Inflacioni 7.5%: Kosova e para për rritjen e çmimeve, lë pas Shqipërinë, Serbinë dhe BE-në
Demokracia
14:01 | 16 Qershor 2026
Share:
Share
Tweet
Rritja e çmimeve në Kosovë vazhdon të jetë më e larta në rajon. Sipas të dhënave për prillin 2026, inflacioni vjetor në vend ka arritur në 7.5 për qind, duke e renditur Kosovën mbi të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian.
Kosova po përballet me valën më të lartë të rritjes së çmimeve në Ballkanin Perëndimor. Sipas të dhënave për prillin 2026, inflacioni vjetor ka arritur në 7.5 për qind, duke e renditur vendin mbi të gjitha ekonomitë e rajonit dhe dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Evropian prej 3.2 për qind.
Siç shihet edhe në grafikun e publikuar, Kosova ka nivelin më të lartë të inflacionit krahasuar me Shqipërinë (2.8%), Serbinë (3.6%), Maqedoninë e Veriut (5.7%), Bosnje e Hercegovinën (6.8%) dhe Malin e Zi (3.6%). Kjo tregon se presioni mbi buxhetet familjare në Kosovë mbetet më i madh se në shumicën e vendeve të rajonit.
Rritja e inflacionit në Kosovë është përshpejtuar nga 6.7 për qind në mars në 7.5 për qind në prill, duke shënuar nivelin më të lartë në më shumë se tre vjet.
Sipas të dhënave statistikore, ndikimin më të madh e kanë pasur shtrenjtimi i transportit, energjisë, strehimit dhe shërbimeve komunale.
Vetëm çmimet e transportit janë rritur për mbi 16 për qind, ndërsa kostot e banimit, ujit, energjisë elektrike dhe karburanteve janë rritur mbi 15 për qind krahasuar me një vit më parë.
Në rritje kanë vazhduar të jenë edhe çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, restoranteve dhe hoteleve, produkteve të duhanit, si dhe shërbimeve shëndetësore. Këto kategori përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve mujore të familjeve kosovare, duke bërë që ndikimi i inflacionit të ndihet drejtpërdrejt në standardin e jetesës.
“Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 7,5 %në muajin prill 2026, krahasuar me muajin prill 2025. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të ndikuara te grupet kryesore të COICOP-it: transport (16,1 %); strehim, ujë, energji elektrike, gaz dhe lëndë të tjera djegëse (15,2 %); restorante dhe shërbime akomodimi (5,8 %); ushqim dhe pije joalkoolike (5,6 %); pije alkoolike, duhan dhe narkotikë (5,1 %); shëndetësi (4,7 %); kujdes personal, mbrojtje sociale dhe mallra e shërbime të ndryshme (3,6 %); mobile dhe pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje rutinore (3,1 %); rekreacion, sport dhe kulturë (3,0 %); dhe veshje dhe këpucë (2,3 %).”
Ndërkohë, mesatarja e inflacionit në Bashkimin Evropian ka arritur në 3.2 për qind, më pak se gjysma e nivelit të regjistruar në Kosovë.
Edhe pse shumë vende evropiane po përballen me rritje të çmimeve si pasojë e shtrenjtimit të energjisë dhe tensioneve në tregjet ndërkombëtare, Kosova po goditet më rëndë për shkak të varësisë së madhe nga importet dhe kostove të larta të transportit dhe energjisë.
Njohës të ekonomisë, këtë rritje e quajnë si “kancer” të ekonomisë, duke thënë se këtë rritje më së shumti e vuajnë qytetarët.
Eksperti i ekonomisë, Safet Gërxhaliu ka thënë se inflacioni është shndërruar në një sëmundje kancerogjene, jo vetëm për aspektin ekonomik, por edhe për atë social.
“E kemi paralajmëruar se anashkalimi i proceseve ekonomike në Kosovë dhe orientimi vetëm në agjenda politike me pretekst kryesor në luftë për pushtet, është duke dëmtuar ekonominë e Kosovës dhe më tutje indikatorët janë mjaft shqetësues”.
Sipas tij, bazuar në raportet e institucioneve të ndryshme ndërkombëtare, Kosova ka të hyrat më të ulëta për kokë banori në Ballkanin Perëndimor.
“Kosova është e fundit. Dhe kur e kemi këtë inflacion dhe këtë ngritje të çmimeve të të gjitha produkteve, në veçanti të produkteve esenciale, vërtet është një situatë e cila duhet të alarmojë spektrin politik që të bëjë më tepër”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Sipas Gërxhaliut, është obligim i Qeverisë që të gjej mundësi për të ulur efektet negative të inflacionit.
“E kemi anashkaluar ekonominë, jemi marrë shumë më tepër me politikë dhe e tërë kjo ka ndikuar që sot Kosova të shndërrohet në një shtet të varur nga importi. Në vitin 2025, Kosova ka importuar më tepër se 7 miliardë e 100 milionë euro mallra nga jashtë. Në të njëjtën kohë, Dogana krenohet se ka arritur të grumbullojë mbi 2 miliardë euro të hyra brenda vitit 2025″.
Të dhënat e prillit konfirmojnë se inflacioni mbetet një nga sfidat kryesore ekonomike për Kosovën. Pavarësisht rritjes së pagave në disa sektorë, fuqia blerëse e qytetarëve vazhdon të zbehet për shkak të rritjes më të shpejtë të çmimeve, ndërsa familjet po shpenzojnë gjithnjë e më shumë për nevojat bazë si ushqimi, energjia dhe transporti.
/Demokracia.com/.