• Përshëndetje Vizitor!

    Nëse j’u shfaqet ky mesazh, do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar, ju arrini të shihni pjesën më të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. J’u lutem:REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Skënder Luarasi

Diskutim me studjuesin ortodoks Pirro Prifti

Petro Luarasi
Diskutim me studjuesin ortodoks Pirro Prifti

(Mbi shkrimin ‘’Merrni shëmbëll nga pendimi i Ali Akça-së’’.
Replikë me apollogjetin e këshilltarit të Presidentit, z. Petro Luarasi)


Në shkrimin ‘’Një urim jo vetëm për ortodoksit shqiptarë’’, me anonimatin ‘’Pirro’’ apo ‘’Pirro 10’’, theksoja se nuk mund të përfshihesha në ‘’lojë’’ përderisa autori nuk paraqitej me identitet real, se mund të na dilte rrobot dhe bëhesha unë gaz i botës. Përndryshe si besimtar ortodoks, përse e fshihte autorësinë e opinionit të tij? Tani që u identifikua si Pirro Prifti, studjues I mirënjohur besoj se diskutimi paraqet interes public. Atij i drejtohem me të njëjtën konsideratë duke e qetësuar në hamendësimet e tij: si qytetar i Republikës së Shqipërisë, deklaroj publikisht, me përgjegjësi morale e ligjore se ende nuk jam funksionar apo politikan, por punonjës i thjeshtë që e nxjerr bukën e gojës me djersën e ballit. Nuk kam as miqësi, as ndonjë ‘’konflikt interesi’’ personal apo institucional me z. Ndriçim Kulla.
Vetëm për shkëmbim mendimesh, aspak për sherr, kërkova që edhe ‘’Pirro’’ ( apo ‘’Pirro 10’’) të shfaqej me identitet të plotë. Në shkrimin tim e kam theksuar që nuk kam marrë rolin e avokatit (apo apologjetit) por të një shqiptari atdhetar ortodoks që dëshiron të mbrojë idealet e kontributet e paraardhësve dhe mendimet e tij, që beson se i mbështes në prova dhe jo trillime e shpifje.
Për të qenë konkret në shkrimin ‘’Një urim jo vetëm për ortodoksit shqiptarë’’ në lidhje me personin Pirro Prifti (anonimin ‘’Pirro’’ apo ‘’Pirro 10’’) kam shkruar:
‘’I drejtohem anonimit ''Pirro''me dorë në zemër dhe shpirt të qetë se në artikullin e këshilltarit të Presidentit, nuk përmendet fare emri dhe veprimtaria e Fortlumturisë Anastas Janullatos, i cili vërtet është kreu aktual i KOASH-it, por aspak vetë institucioni tok me tërë grigjën ortodokse shqiptare dikur, sot e në të ardhmen. Cilido shqiptar ka të drejtë dhe detyrim moral, aq më tepër si studjues dhe këshilltar i Presidentit, të shqetësohet dhe të japë mendime mbi baza shkencore edhe për komunitetet fetare shqiptare. Në lidhje me mendimin për qeverisjen nga të huajt dhe akuzat për afera financiare, ato përmbajnë përgjegjësi penale…’’ ‘(Urimi i Presidentit, mendimi i Keshilltarit dhe anonimi ''Pirro'')
Për replikën ‘’Merrni shëmbëll nga pendimi i Ali Akça-së’’, theksoj mbi të gjitha se nuk kam dashur dhe nuk dua të bëj mëkëmbësin apo dëshmitarin e z.Shkëlqim Kulla dhe pikëpamjeve të tij, por me bindjen time e theksoj përsëri se shikoj një diferencë të madhe konceptuale midis komunitetit fetar, institucionit dhe kreut të përkohshëm të tij. Në të kundërt do të bija në verbërinë e hyjnizimit të kultit të individit, apo sikurse shprehet Pirro Prifti ‘’ në kurthin e ateisto-komunistëve dhe të ekstremistëve’’
Për të mos personalizuar e ngjallur keqkuptime, duke njohur vlerat dhe kontributet reale të kreut të tanishëm të KOASH, nuk mund të minimizoj vlerat dhe veprimtarinë e themeluesive dhe krerëve paraardhës, të cilët vendosën që gjithnjë në krye të institucionit ortodoks të ishte një shqiptar.
Atëhere si shpjegohet që studjuesi Pirro Prifti tok me të tjerë ortodoksë, hyjnizon kreun aktual të KOSH-it mbi të tjerët shqiptarë, edhe për ngjarje të llahtarshme varrim-zhvarrimesh për të mbushur me eshtra shqiptarësh varre ushtarësh grekë. Apo të kujtoj ndalimin e vendosjes së statujës së peshkopit të parë të Durrësit e të gjithë Shqipërisë, Imzot Fan Stilian Nolit, në Katedralen Ortodokse në Durrrës. Mirë që u gjend ‘’i jashtëligjshmi’’At Nikolla Marku që e shpëtoi grigjën e ortodoksizmit shqiptar nga një turp i përjetshëm, duke bërë një meshë në nder të tij dhe me nder e adhurim nga qindra të pranishëm e vendosi themeluesin në altarin e kishës ‘’së zaptuar’’ ‘’Shën Maria’’ në kalanë e Elbasanit. Mos qe edhe ky akt sublime për ne, një ‘’mëkat’’ edhe më i madh për ju!?
Në historinë e kombit shqiptar hasen shumë personalitete të shquar të huaj që kanë synuar e vepruar kundër interesave të tij. Ndër ta mund të përmend edhe dhespotër shovinistë grek, nga më eruditët dhe më të njohurit në botën religjioze ndërkombetare, me shume tituj e nderime’’, që kanë mallkuar e shkishëruar familjarisht atdhetarë shqiptarë si p.sh. i respektuari juaj dhe gjyshi im Petro Nini Luarasi, vetëm se u mësonin fëmijëve gjuhën shqipe dhe besimtarëve ortodoksë shqiptarë se si të luteshin, të kuptonin e të merrnin bekimin e Zotit’’ . Mbasi nuk iu bind ‘’djajve me veladon’’, e helmuan dhe donin t’ia digjin edhe eshtrat me gëlqere ‘’se paskish patur kolerë‘’.
Historia e Papa Kristo Negovanit është akoma dhe më e kobshme, edhe sot e kësaj dite nuk i vihet identiteti mbi varr.
Përkundër opinionit të disave, që as nuk mund ta përfytyrojnë një institucion dhe grigjën besimtare pa drejtuesin që u dorovit privilegje, emri dhe vepra e Fortlumturisë do të vlerësohej përjetësisht pikërisht po të largojej me nder, me përmbushjen e misionit të përkohshëm të rimëkëmbjes së ortodoksisë shqiptare, sikurse kreu i huaj i katolikëve shqiptarë. Askujt nuk do ti mbetej ‘’hatri’’. Edhe kundërshtarët do të bindeshin se ‘’gabimet e ndodhura ishin subjektive, sporadike, pa të keq’’.
Hatri dhe dyshimet nuk më mbeten as mua, që mezi po pres të përmbushet amaneti i paraardhësve të mi, për një Shqipëri të qytetëruar, të begatë, pa hajna, të korruptuar e hipokritë, ku shqiptarët të ndjehen të bashkuar rreth atdheut dhe jo të përçarë në fe, krahina, dialekte e ide.
P.S. O zoti Pirro Prifti, për atë aludimin ‘’shaka e kripur me spec djegs’’ me Ali Akça-në, shko shpejt e ndiz qirinj e lutju Zotit, se mos i vete në vesh ‘’Fortlumturisë‘’, prokurorisë apo disa ‘’sherrxhinjve’’ që e ke menduar ti. Mos ndodhtë gjë, larg qoftë, se të gjeti ty belaja të parin, si ideolog e frymëzues i komplotit. Nuk të ndihmonte as anonimati, pasi teknologjia investigative t’i zbërthen menjëherë rrokotelat jashtë e brenda.
Unë,nuk kam mendje të pakët dhe kohë të tepërt që të mbush qypat e shpuar.
 
Zhaba dhe zhgaba

Petro Luarasi

O me zhabat në moçale, o me zhgabat lart në male!

Pirro shprehet: ''Duhet te kuptoni edhe nje aspekt tek shoqeria shqiptare sipas Konices: Shqipëtarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen me dy anë : Ana e kombëtarëve, në të cilën ka Shqipëtarë nga të gjithë besimet, edhe ana e zuzarëve.''

Petro Luarasi komenton:''Me fjalë të tjera dikush që nuk është atdhetar (zhgabe mali), i mbetet te jetë zuzar ( zhabë mocali)''.

Petro Luarasi
Zhaba dhe zhgaba

‘’Demagoge’’, i thanë shoqet
Mos shih ëndrra, lëri lloqet
Ti nuk je shqiponjë mali
Por veçse zhabë moçali

Por bretkosa mendjelehtë,
Kur pa zhgabën lart tek retë
Iu ngjit majës e kërceu,
Prej marazit qafën theu.
 
Përgjigje e: Zhaba dhe zhgaba

Petro Luarasi

O me zhabat në moçale, o me zhgabat lart në male!

Pirro shprehet: ''Duhet te kuptoni edhe nje aspekt tek shoqeria shqiptare sipas Konices: Shqipëtarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen me dy anë : Ana e kombëtarëve, në të cilën ka Shqipëtarë nga të gjithë besimet, edhe ana e zuzarëve.''

Petro Luarasi komenton:''Me fjalë të tjera dikush që nuk është atdhetar (zhgabe mali), i mbetet te jetë zuzar ( zhabë mocali)''.

Petro Luarasi
Zhaba dhe zhgaba

‘’Demagoge’’, i thanë shoqet
Mos shih ëndrra, lëri lloqet
Ti nuk je shqiponjë mali
Por veçse zhabë moçali

Por bretkosa mendjelehtë,
Kur pa zhgabën lart tek retë
Iu ngjit majës e kërceu,
Prej marazit qafën theu.

Me falni i Nderuar.....ky piro qenka spiro???
https://www.youtube.com/watch?v=3uLjU_l6tco
 
Përgjigje e: Skënder Luarasi

Ja pashe surratin....me ne fund
http://tribunashqiptare.net/?p=16605
PS: dhe keta jane si puna e mirditorit manushaqe qe kur vjen puna per kulla behen fisnike,pra e kane <fajin> Historianet Xhufi,Frasheri po fus dhe Butka(kete te pakten si kamunist nuk e akuzon dot).
Mendimi im PERSONAL....mundesia e gabimit..0.1%
 
Në 115-vjetorin e lindjes të Skënder Luarasit (1900-1982) Ditën kur linda

Në 115-vjetorin e lindjes të Skënder Luarasit (1900-1982)

Skënder Luarasi
Ditën kur linda


Të enjten që në saba,
u këput një yll e ra,
o ç'gëzim për marshalla.
Thomaidhës dhe Dhimitrit,
sot u lindi një vëlla.

Linda
Unë u linda më gjashtë janar, alla turka, motin e fundit të shekullit që perëndoi, në fshatin Luaras të Kolonjës.
Me këta sytë e ballit e kam kënduar këtë fakt ashtu nja tetë a nëntë vjet pas lindjes sime në një defter të shtëpisë në të cilin babai kishte shënuar datat e ngjarjeve me rëndësi në familjen tonë. E gjeta radhorin rastësisht në hatëllin e vatrës së madhe duke kërkuar atje ndonjë këmborë a zile për ta përdorur ditën e Vangjelizmoit, kur kalamajtë e fshatit, me shumë zhurmë e shamatë, trembnin e dëbonin gjarpërinjtë, uriqtë e thithëlopat nga qilarët.
Një dëshmi tjetër që vërteton ditëlindjen time gjëndet në Kalendarin Kombial që botonte për çdo mot, në atë shekull, shtypshkronja ‘’Mbrothësia’’ e shoqërisë ‘’Dëshira’’ të cilën patriotët e komunitetit shqiptar e patën filluar '' që më një të Kollozhegut atje brenda mu në Sofje për skoli në Shqipëri''.
Në pragun e shekullit tonë, në numrin e janarit 1901, në shtyllën e ndihmëtarëve ky kalendar lajmëronte botën shqiptare se në familjen e Petro Nini Luarasit pati lindur një djalë, i pagëzuar me emrin Skënder, i cili pa mbushur akoma motin, nga patriotizmi i tij i flaktë dhe i përvëluar për mëmëdhenë, zgjidhi qesen për të ndihmuar kulturën shqiptare. Natyrisht që motaku zgjidhi qesen e t'et.
Që në mëngjesin e ditës së enjte, djem këmbëshpejtë të mëhallës Kostallarë u vërsulën në të katër drejtimet kardinale për në katunde ku im atë kishte miq e farefis që t’u jepnin lajmin e gëzuar të lindjes sime dhe të merrnin sihariqin. Që atë ditë rrodhën tezet, tetot e hallot, kushërinj e kushërira, krushk e krushka, të gjithë plot gëzim për atë ferishte që po shtonte numrin dhe të qarat e shqipëtarëve nën zgjedhën turke. Ato erdhën të ngarkuara me torba dhe hejbe plot kuleçë e petulla, byrekë e brushtulla që ta ndihmonin vëllanë a dajon e tyre, kunatin a motrën e tyre në këtë hall të madh që i gjeti, t'u jepnin dorën prindërve të gjorë të cilëve po u shtohej edhe një gojë tjetër rreth sofrës varfanjake. Dhe ç'kuleçë e brushtulla qenë ato të hallë Janes e hallë Nerënxës (të martuara në Blush), të hallë Kiles (motra më e vogël e babait) dhe të teze Thinës (motra më e vogël e nënës), të dyja të martuara në Vodicë.
Të atillë meshë nuk besoj të gatuanin as duart e bardha të zonjave korçare ditën e Shën Gjergjit për Mitropolitin e tyre Foton.

''Turpja''
Lindja ime qëlloi ditën e Ujit të Bekuar, festa e pagëzimit të Jezu Krishtit. Ndërsa orthodhoksët ishin nisur herët në mëngjes që të merrnin pjesë në meshën e madhe të Zotit, në dhomën e lehonës hyri një plakë nga mëhalla Penkollarë, një femër e re nga vjetët por e krrusur nga trupi, e reshkur nga fytyra dhe e thinjur nga flokët. Ajo qe gruaja e fshatit tonë e cila pati humbur emrin. Atë e thërrisnin me sa e sa nofka të rastit, vetëm me emrin e saj të pagëzimit , jo. ''Erdhi që gjallë mos ardhtë'', ''Po shkon që mos u ktheftë më kurrë'', ''Punë zeza'', ''Jetë zeza'', ''Turpja'' dhe dukej sikur të gjithë banorët patën bërë be t'ia harronin emrin e vërtetë. Ata thoshin se ajo shtinte fall e bënte magji dhe ish e zonja të zbriste hënën në tokë e të merrej vesh me vetë djallin, prandaj edhe nuk e qasnin në kishë.
Vajza e mplakur e pyeti lehonën se në ç'orë të ditës linda.
- Në mes të natës moj zonjë! - u përgjegj nëna.
- Uëu ! - klithi plaka e tmerruar, - në sahatin e lugetërve! E zeza ti! Po të cilës nate moj? Mos të së martës!
- Sonte, të enjten duke gdhirë Ujët e Bekuar! - lëngoi lehona e trembur nga pyetjet që i bënte plaka.
- Epo, gjene shyqyr! - psherëtiu plaka e lehtësuar. - Shyqyr o Perëndi! - psherëtiu përsëri duke bërë kryq tri herë . - Gjysmë e së keqes moj motër, gjysmë e së keqes, që nuk e polle të martën në mes të natës. Do zoti, rron e bëhet djalë i mbarë se mjaft të kanë vdekur dy me radhë gjer më tani, moj e gjorë! Do zoti rron! Veç mos i ngjaftë t'et! Dhe ai babai yt korbi, me ç'burrë të martoi - me një të mallkuar. Na ruajt Perëndia nga një fat i tillë!
Me fjalën e fundit akoma nëpër dhëmbë, plaka bëri përsëri tri herë kryq, brofi nga froni, zgërdhiti sytë mbi beben e mbështjellë në djep, ptyti tri herë prapa supit të majtë që të trembte hijet e liga dhe të mos e përsyshte ferishten. Pastaj, e mbështetur në shkop dhe duke çuçuritur fjalë të pakuptueshme, shpejt e shpejt, doli jashtë portës së oborrit dhe humbi nga sytë e botës përgjithmonë.
Lehonës iu duk sikur e zu çatia.
Tregonin për plakën Turpja se dikur në rininë e saj kishte qenë nga më të mirat vajza të fshatit tonë dhe më e bukura ndër të gjitha. Cili djalë, thoshin, do ta shpjerë nuse në shtëpi dhe s'do të jetë i lumtur me të! Ajo pati qenë edhe shumë e mençur, por ja që bëri një gabim të rëndë shumë, ndonëse jo krejt për faj të saj, që ia nxiu faqen për tërë jetën.
Kur dhespotët e kishës bizantine udhëtonin çdo vjeshtë nëpër fshatra për të mbledhur tagrat që duhej t'i paguanin orthodhoksët zemërbutë Perëndisë me lutje që t'u siguronte shpirtrave të tyre një vend për në parajsë, koi ashtu ndonja njëzet e ca vjet më parë, t’i bënin Mitropolitit të Kosturit konak në shtëpinë ku banonte kjo vajzë. Dhjaku i taksidarit të Patrikanës e vuri re dhe nuk u zuri besë syve që një lule kaq e bukur mund të rritej në ato vise malore. Dhe i tha dhiaku hirësisë së tij: -Imzot, në këtë shtëpi jeton një perri që s'mund ta gjesh në Kostur e Korçë. Bukuria e saj vlen sa tërë thesari që japin vreshtat në dioqezën e gjerë tënden. Dhe e thirri vajzën që të eksomollogjisej, të nunosej, të rrëfente gjynahet në odën e shenjtërisë së tij, t'i puthte dorën dhespotit, të merrte uratën e të bekohej, që t'i laheshin mëkatet...
Vajza fatzezë shpejt u venit si trëndafili i tharë nga bastra dhe nuk u nis më nuse kurrë: se fshatarët e malësive tona qenë fetarë, por kishin një mendje të çuditshme. Ata vërtet i bënin nderime veqilit të Krishtit, mirëpo nderin e tyre e vinin më lart se qiellin e se çdo gjë tjetër në botë dhe nuk donin as frymën e shenjtë t'u prekte grate, qoftë edhe me fillin e zambakut të Shën Gabrielit.
Kështu e mjera bijë e Xhoke N. që nuk ishte shumë përmbi të gjashtëmbëdhjetat kur ra viktimë e dhespotit të Kosturit, shpejt u venit si lule e këputur. E përbuzur nga bota ajo endej andej-këndej, e përhëndur, gjer sa një ditë shkurti tek shkonte nëpër Vakëfe, në Stratobërdhë, Treskë, Katund e Trebickë, ku kish gjerinj të largët, e zuri tufani në Makërzë dhe e mbuloi me petalet e dëborës së dimrit kur linda unë. Se është e vërtetë sa thuhet për klimën në anët tona: Kur fryn Qesaraka dhe vë çallmë Mali i Zi, shkurti i shkurton udhët e marsi mbledh lëkurët.
Fshati ndau për Turpjen një përshpirtje për ditën e varrimit dhe një dorë e dashur, e panjohur, nguli fshehurazi një kryq të bardhë mbi baltën që e mbuloi, më të bukurin kryq prej çmërsi në oborrin e Shën Kollit atje nën goricën prapa kishës, ku varroseshin të mallëkuarit e fesë. Më vonë as prifti dhe as fshati nuk u kujtuan më kurrë të bënin një ''Ndiezot!'' për të, sikur donin ta harronte edhe vetë perëndia. Por as emrin e dhespotit nuk e përmendnIn fare. Dukej sikur patën vendosur me përgjërim fetar të heshtur ta mbulonin punën e tij prej djalli se qe gjynah të flitej keq për shenjtërinë e tij.
I vëllai i vajzës së gjorë, nga turpi, e la fshatin papandehur dhe iku, sipas të thënave të disave, në Rillë të Bullgarisë, sipas të tjerëve në Agjeon Oron, në Mal të Shenjtë, ku u bë kallogjer për të larë mëkatet e motrës së vetme. Pas ca kohe mbaruan edhe prindërit e saj fatkeqë.
Katastrofën e familjes e mbijetoi e bija natyrale e Turpjes. Që për së gjalli pleqtë e fshatit ia shkulën nga gjiri gruas së shkretë bijëzën, duke e bërë kështu edhe më të shkretë. E shpunë në Korçë, që atje të rritej në mëshirë të Mitropolisë, në shoqëri të atyre çupave që gjuhët e mira i quanin për eufemizëm ''mbesat e dhespotit''. Disa nga fshatarët e saj, shpirtzinj e të pamëshirë, sikur të mos ishin ngarkuar mjaft me të ligën që i patën bërë sëmës, i ngjitën nofkën ''Doçka'' sepse që ditën kur lindi, njerëzit e shtëpisë për të fshehur turpin e familjes, bënë përpjekje ta zhduknin beben, por vetëm se i thyen këmbën. Kështu që njerëz më të urtë se të tjerët e thërrisnin me cenin e saj fizik ''çalamania''.


Festa e Ujin të Bekuar
Ujin e Bekuar të krishterët e mbajnë për njërën nga festat më të shenjta dhe e kremtojnë me pasqylitë e një panairi rruzullor në të gjitha viset ku rrojnë ithtarët e Krishtit.
Sipas legjendës me të cilën fillon Ungjilli, si sot e ndonja dymijë vjet më parë, Perëndia e dërgoi të birin, të vetëlindurin, që të shpëtonte njerëzimin nga gjynahet. Këtë udhëtim të mrekullueshëm të birit të Perëndisë nga qielli në tokë, Papa Vasili, prifti i fshatit nga mëhalla Mal, na e rrëfente ne kalamajve si një përrallë:
‘’Ishte mos na ishte, na ishte një burrë i mirë që e quanin Shën Jan i cili pagëzonte njerëzit në lumin Jordan që buron pranë fronit të Perëndisë dhe derdhet në gjolin Galile. Meqë pagëzonte njerëzit i vunë mbiemrin Pagëzori, që ta dallonin nga Janët e tjerë. Ditën e 6 janarit (rreth tridhjetë vjet pas fillimit të erës sonë) erdhi tek Shën Jani një burrë 30-vjeçar, të cilin Pagëzori e njohu me të parë dhe e përshëndeti: ''Mirë se vjen, o Josho, ndihmë e perëndisë, që zbrite të shpëtosh njerëzimin nga gjynahet''.
Dhe sipas kërkesës së Jezusit (kështu e shkruanin greqisht emrin e Joshos) e krodhi, bëlldump! në ujin e bekuar të Jordanit, i leu në ballë një kryq me krishmë, me vaj të shenjtë dhe e baptisti duke e pagëzuar me emrin Krishti.
Jezu Krishti (sikundër tregojnë librat e shenjta) i përcjellë nga dymbëdhjetë nxënës që u quajtën apostuj, shkonte nga fshati në fshat dhe i këshillonte njerëzit të bëheshin të urtë e të bindur, tua falnin fajet mëkatarëve në këtë botë, se ashtu do tua falte Perëndia edhe këtyre në atë botën tjetër. Të mos gënjenin, të mos vidhnin, të mos vrisnin taksidarët e Romës, ''ti jepnin Cezarit ç'i përkiste Cezarit dhe Perëndisë ç'i përkiste Perëndisë. Po tu jepte xhandari i Romës një dackë në faqen e mëngjër, t'i kthenin edhe faqen e djathtë për një dackë tjetër, se më në fund ofiqarët do të lodheshin së dhëni dacka dhe pa tjetër do të bëheshin të mirë’’.
Kështu mësonte Krishti për tre vjet me rradhë në Palestinë që ku buron lumi Jordan nga froni i Perëndisë dhe gjer atje ku derdhet në gjolin e Galilesë. Mirëpo në fund të tre vjetëve njëri nga apostujt e tij, që quhej Juda dhe do të kish qenë idhtar i partisë ''Dhëmb për dhëmb e sy për sy'', nisi ta urrejë Krishtin për politikën e tij paqësore. Ai e kallëzoi tek dhespotët hebrenj dhe këta ia dorëzuan perandorit romak Pilati. Ky '' pasi lau duart'' ua dha xhandarëve romakë dhe ata e kryqëzuan. Mirëpo, si bir perëndie që qe, Krishti u ngjall pas tre ditësh, u ngrit nga varri dhe fluturoi tek i ati në qiell.
Sido që të ketë qenë puna me Krishtin, kur vdiq edhe Shën Jan Pagëzori, misionin e tij e vazhduan priftërinjtë e krishterë. Këta veç ferishteve që i pagëzonin tre-katër ditë pas lindjes së tyre, më gjashtë janar të çdo moti pagëzojnë jo më Krishtin (ky që kur e mbërthyen në kryq nuk zbret më në tokë) por ikonën e tij dhe të nënës së tij, virgjëreshës Maria dhe apostujve e dëshmorëve që u vranë për fenë e Krishtit.
Për tu ndodhur në këtë sehir të madh të pagëzimit të ikonave, që mëngjesin e thellë, me të dëgjuar buçimën e këmbanës, gjithë orthodhoksët e fshatit tonë, burra e gra, pleq e plaka, sa kishin akoma dorë e këmbë, me kalamajtë e tyre përpara, niseshin të gëzuar drejt bregut të Shën Kollit, që i paçim uratën! Kur ishte moti i kthjelltë, Papa Vasili, në krye, çante dëborën dhe me kryqin në dorë udhëhiqte grigjën drejt pellgut më të thellë të Përroit të Madh. Atje duke ndjekur shembullin e Shën Janit e duke kënduar: ''En i Jordhanit vaptizomeni su qirije!'' hidhte kryqin brenda në ujë.
Përnjëherësh dy, tre, katër djem nga më guximtarët e fshatit (por edhe më budallenjtë) kërcenin në ujë për të gjetur kryqin. Pastaj e gjezdisnin nëpër fshat shtëpi më shtëpi dhe ua zgjatnin njerëzve në buzë ta puthnin por edhe të hidhnin ovullin në dhisk.
Kur moti bënte tepër ftohtë a frynte e binte borë, besimtarët mblidheshin në kishën e ngrohur valë nga qindra kandilë, qirinj e dhambadhe dhe atje zhvillohej mesha e Ujit të Bekuar që mund të quhej me plot gojën ''Panair i tregëtisë së madhe fetare''. I rrethuar nga djem që kishin qejf të shërbenin si dhjakë dhe i ndihmuar prej epitropit që i dorëzonte konizmat njëra pas tjetrës, sipas shkallës që kishin arrirë shenjtorët në mbretërinë e qiellit, Papa Vasili nga dera e Agjikin Vimës u paraqiste besnikëve figurat e dhogta duke i dhënë secilës, me fjalë të zjarrta, mishërim e ndërgjegje njerëzore por edhe pushtet hyjnor: - Kjo është Shën Mëria që i paçim uratën! Është Parthenoja që lindi Krishtin, birin e Perëndisë, me anën e frymës së shenjtë. Kush do ta blerë e ti ketë uratën? Një mexhide!
Qe bërë zakon në kishën tonë që kur vinin në ankand Virgjëreshën askush të mos e ngrinte çmimin e ta merrte pa konkurencë Maria Sivani, nëna e psalltit Mitre Sivani e cila mbahej si plaka më fetare e fshatit tonë. Mirëpo kur prifti paraqiste konizmën e Krishtit, atëherë çoheshin peshë e delnin përpara Kristoja nga Penkollarët, Kristaqi nga Mali, Kiçoja nga Priftanjtë, secili duke nxjerrë qesen kraharorit e duke thirrur njëri pas tjetrit: ''Unë dy mexhide'', ''Unë tri!'' ''Unë një lirë!'' duke shtuar kush e kush më shumë pjacën e asaj cope dhoge ku qe zografisur një fytyrë njeriu që besohej të ish e birit të Perëndisë dhe e Virgjëreshës. Dhe kur më në fund asnjërit nga të tre, katër, pesë vetave nuk i mbetej takat për ta çuar çmimin më lart, atëherë delte prej turmës xha Loli nga Kostallarët, i cili me një çerek a mexhide më shumë e fitonte konizmën e ''shpëtimtarit të njerëzimit''. I gëzuar e shpinte në shtëpi që ta puthte i biri i sëmurë, Kici, të merrte bekimin e të shërohej nga veshkat, sëmundje që e ndau nga jeta në lulen e djalërisë.
Prifti dhe epitropët e vazhdonin pazarin e Ujit të Bekuar edhe me konizmat e tjera: me të Shën Kollit që ishte pas Shën Mërisë, më i madhi shenjt i fshatit tonë. Mitët e Mitraqët e Penkollarëve haheshin në ankand për ikonën e Shën Mitrit sepse ky qe pajtor i mëhallës së tyre. Ca më keq haheshin Miçot, Mihalët e Mihallaqët e Malit për ikonën e Shën Mëhillit, jo vetëm se ky shenjt ( me shpatën më të fortë se të Shën Gjergjit ) qe pajtor i mëhallës së tyre, por edhe nga dëshira ta bënin mik e tua zgjaste jetën, se është Shën Mëhilli që ua merr shpirtin njerëzve.
Edhe në shtëpi, në qoshen kryesore të vatrës, të krishterët mbanin nga një konizmë, së cilës jo vetëm natën por edhe ditën i ndiznin kandilen me vaj ulliri (këtë duhej ta bënin edhe sikur të mos kishin mjaft vaj për tu tiganisur vezët fëmijëve) dhe i faleshin figurës për mëngjez e për mbrëma. Zakonisht ikona qe e shenjtorit që kish emrin e ndonjë të pari të familjes dhe mbahej për pajtor i saj.
Në familjen tonë emri më i përsëritur brez pas brezi qe Kostandin (Nini) dhe Petro. Mirpo në shtëpinë tonë nuk mbahej ikonë dhe babai nuk blinte konizma për Ujë të Bekuar, nuk na linte ne fëmijët ti puthnim, t'u faleshim e t'u ndiznim qirinj dhe na ndalonte të kungoheshim në kishë. Këtë sjellje të babait priftërinjtë e quanin si një përçmim ndaj fesë, ndonëse ai e bënte për të na ruajtur shëndetin nga sëmundjet ngjitëse.
Në mbarim të ankandit kur ishin shitur surretët e ndo njëqind e pesëdhjetë shenjtorëve ndër fshatarë që gëzonin emrat e tyre, epitropi ua jepte flamurin vajzave të fshatit. Këto, të nisura dhe të stolisura si për festë të madhe dhe të zëna dorë për dore duke kënduar e dredhur valle, i binin kishës tri herë rreth e rrotull dhe kështu i jepnin ditës së Ujit të Bekuar pamjen e bukur që ne djemuria e mbanim mend të gjallë për gjithë motin.
Nga të pesë lagjet e krishtera të fshatit tonë, çupat e Malit ishin shtatlarta e trimëresha, të Priftanjve ishin të urta, të Kostallarëve ishin amvisa e punëtore, por vajzat që dalloheshin për pamjen e tyre i gjeje në Penkollarët.
Kur të katër palë bukuritë mblidheshin në kishë ditën e panaireve, për Pashkë a për Ujin e Bekuar dhe të kapura dorë për dore së bashku, dridhnin valle e këndonin, i jipnin shije jetës së ashpër të fshatit dhe e bënin të ëmbël, të bukur e të dashur.


Pagëzimi
Të premten, në mëngjes herët, babai nisi të kunatin Guri Sevo për në pazar të Korçës që të psoniste ç'i duheshin familjes, në pagëzimin e poganikun e bebes, të djelën më 9 janar. Ditën e pagëzimit, zakonisht të tretën pas asaj të lindjes, e përfillnin aq të rëndësishme, sa shpesh ishte kjo që mbahej si fillimi i jetës së njeriut. Dhe ceremonia bëhej sipas disa rregullave të rrepta që, po të mos merreshin në sy, kishin pasoja shumë të rënda. Me pagëzimin e saj foshnja jo vetëm merrte një emër por edhe bëhej idhtar i besimit që kishin prindët e saj.
Kushdo e kupton arsyen që çdo gjë që shohim e dëgjojmë në jetën tonë duhet të ketë një emër të caktuar, përndryshe si do ta shquanim vëllanë e madh prej të voglit, si do ta dallonim zërin e laureshës prej atij të laraskës? Kjo është e kuptueshme dhe natyrale, ajo që është e pakuptueshme dhe formale është mënyra se si jepej emri.
Sipas ritit orthodhoks, emrin e fëmijës që do të pagëzohej duhej ta zgjidhnin nuni e ndrikulla dhe prindërit nuk duhej ta dinin veçse pasi t’ia shpallnin botës nuni ose ndrikulla në pagëzim e sipër. Me të mbaruar mesha, kur graria ktheheshin me vrap në shtëpi për të gatuar drekën dhe burrat nisnin muhabetin në hajat të kishës, prifti vinte në baptisteri, ku rreth kazanit të mbushur me ujë të vakur e prisnin ndrikulla me foshnjën e mbështjellur mirë dhe ndonjë vajzotë që ndihmonte gruan. Pakëz më lart qëndronin edhe ndoca kalamaj që prisnin të dëgjonin emrin dhe të vraponin kush e kush më parë për t’u njoftuar prindërve e të merrnin bakshishin.
Momenti kur prifti e zhyste foshnjën në kazan dhe ndrikulla i ngjiste emrin, kërkonte kujdes e vëmendje të madhe. Ceremoninë e gjatë prifti e bënte greqisht dhe vetëm një fjalë thoshte shqip:''Emrin!'' Në këtë grimcë kohe ndrikulla duhej të ishte tërë sy e veshë dhe e përgatitur që të thoshte qartë e mirë emrin e paracaktuar të foshnjës e cila do të thirrej për tërë jetën me fjalën që do të flitej e para në atë çast.
Një gabim i vogël bëhej fatal për fëmijën gjithë jetën e tij. Në shtëpinë e Itellarëve qe një nuse që thirrej ''Tasë moj plaç'' sepse gjatë psalljes së mërzitshme të priftit në pagëzim e sipër të bebes, ndrikulla, që vetë quhej Tasë, kush e di se ku e kishte mendjen. Kur prifti i tha shqip: ''Emrin!'' dhe ajo nuk u përgjigj, çupa ndihmëse e shtyri me brryl që ta përmendte duke i thënë: ''Tasë moj plaç!'' Kështu së gjorës foshnjë i mbeti emri për tërë jetën. Mirë që bebeja ndodhi femër.
Një tjetër gabim fatal: Kur në luftën ballkanike ushtarët e Kostandinit grek pushtuan Kolonjën, në Katund i lindi djalë një grekomani të tërbuar i cili i dinte greqishtes veçse nja dy fjalë urimi si ''kalimera'', ''kalispera'' dhe ndonjë fjalë sharëse si ''kakurgos'' (maskara)
I tha ai nunit që nuk dinte asnjë fjalë greqisht, as për të uruar, as për të mallkuar: ‘’Më lindi djalë! Dua të m'i vesh një emër që të jetë thjesht eleniko. Mor një emër grek që të mos ketë jo në Korçë por rallë të gjendet qoftë dhe në Athinë!". Dhe nuni me këtë rast do të vinte se do të vinte në Korçë për të psonisur. Këtu pyeti avokatin e tij për një emër grek.
''Themistokli!'' i parashtroi avokati.
- Edhe në fshat kemi Misto!
- Atëherë Miltiadh! ia priti avokati
- Ah, edhe Milto kemi! ia priti nuni.
- Epo, do të jap emrin e një perëndie greke, që edhe brenda në Athinë zor se do ta gjeje, - i tha avokati, - Likurgos!
- Hë më të lumtë! Ja, këtë emër grek nuk e kam dëgjuar gjer tani! - thirri nuni i gëzuar. I dha avokatit një shpërblim të mirë, iu lut t’ia përsëriste emrin edhe nja dy-tri herë shqip e shqeto duke shkëmbyer edhe ai avokatin. Pas dreke, në han të Gelit, i hipi mushkës së ngarkuar me hejbe dhe tek ecte kaluar drejt fshatit, vazhdonte të çuçuriste: ''Likurgos! Likurgos! Likurgos!'' Edhe gjumi në shtrat e zuri me fjalën ''Likurgos!'' në gojë.
Të nesërmen u nisën me beben për në kishë dhe u mblodhën rreth kazanit të pagëzimit: prifti, nuni, ndrikulla, ndonjë grua ndihmëse dhe një tog djemsh lajmëtarë. Teksa erdhi ajo grimcë kohe fort e rëndësishme kur prifti, pas kanaqisjes së gjatë greqisht, foli fjalën shqip: ''Emrin! '' nuni ynë i bekuar, duke patur mendjen kush e di se në ç'hall të shtëpisë së vet, u zverdh, u përtyp, u kollit sikur do të thërriste në kujtesë diçka të harruar dhe nxorri prej fytit emrin ''Kakurgos!''-''maskara''
Mirë që bebeja ndodhi mashkull dhe nuk e mbushi motin, se vdiq përpara se t'u dorëzohej Kolonja ushtarëve shqiptarë, në janar 1914, për t'u bashkuar me Shqipërinë e lirë.
Të shtunën mbrëma vëllai i madh i nënës sime, Guri Sevo, u kthye nga pazari i Korçës duke sjellë gjithë ato të mira që duheshin për festën e pagëzimit dhe poganikun e bebes. Im atë prej anës së tij ftoi që atë ditë në shtëpi për bisedë zotin nun dhe zonjën ndrikull.
Kumbarët Thanas Cico Duro dhe e shoqja Lino, prindërve të mij u kishin pagëzuar më parë katër fëmijë, të parin fare me emrin Sotir (shpëtimtar-greqisht) për të kujtuar një katërgjyshin e gjyshit tim Ninit, ndoshta edhe për ta shpëtuar të gjorin plak nga andrallat e shumta shtëpiake. Mjerisht i pari im vëlla jo vetëm nuk mundi tu jepte ndonjë ndihmë gjyshit a babait, por kur u bë pesë vjeç na morri pas në varr edhe të motrën dy vjeçe me emrin e bukur, por grek, Eufrosina. Të dy tok e në një ditë me tu kunguar në kishë, ranë fli të kollës së mirë e fruthit, sëmundje që korri shumë kalamaj të fshatit tonë në atë mot kur ra tërmeti në Korçë. Nga të krishterët shpëtuan vetëm ata që nuk patën rast të kungoheshin dhe përgjithërisht fëmijët muhamedanë.
Aq fort nuk i donte babai emrat e huaj, sidomos grekë, sa kur u kthye nga Stambolli dhe mori vesh se të bijën e parë ia kishin pagëzuar Eufrosina, ai e përqeshi me një nofkë që nuk e zenë ngojë në një shoqëri të mirë. Kur ia pagëzuan dy fëmijët e tjerë me emrat Thomaidha e Dhimitri, ai ndodhej në Bukuresht e Stamboll dhe nuk pati se si të ndërhynte pranë kumbarëve për emra shqiptarë. Por të dy këta fëmijë nuk u kunguan kurrë dhe rrojtën e morën pjesë në mësimet dhe pësimet e mësuesit fanatik të gjuhës shqipe.

Ortodoks me emrin Skënder ?!
Sikundër edhe më parë, babai solli nga Bukureshti shumë libra shqip, ndër të tjera edhe ''Istori e Skënderbeut'' të Naim Frashërit. Aq fort pati rënë në sevda me emrin e heroit tonë kombëtar sa, me siguri, që atëherë e pati vendosur të ma vinte emrin Skënder po të lindja djalë, jo Gjergj, jo Aleksandër, por Skënder, edhe pse anëtarët e familjes sonë konsideroheshin ortodoksë.
Shkurt, babai thirri kumbarët në shtëpi dhe u tha: ‘’Zoti nun dhe zonja ndrikull, jam shumë i gëzuar që më lindi djalë, se me dy djem e ndjej veten më të fortë se sa me dy çupa. Shpresoj se bebes nuk ia keni gjetur emrin akoma.
- Ia kemi gjetur, - tha xha Thanasi.
- Mos ma tregoni! Mbajeni për ndonjë rast tjetër. Këtij djali do t’ia vini emrin Skënder.
- Uëu,ç'është kjo Skënder! - thirri ndrikulla
- Mos na e thuaj ti, se vdes! - thirri nuni.
- Më mirë të vdesë se të mbajë emër tjetër!
Dhe meqë Thanas Duroja, një nga pleqtë më të mirë e më të mençur të fshatit tone kur qe esëll, sikur e tepronte me raki ditët e kremte, babai iu drejtua zonjës ndrikull:
- Ju lutem të ma pagëzoni ju tim bir dhe ta mbani mend mirë emrin Skënder, që të mos na ngjasë ndonjë e papritur.
Dhe vërtet kështu më quajtën, për të keqen e vetë nunit,( ) për të keqen e tim eti dhe timen, për të keqen e të gjithë atyre që më vonë, duke patur mbiemrin Luarasi, u pagëzuan me emrin Skënder (aludim për arkitektin Skënder Kristo Luarasi).
Ndërsa kalamajtë e fshatit rendnin drejt shtëpisë sonë për t’i treguar nënës emrin e të merrnin shpërblimin, ndonjëri syresh duke thënë se ma vunë emrin Skifter, e tjetri Kalander, një tjetër më i madh ndër ta, iu paraqit tim eti në hajat të kishës, ku rrinte në kuvend me pleqtë dhe ia shqiptoi emrin e mirëfilltë timin. Pleqtë, kur e dëgjuan pagëzimin e jashtëzakonshëm u çuditën.
- Ç'është ky emër që s'e kemi dëgjuar kurrë?- pyeti Nin Lipe Mali, një nga pleqtë e rëndësishëm me të cilin në kohën e dhespotit Qirilli, Petro Luarasi qe grindur për punë të abetares e të shkollës shqipe në fshat , por më vonë qenë pajtuar.
- Cilin do të ketë për shenjt ky yt bir? - pyeti Dhami Dikoja.
- Atë që ka djali yt, - u përgjegj Petroja
- Po ç'ka të bëjë Leko me Skënder? - kundërshtoi babai i Leko Dhami Dikos.
- Po ka të bëjë, - pohoi mësuesi i shqipes, dhe u tregoi burrave të kuvendit se si të birit më të vogël të Gjon Kastriotit, që quhej Gjergj, sulltan Murati i dha emrin Skënder për ta krahasuar me Aleksandrin e Madh të Maqedonisë.
- Domethënë e paskeni pagëzuar me emrin e një turku! - thirri xha Dhami. Dhe kur erdhi Papa Vasili në hajat të kishës dhe Petro i ftoi gjithë pleqtë e fshatit të urdhëronin në poganik të foshnjës, plaku çalaman Dhami Diko vazhdoi kundërshtimin e tij prej kokëforti:
- Jo, unë nuk uroj për emër turku. M'u thaftë edhe këmba tjetër në shkelça në atë shtëpi të mallkuar. Mbeça pa sy dhe mos e gjeça portën e shtëpisë sime po të kem të bëj me një njeri që e kanë mallkuar me rradhë tre dhespotët e kishës sonë orthodhokse!
- Po emrin kur do të vimë t'ia urojmë, - pyeti Nin Mali përsëri, - për Shën Gjergj apo për Shën Aleks?
- Për të dy shenjtët, edhe për mot si sot, edhe ditën e Ujit të Bekuar që ka lindur, - u përgjegj Petroja
-Epo, ç'doni më shumë urime në mot e me raki si ajo...! ndërhyri xha Thanasi, duke rrokur shkopin e duke u çuar në këmbë. Dhe pas nunit tim, u nisën gjithë pleqtë për urim e poganik.
U ngrit edhe xha Dhami dhe me nëmën në gojë shkoi tek gomari, të cilin e zgjidhi, i hipi dhe u nis për në shtëpi. Xha Dhami nuk kishte këmbë, po gomari e dinte udhën dhe e shpuri drejt e te porta, xha Dhami kishte sy po nuk donte të shihte udhën e drejtë, kishte veshë, po nuk donte të dëgjonte të vërtetën e jetës, kishte kokë po nuk e lodhte trurin që të dallonte të renë nga e vjetra, të mirën nga e keqja. Ai qe një nga ata që u pëlqente të jetonin në errësirën e paditurisë.

Dashuria mbi dasinë fetare
Përveç të krishterëve, im atë ftoi në poganikun tim edhe shokë e miq myslimanë: Jaçen, Zenelin, Ademin, Fetiun, por edhe Canen, Bidon, Dervishin, Qamilin e Koçinë, që e ndihmonin në punët e përditshme. Ndërsa burrat ishin ulur këmbëkryq në dyshekët, minderët e në fronet anës murit të odës së madhe dhe gjersa të shtrohej dreka bënin muhabet e ngrinin dolli për emrin e bebes, graria hynin në vatër për të uruar lehonën. Pranë djepit po rrinin në minder edhe dy gra nga Penkollarët, njëra qe mesatare nga mosha dhe tjetra nusja e të birit. Në mes të muhabetit të tyre të ëmbël, me zë të ulët, u pa te pragu i derës bashkë me të tjera zonja myslimane, një nuse e re, e bukur. Vjerra, kërceu prej minderit duke klithur: ''Qyqja turka!'' dhe rrëmbeu nusen e vet prej krahu që ta nxirrte jashtë.
Të dyja nuset, me flokët e tyre të verdhë si trëndelinë, me sytë e tyre të kaltër si deti dhe me bukurinë e ballit të lartë e me trupin e derdhur si të selvisë, i ngjisnin njëra-tjetrës posi lotët që rrjedhin nga të njëjtët sy. Qenë motra.
Disa vjet më parë një tog grash e vajzash orthodhokse qenë nisur nga Penkollarët për të kaluar natën me lutje e të falura në Kishën e Shën Kollit të Vodicës, i cili nderohej edhe prej myslimanëve dhe çmohej si më i madhi shenjtor në Kolonjë e përtej saj. Kur arritën në rripën e djathtë të Osumit, ndenjën shesh të çlodheshin pakëz e të zbatheshin për të shëtitur lumin.
Ndërkohë, një djalosh i mëhallës myslimane Frëngjas, po ulej kaluar prej të tatëpjetës së Blushit. Me të arrirë pranë vahut, i përshëndeti zotërisht e fare pa të keq bashkëfshataret e tij dhe i tha njërës prej dy motrave, si për shaka: ''mos u zbath, moj thëllënzë'' dhe duke e rrokur për mezi e shtiti përtej lumit, e lëshoi përdhe lehtë-lehtë e mengadalë. Dhe ai vetë duke i përshëndetur me luhatjen e krahurt gjithë shoqet e saj , vazhdoi udhën duke kënduar.
Reth vajzës së hutuar prej turpit , shoqet ia klithën kujës: ''Korba ti, që të preku turku! Qyqja ti që të zuri për mezi! Më mirë të ishe mbytur o qyqe, se të shtiti lumit ai!''
E gjora vajzë në kishë e gdhiu natën më gjunjë përpara konizmës së Shën Marisë dhe duke qarë me ngashërime iu lut virgjëreshës ta mëshironte e t’ia falte një mëkat që e mjera vajzë s'e kish parë as në ëndërr ta bënte.
Dhe mëshirë e dhimbsuri do të kishte ndjerë më shumë ajo figurë e vizatuar në dhogë sesa zemra ndjenjazezë e prindërve që i kishin dhënë jetën vajzës së brengosur. Femrat e fshatit nisën ta përbuzin . Prej mynxyrës që pësoi Turpja, po atë stinë dimri, e shpëtoi djaloshi zemërgjerë i Frëngjasve .
Ai qe rritur në çifligjet e Xhafer bej Shkëmbit në Vodenë dhe e kishte parë botën me sy më të shëndoshë në Manastir e Selanik. Sa mori vesh për hallin e vajzës së krishtere, ai dëgjoi zërin e zemrës dhe i tha: ''Të dua! Eja të ikim prej kësaj errësire!'' Dhe vajza i zuri besë e i vajti pas. E solli rasa që ky çift u kthye në fshat për pushime, atë janar kur Turpja endej andej-këndej e përhëndur nëpër Vakëfe. Nusja e Frëngjasve e mohoi kishën, që nuk i pruri shpëtim në hallin e saj shpirtëror, por nuk i harroi njerëzit e mirë të fshatit ku pati lindur ndaj erdhi bashkë me të vjehrrën të vizitonte lehonën dhe beben. Sa kapërcyen pragun përbrenda vatrës, teze Janeja u doli përpara frëngjasve, i përqafoi e i puthi dhe u tha të dy palëve që të gëzoheshin se u erdhi rasti të piqeshin e të duheshin. Nga shtrati i saj lehona ngriti kryet: ''Jini motra'', u thirri me ngashërime, ''përqafohuni, puthuni!''. Po ku shihte e dëgjonte kabanova e katundit tonë. Rrëmbeu nusen e saj prej krahu, dhe çau udhën me forcë sikur desh të shpëtonte nga strofull e kuçedrës.
Të dy motrat nuk u panë më kurrë!


Skënder Petro Luarasi, ‘’Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’
Nëntitujt janë përshtatje të editorialit
Kush deshiron te dije me teper mund te shohe:

Sajti
https://www.facebook.com/luaraserseke

Foto Skender Luarasi , i pari majtas,
mbas shpine shtepia e Petro N.Luarasit me dy kate
 
Ne dhe ata

Një intelektuali shqiptar shprehej në facebook:

''Shqipëtar more shqipëtar...
Ikin vitet ... ti ... gomar...
Mjaft punove per zagaret ... o ... hamall...
Shiko vehten ... se ... tere bota ... po ... te ... tall... ''

Dhe sa të tjerë e përgëzonin per ''visarin poetik''

Nuk durova dot dhe shkrova poezine:

Petro Luarasi
Ne dhe ata


E thur vargun me karar,
Geni më bëri vjershëtar.
O kritikë genshqiptari,
S'jemi gjithë rracë gomari!’’

Ti, ai dhe unë - shqiptar!
S'keni samar, e s'jam gomar!
Por tek stalla atje pranë,
Ka ca derra e plot hajvanë!

Stalla tjetër më matanë
Mban veshgjatë pelivane
Për ofiqe hanë dhe bar
Për para mbajnë dhe samar!

Gica e kriça me duzina
Shkërr-zhgërryen ndër lugina
Ca për hall e ca për qef
Genin shqipes ja bëjnë def!

Ju shqiptarë anembanë
Mos e shani kurrë vatanë
Gen i shqipes së pavdekur
Nder lavdie nëpër shekuj.


Këtë poezi e shoqërova me dy foto simbolike, gomarin dhe shqiponjën me pyetjen se cfare preferonin të zgjidhnin.

Populli i urtë shprehet:''Kush dhjet në det, e ha në kripë.''
 
Skënder Luarasi-Njeriu i Fjalës së Lirë

Petro Luarasi
Skënder Luarasi-Njeriu i Fjalës së Lirë

Skënder Luarasi legjendë, mit dhe realitet
Këtë vit përkujtojmë 115-vjetorin e lindjes së Skënder Luarasit (1900-1982) Nder i Kombit, ndër personalitetet më përfaqësues të inteligjencies shqiptare në shekullin XX.
Në kushte të vështira ai kreu veprimtarinë madhore të atdhetarit demokrat-antifashist, si mësues edukator e pedagog, publicist, biograf, përkthyes, dramaturg, historian, linguist poliglot, me shumëllojshmëri arritjesh cilësore. Për bindjet republikane e antifashiste ai u burgos nga rregjimi monarkist dhe vuajti kampet e përqëndrimit fashist. Në sistemin diktatorial u përndoq si intelektual demokrat jokonformist ndaj kultit të individit dhe tezave të ideologjizuara që i imponoheshin letërsisë dhe historiografisë shqiptare. E përjashtuan për disa vjet ngaLidhja e Shkrimtarëve, e akuzuan për veprimtari armiqësore, si ‘’historian borgjez’’ e ‘’oportunist’’ dhe rrekeshin ta izolonin, censuronin dhe pengonin në botimin e veprave, i sajonin dhe e përgojonin me historiçka e shantazhe, por nuk e mposhtën dot Njeriun e Fjalës së Lirë!
Këtë mekanizëm terrori mund ta përballonin vetëm njerëz idealistë me karakter të fortë. ‘’Skënder Luarasi, Kasëm Trebeshina, Mehmet Myftiu e ndonjë tjetër, mbetën të vetëm në përpjekjen e tyre ballore ndaj diktaturës. Mungesa e karaktereve të fuqishme, ishte fatkeqësia më e madhe e letërsisë dhe e shoqërisë shqiptare në ato vite 60' ‘’. 1. (Fatos Arapi. Kujtohem që jam, f.150.)
Edhe pas ndryshimeve demokratike, ndihen paragjykimet politike-ideore me teza tabu të së shkuarës dhe interesat klanore që Skënder Luarasi të mënjanohet nga studimet akademike dhe programet shkollore.
Për masat e gjera ai përfaqëson personazhet e mirënjohur: shkrimtarin Astrit Larinasi në librin e Vedat Kokonës "Në valët e jetës", atdhetarin demokrat Prof. Luarasi në veprën "Burgu" të Haki Stërmillit, ideologun antifashist prof. Tomorri në "Hasta la Vista" të Petro Markos, pedagogun e letërsisë të Qemal Stafës me shokë në filmin "Qortimet e Vjeshtës, vullnetarin e parë antifashist që u nis nga Shqipëria të luftojë fashizmin në Spanjë, ku më 1937 organizoi dhe transmetoi për herë të parë në histori emisionet radiofonike në gjuhën shqipe, me platformë antifashiste dhe program të qartë për bashkimin kombëtar pa dallim feje, krahine, ideje dhe përkatësie ekonomike. Me qindra e qindra intelektualë, shkrimtarë e historianë, pëshpërisnin bëmat e Skënder Luarasit dhe frymëzoheshin nga sfida e tij kundër dhunës e terrorit të sistemit monarkist, fashist dhe atij diktatorial, kundër dhunimit të principeve demokratike, nëpërkëmbjes së personaliteteve dhe vlerave kombëtare.
Në dy dekadat e fundit, të mendimit të hapur dhe shtypit të lirë, janë publikuar vlerësime të shumta për Skënder Luarasin. I janë kushtuar poezi e studime, janë zhvilluar aktivitete letrare e kulturore mbi personalitetin, veprimtarinë dhe disa anë të veprës së tij. Përgjithësisht ai përmendet në fushën e përkthimeve ( shqipëruesi i Shekspirit, Gëtes,Shilerit, Uitmanit, Pushkinit, Bajronit me shokë) më pak në punimet biografike (biografi i I.Qemalit, I.Boletinit, Migjenit……) dhe pak si drejtues mediash, gazetar e publicist, me kontribute në pedagogji, studimet historike e dramaturgji. Përkundër ndonjë kapitulli përshkrues, ende nuk i është botuar ndonjë biografi apo bibliografi. Institucione në Shqipëri e Kosovë e kanë vlerësuar Skënder Luarasin me dekorata të larta, emërtime objektesh sociale, arsimore e kulturore.
Ndërkohë veprimtaria dhe vepra e Skënder Luarasit paraqet interes për opinionin publik duke u bazuar në koeficientin e lartë të referimit dhe klikimit në mediat e shtypura e elektronike. Me qindra shqiptarë intelektualë, akademikë, pedagogë, shkrimtarë, gjuhëtarë, regjisorë teatri e kinemaje, aktorë, studjues të rilindjes e të luftës antifashiste, e kanë përmendur dhe i referohen për çështje të ndryshme historiko-letrare, sikurse Fan S.Noli, Kristo Luarasi, B.Merxhani, T.Zavalani, L.Poradeci, I. Kadare, D.Agolli, A.Buda, V.Kokona, P.Marko, A. Uçi, K.Frashëri, N.Prifti, M.Zeqo, etj. Dëshmitarë ngjarjesh e studjues të ndryshëm kanë zbuluar ngjarje, kontribute dhe veprimtari ‘’të pabesueshme’’ të cilat edhe të vetme do ti bënin nder kujtdo personaliteti.
Thuhet se kush ndjen dhimbje është i gjallë, por kur ndjen dhimbjen e tjetrit është Njeri. Skënder Luarasi mbi të gjitha vlerësohet si Njeri i dhimbsur, bujar dhe i sakrificës. Shumë intelektualë e shkrimtarë bashkëkohës, ia kujtojnë me nderim ndihmën që u ka dhënë në fushën humane, letrare, kulturore, pedagogjike, etj. Ata janë nga ajka e elitës intelektuale, letrare e kulturore shqiptare ndër vite : Parashqevi e Sevasti Qiriazi, Lasgush Poradeci, Aleks Buda, Qemal Stafa, Arshi Pipa, Xhemal Broja, Migjeni, Ismail Kadare, Jusuf Vrioni, etj, etj.
Ylli Popa, Kryetar i Akademisë së Shkencave, e çmoi: "Nëse lexon disa prej veprave të tij, qoftë krijimtari e mirëfilltë, qoftë përkthime, do të vesh re disa veçori morale aq të vlefshme sa dhe kontributi i tij në fushën e kulturës". 2. (Petro Luarasi, Skënder Luarasi personaliteti, veprimtaria dhe vepra.Studim.Bibliografi.) http://www.forum-al.com/showthread.php?t=15197&page=2
Në tërësi ato përbëjnë traditën e Skënder Luarasit legjendë, mit dhe realitet, traditë e cila ka zënë rrënjë në shtresa të thella të kombit shqiptar, tek ata që e kanë njohur, kanë lexuar, analizuar e përqafuar pikëpamjet dhe idealin e tij.
Dritëro Agolli e shquan si intelektual me kulturë të gjerë evropiane, hallka lidhëse e epokës së Rilindjes me atë të demokracisë. ‘’Në kulturë zë radhën e parë të traditës përparimtare demokratike, ndërsa në traditën e dinjitetit të njeriut të kulturës është i pakrahasueshëm me asnjëri.’’ 3. (Dritëro Agolli. Skënder Luarasi-legjendë, mit dhe realitet, Zëri i popullit, 20.1.2000, f.10.)
Ndaj kombi shqiptar, shteti me institucionet e tij, kanë nevojë për traditën Skënder Luarasi, për të kapërcyer me sukses pengesat në rrugën e ndërtimit të një shteti demokratik me shoqëri të emancipuar.

Monografia Ismail Qemali (1962)
Skënder Luarasi ka dhënë kontribut të vyer edhe si autor monografish mbi personalitete të shquar të kombit shqiptar. Ndër vite ai botoi veprat: ''Kolonel Thomson'' (1934), ''Migjeni''(1957), ''Petro Luarasi (1958), 'Ismail Qemali'' (1962), '' Isa Boletini'' (1971), ''Gjerasim Qiriazi''(1962), ''Motrat Qiriazi'' (1962) (anglisht e frengjisht). Ndërsa veprat ''Sevasti Qiriazi'' dhe ''Motrat Qiriazi'' (1962) iu bllokuan nga censura, Fan Noli-jeta dhe vepra ‘’humbi’’ në Institutin e Historisë.
‘’Do të mjaftonin këta emra atdhetarësh për të kuptuar kostelacionin e yjeve që ndizte Skënder Luarasi në qiellin tonë sterrë për të kuptuar se çfarë rruge i tregonte ai këtij populli, dhe më në fund, për të kuptuar se prej çfarë materie, prej çfarë drite dhe me çfarë orbitash jete dhe lirie jetonte ky burrë’’.
Historiku i botimit të monografive të tij, madje edhe për Flamurtarin e Pavarësisë Ismail Qemal-Vlora, përmban peripeci të shumta. Skënder Luarasi vërente që në diskutime, artikuj e botime historianësh e politikanësh, për arësye subjektive, mbahej një qëndrim jo i drejtë ndaj jetës dhe veprës së personalitetit të shquar Ismail Qemali. Nga disa thuhej se kinse nuk njihej, nga të tjerë se kishte bërë gabime të mëdha. Përkundër këtyre pikëpamjeve, ai theksoi se pikërisht ‘’për veprën madhore, Ismail Qemali u bë njeriu më i luftuar dhe më i lëvduari në historinë e Rilindjes shqiptare, ndaj të cilit u sajuan shumë shpifje e intriga nga armiqtë e Shqipërisë, por që populli shqiptar duhet ti marrë si lëvdata për të, e t’i jetë mirënjohës për jetë.’’4 (S.Luarasi. Ismail Qemali, Tiranë, SHBLP, 1962, f.10-11)
Ai në përkujtimin e 50-vjetorit të Pavarësisë këmbënguli që t’i botohej monografia e flamurtarit të saj. Pretekstet e recenzentëve të urdhëruar nga lart qenë të shumta, ata theksonin gabimet dhe mbivlerësonin opinionet kundër Ismail Qemalit. Skënder Luarasi bëri sfidën e rradhës me sentencën:’’Bota nga balta bën heronj, ne heronjtë i bëjmë baltë’’ duke theksuar: ‘’Në shtypin patriotik shqiptar janë bërë kritika, nganjëherë të ashpra jashtë masës, për veprime, ose qëndrime të caktuara të Ismail Qemalit. Mirëpo veprimtaria e Ismail Qemalit nuk duhet vlerësuar nga pozitat e asaj kritike që iu bë atëherë, por duhet vlerësuar para së gjithash nga rezultatet përfundimtare të gjithë punës së tij… Në këtë rrugë të gjatë, të vështirë e të ndërlikuar që ndoqi Ismail Qemali, nuk do të kishte pasur burrë që tu shpëtonte gabimeve. Është për tu çuditur që e mbylli jetën me kaq pak gabime.’’5 (S.Luarasi. Ismail Qemali, f.11)
Botimi, edhe pse iu censurua me mbi 30 fletë, ngjalli entuziazëm të madh në Shqipëri, Kosovë e diasporë ku u shkruajtën mjaft komente mbi këtë vepër dhe autorin e saj. Libri fillonte me amanetin kuptimplotë të Ismail Qemalit: ‘’Djemtë e mi, nuk bëra pasuri tja lija trashëgim Shqipërisë. Po ju lë një atdhe amanet. Lamtumirë!’’
Ndër të tjera, bënte paralelizma midis Ismail Qemalit e Shqipërisë dhe Isa Boletinit e Kosovës, këtyre dy prijësve të njohur politike e luftarake, kështu farkëtonte unitetin mbarëkombëtar.
‘’Profesor Skënder P.N.Luarasi ka treguar kujdes të posaçëm duke mbledhur në libra dhe nëpër broshura jetën dhe veprat patriotike të Nacionalistëve Shqiptarë që lëftuan me pushkë dhe me penë për çlirimin e Shqipërisë nga kthetrat e robërisë së huaj.’’ 6 (Lajmërim. Liria, Boston, Mass. 12.5.1972, f.2.)
Ai ndjehej i lumtur që mundi të paguajë këtë tribut të vogël të detyrës ndaj Varrit të Dëshmorëve. ''Ç'është e vërtetë për Ismail Qemalin, mund të thuhet edhe për shokun e tij të armëve Isa Boletinin, i cili bëri për atdhenë në fushën e betejave, atë që bëri Ismail Qemali në fushën e politikës e të diplomacies.'' 7. (S.Luarasi. Isa Boletini: Jetëshkrim i shkurtër, Tiranë, Naim Frashëri, 1971, f.5.)
Rëndësinë që paraqiste për kohën botimi i monografisë për Ismail Qemalin e dëshmon edhe regjisori i shquar Viktor Gjika, kur në vitin jubilar të 70-vjetorit të Pavarësisë iu vu punës për të realizuar filmin ‘’Nëntori i Dytë’’. ‘’Angazhimi në një vepër të tillë ishte i paprecedent. Deri atëherë nuk ishte realizuar asgjë në këtë temë, nuk ishte shkruar asnjë dramë, roman apo tregim, as në lëmin e arteve figurative nuk kishte ndonjë portret apo tabllo, e aq më tepër ndonjë vepër në fushën e muzikës së kultivuar. Për çudi, edhe në historiografinë shqiptare nuk kishte shumë materiale, studime e botime. Në duart e mia kisha vetëm librushkën Ismail Qemali të shkruar nga Skënder Luarasi, një shirit me disa këngë popullore dhe shumë pak fotografi. Si i thonë fjalës i hyra detit më këmbë!’’ 8 (Viktor Gjika, Kur ëndrra bëhet film) http://www.aqshf.gov.al/artikull-1.html

Pikëpamje mbi vdekjen e Ismail Qemalit
Skënder Luarasi ka analizuar me profesionalizëm dhe kurajo edhe një nga çështjet më delikate: ndarjen e Ismail Qemalit nga jeta, për të cilën diskutimet dhe spekulimet nuk kanë rreshtur.
Në monografinë Ismail Qemali (1962) ai shkroi :
‘’Le ta marrim si testament letrën që na ka mbetur nga ato të fundit, dhe të cilën e ka shkruar vetëm katër ditë para vdekjes: "Sot është dita vendimtare për Shqipërinë: Do të ngjallemi apo do të vdesim. Të kisha marrë të holla do të hidhesha gjer atje për një marrëveshje të plotë me gjithë atdhetarët e Amerikës. Po pas marrëveshjes me qeverinë, e gjeta të nevojshme të vajturit në Romë. Së andejmi mund të bëja një marrëveshje me gjithë shqiptarët e Shqipërisë për të vendosur veprimin kombëtar në këtë kohë kaq të rrezikshme dhe t'i japim fund hartimit të programit. Nga Italia kam uzdajë të bëj të nisen prej Shqipërisë së sipërme, të mesme e të poshtme, tre a gjashtë delegatë të cilët me delegatët e Amerikës të vemi në Pariz për t'i propozuar konferencës kërkesat dhe të drejtat e Shqipërisë...
Pas kësaj letre, i thirrur nga Qeveria e Romës, ai u nis për në Itali. Në Peruxhia i erdhi urdhëri të presë atje sepse ata që e kishin ftuar Kryeministri dhe Ministri i Punëve të jashtme të Italisë, nuk ndodheshin në Kryeqytet. Ismail Qemali, i tronditur nga kjo dredhi, nuk u përmbajt dot dhe thirri: 'Më hëngër me të pabesë!" se e kuptoi që e ftuan për ta izoluar në Itali. Etemi, biri i Ismail Qemalit, ia ka treguar kryetarit të Bashkisë, Ali Asllanit, qëndrimin e tyre në Peruxhia kështu: "Një ditë i përgatitën Ismail Qemalit një konferencë për gazetarët. Pas buke, Ismail Qemali hyri në sallonin ku e prisnin korrespondentët. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur dhe i lëkundur, nisi të belbëzojë e të mos i lidhte dot fjalët. Kërkoi ta shpinin në odë e banjës. Atje e mbyti shkuma e të vjellët... Ismail Qemali vdiq më 24 janar 1919. Kufomën e mbajtën në Peruxhia edhe nja dy javë që ta "baslamosnin" dhe e nisën për në Vlorë më 9 shkurt. Në fakt ja nxuarë gjithë të brendshmet që të mos i linin asnjë shenjë në rast autopsie"… Kur të dihet shkaku i vërtetë i vdekjes së tij, Ismail Qemali do të qëndrojë jo vetëm në krye të shtyllës së pionierëve, por edhe në krye të shtyllës së dëshmorëve të Shqipërisë sonë të rilindjes." 9. (S.Luarasi, Ismail Qemali, 1962, f.89-90)
Nga sa shkruhet: Etemi, biri i Ismail Qemalit, ia ka treguar kryetarit të Bashkisë, Ali Asllanit, për vdekjen e I.Qemalit, Ali Asllani është referues dhe jo dëshmitar. Gjithashtu askund nuk përmendet fjala helmim, por aludohet me autopsinë. I theksojmë këto pika në ballafaqim me ditarin e akademikut Dhimitër Shuteriqi dhe sajesat e disa historianëve.

Trillim, nga kush dhe përse?!
Dhimitër S. Shuteriqi në ditarin e tij, datë 22 shkurt 1966, ka shkruar që së bashku me Odhise Paskalin, Abdullah Cangonjin dhe bashkëshorten Mynever ka vizituar Ali Asllanin e sëmurë, kur ai tregoi se si vdiq Ismail Qemali. ‘’Po kopjoj ç’tha, nga sa shkrova kur ai fliste (pasi i mora leje që të shënoj).’’
Ndër të tjera Shuteriqi shkruan se Ali Asllani i ka thënë:
‘’Përjashta u hap lajmi se I. Qemalin e helmatisën italianët… Pas buke më thonë të pyes qysh ngjau kjo vdekje e papritur dhe pyes djemtë e I. Qemalit. Tahir beu tregon:’’…Me nderime dhe me tren të posaçëm vajtëm në Peruxhia dhe u vendosëm në një hotel. Atje qëndruam disa ditë dhe babai kërkoi prapë gazetarë, të cilët erdhën. Po atë kohë që u ngrit të flasë, për çudi nuk i lidhte dot mendimet! U çua dhe me ngut vajti në banjë prej ku dëgjuam të na thërrasë: Evladëm! Evladëm! E gjetëm duke vjellë e duke pëgërë, e ngritëm dhe e vumë në shtrat. Të nesërmen vdiq dhe ne telegrafuam në Vlorë.’’
Kështu na ka treguar Tahir beu thotë Ali Asllani. Unë përsëris çfarë kam dëgjuar dhe nuk kam asnjë siguri se vërtet italianët e vranë I. Qemalin. Këtë s’e kam vërtetuar dot. Them si dëgjova nga djali i tij i madh Tahir beu dhe si e dëgjuan aty dhe të tjerë. Populli besonte se e helmuan, po këto nuk thuheshin sheshit, se italianët qenë brenda në Vlorë dhe kishin një pjesë të mirë të jugut….Këto ja kam treguar edhe Skënder Luarasit, po ai i këmbeu. Unë sthem dot se italianët e helmuan siç më ka bërë ai të them në librin e tij mbi I. Qemalin. Më erdhi keq kur ja këndova dhe ja thashë. E pranoi se qe gabim shtypi. I kërkova deklaratë që unë si kam thënë një gjë të tillë; më tha se do ta ndreq gabimin kur të shkruaj një gjë më të gjatë për I. Qemalin. U zemëruam e u ftohëm. Skënder Luarasi ka shkruar se I. Qemali qe nisur të vijë në Shqipëri. Kjo nuk qe e mundur. Në Shqipëri qe pushtimi italian.
Ai nuk donte të ishte nën Piacentinin, i cili do ta mbante si në kuvli të artë. Këtë i kishte propozuar edhe Esat Toptani I. Qemalit, po ky se pranoi dhe nuk i vajti.’’ 9. (Dhimitër Shuteriqi. Ali Asllani për Ismail Qemalin) http://www.voalonline.ch/index.php?mod=article&cat=KËNDIISHKRIMTARIT&article=27224
Nga data e ditarit të Dhimitër Shuteriqit (22.2. 1966 ) rrjedh se pretendimi i Ali Asllanit, sipas versionit të Dhimitër Shuteriqit, duhej të bazohej tek libri i Skënder Luarasit ‘’Ismail Qemali-Jeta dhe vepra’’ i vitit 1962, f. 89 ( i ribotuar edhe më 1972 dhe në Kosovë në vitin 1971). Por kushdo mund ta verifikojë që në këto botime, S.Luarasi shkruan se Etemi , biri i Ismail Qemalit (dhe jo Tahiri!) ia ka treguar ngjarjen kryetarit të Bashkisë, Ali Asllanit. Kështu e dinë të gjithë që i janë referuar A.Asllanit. Gjithashtu nuk shkruhet asgjëkundi nga Skënder Luarasi se A.Asllani e deklaroi helmimin e I.Qemalit, as se në atë kohë I. Qemali qe nisur të vijë në Shqipëri!!! Natyrshëm lind pyetja: Nëse Skënder Luarasi nuk ka shkruar asgjëkundi çfarë pretendohet nga Dhimitër Shuteriqi të jetë shprehur Ali Asllani, atëhere nuk qëndron as paragrafi: ‘’Këto ja kam treguar edhe Skënder Luarasit, po ai i këmbeu...’’ Si mundet Skënder Luarasi të korrigjonte atë që nuk e kishte shkruar?!
Në kujtimet e tij dhe publikimet në media nga studjues gazetarë, hasen shumë sajesa mbi kinse çfarë ka thënë e shkruar Skënder Luarasi.
Miq të vjetër si Ali Asllani, Thoma Papapano i kanë treguar sajesat që u kanë servirur për ti armiqësuar në kohën e diktaturës.
Skënder Luarasi kujton: ‘’Me Ali Asllanin patëm qenë njohur në Sofje ku qe ministër i Shqipërisë, më 1927, gjatë një udhëtimi që bëra festave të Pashkës së Madhe nga Vjena nëpër Danub, në Lom e Sofje. Këtu ai më ftoi për drekë në kryeqytetin e Bullgarisë dhe më dha vizë për të vazhduar shëtitjen time gjer në Stamboll…Shpesh vija në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, i sëmurë siç isha, me ndjenjën se po shërohesha nga vegimet e bukura kur bëja krahasimin midis së kaluarës së hidhur dhe të ardhmes së lumtur të atdheut. Doja të kisha shëndet e gëzime që të punoja por nuk po më ndaheshin provokacionet dhe shpifjet. Piqesha në Klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve edhe me Ali Asllanin. Nga mosha isha më afër tij, prandaj ndoshta na hahej muhabeti aq shumë. Një herë, më priti në klub i zemëruar. - Për gjëra që kanë ndodhur kur ti, Skënder, s’ke qenë këtu, pyet ata që i dinë mirë. Isha kryetar i bashkisë së Vlorës. Më ftuan në një luftanije italiane. Vajta. Përnjëherësh vapori u nis dhe më zbriti në Bari. Pa ditur asgjë vetë më paraqitën në komisionin që kish arrirë për t’i shpënë kurorën e Skënderbeut mbretit të Italisë. A e kupton dot se në çpozitë u ndodha?’’
-Po pse ma tregon mua këtë ngjarje? e pyeta.
-Se ke folur kundër meje në komisjonin e Lidhjes!
-Po nga mund të flisja për një gjë të tillë kur unë sot po e dëgjoj për të parën herë çtë paska ndodhur? iu përgjegja.
Thoma Papapanon e pata njohur në Gjirokastër atë ditë qershori 1920, kur u ktheva nga Sh.B.A. dhe banda Vatra marshonte nga Tepelena drejt Vlorës për të ngritur atje flamurin e Skënderbeut për të dytën herë…’’
Një ditë mori prej Thoma Papapanos një letër ( Gjirokastër, më 18.8.1963)ku i shkruante se sa herë dhe kur kishte shkuar në Itali: ‘’Prej nëntorit 1923 sytë e mi s’e kanë parë tokën italiane.Thuaju atyre që të kanë thënë se Thomai i Papapanos ka shkuar në Itali edhe ndonjë herë tjetër: ‘’Jini rrenashë të poshtër!’’ Thomai.
Kur u poqa me mikun tim të vjetër në Tiranë dhe e pyeta se ç’më interesonte mua sa herë pati qenë ai në Itali, më bëri po atë akuzë që më pat bërë Ali Asllani. Veç se miku im vlonjat ma tregoi me emër intrigantin, kurse gjirokastriti mik nuk m’i tregoi, që të vija dhe tu thosha: Jini rrenashë të poshtër! Merimangat po mbështillnin cergat rreth meje dhe mua më mungonin shamitë tu lidhja gojën intrigantëve’’.
Kohët e fundit janë botuar e ribotuar disa shkrime (nga F. Balliu, B.Velaj etj) se kinse Skënder Luarasi e ka shpallur dhe mbrojtur i pari tezën e helmimit të Ismail Qemalit:
‘’Këtë tezë, e cila më parë qarkullonte në heshtje, e shpalli publikisht Skënder Luarasi në biografinë që ai botoi për Ismail Qemalin në vitin 1962. Skënder Luarasi shkruan tekstualisht se kur I. Qemali mori vesh se edhe Kryeministri italian u largua për në Paris pa iu përgjigjur fare kërkesës së tij, u revoltua jashtë mase. "Më prenë në besë", paskësh thënë plaku i prekur thellë në sedrën e vet... Megjithatë, vazhdon S. Luarasi, shkaku i vërtetë i vdekjes duhet të ketë qenë një dozë helmi e dhënë nga një dorë e fshehtë para konferencës së shtypit.’’ 10. (Fatjon Balliu, Vdekja dhe varrimet e Ismail Qemalit ) http://www.albaniapress.com/lajme/10392/Vdekja-dhe-varrimet-e-Ismail-Qemalit.html
Normalish një pohim kaq i rëndësishëm, duhej të propagandohej në media vetëm po të bazohej në referenca. Derisa nuk ekziston, as tek botimet e librit të Skënder Luarasit, teza përmban jo vetëm lajm sensacional, por edhe shpifje me sanksione penale. Në monografinë e tij mbi Ismail Qemalin, ndonëse nuk e përmend helmimin, Skënder Luarasi ka theksuar se atë e balsamosën që të mos i linin asnjë shenjë në rast autopsie. Kështu ai shprehte dyshimin e tij si historian objektiv për rrjedhën e ngjarjeve duke u bazuar në disa të dhëna, mbi të gjitha nga dëshmia e të birit Qazim Ismail- Vlora, i cili u helmua po atë ditë së bashku me të atin. Ai i mbijetoi helmimit, por me pasoja shëndetësore gjatë tërë jetës së tij, me sëmundje kronike në fyt.

Kujtimet ‘’Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’
S.Luarasi filloi të shkruante kujtimet e tij, të titulluara ‘’Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’ ( të lëna në formë të daktilografur, në dorëshkrim dhe me indikacione) kur e nxorrën në pension në fund të viteve 60-të, në një periudhë kur sundonte terrori, kur nëpërkëmbej liria e fjalës dhe e vërteta historike mbi ngjarje e personalitete madhore kombëtare si dhe kur nuk dihej se si do të përfundonte jeta e tij.
Në atë situatë ai shkroi mbi idealin e tij dhe mbrojtjen e së vërtetës historike: ‘’ …Duke qenë, pra, ai që jam, them se kam vepruar kështu për dy arsye: Së pari, e kam ndjerë veten të lidhur me atdhenë gjithë jetën time. Shprehem kështu që të mos përdor fjalën patriotizëm, me të cilën janë bërë aq shumë spekullime. Së dyti, kam dashur që në këtë atdhe populli të bënte një jetë të njerëzishme, me drejtësi dhe barazi shoqërore, që secili të gëzonte frutet e punës së vet, të nderohej si qytetar i plotë e të mos rronte njeri në kurriz të tjetrit. Shprehem kështu që të mos përdor fjalën socializëm, me të cilën nuk janë bërë më pak spekullime… Më bie të flas për një periudhë gjatë së cilës kanë ndodhur ngjarje me rëndësi historike të jashtëzakonshme …Dhe përse u kthehemi këtyre ditëve? Thuhet se i vetmi mësim që
nxjerrim nga historia është se prej saj nuk mund të nxjerrim asnjë mësim. Por jo, mund dhe duhet të nxirret. Epo, përse nuk nxirret?
Mua më duket se njerëzit i rrëmben me vete lumi i jetës dhe vështrojnë përpara. Ajo që na pret përpara është e lidhur me atë që kemi lënë prapa shpine dhe që koha sa më shumë shkon aq më shumë e mjegullon. Dihet se me moshën dobësohet kujtesa por historinë nuk e shtrembëron vetëm skleroza e trurit. Ka edhe interesa e pasione të poshtra, të egra, barbare, gjer në atë gradë sa stë besohet se mund të ketë të tilla. Njerëz me këto vese kanë guxim të kërkojnë prej historisë jo vetëm përligjen, por edhe lavdinë në fron të nderit! Prandaj na dhimbset e vërteta në histori dhe do të isha i lumtur të ndriçoja përmes këtyre kujtimeve, në dritën e së vërtetës, qoftë edhe ndonjë ngjarje ose personë të kësaj historie të së kaluarës, se ja që do sdo vjen një kohë kur duhet të bëjmë bilancin e jetës e ti japim përgjigjen shoqërisë: Çi lamë vendit? Epo unë? Vetëm fjalë: ja, këta kujtime. Mirpo fjala është forcë, është vlerë. Thuhet: Në fillim qe Fjala. Por jo fjala sido-kudo. Për kombin tonë qe fjala shqipe. Kjo Fjalë, që u shkrua në Abetare dhe përhapi Dritën, ngriti Shqipërinë. Qofshin edhe këto kujtime pjesë të fjalës shqipe’’.
Këtyre kujtimeve ai i shtoi dedikimin: ''E shkruaj për vogëlushin tim, Petron, që të dijë kush qe i ati kur të më jetë kyçur goja për fare''. Ky ishte një nder e motivim për të birin, ende të parrahur me jetën, por edhe detyrim përkushtimi për t'ia ruajtur të pacënuar emrin dhe nderin e gjenin paraardhës, origjinalitetin e mendimeve të autorit, por edhe ta ringjallte duke vijuar idealet e misionin, të provonte dhe sqaronte publikisht mjaft çështje, sajesa e spekulime në vitet e mëvonshme, kur për mbarësi edhe do të gëzonte liri fjale. Pjesë të këtyre kujtimeve u publikuan nga media duke ngjallur entuziazëm, vlerësime e replika, edhe për keqkuptime nga gabime shtypi, perifrazime, komente apo edhe diçitura të gabuara fotosh. Këta faktorë e rritën përgjegjshmërinë e publikimit, nxitën sqarimin me referenca e dokumenta të çështjeve, por edhe zgjeruan lëndën bazë të kujtimeve të Skënder Luarasit me fakte, dokumenta e referenca, analiza e opinione, të mbledhura gjatë një periudhe 30-vjeçare pas ndarjes së S.Luarasit nga jeta. Mendojmë se polemikat e debatet, kur i ndihmojnë zbardhjes së të vërtetës, kanë vlerë dhe e justifikojnë kohën e humbur.
 
Nderim në Ditën Botërore të Përkthimit

Nderim në Ditën Botërore të Përkthimit
Në Ditën Botërore të Përkthimit nderoj me respekt të thellë kujtimin dhe kontributin edhe të dhjetra shqipëruesve të cilët me përkushtim e talent ditën ta ngrenë gjuhën shqipe në rangun e gjuhëve botërore duke përkthyer me dhjetra kryevepra.
Në këtë ditë përkujtoj edhe tim atë Skënder Luarasin (1900-1982) i cili që në moshën 19-vjeçare nisi rrugën e përkthimeve duke arritur që t’u dhurojë bashkëkombësve shqiptarëve mbi 30 vepra të letërsisë botërore. Por edhe sa përpjekje për t’i botuar e ribotuar deri në ditët e sotme në përballlje me …

Shqipërimet e Skënder Luarasit

1) Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang von Goethe)
1.Faust (Faust)
2.Gëci i Berlihingenit (Gotz von Berlichingen)
2)Uiliam Shekspir (William Shakespeare),
1.Rikardi II (Richard II)
2.Rikardi III (Richard III),
3.Tregtari i Venedikut (Merchant of Venice)
4.Komedia e gabimeve (Comedy of Errors)
5.Mbreti Lir (King Lear)
6.Si ta doni (As You Like It)
3)Fridrih Shiler (Johann Christoph Friedrich von Schiller)
1.Cubat (The Robbers)
2.Fiesko (Fiesco)
3.Intrigë e dashuri (Intrigue and Love),
4.Vilhelm Tel (William Tell)
5.Don Karlos (Don Carlos).
6.Vajza e Orleanit (Die jungfrau von Orleans)
4)Ualt Uitman (Walt Whitman)
1.Fije bari (Leaves of Grass),
5)Xhorxh Bajron (George Byron)
1.Çajld Harold (Childe Harold's Pilgrimage)
6)Aleksandër Pushkin (Aleksander Sergejeviç Pushkin)
1.Boris Godunov
7)Alfred Tenison (Lord Alfred Tennyson).
1.Enoh Arden (Enoch Arden)
8)Gotold Lesing (Gotthold Ephraim Lessing)
1.Emilia Galoti (Emilia Galotti)
9)Aleksandër Ostrovski
1.Shtrëngata
10)Lope de Vega (Lope Felix de Vega Carpio)
1.Fuente Ovehuna
11)Oskar Uaild (Oscar Wilde)
1.Përralla të zgjedhura
12)Çarls Dikens (Charles Dickens)
1.Oliver Tuist
13)Kalidasa
1.Sakuntala
14)Xhon Milton (John Milton)
1.Samson Agonites
15)Tomas Uinkop
1.Skënderbeu
16) Morton F. Eden
1.Shqipëria dhe pakënaqësit e saj
17)Henri Uodsuërth Longfellou (Henry Wadsworth Longfellou)
1.Kënga e Hajavathës
18) Stavro Skëndi
1.Zgjimi kombëtar shqiptar : 1878-1912
19)Gribojedov
1. Mjerë kush ka mend ( i pa botuar)
20) Guilherme Figueiredo
1.Këtu fjeti një perëndi (i pa botuar) - etj
 
Përgjigje e: Skënder Luarasi

Petro Luarasi: Skënder Luarasi në tempullin shilerian.

Bota e qytetëruar nderon kujtimin e kolosit të kulturës gjermane Fridrih Shiler (Johann Christoph Friedrich von Schiller, 10.11.1759 – 9.5.1805) kushtrimi i të cilit për unitet dhe liri të njerëzimit (në vargjet ‘’Ode gëzimit’’) nën ritmin e muzikës bet’hoviane (‘’Simfonia e nëntë’’) mishëron himnin dhe vizionin e Bashkimit Europian. Nga mesazhet universale të tempullit vezullues shilerian, ka fituar dije, shpresë dhe kurajo për liri e dinjitet edhe kombi shqiptar.
Këto ditë Shtëpia botuese ‘’Berati’’, Prizren, Kosove, ka nisur botimin e shqiperimeve te Skënder Luarasit duke i ofruar lexuesit te kulturuar shqiptar 6 vepra te dramaturgut me te shquar gjerman Fridrih Shiler (Friedrich Schiller) : ‘’Vilhelm Teli’’ (‘’Wilhelm Tell’’) , ‘’Intrigë e dashuri’’(‘’Kabale und Liebe’’), ‘’Hajdutët’’ (‘’Die Räuber’’), ‘’Fiesko’’ (‘’Fiesco’’) , ‘’Vajza e Orleansit’’ ( ‘’Die Jungfrau von Orleans’’) dhe ‘’Don Karlos’’( ‘’Don Karlos’’)
Është një ngjarje e lumtur për kulturën shqiptare që Skënder Luarasi u njoh në rini me veprën e Shilerit, u dashurua me dramaturgjinë, me romantizmin, sidomos me natyrën e mesazheve universal të tij drejtuar brezave, të cilat e frymëzuan për t’ i shqipëruar gjashtë veprat. Ai realizoi edhe një dëshirë të hershme të udhëheqësit të tij Fan S. Nolit, me orientimin letrar e politik të të cilit bashkohej edhe ajka e inteligjencies progresive shqiptare. Imzot Fan S. Noli, theksonte se këto vepra të Shilerit duhen më tepër për popullin tonë të skllavëruar, sa për botimin e tyre ’’edhe për këtë ka Perëndia’’.
Skënder Luarasi, personaliteti ku ngjizet atdhetari i përkushtuar, mësuesi edukator, historiani, gjuhëtari, shkrimtari e dramaturgu, i kushtonte vëmendje të madhe përzgjedhjes së autorit e veprës që ti shërbente sa më mirë kombit shqiptar, inteligjencies e nxënësve të tij. Ai vlerësonte përmbajtjes dhe formën e veprës, stilin, ritmin, muzikalitetin të ndërthurur me fjalë të rralla e të reja që pasuronin gjuhën shqipe. Përdorte njohjen e thellë të gjuhëve të huaja, arsimimin cilësor dhe dijet e fituara, në mënyrë që përkthimi të vlente për lexim të lirë, për hartime, aktivitete mësimore-edukative dhe për shfaqje teatrale.
“Merrni cilëndo vepër që Skënder Luarasi ka përkthyer në shqip. Do të vini re menjëherë koherencën e stilit, pasurinë dhe begatinë e shqipëruesit, natyrshmërinë e konteksteve dhe frymën e lartë të komunikimit. Po do të pikasni menjëherë vrullin e ritmit, qoftë në prozë, qoftë në poezi, gjallërinë dhe ekspresivitetin e dialogut dhe monologëve dramatikë, peshën dhe saktësinë e fjalës, bukurinë e shprehjes dhe buisjen e përfytyrimeve te cilido lexues.” 2 (A. Kallulli: Shqipërimet e Skënder Luarasit janë Fanoliane, Drita, 16.1.2000, f.7)
Rezultatin e kësaj pune mjeshtërore në dobi të arsimit dhe kulturës kombëtare e dëshmojnë lexues, nxënës e kolegë të tij, regjisorë e aktorë që duhen evidentuar ndër studime e programe akademike. I talentuar nga natyra dhe me punë këmbëngulëse, Skënder Luarasi kreu organizimin dhe drejtimin e shoqatave dhe grupeve amatore teatrale të nxënësve në Shkollën Teknike të Tiranës, Institutin Tregëtar të Vlorës, në gjimnazin e Shkodrës dhe Konviktin e tij “Malet tona” si edhe në gjimnazin e Tiranës. Në këto aktivitete ai synonte të njiheshin dhe shfaqeshin pjesë me karakter edukativ e patriotik dhe tematika që i duhej shoqërisë.
Me ardhjen e mësuesit të letërsisë Skënder Luarasi në Institutin Tregëtar të Vlorës “u gjallërua më shumë edukimi patriotik dhe demokratik i nxënësve nëpërmjet procesit mësimor dhe lëvizjes kulturale artistike. Nxënësit shfaqën dramën ‘’Vilhelm Teli’’ (fragmente) dhe ‘’Agimi i Lirisë‘’(i Skënder Luarasit) me rastin e festës së 28 nëntorit të 1932. “Dramat ‘’Vilhelm Teli’’ apo ‘’Klubi i Selanikut’’ kanë patur jehonë mjaft të madhe në atë kohë…” (K. S. Xhani. Instituti Tregëtar i Vlorës, Kujtime.) Ndërsa në gjimnazin e Shkodrës ‘’jo pa qëllim nxënësit deshën të vinin në skenë, në fillim të vitit 1934, në kohën e tensionit të marrëdhënieve shqiptaro-italiane, dorëshkrimin e S.Luarasit, dramën ‘’Liria’’ 3 (Petro Luarasi, Skënder Luarasi personaliteti, veprimtaria dhe vepra letrare, studim. http://www.forum-al.com/showthread.php?t=15197&page=2)
Skënder Luarasi edhe përmes veprave të Shilerit ka ndikuar në personalitetin, profesionalizmin dhe edukimin ideo-profesional të disa breznive lexuesish, tek nxënës si Qemal Stafa, Fadil Hoxha, Arshi Pipa, Vasil Llazari, intelektualë si Migjeni e Aleks Buda, regjisorët Sokrat Mio, Xhemal Broja, Mihal Luarasi e Drita Agolli. Me personazhet e dramave ‘’Vilhelm Teli’’ dhe ‘’Intrigë e Dashuri’’ (‘’Luiza Miler’’) janë edukuar dhe krenohen që i kanë interpretuar plejada e ndritur e aktrimit shqiptar: Aleksandër Prosi, Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Drita Pelingu, Marie Logoreci, Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Edmond Budina, Antoneta Papapavli, Elida Janushi, Yllka Mujo, apo më e reja e talentuar, Cubi Metka.
Regjisorë e aktorë dëshmojnë për marrëdhëniet me Skënder Luarasi, komunikimin e drejtpërdrejtë për përgatitjet e mbarëvajtjen e shfaqjeve.
‘’Vilhelm Teli’’
Skënder Luarasi e përktheu veprën “Vilhelm Teli” të Shilerit në kohën kur në Shqipëri sundonte mjerimi, malarja e analfabetizmi, terrori e përgjimi (‘’kishte gardhi veshë e muri sy”) që të ndizte pakëz dritë lirie e drejtësie.
Prej dramave të Shilerit, ”Vilhelm Teli” është i pari përkthim i plotë në gjuhën shqipe. U botua nga Shtypshkronja ”Gutemberg” në Tiranë më 1934 dhe u vlerësua shumë. Edhe tirazhi prej pesëmijë kopjesh i botimit të dytë ( ”Vilhelm Teli” , Stamles, Durrës,1936) u shit në një kohë të shkurtër. Në revistën ”Flaga” të Korçës (qershor 1935) shkruhej: ”Letërsia jonë e varfër u pasurua tani me shqipërimin e denjë të një vepre klasike nga më të mirat e literaturës gjermane…Ajo është një kryevepër ku mbrohet liria dhe të drejtat e njeriut, të cilat janë të vjetra sa edhe ekzistenca e njeriut vetë. Vilhelm Teli ka dalë kaq mirë në shqip, sa duhet të ndjejmë një farë mburrje që gjuha jonë qënka e zonja t’i japë bukur në kuptimin e tyre të plotë e të gjallë ndjenjat më të larta e më të thella të zëmrës njerëzore.”
”Vilhelm Teli” u bë libër i kërkuar për shkollën shqipe dhe inteligjencën e re progresive. Pjesë të dramës u shfaqën në teatrot e konvikteve ndërsa botimi i dytë, u pranua edhe si tekst shkollor prej Ministrisë së Arsimit me titullar Mirash Ivanajn.
Mësuesi Izet Bebeziqi, në gazetën”Kombi”, Vlorë, mars 1938, analizon brendinë e dramës ”Vilhelm Teli’’duke theksuar: ”Shigjetën e Telit e presin tani plot fise e popuj, që mjerisht vuajnë nën thundrën e tiranëve”. 4 (Skënder Luarasi, Shileri në Shqipëri, Nëntori, maj, f.170-174)
Subjektin e dramës mësuesi i letërsisë Skënder Luarasi e përdori për komente dhe tema hartimi (‘’E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë…’’ dhe ‘’Atdheut besnik t’i qëndroni…’’)
Shtypi i kohës e theksonte talentin e shqipëruesit Luarasi: ‘’kemi edhe përkthyesa që janë punëtorë, të aftë, të zellshëm,të cilët na kanë falur përkthime kryeveprash të vështira. Në krye të tyre qëndron Skënder Luarasi me Sakuntalën e Kalidasës, Vilhelm Tell-in e Schillerit dhe Novelat e Oscar Wilde…’’ 5 (Vilhelm Teli, Illyria, 15 korrik 1934, f.3)
Një student i tij shkruante:’’ Bota shqiptare e njeh Shilerin nga drama e tij e famshme ‘’ Vilhelm Tel’’që na është dhënë ne shqiptarëve me përkthimin e shkëlqyer nga një mësues i gjuhës sonë. Ajo u ka rrëmbyer zemrën të gjithëve’’ 6 (Tomorri i vogël, 10.5.1934)
Et’hem Haxhiademi vlerësonte se ‘’ Zoti Skënder Luarasi i cili ka ditur kaq bukur të përkthejë me gjithë hollësirat e saj këtë kryevepër e cila e mëson rininë të dojë dhe të mbrojë lirinë, letrarët e pakët shqiptarë duhet ta përgëzojnë dhe ta urojnë nxehtësisht.Nga pjesa ime përkthimin e Luarasit dua ta quaj një nga përkthimet më të goditura që janë ba deri sot në Shqipëri.’’ 7
( Et’hem Haxhiademi, Vilhelm Teli i Shilerit, Demokratia’’, 23.9.1934, f.3)
Ndërsa gazeta ‘’Besa’’ njoftonte se Akademia Gjermane e Munchen-it i dha Skënder Luarasti medaljen e argjendtë për përkthimin e veprës ‘’Wilhelm Tell’’.
Tashmë‘’Vilhelm Teli’’ është një nga përkthimet e mirënjohura për lexuesin e kulturuar shqiptar me tetë ribotime në Shqipëri e Kosovë.
Disa akte të dramës të përshtatura nga Skënder Luarasi, janë interpretuar nga nxënësit në ambjentet e Shkollës Tregëtare të Vlorës, në Gjimnazin e Shkodrës dhe në Konviktin ‘’Malet tona’’. Vlerat dhe mesazhet edukative-atdhetare të ”Vilhelm Telit’’ dhe peripecitë për shfaqjen e saj i kanë përmendur mjaft nxënës e intelektuale, si poeti Migjeni, pedagogu Aleks Buda, regjizori Xhemal Broja apo aktorët Sandër Prosi e Naim Frashëri.
Porse duhej të kalonin mbi 70 vjet që për herë të parë të jepej e plotë drama “Vilhelm Teli” sipas shqipërimit të Skënder Luarasit. Në muajin janar 2006 trupa e studentëve të Akademisë së Arteve me regjisor Milto Kutalin dhe skenograf Erald Bakallin e shfaqi dramën në skenat e teatrove të Korçës, Pogradecit, Durrësit, Shkodrës, Fierit, Vlorës dhe Elbasanit. Disa nga aktorët qenë studentët Elis Mataj, Alban Krasniqi, Kushtrim Emërllahu, Bekim Guri, Anisa Dervishi, Klodiana Keco, Loredana Gjeçi, Cubi Metka, etj.
Në skenat teatrore shqiptare buçiti kushtrimi shilerian :
Prej kësaj koke, ku vendosën mollën,
Liri e re më e mirë do blerojë;
E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,
Një jetë e re po lulëzon gërmadhash.
Interesimi i madh i spektatorëve të shumtë provoi që “Vilhelm Teli” edhe në ditet e sotme çmohet për vlerat universale.
Projekti u realizua nga bashkëpunimi i Akademisë së Arteve me Ambasadën Zviceriane dhe me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si edhe të disa subjekteve private.
\
Dramat në Prozë
Dramat e Shilerit ‘’Intrigë e dashuri’’ (1955), ‘’Hajdutët’’ (1958) dhe ‘’Përbetimi i Fieskos’’ (1958) të shqipëruara nga Skënder Luarasi, janë publikuar më vete ose të përmbledhura nën titullin ‘’Dramat në prozë‘’. Ato janë të mirënjohura në teatër nga interpretimet virtuoze të Aleksandër Moisiut (dramat ‘’Hajdutët’’ e ‘’Fjesko’’) dhe prej aktorëve të shquar të Teatrit Kombëtar (‘’Intrigë e dashuri’’ ose ‘’Luiza Miler’’ me regji të Mihal Luarasit e Drita Agollit)
Thuhet se për dramën ‘’Intrigë e dashuri’’ u përdorën dy emërtime dhe dy regji në kohë të ndryshme (1957 dhe 1979) meqë ‘’kuptimi i komunikimit artistik për pjesët klasike nga ana e Teatrit Kombëtar është parë më fort i lidhur me të kuptuarit e bashkëkohësisë.’’ Kështu anashkalohej faktori konjuktural politik, dënimi i regjisorit të shquar Mihal Luarasit. Ai në përfundim të studimeve në Hungari, si regjisor teatri, realizoi dy punë për mbrojtjen e diplomës: dramën e Leon Tolstoit, “Pushteti i Erresires” dhe në Shqipëri tragjedinë e Shilerit “Intrigë e dashuri” ku interpretuan aktorët Naim Frashëri, Loro Kovaçi, Prokop Mima, Sander Prosi, Maria Loloreci, etj. Suksesi qe i jashtëzakonshëm. Premiera e dramës u dha më 10 janar 1957 dhe deri më 14 qershor 1959 u shfaq 28 herë, me 17661 spektatorë, në një sallë ku nuk pati asnjëherë vend bosh. Aktori Naim Frashëri, nxënësi që donte të luante rolin e Melhatalit tek ‘’Vilhelm Teli’’, në shfaqjen e ndaluar nga fashistët më 1943, në vitin 1955 u nderua me ‘’çmimin e Republikës’’ për rolin e Ferdinandit tek ‘’Intrigë e Dashuri’’.
Mihal Luarasi mendon që drama “Dhelpra dhe rrushtë” dhe “Intrigë e dashuri”, së bashku me ngjarjet e tjera, çuan në mospëlqimin e veprave të tij nga sistemi dhe partia në pushtet. Luftëtari antifashisti, atdhetari dhe regjisori i talentuar i kushedi sa shfaqjeve të suksesshme u dënua si armik me 7 vjet burgim.
Vetë drama e Shilerit do të qe dënuar ‘’me vdekje’’ por e shpëtoi rastësia. Sulejman Dibra kujton një fakt interesant. Kur mendohej të rivihej në skenë tragjedia e Shilerit “Intrigë dhe dashuri ” (me regjisore Drita Agollin) ai me Reshat Arbanën shkuan për t’i mbushur mendjen Xhelil Gjonit, por ai nuk pranonte. Të nesërmen ai erdhi në Teatrin Kombëtar dhe kërkoi të falur sepse kishte lexuar se dikur Enver Hoxha kishte shkruar mirë për Shilerin dhe dramën “Intrigë e dashuri ”.
Aktori Edmond Budina tregon se regjisorja Drita Agolli qe shumë kërkuese dhe i thoshte: “Ti je fshatar, nuk je princ siç është Ferdinandi”. Kjo e bënte të vuante shumë, sepse punonte edhe pas provave… Pas shfaqjes e priste një burrë rreth 80 vjeç. Ishte Skënder Luarasi, përkthyesi i “Luiza Miler-it”, ‘’një nga kollosët shqiptarë, i cili kishte një mendje të ndritur’’. Ai i tha: “Ferdinandi je ti, edhe më shumë se ai i pari”…Nga ai moment pata miqësi me të, më ka dhënë librat që kishte në shtëpi për teatrin…’’ 8. (Valeria Dedaj, Interviste me aktorei Edmond Budina, Shekulli, 10.02. 2014www.shekulli.com.al/website/index.php?)
Aktorja Yllka Mujo thekson ndikimin që ka patur Luiza Mileri, si rol i plotë dhe tepër dramatik, tek personaliteti i saj dhe formimin si artiste.
‘’Ekziston nje veti e magjishme e rolit …Fillimisht, këtë e kam ndjerë shume fuqishëm te Luiza Miler. Kur ecja rrugës pas provave, ndieja që ecja krejt ndryshe, që mendoja krejt ndryshe, shumë herë më tepër se zakonisht, ngreja sytë nga qielli, shume herë me tepër se zakonisht, flisja me yjet ….Përfundimisht, për mendimin tim, roli ka te bejë shumë në formimin e personalitetit njeri aktor ose aktor njeri.’’9. (Irhan Jubica, Interviste me aktoren Yllka Mujo, 55, 4.5. 2009 http://albanianmovies.blogspot.com/2…1_archive.html)
Ajo kujton edhe porositë e Sandër Prosit dhe mesazhet universale të Shilerit, amanete brezave në skenë: “Si thoshe ti mjeshtër i skenës tek interpretoje muzikantin Miler të Shilerit, në kryeveprën “Intrigë e dashuri”: “Ju jeni kryeministër i vendit, por jo zoti i shtëpisë sime”. Dhe bija jote, Luiza Miler (Yllka Mujo) është bërë e tillë si e dëshiroje ti Sandër i shtrenjtë.’’10.
(P. Kabo, Një letër për fisnikun Aleksandër Prosi, Gazeta shqiptare, 24.3.2010, f. 1, 28 – 29)
Emocionet në interpretimin e dramës i kujtojnë me nostalgji shumë personalitete të teatrit shqiptar. Për Elida Janushin ‘’Luiza Miler ishte roli që i ka falur jetë në teatër’’, ndërsa studjuesi Përparim Kabo e cilëson ‘’himnin e dinjitetit të njeriut’’.
Botimi i dramës ‘’Intrigë e Dashuri’’ të shqipëruar nga Skënder Luarasi u mirëprit nga lexuesi dhe institucionet kulturore. Në vjeshtën e vitit 1955, Shefqet Musaraj e vizitoi në shtëpi S.Luarasin dhe i kërkoi një ekzemplar të dramës me autograf. Do të vizitonte Weimarin si përfaqësues i inteligjencies shqiptare dhe donte t’ia dhuronte librin Institutit ”Goethe-Schiller”.
Së andejmi i dërgoi një kartolinë me pamje të dhomës ku punonte Shileri:
” Të fala. Të kam kujtuar vazhdimisht këto ditë që po kaloj në Weimar”
Shefqet Musaraj Weimar, 1 tetor 1955
Kur u kthye në Tiranë, i tregoi shqipëruesit se me të hyrë në Institut i tha drejtorit që kishte sjellë dramën ”Intrigë e Dashuri” në shqip, t’ia dhuronte bibliotekës. Ai e porositi i entuziazmuar të vinte të nesërmen në orën dhjetë. Në sallën e festave, dy rreshta shkencëtarësh të veshur në ornat akademike po prisnin përfaqësuesin e kulturës shqiptare, i cili kaloi përmes burrash të mëdhenj nga trupi dhe nga mendja. Libri u vendos në bibliotekë me ceremoni dhe nderime për gjuhën shqipe e popullin shqiptar që di të çmojë vlerat e kulturës bortërore.”
Ndërsa shteti e kultura shqiptare nderohej, Skënder Luarasi nuk lejohej të merrte pjesë në asnjë aktivitet ndërkombëtar, as në Kosovën martire!
‘’Vajza e Orleansit’’
Vepra e Shilerit ‘’Vajza e Orleansit’’, e shqipëruar nga Skënder Luarasi, u botua nga InfBotues në vitin 2007. Ajo ishte planifikuar të botohej që në vitin 1960 nga Ndërmarja Shtetërore e Botimeve, por për shkaqe konjukturale u ndalua.
recenzentë tek Redaksia e letërsisë së huaj, shpreheshin se në dramën ’Vajza e Orleansit’’ Shileri kishte dobësi ideore, qe sentimental, idealist dhe figura e Zhanë d’Arkës, e rrethuar me një atmosferë mistike, bëhej ireale. Sipas tyre ‘’Shileri në këtë dramë jo vetëm që nuk është në pararojë të mendimit përparimtar të kohës së vet, siç ndodh në drama të tjera të njohura të tij, por mbetet në pozitat e një shkrimtari të cilin romantizmi i shkëputur nga jeta nuk e lejon të bëjë vlerësime objektive dhe të qëndrojë në një terren real. Ndonëse puna e përkthyesit në këtë vepër është e mirë kjo dramë nuk mund të botohet.’’
Përkundër mendimit kritik zyrtar, në debat me censorët, Skënder Luarasi theksonte se: ‘’ Shileri është i pari nga gjithë shkrimtarët, i cili shkroi me simpati për Zhanë d’Arkën. Gëteja e ka vlerësuar : ‘’Drama ‘’Vajza e Orleansit’’ është kaq e bukur sa nuk di me cilën ta krahasoj’’.
Autori nuk e ka kërkuar heroinën në botën ideale, por në botën reale: ajo është një vajzë e thjeshtë fshatare që bën veten fli për çlirim të atdheut. Ngjarjet e përshkruara në dramën e Shilerit janë reale, historike, vetëm se vdekja e Zhanës ngjau jo në zjarr por në fushën e luftës. Këtë ndryshim autori e ka bërë për efekt dramatik…Në ‘’Vajzën e Orleansit’’ Shileri dënon aristokracinë tradhëtare dhe shpreh besimin në forcat e popullit e në virtutet e tij morale të larta. Këtë e bën nëpërmjet një vajze trime, sypatrembur e të pushtuar nga dashuria për atdheun….Zhanë d’Arka në veprën e Shilerit ndrin si një shembull i dashurisë për atdhe. Përballë heroinës, vullneti i së cilës bën mrekullira, shohim pushtuesit anglezë tiranë, nënë-zezën mbretëreshë të zhveshur nga çdo motiv ideal, tradhëtarin dukë të Burgundit të etur për sundim e pasurim; mandej, edhe një mbret të zvetënuar e një aristokraci frënge të çartur, të pazonjën e mosmirënjohëse dhe klerin si mishërimin e së keqes e të djallëzisë.
‘’Kjo dramë përforcoi përgjithmonë popullaritetin e Shilerit dhe gjatë sundimit Napoleonik nxiti popullin gjerman në luftën nacional-çlirimtare të asaj kohe’’, këtë e pohon historia e letërsisë gjermane. Është përkthyer në të gjithë gjuhët e përparuara të botës.
Në gjuhën ruse e përktheu i pari Zhukovski dhe pas tij shumë e shumë të tjerë. Për këtë Bjelinski shkroi: ‘’Përkthimi i Zhukovskit ndihmoi letërsinë ruse ta bëjë të vetën këtë vepër të mrekullueshme’’. Çaikovski shkroi operën e tij ‘’Vajza e Orleansit’’ në bazë të dramës së Shilerit.
Çernishevski shkroi në ‘’Sovremenik’’, 1857: ‘’Poezia e Shilerit nuk do të vdesë kurrë. Vetëm njerëz zemërtharë e që nuk e njohin jetën mund ta quajnë Shilerin ëndërrues e sentimental. Poezia e Shilerit nuk është sentimentale e lojë fantazije të ëndërruar. Pathosi i poezisë së Shilerit është simpatia e flaktë për çdo gjë fisnike dhe të fortë në njerëzinë’’.
Herceni: ‘’Poezia e Shilerit kurrë nuk e humbi influencën e saj për mua. Kush e humbi shijen te Shileri është ose i mplakur, ose pedant ose i shterrur nga ndjenjat ose nuk është në vete’’.
Unë mendoj se ‘’Vajza e Orleansit’’ vlen të njihet edhe nga shqiptarët se ndihmon në rritjen e personalitetit të gruas shqiptare. Rinia shqiptare përmes kësaj vepre do të njohë më mirë kohën historike të luftës 100-vjeçare dhe heroizmat e Zhanë d’Arkës, e cila jetoi e luftoi në kohën e Skënderbeut, po për të cilën në gjuhën shqipe nuk është shkruar asgjë gjer tani.’’
Ndonëse dramat e Shilerit ’’Vajza e Orleansit’’ dhe “Don Karlos”, të shqipëruara nga Skënder Luarasi, u ndaluan për gjysëm shekulli, një pjesë e inteligjencies shqiptare është njohur ndër vite me subjektin dhe mesazhet e tyre, ndë mos nga literatura e huaj, nga realizimet kinematografike e teatrale. Drama ‘’Zhan D’ark’’ e Shilerit njihet nga filmi i famshëm ‘’Joan of Arc’’, i vitit 1948, ku Zhanën e luan Ingrid Bergman apo nga filmi sensacional ‘’Jeanne d’Arc’’ (‘’The Messenger: The Story of Joan of Arc’’) të vitit 1999 ku heroinën e luan Milla Jovovich.
Drama “Don Karlos”
Drama “Don Carlos”, është një nga veprat më të fuqishme të Shilerit, të cilin e shkroi
në vitet 1783-1787 . Premiera e saj u shfaq në verën e vitit 1787 me sukses të bujshëm. Në pesë aktet e dramës përshkruhen ngjarje mbi pushtimin spanjoll dhe luftës për liri të Holandës për tetëdhjetë vjet me radhë. Protagonistët janë mbreti Filipi II i Spanjës, djali i tij Don Karlos, mbretëresha Elisabet, markezi i Pozas, Duka i Albës.
Ngjarjet zhvillohen në vitin 1568 të traktatit të paqes mes Spanjës dhe Francës. Trashëgimtari i fronit të Spanjës Don Karlos pret të martohet me princeshën franceze Elisabetë, si shenjë pajtimi mes dy vendesh. Por Elisabeta detyrohet të martohet me Filipin II, mbretin e Spanjës dhe të atin e Don Karlosit. Të gjithë kundërshtarët e pushtetit, mes tyre edhe Don Karlos, shpallen heretikë e dënohen nga inkuizicioni. Në dramë ndëthuren me mjeshtëri kontradiktat politike, morale e klasore, konfliktet familjare dhe motivet e dashurisë.
Kontradikta politike është kryesorja, ndërsa motivi i dashurisë, ndonëse shumë i fortë, del në plan të dytë. Mbisundon teza politike mbi pamundësinë e një bashkëjetese mes absolutizmit të mbretit Filipi dhe liberalizmit të mishëruara në figurën e markezit të Pozës.
Përkthimi i Skënder Luarasit ishte planifikuar për botim nga drejtori i N. Sh. Botimeve, Drago Siliqi, sikurse dëshmohet në revistën “Nëntori’’ (artikulli “Shileri në shqip’’, nëntor, 1960: “Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve ka në plan për të botuar dramat: “Don Karlos’’ dhe “Vajza e Orleansit’’). Me rastin e 220-vjetorit të lindjes të Shilerit , në vitin 1979, u lejua të botohen fragmente të dramës ‘’Don Karlos’’ në gazetën ‘’Drita’’ ( Drita, 11.11.1979, f.15) dhe në revistën ‘’Nëntori’’( Nëntori, nr.10, 1979, f.240-251).
Në revistën ‘’Nëntori’’ shpjegohet : ‘’Drama e Shilerit, ‘’Don Karlos’’, kritikon ashpër despotizmin dhe inkuizicionin… Drama është një pasqyrë e shpirtit kryengritës të asaj kohe dhe shquhet për mbrojtjen e idealeve të lirisë…Kjo dramë u vu në repertor në Teatrin e Berlinit beharin e motit 1938, kur mercenarët e Hitlerit e të Musolinit ndihmonin Frankon kundër rezistencës së ushtrisë të Spanjës Republikane. ‘’Don Karlosi, Infanti i Spanjës’’ u ndalua të shfaqej në Gjermaninë e Hitlerit.’’
Enigmën e ndalimit të dramës ‘’Don Karlos’’ nuk e justifikonin as recenzentët. “Drama është shkruar në vargje pentametrike në jambe por pa rimë. Në një nivel të lartë artistik , me konfiguracion të vështirë e të fuqishëm ndërthurur me meditime dhe ndërfutje të thella filozofike, vepra paraqet vështirësi në të përkthyer.
Pra, si përfundim, me fare pak heqje (të pjesshme) vepra është shumë e mirë, e bukur, ka tingull të fortë aktual, vlen për edukimin ideorevolucionar dhe estetik të masave tona punonjëse.’’ (Afrim Koçi, Recensë)
Subjekti i dramës “Don Karlos” njihet edhe prej operës së famshme të Verdit që është ndër më të rëndësishmet vepra të repertorit operistik botëror. Ajo u shfaq në muajin maj 2011, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nga regjisori Nikolin Gurakuqi, me skenograf Alfredo Troisin e dirigjim koral nga Dritan Lumshi. Krahas 200 artistëve, shumica të huaj, spikati soprano shqiptare Sonila Baboçi, në rolin e mbretreshës Elisabeta.
Për shkaqe konjukturale politike, kjo vepër nuk u lejua të botohej në Shqipërinë popullore socialiste. Përkthimi me parathënien dhe shënimet përkatëse të Skënder Luarasit “humbën’’ në redaksinë e N. Sh. Botimeve. Shqipërimi i Skënder Luarasit u botua për herë të parë nga Onufri në vitin 2014, mbi bazën e dorëshkrimit.
Aktualiteti shilerianShileri, flamurtar i lirisë dhe barazisë së kombeve, ka shkruar për ‘’Vilhelm Telin’’ e Zvicrës dhe ‘’Don Karlosin’’ e Spanjës, për ‘’Zhan D’arkën’’ e Francës dhe ‘’Maria Stjuartin’’ e Anglinë duke u ndarë nga jeta mbi dorëshkrimet e ‘’Demitriusit’’ të Rusisë.
Ndaj ai nderohet e studjohet jo vetëm në Gjermani, por në gjithë botën e qytetëruar.
Himni i Evropës së Bashkuar është dëshmi e vlerësimit të kombeve europiane ndaj veprës vigane të poetit, dramaturgut e historianit Fridrih Shiler dhe mesazheve të tij universal për vëllazërimin dhe unitetin e kombeve. Tingujt e Himnit të BE të luajtur nga Orkestra Filharmonike e Kosovës pagëzuan shpalljen e Pavarësisë.
Studjuesi Zamir Zija Këlliçi, shef i Arkivit Historik të Teatrit të Operas dhe Baletit, dëshmon që vargjet e Shilerit (dy strofa nga ‘’Ode gëzimit’’ të shqipëruara nga Robert Shvarc më 1970) janë kënduar nga kori (koha e katërt e Simfonisë IX të Bethovenit) në koncertin përkujtim të 200-vjetorin të lindjes së kompozitorit gjenial.
Studimi dhe ribotimi i veprave të Shilerit, inskenimet e shumta në skenat evropiane e botërore tregojnë se vepra dhe mesazhet e tij i mbijetojnë kohës. Ai nuk i përket vetëm të shkuarës, por edhe të tashmes dhe së ardhmes, për sa kohë që shoqëria progresive njerëzore mendon dhe lufton për liri, demokraci, identitet e dinjitet. Kështu besonte edhe Skënder Luarasi, ithtar në tempullin shilerian.
Foto 1. Skënder Luarasi 2. Vepra të Shilerit 3. Shileri 4. Aleksandër Moisiu në rolin e Franc Moorit 5. Robert Ndrenika, Yllka Mujo, Margarita Xhepa në dramën ”Luiza Miler (”Intrige e Dashuri”)
 
Përgjigje e: Skënder Luarasi

(Ky shkrim mbrohet nga e drejta e autorit. Kushdo që përdor këtë material detyrohet të citojë burimin )

Petro Luarasi
Kontribut për njohjen dhe vlerësimin e familjes Qiriazi

Historia e popullit shqiptar përmban me shumicë visare që rrethanat tragjike ia kanë groposur e lënë në harresë dhe kjo begati na serviret e skamur, e prangosur dhe e sakatosur, në shtratin e Prokrustit. Por po shtohen edhe përpjekjet për ta çliruar nga vargonjtë, njohur dhe vlerësuar si e meriton.
Një pjesëz e kësaj pasurie kombëtare është edhe familja Qiriazi, me veprimtarët e saj të shquar që ‘’u groposën’’ dhe ‘’u ringjallën’’, u çliruan nga prangat e prokrustëve dhe po njihen e nderohen gjithnjë e më tepër, në tempullin e vlerave shqiptare.
Paraqet interes të njihen e të vlerësohen edhe faktorët dhe rrethanat penguese, edhe përpjekjet dhe rezultatet e studjuesve të familjes Qiriazi, në përballje me akuzat politike, me interesat klanore, apo edhe keqinformimit publik me shpikje e shpifje. *) (Ky shkrim publikohet me kërkesën e Institutit të Studimeve Shqiptare e Protestante që po jep një kontribut të vyer në botimin e veprave dhe propagandimin e vlerave të familjes Qiriazi. Ai synon të njohë dhe vlerësojë përpjekjen e studjuesve, mes tyre edhe Skënder Petro Luarasi, për të shpallur të vërtetën historike përkundër ‘’mosdijes’’, harresës, nënvlerësimit dhe tjetërsimit, që hasen në disa shkrime, libra dhe dokumentarë edhe në ditët e sotme.)

Bashkëpunimi i familjeve Qiriazi e Luarasi
Familjet Qiriazi dhe Luarasi i përbashkoi origjina dhe tradita kolonjare (nga Perasi dhe Luarasi), sakrifica dhe ndihma e ndërsjelltë për të realizuar idealin e përbashkët atdhetar: hapjen e shkollave, botimin dhe përhapjen e librave në gjuhën shqipe, përdorimin e shqipes në institucionet fetare, çlirimin e trojeve shqiptare, edukimin dhe civilizimin e popullit shqiptar. Qiriazër (Dhimitri me pasardhësit: Gjerasimi, Gjergji, Sevasti e Parashqevia, etj) dhe Luarasët (Petro Nini me pasardhësit Thomaidha, Dhimitri, Skënderi e Shega, etj) iu gjendën njëri-tjetrit kudo, në trojet shqiptare dhe në SHBA.
‘’Gjatë rilindjes sonë kombëtare shtëpia e Dhimitri dhe Maria Qiriazit u bë vatër kombëtare për të gjithë shqiptarët patriotë si Kostandin Kristoforidhi e Koto Hoxhi, Petro Nini Luarasi dhe Pandeli Sotiri, Halit Vreto Bërzhezhta dhe Orhan Pojani, Nuçi Naçi dhe Thanas Sina Postenani, të gjithë priteshin e përcilleshin situr t’ishin vëllezër prej një barku. Të gjithë anëtarët e kësaj familje, burra e gra, në vendlindje e në mërgim, kudo që i përplasën dallgët e jetës, kush më shumë e kush më pak, ia kushtuan jetën e veprën e tyre Shqipërisë duke lënë gjurmët e tyre të pashlyeshme në historinë e rilindjes sonë kombëtare… Në këtë shtëpi u njohën në vitin 1884, Gjerasim Qiriazi dhe Petro Nini Luarasi duke u lidhur me një miqësi të përjetshme. (1. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi. f.12, 27)
Në artikuj, libra, emisione radiofonike dhe dokumentarë dëshmohen fakte të këtij bashkëpunimi të gjerë: mbi korespondencën e Gjerasimit me Petron, si i pari lajmëron me gëzim çeljen e shkollave shqipe në Kolonjë e Vakëfe nga Petro N. Luarasi. Në një letër dërguar Nikolla Naços , 27 prill 1893, ai përshkruan punën e vyer dhe vështirësitë që has Petros, për mbajtjen e shkollave shqipe: ‘’Zoti Petro është me zemër të përvëluar dhe me shpirt e me mish përpiqet për të mirën e skolive…’’ (2. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi. f.40, 42, 44)
Në kushtet kur armiqtë i përdornin institucionet fetare për qëllime shoviniste dhe për të përçarë popullin, patriotët u drejtuan për ndihmë nga shtete, forca e besime fetare dashamirëse. ‘’Një fakt domethënës është bashkëpunimi i P.N.Luarasit me protestantët e përfaqësuar nga Gjerasim Qiriazi dhe çifti amerikan Kenedi ëVioleta (Violett) dhe Fines (Phineas)ç për përhapjen e shkollave e librave shqip, pa u përzier në çështjet e interpretimeve fetare. ‘’
(3.Petro S.Luarasi. Kontribute shekullore. Familja Luarasi për marrëdhëniet shqiptaro-anglo-amerikane, “55”, 19-20-21-22 korrik, 2003)
Përkundër mallkimit të dhespotërve grekë dhe trillimeve të tyre , kinse Petro Nini Luarasi qe kthyer në protestant, ai si besimtar i devotshëm ortodoks deklaronte: “Sa herë hasem me protestantë, flas me ta dhe bisedonj, siç e meriton me njerëz të kungajkës dhe të bashkërisë dhe të qytetërimit, me ndryshim që ata janë protestantë, dhe unë orthodhoksë. “
(4. Petro N. Luarasi, Mallkimi i shkronjave shqipe, Manastir, 1911, f.21)
Përmendim edhe faktin interesant se në Mësonjëtoren e Korçës mësonin djem e vajza , së bashku , po mbasi më 1891 e çeli shkollë shqipe për vajzat Gjerasim Qiriazi me të motrat, ato vanë në atë shkollë.
Një nga nxënëset që mësoi në shkollën e vashave të Qiriazëve qe edhe vajza e madhe e P.N.Luarasit, Thomaidha. I biri i tij Skënderi kujton: ‘’‘’Të parën herë e pashë Parashqevi Qiriazin në Korçë më 1909. Në pranverë të atij viti im atë më mori edhe mua në shkollën shqipe të djemve. Një mesditë u nisa për në shkollën e vashave të piqesha me time motër që mësonte atje. Në fund të rrugës pashë pesë-gjashtë rrugaçë me gurë në dorë që qëllonin vajzat korçare që do të shkonin nga shkolla në shtëpi. Po qëndroja në anën e sipërme të rrugës kur prej portës së shkollës doli Parashqevia dhe pas saj një tog vajzash që do t’i përcillte në shtëpi. Me të parë mësuesen e shkollës shqipe, si ua mbathën këmbëve rrugaçët! Ç’personalitet të fortë kishte kjo grua shqiptare! Në Shtetet e Bashkuara e takoja më shpesh. Ne shkollarët shqiptarë , kur themeluam ‘’Lidhjen e Studentëve Shqiptarë‘’ në Springfield Mass. e ftuam Parashqevi Qiriazin e cila mbajti një fjalim interesant. Parrullën ‘’Jeta pa libra është vdekje’’ që e botova në kapakun e revistës sonë ‘’Studenti’’ na e propozoi Parashqevia.’’ ‘’
Kur kleri shovinist grek me veglat e tij helmuan mësuesin e shqipes Petro Nini Luarasi, dy motrat Qiriazi u përkujdesën për fëmijët e të ndjerit, Skënderin dhe Shegën dhe, përmes ndihmës së çiftit Kenedi, u dhanë bursë të studjonin në Robert Kolezh-Stamboll.
Dhimitri P. Nini-Luarasi, i cili ka jetuar mbi gjashtë dekada në ShBA, ka patur marrëdhënie të ngushta me motrat Qiriazi kur ato qenë atje, por dhe si drejtues i rëndësishëm i ‘’Vatrës’’ dhe më pas i ‘’Shqipërisë së Lirë‘’, ka ndihmuar për propagandimin e vlerave të tyre ndër shqiptarët e SHBA. Edhe Shega Luarasi-Uçi me të birin Alfredin, kanë dhënë kontributin përkatës në ruajtjen e kësaj miqësie tradicionale.

Kontributi i Skënder Luarasit
Skënderi P. Luarasi, dëshmitar i shumë ngjarjeve të familjes Qiriazi dhe studiues i përgjegjshëm i historisë dhe letërsisë së popullit shqiptar, ka dhënë një ndihmesë thelbësore për ‘’ringjalljen’’, njohjen dhe vlerësimin e merituar të personaliteteve të shquara të familjes Qiriazi: Gjerasimit, Sevastisë dhe Parashqevisë.
Prof. Xhevat Lloshi ka theksuar: “Është meritë e Skënder Luarasit, publicistit dhe përkthyesit, që dy motrat Qiriazi u risollën në kujtesën e shqiptarëve. Ato kishin mbetur të harruara, në gjendje të mjeruar, të shpërfillura, sepse disa njerëz nga rrethi i tyre familjar ishin goditur nga lufta e klasave…. Ai e ngriti zërin me pasionin që e shquante dhe kërkoi vëmendje për të dy motrat, të cilat më pas u dekoruan me ‘’Urdhrin e Lirisë’’ e u njohën si ‘’Mësuese të Popullit’’. (5. Xhevat Lloshi, Yjet e mëngjesit shqiptar. Parashqevi Qiriazi, veprimtarja e shquar e kombit, Almakos, 21. 03. 2012)
Ndër historitë që qarkullonin vesh më vesh në mjedisin intelektual (por dhe vuloseshin në dosjet e përndjekjes) se si e sfidonte Skënder Luarasi ‘’shtratin e Prokrustit’’, citoj përshtypjen e arkitektit Petraq Kolevica, ‘’në një kujtim të paharuara që i ka mbetur i gjallë nga viti 1981. Besoj të ketë qenë muaji shtator. Si anëtar i grupit projektues të Muzeut Historik Kombëtar kryeja punimet e ekspozimit. Një ditë shoh profesor Skënder Luarasin, që diçka po fliste me dy punëtorë, iu afrova, e përshëndeta dhe hyra në bisedë:
- Kam ardhur, tha, sepse dëgjova që këtu në muze qenka bërë edhe një sallë për kohën e Rilindjes dhe desha ta shikonja.
Profesori, siç e dini të gjithë, ishte impulsiv dhe dinte të gjente motivin për të bërë një bisedë të këndëshme. Afër sallës së Rilindjes, qëlloi një historian i kësaj periudhe. Profesori qëndroi në ballë të sallës dhe po shihte me vëmendje disa fotografi. lu kthye historianit duke i treguar një fotografi me përmasa 25X25 cm.
- Kush është kjo? / -Po, profesor, ju e dini.. ./ -Kush ështëkjo? pyeti profesori me zë më të fortë e duke e parë në sy me rreptësi/ -Sevasti Qiriazi është/-Kjo, Sevasti Qiriazi? /-Po,profesor/- Po Greqia, ka Sevasti? klithi profesori. Po Serbia, Bullgaria...ka Sevasti?/Jo,profesor,belbezoi historiani/- Epo, kur tërë këto vende nuk kanë Sevasti, kaq e vogël u vendoska fotografia e saj në muze, sa një postalkë/-Po sa të madhe t’a vëmë? pyeti historiani/-Sa të madhe? Sa unë në kembë!Jo, jo, sa ti, se je më i gjatë!’’ (6. Myslim Islami. Lidhja shqiptare e Prizrenit. Prof.Skënder Luarasi Personifikim i problemit kombëtar shqiptar, f.385-386)
Këto rrethana e detyronin Skënder Luarasin, të kryente ‘’akte skandaloze’’ - të ngrinte zërin me klithma: ‘’Bota nga balta bën heronj, ne heronjtë tanë i bëjmë baltë!’’
Ai, nuk mund të qëndronte indiferent ndaj padrejtësive që u bëheshin, jetës dhe veprës së personaliteteve të shquara të familjes Qiriazi..
Që kur u kthye në Shqipëri, në qershor të vitit 1945, mbasi vuajti si antifashist kampet e përqëndrimit në Francë, u përpoq mesa mundi për të ndihmuar familjen Qiriazi-Dako, e cila akuzohej ‘’borgjeze’’ dhe ‘’e lidhur me shërbimet anglo-amerikane’’. Ai i ndihmonte me sa mundej ekonomikisht, i vlerësonte publikisht, debatonte që të përfshiheshin në tekstet mësimore, botimet e ndryshme, në emisione radiofonike, dokumentarë e filma. Dhe kur iu lejua, botoi edhe artikuj e libra për jetën dhe veprën e tyre. Në vitin 1945, si deputet i popullit të Kolonjës, pas çlirimit, foli para ‘’Lapidarit të Rilindjes’’- vepër e skulptorit të mirënjohur Odhise Paskali, vendosur në mes të Ersekës, ‘’dhe me plot pathos numëronte figurat e shquara, të krishterë e myslimanë…Dhe vazhdoi tu numëronte të mëdhenjtë: Faik Konicën, Fan Nolin…Sevasti e Parashqevi, Gjergj e Gjerasim Qiriazin’’
Si anëtar i komisionit të përgatitjes së teksteve mësimore në vitin 1946 shkroi ‘’…mbi dhjetë faqe vërejtje e sugjerime për maketin e historisë së Shqipërisë’’ duke theksuar se: ‘’…Hartonjësit bëjnë një drejtësi të madhe historike kur rehabilitojnë Gjerasim Qiriazin me të motrat , Sevastinë e Parashqevinë. Po nga ana tjetër ata kanë harruar të përmendin patriotët si Haxhi Zeka, Isa Boletini, Tajar Tetova, Izet Zavalani etj…’’ (7. Myslim Islami. Lidhja shqiptare e Prizrenit. Prof.Skënder Luarasi Personifikim i problemit kombëtar shqiptar, f. 324-325, 369)
Në këtë përpjekje ai u përball me interesa lokaliste dhe politike të fuqishme. Për shembull një zyrtar, pasardhës i Kostandin Kristoforidhit, për interesa të verbëra, bënte gjithçka për të groposur Gjerasim Qiriazin.
‘’’’Në Institutin e Lartë Pedagogjik herë pas herë mbrëmave bënim mbledhje, në të cilat bisedonim rreth çështjeve të ndryshme ku flisja mbi qëndrimin që duhej që mbahej ndaj jetës e veprës së Migjenit, familjes Qiriazi, Ismail Qemalit, Isa Boletinit etj.
Një mbrëmje u thirrëm të bisedonim rreth disa propozimeve që pati bërë me shkrim profesori i letërsisë Mark Gurakuqi i cili shprehej mbi mënyrën shablone me të cilën jepeshin leksionet e për diferencimet që duhej të bënim midis autorëve dhe temave që ata shtjellonin. Ai foli mbi nevojën e thellimit të leksioneve.
Drejtori (Dekani) Prof. Dh. Sh. tha se kjo qe një punë e vështirë dhe se tani për tani duhej të kënaqeshim me kaq pasi nuk qemë të zotët për më shumë.
Prof. Eqerem Çabejt, i cili e quajti të paarsyeshme këtë pohim, ai iu përgjegj në mënyrë arrogante duke i thënë se vetë ai, Eqerem Çabej, përçmonte albanologët shqiptarë duke paraqitur Profesor Joklin si të vetmin autoritet mbi gjuhën shqipe. Pasi të gjithë dhanë mendimet e tyre se kush pyeti se ç'kisha për të thënë edhe unë. Thashë se propozimi i Prof. Gurakuqit është me vend dhe secili të mundohet të thellohet në leksionet sa më shumë që të mundet. ‘’Unë jam i mendimit që puna jonë duhet të zgjerohet dhe t'i shtohen programit edhe shkrimtarë që kanë vlerën e tyre, si për shembull Gjerasim Qiriazi…’’
Unë s'pata përmendur shkrimtarin e dytë dhe ca më pak të tjerët, kur Dekani, Prof.Dh. Sh. nervos në kulm, bërtiti: ''E di unë se ku e ka hallin Skënder Luarasi. Ai do që të shtiem në programin tonë edhe babanë e tij. Ç'farë shkrimtar është Petro Nini… A, po, paska qenë patriot. Po mirë, le të flasin ata të historisë për këtë. Sa për Gjerasim Qiriazin - pa nuk do të shtiem në programet e shkollës sonë atë spiun të anglezëvet!''
-Përse e quan spiun të të huajve Gjerasim Qiriazin?
-Përse e quan spiun të të huajve, ti, Kristoforidhin!'
-Ti do të më përgjigjesh në Ministri të Arsimit për këtë sharje që i bëre sonte Gjerasim Qiriazit dhe për këtë shpifje që më bëre mua, i thashë.
Dekani, si një i marrosur, doli nga mbledhja e asaj mbrëmjeje të ftohtë janari pa marrë kapellën dhe pallton e na la vetëm në zyrën e tij. Pas tij ikëm edhe ne të ftuarit.
Të nesërmen, kur do të jepja dy leksione njërin pas tjetrit mbi rilindjen europiane, pas pushimit të shkurtër, sa fillova të dytin, u hap dera dhe dekani më bërtiti: ''S'ka nevojë të vazhdosh! Je pushuar!''
Unë vetëm sa e kqyra si do ta kishte kqyrur çdo njeri me dinjitet personal dhe vazhdova leksionin.
Sipas lutjes që pata bërë më parë, të pasnesërmen na thirri në zyrë ministri, Manush Myftiu. Ai i tha Dh. Sh, dekanit, se unë pata kërkuar që ai të më provonte se kujt, ku dhe kur i pata thënë unë se Kristoforidhi paskish qenë spiun i englezëve dhe ndë ai kishte fakte që të provonte se Gjerasim Qiriazi ishte spiun i englezëvet.
''Shoku Ministër'', filloi të flasë drejtori i Institutit të Lartë Pedagogjik dhe tregoi sa e rëndë paskish qenë detyra e tij në atë zyrë.
Ndërhyra: ''Shoku Ministër, kur kërkova këtë ballafaqim mendova se nuk do t’ju humbisnim veç se nja pesë minuta prej kohës suaj të shtrenjtë…''
‘’Vërtet ti Dhimitri...?’’ e pyeti ministri.
Dhe ai pohoi se Skënder Luarasi nuk i shprehu këto fjalë sheshit por kur tha se Gjerasim Qiriazi qe i atillë mendoi se Skënder Luarasi do të përgjigjej po me ato fjalë për Kristoforidhin.
''Shoku ministër'', ndërhyra unë, ''lutem të na thotë Prof. Dh.Sh. ndë është i zoti të përcaktojë se ç'mendoni ju për mua dhe për atë, dhe unë për ju dhe për atë.''
Shoku Manush brofi dhe i tha: ''Ti Dhimitri...’’ Jo vetëm nga fjalët që i tha por edhe mënyra si ia tha e kuptova qëndrimin e ministrit.
''Kaq desha të di'' thashë dhe dola me përçmim për atë që ma kishin bërë dekan në Institutin e Lartë Pedagogjik. Ndërkaq vazhdova të jap leksione atje.’’’’
(8. S.Luarasi, Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’, Kujtime të pabotuara, IV, 1945-1960. )
Studjuesi Xhon Kuanrud shkruan: ’’ Vetëm nga fundi i viteve ’50 u vu re një ndryshim në qëndrimin ndaj familjes Qiriazi. “Shkak për këtë ndryshim u bë intelektuali i dëgjuar shqiptar, Skënder Luarasi, biri i mikut dhe kolegut të ngushtë të Gjerasimit, Petro Nini Luarasit…kishte një adhurim të thellë për familjen Qiriazi dhe ndihmesën e saj në shërbim të popullit shqiptar. Në vitin 1962 Luarasi botoi një biografi të shkurtër me titull ‘’Gjerasim Qiriazi, Jeta dhe Vepra’’…Libri pati sukses të madh…Që nga kjo kohë Gjerasim Qiriazi dhe familja e tij filluan të zënë vendin që u takonte në historinë shqiptare. Botimi i Luarasit përbën bazën e studimeve të mëvonshme rreth Qiriazit.’’ (9. Xhon Kuanrud, Jeta e Gjerasim Qiriazit, f.19-20)

Mbas shumë përpjekjesh, në janar të vitit 1959, Skënder Luarasit iu mundësua botimi i artikullit të parë për Gjerasim Qiriazin, ku ndër të tjera shkroi:
‘’ Gjerasim Qiriazi vlerësohet si përfaq ësuesi më i shquar i atdhetarëve shqiptarë të kolonisë së Manastirit. Ai lindi në Tërnov ë por prejardhja e familjes s ë tij qe nga fshati Peras i Kolonj ës. Mbasi mbaroi shkollën fillore ndoqi nj ë kolegj fetar dhe më pas bashk ëpunoi me lëvizjen protestante. Ai i dha nj ë ndihm ë t ë madhe çështjes komb ëtare duke botuar e shp ërndarë libra mësimore në shqip , ku nd ër më të rënd ësishmet përmendet ‘’Kristomacia” në dy pjesë. Ai ndihmoi në çeljen e shkollës shqipe për vajza, s ë bashku me motrat e tij Sevasti e Parashqevi. I përndjekur nga pushtuesi otoman dhe kleri shovinist grek ai u sëmur nga pleviti dhe u nda nga jeta në mosh ën 32-vjeçare duke lënë pas një em ër t ë nderuar.’’ (10. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi, Bashkimi.- Nr.15, 18 janar, 1959, f.2 Ky artikull u përfshi në përmbledhjen publicistike ‘’Fjala Shqipe’’, 1960)
Në vitin 1962, me rastin e 50-vjetorit të pavarësisë, Skënder Luarasit iu lejua të botonte librat ‘’Gjerasim Qiriazi’’ dhe ‘’Motrat Qiriazi’’ (anglisht e frengjisht) ndërsa libri ‘’Sevasti Qiriazi u ndalua në shtypshkronjë.
Në librin ‘’Gjerasim Qiriazi’’ S.Luarasi shpalli publikisht : ‘’Gjerasim Qiriazi ka qenë patriot i rilindjes, që, besoj, më shumë nga kushdo tjetër, është mbuluar me pluhurin e harresës. Një profesor me moshë të kaluar më tha një ditë tek i lexoja shkrimet e këtij rilindasi të shquar: ‘’E kam kënduar ‘’Hristomathinë’’ që kur isha i ri, jam ushqyer me të; po nuk e kam ditur nga kush qe shkruar ky libër. Krah për krah me veprat e Naimit, më ka influencuar që në foshnjëri të nxë shqipen’’. Dhe shumë nga ne, duke dëgjuar radion, kënaqemi kur dëgjojmë, sidomos nga kori i pleqve të Korçës, këngën ‘’Lule e bukur posi djellë‘’, po nuk e dimë që jo vetëm kënga është shkruar prej këtij poeti delikat e gojëëmbël, po edhe melodia e saj e thjeshtë e mallëngjenjëse është kompozuar prej tij…Ka disa fakte që e venë Gjerasim Qiriazin në dritë të së vërtetës dhe fakti më me rëndësi është vepra e tij.’’ (11. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi. f.50)
Në këtë libër, me aq sa iu lejua nga censura, u shpallën mjaft fakte të rëndësishme: mbi origjinën e familjes Qiriazi nga fshati Peras i Kolonjës, mbi primarin e tyre ‘’gjysh Mëhillin’’ e pasardhësit, rrethin shoqëror, veprimtarinë me karakter atdhetar e fetar, dhe vepra e çmuar.
Një tjetër artikull interesant për Gjerasim Qiriazin do të shkruante në vitin 1982 (Drita.- Nr. 3, 1 janar, 1982, f.12) ku jep të dhëna mbi origjinën, përbërjen familjare dhe veprimtarinë. Thekson se të tre vëllezërit e tjerë Konstandini, Gjergji, Kristoja dhe dy motrat Sevastia dhe Parashqevia kanë dhënë ndihmesën e tyre për çështjen kombëtare. Përmend se me motrat organizoi edhe shoqërinë ‘’Vllaznia’’ e cila ndihmoi në edukimin e femrave korçare me punë shoqërore. Ndonëse u sëmur nga pleviti ai nuk e ndali veprimtarinë atdhetare deri në fund të jetës, në luftë të pandërprerë kundër atyre që donin ta mbanin Shqipërinë në errësirë e tirani.
Skënder Luarasi arriti t’i shpallte (ndonëse mjaft i kufizuar nga censura) edhe jetën, aktivitetin dhe vlerat e motrave Qiriazi në librin ‘’Motrat Qiriazi’’(anglisht, frengjisht) dhe disa artikuj që iu lejuan të botohen:
Në artikullin Sevasti Qiriazi- Dako (1870-1949) shkruan: ‘’Jam Shqiptare! Ky është fakti më i rëndësishëm i jetës sime, më i rëndësishëm se vetë familja, sepse vetëdija e këtij fakti më tregon udhën që duhet të ndjek, e më cakton qëllimin e jetës; ky fakt më përkufizon kuadrin si gjeografik, si historik, dhe më jep burimin kryesor të idealit tim që nga fëminija ime për të arsyer popullin tim me dashuri për kulturë e pavarësi… Këtë përgjërim të Sevasti Qiriazite e nxjerrim nga fjala e saj në festën e maturantëve të Kolezhit të Vajzave në Arnautqoj, Sramboll, ku u diplomua.Në mbarim të festës, Naim Frashëri e përgëzoi vajzën 20-vjeçare dhe i tha:
’’ Motra ime e vogël, nuk do të bëje gjë më të mirë e më të vyer për Shqipërinë nga ç’ke vendosur të bësh për arsimin e grave të vendit tonë‘’. Pastaj i kërkoi diplomën që t’ia regjistronte në Seksion të Arsimit dhe i siguroi Irade (lejë) për të çelur shkollën e parë shqipe për vajzat (më 15 tetor 1891) …Dhe është për t’u përmendur se ajo së bashku me motrën Parashqevi, me ndihmën e të vëllezërve Gjergji e Kristo dhe pionierëve që çelën shkolla shqipe dhe themeluan shtetin shqiptar, e mbajti lart e me nder Flamurin e Skënderbeut për 60 vjet me radhë, jo vetëm në klasë por në të gjitha përpjekjet e Rilindjes Shqiptare: arsimore, sociale, politike. Ndaj u quajt atëherë Zhan d’Arkë shqiptare. Për t’u vënë re është fakti që gjatë sundimit otoman shkolla shqipe e djemve u hap e u mbyll sa e sa herë, por drejtoresha e shkollës së vashave u qëndroi burrërisht rebesheve të armiqve të çështjes shqiptare.’’
Këtë artikull autori e përmbyll me fjalët ‘’Sevasti Qiriazi…Për të parën herë në jetën e saj e lodhur, mbylli sytë më 30 gusht 1949.’’ (12.S.Luarasi, Sevasti Qiriazi-Dako, Drita, 15 tetor 1981, f.8)
Këto rradhë në gazetë, që i kushtuan më pas redaktorit të gazetës, shprehin qartë kritikën e S.Luarasit për persekutimin ndaj saj.
Në artikullin Parashqevi Qiriazi (1880- 1970) shkruan: ”Parashqevi Qiriazi me të motrën , njëra pas tjetrës, pa asnjë ditë ndërprerje e drejtuan shkollën e Vashave në Korçë për 22 vjet rresht gjer më 1913 kur hordhitë e shovinistëve grekë zaptuan Korçën. Parashqevia më 1904 kreu studimet e larta në Umens Kolezh dhe më 1905 zëvendësoi Sevastinë kur ajo shkoi për studime të mëtejshme në universitetin e Çikagos.Më 1915 shkoi në Sh.B.A. ku themeloi të përkohshmen ‘’Ylli i Mëngjezit’’. Gjatë trevjetëve të botimit të saj me ‘’Fletët e Ditarit’’ përfshinin mbi 1100 faqe. Partia Politike Kombëtare e shqiptarëve në Sh.B.A, në janar 1919, dërgoi Parashqevinë si përfaqësuese në konferencën e Paqes në Paris. Ishte e vetmja grua delegate ndër të pranishmit në konferencë, që fliste 8 gjuhë të huaja dhe e diplomuar në dy fakultete, bijë e denjë e një populli që ishte paditur si barbar…
Në fillim të viteve ’20 Motrat Qiriazi u kthyen në Atdhe dhe më 1922 riçelën shkollën për vashat , kësaj radhe në Tiranë me emrin Instituti Qiriazi, nën drejtimin e Parashqevisë.”… Ndonëse të moshuara (Sevasti Qiriazi- Dako 73 vjeç dhe Parashqevi Qiriazi 63 vjeç) për veprimtarinë e tyre patriotike dhe antifashiste u denoncuan tek gestapoja gjermane. Më 1943 tok me pjesëtarë të tjerë të familjes u arrestuan nga gjermanët dhe u dërguan në kampin e përqëndrimit ‘’Anhaltlager- Banjica’’të Beogradit, Jugosllavisë.’’ (13. S.Luarasi, Parashqevi Qiriazi, Drita, 14 dhjetor 1980, f.12)
Në librin Gjerasim Qiriazi (f.49) S.Luarasi përmend se ka përgatitur për botim edhe një libër për Sevasti Qiriazin. Rrethanat si e përse u ndalua botimi i këtij librit janë bërë objekt diskutimi publik Shkrimtarja Donika Omari kujton rrethanat se si e ka pësuar nga censura. Sipas saj:
“Ka qenë një rast kur u çua për shtypje një libër për Sevasti Qiriazin. Isha redaktore e librit. Autori i librit ishte Skënder Luarasi. Aty përmendej si patriot H. Mborja, i cili kishte qenë luftëtar për pavarësi kundër sulmeve greke, por më vonë ishte lidhur me Zogun. E pra, nuk duhej të përmendej në libër. Libri shkoi në shtypshkronjë dhe dikush e vuri re dhe u bë problem. Si rezultat mora dënim me vërejtje të rëndë me shënim në biografi, që e ruaj edhe sot... Skënder Luarasi erdhi dhe më tha se nuk ke faj se je e re dhe nuk mundet qe ta njihnje këtë emër, duhej të isha unë më i kujdesshëm."
(14. “Panorama” , suplementi “Unë gruaja”, Donika Omari, Si i përjetuam arrestimet në shtëpinë botuese "Naim Frashëri, 19.10.2014) http://www.panorama.com.al/perkthye...arrestimet-ne-shtepine-botuese-naim-frasheri/
Këtë version e kundërshtoi pasardhësi Ilir Mborja që deklaron se ndalimi i librit ‘’Sevasti Qiriazi’’në vitin 1962 nuk u krye për shkakun se ‘’patrioti Haki Mborja ishte i lidhur me Zogun’’ (përkundrazi ai qe kundërshtar i vendosur i tij) por se ky atdhetar i shquar dikur qe dënuar me vdekje nga Haxhi Qamili, të cilin Enver Hoxha dëshironte ta publikonte si ‘’Pugaçovin shqiptar’’. Ai thekson se këtë Skënder Luarasi ‘’e dinte shumë mirë por nuk mund t’ia shpjegonte kujtdo’’ (Donika Omarit, bashkëshorte e Luan Bahri Omarit)… ‘’Ish redaktorja D. Omari, duke përmendur gjithë shkujdesje në intervistën e saj këtë rast, na ka ndihmuar të mësojmë një të vërtetë të hidhur: Paska qenë vënë dikush në shtypshkronjë që të kontrollonte librat (sidomos ato të Skënder Luarasit) dhe të fshinte emrin e dr.Haki Mborjes...Skënder Luarasi është i njëjti intelektual trim dhe parimor që nuk u përkul asnjëherë, por i qëndroi përballë Enver Hoxhës dhe "akademikëve" të tij servilë në historinë "e revolucionit fshatar" të Haxhi Qamilit... Edhe kjo është një arsye e vërtetë pse i dhanë "vërejtje të rëndë me shënim në biografi" redaktores. Edhe këtë nuk e dinte, si e re që ishte, zonja D.Omari.’’
(15. Ilir Mborja, komente , “Panorama” , suplementi “Unë gruaja”, Si i përjetuam arrestimet në shtëpinë botuese "Naim Frashëri, 19.10.2014, http://arrestimet1.rssing.com/chan-33338949/all_p1.html#item8
Për ndalimin e librit ‘’Sevasti Qiriazi’’ në shtypshkronjë ndikoi edhe ‘’fati i keq’’.
Në vitin 1959 Enver Hoxha kishte servirur variantin fillestar të historisë ‘’mbi lëvizjen fshatare të Haxhi Qamilit’’ , të cilin e zhvilloi më tej dhe e raportoi në mbledhjen e Byrosë Politike të KQ të Partisë më 31 janar 1962, ku u shqyrtua maketi i Historisë së Shqipërisë.
‘’Ky ‘’studim’’ 47 faqesh që u kthye në tabu nga mjaft kalemxhinj të historisë e letërsisë, të detyruar për ta himnizuar Haxhi Qamilin si ’’ Pugaçovin shqiptar’’ dhe lëvizjen fshatare ‘’si pararendëse të Revolucionit të Tetorit’’ nuk mund të pranohej nga Profesor Luarasi, koshient për shtrembërimet dhe poshtërimin që iu bë historisë. Atij iu desh të konfrontohej direkt me Enver Hoxhën… Në faqen 144, udhëheqësi u drejtohej historianëve S. L e Q. (Skënder Luarasi e Qamii Çela -MI.): ”..Këta zotërinj “të zgjuar” dhe “të mësuar” mohojnë luftërat dhe kryengritjet e fshatarëve tanë‘’… Këta ‘’historianë borgezë, sipas “normave” të vendosura, sipas logjikës së “pa gabueshme” dhe “të ndritura” të S.L. e të ndonjë tjetri që vendosin “norma” false, jo historike, me të vërtetë antishqiptare. Por ajo që ka mbetur në mendjen e shume bashkëkohësve të prof.Luarasit është qëndrimi i tij mospërfillës ndaj kercënimeve dhe epiteteve të shumta që i vishte diktatori .’’
(16. Myslim Islami Prof.Skënder Luarasi Personifikim i problemit kombëtar shqiptar f.384- 385)
Kuptohet që në këto rrethana S.Luarasi , i cilësuar nga kreu i parties: ‘’arrivist’’ dhe ‘’historian borgjez’’, nuk mund të lejohej të botonte libra, aq më tepër ku të përmendte atdhetarë të mirënjohur (Haki Mborjen) të dënuar me vdekje nga ‘’prijësi i vegjëlisë‘’ Haxhi Qamili. Prandaj edhe redaktorja e librit Donika Omari, edhe përgjigjësi icensurës, apo ata të shtypshkronjës, shpëtuan paq nga dënimi i rëndë që do t’u jepejpo të botohej ky libër, që për atë moment mund të konsiderohej ‘’sfidë’’ ndaj direktivave të udhëheqësit të partisë.
Skënder Luarasi mundi të botojë edhe një studim interesant mbi publicistikën dhe pedagogjinë e motrave Qiriazi ku paraqet teza që janë tepër aktuale edhe në ditët e sotme kur institucionet arsimore e kulturore përballen me mungesa dhe presione të shumta. Ndër të tjera thekson se Familja Qiriazi: Gjerasimi, Gjergji dhe dy motrat Sevastia dhe Parashqevia u shkolluan dhe bashkëpunouan ngushtë me protestantët amerikanë për të përhapur librat shqip dhe për të hapur shkollat shqipe në Korçë. Kontributi i tyre është veçanërisht i shquar në çeljen e shkollave shqipe për vajzat dhe emancipimin e tyre.
S.Luarasi shkroi edhe për Kristo Dakon, të shoqin e Sevastisë (për të cilin në atë kohë mbahej një qëndrim i ftohtë nga ana politike). Përshkruhen ambjenti familjar, rrethanat e lindjes, arsimimi dhe veprimtaria e gjerë atdhetare, politike, arsimore, fetare e publicistike në bashkëpunim me personalitetet më të shquara shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë. Ai pati lidhje të rëndësishme me politikanë e biznesmenë amerikanë që ndikuan pranë qeverive të SHBA për të ndihmuar vendin tonë të vogël e të varfër. Theksohet nga autori se një nga kulmet e veprimtarisë së Kristo Dakos qe edhe përfaqësimi i Kosovës dhe Çamërisë dhe firmosja në emër të tyre të ‘’Deklaratës së qëllimeve të përbashkëta të kombësive të robëruara’’ në qytetin Filadelfia, SHBA. Ai së bashku me të shoqen dhe kunatën, Sevastinë e Parashqevinë, themeluan dhe ngritën në një nivel të lartë arsimor Institutin “Qiriazi” në Kamëz. (17. S.Luarasi , Publicist dhe patriot i shquar. (Kristo Dako) , Tribuna e gazetarit, Nr.5, 1973, f.38-39)
Skënder Luarasi ka kontribuar edhe në realizimin e emisioneve radiofonike, bërjen e stendave në ekspozita, në filma dokumentarë dhe ka ndihmuar znj. Natasha Lako në skenarin e filmit ‘’Mësonjëtorja’’ ( për këtë film ka këmbëngulur që të publikohet se i dedikohet motrave Qiriazi)
Shkrimtari Naum Prifti kujton se në biseda Skënder Luarasi theksonte që motrat Qiriazi ‘’qenë dallëndyshet e para të lëvizjes së femrave shqiptare, që duhet të zinin vendin që meritonin në shoqëri, në një kohë kur sundonin paragjykimet dhe kur roli i femrës ndrydhej brenda mureve të shtëpisë. Skënder Luarasi përsëriste shpesh thënien e Gëtes se pa nëna të edukuara, nuk mund të kemi fëmijë të edukuar.’’ Nga bisedat me të ai përfitoi subjektin e dramës "Plumbat e shkronjave" ku flitej për Gjerasim Qiriazin që u vu në skenë nga dy trupa, teatri i Fierit dhe ai i Korçës në maj-qershor të vitit 1979. Në dramë theksohej e vërteta se shkollën shqipe e penguan tre faktorë: kleri shovinist grek greke, administrata turke dhe injoranca e shqiptarëve. ‘’Mirëpo kjo ide e re, se edhe injoranca jonë kishte pjesën e saj, e mishëruar te kapedan Nure Bataku, karakteri më i spikatur në atë dramë, nuk u pranua, madje ngjalli zemërim dhe si pasojë "Plumbat e shkronjave" u emetua vetëm njëherë nga TVSH, pastaj u arshivua dhe videokasetat u zhdukën.’ Për fat të mirë vepra u botua edhe si libër më vete në kolanën e dramave.’’
(18.Naum Prifti, I paepuri profesor Skënder Luarasi) http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=OPINONEEDITORIALE&article=7237
Nga disa përflitet që Skënder Luarasi e paskish ndihmuar familjen Qiriazi vetëm ‘’në fillim të viteve 60-të‘’, se ai u interesua dhe botoi sipas ‘’direktivave’’, ‘’sipas konjukturave politike’’, apo për t’iu kundërvënë ‘’ interesave të fqinjëve’’ etj. Për të sqaruar rrethanat dhe mbrojtur kontributin dhe nderin e Skënder Luarasit, detyrohemi që të publikojmë disa fakte që normalisht do të duhej të rezervoheshin.
‘’ I vetmi mik i familjes së tyre , studjuesi, historiani, përkthyesi, demokrati Skënder Luarasi, që njihte nga afër veprimtarinë e gjithanshme të tyre në shërbim të kombit shqiptar, dha një kontribut të ndjeshëm për rivlerësimin e figurave të motrave Qiriazi. (19. Dhimitër Dishnica, Motrat Qiriazi, f.192)
Periudha e viteve 1945-1949 ishte tepër e rëndë për familjen Qiriazi, që vuante persekutimin e egër politik. Burrit të Sevastisë, Kristo Dakos, ia prishën varrin, dy djemtë Aleksandrin dhe Gjergjin ia burgosën, i dyti vdiq në burg më 1949. (Disa muaj më pas vdiq edhe Sevastia, nga hidhërimi për humbjen e tė birit.)
Por kjo periudhë qe e vështirë edhe për Skënder Luarasi, i cili ndonëse u zgjodh deputet i Kolonjës për një mandat, survejohej dhe qe në rrezik të arrestohej. Në Konferencën e Tretë e përjashtuan edhe nga Lidhja e Shkrimtarëve. Megjithëse në këto situate ndihmoi me sa mundi.
Ai iu gjend familjes së Sevastisë dhe Parashqevisë dhe ia zbuti mesa mundi edhe mjerimin ekonomik. Bëjmë me dije, përkundër modestisë së mirënjohur të Skënder Luarasit , se zotërojmë një faturë ku dëshmohet se ai pagoi edhe shpenzimet e varrimit për Sevastinë (3) Dokument –Faturë
Kujdestaria e kishavet orthothokse ‘’Shën Evangjelizmos dhe Shën Prokop’’ të Tiranës
Faturë nr.129/z. Familjes Kristo Dakos. /Për sa shënohet më poshtë. /Për varrimin e së ndjerës Sevasti/Kisha, qirit e personeli Lek 500./3 llambadhe në shtëpi X40 lek 120/ 1 llambadhë 40 lek/shuma 660 lek. /Pagoi Skënder Luarasi /(Firma)
Skënder Luarasi në kujtimet e tij shënon: ‘’Pas ndarjes nga jeta të Sevastisë, me interesimin e disa dashamirëve, ndaj Parashqevisë filloi të tregohej interesim e përkujdesje por edhe ajo nuk i kurseu forcat për të dhënë kontributin e saj. Më 8 mars 1950, duke folur në mbledhjen e organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të gruas tha ndër të tjera: ‘’Sa e gëzuar jam të qëndroj midis jush në këtë sallë…Sot gruaja shkundi zinxhirët e skllavërisë dhe cila zemër shqiptare nuk gëzohet për këtë ditë të shenjtë që nuk e kishim shijuar për shumë shekuj’’
Në fakt ‘’i interesuari dashamirës kryesor’’ qe Skënder Luarasi, i cili përdori edhe prestigjin e mësuesit tek ish-nxënësit e tij të Shkollës Tregëtare të Vlorës, pushtetarët Hysni Kapo dhe Manush Myftiu, i vuri në sedër që të ndikonin tek bashkëshortet, Vito dhe Nefo me shoqe, të cilat kishin patur për mësuese motrat Qiriazi. Ai ndikoi që ato, si gra, e nxënëse të caktonin një doktor për të parë shëndetin e mësueseve të tyre të shquara dhe t’i sistemonin në banesa me kondita të mira. Parashqevisë iu dha pension special. Parashqevi Qiriazit u nda nga jeta në moshën 90-vjeçare, më 17 dhjetor 1970. Ndryshe nga motra e saj ajo u përcoll në banesën e fundit me dashurinë e popullit dhe nderim shtetëror.
‘’Populli i kryeqytetit i dha lamtumirën e fundit punëtores së shquar të arsimit shqiptar, drejtueses së talentuar të shkollës shqipe, veprimtares dhe organizatores së shoqërisë së parë të grave në Shqipëri, hartueses së abetares së parë me alfabetin e miratuar nga Kongresi i Manastirit, kryeredaktores së parë, diplomats së vendosur për mbrojtjen e të drejtave të kombit shqiptar në forumet ndërkombëtare.’’ (16)
(20. Dhimitër Dishnica, Motrat Qiriazi, f.194)
Po përmendim edhe një tjetër ndihmesë të çmuar, në fund të viteve70-të, sesi u përball me një pushtetar deri në instance të larta për t’u kthyer shtëpinë Qiriazëve në Tiranë. Në kujtimet e tij Skënder Luarasi ka shkruar: ”Dergjesha në shtrat nga dhimbjet e veshkave dhe poliartriti kur ime shoqe më lajmoi se kishte ardhur të më takonte Ing. Aleksandër Dako, djali i madh i Sevastisë. Një zyrtar i Kinostudios, me makinacione, i kishte rrëmbeu shtëpinë private (rruga Halim Xhelo, Nr.28, Tiranë) të birit të Sevastisë. (Në një anë të saj jetonte edhe vajza e tij, Diana Qiriazi-Hoxha, ish-studente e Luarasit në degën e anglishtes.)
Mbas peripecish e këmbënguljes së Skënder Luarasit në instancat përkatëse, zyrtari u detyrua ta lirojë banesën. Drejtesia u vu ne vend dhe Aleksandër Dako me të bijat e mbylli jetën në vatrën e të parëve duke kujtuar me respekt mirësinë e mikut të vyer në ditët e zeza.
Por ky zyrtar kishte përgjegjësi edhe për një tjetër akt të rëndë
‘’Natasha Lako, bashkëpunëtore në Kinostudio, më kishte kërkuar dhe unë i dhashë ndihmën time për gatitjen e filmit ‘’Mësonjëtorja’’ me skenar rreth shkollës së parë shqipe për vajzat në Korçë, e themeluar më 1891 nga Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe gjithashtu ndihmova që të nderohen motrat Qiriazi me rastin e 35- vjetorit të çlirimit. Kur u interesova për mbarëvajtjen e xhirimeve të Kinostudios më thanë se dikush kishte ndikuar që emrat e dy motrave të zëvendësoheshin me pseudonime. Kësaj i thonë të falsifikosh historinë.’’(21. Petro Luarasi, Familja atdhetare Qiriazi dhe ‘’Mjeshtri i madh’’ i turpit) http://archive.is/o1CPs#selection-397.0-397.70)
Ndër vite personalitetet e shquara të familjes Qiriazi janë njohur, vlerësuar dhe nderuar gjithnjë e më tepër nga populli dhe shteti shqiptar dhe për këtë sukses meriton të kujtohet edhe kontributi i Skënder Luarasit.

Petro Luarasi
(Ky shkrim mbrohet nga e drejta e autorit. Kushdo që përdor këtë material detyrohet të citojë burimin )




Referenca
1. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi. f.12, 27
2. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi. f.40, 42, 44
3.Petro S.Luarasi. Kontribute shekullore. Familja Luarasi për marrëdhëniet shqiptaro-anglo-amerikane, “55”, 19-20-21-22 korrik, 2003
4. Petro N. Luarasi, Mallkimi i shkronjave shqipe, Manastir, 1911, f.21
5. Xhevat Lloshi, Yjet e mëngjesit shqiptar. Parashqevi Qiriazi, veprimtarja e shquar e kombit, Almakos, 21. 03. 2012
6. Myslim Islami. Lidhja shqiptare e Prizrenit. Prof.Skënder Luarasi Personifikim i problemit kombëtar shqiptar, f.385-386
7. Myslim Islami. Lidhja shqiptare e Prizrenit. Prof.Skënder Luarasi Personifikim i problemit kombëtar shqiptar, f. 324-325, 369)
8. S.Luarasi, ç’kam parë e ç’kam dëgjuar’’, Kujtime të pabotuara, IV, 1945-1960.
9. Xhon Kuanrud, Jeta e Gjerasim Qiriazit, f.19-20
10. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi, Bashkimi.- Nr.15, 18 janar, 1959, f.2
Ky artikull u përfshi në përmbledhjen publicistike ‘’Fjala Shqipe’’, 1960
11. S.Luarasi, Gjerasim Qiriazi. f.50
12.S.Luarasi, Sevasti Qiriazi-Dako, Drita, 15 tetor 1981, f.8) (13.S.Luarasi, Parashqevi Qiriazi, Drita, 14 dhjetor 1980, f.12
13. S.Luarasi, Parashqevi Qiriazi, Drita, 14 dhjetor 1980, f.12
14. “Panorama” , suplementi “Unë gruaja”, Donika Omari, Si i përjetuam arrestimet në shtëpinë botuese "Naim Frashëri, 19.10.2014) http://www.panorama.com.al/perkthye...arrestimet-ne-shtepine-botuese-naim-frasheri/

15. Ilir Mborja, komente , “Panorama” , suplementi “Unë gruaja”, Si i përjetuam arrestimet në shtëpinë botuese "Naim Frashëri, 19.10.2014, http://arrestimet1.rssing.com/chan-33338949/all_p1.html#item8
16. Myslim Islami Prof.Skënder Luarasi Personifikim i problemit kombëtar shqiptar f.384- 385)
17. S.Luarasi , Publicist dhe patriot i shquar. (Kristo Dako) , Tribuna e gazetarit, Nr.5, 1973, f.38-39)
(18.Naum Prifti, I paepuri profesor Skënder Luarasi) http://www.voal-online.ch/index.php?mod=article&cat=OPINONEEDITORIALE&article=7237
19. Dhimitër Dishnica, Motrat Qiriazi, f.192
20. Dhimitër Dishnica, Motrat Qiriazi, f.194
21. Petro Luarasi, Familja atdhetare Qiriazi dhe ‘’Mjeshtri i madh’’ i turpit http://archive.is/o1CPs#selection-397.0-397.70

Publikime të Skënder Luarasit për familjen Qiriazi: Gjerasi, Sevasti, Parashqevi dhe Kristo Dakon
Skënder Luarasi, Gjerasim Qiriazi : Jeta dhe vepra, Tiranë, 1962, 197 f.
Skënder Luarasi, Les soeuers Qiriasi , Tirana, 1962, 36f.
Skënder Luarasi , The Kyrias sisters ,Tirana, 1962, f.32
Skënder Luarasi , Gjerasim Qiriazi, Bashkimi, 18 janar 1959, f.2
Skënder Luarasi, Fjala Shqipe, Gjerasim Qiriazi, 1960, f.103-104
Skënder Luarasi , Publicistika e motrave Qirjazi, Tribuna e gazetarit, Nr.6, 1972, f.35-37
Skënder Luarasi , Publicist dhe patriot i shquar. (Kristo Dako), Tribuna e gazetarit, Nr.5, 1973, f.38-39
Skënder Luarasi , Parashqevi Qiriazi, Drita, 14 dhjetor, 1980, f.12.
 
Petro Luarasi. Morton F.Eden:''Shqiperia pakenaqesite e saj'' dhe ''Shqiperia dhe fqinjet e saj'' Ky nuk eshte thjesht nje liberth me dy pjese studimore, por nje busull orientuese per cdo atdhetar shqiptar qe ne pak faqe te kuptoje shume enigma, komplote, madje percakton me largpamesi edhe shkaqet per situaten qe po vuajme sot. Ky diplomat britanik me eksperience te madhe, na skanon brinje me brinje, diagnostikon dhe na jep receten tok me ilacin sherues. Nese duam ta perdorim, shpetojme!
Kontributi madhor i Morton F.Eden dhe paradoksi i heshtjes! Në përkujtim të 95-vjetorit të Kongresit Kombëtar të Lushnjës, ndër programet festive u shfaq edhe një film dokumentar ku ndër delegatët shqiptarë të kongresit u publikua edhe fotoja dhe kontributi i konsullit anglez Morton Frederik Eden.
Bashkia e qytetit të Lushnjës e vlerësoi me titullin “Qytetar Nderi”, me motivacionin: “Misionar i Shqipërisë në kohë të vështira, dha kontribut të veçantë në mbrojtjen e Kongresit të Lushnjës”. Nga ana e tij Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shqipëri, Nicholas Cannon, të cilit iu dorëzua ky titull, u shpreh: “Shteti im ka qenë prezent me trupin diplomatik për të stabilizuar fatet e Shqipërisë. Ndërsa Konsulli Eden ka një kontribut të veçantë personal në ruajtjen e punimeve të Kongresit në momentet kur ekzistenca e shtetit shqiptar vihej në rrezik.”
Ndër ata që ndihmuan këtë publicitet veçoj studjuesin Engjëll Zerdelia me librin e tij të suksesshëm ‘’Kongresi Kombëtar i Lushnjës’’, që i kushtoi vëmendjen e duhur edhe kontributit dhe nderimit të miqve të huaj me në krye Morton F. Edenin. (2)
Sikurse në raste të tjera harrese, për personalitete dhe ngjarje të rëndësishme kombëtare, atdhedashësit shqiptarë shqetësohen përse do të duhej të kalonte rreth një shekull për ta përmendur dhe vlerësuar konsullin anglez që jo vetëm ‘’ka një kontribut të veçantë personal në ruajtjen e punimeve të Kongresit’’, por dhe për shumë e më shumë vepra bamirësie ‘’në ditët e sterrosura’’ për shqiptarët?!
Dritë-hijet e kësaj enigme: rrethanat, tjetërsimi i të vërtetës, atentatet dhe kërcënimet deri në nivelet më të larta ndërqeveritare, që çuan në largimin e tij nga detyra dhe përpjekjet për t’ia shuar përjetë emrin dhe veprën, i qartëson më së miri studjuesi grek Lampros Psomas, edhe pse bazohet në interesave politike greke.(3)
s7o9Jjv.jpg
 
''Njollat e murrme'' dhe një kujtim miqësie nën diktaturë.
‘’Me hipokrizinë e injorancën krah për krah nuk shkohet veçse në mynxyrë”.
Skënder Luarasi
1. Informatori raporton se më datën 11.11.1969 Prof.Skënder Luarasi takoi një shok në rrugën e Kavajës, para Kinema ‘‘ Republika’‘, në orën 16.30 dhe biseduan me të në rrugë. Kur ra fjala për artikullin ‘‘Njolla e zezë ‘‘ të Ibrahim Uruçit, lidhur me dramën ‘‘Njolla të murrme’‘, Skënderi tha:
‘‘Unë shfaqjen nuk e kam parë se mua nuk më ftojnë në këto gjëra, por më thanë se ajo u pëlqye shumë herën e parë. Por njerëzit tanë s'kanë gjykimin e tyre. Ata gjykimin e orientojnë sipas qëndrimit që mbajnë të mëdhenjtë: ditën e parë e brohoritën, kurse ditën e dytë kaluan në mosaprovim dhe tani e shajnë sepse s'e paska pëlqyer udheqësi i jonë. Kështu jemi ne: s'kemi bindjet tona e aq më pak kurajo për t'i mbrojtur ato.
Ne jemi si ata, për të cilët mund të thuash se zhvillojnë një dialog të tillë:
I pari : ‘‘Ai është njeri i mirë’‘.
Të tjerët: ‘‘Po, posi, shumë i mirë!’‘.
I pari: ‘‘Po ka bërë dhe ca gabime, ka dhe të meta’‘.
Të tjerët: ‘‘Posi, ka shumë gabime!
I pari: ‘‘Po unë mendoj se ai meriton të lavdërohet’‘.
Të tjerët: ‘‘Posi! Meriton! Bile ai duhet marrë si shembull’‘.
I pari: Por ama, për i keq, i keq është!’‘
Të tjerët: ‘‘Ashtu është, vërtet, shumë i keq është! Puna e tij duhet parë mirë e me kujdes!’‘
E kështu me radhë, ne jemi në gjendje, pa pikë turpi të kthejmë gjykimin tonë ore e çast si të fryjë era e si të thonë eprorët.
‘‘ Lidhur me këtë’’, tha Skënderi, ‘’po të tregoj një rast për një leksion që mbajta në kursin e anglishtes në universitet. E kisha hallin që nëpërmjet gjuhës anglishte t'i edukoja studentët që mësimet dhe parimet mos t’i gëlltisin kallëp, por t'i kthejnë në bindje të tyre dhe atyre bindjeve t'u qëndrojnë besnikë. Për këtë shfytëzova rastin t'u flas për Shellin (shkencëtarin anglez të para 130 vjetëve), i cili në moshën 17-18 vjeç, kur ka qenë student (dhe ua theksova studentëve të mi se atë pjekuri ai e kishte që në atë moshë) shkrojti veprën ‘‘Mbi nevojën për të qenë ateist’‘, ku donte të tregonte se për të ecur përpara shoqëria njerëzore është e domosdoshme të çlirohet nga prangat e fesë. Për të argumentuar këtë ai, ndër të tjera shkrojti edhe këtë: ‘’Sikur ne të ishim në gjendje të shpiknim një mjet fluturimi aq të shpejtë sa që, po t'i hipim atij në Londër në mëngjes dhe të nisemi me të përmes Afrikës dhe të arrijmë në skajin jugor të saj pa perenduar dielli dhe gjatë kthimit të ndalemi e të zbresim midis afrikanëve që na panë duke fluturuar, ata do të kujtojnë se ne jemi perëndi’‘.
‘‘Mirëpo’’, vazhdon Skënderi, ‘’për këtë shkrim Shelli përjashtohet nga universiteti. Babai i tij, një nga pasanikët më të medhenj të asaj kohe në Angli, me një pasuri prej 3 milion stërlinash, e përjashton dhe
ai nga shtëpia dhe nga trashëgimi i pasurisë . Çështja bëri bujë të madhe sa një ditë presidenti i dhomës së komuneve, që ishte mik i ngushtë i babait të Shellit, e thirri ketë dhe i tha: ‘‘Si e bëre këtë punë?’‘
Shelli i tha: ‘‘Po ja, e bëra tani!’‘
Ai i tha: ‘‘Po ti je kalama! A e kupton se përjashtohesh nga universiteti, se po humbet 3 milion stërlina!’‘
Shelli i tha: ’‘E kuptoj. Po, ç'të bëj? Ja që e shkrojta!’‘
Ai i tha: ‘‘S'ka gjë! Po e rregulloj unë këtë punë. E di ç’duhet bërë?
Shkruaj një letër për rektorin e universitetit ku t'i thuash të të falë
se s'ke qenë në vehte kur e ke shkruajtur atë shkrim. Dhe kështu zgjidhet çdo gjë.
Edhe në universitet do të qëndrosh, edhe pasurinë do t'a trashëgosh!’‘
Por Shelli i tha: ‘‘Shumë mirë është të vazhdoja universitetin dhe të merrja trashëgiminë, por si i bëhet që unë jam i bindur për ato që shkrojta, e si të them që nuk besoj më në ato?’‘
Pastaj Skënderi tha: ‘‘E di ç'u bë për këtë tregim që bëra në leksion? Më kanë raportuar se në vend të mësimit, i mbaj studentët me përralla’’.

2. Denoncim i një nje tjeter informatori.
‘‘... Nga fundi i muajit Qershor 1970, një herë tjetër kur ishim me Mihallaq Luarasin, u takuam para pallatit të kulturës me Skënder Luarasin dhe biseduam për dramen ‘‘Njollat e murrta’‘. Skënderi përveç të tjerave tha që kjo dramë qe një dramë e madhe sa u morrën me të udhëheqës kryesore të partisë, pavarësisht se u kritikua. Mbasi u ndamë me Skenderin unë i thashë Mihallaqit se çfarë tha ashtu Skendëri. Mihallaqi më tha që kjo dramë me të vërtetë është e madhe, ajo u kritikua sepse ngjalli shqetesime ndërmjet vetë udhëheqësve të partisë, u nxorri atyre probleme të medhaja prandaj edhe e kritikuan. Në këtë kohë jemi ndarë me Mihallaqin, ai shkoi në restorant ‘’Donika’’ për të ngrënë drekë, ndërsa unë ika tek një kushërirë...’‘
(Nxjerrë nga procesi gjyqësor ndaj Mihallaq Luarasit, i datës 10 Maj 1973) . Mihallaq dhe Edi Luarasi
5SSfLIb.Luarasi       4.jpg

vPESQjK.png
 
Last edited:
Back
Top