është me vend”, dhe shtojnë se “mungojnë politikat”, apo “mungojnë burimet njerëzore”…


Një gjë duhet thënë troç: nëse kërkoni të vërtetoni se me sa seriozitet e trajtonte shteti i dikurshëm trashëgiminë kulturore, qoftë edhe si mjet propagande ndërkombëtare, qoftë edhe si mjet edukimi për qytetarët, vizitoni atë muze arkeologjik që ndodhet në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Nëse kërkoni pastaj ta ballafaqoni konkretisht se në çfarë amullie institucionale ndodhet i gjithë investimi për trashëgiminë kulturore sot në Shqipëri, apo se në ç’amulli politikash të munguara, sherresh brenda zyrave ndonjëherë, apo mungesë idesh ndodhet ky investim i munguar, vizitoni sërish atë muze…

Ndodhet përbri zyrave të Rektoratit, në një ndërtesë historike të projektuar nga Gherardio Bosio, arkitekti italian i kohës së Musolinit. Ndonëse është më i ploti përsa i përket eksponantëve që ekspozon, plot 2100 të tillë nga epoka e gurit deri në mesjetë, për fat të keq, ai muze ka mbetur njësoj siç ka qenë në vitin 1985…


Vizitë në muzeun e ftohtë…

Rreth drekës, në një orar që duhet të përfaqësojë kulmin e punës për një muze, ai ishte bosh. Dritat ishin të fikur dhe brenda nuk kishte asnjë vizitor. Eda Andoni, përgjegjëse e muzeut, na shpjegoi se vizitohet shumë më tepër gjatë stinës së verës, ndërkohë që gjatë dimrit vizitat janë shumë spontane, shumë rrallë të organizuara në grupe turistësh dhe për pasojë e gjithë pasuria që ndodhet në të u shërben vetëm studentëve, meqë muzeu është një muze didaktik në funksion të Qendrës Albanologjike ku bën pjesë edhe Instituti i Arkeologjisë.

Në mënyrë që “Shekulli” të fotografonte vitrinat me objektet, punonjësit ndezën dritat, por asnjëra prej vitrinave në mbi 1000 metra katrorë muzeum nuk funksiononin. Disa neonë pulsonin sikur të ishin duke “vdekur”, por mjaftueshëm për të shfaqur pluhurin në xhamat e vjetër të prodhuar dikur në Kavajë… Këto xhama janë ndër të tjera edhe aq praktikë, saqë sa herë studentë të masterit apo të doktoraturës duan që të studiojnë nga afër një objekt, punonjësve të muzeut u duhet një ditë e tërë që ta çmontojnë apo ta hapin vitrinën pa e thyer atë!

Pavioni që përfaqëson me objekte të shumëllojshme prehistorinë, është një ndër krenaritë e atij muzeu. Eda Andoni, përgjegjësja e muzeut, e cila është duke përfunduar doktoraturën e saj pikërisht për prehistorinë, e bën guidën me më shumë pasion në atë pavion. Të bie në sy një riton i epokës së neolitit (kur guri përdorej njëkohësisht edhe me hekurin, qindra vjet para Krishtit). Ai është në fakt një objekt kulti që sipas mendimit mbizotërues mes specialistëve simbolizon pjellorinë dhe fuqinë e natyrës, fuqi e padiskutueshme për njerëzit e asaj epoke të largët. Duket qartë përmes formës së tij që duhet të jetë një objekt i tillë kulti, se sa një objekt praktik i jetës së përditshme.

“Pjesa më e madhe e objekteve”, shpjegon Andoni, “tregon për një popullsi me tipare të njëjta në të gjithë zonën e Ballkanit për atë periudhë prehistorike”. Ndryshimet, apo tiparet dalluese për një popullsi të veçantë nisin të shfaqen më vonë.
Në të djathtë dallon helmetën e parë ilire, e konsideruar e tillë nga shumica dërrmuese e specialistëve shqiptarë (disa shekuj para Krishtit). Më tej, nisin vitrinat që pasqyrojnë jetën e qyteteve të para të epokës helenistike, shekujt e 3 dhe të 2 para Krishtit. Ndërkohë objektet e zbuluara kryesisht në juglindje të vendit, apo dhe ato në qytetet byline (rreth Bylisit antik), janë objektet më të bukura në atë kënd të muzeut.

Një statuetë prej terrakote që paraqet figurën e Apollonisë është ndoshta ndër objektet më të çmuara atje dhe më të sofistikuara në atë muze. Ajo i takon shekullit të 2 para Krishtit dhe mendohet të jetë një objekt i importuar jo i prodhuar në territorin tonë. Pas një sërë ndërhyrjesh restauruese u zbulua se ajo ishte ndërtuar edhe me material ari në mënyrë që të shkëlqente nën dritën e diellit. E zbuluar në Amantia ajo është gjithashtu edhe një tregues për vendin e rëndësishëm që zinte kulti i Apollonisë në territorin antik të vendit tonë.
Një statuetë tjetër, që paraqet Erosin, me krahë ëngjëlli që mban mbi supe një delfin, është gjithashtu një prej objekteve që mahnit vizitorët.

Pranë tij, ndodhet vitrina që ekspozon objekte të rralla të zbuluara në një varr të Belshit, nga arkeologu Neritan Ceka. Janë objekte jashtëzakonisht të këndshme dhe të rafinuara për syrin e njeriut që i përkasin edhe një femre edhe një mashkulli: janë objekte zbukurimi për një femër dhe pjesë të armaturës ushtarake të një mashkulli, fakt ky që të bën të mendosh se në atë varr ishin varrosur burrë e grua, ndonëse eshtrat e tyre nuk ishin ruajtur… “Eshtë një fenomen i zakonshëm që jo të gjitha eshtrat të ruhen, as edhe dhëmbët ndonjëherë, për shkak të përbërjes së veçantë të tokës në disa pjesë të vendit tonë”, saktëson një arkeologe pranë atij muzeu.



Pse objektet e shtuara “groposen” një kat më poshtë?

Pak objekte që u zbuluan vonë, e që i përkisnin kryesisht periudhës antike u shtuan diku nga fundi i vitit 1993 në atë muze, por ato ishin shumë pak, në një numër të papërfillshëm. Një tjetër statujë, sipas gjasave e epriudhës romake, e zbuluar dy vjet më parë në Apolloni është objekti i fundit që i është shtuar fondit të ekspozuar të këtij muzeu.

Pyetja të cilës sot nuk i përgjigjet askush qartësisht është: çfarë ndodh me objektet e zbuluara në tre dekadat e fundit të ekspeditave arkeologjike? “Studiohen dhe duhen restauruar”, përgjigjet thatë drejtoresha e Institutit të Arkeologjisë, Prof. Shpresa Gjongecaj. Pastaj, një ide duket se i vjen përnjëherë ndër mend: në fakt, ky vend ka më shumë nevojë për fonde për restaurimin… Si nuk po del, shton më tej, një dashamirës në gjendje ekonomike që të dhurojë në formë donacioni jo të holla apo para, por të paktën ndonjë mjet të sofistikuar me të cilin ne të restaurojmë objektet prej metali, që në fakt, kërkojnë një teknikë më të kujdesshme…?!

Më tej, pyetjes se pse muzeumet tona nuk janë pasuruar me objekte të ekspeditave të fundit, Prof. Lorenc Bejko, ish drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe autor i disa ekspeditave shumë të rëndësishme të dekadës së fundit, sidomos ajo në tumën prehistorike të Kamenicës, i përgjigjet: “Pyetje interesante dhe e vështirë… Kam përshtypjen se kërkimet e dy dekadave të fundit do na detyrojnë të rikonceptojmë shumë aspekte me të cilat ne kemi shpjeguar deri më sot historinë tonë…”. Dhe shton se, kjo në aspektin muzeologjik, këto objekte të reja do të mund të ndryshonin krejt vizionin tematik por edhe kronologjik mbi të cilin muze si ai arkeologjik janë ngritur e janë promovuar…

“Për këtë duhet vizion, duhet vullnet, duhen burime njerëzore, duhet mbi të gjitha pasion”, thotë Bejko, i cili të paktën për diçka shumë të rëndësishme do të mbahet mend: edhe sikur asgjë tjetër mos bëjë më në jetë: sitin arkeologjik të Kamenicës që e studioi vetë për vite me rradhë, e transformoi në fund, në një muze, e në një qendër të vizitueshme. Po te tjeret…?!

http://www.shekulli.com.al/shekulli/...-i-ali-babait/
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Shkodër, zbulohet një varr rrëzë kalasë, mendohet 193-vjeçar

SHKODËR - Gjatë punimeve të nisura prej disa ditësh rrëzë Kalasë së "Rozafës", për sistemin e sheshit përpara Xhamisë së Plumbit, në lagjen Qafë, një tjetër objekt ka tërhequr sot vëmendjen e komunitetit shkodran.

Sipas Myftiut të Shkodrës, Imam Muhamet Sytari, i cili po ndjek nga afër gërmimet në këtë zonë, ku mendohet se ka gjurmë të hershme të trashëgimisë islame, objekti në fjalë është një pllakë varri, me mbishkrimin, Tahir Dani dhe që i përket shumë viteve më parë.

Imam Sytari thotë se kemi të bëjmë me gjurmët e një varri 193- vjeçar, i cili ka karakteristikat e kohës së tij, me gurë të gdhendur ,që janë gjetur edhe në zona të tjera të qytetit. Lagja Qafë, e shtrirë rrëzë kalasë së lashtë “Rozafa”, e konsideruar me një traditë hershme të trashëgimisë kulturore, parashikohet të ketë në brendësi të saj relike dhe vlera të hershme, që dëshmojë jetën e komuniteti të qyteti verior, në këtë pjesë të qytetit, në një periudhë të hershme.

Një projekt i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Parkut Arkeologjik të Shkodrës, mbështetur nga Ambasada Polake, bëri të mundur verën e kaluar studimin dhe disa gërmime arkeologjike, ku u zbuluan gjurmë të objekteve, në afërsi të Xhamisë së Plumbit.

Të mbuluara me materiale plastike dhe mjete të tjera profesionale, ato presin mbërritjen e grupit të arkeologëve për fazën e dytë të gërmimeve, por ndërkohë, spontanisht, duke gërmuar në një territor tjetër të lagjes Qafë rrëzë kalasë Rozafa janë gjendur shenjat e objekteve të tjerë të vjetër që përbëjnë interes për historinë e Shkodrës.

Gjatë gërmimeve u zbuluan fillimisht themelet e Xhamisë së Qafës, që sipas drejtuesve të komunitetit mysliman të Shkodrës, daton me vitin 1473

Rastet e njëpasnjëshme të zbuluara nga gërmimet spontane, në lagjen Qafë rrëzë Kalasë “Rozafa”, në afërsi të Xhamisë së Plumbit, për Myftinë e Shkodrës, Muhamet Sytari, janë për t’u pasur në konsideratë, ndaj edhe kërkon vëmendjen e duhur të strukturave përkatëse për të bashkëpunuar në ecurinë e gërmimeve, pasi është i bindur se në vazhdim do të dalin në dritë edhe elementë të tjerë shumë të rëndësishëm të historisë së qytetit të Shkodrës.
http://www.balkanweb.com/kulturë/26...r-rreze-kalase-mendohet-193-vjecar-85267.html
(er.nu/BalkanWeb)
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Studiuesit amerikanë: Në Shqipëri zbulohet ferma më e vjetër në Europë, 6500-vjeçare
Studiuesit e Universitetit të Cincinnati në SHBA pretendojnë se kanë zbuluar në Shqipëri fermën më të vjetër në Europë, që nga epoka e paleolitit.
Lajmi ka bërë bujë të madhe ndër qarqet e shkencëtarëve, pasi sipas tyre informacionet që ata dispononin nuk ishin të mjaftueshme për të vërtetuar hipoteza apo disa fakte të vobekta të zbuluara deri më sot, në gjithë Europën.

Pronësorja e universitetit, Susan Allen deklaron: “Ka pasur vërtet një hendek të madh në dokumentimin e periudhës së hershme neolitike jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë rajonin.
Zbulimi tregon se në Vashtëmi, në juglindje të Shqipërisë, ishte një nga fermat e para, rreth 6500 vjet përpara Krishtit”.

Gjithmonë sipas studiuesve amerikanë, hulumtimet kryesisht zakonisht në rajone të pasura me drithëra.
Në studimet e tyre të kryera në Vashtëmi, rezultoi se në rajon baza e bujqësisë ishin drithërat, kështu aty gjendeshin këto llojë kafshësh si derra, dhi e dhen, por edhe kaproll, derr të egër, lepur, disa lloje peshku, etj./albosberver.com/
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Zbulimi plot vlerë.
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

ALBANOPOLIS, NË GJURMËT E QYTETIT ANTIK ILIR E ORIGJINËS SË EMRIT “ALBANIA”
Sipas hartave të lashta të Ptoleme-ut, vihet re se “Albanopolis i Albanoi”-ve ndodhet pikërisht aty ku sot ndodhen rrënojat e hershme të qytetit ilir të Zgërdheshi.
Albanopolis? Zgërdhesh?! Të ndodh shpesh që të shohësh fytyra të habitura kur tenton t’i rrëfehesh ato ti tregosh fotot e këtij udhëtimi, madje edhe shprehje të tipit: "Ç’është? Ku ndodhet?!" e nuk di se nga t’ia fillosh...


E për ta nisur mund të ndalemi tek toponimi i fjalës "Albania", ç’ka thuhet se ka prejardhje latine, një derivat i "Albanoi", emri i një fisi ilir që kishte si qendër të tyre qytetin e Zgërdheshit, ndërsa disa linguistë e përcaktojnë se është një derivat Proto-Indo-Europian i fjalës "albho", që përkthehet "i bardhë".


Sipas hartave të lashta të Ptoleme-ut, vihet re se “Albanopolis i Albanoi”-ve ndodhet pikërisht aty ku sot ndodhen rrënojat e hershme të qytetit ilir të Zgërdheshit, këtij qyteti i cili në kohën e lulëzimit e rrënojat e sotme të lëna pothuajse të papërfunduara, historinë e vendndodhjen e tij, përbën një nga resurset më të rëndësishme historiko-arkeologjike të shqiptarëve.


Një prej pjesëtarëve të një ekspedite kulturoro-arkeologjike të ndërmarrë së fundmi, Fisnik Muça, thotë se “...dy vite më parë një miku im ka gjetur mbi sipërfaqen e tokës një monedhë e cila pas analizave të kryera në Angli, rezultoi se i përkiste një periudhe më se 2000 vjeçare dhe ishte me origjinë spanjolle”.


E megjithatë, në dokumentet arkeologjike apo në dosierët e kohës, mes librash e enciklopedish, asgjë nuk mund ta zëvendësojë këtë se sa rrugëtimi deri atje që nuk "kushton" më shumë se 45 minuta larg Tiranës, për ta zbuluar e parë nga afër këtë qytezë të lashtë ilire, e vendosur në një kodër mes rrënojave të hershme të fortifikimeve të mbuluara nga dheu në "kalanë" e Zgërdheshit.


Në librin "Pesë mijë vjet fortifikime në Shqipëri" nga autori Gjerak Karaiskaj i vitit 1981, flitet për shumë fortifikime të ndërtuara përgjatë territorit shqiptar me mure ciklopike, si ato që gjenden në Zgërdhesh.


Sipas Karaiskaj, "...tipin e parë e përbëjnë ato qytete që kanë një akropol në majë të një kodre, ndërsa qyteti shtrihet në shpatet e saj. Në raste të tjera, si në Lis e Zgërdhesh, qyteti shtrihej në njërin shpat të kodrës dhe përbëhej nga akropoli në majë dhe qyteti i poshtëm, që ishte i rrethuar gjithashtu me mure mbrojtëse".


Në vështrimin arkeologjik të autorit Rexhep Halili, "...vetë gjeneza e Krujës mesjetare duhet kërkuar edhe më thellë në shekujt para Krishtit, në qytetin e Zgërdheshit".


Sipas Halilit, atje mendohet të shtrihen edhe rrënjët e qytetit të Krujës, ku roli parësor është ‘errësira’ e të dhënave historike për shekujt VII-XI-të.


E të mbërrish si vizitor apo turist në këtë vend, fatkeqësisht pothuajse të pandriçuar prej shekujsh që përmbajnë sekretet e një qytetërimi të lashtë, atje ku tinëz duket se veçse pë tabelat e rrugës është treguar kujdes, rrënojat e këtij qyteti antik ndodhen në jug-perëndim të Krujës, pranë vendit të quajtur Halilaj.


Në vijim të rrugës së fshatit, që kthehet djathtas në gjysmën e rrugës Fushë-Krujë - Krujë, veçse pak minuta të ndajnë nga rrënojat e Zgërdheshit.


Faqja e kodrës në të cilën shtrihej qyteti i dikurshëm, ka formën e një trekëndëshi dy-brinjësh me kulmin nga lindja. Nga kjo anë, qyteti lidhej me vargun e kodrave që zbresin nga mali i Krujës, ndërsa në veri, kodra kufizohet nga përroi i Çinarit e në jug prej atij të Lanës.

Hipoteza e Hanit: Albanopolis

Për herë të parë për këtë pikë arkeologjike sipas të dhënave enciklopedike, e vizitoi J. G. Han në vitin 1854, arkeologu i cili përforcoi tezën se te rrënojat e Zgërdheshit duhet të kërkohet Albanopoli i hershëm.


Hipoteza e Hanit u bazua tek thënia e Ptolemeut, i cili në zonën midis Matit dhe Shkumbinit vendos Albanopolin. Këtë gjë ai e përmend tek vepra e tij e madhe "Geographia" (Gjeografia), që përbëhet kryesisht nga tabela, ku shënohen dhe përcaktohen pozitat e vendbanimeve të botës antike, sipas gjatësisë e gjerësisë gjeografike.


Ndër to kanë qenë edhe emra të tillë që i hasim për herë të parë tek Ptolemeu, siç është edhe emri i fisit ilir "Albanoi" dhe i kryeqendrës së tyre, "Albanopolis".


Sipas Rexhep Halilit, "Hipoteza e Hanit, mbetet një hipotezë me shumë vlerë, pasi akoma nuk njohim një qendër tjetër më të madhe antike se sa Zgërdheshin, midis zonës së përmendur më sipër".


Më tej, Zgërdheshin e vizitoi gjatë luftës së parë botërore edhe K. Prashniker, prej të cilit trashëgojmë edhe një përshkrim të shkurtër dhe një plan-skicë.


Nga arkeologët shqiptarë për herë të parë u ndërmorën dy ekspedita gërmimi në vitet 1969 dhe 1973 në qytetin antik të Zgërdheshit. Gërmimet u bënë nën drejtimin e prof. S. Islamit e në to morën pjesë restauratorë, topografë dhe studentë.


Qyteti antik zë një sipërfaqe rreth 10 hektarësh. Nga të gjitha anët ai është i rrethuar nga mure të fuqishme, sidomos nga ana lindore e perëndimore që ishin më të kërcënuara nga rreziqet e jashtme.
Duke ndjekur skajin veri-perëndimor mund të shihen me ndërprerje gjurmët e murit që ngjitej përpjetë kodrës, për të mbrojtur anën veriore të qytetit.


Mendohet se qyteti ka qenë i ndarë në tri pjesë, si çdo qytet tjetër antik. Një mur i tërthortë ndante qytetin e sipërm, akropolin, nga qyteti i poshtëm. Muri është përforcuar nga një numër i konsiderueshëm kullash, të cilat duken qartë se janë tre të tilla.


"Duke u nisur nga këto të dhëna të pakta mund të thuhet se ky qytet është ndërtuar sipas modeleve të qyteteve bashkëkohore në Greqi, Maqedoni, Epir, në bazë të parimeve urbanistike të njohura që në kohën helenistike", ka cituar në studimin e tij Halili.


Gjatë gërmimeve të ndërmarra këtu u gjend edhe një prej blloqeve të pragut me dy gropëza për fiksimin e kasave të portës si dhe gjurmë muresh të godinave të dikurshme. Gjetjet arkeologjike tregojnë nga ana tjetër se qyteti ka qenë shtrirë edhe jashtë mureve rrethuese.


"Në një kodër të vogël, nga ana jugore që gjendet përtej përroit të Lanës, duken gjurmët e një godine që ka shumë të ngjarë, të një tempulli, por ato më të hershmet e ndërtimit të qytetit i ndeshim në akropol", theksohet nga Rexhep Halili.


Gjatë gërmimeve u gjetën edhe copa qeramike të cilat datuan shekujt VI-V-të Para Erës Tonë, të periudhës së parë të hekurit. Tek enët e mëdha, amforat, bien në sy vegët në trajtë kurrizore, që kanë në fund si vulë një palmetë. Kjo vulë përsëritet shumë herë dhe në një rast mbi palmetë kishte të shkruar germën "A", ku të gjitha këto enë të përmendura kanë ngjashmëri tipologjike e karakteristike të baltës ngjyrë gri, me ato të gjetura në sitin arkeologjik të Xibrit.


Gjatë fushatës arkeologjike të vitit 1969 dhe 1973, u zbulua edhe një varrezë e vogël që i përkiste shekujve III-IV-të Erës Tonë, përbri faqes së brendshme të murit rrethues ku u gjurmua një sipërfaqe prej 72 metrash katrorë dhe numri i varreve arriti në dymbëdhjetë, ku u gjet edhe një variant i veçantë i një varri në formë arke.


Ndërsa objektet e gjetura në Nekropolin e Zgërdheshit, kanë qenë kryesisht ato prej bronzi, ndër to, fibula, rrathë, sumbulla, rruaza etj. Gjithë objektet e qeramikës që datojnë kryesisht nga shekulli IV-të e më vonë, janë fare të pakta, ndërsa nga 220 monedhat e gjetura gjatë gërmimeve në këtë vendbanim, vetëm njëra i përket periudhës së vonë antike, kohë në të cilën u shoqërua edhe largimi gradual i popullsisë së këtij qytetërimi antik, rreth shekullit I-II-të.
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

feg..

vet a ke shku me pa objektet arkeologjike neper shqiperi?

ne kohen e partis punes.. arkeologet kishin kushte te mira per hulumtime.. dhe nuku ishte frika e vjedhjes dhe e daljes jasht te vlerave historike.. kjo fal dhe izolimit..

populli ne zonat ku beheshin germime nuk demtonte e sidomos nuk vidhte sendet e dala nga nen toka..

me rrenimin e regjimit.. dhe me lrimin deri diku te mundesise per dalje jasht shtetit.. sidomos te bllokqenerise e nen bllokqenerise.. dikund nga vitet 88-89 u duken ca shenja se dikush po interesohej te grabiste sende me vlera.. e ti conte jasht per qellime xhambazlliku..pra trafik per fitime me sende historike..
u duken ca tipa qe u frynin njerzve ne vesh..
a kini gjera antike ne shtepi se..dikush i blen me leverdi per ju.. u thoshin keta njerzve..
pra dyshoj se nga kjo kohe e deri tani qe flasim.. pra plot 25 vite.. do jet grabitur shum pasuri historike arkeologjike nga shqiperia..

..

kurse mafi betoni ne kto 20 vite ka bere kerdine duke shkaterruar vlera e duke i groposur nje pjese perfundimisht nen hekur betonin e saje te frikshem..
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

GJIROKASTËR:ANTIGONEJA, QYTETI ANTIK ENDE I PAZBULUAR

Qyteti antik i Antigonesë,14 kilometra larg nga qyteti i Gjirokastrës, megjithë punën e bërë deri tani sërish pret ekspeditat për të zbuluar thesaret e nëndheshme të saj që prej shekujsh ndodhen nën tokë.
Qyteti antik i Antigonesë,14 kilometra larg nga qyteti i Gjirokastrës, megjithë punën e bërë deri tani sërish pret ekspeditat për të zbuluar thesaret e nëndheshme të saj që prej shekujsh ndodhen nën tokë.


Drejtori i parkut të Antigonesë, Engjëll Serjani, tha për ATSH-në se " zbulimet e mëtejshme do të hidhnin shumë dritë mbi këtë qytet të rallë atntik. Në Antogone është zbuluar vetëm 10 për qind e qytetit, ndërsa 90 për qind e tij është ende e pazbuluar".


Sipas tij, ekspeditat e ndërmarra në vite për zbulimin e mëtejshëm të Antigonesë kanë qenë të rralla dhe të pamjaftueshme krahasur me atë çka duhet bërë në këtë drejtim.


"Ekspeditat e deritanishme, megjithë punën e madhe kërkimore dhe shkencore, nuk e kanë kryer tërësisht misionin në një qytet si Antigoneja, ku mjaft objekte dhe sende janë ende të mbuluara dhe presin të dalin në sipërfaqe", theksoi Serjani.


Ekspedita e fundit në Antigone, ku u zbuluan armë të llojeve të ndryshme, gurë për bluarjen e misrit dhe grurit, vërtetoi edhe se pjesa më e madhe janë ende të fshehura në thellësi të nëntokës.


"Duke qenë se në vendin tonë ka mjaft site arkeologjike ku bëhen gërmime mundësitë për të ndërmarrë ekspedita të shumta në Antogone edhe pse të domosdoshme, janë të kufizuara, prandaj ky problem duhet shtruar për zgjidhje nga institucionet përgjegjëse dhe ekspeditat duhen përshpejtuar", u shpreh drejtori i parkut të Antigonesë, Engjëll Serjani .


Të njëjtin shqetësim ngre për Antigonenë vullnetarja e Korpusit të Paqes, Brandie Lockett, e cila kërkon më shumë vëmendje dhe më shumë ekspedita kërkimore.


Qyteti antik i Antigonesë shtrihet mbi kodrën e Jermës, pranë fshatit Saraqinishte të Gjirokastrës. Ai duhet të jetë themeluar nga mbreti Pirro rreth vitit 290 p.e.s për nder të gruas së tij Antigonesë, bijë e mbretit Ptoleme të Egjiptit. Antigoneja u kthye në një qendër të rëndësishme për shkak të kontrollit të luginës së Drinosit, e cila në Antikitet quhej ngushtica e Antigonesë. Në vitin 168 p.e.s qyteti u shkatërrua plotësisht nga ushtria romake e konsullit Pal Emili së bashku me 70 qytete të tjera të Epirit dhe të Ilirisë. Pas kësaj qyteti u braktis për disa shekuj dhe vetëm në shekullin VI mbas Krishtit brenda tij u ndërtua një kishë paleokristiane.
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Historia e një zbulimi të rrallë që nisi nga një bodrum dyqani

Bardha Nregjoni *Nga Elbasani
Nga punimet për zbulimin e mozaikut

Mendohet se daton në shekullin VI dhe u zbulua në vitin 2007. Por deri më sot, zanafilla e këtij zbulimi të rëndësishëm jo vetëm për Elbasanin dhe jeta e njerëzve që janë përfshirë në të, ka mbetur e panjohur.

Historia nis në 1934 kur një tregtar elbasanas dhe një inxhinier italian zbuluan sendet e para rastësisht ndërsa hidhnin themelet e një dyqani në ish-pazarin e famshëm të Bezistanit. Ky tregtar quhej Mustafa Shiku (në Elbasan njihej si Muç Shiku) dhe mbahet mend si një ndër tregëtarët e mëdhenj elbasanas. Por ai nuk ishte vetëm një tregtar. Njihte shumë mirë arabishten, ishte mik me njerëz influentë të kohës dhe kishte një bibliotekë mjaft të pasur.
http://desmond.imageshack.us/Himg35...ename=sheshikueshtezbuluarmoz.jpg&res=landing
Nga punimet për zbulimin e mozaikut
Rëfimi i nipit…

Rrëfimi i nipit të tij Bujar Shiku, hedh dritë mbi disa detaje: “Gjyshi asokohe kishte dy dyqane. Rrënojat në fjalë ai i zbuloi gjatë ngritjes së dyqanit të dytë në 1934. Këtë dyqan (ndër të paktët e asaj kohe, me bodrum) e projektoi një inxhinier italian dhe gjatë ndërtimit të themelit u gjet fillimisht një skelet, më pas një përkrenare, një brez, dy shpata dhe një gurë me shkronja të skalitura. Gjyshi mbajti disa shënime për gjetjet e bëra dhe i dorëzoi ato në muzeun e kohës që ndodhej në Kala ngjitur me murin lindor…”

Janë pikërisht këto shënime që sollën edhe gërmimet në vitin 2007 dhe zbulimin e bazilikës së sotme.

Fate njerëzish…

Pas lufte, Mustafa Shiku u klasifikua si tregtar i madh dhe pagoi të ashtuquajturin tatim të jashtëzakonshëm të asaj kohe. Megjithatë nuk i shpëtoi arrestimit. Bujari, tregon se gjyshit i ngritën një kurth:
Foto e vjetër e sheshit me dyqanin e ish-tregtarit elbasanas Mustafa Shiku

“I dërguan një person që ai e njihte i cili i lutet që t’i thyejë një “dyshe-flori pasi kishte fëmijët pa bukë. Gjyshi ia thyen dhe i jep paratë. Pas kësaj e arrestuan… Kur ka dalë nga burgu, u kthye në shtëpi pa këpucë në këmbë. Nuk kishte më asgjë…”

Mustafa Shiku ndërroi jetë në 1967. Pak vite më vonë tregu i Bezistanit do të shkatërrohej dhe në vend të tij do të ndërtohej “Turizmi-Skampa”.


Neritan Ceka: “Është një ndër mozaikët më të bukur në Ballkan”

“…Ishte një surprizë ky mozaik i zbuluar në Elbasan. Është një ndër më të bukurit jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan. Ka një dinamikë qoftë nga dendësia e figurave qoftë nga lëvizjet dhe ngjyrat. Kjo skenë e eukaristisë ose e përjetësisë ka edhe paraqitje njerëzore po kështu zogj dhe kafshë të tjera të realizuara me shumë mjeshtëri…”


Për çfarë bëhet fjalë…
Arkeologët mendojnë se ajo është vetëm fillimi i një lagje antike romake që përfshin të gjithë territorin përreth. Nga gërmimet fillimisht janë gjendur mjaft elementë arkitektonikë siç janë kapitele, kolona, afreske muralë dhe më pas është mbërritur tek mozaiku për të cilin bën fjalë ky artikull. Ky mozaik është ndërtuar me gurë (tesera me ngjyra) dhe mbulon të gjithë dyshemenë e bazilikës. Simbolizon kopshtin e Edenit me kupën e Eukaristisë (përjetësisë).

Gjatë gërmimeve të para janë zbuluar edhe disa skeletë, që dëshmojnë se ka patur një varrezë pranë kësaj bazilike. Bazilika mendohet të kenë dy hyrje. Ka studiues të cilët mendojnë se kjo bazilikë është Katedralja e Shën Pjetrit e dokumentuar në Elbasan nga të deleguarit papalë.

Shënimet e tregtarit dhe një fletore e 52-shit: Ja si u zbulua mozaiku

Shënime në dyqanin e Mustafa Shikut

Kreshnik Belegu, drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Elbasan është personi që ktheu vëmëndjen tek shënimet e hershme, të cilat do të zbulonin në 2007 bazilikën me mozaikë.

“Ato shënime ishin një ngacmim i fortë për mua. Ishte edhe një fletore me shënime arkeologjike e lënë nga një ndër drejtuesit e muzeut. Fletorja është e vitit 1952. Kishte edhe një skicë me vendndodhjen. Ekzistonte edhe një dokument tjetër që vërtetonte vazhdimësinë e Bazilikës. Në këtë dokument përshkruhej që edhe në një dyqan tjetër në krah të rrapit të Bezistanit gjatë hapjes së themeleve u gjetën pjesë mozaiku, por e kanë mbuluar shumë shpejt… Gjithmonë kam kërkuar të vërtetohej nga autoritetet e fushës ekzistenca e këtij mozaiku. Në gusht 2007 kur po punonim për pastrimin e murit rrethues të Kalasë, u krijua mundësia për të vazhduar më tej gërmimet. Përcaktuam një kuadrat dhe pas 4 ditëve u zbulua kollona e parë dhe tesera mozaiku që e vërtetonin këtë objekt. Dy javë më pas kapëm një fragment të nefit qendror dhe më pas u zbulua salla qendrore ku mozaiku relativisht ruhej mirë…”.
Ku gjenden tani përkrenarja dhe shpatat?

Po ku gjenden sendet e zbuluara fillimisht? Belegu thotë: “Kafkat e gjetura janë tek muzeu kombëtar, por nuk di ku përfundoi përkrenarja dhe shpatat, thuhet se ato i mori inxhinieri italian që hapi themelet e dyqanit të tregtarit Shiku…” Shekulli

-foto e vjetër e sheshit me dyqanin e ish-tregtarit elbasanas Mustafa Shiku
-Shënime në dyqanin e Mustafa Shikut
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Sarandë, zbulohet në parkun e Butrintit një varr i plotë mesjetar
BUTRINT- Një varr mesjetar, që mendohet se i përket shekulli XV-XVI, u zbulua sot në lindje të Parkut Kombëtar të Butrintit nga dy arkeologë, njëri shqiptar dhe tjetri amerikan.

Lajmin e bëri të ditur drejtuesi i ekspeditës, arkeologu amerikan David R. Hernandez, i cili tha se varri i përket një 35 vjeçari, por nuk saktësoi se për cilën periudhë të mesjetës bëhet fjalë.
"Mendohet se skeleti i përket seksit mashkull, por është ende herë të japësh një përgjigje shkencore", tha Hernandez.

Sipas tij, varri mesjetar do të nënshtrohet një ekzaminimi profesional.
"Ky është rasti i parë që një varr mesjetar zbulohet i plotë në lindje të teatrit antik të Butrintit. Varri tashmë është konservuar dhe së shpejti pritet që një antropolog amerikan në vijë në Shqipëri, për të nisur studimet mbi skeletin", pohon Hernandez.
Arkeologu shqiptar Dhimitër Çondi theksoi se sivjet gërmimet arkeologjike, të cilat i kanë fillesat 10 vjet më parë, kanë qenë të mbara.
Vetëm tre ditë më parë, sipas arkeologut Çondi, dolën në dritë dy objekte të rralla arkeologjike. "Në fillimjavë u zbulua një godinë njëkatëshe dhe një shesh-qëndrimi, që mendohet se i përkasin periudhës August, shekulli I, para dhe pas erës sonë. Ndërsa zbulimi i sotëm është 'qershi mbi tortë'. Ekspedita do të vijojë deri në javën e katërt të këtij muaj”, specifikoi Çondi.
Parku Kombëtar i Butrinit, me një sipërfaqe prej 15 hektarë, në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit, ndodhet rreth 20 kilometra larg qytetit të Sarandës, i ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit. Ai ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysëm të kripur dhe gjysëm të ëmbël, dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit.

Në përbërjen e saj, gjenden lloje me gjelbërim të përhershëm si; dafina, prralli, ilqe, fishekarthi, kullastra, mimoza, si dhe lloje gjetherënës. Drurët arrijnë lartësi deri 12 metra, kanë një diametër 60-80 centimetra dhe arrijnë moshë maksimale 200 vjeçare.
Në vitin 1992 gërmimet e ndërmarra në qendrën e qytetit antik të Butrintit nxorrën në dritë forumin romak të qytetit. Ndërtesa me tre dhoma ndodhet në pjesën jugore të akropolit, në perëndim të ndërtesës me peristil dhe në lindje të dyqaneve romake. Mbishkrimi, i cili datohet në shekullin I pas Krishtit, flet për një tempull kushtuar perëndeshës Minerva, ndërtuar nga Manius Otacilius Mystes.
(ma.ar/BalkanWeb)
http://www.forum-al.com/attachment.php?attachmentid=5021&stc=1&d=1337196911
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

Shkodër, zbulohen 4 varre të herëshme në kalanë “Rozafa”
SHKODËR- Gërmimet arkeologjike të rifilluara pas 30 vjet ndërprerjesh, përmes një projekti bashkëpunimi me arkeologët polakë, në mjediset e kalasë “Rozafa”, në Shkodër, kanë nxjerrë në dritë 4 varre të hershme, të cilat mendohet se i përkasin shekullit të XVI-të.

Saimir Shpuza, arkeolog në Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, i cili po drejton punimet e kësaj faze, në krye të një grupi prej dhjetë arkelologësh, shqiptarë dhe polakë, thanë se, “gërmimet janë përqëndruar në dy zona, atë të Tabakëve, poshtë kalasë, buzë lumit Drin dhe sipër, në oborret e kalasë së lashtë të qytetit verior.

“Risi e gërmimeve të ditës së sotme ishte zbulimi i disa varreve të hershme, të cilat mendohet se i përkasin shekullit të XVI-të.”, thotë Shpuza. Më saktësisht, tha ai, kjo do të përcaktohet pas analizave të kryera në Institutin e Arkeologjisë.

Gjetja e kufomave, në një thellësi rreth dy metra nga sipërfaqja, tregon se ashtu sikurse është deklaruar edhe më parë nga historianët dhe specialistët e arkeologjisë, zona në fjalë pritet të nxjerrë në pah vlera të mëdha historike.

Sipas Shpuzës, shenjat janë prejtuese, por duhet thënë se është akoma herët, sepse punimet janë në fillimet e tyre. “Aktualisht jemi akoma në punimet e periudhës së gjurmëve otomane, ndërkohë që në vazhdim do të zbresim më poshtë, duke u ballafaquar me periudhat veneciane, për të vijuar me ato mesjetare, antike, iliret, si dhe të tjera të periudhave të mëhershme që e kanë shoqëruar në vite nëtë rajon”, nënvizon arkeologu Shpuza.

Grupi i ekspedites shqiptaro-polake do të vijojë të qëndrojë në Shkodër deri me datë 6 qershor. Pjesë e grupeve arkeologjike, krahas arkeologëve me përvojë nga Shqipëria dhe Polonia, janë edhe disa studentë të Institutit të Arkeologjisë në Tiranë, të cilët do të vijojnë të kryejnë gërmime jo vetem në mjediset e kalasë , por në përgjithësi në të gjithë territorin e parkut Arkeologjik të Shkodrës.
(d.b/BalkanWeb)
 
Përgjigje e: Gjetjet arkeologjike ne Shqiperi

attachment.php
 
Back
Top