dyshime për koncertin e Kanye West: 4.2 mln euro mund të mos jetë kostoja finale
Shkruar nga Pamfleti
Arben Malaj ngre dyshime për koncertin e Kanye West: 4.2 mln euro mund
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka kritikuar mënyrën e financimit të koncertit të Kanye West në Tiranë, duke deklaruar se fondet publike nuk duhet të përdoren për detyrime që nuk kanë bazë të qartë kontraktuale.
Malaj u shpreh se pritshmëritë për numrin e vizitorëve nga ky aktivitet janë të ekzagjeruara dhe i krahasoi me mënyrën se si qeveria prezanton projekte të tjera.
Ai ngriti pikëpyetje mbi mënyrën si është organizuar aktiviteti dhe se kush janë përfituesit realë të fondeve publike, duke theksuar se vetë artisti ka një marrëdhënie kontraktuale me organizatorët privatë.
“Nga buxheti i shtetit nuk paguhet asnjë detyrim që nuk ka një bazë kontraktuale dhe mrekullia e këtij aktiviteti, ku shpresohet të ishin 60 mijë dhe 25 mijë të ishin të huaj, është totalisht euforike, siç i bën kryeministri të gjitha projektet dhe nuk e kam dëgjuar njëherë të thotë ‘na falni se i bëmë gabim’. Kë po financojmë? Po financojmë këngëtarin? Jo. Sepse këngëtari e ka kontratën me organizatorët. Nuk dihet kush janë organizatorët dhe u tha që është edhe një shqiptar. Djalli qëndron në detaje. Kush kërkoi para? A ka një letër në Kryeministri? Përse ne duhet të investojmë një aktivitet 100% privat?”, tha Malaj për "A2 CNN".
Gjithashtu, ish-ministri deklaroi se akti normativ i përdorur për këtë financim, ngre pikëpyetje kushtetuese dhe kërkoi përgjegjësi për mënyrën e përdorimit të parave publike.
Sipas Malajt, përgjegjësia për përdorimin e fondeve lidhet me disa institucione, duke përmendur ministritë që kanë rol në hartimin, zbatimin dhe kontrollin e këtij vendimi.
“Nuk plotëson asnjë kriter të nenit 101. Kush duhet të përgjigjet nëse shpallet antikushtetues? Në parim, qeveria dhe Parlamenti mbajnë vetëm përgjegjësi publike, por në rastin e keqpërdorimit të parave buxhetore, përgjegjësia ligjore ka tre ministra konkretë. Ministri propozues i këtij akti antikushtetues, i cili edhe kundërfirmos. E dyta, në aspektin e funksionimit kushtetues të shtetit, i dyti është ministri i Drejtësisë. Ka mision të mbrojë respektimin strikt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ministri tretë është ministri i Financës, që ka detyrimin ligjor të mbrojë përdorimin efikas dhe tërësisht ligjor të taksave të mbledhura”, deklaroi ai.
Malaj theksoi se aktivitetet private nuk duhet të financohen nga taksapaguesit dhe ngriti dyshime nëse kostot reale të angazhimit publik janë më të larta se shuma e bërë publike.
“Kush përfiton? Po të shikojmë nga reklama përfiton kryeministri dhe ministri i Turizmit. Problemi është a përfitojnë vetëm politikisht apo ndërmjetësit kanë bërë punën e tyre për aq kohë sa korrupsioni quhet epidemik dhe për aq kohë sa kapja e shtetit gjendet në të gjitha dokumentet zyrtare. Përfitojnë organizuesit e aktivitetit privat për përfitime private dhe ky konsiderohet kapitalizëm klientelist, që do të thotë që përfitimet i marrin individët, kostot i mbeten taksapaguesit. Sigurisht, unë dyshoj dhe duhet një hetim i plotë që nuk është vetëm ndihma 4.2 milionë. Janë shumë elementë të logjistikës me kosto të konsiderueshme që qeveria do ia ketë vënë në dispozicion pa shpërblim dhe mendon se nuk do të japë llogari”, përfundoi ai.