Guest viewing is limited
  • Përshëndetje Vizitor!

    Nëse j’u shfaqet ky mesazh, do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar, ju arrini të shihni pjesën më të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. J’u lutem:REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Skënder Luarasi

Ndal falsifikatorit Agron Gjovalin Luka!

Petro Luarasi

Deklaratë Publike
Ndal falsifikatorit Agron Gjovalin Luka!

Mediat që publikojnë shpifje e falsifikime pasi provohet mashtrimi duhet të denoncojnë apo te fshijnë nga publikimi materialet dezinformuese kriminale
Në media ( “Shqipëria Etnike.com Nr. 148“ është publikuar shkrimi im “Ndal shpifjeve ndaj Migjenit dhe Skënder Luarasit!” ku akuzoja Agron Gjovalin Lukën dhe të tjerë që manipulonin me sajesa. Në vend që të jepeshin prova apo të kërkohej ndjesë për shpifjet, në këtë numër lexova një material tjetër të bollshëm të z.Agron Luka duke përfshirë “Edhe një Përgjigje të parafundit për z. Petro S. Luarasi!” me trillime e falsifikime të tjera të cilat do të meritonin sqarime tepër të gjata, ndaj po ndalem tek më kryesorja.
Tek Shqiperia etnike.com, në nr. 147/ 16 tetor 2011 e 148 /21 janar 2012 paraqiten si shkrime të miat fotoskanime artikujsh të Dashnor Kaloçit të cilat keqinterpretohen dhe argumentohen si prova mbi kinse “internimin e Dh.Fullanit” ku shkruhet si diçiturë: Fotoskanimet për “çështjen Dh. Fullani” , flasin vetë, O Zoti Petro Luarasi! Po më vjen jashtzakonisht mirë, që ai “dënimi” i trilluar nga ti vetë, nuk paska qenë më shumë se aq: dhe akuzohet poshtërsisht Skënder Luarasi kinse “për shërbimet që i ka bërë shokut Enver e Partise , të shkruara kinse nga Petro Luarasi, etj. (citoj: “Lexoje, ja ku është shërbimi i madh ndaj Partisë dhe shokut Enver i Skënder Luarasit, botuar nga Petro.” (Shqiperia etnike.com, nr.147, në fund , diçitura poshtë artikullit të Dashnor Kaloçit ku janë paragrafet ‘Letra për Enverin” dhe “Enveri kundër Luarasit” )
Nga talljet e tij “ mbi zemërimin e debatet e mia me Dashnor Kaloçin mbi botimin jo të saktë të materialeve mbi Migjenin e Skënder Luarasin, A.Luka, indirekt pranon që ato nuk janë shkrimet e mia, pra kundërshton veten. Edhe ndjesa që i kërkoi familjes Fullani ( por jo asaj Luarasi për trillimin që deklaroi mbi “internimin” prej Skënder Luarasit ).
Me heshtjen e tij ndaj ballafaqimit të fakteve ( krahasimi nga unë i citimeve të sajuara prej tij si kinse të Skënder Luarasit me perifrazimet e mëvonshme për t’i “argumentuar” ato) ai pranoi heshturazi më në fund se redaksitë e gazetave Albania e Shqip dhe unë kemi patur të drejtë kur denoncuam trillimet e tij “me thonjëza”, por prap z.Agron Luka nuk kërkoi ndjesë. Më poshtë do të ndalemi edhe tek shpifja më e kobshme politike që ka bërë Agron Luka ndaj Skënder Luarasit si personalitet i spikatur kundër diktaturës së Enver Hoxhës dhe klanit të tij.
Në librin e Agron Lukës “Rreth të vërtetës për botimin “Migjeni-Vepra” , 1954, botues Camaj-Pipa, 2011, të cilën e bleva këto ditë tek një shitës ambulant ( por gjendet edhe në Bibliotekën Kombëtare) që në fakt përmbledh vetëm 19 faqe me trillime, shpifje e falsifikime të tij ( pasi pjesa tjetër është kryesisht lëndë që i takon veprës së Migjenit të botuar nga Gjovalin Luka më 1954) krahas ndyrësive të tjera lexova: ‘Fillimisht, meqenëse Petrua nuk kishte patur eksperienca letrash, ia shiti patentën prokurorit të gazetarisë letrare z. Dashnor Kaloçi. Ishte ky zotëri Kaloçi, autori i serialit te “Gazeta Shqiptare(15-21 prill 2003) , madje pretendonte se ‘ashtu e kishin urdhëruar”. Petroja junior, mbasi e akuzoi edhe vetë Kaloçin për ‘’bërje sallatë të materialit” na doli vetë në skenën e Migjenologjisë, ‘ me shpatë zhveshur”,madje për të dëftyer genin e trashëguar... (RD, 30.4.2003) “ Agron Luka, rreth të vërtetës...”, 11.
Më tej (në faqen 13 ) citojmë të ketë shkruar se ‘’vetë z. Petro i ka hapur këto letra e tema disidentore” deri edhe me pohime të Skënder Luarasit, drejtuar Enver Hoxhës: ‘’Unë S. Luarasi i kam bërë Partisë dhe ju shoku Enver, shërbime të mëdha”, dhe kur nga ana tjetër citon atë plakoçin shefin e Dosjeve , se ‘’Skënder nuk na kish patur dosje, sepse fliste hapur” atëhere unë kam të drejtë të dyshoj se, diçka ju djeg!”
Duke ia bashkëngjitur këtë citim të Agron Lukës “provës” të tij të sipërcituar tek Shqipëria etnike, nr. 147, me fotoskanimit të materialit të D. Kaloçit ( kinse si i imi me diciturë “Lexoje, ja ku është shërbimi i madh ndaj Partisë dhe shokut Enver i Skënder Luarasit, botuar nga Petro.”) – në rast se provohet që nuk i përgjigjet realitetit- kjo jep provën e padiskutueshme të shpifjes dhe falsifilimit me paramendim për të kompromentuar e poshtëruar politikisht Skënder Luarasin e ‘’autorin e publikimit” Petro Luarasi si dhe seriozitetin e përfaqësuesit të institucionit shtetëror, të ndjerin zotëri Nafiz Bezhani. (Skanimi i dokumentit gjendet tek Forumi shqiptar, tema Skender Luarasi dhe Migjeni dhe Skender Luarasi)
Krahasimi i përmbajtjes së fotoskanimit të letrës apo edhe zbardhja e gabuar e tij nga Dashnor Kaloçi shihet qartë që nuk e përmbajnë citimin ‘’Unë S. Luarasi i kam bërë Partisë dhe ju shoku Enver, shërbime të mëdha” dhe Agron Luka nuk na ka paraqitur provë tjetër nga e ka gjetur. Prandaj së pari unë e akuzoj publikisht Agron Lukën si shpifarak dhe falsifikator të poshtër, së bashku me ata që e përkrahin. Pranohet botërisht “Kush falsifikon një herë, nuk është më i besueshëm” , por pse Agron Luka që falsifikon vazhdimisht konsiderohet “ i besueshëm”.(?!!!)
Këto trillime e shpifje të Agron Lukës “çuditërisht” kanë gjetur “vakëf” në ndonjë media të shkruar e elektronike ku madje persona anonimë i kanë përdorur si referenca e “prova bindëse” për të stërholluar akuza edhe më të turpshme , të cilat Agron Luka deklaron që nuk i përkrah por vetëm sa “ i ka marrë me mend” si p.sh mbi shkakun dhe pasojat e dënimit të babait të tij Gjovalin Luka.
Në këto kushte kur dikush trillon, shpif e falsifikon prova me shkrim dhe ato keqpërdoren me paramendim nga klane e media të tjera, i mbetet barra së pari redaksisë së organit apo medias përgjegjëse që, në rast të mungesës së ndjesës nga autori përgjegjës
të largojë pjesën e vet të përgjegjësisë etiko- ligjore të paktën duke hequr tekstin apo imazhin e materialit, që të mos përdoren për dizinformim nga media apo eventualisht edhe nga instancat përkatëse të drejtësisë.
Libri i Agron Lukës “Rreth të vërtetës...” është propaganduar në disa media të shtypura e elektronike, është depozituar në Bibliotekën Kombëtare e eventualisht në biblioteka të tjera dhe është gjendur duke u shitur në treg të lirë.
Në librin e tij Agron Luka ka shkruar “ Ribotimi i skanuar i librit origjinal të botimit 1954, bashkë me gjashtë pjesët e hequra e komentet, bëhet me tirazh minimal 100 kopje, vetëm për ruajtje e njohje shkencore, meqenëse botimi origjinal i vitit 1954 , nuk ndodhet në bibliotekat tona. Ky ribotim i skanuar është i pashmangshëm...” ( A.Luka “Rreth të vërtetës...” f.9)
Edhe kjo gënjeshtër e Agronit të Lukajve i ka këmbët e shkurtra e bishtin e gjatë:
- Materiali prej 200 faqesh i përket veprës së Migjenit e cila ligjërisht ende i takon familjes së tij me përfaqësuese znj. Angjelina Luarasi-Ceka dhe së cilës nuk i është marrë leje
- “Studimi rreth së vërtetës” prej 19 faqesh i Agron Lukës përmban trillime, shpifje dhe falsifikime ( si ai i sipërcituar) të dënueshme moralisht e ligjërisht.
- Nuk është e vërtetë që botimi i vitit 1954 nga Gjovalin Luka gjendej me shumë kopje e në shumë biblioteka si Biblioteka Kombëtare, Biblioteka e Institutittë Historisë, tek e Fakultetit të Filologjise etj, pra nuk ishte e domosdoshme “ribotimi për studim shkencor”
- Libri në kurrizin e tij ka të shtypur çmimin 600 lekë dhe shitet në treg.
Duke patur parasysh këto shkelje të rënda të dënueshme moralisht e ligjërisht, i bëjmë thirrje Agron Lukës, të kërkojë ndjesë, ta tërheqë urgjentisht librin nga tregu e ku e ka çuar se do të ketë pasoja të paparashikueshme.
U bëjmë thirrje mediave të shkruara e elektronike që të heqin shkrimet e fotoskanimet që përmajnë këto shpifje e falsifikime dhe të ndalin reklamimin e tyre si një informacion i dënueshëm.
Krahas njoftimit të opinionit publik, do të shtrohet edhe çështja se kujt i ngarkohet dëmi moral e material që i është shkaktuar Migjenit, Skënder Luarasit e familjeve të tyre.

Petro Skënder Luarasi
 
Fjalim historik i Skënder Petro Luarasit

Fjalim historik i Skënder Petro Luarasit

Festimi i 28 Nëntor 1928 në Vjenë
‘’28 Nëntor 1928, Dita e Flamurit, u festua në Vjenë nga studentët shqiptarë me shkëlqim. Në sallën e hotelit ''Zur Stadt Paris'' feksnin ngjyrat kuq e zi.’’
Në gazetën ''Dialëria'', nëntor 1928, shkruhet:
''Mbrëmavet më ora tetë kryetari i shoqëris ''Albania'' z.Skënder Luarasi çeli mbledhjen duke folur mbi rëndësinë e ditës dhe duke u thënë mirëseardhjen miqve të festimit. Pasi u këndua hymni i flamurit iu dha vendi i nderit z.Dr.Pekmezi, i cili me fjalë të zjarrta shpiegoi detyrat e mëdha qi konfrontojnë dialërin shqiptare. Zotëris së tij iu përgjegj z.Kristo Maloki, i cili kishte ardhur si përfaqsonjës i studentëve shqiptarë të Gracit. Z.Maloki jo vetëm i preku të gjithë me fjalën e tij, por u gëzoi edhe zemrat me pjesat nacionale të kompozuara vetë dhe të lojtura në violinë. Z. Nafiz Tela, student në Konservatorium t'atyshëm, i kënaqi dëgjonjësit me zërin e tij të kandshëm. Më së fundi z.Ahmet Duhanxhiu mbajti një bisedë të lartë mbi nevojën e bashkimit dhe idealizmin e dialëris shqiptare. Z.Mitrushi tregoi shpresë për një lidhje të studentëvet shqiptarë që të mund të përfaqësohen dhe këta në kongreset e Konfederatës Internacionale të Studentëvet. Festimi mori fund ndaj mëngjezit të thellë duke forcuar në zemrat e të gjithëve kujtimin dhe vleftën e ditës së pamvarësis shqiptare".


“Koha do të vinjë - dhëntë Zoti - që Kosova, atdheu i mbytur në gjakun e fatosave të liris arbnore dhe i larë me lotët e nënave fatkeqe, atdheu i puthur prej buzëvet të njoma foshnjash të pafajshme, që n'agoni shpirti bijen nën forcën e gjakpirësit: që Kosova jonë trime do të bashkohet me mëmën Shqipëri.”

Fjalim i Skënder Luarasit

Çelja e festës (*)
Zotërinj të nderuar! Shokë të dashur! Në këtë moment, kur mendjen dhe zemrën ia truajmë kujtimit më të ëmbël të jetës sonë kombëtare, i duket e vështirë gojës së pastërvitur të përshkruanjë me fjalë gëzimin që rreh krahrorin e çdo shqiptari. Nga ky shkak do të kisha dëshiruar më tepër të mendonja në heshtje dhe në heshtje t'i falesha Perëndis për çastin fatbardhë q'i fali Shqipëris sonë të dashur gjashtëmbëdhjetë vjet më parë. Megjithatë jam i lumtur që m'u dha rasti i shtrenjtë ta çel unë festën e simvjetme dhe t'ju them, miq të nderuar dhe shokë të dashur, një mirëseardhje të përzemërtë në emër të shoqëris ''Albania''.
Bashkatdhetarë! Vjete me radhë po çduken. E njëzeteteta e Nëntorit kthehet për mot. Dhe ne jo vetëm s'e shtiem në harrim por e kemi shënuar në kalendarin tonë si kryeditën e vitit. Kjo ka arësyen e saj. Është arësyeja e mirënjohjes kundrejt ngjarjes q'i solli shpëtimin dhe çlirimin një kombi të tërë. Përmbi faqen e dheut asnjë popull nuk ka përse të gëzohet më tepër për lirin e vet sesa yni, që fati i pamëshirshëm e ka goditur më shumë se cilindo tjetër. Të lejmë vuajtjet e mëparshme mënjanë. Të pesë shekujt e sundimit turk, q'i rënduan përmbi krye shqiptarit, përbëjnë një nga periodat më të zeza në historin e botës. Qindra mijë, milionë njerës që kishin të drejtën autoktone të banonin në truallin e trashëguar prej stërgjyshërvet të tyre u ndodhën përpara rrezikut të math të humbisnin ekzistencën nacionale. Mund të themi se asnjë tirani e huaj nuk ia shëmtoi shqiptarit shpirtin aqë keq sa robëria e gjatë nën Turqinë. Nën zotërimin e saj një jetë e tmerrshme plot nevojë dhe dëshpërim filloi për vendin tonë, për të cilin çdo mot, po, çdo muaj e çdo ditë ishte një çast sakrifice. Kombsia shqiptare u dobsua e u rrëzua në një shkallë ku pothuaj pritej të jepte shpirt. Të prerë nga marrëdhënjet me shtetet e kulturës perëndimore u lamë fillthi në mëshirën e një forceje shkatërronjëse orientale. Shpërdorimet dhe shtypjet kapërxyen çdo kufi. Dhe ne duruam të rrëzuar.
Porse me gjithë tronditjet që pati populli ynë lëndërisht dhe shpirtërisht fuqit e tij qenë të pahepura. Shtypja shkaktoi kundërshtypjen. Trimërija e kohës së Skënderbeut, që bëri çudira njëherë, zuri të zgjohet. Shpatës gjaktare shqiptari i tregoi gjoksin dhe ngriti krye për të fituar lirin e kushtueshme. Si shembëll të përpjekjeve të tija kreshnike le të përmenden kryengritjet e vitit 1571, 1737, kryengritjet nën Pashallarët e Shkodrës, t'Ali Pashë Tepelenës dhe veprën e njohur të Lidhjes së Prizrenit. Këto vërtet nuk suall ndonjë fitim të dukshëm, por prapë rrëfyen që fuqija e huaj, ndonëse popullin e shtypi dhe zhvillimin kombtar e bëri në shumë pikëpamje të pamundur, nacionalismën shqiptare nuk mundi ta çfaroste dot. Ay u dergj por kurrë nuk vdiq. Shqiptarët e thjeshtë në zemrën e të cilëve flaga e shenjtë e patriotismës akoma qëndronte e pashuar, e sidomos ata patriotë q'urdhër i rreptë i tiranis i kishte shtrënguar t'arratisen lark shtëpis, as në mërgim nuk e harruan vendin lindor dhe nuk rreshtën së vepëruari për çlirimin e tij. Mundimi i tyre u kurorëzua së pari me prishjen e sundimit hamidian dhe me ngrehjen e një qeverie konstitucionale në Turqi. Ndërkohë shkëputja e Shqipëris prej Turqis në një shtet më vete ishte një çështje dite. Aqë i math ka qenë përparimi i nacionalizmës shqiptare në të katër vjetet pas të ashtuquajturit konstitucion, sa fqinjët lakmonjës të Ballkanit u tmerruan. Sapo ahere kur ideali i liris shqiptare po realizohej afroi një kohë nga më të rrezikshmet për ne. Shpëtuam, si me thënë, prej shiut e ramë në breshër. Lufta ballkanike qe një çqetësim për ne se shikuam në fitimin e grekëvet, serbëvet dhe malzesvet humbjen e të drejtave tona. ç'vazhdoi i dimë fort mirë. Vetë si foshnja i kemi hequr të këqijat e kësaj lufte. Tokëria u bë hir i zjarrit t'ushtrisë greke dhe Gegërija fli i çnjerëzimit serb. Shqiptarëvet s'u mbeti gjësend tjetër veç se të marrin rrugën e perëndimit dhe të gjejnë strofkë e mbrojtje në Vlorën kreshnike. Aty, në kohën kur në të gjithë Shqipërinë dukej sikur ëndra e bukur për liri po venitej siç fishken fletët nën cikmën e vjeshtës, u ngrit në mes të brohorive të një populli të ringjallur flamuri i Shqipërisë.
Sot e gjashtëmbëdhjetë vjet më parë shikuam në të shemburit e imperatoris osmane se në çfarë godinë të pa sigurtë kishim fjetur për aqë qindra vjete, se prej çfarë rrezikeve të mbëdhenj qemë rrethuar. Ahere erdhëm në vetëdijë të plotë që do të shtypeshim nën atë gërmadhë po të mos lëviznim vendit. Lëvizëm e treguam se ç'mund të bënim po të donim. Vetë me duart tona e ngrehëm ndërtesën e re të Shqipëris indipendente. Disa kërkojnë të na e mohojnë këtë shërbim dhe janë të mendjes së gabuar që ngrehja e shtetit të ri është përfundim i lodrave diplomatike. Kjo është një gënjeshtër. Përkundër, fakti e provon që Kaizerët dhe mbretlerët për interesa të veçanta kanë dashur ta bëjnë fli Shqipërin e gjorë. ''E përse kaq shumë kokëçarje për një fshat katërqind shtëpish !'' thirri dikush nga monarkët për Korçën shqiptare q'e njihte për greke sepse donte t'ia jepte dhuratë të kunatit; edhe një tjetër syresh gjithashtu për Shkodrën e Teftës sepse nuk dëshëronte t'i prishte qefin të vjerrit!
Kjo mospërfillje e të drejtave tona s'u shfaq vetëm më 1913 prej atyreve q'i mbanin fatet e kombeve në dorë. Edhe dikush tjetër nga njerëzit e mëdhenj të kohës më së lashtë pati goditur njëherë me grushtin e hekurt trapezën e gjelbër në Kongresin e Berlinit duke thirrur: ''Nuk ka kombësi shqiptare!''. Më vonë pakë iu desh këtij zotëriu të dërgonte për turp e faqe të zezë të pushteteve të mëdhenj t'Europës një flotë internacionale kundër Ulqinit e një Dervish Pashë me disa hordhi turke kundër Lidhjes së Prizrenit e cila i tregoi gjithë botës që ''Ka kombsi shqiptare!''
Edhe në qoftë se kjo lëvizje patriotike u dërmua nën fuqinë brutale e të gjakshme të Sulltanit e të fqinjëve të bashkuar me këtë, prapë se prapë zhvillimin e natyrshëm të gjërave nuk mundi ta ndalojë asnjë fuqi e dheut. Nga thelbi i popullit shqiptar dhe nga volla e tij doli më 28 Nëntor 1912 sundimi q'i pëlqente e i përshtatej atij.
Kurorën e liris shqiptare, po, nuk ia kemi borç diplomacis europiane. Kurorën e liris shqiptare ua kemi hua atyre atdhetarëve që me mendjen e tyre ndritën popullin me shkronja, patriotëve që të ngarkuar me brengat e një populli të tërë, udhëtonin fshat më fshat dhe ngjallën në zemra gjysmë të vdekura shpresa të mëdha e të ëmbla, dëshmorëve që në malet e Kosovës dhe në fushën e Korçës dhe të Vlorës e ngritën tempullin e kombit me gjakun dhe eshtrat e vet.
Vuajtjet që hoqi shteti ynë në dekadën e parë pas krijimit të tij - këtu dua të kapërxenj disa nga fletët e zeza të historis sonë - vërtet e vunë në prova të rënda por gjene treguan vullnetin e fortë të shqiptarit. Edhe kur djepi i rilindjes shqiptare ishte në dorë të huaj, shqiptarët me atë vullnet të hekurt qenë të zotë të bëjnë në Lushnjë një Vlorë të dytë e i thanë botës që duan të rrojnë të lirë me çdo çmim.. Pastaj që populli shqiptar, i cili arriu të gëzonjë një herë lirinë, me asnjë mënyrë nuk do t'i përunjet ndonjë zgjedhe të re e provoj pakë më vonë ngjarja heroike e Vlorës më 1920.
Po; çështja e ekzistencës së shtetit shqiptar të lirë ka marrë fund. Jetën tonë kombëtare e ka siguruar një fuqi e mbinatyrëshme, përpara së cilës çdo fuqi e dheut duhet të hepet. Nuk janë shkruar më kot fjalët e vjershëtorit:

Mbi at flamur Perëndija
Me dor' t'vetë e ka shkrue,
Për shqiptarë do t'jet Shqipnija;
Kush e prek aj qoft mallkue.

Kaqë mbi të shkuarën tonë. E në qoftë se që në pranverën e rilindjes sonë nacionale kemi treguar shenja gjallësije, ahere sa raste të mëdhenj po na jep e arthmja jonë të rrojmë e të vepërojmë e ta lartësojmë popullin tonë në sfera më të lumtura!
Në krahasim me këtë të pritme t'amëshueshme gjashtëmbëdhjetë vjetë të foshnjëris së një kombi nuk janë asgjë. Lirija nuk vjen në një ditë as dobit e saj nuk shprehen në një të katërtë shekulli. Puna jonë ndehet përpara syvet tonë jo prapa krahëvet. Pa të shohim se ç'vepra të mëdha mundim të mbarojmë kështu-tutje që prej atyreve të praktikës gjer në të theoris. Ja bujqësia që do improvuar për të bërë të lumtur jetën e bujkut dhe bariut shqiptar; ja ekonomija për t'i ndihmuar tregëtarit të mbrohet kundër dëmeve të jashtëm; ja mjekësija për ta shpëtuar racën tonë prej smundjevet; ja arësimi që pret akoma për t'u bërë baza e kulturës shqiptare. Dhe të gjitha këto mvaren prej nesh. E ne a do të kemi guxim t'i kundërshtojmë kësaj detyrës sonë, edhe sikur të na lypte therrorit më të mëdha? Një populli që ka vuajtur nën kushtet më të rënda , q'akoma vuan dhe megjithë këtë s'kursen as kafshitën e gojës për të na arrësyer ne - një populli kaqë të mirë e fisnik nuk do t'i mohojmë as më të rëndin shërbim! Mirënjohja jonë kundrejt tij do të na bënjë t'i harrojmë të gjitha pakënaqësit që mund të kenë ngjarë në mest të vëllazëris. Përpara interesit të kombit duhet dhe do ta hedhim poshtë interesin vetiak. Përpara urdhërit të pakundërshtueshëm të këtij flamuri - bashkohemi që të mos na ndanjë asgjë në botë.
Në këtë orë solemne le të largohemi nga dëshirat e kota duke u lartësuar në regione më të pastërta të idealismës. Le tu themi një ''ndjesë pastë'' atyre heronjve që me besim të patundur shkrinë jetën e lanë pas jetimë që të na dhurojnë këtë ditë. Le të qëndrojmë një grimë në mendim vaji për vëllezrit tanë në veri e në jugë q'akoma rrojnë robër. Koha do të vinjë - dhëntë Zoti - që Kosova, atdheu i mbytur në gjakun e fatosave të liris arbnore dhe i larë me lotët e nënave fatkeqe, atdheu i puthur prej buzëvet të njoma foshnjash të pafajshme, që n'agoni shpirti bijen nën forcën e gjakpirësit: që Kosova jonë trime do të bashkohet me mëmën Shqipëri.
(Skënder Luarasi, Dialëria, nëntor 1928, vjeti IX, Volumi II, Nr.7)

Shënim: Në vitin 1928 Skënder Luarasi qe kryetar i shoqërise “Albania” dhe editor i organit të saj “Dialëria”
 
Përgjigje e: Skënder Luarasi

Petro Luarasi

Skënder Luarasi në tempullin shekspirian



Së shpejti do të përkujtohet 450-vjetori i lindjes së Shekspirit (26 prill 1564 - 23 prill 1616) dhe
Shtëpia Botuese “Onufri” ka publikuar gjashtë përkthime prej Skënder Luarasit: Mbreti Lir (King Lear), Rikardi II (Richard II ), Rikardi III (Richard III), Tregtari i Venedikut (Merchant of Venice) , Komedia e keqkuptimeve (Comedy of Errors), Si ta doni (As You Like It).

Bota e qytetëruar do të nderojë së shpejti kujtimin e Uilian Shekspirit dhe tempullin e tij vezullues ku prehen dhe shpërthejnë ndër shekuj dije e mesazhe universale.
Edhe populli shqiptar ka patur mundësi ta njohë e vlerësojnë tempullin shekspirian përmes librave e shfaqjeve në gjuhën shqipe, në aktivitete akademike apo programe shkollore, të cilat vazhdimisht ndiqen me interesim dhe japin rezultate të dobishme në arsim e kulturë.
Historiku i përkthimit të veprave të Shekspirit në gjuhën shqipe nis nga vitet ‘20 të shekullit të kaluar në SHBA, kur Fan Noli përktheu “Otellon“ (1918) dhe Skënder Luarasi veprën “Jul Cesari“ (1919) të cilat i pasuan me shqipërime të tjera, respektivisht edhe me tre (“Hamleti”, “Makbethi”, “Jul Qezari”) e gjashtë vepra (“Tregtari i Venedikut”, “Mbreti Lir”, “Rikardi II”, “Rikardi III”, “Komedia e Keqkuptimeve” dhe “Si ta doni”) .
Në Amerikën e idealeve demokratike u farkëtua edhe miqësia e Fan Nolit me të birin e Petro Nini Luarasit, mikut e bashkëpunëtorit për çështjen kombëtare e kishën autoqefale.
Përgjatë një shekulli fondi i mësipërm është dyfishuar me shqipërime nga Vedat Kokona, Alqi Kristo, Napoleon Tasi, Perikli Jorgoni, Kristaq Traja, etj
Nisur me Shekspirin, Skënder Luarasi ka arritur rezultate shembullore në veprimtarinë e tij 60-vjeçare duke shqipëruar mbi 40 vepra të autorëve: Kalidasa, Schiller, O.Wilde, A. Tennyson, Pushkin, Whitman, De Vega, Dickens, Byron, Goethe, A.Ostrovski, Longfellow, Lessing, Winkop, Gribojedov, Milton, Eden, Rodrigues, S. Skëndi, si edhe disa të humbura me autorë: Persi Shelli, Li Taj Pe, etj.)
Është një ngjarje e lumtur për kulturën shqiptare që ai u njoh me veprën e Shekspirit dhe programoi përkthimin e saj që në rini, i tërhoqur më fort natyra e mesazheve universale të cilat u drejtoheshin brezave. Me “Jul Cesarin” e ”Tregtarin e Venedikut”, Skënder Luarasi nisi përkthimin e kolanës së veprave të Shekspirit duke përmbushur edhe dëshirën e Fan Nolit dhe orientimin e tij letrar e politik me të cilat bashkohej inteligjenca progresive shqiptare.
Ndonëse nuk është kryer ndonjë studim i thelluar mbi kontributin e Luarasit në lëmin e përkthimit, analiza të pjesshme vënë në dukje disa arritje cilësore si: kontributi i hershëm, përzgjedhja e autorëve e titujve, qëllimi dhe mesazhet që përcillte përmes veprës, shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e lëndës (prozë, poezi, tragjedi, dramë, komedi, romane, materiale historike, politike, pedagogjike, etj), bagazhi i njohurive, vlerësimet për stilin, ritmin, pasurimin e gjuhës shqipe dhe njohjen e thellë të gjuhëve.
Rëndësi ka edhe përhapja e mesazheve për qëllime të caktuara në auditore, në hartime, grupe, në teatër e publik.
Skënder Luarasi nisi të përkthejë prozë e poezi që në vitin 1918. Më 1919 përfundoi dhe përgatiti për botim shqipërimin e veprës së Shekspirit ``Jul Cesari` me 120 faqe. Ky informacion gjendet në revistën ``Studenti`` ku kërkohej ndihmë për botimin e librave.
Paratë që do të mblidheshin nga shitja e librit do të përdoreshin për të ndihmuar studentët në nevojë si dhe për të shtypur veprat: ”Tregëtari i Venedikut” dhe ”Skënderbeu ose Liri dhe Dashuri” të Uinkopit. (1) (S.P. Nini Luarasi, Jul Cesari, Studenti, janar 1920 , f. 30.)
Skënder Luarasi mendohej shumë për veprën që do të përkthente dhe e përjetonte gjatë analizën e saj duke shqyrtuar autorin, veprat e tjera të tij, situatën, epokën, mjedisin kur qe krijuar dhe ndikimin mbi lexuesin. “Po ky vazhdues i denjë i rrugës shqipëruese të Fan Nolit rronte dhe preokupohej si ai për mënyrën si duhej ta thithte veprën lexuesi shqiptar. Një dashuri sublime për këtë lexues dhe për gjuhën amtare. Fjalën shqipe, që ai e desh si ai, bëri të mundur që gjenitë e njerëzimit të jenë më të intimtë, të kuptueshëm dhe thellësisht ndikues.” (2)
(A. Kallulli, Shqipërimet e Skënder Luarasit janë Fanoliane, Drita, 16 janar, 2000, f.7.)
Ai përmbushi një dëshirë të Fan Nolit dhe orientimin e tij letrar e politik, idealeve demokratike, kombëtare e shoqërore me të cilat bashkohej edhe ajka e inteligjencies progresive shqiptare.
“Në qoftë se përkthimet e Fan Nolit kanë qenë abetare nga e cila brezat e mëvonshëm të përkthyesve kanë mundur të nxjerrin mësime të dobishme se si duhen përkthyer tragjeditë e mëdha, atëherë mund të thuhet lirisht se përkthimet e Luarasit , janë një lloj teorie, e cila mëson se si të përkthehet drama historike. Ai është një përkthyes i madh në llojin e vet.”(3)
(Sh.Shaqiri Skënder Luarasi dhe vepra dramaturgjike e Shekspirit. Rilindja, 1 nëntor,1980, f.14.)
Për këtë kontribut madhor studjuesi Jup Kastrati deklaron ”me përgjegjësi shkencore se prof. Skënder Luarasi qëndron përkrah Nolit dhe Konicës”(4)
(J. Kastrati. Skënder Luarasi përkrah F.S.Nolit e F.Konicës, Artikull i cit., f. 2)
Skënder Luarasi në përkthimet e tij u frymëzua jo vetëm nga dëshira për njohjen e lexuesit shqiptar me veprën e plotë të Shekspirit dhe nga përvoja, qëllimet dhe kriteret që kishte përzgjedhur paraardhësi i tij, por dhe ta paraqiste veprën në kuadër të zhvillimeve më të reja historike. Ai ishte i bindur se vepra e Shekspirit do t’i shërbente lexuesit shqiptar që të kuptonte edhe personazhe e ngjarje të kohëve moderne. Veprat e Shekspirit e shprehin me vërtetësi artistike frymën e kohës, por janë edhe universale, japin vlera mbihistorike, që sintetizojnë përvojën botërore të historisë njerëzore. Ndaj në veprat e tij mund të shihen edhe pjesëza të historisë së hershme, edhe mund të gjykohet mbi kohë, ngjarje e vende të tjera.
Kur diskutohet për vlerat e Skënder Luarasit si përkthyes duhet patur parasysh vështirësia e origjinalit, pasuria e madhe e aforizmave, fjalëve të urta, sentencave, metaforave dhe simboleve që përmbajnë veprat. Atje Skënder Luarasi ka dhënë tensionin e brendshëm dramatik që përshkon skenat e gjalla e plot larmi, skalitjen e karaktereve me fjalë dhe shprehje të një gjuhe tjetër. “Veprat, pavarësisht nga zhanri që i përkasin, nuk janë zbehur e s'janë rrafshuar e rrumbullakosur, por kanë ruajtur atë jetë dhe gjallëri që kanë dhe në origjinal. Diku të ashpra e të murrëtyera, diku me ngarkesa të mëdha psikologjike e filozofike, diku të brishta e fluide, diku plot dritë e tinguj, diku si të kallkanosura e me një ngurosje të llahtarshme e mjaft domethënëse."(5) (P. Jorgoni. Me forcë e guxim Prometeu, Drita, 16 janar, 2000, f.6)
Studjuesi Adriatik Kallulli analizon të tjera vlera: “Merrni cilëndo vepër që Skënder Luarasi ka përkthyer në shqipe. Do të vini re menjëherë koherencën e stilit, pasurinë dhe begatinë e shqipëruesit, natyrshmërinë e konteksteve dhe frymën e lartë të komunikimit. Po do të pikasni menjëherë vrullin e ritmit, qoftë në prozë, qoftë në poezi, gjallërinë dhe ekspresivitetin e dialogut dhe monologëve dramatikë, peshën dhe saktësinë e fjalës, bukurinë e shprehjes dhe buisjen e përfytyrimeve te cilido lexues.” (6) (A. Kallulli: Artikull i cituar, f.7.)
Studjues të tjerë venë në dukje objektivat politike të Skënder Luarasit për demaskimin e sistemeve jodemokratike
Refik Kadia: “Kur u përkthye “Tregtari i Venedikut” nga Skënder Luarasi ai i dha rëndësinë e duhur përcaktimit të Heines: “O Shylock, ti je i padrejtë! “Skënder Luarasi një pedagog i njohur për këndvështrimin e tij disident, përktheu “Rikardin II” dhe“Mbretin Lir” me synimin për të denoncuar tiraninë e diktatorit komunist.” (7)
(R. Kadia. William Shakespeare në Shqipëri, LCPJ, Volume 2 / 1, nr.37, 2009, f.8)
Ndërsa Akademiku Alfred Uçi e shtrin analizën vlerësuese në ndërthurjen tematike dhe konceptin e tragjikes: ``Veprat që përzgjodhi e përktheu Skënder Luarasi nga Shekspiri dhe komentet që u bënte, tregojnë qartë qëllimin e tij për të demaskuar, dënuar e satirizuar realitetin që po kalonte Shqipëria. Ai përktheu tragjeditë “Mbreti Lir”, “Rikardi II” e “Rikardi III” meqë mendonte se kuadri shekspirian në shqip do të bëhej më i plotë dhe zëri i tij do të tingëllonte më bashkëkohor në qoftë se tragjeditë e përkthyera nga Noli do të ndërsuazoheshin midis kronikave historike me subjekte tragjike. Në këtë mënyrë do të kuptohej më mirë thelbi i konceptit shekspirian të tragjikes” (8)
(A.Uçi. Shekspiri në botën shqiptare. Koncepti shekspirian i tragjikes. Libër i cituar, f.18)
Veçori karakteristike e përkthimeve të Skënder Luarasit është se ai i është përmbajtur tekstit dhe kontekstit të origjinalit duke ruajtur vlerën artistike të veprës. Kjo është arritur në sajë të kulturës së gjerë, njohjes së shkëlqyer të gjuhës së huaj dhe të gjuhës shqipe, afinitet ndaj veprave të shkrimtarëve të mëdhenj, njohjes së shkëlqyer të letërsive e të kulturave të kombeve të ndryshme, njohjes së shpirtit e sjelljes së njerëzve në situata të ndryshme. Ai i ka kushtuar vëmendjen konstrukioneve ideomatike, aforizmave e proverbave, metaforave dhe shprehjeve metaforike nën një gjuhë të pasur e fleksibile, përdorimit të fjalëve e shprehjeve të rralla të tabanit popullor, proverbave e aforizmave. “Mund të thuhet se, në qoftë se aforizmat e Shekspirit janë quajtur margaritarë të veprave të tij, atëherë, lirisht mund t'i quajmë përkthimet e tyre në gjuhën shqipe nga S.Luarasi margaritarë të mjeshtërisë së përkthyesit tonë…Përkthimet e veprave të Shekspirit nga Prof.Skënder Luarasi pa mëdyshje i takojnë fondit elitar botëror të përkthimeve’’ (9) (Sh. Shaqiri: Artikull i cituar, f.14.)
Vlerë të posaçme në përkthimet e Luarasit paraqet thesari i pasur gjuhësor, në të cilin gjejmë mjaft shprehje ''popullorçe''. Frazeologjia popullore dhe proverbi popullor ka pasur gjithmonë ndikim të madh në gjuhën e shkruar shqipe. Ato kanë ndihmuar për njohjen më të mirë të letërsisë botërore, për zhvillimin e shijes letrare ndër lexuesit shqiptarë, për ngritjen e kritereve të tyre artistike , për zgjerimin e diapazonit estetik e kulturor në përgjithësi por edhe për të kritikuar e demaskuar grupimet e privilegjuara e vetë kreun e diktaturës
Skënder Luarasi i jepte rëndësi të madhe komenteve, diskutimit e shfaqjes në skenë të veprave të Shekspirit. Përveç temave në hartime e referate, improvizimit të auditorit në miniteatër, shqipërime të tij janë shfaqur me sukses nga Teatri Kombëtar e teatrot e rretheve. Efektin e mesazheve shekspiriane na e ka saktësuar i përndjekuri politik Spartak Ngjela, i cili kujton se kur Teatri Kombëtar shfaqi dramën ``Rikardi II``, diktatori i zemëruar e la shfaqjen përgjysëm. Ndaj edhe i paharruari Agim Qirjaqi përgatiti shfaqjen e parë si regjisor me “Rikardin III” ne vitin 1992 dhe korri suksesin e merituar.
Se si interpretoheshin mesazhet shekspirine sipas rrethanave na e dëshmon edhe kjo
bisedë e lirë me studentët mbi dramën e Shekspirit ''Komedia e keqkuptimeve''.
Një studente e ngacmuar nga tema, pyeti Skënder Luarasin:
- A mund të na thoni, profesor, se me kë duhet të martohemi?
- Nuk mund të them se me kë duhet të martoheni, por me kë nuk duhet të martoheni!
- Sigurisht, jo me budallain, profesor .
- Jo, budallai nuk është rasti më i keq, por frikacaku!
- Po pse?
- Sepse një ditë të bukur, tek dilni për shëtitje në pyll, befas, ju del ujku. Gjëja e parë që do të bënte budallai do t'i turrej ujkut, ndërsa frikacaku do të fshihej prapa saj dhe do të lutej të mos e hante atë por: ``Haje gruan!''
Në vitin 1964, me rastin e 400-vjetorit të lindjes së Shekspirit, ai botoi disa artikuj, diskutoi në konferencën jubilare dhe organizoi me studentët e degës së anglishtes teatrin studentor ku u luajtën drama ‘’Shtrëngata‘’ dhe komedia ‘’Si ta doni‘’. (10)
(S. Luarasi, Shekspiri i madh, Drita, 19 prill 1964, f.3)
Skënder Luarasi dhuronte shumë libra ndër miq e institucione ndërkombëtare. Në këtë përvjetor ua dërgoi përkthimet e tij edhe Muzeut Britanik, Departamentit të Librave në Londër, Qendrës ``Shekspir``, Biblioteka e vendlindjes, e riorganizuar me rastin e festivalit përkujtimor.

Muzeu Britanik
Muzeu i librave të shtypur
Londër
16 Prill 1964
Z. Skënder Luarasi
Universiteti i Tiranës
Shqipëri
Sër,
Unë kam nderin tju bëj të njohur me falenderime marrjen e veprave të përmendura më poshtë që ju keni patur mirësinë tia dhuroni Fondit të Muzeut Britanik
Unë jam Sër,
Shërbyesi juaj i bindur
Ali Hudd

Librat e dhuruara:
Longfello H. : Kënga e Hajavathës
Shekspir U. : Mbreti Lir
Luarasi S. The Kyrias sisters


Festivali i Përvjetorit të të Shekspirit 1964
Zyra e Festivalit
Henley Street
Stratford-upon-Avon
Angli

7 Qershor 1964
Z.Skënder Luarasi
Universiteti Tirana
Shqipëri
I dashur z. Luarasi,
Më vjen keq që nuk ju kam shkruar më parë për tju falenderuar për dhuratën e këndshme të tre veprave të Shekspirit në shqip të përkthyera prej jush.
Unë do të dëshiroja të ju përcjell urimet më të mira të Fondit të Vendlindjes së Shekspirit për këto botime shumë interesante për Bibliotekën e Vendlindjes, e cila, si mund të keni dijeni, është vendosur në qendrën e re të Shekspirit që është hapur zyrtarisht më 23 Prill të këtij viti për të shënuar 400-vjetorin e lindjes së Shekspirit
I juaji sinqerisht
Peter Meseser
Ndihmës Drejtor i Festivalit


Në këtë mënyrë Skënder Luarasi ia bënte të njohur botës së qytetëruar se edhe gjuha shqipe është e aftë të përkthejë me dinjitet Shekspirin, edhe populli shqiptar është pjesë e qytetërimit botëror. Nuk mund të bënte më shumë në kushtet e një sistemi diktatorial që ia pengonte përfaqësimin e vlerave në arenën ndërkombëtare.
 
Përgjigje e: Skënder Luarasi

TAMBURXHI! TAMBURXHI!

Tamburxhi! Tamburxhi! thirrja jote ushton;
U ngjall trimave shpresën; për luftë na fton
Gjithë djemt’ e malsisë i thërret anëmbanë
Himariotët, Ilirët, Suliotët zeshkanë,
E kush është aqë trim sa Sulioti zeshkan,
Me fustane të bardhë e të zi tallagan?
Ja le tufën shqiponjës e bishës e zbret
Poshtë fushës me sulm si rrëkeja në det.
Të bijt’ e Himarës që s’falin as mikun,
Si mundet ta lënë të gjallë armikun?
Si s’markan dot gjak me pushkat besnike,
Ka shenj’ më të bukur se zemra armike?
Maqedhoni dërgon bijt’ e tij fitimtarë
Lenë gjahun në pyll në gjak për të larë
Mandilet e kuqe’ t’i skuqin më shumë
Në gjakun e luftës që rrjedh posi lumë.
Kusarët e Pargës i ka deti shokë;
I zene rob frëngjtë, i zbresin në tokë,
I shpien në burg, atje të kuptojnë
Se ç’janë vargonjt’ e sa rëndë rëndojnë.
Të dobëtit blejnë, u duhen paratë;
Fitoj, çdo gëzim që dua, me shpatë;
Prej s’ëmës rrëmbej të bijën truphedhur,
Marr nusen e re, me flokët e derdhur.
E dua fytyrën e bukur si lule.
Që shpirtin ma deh me këngë e pekule,
Pa silljani lirën prej odës së vet
E këngës t’ia thotë për vdekjen e tet.
Kujtoni Prevezën, në dorë kur shtimë,
Armiqtë vajtuan por ne brohorimë;
Shtëpira që dogjëm, e plaçkë që ndamë —
Zengjinët i therrëm, të bukrat s’i ngamë.
Ne frikën s’e njohim, s’e njohim mëshirën,
Këto nuk i njeh kush lufton për Vezirin;
Që kur leu Profeti, s’ka parë Gjysmëhëna
Një trim kaq të madh sa Ali Tepelena.
I biri Myftari drejt Tunës po nget,
Gjaurët leshverdhë ta dinë ç’i pret;
Kur turren Delinjtë mbi lumin me gjak,
Të gjallë Moskovit i kthehen fort pak!
Silihtar! Zhveshe kordhën e të Parit tonë;
Tamburxhi, kushtrimi ne shpresën na shton;
Ju male, që shihni si zbresin në zall,
Ja kthehemi mundës, ja nuk vimë gjallë. (Shqipëruar nga S. Luarasi 1956)

https://www.youtube.com/watch?v=Hn9Q0W6c8OQ
 
Skënder Luarasi NDAL FALSIFIKIMIT TE HISTORISE.Romanet ''Zgjimi'' e ''Pishtarë'' d

Skender Luarasi
NDAL FALSIFIKIMIT TE HISTORISE.
Romanet ''Zgjimi'' e ''Pishtarë'' dhe e vërteta historike.


Në gazetën Telegraf, në datat 3, 4, 6 tetor 2014, ‘’Kritiku letrar’’ Xhemal Veizaj përkujtoi shkrimtarin me kombësi maqedonase Sterjo Spasse dhe shprehu opinione mbi ngjarje dhe personazhe të jetës së krijuesit të shquar të letërsisë shqipe. Ai në një intervistë (Telegraf, dt, 3.12.2013, Intervistues Albert Xholi) sqaronte se qe mik për kokë me Ilinden Spassen dhe kishte kontribute të hershme në letërsinë për fëmijë, me fabula e qyfyre Hosteni, sipas metodës së realizmi socialist. Në shkrim ai perifrazoi gjerë e gjatë fragmente të librit ‘’Im Atë Sterjo’’ të mikut Ilinden, trillimet atë e bir mbi persekutimet e diktaturës ndaj tyre dhe peripecitë e botimit të ciklit letraro historik Rilindasit (Zgjimi, Pishtarë, Zjarre etj) tok me akuzat ndaj oponentëve, D.Agolli, G.Shpuza, S.Luarasi etj, ngjarje të cilat i kam sqaruar vite më parë (Skënder Luarasi përballë Sterjo Spases : Birit Ilinden, për të atin Sterjo Spase… / Petro S. Luarasi . Republika. - Nr. 49, 31 mars, , 1996, f. 7).
Tani të sqaroj ‘’kritikun letrar’’, i cili për hir të mikut e pazarit aktron rolin e tellallit.
Flitet e shkruhet shumë për domosdoshmërinë e rishikimit të historisë së popullit e kombit shqiptar, padrejtësitë që janë kryer në të shkuarën nga rrethana e faktorë të ndryshëm dhe pasqyrimin sa më të saktë të saj në tekstet shkollore e botimet akademike. Dihen edhe interesat e presionet e shteteve të huaja dhe grupimeve të caktuara për tia përshtatur identitetin shqiptar interesave të tyre. Por pak janë trajtuar debatet me tematikat përkatëse për trajtimin e të vërtetës historike në letërsi dhe pasojat e shtrembërit të saj. Materiali i përzgjedhur nga kujtimet e Skënder Luarasit ndihmon sqarimin e kësaj cështje.
Po i paraqes lexuesit të nderuar nje kritike të Skënder Luarasit. Ai le ta gjykojë ngjarjen, fenomenin Spasse, përgjegjësinë e cdo atdhetari dhe rolin e kritikut letrar. Shpreh keqardhjen që, në mbrojtje të së vërtetës detyrohem të publikoj fakte që nuk ia shtojnë vezullimin dekorit përkujtimor të shkrimtarit të talentuar Sterjo Spasse në 100- vjetorin e ndarjes nga jeta.

Petro S. Luarasi

Skënder Luarasi

NDAL FALSIFIKIMIT TE HISTORISE
Kur mbrojta ‘’Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’’ të Kadaresë më kërcënuan se do të më jepnin plumbin prapa kurrizit.
Ndaj nxitoj të kritikoj veprat e Sterjo Spasses (Zgjimi e Pishtarë) që populli shqiptar të mos ma japë atë plumb në lule të ballit. Plumbin do t’ia kisha shkrepur zemrës me vetë dorën time, po të kisha dezertuar ditën e 7 prillit 1939 dhe po të mos kundërshtoj tani të përsëritet e Premtja e Zezë!...
E shkruaj këtë kritikë për ata që romanet Zgjimi e Pishtarë nuk patën nge t'i lexojnë, për ata që nuk patën më durim për t’i përfunduar, për recenzentët e pandjenjë dhe redaktorët e padenjë që ia reklamuan popullit shqiptar si vepër shembullore për t'u lexuar e studjuar!

(S.Luarasi, Kujtime, 1976)

Skënder Luarasi
Romanet ''Zgjimi'' e ''Pishtarë'' dhe e vërteta historike.

Vjet u botuan dy volume, ''Zgjimi'' dhe ''Pishtarë'' nga Sterjo Spase, dy të parët nga cikli i romaneve ''Rilindasit''. Barra që mori përsipër autori qe e rëndë; interesimi i publikut shqiptar se qysh ia ka paraqitur autori botës Rilindjen e kombit tonë është i madh.
Nga mënyra qysh e ka trajtuar temën autori, kuptohet se Spasja dashur padashur nuk ka shumë simpati për Rilindjen shqiptare. Rilindja është aq fort e shtrenjtë për ne, sa që nuk mund të mos prekemi kur në letërsinë tonë bëhen shtrembërime të rënda rreth luftrave të popullit tonë për liri në shek. XIX dhe në fillim të shek. XX. Është për të ardhur keq që në romanet e Spases ka të tilla shtrembërime që nuk pajtohen me fjalën e drejtë që kanë dhënë shkencat albanologjike për këtë epokë të lavdishme të historisë sonë.
Këtu nuk dua të flas për dobësitë artistike të këtyre romaneve, për atë material tërkuzë të gjatë e të vjelur e të përvjelur andej-këndej pa kritet, e të zhdërjendur në njëmijë e njëqind faqe, nëpërmjet të cilave autori kërkon të na paraqesë Rilindjen; megjithëse nuk duhet t'i falet mungesa e përgjegjësisë dhe shkelja e misionit shoqëror-patriotik shkrimtarit që rend pas faqeve.
Porse dua të flas për ato shtrembërime që errësojnë madhështinë e përpjekjeve të popullit tonë për liri në epokën e Rilindjes e që fshehin të vërtetën historike për atë.
Pasi lexova me vëmendje romanet në fjalë, unë personalisht arrita në këto përfundime:
1. Ndonëse S.Spasja na premtoi të na rrëfejë për Rilindjen e rilindasit tanë, ai në romanet e tij u cakton lëvizjeve maqedone një shesh aq të gjerë sa që Rilindja jonë përdoret si preteks për të folur për hallet e dy-tri fshatrave maqedone në skaj të Korçës, fati i të cilave sado i hidhur pastë qenë, nuk mund të zerë atë vend që u cakton autori në romanet për rilindasit tanë.
Sterjo Spases i është bërë psikozë të ballancojë hallet e fshatit të tij me hallet e Shqipërisë. ''Halli hallit nuk i ngjan'', thotë populli ynë. Dhe hallet e Shqipërisë qenë shumë më të mëdha se hallet e Bullgarisë, Greqisë e Sërbisë bashkë; sepse këto të tria e gëzonin ndihmën e gjashtë pushteteve të Europës, sidomos të Rusisë, kurse populli shqiptar i kishte armiq për vdekje të shtatë Fuqitë e Mëdha, sidomos Carin, tok me Sulltanin e Kralët e Ballkanit.
Problemi maqedon dhe problemi shqiptar nuk kanë patur aspak atë lidhje që përpiqet të na imponojë Spasja në romanet e tij. Unë vetë kam patur rast të shprehem kundër arbitrariteteve të Maliq bej Frashërit qysh në kohën e Zogut (gusht 1929, kur shpërngulën banorët e Prespës) por nuk mund të pranoj se fatkeqësitë e popullsive jo shqiptare të Ballkanit vinin vetëm e vetëm nga arbitraritetet e bejlerëve shqiptarë (madje nga ata bejlerë që luftoheshin edhe nga autoritetet turq) sikundër na paraqiten punët në romane. Në të vërtetë këta bejlerë qenë vegël e pushtetit turk. Por kjo shpikje i duhet Spases me qëllim që të provojë se, ndërsa popullsia shqiptare s'ka qenë e zonja për protesta sociale, këtë mision e luanin asaj kohe maqedonët.
Nuk ka faqe në romanet e Spases ku të mungojnë shpikjet, shpifjet, anakronizmi, insinuata, denigrimi, lëvdatat dhe sharjet vend e pa vend, zmadhimi i cikërrimave që shpien ujë në mulli të armikut të Shqipërisë, dhe zvogëlimi i ndodhive kryesore ose heshtja e tyre, që do të shtonin nderin e popullit shqiptar.
Një shtrembërim i shëmtuar është fryrja e rolit dhe e influencës së lëvizjes maqedone mbi lëvizjen çlirimtare të popullit tonë. Komitët maqedonë dalin në romanet e përmendur në rolin e një qendre që i frymëzon, i mëson, i komandon patriotët tanë ''të paditur''. Sipas autorit, Themistokli Germenjit i duhet të takohet me një vojvodë maqedon që të marë vesh se ç'janë detyrat e patriotit. Jo! Patriotët tanë të Rilindjes me idealet e tyre të larta ishin aq të mëdhenj, sa u dolën për zot fateve të Atdheut shumë kohë më parë se sa vojvodët e U.M.R.O.-jës t'u shisnin mend a t'i përdornin për shërbëtorë. Do të kishte qenë turp për rilindasit tanë të uleshin në bangon e nxënësve që mësohen të çmojnë lirinë nga ''vëllezërit sllavë''. Sa për Goçe Dellçavët e Damjan Grujevët dhe gjithë UMRO-jët, më mirë do të ishte t'ua linim vetë maqedonëve t'i sqarojnë se sa ''të kulluar'' kanë qenë ata në ''socializmin'' dhe ''internacionalizmin'' e tyre. S.Spasja të mos na marrë për ''të paditur'' sa të mos kuptojmë veprimet anarkiste të mjaft përfaqësuesve të këtyre komitaxhive dhe aferat e tyre me bejlerët dhe andartët, terrorin e tyre dhe grabitje grash…
Me që përmendi Negovani dhe përshkroi vrasjen e Papa Kristo Harallambit (Negovanit) prej andartëve grek, më 12 shkurt 1905, Spasja përsëri harroi të na thotë se qenë komitaxhinjtë maqedonë (apo mos qenë bullgarë?) në luftë me andartët, më 1903, që dogjën një mëhallë të Negovanit dhe varrosën rreth 40-50 veta e 4-5 familje në gërmadhat e shtëpive të tyre sepse nuk deshën të ndërronin kombësinë e tyre shqiptare?! Apo mos e bënë për internacionalizmin e tyre?
S.Spasja thotë se vojvodët maqedonë i kërkuan Themistokliut t'u shpinte armë, dhe do t'ia paguanin sa të donte, se para kishin me bollëk ata. Neve na lindin pyetjet: Ku t'i gjenin armët patriotët tanë dhe ku i gjenin paratë me bollëk ata ''revolucionarët e kulluar'' maqedonë?
Sterjo Spasja fyen rëndë zemrën e Nënës Shqipëri kur, në ciklin e tij, birin e shquar të Korçës, Themistokliun, e bën gënjeshtar, ryshfetçi, frikacak, qole dhe ordinancë të vojvodave bullgarë, dhe kërkon të na bindë se, pas kryengritjes së Ilindenit, më 1903, populli shqiptar do të dali në selamet. Faji i autorit bëhet edhe më i rëndë kur kemi parasysh që ai jo vetëm në romanet për rilindasit por edhe në shkrimet e mëparshme shkëndinë e çdo lëvizje çlirimtare në Shqipëri e gjen te Maqedonia dhe Bullgaria ''socialiste'', të cilat i mësojnë shqiptarët një herë ''të çlirohen me forcat e veta'' dhe herën tjetër ''të mos harrojnë se nuk qenë vetëm''. Librat e S.Spases dëshmojnë se ai nuk e ka kapërcyer horizontin e fshatit të tij maqedon të cilin socializmi në Shqipërinë tonë e çliroi, e shëroi dhe i dha bukë e dritë; dhe se ai nuk e ka fituar vetëdijen e atyre shkrimtarëve shqiptarë të cilët në qendër të preokupimeve të tyre venë fatin e Shqipërisë. As në ''Zgjimi'' as në ''Pishtarë'' nuk na del shumë ''hero pozitiv'' ky Mistoja që trembet t'u dëftejë bashkatdhetarëve se si quhet, dhe që fshihet nëpër hatëj e plevica kur dëgjon që turqit arrestojnë patriotët korçaërë. Vërtet, në 500 veta mund të ndodhë ndonjë frikacak; që prej kohës së Pavarësisë e gjer në 7 prill 1939, gati gjithë mbretërit e perandorët e kanë tradhëtuar çështjen e popujve. Mirëpo që në 5000 djem, nipër të Gjolekës e të Rrapo Hekalit, të zvetënohen që të gjithë e të ulërijnë se u rëndojnë armët dhe, si kope nën kërbaçin e xhandarit turk, më mirë shkojnë të ngordhin në Arabistan sesa të vdesin me armë në dorë për Labërinë e dashur - Jo këtë nuk e besojmë, sikur të na e thonë edhe 100 Vlladan Gjorgjeviçë!
Vojvodat maqedonë, po, janë të gjithë ''heronj pozitivë''. Asaj kohe, Maqedonia, vilajet i Manastirit, me turq, shqiptarë, bullgarë, grekë, vllehë, çifutë, ciganë - burra, gra, pleq, fëmijë - do të kishte rreth 200.000 banorë. Mirëpo që të shtypte kryengritjen e Ilindenit, sipas romanit ''Pishtarë'', sulltanit iu desh të dërgonte 200.000 asqerë.
Autori e fillon ciklin e romaneveRilindasit rreth vitit 1880, kur populli shqiptar nga Tivari deri në Prevezë, që nga Shkupi deri në Janinë, është kacafytur në luftë për jetë a vdekje me hordhitë e Sulltanit, që duan ta mbajnë Shqipërinë akoma nën zgjedhë të Turqisë; kacafytur me diplomatët e Kongresit të Berlinit e me knjazët, që ja mohojnë popullit tonëtë drejtën të jetojë i lirë në Ballkan; kacafytur me Carin rus, që don t’ia zgjerojë Bullgarisë kufijtë nga Deti i Zi deri në Adriatik. Për këtë luftë titanike të prindërve tanë sesa taborë iu deshën Dervish Pashajt të dëbonte shqiptarët nga Shkupi dhe nga Ulqini dhe të shtypte Lidhjen e Prizrenit, nuk na tregon gjë të madhe S.Spasja. Mua më tingëllon si provokim ndaj Themistokliut e patriotëve tanë fakti që në ''Pishtarë'', pas këshillave që merr nga komitët maqedonë, Themistokliu, nxjerr këtë përfundim: ''Ja, në një Shqipëri të lirë duhej të kishin liri jo vetëm shqiptarët, por edhe ato pakica të çdo kombësie qofshin, mjafton që të mos ishin shovinistë, si ata shovinistët e tërbuar grekomanë e turkomanë'' ( f.13)
Kjo do të thotë se autori i paraqet patriotët shqiptarë si njerëz të infektuar nga shovinizmi dhe që ata ëndërronin të krijohej një Shqipëri me pakica kombëtare. Themistokliu dhe patriotët e tjerë të Rilindjes nuk qenë shovinistë; ata kanë luftuar për të çliruar atdhenë e tyre dhe jo për të patur pakica kombëtare; përkundrazi kanë qenë shtete fqinj që shpresonin ta coptonin Shqipërinë midis tyre sa të prishej perandoria osmane.
2. Gabim i dytë, i rëndë, i S.Spases është se ai i hyri punës për të na ndriçuar historinë e Rilindjes sonë duke qenë vetë i ngarkuar me një barrë opinionesh e paragjykimesh të gatuara rreth shqiptarëve nga armiqtë e historisë së tyre dhe duke patur njohuri të cekta dhe të pamjaftueshme. Për autorin e dy volumeve Shqipëria është vend pa histori, pa kulturë; populli shqiptar është pa kombësi, pa tradita, pa virtute; gjuhën e tyre e quajnë ''vënçe'', ''bastarde'', vetveten me përçmim ''shqipo''; në gjuhën e tyre nuk ka fjalë për ''mbesë'', prandaj gjyshërit i thërrasin ''zuska''. Po, po; autori i vulgarizon me përkëdhelje; por thuaji trimit tri herë ''horr!'' dhe gjithë bota do ta thërrasë ashtu. Për autorin rilindasit shqiptarë janë pa aftësi të krijojnë shtet më vehte po të mos kenë ndihmën e ndonjë fuqie të huaj. Autori nuk i njeh dhe s'i përfill fillimet e Rilindjes shqiptare; dhe me keqdashje shtrembëron figurat e mjaft patriotëve të nderuar.
Në romanet ''Zgjimi'' dhe ''Pishtar'', edhe patriotët më të dalluar të Korçës nuk kanë ndjenja thjeshtë kombëtare: Orhan Cerçiz Pojani, i cili që kësaj kohe ka hyrë në korespondencë me de Radën për hallet e Shqipërisë, herë mendon si efendi, herë si bej, herë si zotni, si ti teket autorit. Fehim Zavalanin, Kryetarin e Komitetit shqiptar të Manastirit që kur jetonte Naim Frashëri, Spasja na e paraqet si puthador të Hysen Hilmi Pashës, ndonse qe ky pasha turk që ja dërgoi, më 1911, duarlidhur, gjyqit ushtarak të Dibrës që të dënohej se qe patriot shqiptar. Të nipin, Menduh Zavalanin, kapedanin e çetës së Dangëllisë, që serbomëdhenjtë e Ohrit e vranë, më 10 korrik 1914, në Shën Naum, krahpërkrah me Telemaku n, Spasja e quan ''tradhëtar'', sikundër edhe Qani Ypin, që pat dalë komit që më 1905 kundër Turqisë dhe ra dëshmor në Badër, në maj 1914 në luftë kundër ushtrisë së Kostandinit të Greqisë. Kapedan Kajo Babienin e përshkruan si një kryehajdut që mbante Korçën gjithnjë në frikë se mos e sulmonte për plaçkë. (Tani që është dekoruar!)
Për shkak që mund ta dijë vetë, Sterjo Spasja inatin më të madh e ka kundër patriotëve shqiptarë të Manastirit. Ndë pati në Shqipëri një familje e cila për veprimtari patriotike mund të krahasohet me te vëllezërve Frashëri - ajo qe familja e Dhimitër Qiriazit nga Manastiri. Në gjithë Maqedoninë Spasja zorr se do të gjente një familje bullgare të barabartë në vlerë me të Qiriazëve në patriotizëm dhe kulturë. Në këtë urrejtje, shkrimtari ynë bëhet shok me dhespotin grek: në dukje i dënon Qiriazët se qenkan ''protestantë''; Filotheu i mallkon Qiriazët se japin shqip në shkollën e vajzave në Korçë; Spasja i dënon se japin jo vetëm shqip por edhe më shumë anglisht. Veterani i rilindasve të Korçës është një personazh imagjinar Hamid Efendiu, një ish-hoxhë, që kovaçanën e tij e ktheu në qendër agjitacioni, por që nuk beson se gjuha shqipe mund të shkruhet. Dhe kur ia tregojnë: ''Ç'thua more! Ku ka alfabetare të shqipes! Ne s'dimë të lidhim, me nder oshkuret, jo të…'', thotë.
Mirë por ungjilli provosllav e konizmat e shenjtorëve, dhe korllogret e dhespotit, e dhaskajt e dhaskalicat zenë vend të nderuar në romanet e S.Spases. Dhe vetë e gjora abetarja shqipe nuk do të kish arritur dot në Korçë pa ndihmën e zonjës Shën Mari!
Qytetin e Korçës, një nga qendrat e Rilindjes sonë Kombëtare, autori na e paraqet si çerdhe filogrekësh e turkoshakësh, si një qytet që përdor gati vetëm gjuhën greke, si çerdhe të korrupsionit e të obskurantizmit. Ndërsa na flet gjer e gjatë për revolucionarizimin e fshatarëve maqedonas, Sterjo Spasja ka harruar shtyllën vertebrale të Rilindjes sonë, fshatarësinë, atë fshatarësi trime e cila sa herë që rrëzohej prap se prap ngrinte krye për liri. Ai na flet se Rilindja përgatitej nëpër skuta të errta ku vepronin oportunistë politikë, frikacakë, filogrekë e turkoshakë. Ndonjë filogrek, oportunist e frikacak ka patur edhe në Korçë në fund të shekullit XIX e në fillim të shekullit XX porse ne do të dëshironim që letërsia jonë të na paraqesë në radhë të parë Korçën shqiptare, Shqipërinë e pamposhtur, që lufton për liri, dhe të mos na bënte Spasja të endeshim nëpër labirinthin e njëmijë e njëqind faqeve, në të cilat u vesh aq shumë vese, paragjykime, fanatizëm e shovinizëm shqiptarëve të asaj kohe, saqë kombi ynë del i pazoti për t'u vetqeverisur. Një gabim themelor në ciklin e S.Spases është që Rilindjen shqiptare e nis rreth vitit 1880. Kjo s'është e drejtë. Dihet historikisht se qe Tepelenasi i madh me armatolozët, të shumët shqiptarë, që ndezi kryengritjen për indipendencën e Greqisë.
''Po të kish qenë Ali Pasha më pak njeri i kohës së tij, dhe më shumë i paisur me paramendime politike, do të kish organizuar me kohë grushtin kundër Turqisë, dhe Shqipëria dhe Greqia, me gjithë Thesalinë e Maqedoninë, do të kishin bërë një mbretëri indipendente shumë të fuqishme''. Këtë mendim e jep kryerilindasi Ismail Qemal Vlora, të cilit S.Spasja nuk denjon t'i përmendë as emrin në ciklin e tij. Le Bushatllinjtë dhe kryengritjet fshatare që nuk ekzistojnë për S.Spasen në historinë e Shqipërisë e në folklor, por jo, as Bolena, e zeza Bolenë që zuri dyfek me mbrenë!
Bashkëluftëtari i tepelenasit Marko Boçari, që fliste shqip në familje, jo vetëm lexonte por edhe shkruante shqip që në atë kohë. Në atë kohë mësohej shqip; në Arbër lulëzonte kultura në gjuhën e Skënderbeut. Rreth motit 1880, kur luftëtarët e Lidhjes akoma s'e kishin zbrazur plumbin e fundit kundër ushtrisë së sulltanit dhe marshonin drejt Shkupit, në Vakëfet e në Kolonjë fshatarët përpiqeshin të shkruanin shqip. Si ndodhi , pra, që heroi ''pozitiv'' i ciklit të rilindasve ''Elinopullosi'' i shkëlqyer nuk mundi t'i lexojë s'ëmës letrën shqip që i pati shkruar i ati nga kurbeti? Dhe ndërsa dinte historinë e Greqisë që prej Homerit deri te Marko Boçari nuk e dinte që pati rrojtur një Skënderbe që ''qenkesh m'i madh se Leonidha''?
Autori, ndër të pesë taborët lebër, tregon simpati të veçantë për atë djaloshin gorar, Fehmi Ali Zboqin, i cili duke u nisur radif e përqafon Miston dhe i thotë: ''Sikur të kthehem gjallë, o Misto , sikur…''. Në romanet nuk marrim vesh çë ndodhi me të pesë taborët lebër përtej Urës së Qabesë, por gjatë luftës Nacionalçlirimtare marrim vesh që Fehmi Ali Zboqi është kthyer shëndoshë e mirë për të keqen e Mistos dhe për dobi të Fazlli Frashërit, të cilin e shoqëroi kur eksponenti i Ballit bënte propagandë nëpër fshatrat e Gorës. Fehmiu u dënua nga gjyqi i popullit, sikundër edhe i biri Abdullah, që u ekzekutua. Kur të shqyrtohen edhe procesverbalet e gjyqit të Themistokliut do të marrim vesh edhe këtë: Që ky Fehmi Ali Zboqi është një nga jallan shahitët që ndihmuan gjyqin ushtarak francez ta pushkatonin Themistokli Gërmenjin në Selanik, më 1917. Mund të marrim vesh edhe shkakun përse S.Spasja ka ardhur në këto shtrembërime të së vërtetës historike të Rilindjes, kur autori të na tregojë ''veteranët'' prej të cilëve i mblodhi burimet letrare. Letërsia duhet të tregojë se Rilindja qe një epokë e ndritur, kur populli ynë, i vetëdishëm, ish i sigurtë dhe i vendosur për pavarësinë e Shqipërisë; edhe sepse shpallja e pavarësisë u shty gjer më 28 Nëntor 1912, vonesa nuk ndodhi për faj të shqiptarëve se s'kishin ndërgjegje kombëtare, por ndodhi për shkak të politikës antishqiptare të fuqive të mëdh, sa dhe të shteteve fqinj.Nga letërsia jonë do të kërkonim demaskimin e kësaj politike, gjë që nuk e gjejmë në romanet ''Zgjimi'' dhe ''Pishtarë''…Dikush mund të thotë që romanet e S.Spases kanë edhe gjëra të mira. Unë nuk do të pranoja t'i vija në peshë këto ''të mira'' po të pranohet që romanet e tij i kanë gabimet e të këqijat e përmendura më sipër. Dikush mund të thotë gjithashtu që romanet janë letërsi, ku nuk bëhet pa invercione dhe ku autori është i lirë të trillojë. Por unë mendoj se trillimi nuk duhet përdorur kundër së vërtetës historike.
Historia e kombit tonë na dhimbset më shumë se sa delli i shkrimtarit për shpikje e shpifje që errësojnë madhështinë e epokës së Rilindjes. Letërsia duhet të edukojë njësoj si historia.

7 Mars 1976 Skënder Luarasi
 
Skënder Luarasi gjykon ‘’Rilindasit’’ e Sterjo Spasses

Skënder Luarasi
NDAL FALSIFIKIMIT TE HISTORISE (II)
Skënder Luarasi gjykon ‘’Rilindasit’’ e Sterjo Spasses


Romani historik - Pasaporta e kombit
Romani historik është për kombin siç është pasaporta për individin, i vlen për të provuar identitetin e tij. Cdo pasaktësi prish anën autentike ndërsa falsifikimin e dënon ligji.
Romani historik për kombin shqiptar u tregon të tjerëve edhe se në ç'mënyrë e ka çarë udhën e historisë së tij - me lajkat e një puthadori, apo si trimi me shpatë në dorë?
Skënder Luarasi

Skënder Luarasi për Sterjo Spassen
E njoha Sterjo Spassen së afërmi më 1946, kur punonim në Komisionin Pedagogjik të Ministrisë së Arsimit. Ai dhe jo vetëm ai, por shumica nga të dymbëdhjetë anëtarët e Komisionit Pedagogjik të Ministrisë së Arsimit, beharin e motit 1946, pranoi tezën se qenë bejlerët e feudalët që e shkëputën Shqipërinë nga Turqia për të shpëtuar pronat e tyre.
Në atmosferën e romaneve të Sterjo Spases ndihet ky ndikim që e helmoi për disa vjet edukimin kombëtar në shkollat shqipe. Unë besoj se Sterjo Spasse, që është prej shokëve tanë më të ditur e më të ngritur, ka gabuar ndaj Rilindasve sepse ka jetuar nën frikën e dy forcave: të atij që s'lë vend pa e përmendur në romane, Maliq bej Frashërit, dhe të F. P., i cili mësuesve u kishte futur datën për njëzet e tetë vjet me radhë. Dhe kjo frikë Spasses ende s’i ka dalë as sot...
Por e gjykova më shumë në Konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve kur ai tok me kolegët shkrimtarë të yshtur nga lart, na përjashtuan së bashku me S.Malëshovën e Y.Dishnicën pse mbronim parimet demokratike dhe fjalën e lirë…
Megjithatë, Sterjo Spassen e kam simpatizuar e përkrahur si koleg, edhe pse mbeti në vatrën tonë ku ka qëndruar në anën e vegjëlisë. Sojin e tij e kam mbrojtur publikisht, edhe kur qeveria e Zogut i shpërnguli nga Gllomboçi, edhe në gusht 1929, kur rinia korçare i ftoi të demostronim së bashku, por ata kërkuan mbrojtjen e konsullit jugosllav dhe shkuan në Jugosllavi. Mëma Shqipëri e rriti jetimin me qumështin e saj, e veshi, e mbathi dhe e arsimoi në shkollë pedagogjike me bursë. Ai, ndonëse i lindur e rritur në skaj të largët të Atdheut tone, e nxuri gjuhën tonë amtare më shpejt e më mirë se disa intelektualë a kryeintelektualë të lindur e rritur në kërthizë të Shqipërisë. Dhe me zellin e një bujku të fortë e punëtor zuri vend në kopshtin letrar të Arbrit ku vlerësohet e ndihet ndë r më të privilegjuarit.
Po pse fidanët që mbolli e lulëzuan, frutin na e japin të hidhur? Ç'ka Sterjo Spasse që popullit shqiptar ia ha bukën dhe përmbys kupën?

Letër dërguar shkrimtarit të mirënjohur Dritëro Agolli,
Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë,
I dashur Dritëro,
Lexova romanet Zgjimi e Pishtarë …
Populli shqiptar gjithmonë ka luftuar për lirinë e vet dhe ka ndihmuar edhe popujt e tjerë fqinjë të fitojnë lirinë e tyre sidomos Greqinë, Italinë dhe Egjyptin. Shqiptari edhe mercenar gjithmonë ka ëndërruar lirinë:
Si shqeratë kur kërkojnë
Mëmatë me blegërimë
Ashtu edhe Shqipëria
Po e kërkonte larine.
Një nga vetitë më të larta të shqiptarit është trimëria: Luftëtarët e Ali Pashë Tepelenës, marshonin kundër rusit e frëngut me këngën ‘’tamburxhi’’ dhe i zbrisnin në tokë, i shtinin në burg, ‘’atje të kuptojnë se ç’janë vargonjt e sa rëndë rëndojnë’’:
Silihtar! Çvishe kordhën e të Parit tonë;
Tamburxhi, kushtrimi ne shpresën na shton;
Ju male që shihni si zbresim në zall,
Ja kthehemi mundës, ja nuk vimë gjallë!
Romanet e Sterjo Spases fillojnë në mbarim të luftës ruso- turke, kur Rusia cariste synonte t’ia shtonte kufirin Bullgarisë nga Deti i Zi gjer buzë Adriatikut. Në këtë çast rreziku të madh shqiptarët provuan që janë, siç e thotë Ismail Qemali: ’’ një rracë e fortë që koha nuk mund t’a mposhtë dhe kanë një gjen kombëtar që nuk vyshket nga ngjarjet e ndryshme.’’
Dhe shqiptari ia mori luftës:’’As për mua, as për ti, por për gjithë Shqipëri’’.
Populli shqiptar e ka çarë udhën e historisë me shpatë në dorë. Por Sterjo Spasse nuk beson në këtë të vërtetë. As në njëmijë e treqind dyfeqet te gryka e Kuçit, as në pushkët që krisën n’Urë të Zenicës, faqe flotës së Fuqive të Mëdha, as në betejat e përgjakshme të Shtimbjes e të Stivovës, as të Cernalevës, a të Prizrenit. Po si ta besojë Spassja se shqiptarët mund të jenë trima kur nuk kanë në krye vojvodat e Goçe Delçevit, Kokën dhe Dhamjan Grujevin, ‘’Zemra e Komitetit maqedonas UMRO’’!
Në jetën time kam parë dy marshime bijsh të Nënës Shqipëri: njërin me sytë e mendjes së Sterjo Spasses, të dytën me sytë e ballit tim. Sterjo Spasse e nis romanin ‘’Zgjimi’’ me marshin që këndojnë pesë taborë lebër duke hyrë në sheshin e hyqymetit në Korçë:
Festë e kuqe na zi sitë,
Na veshën si arixhitë,
Na dhanë nga tri kacidhe,
Fati inë qiramidhe…
Janë katër vargje të marshit vajtimtar që këndojnë pesë taborrë djem të Labërisë. Ata i kanë shërbyer Sulltanit pesë vjet si asqerë. Tani, pasi i kanë lënë të çlodhen një mot në vatrën e tyre, koshadhet turq i kanë shkëputur nga gjiri i nënës dhe nisur me zor për në Anadoll, që t'i shërbejnë Sulltanit edhe pesë vjet të tjerë, kësaj radhe si redifë. Pas tri ditësh udhëtimi, të nisur nga Tepelena,'' këta pesë taborë asqerësh të reckosur, këmbëzbathur, me opinga të shqyera, që mezi mbaheshin në këmbë'', arrijnë në Korçë, ku i lenë të marrin frymë në sheshin e hyqymetit e të hapsanës.
''Asqerët'', shkruan Spasja, ''si një kope e liruar nga vatha, u përhapën në sheshe; …ndonjë habitej nga muret e hyqymetit e vinte rrotull si pulë e shushatur. Disa grupe-grupe, ranë në lumë dhe turbulluan edhe më keq atë pak ujë që kishte teptisur nga mali i Moravës atë natë me shi. Qytetarët, gojëhapur, shihnin këtë kope redifësh laramane në veshje dhe laramane në sjellje.‘’
Marshimin e dytë e pashë një ditë gushti të vitit1912. Katër çeta të kryengritësve shqiptarë marshonin nga katër anë drejt zemrës së Korçës: Gani Butka nga rruga e Kolonjës, Spiro Ballkameni nga rruga e Follorinës, Qamil Panariti nga rruga e Pazarit dhe Menduh Zavalani nga rruga e Pogradecit. Ç’bukuri burrnore më panë sytë atë ditë dhe ç’këngë trimash më dëgjuan veshët, kur u mblodhën gjithë çetat në rrugën e Shëngjergjit përpara shkollës shqipe!
Çeta e Ganiu këndonte: ‘’Për mëmëdhenë! Për mëmëdhenë!’’
Çeta e Spiros: ‘’Sa të rrojë gjithësia!’’
Çeta e Qamil Panaritit: ‘’O trima luftëtarë‘’
Çeta e Menduh Zavalanit: ‘’Merr uratën bir prej meje.’’
E them me veten time: Në qoftë se këta katërqind veta i dhanë Korçës atë madhështi kombëtare, ç’madhështi do t’i kenë dhënë Shkupit, kryeqytetit të Kosovës atëhere, ata dyzet mijë trima shqiptarë të veriut kur marshuan drejt hyqymetit nën udhëheqjen e Isa Boletinit, Bajram Curit e të Idriz Seferit?...
Me përshëndetje
Skënder Luarasi

Sterjo Spasja për Korçën ’’lule’’
Dhe si na e paraqet Sterjo Spasja Korçën, sa zë fill cikli i romaneve ''Rilindasit''?
Korça lule, Korça e Naum Bredhasit dhe e Themistokliut, sipas Spasses, nuk ka karakter shqiptar; banorët e saj heterogjenë nuk duan t’i shohin me sy bijtë e Labërisë.
''Uuu, ç'fytyra të shëmtuara qenkan këta!'' thotë njëri nga sehirxhinjtë për radifët labër para Hyqymetit. ''Eh, ç'palikarja janë ata të dhikamas!''- thotë tjetri për të mburrur andartët grekë. ''Mos janë të burgosur?'' dyshon një kalama.
''Si i kini hallet, o vëllezër? pyet një ish-hoxhë tre radifë nga Gora. ''Ju përplasi shqota këndejza kështu të rraskapitur?'' dhe ''Si qëlluat që qënki vetëm tanët?''
''Të tre radifët , naa, i hapën sytë'', na thotë Spassja; se qyqarët në fshatrat e Korçës rrojnë, por çuditen që edhe banorët e saj si ata flasin, ''vençe''
''Grupi me redifë lëvizi e u shty tutje si një përbindësh i përçudnuar me pesë krerë duke lënë prapa, bashkë me pluhurin, edhe jehonën e këngës labe:
''…çuditem se qish duron,
si s'pëlcet t'ja bëjë bom''.
Neve lexuesive, kur mbarojmë të dy romanet na mbyt jehona e këngës së Spasses, me atë refrenin ndjellakeq ogurzi nga fillimi edhe gjer në fund ''Korçë, moj e zeza Korçë''
…Në një kohë me këngën tek ''Zgjimi'' por në kundërshtim diametral me njëra-tjetrën, doli nga shtypi kënga e një djali nga Labëria:
''Histori e lashtë, histori e vjetër…
çdo pëllëmbë vendi te neve ka sedër,
Armikut i derdhet posi një kuçedër…
Gjithnjë në luftë si rrallë komb tjetër.
I përmendim që t'i lexojë kushdo dhe të vendosë se cila nga të dyja shpreh të vërtetën historike të Shqipërisë

Ndjenja e miqësisë për të huajt
Nuk ka gjë më të bukur se sa të jesh i mirë, i dashur dhe i sjellshëm me të huajt. Porse ji i mirë sa të duash, nuk mund të rrosh në paqe e qetësi kur s'i pëlqen komshiut të keq. Ai ta prish qetësinë, paqen, ta merr të drejtën nëpër këmbë dhe ta shkel nderin. Dhe në kundërshtim e sipër vijnë zemërimi, sharjet, hakmarrjet, ndizen luftra, vriten njerëz, vendi mbytet në gjak e mbulohet nga kufomat. Çdo e mirë që është krijuar në paqe e shkatërron lufta.

Miqtë e armiqtë
Prej të huajve me admirim ka shkruar romantiku Lordi Bajron, socialisti Bralsford dhe etnologjistja Miss Edith Durham. Sharjet më të ndyra janë thënë për popullin shqiptar prej kryeministrave të Serbisë, Gjeorgjeviçit dhe Pasiçit. I pari ka shkruar se, shqiptarët nuk kanë kulturë, s'kanë as shtëpi as katandi, janë akoma në shkallë prehistorike, rrojnë në pyje të kapur për bishti pas degëve të lisit. Por tek opinioni botëror s'kanë lënë ndonjë mbresë se janë aq të pabesueshme, sa i kanë marrë të huajt për humor, dhe më shumë si sharje për popullin serb që rrugaçë si këta të dy i kishte ngritur gjer në shkallën e një kryeministri. Tek e mbramja, as ne shqiptarët nuk dëshërojmë lëvdata nga armiqtë e Shqipërisë.

Kujt t’i jemi mirënjohës
Shqiptarët i kanë ndihmuar maqedonasit për kryengritjen e Ilindenit, kjo dihet. Por dihet me siguri edhe se me ç’para komitët maqedonas i blenë armët - në mënyrë shumë të keqe. Këta janë ata që më 1902 patën zënë rob amerikanen Miss Stone të shoqëruar me shqiptaren Katerina Cilka që udhëtonte për në Maqedoni për të vizituar prindërit në Samokov. Ata i zunë skllav dhe për lirinë e tyre kërkuan 30.000 lira turke (150.000 dollarë) që me valutën e sotme bëjnë miliona. Dhe me këto para të mbledhura në Amerikë e me të tilla grabitje filloi kryengritja e Ilindenit. Këta grabitës grash që kanë marrë peng Miston, autori na i paraqet heronj që i mësojnë kapedanit të ardhshëm shqiptar se si të luftojë për lirinë e Shqipërisë. Ç’ironi!...
Unë, si shqiptar, nuk u jam mirënjohës vojvodave por Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, Ali Pashë Tepelenës, Rapo Hekalit, Pashko Vasës, Abdyl Frashërit, Sulejman Vokshit, Azis Plakës nga Ulqini, Ismail Qemalit, Isa Boletinit, Themistokli Gërmenjit e qindra e mijra atdhetarëve të tjerë.

Morali i shqiptarit
Puna qëndron ndryshe me ato që thonë e shkruajnë vetë shqiptarët për atdhenë e tyre. Të shkruash më 1962, për 50-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë se ''në Myzeqe këtu e dyzet vjet më pare (domethënë më 1922) nusja më parë se të shtrihej në rrogos të dhëndrit duhej të shkonte në shtrat të beut'' është të shpiesh ujë në mulli të armikut. Dhe as Gjeorgjeviçi nuk ka guxuar të bëjë një insinuatë të tillë dhe t'ia mohojnë popullit shqiptar ndjenjën e lartë të nderit.
Po Sterjo Spasse pse, si e ku e gjeti pjesën pornografike dhe fjalorin e ndyrë? Korça në atë kohë kur zhvillohen ngjarjet qe një fshat i madh që po rritej shumë shpejt nga banorë të fshatrave përreth: Devolli, Kolonja, Opari, ku jeta ka qenë e pastër prej imoralitetit që na përshkruan autori…Unë dua t’i them Spasses se Vani Cico Kosturi, të cilin e kam njohur shumë mirë, për njeri shumë serioz dhe guximtar, nuk i thërriste mbesat e tij ‘’zuska’’ por me emrat e tyre të nderuara. Dhe në shtëpinë e tij fisnike nuk hynin plakat për t’iu falur Shënmërisë, po patriotë për të biseduar mbi të ardhmen e popullit shqiptar. Mbi karakterin e këtij babai dëshmorësh flet tragjedia e 17 korrikut 1911, kur ia suallën kufomat e gjashtë dëshmorëve të betejës së Orhan Çifligut, ashtu të copëtuara barbarisht sa nuk njiheshin, dhe ai tha krenar: “Të gjithë janë bijtë e mi”…

Disa nga portretizimet e gabuara të S.Spasses
Thotë për Kajo Babienin se sulmonte për plaçkë. Kajon që shpëtoi Korçën më 1902 nga komitaxhinjtë bullgarë, më 1903 nga bashibozukët turq dhe më 1914 nga andartët grekë.
Papa Kristo Negovani nuk qe vrasës e presës, terrorist, por mësues i gjuhës shqipe. Aureolën e shenjtit të Shqipërisë ia ka vendosur populli shqiptar me elegjinë e Loni Llogorit ''Papa Kriston na e vranë!’’ S'ka se si ta kthejmë në komitaxhi.
Themistokli Gërmenji na shfaqet se jep ryshfete! Një njeri që është i zoti të japë ryshfet është i zoti edhe të marrë ryshfet. Ryshfeti është mikrobi që moralisht vdes njerëz dhe përmbys pushtete. Bakshishi groposi Perandorinë Osmane. Themistokli Gërmenji ka qenë njeri i mendimit e i veprimit dhe fjalëpak. Themistokliu qe më shumë një sintezë e karakterit të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit; dhe jo si na thonë, e Fan Nolit dhe e Mihal Gramenos. Ai prirej nga një natyrë sedentare dhe posi i vëllai Telemaku, qe i mbrujtur me një patriotizëm që e bënte të jepte edhe jetën për atdhenë, por në dallim nga ai, kishte aftësinë të merrte vendime të forta në momente të vështira. Me këtë dua të tregoj se ai nuk qe llafazan, nuk qe njeri i ecejakeve, si na e paraqet Spassja. Në një skenë si ajo e taborëve lebër përpara Hyqymetit të Korçës, Mistos, djaloshit flokëkaçurrel, nuk do t’i ngjethej trupi; do t’i ndizej flaka e zemërimit kombëtar, do të përpiqej të shpërthente burgun dhe tok me të pesë taborët të çlironte Korçën.
Maliq bej Frashëri, qe bashkëpunëtor me andartët grekë e komitaxhinjtë bullgarë, në shpalljen e Hyrietit qe kaçak dhe nuk u bë kurrë ofiqar turk. Ai e kishte jatak fshatin e S.Spasses. Sojin e Spasses e përzuri qeveria e Zogut se strehonin agjentët maqedonas, jo ai. Pse ata shulet s'ia dogjën kullën pra? Apo, ia dogjën në roman.

Romanet ‘’Zgjimi’’ e ‘’Pishtarët‘’
Autori romanin ‘’Zgjimi’’ e nis me zvetënim të rinisë labe dhe e mbaron me ardhjen e lejes turke nga Stambolli për të çelur një shkollë shqipe edhe në Korçë.
Romanin ‘’Pishtarët’’ e nis me një brohoritje të Ilindenit dhe vijon me insinuata të urryera për Rilindjen e rilindasit, për heroin e ciklit dhe për ardhmërinë e fatit të Shqipërisë.
‘’Pishtarët‘’, duke qenë më afër kohës, ka më pak trillime, po ka më shumë ambiguitete, dyanshmërira. Të dy romanet e parë të ciklit përfshijnë aq faqe sa përallat arabe të 1001 netëve. Dhe me të vërtetë, një e treta e lëndës së tyre janë përralla.
Pse kaq të çmuara qenkan përrallat e Sterjo Spasses sa t’ia blejmë me lekët e nderin tonë sharjet që i bën Shqipërisë? Edhe sa romane do të shkruajë, e populli ynë t’ia paguajë që të na poshtërojë rilindasit tanë!

Quaje tri herë ''shqipo'' dhe bota do ta thërrasë ''doç''
Kur lexova dhe dëgjova lavdërime të porositura m'u kujtuan fjalët e urta të popullit: ‘’Kush dhjet në det, e ha në kripë.’’ Me romanet ''Zgjimi'' e ‘’Pishtarë’’ u pëgër i gjithë populli shqiptar.
Më shkroi një gjerman: ‘’I njoha shqipot nga romanet e Sterjo Spasses’’
Mendova: thuaj për shqiptarin tri herë ''shqipo'' dhe bota do ta thërrasë ''doç''
“ Është i padenjë ai popull që nuk bën gjithçka për të mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e tij''.

Përmbyllje:
Kur mbrojta ‘’Gjeneralin e ushtrisë së vdekur’’ të Kadaresë më kërcënuan se do të më jepnin plumbin prapa kurrizit.
Ndaj nxitoj të kritikoj veprat e Sterjo Spasses (Zgjimi e Pishtarë) që populli shqiptar të mos ma japë atë plumb në lule të ballit. Plumbin do t’ia kisha shkrepur zemrës me vetë dorën time, po të kisha dezertuar ditën e 7 prillit 1939 dhe po të mos kundërshtoj tani të përsëritet e Premtja e Zezë!...
E shkruaj këtë kritikë për ata që romanet Zgjimi e Pishtarë nuk patën nge t'i lexojnë, për ata që nuk patën më durim për t’i përfunduar, për recenzentët e pandjenjë dhe redaktorët e padenjë që ia reklamuan popullit shqiptar si vepër shembullore për t'u lexuar e studjuar!

(S.Luarasi, Kujtime, 1976)

Shënim nga Petro S. Luarasi
Në një mbledhje me temë: ‘’Thellimi i karakterit kombëtar të letërsisë - problem i rëndësishëm aktual’’, Sterjo Spasse u kritikua paq. Sulmoi si luan, bishtoi si dhelpër dhe u struk si iriq. Kolë Jakova e pyeti Skënder Luarasin se si guxonte të shkruante kështu Sterjo Spasse. Ai iu përgjigj që të shihte mirë se kush e përkrahte.
Enver Hoxha qe mbrojtësi kryesor i Sterjo Spasses në Shqipëri. Me‘’indulgjencat’’ e Udhëhesësit mbi kokë e nisi edhe familja në Botën e Përjetshme, si të ishin mesazhe qiellore nga Krishti!
 
Përgjigje e: Skënder Luarasi

TAMBURXHI! TAMBURXHI!
Tamburxhi! Tamburxhi! thirrja jote ushton;
U ngjall trimave shpresën; për luftë na fton
Gjithë djemt’ e malsisë i thërret anëmbanë
Himariotët, Ilirët, Suliotët zeshkanë,
E kush është aqë trim sa Sulioti zeshkan,
Me fustane të bardhë e të zi tallagan?
Ja le tufën shqiponjës e bishës e zbret
Poshtë fushës me sulm si rrëkeja në det.
Të bijt’ e Himarës që s’falin as mikun,
Si mundet ta lënë të gjallë armikun?
Si s’markan dot gjak me pushkat besnike,
Ka shenj’ më të bukur se zemra armike?
Maqedhoni dërgon bijt’ e tij fitimtarë
Lenë gjahun në pyll në gjak për të larë
Mandilet e kuqe’ t’i skuqin më shumë
Në gjakun e luftës që rrjedh posi lumë.
Kusarët e Pargës i ka deti shokë;
I zene rob frëngjtë, i zbresin në tokë,
I shpien në burg, atje të kuptojnë
Se ç’janë vargonjt’ e sa rëndë rëndojnë.
Të dobëtit blejnë, u duhen paratë;
Fitoj, çdo gëzim që dua, me shpatë;
Prej s’ëmës rrëmbej të bijën truphedhur,
Marr nusen e re, me flokët e derdhur.
E dua fytyrën e bukur si lule.
Që shpirtin ma deh me këngë e pekule,
Pa silljani lirën prej odës së vet
E këngës t’ia thotë për vdekjen e tet.
Kujtoni Prevezën, në dorë kur shtimë,
Armiqtë vajtuan por ne brohorimë;
Shtëpira që dogjëm, e plaçkë që ndamë —
Zengjinët i therrëm, të bukrat s’i ngamë.
Ne frikën s’e njohim, s’e njohim mëshirën,
Këto nuk i njeh kush lufton për Vezirin;
Që kur leu Profeti, s’ka parë Gjysmëhëna
Një trim kaq të madh sa Ali Tepelena.
I biri Myftari drejt Tunës po nget,
Gjaurët leshverdhë ta dinë ç’i pret;
Kur turren Delinjtë mbi lumin me gjak,
Të gjallë Moskovit i kthehen fort pak!
Silihtar! Zhveshe kordhën e të Parit tonë;
Tamburxhi, kushtrimi ne shpresën na shton;
Ju male, që shihni si zbresin në zall,
Ja kthehemi mundës, ja nuk vimë gjallë. (Shqipëruar nga S. Luarasi 1956)

https://www.youtube.com/watch?v=Hn9Q0W6c8OQ

A ka ndonje shqiptar, qe s'i di permendesh keto vargje te Lord Byron?

Sa i paska dashur ca e ...ca! :)
 
Petro Luarasi Ndal falsifikimit të historisë’’ (Pjesa III).

Vijon per lidhje tematike Ndal falsifikimit të historisë’’ (Pjesa I/II).

Petro Luarasi

Ndal falsifikimit të historisë’’ (Pjesa III).


Shkrimtari Sterjo Spasse: lavdi e kombit të vet.

Vlerësimi shqiptar ndaj Sterjo Spasses
Shkrimtari i shquar Sterjo Spasse (1914-1989) u lind në Gollomboç të Komunës së Liqenasit në gjirin e një familje fshatare me kombësi maqedonase. Ndër shqiptarë ai çmohet për krijimtarinë në letërsinë shqipe gjatë një periudhe mbi 50-vjeçare, por edhe si studjues, publicist e mësues. Për kontributin e shquar ndaj popullit shqiptar është nderuar me më të lartat çmime letrare (‘’çmimi i Republikës’’) dhe shtetërore (Urdhri i Flamurit, kl.I), me poste (Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, etj.) Ndihej e konsiderohej ndër më të privilegjuarit shkrimtarë shqiptarë, me botime të veprave në seri, në shumë gjuhë të huaja dhe si pjesëmarres në shumë aktivitete ndërkombëtare.
Në rrethin familjar Sterjo Spasse adhurohet si bashkëshort e prind shembullor, edukator i mrekullueshëm, ndër miq e shokë dhe kolegë si mikpritës babaxhan gojëmbël e bujar, për bashkëfshatarët qe vakëf shprese e ndihme. Tek ai bashkëkombasit në përgjithësi shihnin përfaqësuesin e tyre intelektual, urën lidhëse ndërkulturore mes shqiptarëve me pakicën maqedonase, sepse gëzonte përkrahje e privilegje të madha në fushën politike, kulturore, arsimore e propagandistike, kudo në trevat shqiptare e më gjerë. Ai paraqitej si shembulli më vezullues i trajtimit të intelektualit me kombësi jo shqiptare në Republikën Popullore (e më pas Socialiste) të Shqipërisë, nën përkujdesin e drejtpërdrejtë të udhëheqësit ‘’largpamës e të lavdishëm’’.
Për jetën dhe veprën e Sterjo Spasses numërohen me qindra artikuj, recensa, studime akademike, janë shkruar dhjetra teza masteri e doktoratura, të shpalosura në disa konferenca, të cilat duket se përmbledhurazi mund të jipnin një përgjigje të saktë shkencore shterruese mbi jetën dhe veprën e shkrimtarit të shquar.

Atdhetaria e Sterjo Spasses
Mbas viteve 90’ shumica e shkrimeve mbi jetën e veprën e Sterjo Spasses duket se i referohen apo perifrazojnë substancën e librit ‘’Im atë Sterjo’’ të Ilinden Spasses duke e anashkaluar historikun e rrënjëve e trungut familjar, botëkuptimin, vizionin e pikëpamjet mbi përkatësinë etnike dhe detyrimin si shtetas shqiptarë.
Pothuajse askush nga studjuesit shqiptarë nuk i është qasur kësaj tematike, as nuk kanë marrë mundimin të citojnë apo zbërthejnë vetë Sterjo Spassen, të birin Ilinden, apo studjues të sojit të tij, për këto cështje ku të tjerë shkrimtarë kalonin në vrimën e gjilpërës të shtetit shqiptar.
Në librin ‘’Im atë Sterjo’’, të birit Ilinden (emërtim edhe i kryengritjes së famshme maqedonase) shkruhet:
‘’Ishte vjeshta e vitit 1924… Joshja (vëllai i madh i Sterjo Spasses, shën. i P.L. ) vuri dorën në strehën e kapeles. Mizëria e njerëzve po afrohej. Përpara ishin disa kalorës, prapa këmbësorë me pushkë të gjata lidhur me spango, ngjalmë a ushkure, të leckosur…Pararoja e ushtrisë, dy djem faqekuqë, ndalën kuajt para tyre: - Punë e mbarë, o peshkatarë! - Foli njëri. ”Jemi ushtri shqiptare. Tani këto fshatra do të kalojnë nën Shqipëri”. “Kohëra të vështira po vijnë…’’ etj, etj., të tilla shprehje hasen në librin me kujtime të S.Spasses të botuara nga i biri Ilinden.

‘’Pse?-ja e lavdishme’’e Sterjo Spasses
Ndihmë në njohjen e pikëpamjeve botëkuptimore e nacionale të tij na e jep studjuesja Valentina Vangjelovska, e cila veç vendlindjes e ditëlindjes së përbashkët e ka burim frymëzimi, pasi i ka shumë të afërta edhe idetë me Sterjo Spassen. Ajo thekson se ‘’kam lindur dhe jetoj “brenda kornizave” të përshkrimeve që ka bërë Sterjo Spasse. ‘’Sterjo Spasse për mua do të mbetet shkrimtari i shpirtit tim.’’
Në një diskutim akademik të saj i bën me dije auditorit shqiptar e më gjerë se ‘’Të lexuarit është një proces që tek lexues të ndryshëm është i ndryshëm’’ që më troç do të thotë se zbërthehet e interpretohet ndryshe në disa aspekte, si p.sh në shtete, kombe, gjuhë, ideologji, etj.
Studjuesja duke analizuar dhe zbërthyer pikëpamjet e bashkëkombasit të saj shkrimtar, të personifikuar si Gjon Zaveri, protagonisti kryesor i kryeveprës së tij letrare “Pse”, thekson se ‘’qetësinë shpirtërore e kërkoi në çdo vend, por atë e gjeti ‘’të fshehur në qoshen” e këtij libri.
Gjon Zaveri e vrau veten në luftë me pse-të, kërkonte pse-të e vuajtjeve të bashkëfshatarëve të tij për bukën e gojës, luftonte me padrejtësitë e kësaj bote, luftonte me pse-të që edhe sot e kësaj dite nuk mund të zbulohen…
Dhe shkaku kryesor i vetëvrasjes të filozofit të lindur në zonën e Prespës, sipas studjueses, ‘’ishte tradita!’’
‘’Por për të ishte e pakuptimtë që këto tradita që e kishin brumosur dhe pajisur me virtyte dhe shumë vlera, u bënë për pak kohë dhimbje padrejtësish të shpirtit të tij të lirë. Këtu shpesh qëndron paradoksi, sepse tradita nuk pranon veçanti. Tradita dhe mentaliteti i asaj kohe nuk ishin në gjendje të dallonin veçantitë e të riut Gjon, që u rrit dhe u edukua në gjirin e tyre, nuk dallonin dot as se në gjirin e tyre ato kishin njeriun e madh që nesër pasnesër do të bëhej kaq i njohur…Sterjoja, jo si personazh, por si autor, si shkrimtar, u pajtua me realitetin, duke vazhduar të shkruajë vepra të tjera, që i kanë siguruar vend të veçantë jo vetëm në letërsinë shqipe, po edhe më gjerë’’.
Studjuesja thekson: ‘’Më erdhi në mendje një thënie e revolucionarit maqedonas për liri i shekullit XIX Goce Dellcev që theksonte : ‘’Unë botën e shikoj si arrenë ku popujt konkurojnë me kulturat e tyre”. Pikërisht Sterjo Spasse konkuronte me dijet dhe me kulturën e tij të mbartur, të brymosur nga kultura e popullit të vet dhe të perfeksionuar prej kulturës shqiptare, sepse këto janë karakteristikat e popujve ballkanas që sado dallimeve të tyre ata përfaqësojnë nuance të përbashkëta.’’ (Kumtesë e mbajtur në simpoziumin e organizuar nga Universiteti “Fan Noli” i Korçës, më 30 maj 2014, me rastin e 100 vjetorit të lindjes të shkrimtarit Sterjo Spasse. Teksti i plotë gjendet tek ‘’Gazeta Makedonium’’, Valentina Vangjelovska ,‘’Sterjo Spasses nuk i duhet lavdia, por Sterjo Spasses i duhet lavdisë‘’ (http://makedonium.net/?p=1605&lang=sq)
dhe me shkurtime esenciale tek media Shqiptarja.com nën titullin: “Si e njoha Sterjo Spassen” (Shqiptarja.com , 13 Korrik 2014 apo http://www.shqiptarja.com/kulture/2730/si-e-njoha-sterjo-spassen-226391.html#sthash.pCMOs22o.dpuf)
Përse u “qeth” kumtesa tek Shqiptarja.com! përbën interes për studjuesit e lexuesit e gjerë shqiptarë.

Pretendime për nderimin e shkrimtarit
Në përkujtim të 100-vjetorit të lindjes së Sterjo Spasses, në media u shfaqën shumë pretendime e akuza ndaj institucioneve e qeverisë shqiptare. Më çuditi veçanërisht zelli i një studjuesi, i cili deklaroi se “ Sterjo Spasses i jemi të gjithë borxhlinj, mbi të gjitha qeveria’’…ndërsa shteti kish detyrim që S.Spasses t’i jepte Nderin e Kombit.
Studjuesi mund të kishte të drejtë në aspektin letrar , por gabonte rëndë kur diktonte kriteret e dhënies së urdhërit ‘’Nderi I Kombit’’. Janë të shumtë ata që kanë dhënë kontribute më madhore dhe nuk e kanë marrë.
Përkundër talentit si shkrimtar, në veprën e Sterjo Spasses hasen gabime parimore, metoda e realizmit socialist dhe trajtime tematike të gabuara. Mbi të gjitha ka deformuar thelbin, historikun dhe personazhet e rilindjes kombëtare shqiptare, në përshtatje me kallëpin e historiografisë maqedonase. Për romanet e ciklit ‘’Rilindasit’’ ka patur diskutime të gjera dhe protesta. Qëndrim kritik kanë mbajtur Skënder Luarasi, Dritëro Agolli, Gazmend Shpuza, etj.,
Historiani Gazmend Shpuza ka shkruar:
‘’Autori është nisur nga ndjenja e mirë për të lartësuar të kaluarën historike, figurat e shquara si edhe lëvizjen patriotike të kohës e kjo duket edhe në fjalët që ai u ka vënë në gojë, sidomos nga fillimi i romanit, (‘’Pishtarë’’) personazheve që përfaqësojnë lëvizjen revolucionare maqedonase. Porse zgjidhja që u ka dhënë apo ka dashur tu japë autori këtyre problemeve në mjaft raste na duket, për mendimin tonë, jo e plotë, e njëanshme apo kontradiktore. Meqë kemi të bëjmë me probleme kyçe të kohës, mendojmse ia vlen që ato të diskutohen.”Romani i botuar ‘’Pishtarë’’ mund dhe duhet, sipas nesh, t’i nënshtrohet një ripunimi sa të mundshëm aq edhe të nevojshëm.’’( Gazmend Shpuza, Në vazhdën e gjurmimeve, Mendime rreth pasqyrimit të realitetit historik të kohës në romanin Pishtarë, Tiranë, Toena, 1997, f.324 340) Kur u botua seria e veprave, ndonëse Sterjo Spasse i ripunoi dhe redaksia ia hoqi mjaft nga gabimet, thelbi i gabimeve mbeti.
Ndërsa Skënder Luarasi shprehej rreptë: ‘’po kritikoj veprat e Sterjo Spasses (‘’Zgjimi’’ e ‘’Pishtarë’’) që populli shqiptar të mos ma japë atë plumb në lule të ballit…E shkrova këtë kritikë për ata që romanet Zgjimi e Pishtarë nuk patën nge t'i lexojnë, për ata që nuk patën më durim për t’i përfunduar, për recenzentët e pandjenjë dhe redaktorët e padenjë që ia reklamuan popullit shqiptar si vepër shembullore për t'u lexuar e studjuar!
Mjafton të përmendim vetëm,’’vajtimin’’ e lebërve nizamë që ’’ zemëruan,’’ gjindjen dhe ’’ndyen’’ pazarin e Korçës, me të cilin e nis ciklin e rilindjes shqiptare Sterjo Spasse, (romani ‘’Zgjimi’’, 1974, f.7)
Festë e kuqe na zi site…
Aludim më të keq për kulturën korçare e trimat e Labërisë kreshnike nuk kam hasur kund në letërsinë shqipe.
Më tingëllon keq deklarimi i shkrimtarit N.L. se jeta e Sterjo Spasses u udhëhoq nga misioni që t’i shërbente letërsisë dhe kulturës shqiptare: ”Mos duhet që edhe Vlora, të ndjekë shembullin e Korçës dhe për këtë ’’xhevahir folklorik nizamësh’’ ta shpallë’ Qytetar Nderi ! Mendoj të vlerësohen parimet përkundër lajkave me lëvdata për ofiqe e dekorata.
Shqiptarët, të cilët nuk ia kanë kursyer Spasses çmimet më të larta letrare, mund t’i japin edhe të tjera, por sa për ‘’borxhin e Nderit Kombëtar’’ atë ia ka BORXH kombi e shteti maqedonas, ata që ia ngritën bustin në fshatin e lindjes, ata duhet t’ia sponsorizojne edhe lavdinë.

(Mos)mirënjohje
Në librin ‘’Im atë Sterjo’’, përkundër shumë kolegëve të ngushtë , me kontribute e privilegje të mëdha, i kushtohet vëmendja më e madhe, në shumë faqe e shumëllojshmëri epitetesh, ‘’ndjellakëqinjve’’ Skënder Luarasi, Dritëro Agolli e disa anëtarëve të Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve, të cilët i kritikuan romanet ‘’Zgjimi’’ e ‘’Pishtarë’’. Shkruhet se S.Spassja i trembur kërkoi mbrojtjen ‘’lart’’. I biri Ilinden që e redaktoi dhe e botoi librin në vitin 1995, mbas përmbysjes demokratike, nuk kishte arsye as të përmendte kontributin e udhëheqësit në mbrojtjen e babait të tij, as letrat lavdëruese e dekoratat. Por ja që gjindja e pa me sytë e ballit kur e dërguan Sterjo Spassen për në banesën e fundit. Në shenjë mirënjohje të përjetëshme, familja e shoqëroi me letrat e Udhëheqësit mbi kokë, indulgjenca për në jetën e përtejme.
Pra Udhëheqësi mbahet mend, krahas bëmave të tjera kombëtare, edhe për lartësimin e dy ‘’diejve vezullues’’: Haxhi Qamilit e Sterjo Spasses.

Vepra ‘’Im atë Sterjo’’ dhe perëndimi i diellit
Rreth 20 vjet më parë (në artikullin Skënder Luarasi përballë Sterjo Spases : Birit Ilinden, për të atin Sterjo Spasse… , Petro S. Luarasi , Republika, 31 mars, 1996) i shkrova miqësisht autorin të mos trazonte varret e të vdekurve. ’’Për vete nuk do të kisha patur ndërmend të ‘’gërmoja’’ në kujtime e arkiva familjare (që mund të jenë më të pasura e të begata se të Spasses) por nuk mund të hesht kur ‘’thumbohet’’ Skënder Luarasi. Lëvdatat e tepërta, krahas shpifjeve monstruoze, bëhen shpesh shkak që të vihen disa piketa në truallin e historisë. E më pas dalin pyetjet ‘’qysh’’ e ‘’tek’’që nuk i jep dot përgjigje as biri i babait Sterjo’’.
E këshilloja që atë veprën ta hiqte nga qarkullimi se i bënte dëm emrit dhe nderit të babait, vetes e familjes. Për shaka shkrova edhe një gazmore ‘’folklori modern’’.
Në botën e tregut , plot me ‘’historira’’
Nxirren në ankand, ‘’e keqja’’, ‘’e mira’’
Për gjërat pa vlerë, ka veç ‘’lepe’’, ‘’peqe’’,
A m’jep lale veprën, për me mshtjell byreqe.
Autori nuk më dëgjoi, madje e keqpërdori veprën me tellallë të papërgjegjshëm dhe në vend të mbillte lavdi, korri …. ja, këto shkrime përkujtimore.
‘’Perëndimin e diellit të Haxhi Qamilit’’ e kanë përshkruar shumë studjues, ndërsa të Sterjo Spasses, vetë autori i libri ‘’Im atë Sterjo’’: “Dielli i lindur diku, në malet e Gllomboçit, tani perëndoi matanë kodrave të Ndroqit…”

Shënim: Ky shkrim vijon artikullin e Skënder Luarasit të titulluar:‘’Ndal falsifikimit të historisë’’ (Pjesa I / II).
http://www.fjalaelire.com/tema/24005.html
http://www.fjalaelire.com/tema/24040.html
Me të drejtën e këndvështrimit tim, nuk po analizoj ata ‘’recenzentët e pandjenjë dhe redaktorët e padenjë’’, pasi tani për tani nuk kam kohë të tepërt dhe mendje të pakët që të mbush qypat e shpuar.
Petro S. Luarasi
 
Përkthyesi Skënder Luarasi dhe këndvështrimi i studjuesit Agron Tufa.

Petro Luarasi
Përkthyesi Skënder Luarasi dhe këndvështrimi i studjuesit Agron Tufa.


Në median ‘’Start’’ lexova shkrimin ‘’Përkthimi në Shqipëri: zanafilla e dy paradigmave të përkthimit’’ të zotit Agron Tufa, shkrimtar, studjues e pedagog i letërsisë së huaj në UT.
Ndër të tjera ai shkruan: ” Përgjatë gjysmës së dytë të shekullit XX, duke pasur parasysh edhe llojin e letërsisë që, ideologjikisht, lejohej të përkthehej dhe vetëm tradita e realizmit, dolën një gjeneratë e ndritshme përkthyesish që sollën në toskërisht e në gjuhën letrare të pas vitit 1972 kryeveprat e shkrimtarëve realistë. Kështu kemi përkthimet e Petro Zhejit, Skënder Luarasit, Misto Treskës (“Të mjerët” e Hygoit), Bujar Dokos dhe Klio Evangjelit (romanet e Dikensit), Vedat Kokonës nga frëngjishtja dhe rusishtja, Lili Bares - vetëm nga rusishtja, Pavli Qeskut, Pirro Mishës, Viktor Kalemit, Jorgo Bllacit, Ismail Kadaresë, Dritëro Agollit, Dhori Qiriazit etj.’’ 1. (Start, 11.2. 2014. gazetastart.com/index.php?p=hg&hid=19697)
Nuk diskutoj pikëpamjet, kriteret vlerësuese dhe njohuritë e tij mbi historinë e përkthimit dhe përkthyesve në Shqipëri, si : Mit’hat Frashëri, Vangjel Korça, Tajar Zavalani, por ndalem vetëm tek këndvështrimi i pedagogut e studjuesit A.Tufa mbi vendin që zë Skënder Luarasi (1900-1982) në lëmin e përkthimit shqip
Ndryshe nga sa shkruan A.Tufa, Skënder Luarasi i përket përkthyesve të viteve 20-të sepse provohet që në vitin 1919 ka përkthyer në SHBA të paktën tri vepra: ‘’Jul Cesarin’’e ‘’Tregtarin e Venedikut’’ të Shekspirit dhe ‘’Skënderbeun…’’e T.Uinkop-it. 2. (P. Luarasi, Skënder Luarasi në tempullin shekspirian, http://gazetadielli.com/skender-luarasi-ne-tempullin-shekspirian/ )
Deri në vitin 1936 Skënder Luarasi përktheu të paktën edhe 6 vepra të tjera: Enoh Arden-Tenison (1933), Sakuntala-Kalidasa (1933), Vilhelm Teli-Shiler(1934), Novela-Oscar Uajld (1934), Prometeu i lidhur- P.Shelli) dhe “ Lirika” - Li Taj Pe. Dy përkthimet e fundit kanë “humbur” ).3 (P.Luarasi. Vepra të botuara të përkthyera nga Skënder Luarasi http://www.dardania.biz/vb/upload/showthread.php?t=32729&page=2)
Në shtypin e viteve 30-të shkruhej: ‘’Kemi edhe përkthyesa që janë punëtorë, të aftë, të zellshëm,të cilët na kanë falur përkthime kryeveprash të vështira. Në krye të tyre qëndron Skënder Luarasi me Sakuntalën e Kalidasës, Vilhelm Tell-in e Schillerit dhe Novelat e Oscar Wilde…’’ 4. ( Vilhelm Teli, Illyria, 15 korrik 1934, f.3.)
Et’hem Haxhiademi vlerësonte se ‘’me një vepër të tillë (Vilhelm Teli i Shilerit) dhe të tjera si këto duhet të pasurohet pa vonesë lëmi i vogël i literaturës sonë. Zoti Skënder Luarasi i cili ka ditur kaq bukur të përkthejë me gjithë hollësirat e saj këtë kryevepër e cila e mëson rininë të dojë dhe të mbrojë lirinë, letrarët e pakët shqiptarë duhet ta përgëzojnë dhe ta urojnë nxehtësisht.Nga pjesa ime përkthimin e Luarasit dua ta quaj një nga përkthimet më të goditura që janë ba deri sot në Shqipëri.’’5. (Et’hem Haxhiademi, Vilhelm Teli i Shilerit, Demokratia’’, 23.9. 1934, f.3.)
Gazeta ‘’Besa’’ dhe gazeta austriake ‘’Salzburger FolksBlat’’ njoftonin se Akademia Gjermane e Munchen-it i dha Skënder Luarasti medaljen e argjendtë për përkthimin e veprës ‘’Wilhelm Tell’’.

‘’Informohemi se Akademia Gjermane e Munchen-it i konferoi shkrimtarit shqiptar prof.Skënder Luarasi medaljen e argjendtë t’Akademisë Gjermane për përkthimin e tij të veprës ‘’Wilhelm Tell’’të Friedrich Schiller-it.’’ 6. (Besa. Çquajtja e një letrari shqiptar, 27.3.1935)
‘’Akademia Gjermane në Mynih shkrimtarit shqiptar Skënder Luarasi për përkthimin e Vilhelm Telit të Shilerit, i ka dhënë ‘’Medaljen e Argjendtë‘’ të Akademisë Gjermane. Luarasi ka qënë nxënës në Gjimnazin e Fraishtadt-it në të cilin në 1926 ka mbaruar maturën.’’ 7. (Gazeta Salzburge ‘’Folks Blat’’,12.4.1935)
Haki Stërmilli shkruante në librin ‘’Burgu’’:
‘’7 Shkurt 1933 Sot, në kohë të zamrës m’erdh me postë Sakuntala, dramë pesë aktesh, vepër e poetit Hindian Kalidasa që ka jetue njimij e pesëqind vjet më par[. Vepra ash përkthye nga gjermanishtja në gjuhën tonë prej Profesor Z.Skënder Luarasit dhe ai ma ka çue si nji kanisqë që i dërgon i shëndoshi të sëmurit, me nji shënim miqësuer. Me nji herë u vuena me e shijue Sakuntalën, Mbretneshën e Bukuris, të Pastërtis, të Pafajsis dhe të Hirësis së Hindit dhe s’e lëshova nga duert deri sa u kënaqa dhe u ngopa me të deri sa e mbarova. Përkthimi asht i përsosun, pjella e një mjeshtrije të holle[ që i zotnon të dy gjuhët dhe aq i lehtë e i rrjedhshëm sa i duket njeriut se asht tue lexue nji vepër origjinale e jo nji përkthim. Vepra vetë, Sakuntala, asht nji mrekulli e pashoqe nga ato që ngjajnë në Hindin misterioz. Qysh në hov të parë u rrëmbye shpirti i em dhe fluturoi mbi horizontin e Veriut plot magji e bukuri. Shpirti i em i unshëm, mbasi brodhi nji kohë ndër lulishtet e Parrizit Hindian, u end rreth Sakuntalës si nji flutur rrotull qiririt, por kur u shue ajo dritë lumnie si prej nji murranit t'egër rashë e u mbyta në Ganges, në lumin e lotve të derdhun prej dëshpërimit. Po. U fundosa në thellësinat e këtij lumi dhe vdiqa, por dora e Perëndis së Brahmës që pat mëshirë për mue më shpëtoi, më ringjalli dhe më lumnoi tue më ribashkue me Sakuntalën. Që të mos zgjatem po e shkurtoj: Në vazhdim të leximit të veprës zemra e eme shpesh here u rrëmbye nga rryma e dashunis së flaktë që dikohet herë mbas here, u pezmatue e u kënaq simbas rasës dhe shumë herë mbeta i shtangur ase me shpirt pezull. Me nji fjalë derdha lot dëshpërimi e gëzimi dhe shkaktarja e kësaj gjendjeje qe Sakuntala.’’ 7. (Haki Stërmilli, ‘’Burgu’’, f.245-246)
Këto janë disa referenca mbi disa nga vlerat e Skënder Luarasit si shqipërues dhe periudhën kur ka nisur këtë veprimtari.
Shpresojmë se ky shkrim do të zgjojë kureshtjen dhe përgjegjshmërinë intelektuale mbi veprimtarinë e personaliteteve të rangut të Skënder Luarasit edhe tek pedagogë e studjues të tjerë që shkruajnë tekste e hartojnë programe akademike pasi nuk hasen shumë të tillë. Për këtë temë një panoramë më të gjerë jep studimi ‘’Skënder Luarasi personaliteti, veprimtaria dhe vepra letrare’’ (P. Luarasi: Skënder Luarasi personaliteti, veprimtaria dhe vepra letrare http://www.dardania.biz/vb/upload/showthread.php?t=32729)

Petro S. Luarasi
 
Skënder Luarasi në tempullin shilerian

Petro Luarasi
Skënder Luarasi në tempullin shilerian


Bota e qytetëruar do të nderojë së shpejti kujtimin e kolosit të kulturës gjermane Fridrih Shiler (Johann Christoph Friedrich von Schiller, 10.11.1759 - 9.5.1805) kushtrimi i të cilit ( në vargjet ‘’Ode gëzimit’’) për unitet dhe liri të njerëzimit, nën ritmin e muzikës bet’hoviane (‘’Simfonia e nëntë’’) mishërojnë himnin dhe vizionin e Bashkimit Europian.
Nga mesazhet universale të tempullit vezullues shilerian, ka fituar dije, shpresë dhe kurajo për liri e dinjitet edhe kombi shqiptar.

Në kuadrin e përkujtimit të 500-vjetorit të ndarjes nga jeta të Shekspirit (26 prill 1564 – 23 prill 1616) Shtëpia Botuese “Onufri” po u ofron shqiptarëve kolanën shekspiriane ku përfshihen edhe gjashtë shqipërime prej Skënder Luarasit: ‘’Mbreti Lir’’ (‘’King Lear’’), ‘’Rikardi II’’ (‘’Richard II’’ ), ‘’Rikardi III’’ (‘’Richard III’’), ‘’Tregtari i Venedikut’’ (‘’Merchant of Venice’’) , ‘’Komedia e keqkuptimeve’’ (‘’Comedy of Errors’’) dhe ‘’Si ta doni’’ (‘’As You Like It’’). Kështu edhe populli shqiptar do të ketë mundësi ta njohë e vlerësojë më mirë tempullin shekspirian përmes librave e shfaqjeve në gjuhën shqipe, në aktivitete akademike apo programe shkollore, të cilat vazhdimisht ndiqen me interesim dhe japin rezultate të dobishme në arsim e kulturë.’’ 1.(Petro Luarasi, Skënder Luarasi në tempullin shekspirian, Dielli, 25 Dhjetor 2013, http://gazetadielli.com/skender-luarasi-ne-tempullin-shekspirian/)
Këto ditë botuesi Bujar Hudhri shpalli edhe një tjetër lajm, pjesë e një vizioni ambicioz në përkujtim të dramaturgut më të madh gjerman Shiler, botimin për herë të parë në shqip të dramës “Don Karlos” të Shilerit, përkthyer prej origjinalit nga mjeshtri Skënder Luarasi.
Realizohet kështu pas gjysëm shekulli botimi i kësaj kryevepre, të planifikuar në vitin 1959 nga drejtori i N. Sh. Botimeve, Drago Siliqi , por e ndaluar për shkaqe konjukturale politike.
Është një ngjarje e lumtur për kulturën shqiptare që Skënder Luarasi u njoh në rini me veprën e Shilerit, u dashurua me dramaturgjinë, me romantizmin, sidomos me natyrën e mesazheve universal të tij drejtuar brezave të cilat e frymëzuan për t’ i shqipëruar gjashtë vepra.
Ai realizoi edhe një dëshirë të hershme të udhëheqësit shpirtëror e mikut të tij Fan Nolit, me orientimin letrar e politik të të cilit bashkohej edhe ajka e inteligjencies progresive shqiptare. Imzot Fan S. Noli, theksonte se këto vepra të Shilerit duhen më tepër për popullin tonë të skllavëruar, sa për botimin e tyre ’’edhe për këtë ka Perëndia’’.
Në përkujtim të dy përvjetorëve të Shilerit (10 nëntor 1759 dhe 9 maj 1805) ‘’desh Perëndia’’ të kurorëzohet rrugëtimi plot pengesa e sakrifica i Skënder Luarasit për botimin e të gjashtë veprave të kryedramaturgut gjerman: ‘’Wilhelm Tell’’ (‘’Vilhelm Teli’’, 1934), ‘’Kabale und Liebe’’ (‘’Intrigë e dashuri’’ , 1955), ‘’Die Räuber’’ (‘’Hajdutët’’, 1958), ‘’Fiesco’’ (‘’Fiesko’’, 1958), ‘’Die Jungfrau von Orleans’’ (‘’Vajza e Orleansit’’, 2007) dhe ‘’Don Karlos’’ (‘’Don Karlos’’, 2014)

Skënder Luarasi, personaliteti ku ngjizej atdhetari i përkushtuar, mësuesi edukator, historiani, gjuhëtari, shkrimtari e dramaturgu, i kushtonte vëmendje të madhe përzgjedhjes së autorit e veprës që ti shërbente sa më mirë kombit shqiptar, inteligjencies e nxënësve të tij.
Ai si shqipërues vlerësonte përmbajtjes dhe formën e veprës, stilin, ritmin, muzikalitetin të ndërthurur me fjalë të rralla e të reja që pasuronin gjuhën shqipe, përdorte njohjen e thellë të gjuhëve të huaja dhe dijet e fituara mbi zhanret letrare, në mënyrë që përkthimi të vlente për lexim të lirë, për hartime, aktivitete mësimore-edukative dhe për shfaqje teatrale,.
Studjuesi A.Kallulli shprehet: “Merrni cilëndo vepër që Skënder Luarasi ka përkthyer në shqip. Do të vini re menjëherë koherencën e stilit, pasurinë dhe begatinë e shqipëruesit, natyrshmërinë e konteksteve dhe frymën e lartë të komunikimit. Po do të pikasni menjëherë vrullin e ritmit, qoftë në prozë, qoftë në poezi, gjallërinë dhe ekspresivitetin e dialogut dhe monologëve dramatikë, peshën dhe saktësinë e fjalës, bukurinë e shprehjes dhe buisjen e përfytyrimeve te cilido lexues.” 2 (A. Kallulli: Shqipërimet e Skënder Luarasit janë Fanoliane, Drita, 16 janar, 2000, f.7.)

Rezultatin e kësaj pune mjeshtërore në dobi të arsimit e kulturës kombëtare e dëshmojnë nxënësit e tij, lexues, regjisorë e aktorë, por që duhet evidentuar ndër studime e programe akademike 3. (Petro Luarasi, SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA, studim.
http://www.**************.com/threads/ 77999-Skënder-P-Luarasi/page8
Skënder Luarasi përmes veprave të Shilerit ka ndikuar në personalitetin, profesionalizmin dhe edukimin ideo-profesionale të disa breznive lexuesish, tek nxënës si Qemal Stafa, Fadil Hoxha, Arshi Pipa, Vasil Llazari, intelektualë si Migjeni e Aleks Buda, regjisorët Sokrat Mio, Xhemal Broja, Mihal Luarasi e Drita Agolli. Me personazhet e dramave ‘’Vilhelm Teli’’, ‘’Intrigë e Dashuri’’ (‘’Luiza Miler’’) janë edukuar dhe krenohen që i kanë interpretuar plejada e ndritur e aktrimit shqiptar: Aleksandër Prosi, Naim Frashëri, Margarita Xhepa, Drita Pelingu, Marie Logoreci, Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Edmond Budina, Antoneta Papapavli, Elida Janushi, Yllka Mujo, apo më e reja, e talentuara Cubi Metka.
Regjisorë e aktorë dëshmojnë sesi i ndihmonte Skënder Luarasi kur komunikonte drejtpërdrejt me ta për përgatitjet e mbarëvajtjen e shfaqjeve
(Vijon)
 
Skënder Luarasi në tempullin shilerian

Petro Luarasi
Skënder Luarasi në tempullin shilerian


Vilhelm Teli
Skënder Luarasi e përktheu veprën “Vilhelm Teli” të Shilerit në kohën kur në Shqipëri sundonte mjerimi, malarja e analfabetizmi, terrori e përgjimi (‘’sa të kishte gardhi veshë e muri sy”) që të ndizte pakëz dritë lirie e drejtësie.
‘’ Prej dramave të Shilerit, i pari përkthim identik i plotë në gjuhën shqipe është ''Vilhelm Teli'' që Shtypshkronja ''Gutemberg'' në Tiranë e botoi më 1934. Nënshtypja që u bëri lexonjësve, sidomos studentëvet, ishte e jashtëzakonshme. Një mot e gjysmë më vonë, një grup studentësh u interesua për botimin e dytë të ''Vilhelm Telit'' (Stamles, Durrës1936) dhe të pesëmijë ekzemplarët u çdukën në kohën më të shkurtër prej librarive. Redaksia e ''Flagës'', revista e të rinjve në Korçë, e shprehu mendimin e saj në artikullin kryesor në Qershor 1935 kështu: ''Letërsia jonë e varfër u pasurua tani me shqipërimin e denjë të një vepre klasike nga më të mirat e literaturës gjermane, ''Vilhelm Telit'' …Kjo dramë e famshme është përkthyer në të gjitha gjuhët e botës me kulturë. Dhe nuk e ka humbur aspak rëndësinë e saj të parë; se kjo është një kryevepër ku mbrohet liria dhe të drejtat e njeriut, të cilat janë të vjetra sa edhe ekzistenca e njeriut vetë. ''Vilhelm Teli ka dalë kaq mirë në shqip, sa duhet të ndjejmë një farrë mburrje që gjuha jonë qënka e zonja t'i japë bukur në kuptimin e tyre të plotë e të gjallë ndjenjat më të larta e më të thella të zëmrës njerëzore. Kjo vepër klasike nga një prej poetëve më të mëdhenj të Gjermanisë ka dalë kaqë shqip, sa na duket një vepër shqiptare. Ne ua rekomandojmë gjithë miqvet të letërsisë shqiptare,veçanërisht studentëve tanë. Atë duhet ta këndojnë dhe jemi të sigurt se do të na jenë mirënjojtës''.
''Vilhelm Teli'' u bë libër këndimi për shkollën shqipe dhe për inteligjencën e re shqiptare Pjesë të tëra të dramës u inskenuan dhe u shfaqën në teatrot e konvikteve. (Botimi i dytë, u pranua edhe si tekst shkollor prej Ministris s'Arsimit.)
Mësuesi Izet Bebeziqi në ''Kombi'', Vlorë, mars 1938, analizon brendinë e dramës ''Vilhelm Teli, përdor citate nga përkthimi i Skënder Luarasit, thotë se ''Vilhelm Teli është botuar në shumë gjuhë të kulturës, po nuk mund të përmendë emrin e shqipëronjësit, i cili si luftëtar antifashist në Brigadat Internacionale në Spanjë, tani përfillej si armik i shtetit shqiptar. Bebeziqi e mbyll artikullin e tij për Shilerin me fjalët: ''Shigjetën e Telit e presin tani plot fise e popuj, që mjerisht vuajnë nën thundrën e tiranëve''. 4
( Skënder Luarasi, Shileri në Shqipëri, Nëntori, maj, f.170-174)

Subjekti i dramë u përdor në disa drejtime. Fragmentw të saj E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,Një jetë e re po lulëzon gërmadhash’’ apo ‘’Atdheut besnik t’i qëndroni’’ ‘’, mësuesi i shqipes Skënder Luarasi i dha temë hartimi,
Disa akte të dramës ‘’Vilhel Teli’’, të përshtatura nga Skënder Luarasi, janë interpretuar në ambjente të Shkollës Tregëtare në Vlorë, në Gjimnazin e Shkodrës dhe në Konviktin ‘’Malet tona’’. Vlerat dhe mesazhet edukative-atdhetare të saj i kanë përmendut mjaft nxënës e intelektuale, si poeti Migjeni, pedagogu Aleks Buda, regjizori Xhemal Broja apo aktorët Sandër Prosi e Naim Frashëri.

Në shtypin e kohës shkruhej edhe për vlerat e shqipëruesit Skënder Luarasi: ‘’kemi edhe përkthyesa që janë punëtorë, të aftë, të zellshëm,të cilët na kanë falur përkthime kryeveprash të vështira. Në krye të tyre qëndron Skënder Luarasi me Sakuntalën e Kalidasës, Vilhelm Tell-in e Schillerit dhe Novelat e Oscar Wilde…’’ 5
(Vilhelm Teli, Illyria, 15 korrik 1934, f.3)
Et’hem Haxhiademi vlerësonte se ‘’me një vepër të tillë (si Vilhelm Teli) dhe të tjera si këto duhet të pasurohet pa vonesë lëmi i vogël i literaturës sonë. Zoti Skënder Luarasi i cili ka ditur kaq bukur të përkthejë me gjithë hollësirat e saj këtë kryevepër e cila e mëson rininë të dojë dhe të mbrojë lirinë, letrarët e pakët shqiptarë duhet ta përgëzojnë dhe ta urojnë nxehtësisht.Nga pjesa ime përkthimin e Luarasit dua ta quaj një nga përkthimet më të goditura që janë ba deri sot në Shqipëri.’’ 6
( Et’hem Haxhiademi, Vilhelm Teli i Shilerit, Demokratia’’, 23 shtator, 1934, f.3)
Gazeta ‘’Besa’’ citonte gazetën austriake Salzburge ‘’FolksBlat’’ e cila njoftonte se Akademia Gjermane e Munchen-it i dha Skënder Luarasti medaljen e argjendtë për përkthimin e veprës ‘’Wilhelm Tell’’. 7
(Besa, Çquajtja e një letrari shqiptar, 27 mars, 1935)
Por për herë të parë drama “Vilhelm Teli”, sipas shqipërimit të Skënder Luarasit, është shfaqur në muajin janar 2006. Trupa e studentëve të Akademisë së Arteve me regjisor Milto Kutalin dhe skenograf Erald Bakallin e shfaqi dramën në skenat e teatrove të Korçës, Pogradecit, Durrësit, Shkodrës, Fierit, Vlorës dhe Elbasanit.
Në skenat teatrore shqiptare buçiti kushtrimi shilerian :
Prej kësaj koke, ku vendosën mollën,
Liri e re më e mirë do blerojë;
E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë,
Një jetë e re po lulëzon gërmadhash.

Preojekti u realizua nga bashkëpunimi i Akademisë së Arteve me Ambasadën Zviceriane dhe me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve si edhe të një sërë subjekteve private.
Trupa studentore përbëhej nga studentët Elis Mataj, Alban Krasniqi, Kushtrim Emërllahu, Bekim Guri, Anisa Dervishi, Klodiana Keco, Loredana Gjeçi, Cubi Metka, etj.

(Vijon)
 
(Vijon)

Petro Luarasi
Skënder Luarasi në tempullin shilerian


Dramat në Prozë: ‘’Intrigë e dashuri’’ , ‘’Hajdutët’’ e ‘’Fiesko’’

Dramat e Shilerit ‘’Intrigë e dashuri’’ (1955), ‘’Hajdutët’’ (1958) dhe ‘’Përbetimi i Fieskos’’ (1958) të shqipëruara nga Skënder Luarasi janë publikuar më vete ose të përmbledhura nën titullin ‘’Dramat në prozë‘’. Ato janë të mirënjohura në teatër nga interpretimet virtuoze të Aleksandër Moisiut (dramat ‘’Hajdutët’’ e ‘’Fjesko’’) dhe prej aktorëve të shquar të Teatrit Kombëtar ( ‘’Intrigë e dashuri’’ ose ‘’Luiza Miler’’ me regji të Mihal Luarasit e Drita Agollit)
Thuhet se për dramën ‘’Intrigë e dashuri’’ u përdorën dy emërtime dhe dy regji në kohë të ndryshme (1957 dhe 1979) meqë ‘’kuptimi i komunikimit artistik për pjesët klasike nga ana e Teatrit Kombëtar është parë më fort i lidhur me të kuptuarit e bashkëkohësisë.’’ Kështu anashkalohet faktori konjuktural politik, dënimi i regjisorit të shquar Mihal Luarasit. Ai në përfundim të studimeve në Hungari si regjisor teatri, realizoi dy punë për mbrojtjen e diplomes, dramen e Leon Tolstoit, "Pushteti i Erresires" dhe në Shqipëri tragjedinë e Shilerit "Intrigë e dashuri" ku interpretuan aktorët e njohur Naim Frashëri, Loro Kovaçi, Prokop Mima, Sander Prosi, Maria Loloreci etj.
Mihal Luarasi kujton se në Hungari kishte liri të madhe në krijimtari artistike dhe filloi te konturohej brenda tij ndjenja e lirisë së individit. Edhe "Intrigë e dashuri" është një drame, brenda së cilës ekziston konflikti dhe asnjeri nga protagonistët e saj, Ferdinandi dhe Luiza, nuk jane të lirë në dashurinë e tyre... Drama "Dhelpra dhe rrushtë" dhe "Intrigë e dashuri", ishin dy momente kyce të aktivitetit të tij si regjisor, që së bashku me ngjarjet më vonë, çuan në mospëlqimin e veprave të tij nga sistemi dhe partia në pushtet.

Kështu luftëtari antifashisti, atdhetar dhe regjisor i talentuar i kushedi sa shfaqjeve të suksesshme u dënua si armik politik për 7 vjet në burgun e Ballshit.




Edhe vetë drama e Shilerit do të qe dënuar ‘’me vdekje’’ nga censura por e shpëtoi rastësia. Sulejman Dibra jep një fakt interesant. Kur mendohej të vihej në skenë tragjedia e Shilerit “Intrigë dhe dashuri ” (me regjisore Drita Agollin) ai me Reshat Arbanën shkuan për t’i mbushur mendjen Xhelil Gjonit, por ai nuk pranoi. Por të nesërmen Xhelil Gjoni erdhi në Teatrin Kombëtar dhe kërkoi të falur sepse kishte lexuar se dikur Enver Hoxha kishte shkruar mirë për Shilerin dhe dramën “Intrigë e dashuri ”.

Aktori Edmond Budina kujton se regjisorja Drita Agolli ka qenë shumë e ashpër dhe i thoshte: “Ti je fshatar, nuk je princ siç është Ferdinandi”. Kjo e bënte të vuante shumë, sepse punonte edhe pas provave… Pas shfaqjes te reklama e teatrit e priste një burrë rreth 80 vjeç. Ishte Skënder Luarasi, përkthyesi i “Luiza Miler-it”, ‘’një nga kollozët shqiptarë, i cili kishte një mendje të ndritur’’. Ai i tha: “Ferdinandi je ti, edhe më shumë se ai i pari”…Nga ai moment pata miqësi me të, më ka dhënë librat që kishte në shtëpi për teatrin…’’ 8. (Valeria Dedaj, Interviste me aktorei Edmond Budina, Shekulli, 10,02, 2014

www.shekulli.com.al/website/index.php?)

Aktorja Yllka Mujo thekson ndikimin që ka patur Luiza Mileri rol i plotë dhe tepër dramatik, tek personaliteti i saj dhe formimin si artiste.
‘’Ekziston nje veti e magjishme e rolit …Fillimisht, këtë
e kam ndjerë shume fuqishem te Luiza Miler. Kur ecja rruges
pas provave, ndieja që ecja krejt ndryshe, që mendoja krejt
ndryshe, shumë herë më tepër se zakonisht, ngreja sytë nga
qielli, shume herë me tepër se zakonisht flisja me yjet, ....
Përfundimisht, për mendimin tim, roli ka te bejë shumë në
formimin e personalitetit njeri aktor ose aktor njeri.’’9.
(Irhan Jubica, Interviste me aktoren Yllka Mujo, 55, 4.5. 2009 http://albanianmovies.blogspot.com/2009_05_01_archive.html)

Yllka Mujo kujton porositë e Sandër Prosit, mesazhet universale të Shilerit dhe amanetet e brezave në skenë:
“Si thoshe ti mjeshtër i skenës tek interpretoje muzikantin Miler të Shilerit në kryeveprën “Intrigë e dashuri”: “Ju jeni kryeministër i vendit, por jo zoti i shtëpisë sime”. Dhe bija jote, Luiza Miler (Yllka Mujo) është bërë e tillë si e dëshiroje ti Sandër i shtrenjtë.’’10. (Përparim Kabo , Një letër për fisnikun Aleksandër Prosi, Gazeta shqiptare, 24 .3.2010, f. 1, 28 – 29)
Emocionet në interpretimin e dramës ‘’Intrigë e Dashuri’’ të Shilerit, i kujtojnë me nostalgji shumë personalitete të teatrit shqiptar, për Elida Janushin ‘’Luiza Miler ishte roli që i ka falur jetë në teatër’’. Studjuesi Përparim Kabo e cilëson ‘’himnin e dinjitetit të njeriut’’

(Vijon)
 
Skënder Luarasi në tempullin shilerian

(Vijon)

Petro Luarasi
Skënder Luarasi në tempullin shilerian



Botimi i dramës së Shilerit ‘’Intrigë e Dashuri’’ të shqipëruar nga Skënder Luarasi u mirëprit nga lexuesi shqiptar dhe institucionet kulturore. Skënder Luarasi kujton se në vjeshtën e vitit 1955, sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve Shefqet Musaraj i erdhi për vizitë në shtëpi dhe i kërkoi një ekzemplar të dramës ''Intrigë e Dashuri'' me autograf. Do të vizitonte Weimarin si përfaqësues i inteligjencies shqiptare dhe do t'ia dhuronte librin Institutit ''Goethe-Schiller''.
Së andejmi i dërgoi një kartolinë me pamje të dhomës ku punonte Shileri me tryezën e shkresurinat
Prof. Skënder Luarasi
Lidhja e Shkrimtarëve
Tiranë
(Albania)
'' Të fala. Të kam kujtuar vazhdimisht këto ditë që po kaloj në Weimar''
Shefqet Musaraj
Weimar, 1 tetor 1955

"Kur u kthye në Tiranë, më tregoi se me të hyrë në Institut i tha drejtorit që kishte sjellë dramën ''Intrigë e Dashuri'' në shqip, t'ia dhuronte bibliotekës. Ai e porositi i entuziazmuar të vinte të nesërmen në orën dhjetë. Në sallën e festave, dy rreshta shkencëtarësh të veshur në ornat akademike po prisnin përfaqësuesin shqiptar i cili kaloi përmes burrash të mëdhenj nga trupi dhe nga mendja. Libri u vendos në bibliotekë me ceremoni dhe nderime për gjuhën shqipe e popullin shqiptar që di të çmojë vlerat e kulturës bortërore.''

Ndërsa shteti e kultura shqiptare nderohej, vetë shqipëruesi Skënder Luarasi nuk lejohej të merrte pjesë në asnjë aktivitet ndërkombëtar, as në Kosovë!

(Vijon)
 
Skënder Luarasi në tempullin shilerian

(Vijon)

Petro Luarasi
Skënder Luarasi në tempullin shilerian


Vepra e Shilerit ‘’Vajza e Orleansit’’, e shqipëruar nga Skënder Luarasi, u botua nga InfBotues n[ vitin 2007 ndonëse ishte planifikuar të botohej që në vitin 1960 nga Ndërmarja Shtetërore e Botimeve, por për shkaqe konjukturale u ndalua.
Përkthimi së bashku me parathënien dhe shënimet përkatëse të Skënder Luarasit ''humbën'' në redaksi.
Me këtë rast kujtojmë me mirënjohje Akademikun Aleks Buda dhe studjuesin Dhori Qiriazi për ndihmën dhe shkrimet perkatëse qe po publikojmë .


Aleks Buda
Shqiperimet e Skender Luarasit.
‘’Vajza e Orleansit’’ - F.Shiler


Te asnjeri nga autorët e mëdhenj të letërsisë klasike gjermane të gjysmës së dytë të shek. XVIII e të fillimit të shek. XIX lidhjet me realitetin historik nuk kanë gjetur një pasqyrim kaq të drejtpërdrejtë e njëkohësisht kaq të lartë poetik, asnjeri si Shileri nuk është bërë shprehës kaq i frymëzuar i detyrave të mëdha djegëse që shtronte realiteti i kohës për popullin gjerman: luftë kundër regjimit feudal absolutist që mbretëronte i pakufizuar ende në fundin e shek. XVIII, kur ai kishte pësuar goditje tronditëse në vendet më të përparuara të Evropës, luftë kundër copëzimit feudal të trashëguar nga mesjeta që pengonte bashkimin kombëtar, luftë kundër obskurantizmit mesjetar që shtypte e frenonte lirinë e mendimit. Që nga drama e tij e parë ‘’Cubat’’ më 1782 e deri në ‘’Vilhelm Telin’’ më 1805 ideja e kësaj lufte e përshkon në mënyrë konsekuente veprën e tij. Në këtë vazhdë që vjen duke u ngjitur dallojmë një etapë të parë ku lufta kuptohet e paraqitet si një fenomen subjektiv, si luftë e personalitetit të shtypur nga ambienti i vjetër shoqëror-moral. Nuk ka dyshim se edhe prapa kësaj revolte individuale qëndron - dhe Shileri e sheh - një konflikt shoqëror i mprehtë. Nuk është e rastit se në fund të kësaj etape qëndrojnë ngjarjet tronditëse të revolucionit të madh borgjez të Francës. Në këtë etapë bien edhe studimet historike të Shilerit, kushtuar ngjarjeve të mëdha historike që përfunduan me disa vepra të mëdha si ‘’Historia e kryengritjes së Vendeve të Ulta’’ ku ai u njoh e trajtoi lëvizjet e mëdha masive, luftën e madhe popullore që përbën revolucionin e parë borgjez në Histori.
Në etapën e dytë dalin në radhë të parë të veprimtarisë dramatike të Shilerit konflikte - jo më në plan individual - por çaste krizash të mëdha historike, konflikte historike absolutisht të domosdoshme, që shpërthejnë lëvizje masive luftash me karakter çlirimtar e gjejnë mishërimin e tyre në disa figura të mëdha heronjsh popullorë si Vajza e Orleansit, Vilhelm Teli etj.
Njihet qëndrimi mëdyshës që mbajti Shileri ndaj revolucionit borgjez francez në fazën e zhvillimit të tij më të ashpër. Në Gjermaninë e prapambetur, në zhvillim dhe me aq mbeturina feudale, si ai dhe të tjerë bashkëkohës të tij, nuk mund të arrinin në një kuptim teorik revolucionar. Shileri në filozofinë e tij mendonte se vetëm me anë të ‘’edukimit estetik’’, dmth me anë të arësimit, mund të arrihej liria aq e shtrenjtë për të. Porse në krijimtarinë e tij dramaturgjike ai shkoi shumë më përpara e më larg nga ç’shkonin konceptet e tij filozofike. I mbështetur mbi studimet e tij historike e nën ndikimin pozitiv të lëvizjeve të mëdha popullore ai krijoi në vitet 1801-1805 dy vepra që kanë jo vetëm si sfond, por dhe si përmbajtje kryesore, luftën çlirimtare të masave popullore : ‘’Vajzën e Orleansit’’ dhe ‘’Vilhelm Tellin’’. Këtu s’ishte fjala për një lëndë nga antikiteti i largët si te ‘’Nusja e Mesinës’’. Në një kohë kur për Gjermaninë çështje djegëse ishte problemi i bashkimit kombëtar dhe i luftës për pavarësi kundër invazionit të huaj kërcënues - siç qe në periudhën e luftrave kundër Napoleonit - dhe mendjet më përparimtare si forcë të vetme që mund t’i bënte ballë kësaj detyre shihnin masat popullore e jo më shtetin e kalbur prusian - në këtë kohë, lufta e popullit francez kundër invazionit anglez në shek.XV, e mishëruar në figurën e vajzës fshatare, kishte për t’u thënë shumë gjermanëve bashkëkohës e ka për t’u thënë ende sot pasardhësve, e jo vetëm pasardhësve gjermanë - po ashtu si figura e fshatarit zviceran W.Tell - në sajë të gjenisë krijuese poetike të Shilerit. Ashtu siç nuk është e rastit që Shileri ka zgjedhur si figurë qëndrore një vajzë fshatare, ashtu nuk është e rastit edhe që gjuha poetike e autorit i përshtatet realitetit shoqëror-historik të ambientit ku zhvillohen ngjarjet. Këtu e ka rrënjën ai element biblik-fantastik-fetar që bashkëjeton me konceptin thellësisht realist historik mbi të cilin mbështetet vepra. E kemi fjalën për atë zërin ‘’e mbinatyrshëm’’ që vajza thotë se e shtyn të veprojë e të ndërmarrë atë vepër të madhe, ku kishte dështuar klasa sundonjëse feudale e Francës. Është e natyrshme, e nuk mund të ishte ndryshe, që zëri i ndërgjegjes popullore flet nëpërmes vajzës fshatare. Nuk mund të shprehej në gjuhën e vet klasore të pastër. Ai do të merrte natyrisht atë ngjyrë paragjykimesh fetare, atë ngjyrë figurash konceptesh biblike që përbënin bukën e përditëshme të fshatarëve të varfër, të mbuluar nga errësira e padija, të rritur në një botë ëndrrash që ia kishin dhënë si ushqim kleri, një botë ëndrrash në të cilën ata besonin si në një realitet. Dhe pikërisht qe bindja e thellë e masave popullore për nevojën e luftës. Marrja hua e ngjyrës fetare, karakterizon forcën e saj, është dashuri e karakterit të saj thellësisht popullor. Në këtë bashkëjetim elementesh realisto-popullore dhe biblike-letrare nuk pasqyrohet ndonjë kontradiktë që ka përshkuar autori, por një kontradiktë që përshkon së thelli realitetin historik: në shek. XV fshatari francez as nuk mund të mendonte e vepronte ndryshe, as fshatari gjerman në shek. XVI, që u nisën në luftë kundër anglezëve ose kundër feudalëve gjermanë me parrulla e shprehje të marra hua nga bota biblike. Nga logjika e këtij realiteti nuk ka dashur të largohet as G.B.Shaw, me gjithë sarkazmin e tij antimetafizik kur shprehet se ‘’zëri i brendshëm’’ që shtyn vajzën fshatare në dramën e tij me të njëjtin subjekt, është një realitet i natyrshëm e i kuptueshëm. Është merita e Shilerit që ai ka ditur e ka mundur të bëjë që nëpërmes kësaj gjuhe figurash e frazash biblike të shkëlqejë ndjenja e thellë, instinktive e genuine e patriotizmit popullor që rron në fshatarët e shprehet nga goja e një përfaqësuesi të tyre, të vajzës, që aq me vetmohim, po edhe me vetëbesim instiktiv të njeriut të popullit, i shërben popullit të vet, pa lëkundje, deri në çastin e fundit.
Gjuha me të cilën flet një fshatar i ditëve tona, i ambientit tonë shoqëror, është natyrisht krejt ndryshe; por në përmbajtjen e vet gjuha poetike e veprës së Shilerit ka elemente që i flasin thellë edhe së sotmes sonë.

Aleks Buda


Dhori Qiriazi
‘’Vajza e Orleansit’’ në shqipërimin e Prof. Skënder Luarasit.


Është një ngjarje e lumtur për kulturën shqiptare që Prof. Skënder Luarasi u njoh me veprën liridashëse të F.Shilerit qysh në rini dhe u dashurua sidomos me dramaturgjinë e tij duke shqipëruar veprat ‘’Vilhelm Tel’’, ‘’Intrigë e dashuri’’, ‘’Hajdutët’’, ‘’Fiesko’’, ‘’Don Karlos’’ dhe ‘’Vajza e Orleansit’’.
Besojmë se ajo që e tërhoqi më fort nuk ishte vetëm romantizmi i Shilerit, por natyra e mesazheve universale me të cilën ai u drejtohet brezave.
Me këto ndjesi bashkohej edhe ajka e inteligjencies progresive shqiptare. Kështu emigranti politik Fan Noli, në një letër drejtuar Vangjel Korçës nga Vjena, shkruante: ‘’Nuk e di a jam i zoti t’ju këshilloj ç’vepra të përktheni nga letratyra gjermane...Posa nistë me Shilerin mund ta vazhdoni me ‘’Rauber’’, ‘’Jungfrau von Orleans’’, ‘’Wilhelm Tell’’.... Këto duhen më tepër për popullin tonë të skllavëruar. Sa më pak përjashtime të bëni nga ky rregull, aq më mirë do të jetë si për qëllimin, si për këndonjësit... ''
‘’Vilhelm Teli’’, dramë që u shkrua nga Shileri në vitin 1804, u bë e njohur në Shqipëri për herë të parë, qysh në vitin 1934 dhe vargjet e saj u bënë tema hartimi e burim frymëzimi për rininë shkollore, sidomos kundër rendit tiranik, u bënë himn i ndjenjës për liri nga thundra e rendit feudal që ishte i gjallë, gjer vonë në Shqipëri.
Me përkthimin e kësaj drame aq të bukur dhe elegante të F.Shilerit, Skënder Luarasi e renditi veten në anën më progresive të intelektualëve shqiptarë të kohës së tij. Pikërisht është kjo arësyeja pse ai gjeti mirënjohjen e zemrave të rinisë shkollore të asaj kohe që kish filluar të bëhej e ndërgjegjshme për detyrat e saj të ardhëshme shoqërore.
Doemos ai gjeti mënyrën që t’ua bënte të ditur këto ide asaj pjese të rinisë që ishte progresive dhe jo e turbulluar nga ndjenja të vjetra fanatike dhe regresive. Qysh herët e kam vënë re se Prof. Skënder Luarasi i pa figurat e dramës klasike gjermane, përparimtare, si të përafërta nga idetë dhe personazhet e saj me rrjedhën progresive historike të ngjarjeve në Shqipëri, kur po kristalizoheshin këto dy drejtime: njëri progresiv-revolucionar dhe tjetri konservator-reaksionar, që përfaqësohej nga mendësi feudale, të mbruajtur me fanatizëm aziatik dhe të ndikuara tek shtresat e privilegjuara të ish okupatorit osman. Ai përafronte figurat e Isa Boletinit, Ismail Qemalit, Themistokli Gërmenjit, Shote Galicës me Vilhelm Telin, Roderik de Pozën, Zhan d’Arkën (e personazhe të tjerë të dramave të Shilerit) ndërsa anadollakët e prapambetur, konservatorë, ua kundërvinte atyre.
Në ribotimin e dramës ‘’Vilhelm Teli’’ në vitin 1962 gjejmë dhe këto rreshta:
‘’A ka të drejtë populli të bëjë kryengritje me armë në dorë kundër pushtetit që e shtyp dhe e plaçkit?’’ Përgjigja jepet në vargun e Shilerit:
‘’Jo, dhe dhunë e tiranisë ka cak e gardh!’’
Ky kushtrim shtjellohet gjerësisht në ‘’Vajza e Orleansit’’, e cila shprehet me aq zjarr për ndjenja të dashurisë ndaj atdheut, kur ai është i pushtuar nga të huajt.
Para vitit 1800 Shileri ka mbledhur shumë materiale nga koha e Luftës 100-vjeçare të zhvilluar midis Francës dhe Anglisë, në të cilat dallohet një figurë e shquar historike, përfaqësuese e patriotizmit popullor, Zhanë d'Arka.
Drama ‘’Vajza e Orleansit’’ u fillua në vjeshtë të vitit 1800 dhe u përfundua më 16 prill 1801. Gjithë materiali historik që vihet në dukje në këtë dramë, pasqyron me besnikëri shekujt XIV-XV në Francë dhe Luftën 100-vjeçare midis Francës dhe Anglisë. Po Shileri nuk dëshiron të shkruajë histori, ai na komunikon ato ligjësi të natyrës njerëzore që përcaktojnë rrjedha historike dhe ato ndjenja të dashurisë së pakufishme që objektivisht jetojnë në zemrat e popullit, për tokën dhe bashkatdhetarët, atëhere kur atdheu pushtohet dhe shtypet nga të huajt.
Nga kjo pikëpamje ‘’Vajza e Orleansit’’ u shkrua si reaksion ndaj pushtuesve francezë të Napoleon Bonapartit, i cili e kishte kapërcyer disa herë lumin Rin.
Po cila është kjo virgjëreshë e Orleansit, vajzë e thjeshtë e një fshatari që merr përsipër të udhëheqë ushtri kundër pushtuesve anglezë?
Po japim disa të dhëna të njohura mbi biografinë e saj, por që mund t’i plotësojnë imazhin e plotë heroinës kryesore të dramës së Shilerit.
Ajo lindi në Dom Remy të Lorenës që në atë kohë ishte një dukat i pavarur i cili përfshinte edhe një pjesë të Burgundisë. Familja e saj ishte fshatare dhe ajo vetë një bareshë e vogël, gjashtëmbëdhjetë vjeç.
Pas vitit 1429 Franca nuk kishte mbret. Karli VI vdiq ashtu si dhe mbreti i Anglisë Henriku V që sipas traktatit të mbarimit të Luftës 100-vjeçare, do të martohej me Katerinën, të bijën e Karlit VI e do të shpallej mbret i dy mbretërive. Kur princi pasardhës nuk deshi ta pranonte këtë padrejtësi, disa fisnikë francezë e kundërshtuan. Pikërisht në këto momente, Zhan d’Arka, kjo vajzë e re, pa në ëndërr Shën Mëhillin e Shën Margaritën që i bënin thirrje të shpëtonte Francën dhe ta kthente princin mbi fron. Një vit më vonë ajo mundi ta takonte princ Karlin në Kinon të fshehur midis kuartierit të tij. Ajo i rrëfeu atij për misionin që i ishte ngarkuar nga perëndia dhe e bindi se duhet ta ndihmonte të çlironin Orleansin e rrethuar nga ushtritë angleze. Princi pyeti për këtë edhe klerin, i cili e pranoi planin për çlirimin e Orleansit. Ajo mblodhi vëllezërit e saj, i pajisi me armë si dhe me një flamur të bardhë me dy zambakë në mes, ku ishin shkruar fjalët: ‘’Krisht dhe Shën Mëri’’. Lufta filloi më 29 prill dhe fitorja e parë e madhe e saj kundër ushtrisë angleze, ndodhi më 9 maj. Anglezët ishin ata që e mbiquajtën ‘’Virgina’’. Ajo çliroi Jargonë, Mengun mbi Luarë, Boxhensin dhe më 18 qershor mundi anglezët në Pati. Si rrethoi edhe qytetin Trojë, ajo e bindi princin Karl të vinte në Reims dhe aty ai u kurorëzua mbret i Francës, me emrin Karli VII, më 17 korrik 1429. Kur lavdia e saj u ngrit lart në sytë e popullit, aq sa ata e quajtën shenjtore, filluan të shpifin për atë. Ajo u mundua ta bindte mbretin që të rrethonte Parisin dhe ta merrnin, por ai hezitoi. Në rrethana të tilla ajo u rrethua në Kompejn më 24 maj 1430 dhe u tradhëtua nga peshkopi i Bovesë, Pierr Kosho që ishte aleat i anglezëve. Dokumentat thonë që qeveria angleze kishte paguar para për ta kapur Zhanë d’Arkën dhe për ta dënuar në gjyqin e Inkuizicionit si një të virgjër që kishte lidhje me djallin. Gjyqi iu bë në Ruan, në shkurt të vitit 1431. Atje u tha se ajo nuk komunikonte me zotin, por me djallin. Veç kësaj, asaj i përmendën dhe mëkatin që kish bërë, kur deshi të vdiste me vetvrasje dhe u hodh nga kulla. Meqë thosh se ajo kish dëgjuar zëra, por ata nuk ishin zëri i kishës, u dënua me djegie në turrën e druve më 30 maj 1431 duke përthirrur emrin e Krishtit. Hirin e saj e flakën në lumin Senë.
Mbasi Karli VII mori Ruanin, si dhe me kërkesë të familjes së Zhanë d’Arkës, Papa Kalisti III anulloi vendimin e gjyqit të Inkuizicionit dhe më 7 korrik 1456 e quajti Zhanë d’Arkën martire dhe dënoi Kokonë, i cili ishte ai që ndikoi kryesisht në gjyqin e djegies së saj. Më 16 maj 1920 kisha romane e shpalli atë shenjtore dhe dita e saj përkujtohet në të dielën e dytë të muajit maj.
Veç Shilerit mbi këtë temë kanë shkruar edhe shkrimtarë të tjerë prej të cilëve do të përmendja këtu vetëm dy: Xh.B.Shoun me dramën: ‘’Shën Joana’’ dhe B.Brehtin me dramën: ‘’Shën Joana e forta!’’
Kur e kam lexuar për herë të parë këtë kryevepër të Shilerit, menjëherë më ka shkuar mendja tek drama e famshme e Euripidit: ‘’Efigjenia në Aulidë’’, ku mbasi vihen në peshë ndjenja e detyrës dhe e vullnetit të individit për vendin që ze në shoqëri, triumfon vullneti.
Nga ana tjetër kjo tregon se Shileri i ka njohur ligjësitë që rrjedhin nga koha antike në veprimin dramatik.
Por problemi themelor i dramës nuk mbetet vetëm triumfi i ndjenjës së detyrës në mbrojtje të Atdheut, por drama e Shilerit, përmes veprimit, trajton realisht jo vetëm nevojën e pranisë së shtetit në jetën civile, por edhe të persekucionit të individit nga paragjykimet dhe shpifjet egoiste.
Kjo ndodh edhe tek ne, tani kur ende Shqipëria nuk është aq e civilizuar dhe e emancipuar nga paragjykimet e së kaluarës, qofshin këto shoqërore apo politike.
Lufta e Zhanë d’Arkës për të kthyer institucionin e mbretit, natyrisht është një akt politik dhe po aq politik ai i kundërshtarëve të saj dhe aq më tepër i bashkëpunëtorëve me pushtuesin. Po fajtor mund të bëhet edhe mbreti, kur nuk merr vendime të drejtë.
Drama e Shilerit zhvillohet e gjitha përmes skenash luftarake dhe në secilën ai përshkruan gëzimin e fitores dhe trishtimin e humbjes. Kur Zhana del nga pylli me përkrenaren e ndritshme, është e bukur, por i ati e qorton atë përkrenare, e cila do t’i marrë vajzës ndofta jetën. Vetë civilizimi shikohet si një përparim që vjen përmes disa mëkatesh. Përmes kontradiktës individi njeh vetveten. Veprimi unifikon konkreten me abstrakten, prapambetjen dhe progresin, të veçantën dhe të domosdoshmen, natyrën dhe gabimin.
Nuk dëshiroj të bëj komente të personazheve të dramës, pse ata janë në dramë dhe në veprim. Por desha të theksoj tani në fund të këtyre pak shënimeve mbi këtë dramë të bukur të Shilerit se ky dramaturg i madh e shumë i talentuar, ka ditur të bëjë dallimin kryesor se nga ndryshon një vepër arti nga ajo jo artistike. Thelbi i këtij zbulimi të tij edhe në këtë dramë është se arti nuk është moral apo moralizim, por ai është veprim real. Në fakt ai shpjegon etikën e veprimit, ose na le të gjykojmë mbi të, pra, mbi dualitetin e veprimit.
Viktima i përmban të dyja. Ajo hesht para çdo paradoksi. Të tjerët e bëjnë atë fajtore për shkak se pse hesht. Viktimën një e nga një e braktisin shokët, të afërmit, pse thonë që ajo është fajtore, sipas shumicës keqdashëse. Kur të gjithë e dënojnë, duhet ta dënojmë edhe ne.
Skena të tilla mund të zhvillohen kurdoherë, sidomos kur shoqëria është e ndërtuar vetëm mbi interesa që shpesh e kanë bazën mbi krime, mbi egoizëm, dhe kur shoqëria është ende larg qytetërimit dhe ndjenjës të së drejtës së përgjithshme të mbështetur në ligje të drejtë. Për shkak se kjo dramë na zbulon ide të tilla universale, është një dramë që ka karakter universal.
Diktatura me anën e censorëve të saj, që në vitet ’50 ia mohoi kulturës sonë shqipërimin e mrekullueshëm ‘’Vajza e Orleansit’’ që u ‘’pluhuros’’ deri sa humbi skutave të NSH Botimeve. Kujtoj takimet me profesorin e ndjerë tek më fliste për intrigat e inskenimet me urdhër nga ‘’lart’’ të ‘’inkuizitorëve të kulturës’’ dhe protestat e tij ndaj këtij krimi. Jam shprehur edhe vetë publikisht që në atë kohë mbi vlerat e mirëfillta të kësaj vepre, por gjithshka ra në vesh të shurdhër e sy të verbër. Ndaj gëzohem që munda të shprehem përsëri me këto pak radhë, mbas afro gjysmë shekulli censure të këtij botimi postum, në një mjedis lexuesish që tashmë mund të më kuptojë më mirë mua, shqipëruesin e shquar, Prof. Skënder Luarasin dhe vlerat madhore të veprës ‘’Vajza e Orleansit’’ të Shilerit, i cili u nda nga jeta 200 vjet më parë.

Dhori Qiriazi

(Vijon)
 
Skënder Luarasi në tempullin shilerian

(Vijon)


Petro Luarasi
Skënder Luarasi në tempullin shilerian


Dramat ’Vajza e Orleansit’’ dhe “Don Karlos”, kritika botërore i vlerëson nga më të bukurat kryevepra të Shilerit. Këto përkthime të Skënder Luarasit ishte planifikuar për botim nga drejtori i N. Sh. Botimeve, Drago Siliqi, sikurse dëshmohet në revistën “Nëntori’’ (artikulli “Shileri në shqip’’, nëntor, 1960: “Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve ka në plan për të botuar dramat: “Don Karlos’’ dhe “Vajza e Orleansit’’). Me rastin e 220-vjetorit të lindjes të Shilerit , në vitin 1979, u lejua të botohen disa fragmente të dramës ‘’Don Karlos’’ në gazetën ‘’Drita’’ ( Drita, 11.11.1979, f.15) dhe në revistën ‘’Nëntori’’( Nëntori, nr.10, 1979, f.240-251).

Kritika e recenzentëve të diktaturës shprehej se në dramën ’Vajza e Orleansit’’ Shileri kishte dobësi ideore, qe sentimental, idealist dhe figura e Zhanë d’Arkës, e rrethuar me një atmosferë mistike, bëhej ireale. Sipas tyre ‘’Shileri në këtë dramë jo vetëm që nuk është në pararojë të mendimit përparimtar të kohës së vet, siç ndodh në drama të tjera të njohura të tij, por mbetet në pozitat e një shkrimtari të cilin romantizmi i shkëputur nga jeta nuk e lejon të bëjë vlerësime objektive dhe të qëndrojë në një terren real. Ndonëse puna e përkthyesit në këtë vepër është e mirë kjo dramë nuk mund të botohet.’’
Redaksia e letërsisë së huaj

Përkundër mendimit kritik zyrtar, në debat me censorët e Diktaturës Skënder Luarasi theksonte se: ‘’ Shileri është i pari nga gjithë shkrimtarët, i cili shkroi me simpati për Zhanë d’Arkën. Gëteja e ka vlerësuar : ‘’Drama ‘’Vajza e Orleansit’’ është kaq e bukur sa nuk di me cilën ta krahasoj’’.
Autori nuk e ka kërkuar heroinën në botën ideale, por në botën reale: ajo është një vajzë e thjeshtë fshatare që bën veten fli për çlirim të atdheut. Ngjarjet e përshkruara në dramën e Shilerit janë reale, historike, vetëm se vdekja e Zhanës ngjau jo në zjarr por në fushën e luftës. Këtë ndryshim autori e ka bërë për efekt dramatik…Në ‘’Vajzën e Orleansit’’ Shileri dënon aristokracinë tradhëtare dhe shpreh besimin në forcat e popullit e në virtutet e tij morale të larta. Këtë e bën nëpërmjet një vajze trime, sypatrembur e të pushtuar nga dashuria për atdheun….Zhanë d’Arka në veprën e Shilerit ndrin si një shembull i dashurisë për atdhe. Përballë heroinës, vullneti i së cilës bën mrekullira, shohim pushtuesit anglezë tiranë, nënë-zezën mbretëreshë të zhveshur nga çdo motiv ideal, tradhëtarin dukë të Burgundit të etur për sundim e pasurim; mandej, edhe një mbret të zvetënuar e një aristokraci frënge të çartur, të pazonjën e mosmirënjohëse dhe klerin si mishërimin e së keqes e të djallëzisë.
‘’Kjo dramë përforcoi përgjithmonë popullaritetin e Shilerit dhe gjatë sundimit Napoleonik nxiti popullin gjerman në luftën nacional-çlirimtare të asaj kohe’’, këtë e pohon historia e letërsisë gjermane. Është përkthyer në të gjithë gjuhët e përparuara të botës.
Në gjuhën ruse e përktheu, i pari, Zhukovski dhe pas këtij shumë e shumë të tjerë. Për këtë Bjelinski shkroi: ‘’Përkthimi i Zhukovskit ndihmoi letërsinë ruse ta bëjë të vetën këtë vepër të mrekullueshme’’. Çaikovski shkroi operën e tij ‘’Vajza e Orleansit’’ në bazë të dramës së Shilerit.
Çernishevski shkroi në ‘’Sovremenik’’, 1857: ‘’Poezia e Shilerit nuk do të vdesë kurrë. Vetëm njerëz zemërtharë e që nuk e njohin jetën mund ta quajnë Shilerin ëndërrues e sentimental. Poezia e Shilerit nuk është sentimentale e lojë fantazije të ëndërruar. Pathosi i poezisë së Shilerit është simpatia e flaktë për çdo gjë fisnike dhe të fortë në njerëzinë’’.
Herceni: ‘’Poezia e Shilerit kurrë nuk e humbi influencën e saj për mua. Kush e humbi shijen te Shileri është ose i mplakur, ose pedant ose i shterrur nga ndjenjat ose nuk është në vete’’.
Unë mendoj se ‘’Vajza e Orleansit’’ vlen të njihet edhe nga shqiptarët se ndihmon në rritjen e personalitetit të gruas shqiptare. Rinia shqiptare përmes kësaj vepre do të njohë më mirë kohën historike të luftës 100-vjeçare dhe heroizmat e Zhanë d’Arkës, e cila jetoi e luftoi në kohën e Skënderbeut, po për të cilën në gjuhën shqipe nuk është shkruar asgjë gjer tani.
Skënder Luarasi

“Don Karlos”

Drama “Don Karlos” shquhet ndër kryeveprat e Shilerit.
Ajo ishte planifikuar për botim nga drejtori i N. Sh. Botimeve, Drago Siliqi, sikurse dëshmohet në revistën “Nëntori’’ (artikulli “Shileri në shqip’’, nëntor, 1960: “Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve ka në plan për të botuar dramat: “Don Karlos’’ dhe “Vajza e Orleansit’’). Me rastin e 220-vjetorit të lindjes të Shilerit , në vitin 1979, u lejua të botohen fragmente të dramës ‘’Don Karlos’’ në gazetën ‘’Drita’’ ( Drita, 11.11.1979, f.15) dhe në revistën ‘’Nëntori’’( Nëntori, nr.10, 1979, f.240-251). U ndalua per arësye konjukturale.
Shqipërimi i Skënder Luarasit u botua nga InfBotues në vitin 2007.

Po botojmë pjesërisht një nga recensat zyrtare.

Afrim Koçi
Reçension “Don Karlos” dramë në vargje e Fridrih Shilerit

Në krijimtarinë e Shilerit ( i cili dallohet nga vigani tjetër i letërsisë gjermane , Gëtja, jo vetëm për lirizmin që karakterizon veprën e tij, por kryesisht për trajtimin e temave shoqërore aktuale, që i bënin jehonë kërkesave të kohës) drama Don Karlos edhe pse nuk ze vendin e parë ( për idetë e kemi fjalën se për formën e forcën e saj artistike ajo pretendon për këtë pozitë) rradhitet ndër më të mirat e tij ( dhe të mos harrojmë se Shileri si dramaturg, në rradhë të parë, zë atë vend që ka në pjedestalin letrar gjerman dhe botëror.
Kjo vepër ka në qendër të saj idenë e madhe të lirisë, e parë kjo më shumë se një aspekt: liria e mendimit në përgjithësi, liria e vetvendosjes së popujve në veçanti.
Drama, që mund ta quajmë fare bukur edhe tragjedi, e merr subjektin nga historia e oborrit mbretëror spanjoll të shek. XVII në kohën e mbretërimit të Filipit II dhe të konfliktit të tij me popujt e Vendeve të Ulta qqë kërkonin të çliroheshin nga shtypja e tij e padurueshme, dhe e vështruar ashtu cekët, sidomos në fillim duket e thjeshtë e madje melodramatike( ku nuk mungon të përzjehet edhe te huajimi që lind nga një ‘’imoralitet’’ si të thuash i motiveve shtytëse të heroit kryesor por jë lexim i mëtejshëm, a pak më i vëmendshëm, na bind për qëllimin e madh të autorit, që me vërtetësi e forcë të jashtëzakonshme bindëse, hedh në shesh përpara gjykimit të njerëzve ide të mëdha universal njerëzore. Zgjedhja e këtij fragmenti të historisë njerëzore dhe e këtij vendi (Spanjës së inkuizicionit dhe të kulmit të lulëzimit të saj, të synimeve të saj ekspansive dhe aggressive, të obskurantizmit dhe terrorit fetar e shtetëror) është bërë me qëllim nga autori për të evidentuar më mirë vendin që ze liria në jetën e personave dhe të kombeve dhe katastrofën e pashmangshme që shkakton mungesa e saj ; pra dobia shoqërore e veprës, për kohën tonë, kur forcat regressive të kohës (ideologjike, politike, e artistike) kërkon t’I heqë lirisë çdo të drejtë qytetare, kur në vendet kapitaliste e revizioniste liria e mendimit është një nocion, kur superfuqitë kërkojnë që këtë ta zbatojnë edhe për kombet është e qartë dhe jashtë çdo dyshimi.
Por duke e parë veprën në unitet midis tërësisë dhe pjesëve të saj, nuk mund të mos vëmë re edhe disa mangësi e kufizime, që megjithatë e themi që më përpara , nuk janë kaq të mëdha e të rëndësishme , kaq të papranueshme (sepse të përligjura nga koha e vendi) sa ta rrezikojnë atë.
Në krye të listës vjen një herë fakti që bëhet fjalë për mbretër e me mbretër, pra negative nga pikpamja që ne duam të shohim të pasqyruar në art, në rradhë të parë jetën e masave të shtypura dhe luftën e tyre. Mirëpo historisë s’kemi ç’i bëjmë. Për të arritur gjer këtu u desh që njerëzimi të kalojë nëpër një varg rendesh shoqërore shtypës e regressive (bile edhe proletariati është produkt i tyre) që bënë të mundur , në luftë kontradiktash, zhvillimin njerëzor. (Le të kujtojmë Marksin kur thotë se qytetërimi i detyrohet skllavopronarisë së botës së lashtë). Në këtë mes rëndësi ka fakti se si vështrohet historia, ç’qëndrim mbahet ndaj saj, ç’ide të saj afirmohen. E parë nga kjo anë vepra është e mirë dhe plotësisht e botueshme.
Si të metë të dytë mund të përsërisim edhe një herë ç’thamë më lart për karakterin romantic, melo-dramatik të subjektit, por këtë mund ta neutralizojmë duke thënë se me shtjellimin e dramës kjo sa vjen e zbehet, humbet dhe në dramë marrin vendin kryesor aspektet shoqërore, politike të idesë.
Mund të rradhisim si të metë edhe mungesën e pranisë së vegjëlisë, të luftës së saj në lëmin shoqëror. Po t’I bëjmë kësaj zbritjet e duhura të mjedisit që ka marrë nën vështrim autori dhe të faktit që ka në vepër disa personazhe positive të dorës së dytë, që mund të merren si shprehës(ndonëse të mekur0 të psikologjisë dhe të karakterit popullor( ca shërbëtorë në pallat, ca murgj të thjeshtë.). Por ajo që ka rëndësi është se ndonëse të mishëruar në ndonjë personazh, ato, masat populli, nuk marrin pjesë, por ndjekin fizikisht në vepër dhe përbëjnë shtratin material përmbi të cilin zhvillojnë kombinacionet e tyre shtypësit. (Shtypja e luftës së popujve të Vendeve të Ulta është lejtmotivi i veprimeve të dy heronjve kryesorë politikë, të Don Karlosit dhe të markizit të Pozas, të mbretëreshës dhe të anës kundërshtare të tyre, të mbretit , të priftit Domingo, të dukës së Albës e tjera, bile-bile, kjo mishëroin edhe idenë e dytë të madhe të veprës.
Por nuk duhet të harrojmë , nga ana tjetër një tog anësht ë mira të tjera, si demaskimi I fuqishëm I inkuizicionit ( figura e Inkuizitorit të Madh dhe e Domingos, priftit rrëfyes të mbretit, janë mishërime madhore të thelbit antinjerëzor të inkuizicionit dhe të rolit të tij thellësisht antipërparimtar e criminal), I klasës së fisnikëve , etj. Vijnë pastaj këtu në vështrim edhe problem etike( siç është karakteristikë e veprave të mëdha, ku ndërrthuren e gjejnë pasqyrim, do s’do autori, anët thelbësore të jetës së kohës) siç janë marrëdhëniet midis atit e birit, Dashuria e pastër dhe ajo me interes, dashuria e shokut, besnikëria, mirësia, hipokrizia, ambicja, etj.
Drama është shkruar në vargje pentametrike në jambe por pa rimë. Në një nivel të lartë artistik , me konfiguracion të vështirë e të fuqishëm ndërthurur me meditime dh endërfutje të thella filozofike, vepra paraqet vështirësi në të përkthyer.
Pra, si përfundim, me fare pak heqje (të pjesshme) vepra është shumë e mirë, e bukur, ka tingull të fortë aktual, vlen për edukimin ideorevolucionar dhe estetik të masave tona punonjëse.

Afrim Koçi

Skënder Luarasit shqiperues i gjashtë veprave të Fridrih Shilerit (Johann Christoph Friedrich von Schiller :
‘’Wilhelm Tell’’ (‘’Vilhelm Teli’’, 1934), ‘’Kabale und Liebe’’ (‘’Intrigë e dashuri’’ , 1955), ‘’Die Räuber’’ (‘’Hajdutët’’, 1958), ‘’Fiesco’’ (‘’Fiesko’’, 1958), ‘’Die Jungfrau von Orleans’’ (‘’Vajza e Orleansit’’, 2007) dhe ‘’Don Karlos’’ (‘’Don Karlos’’, 2014)
 
Skënder Luarasi në tempullin shilerian

Petro Luarasi
Skënder Luarasi në tempullin shilerian


Aktualiteti shilerian

Ndonëse dramat e Shilerit ’’Vajza e Orleansit’’ dhe “Don Karlos”, të shqipëruara nga Skënder Luarasi, u ndaluan për gjysëm shekulli, një pjesë e inteligjencies shqiptare është njohur ndër vite me subjektin dhe mesazhet e tyre, ndë mos nga literatura e huaj, nga realizimet kinematografike e teatrale. Drama ‘’Zhan D’ark’’ e Shilerit njihet nga filmi i famshëm ‘’Joan of Arc’’, i vitit 1948, ku Zhanën e luan Ingrid Bergman apo nga filmi sensacional ‘’Jeanne d'Arc’’ (‘’The Messenger: The Story of Joan of Arc’’) të vitit 1999 ku heroinën e luan Milla Jovovich. Ndërsa subjekti i dramës "Don Karlos" njihet edhe prej operës së famshme të Verdit që është ndër më të rëndësishmet vepra të repertorit operistik botëror. Ajo u shfaq në muajin maj 2011, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, nga regjisori Nikolin Gurakuqi, me skenograf Alfredo Troisin e dirigjim koral nga Dritan Lumshi. Krahas 200 artistëve, shumica të huaj, spikati soprano shqiptare Sonila Baboçi, në rolin e mbretreshës Elisabeta.

Shileri, flamurtar i lirisë dhe barazisë së kombeve, ka shkruar për ‘'Vilhelm Telin'’ e Zvicrës dhe ‘'Don Karlosin'’ e Spanjës, për ‘’Zhan D’arkën’’ e Francës dhe '’Maria Stjuartin'’ e Anglinë duke u ndarë nga jeta mbi dorëshkrimet e ‘’Demitriusit'’ të Rusisë. Ndaj ai nderohet e studjohet jo vetëm në Gjermani, por në gjithë botën e qytetëruar.
Himni i Evropës së Bashkuar është dëshmi e vlerësimit të kombeve europiane ndaj veprës vigane të poetit, dramaturgut e historianit Fridrih Shiler dhe mesazheve të tij universal për vëllazërimin dhe unitetin e kombeve. Tingujt e Himnit të BE të luajtur nga Orkestra Filharmonike e Kosovës pagëzuan shpalljen e Pavarësisë. Studjuesi Zamir Zija Këlliçi , shef i Arkivit Historik të Teatrit të Operas dhe Baletit, dëshmon që vargjet e Shilerit
(dy strofa nga ‘’Ode gëzimit’’) janë kënduar nga kori (koha e katërt e Simfonisë IX të Bethovenit) në koncertin përkujtim të 200-vjetorin të lindjes së kompozitorit gjenial.

“Ode gëzimit” e Shilerit

Gëzimi është i mrekullishëm,
Lindur është në paradis,
N’pragun tënd o i magjishëm,
Buron kënga edhe nis

Se ato që ndan ligësia,
Ti sërishmi i bashkon.
Vlerësohet njerëzia
Flatra jote po pushon

( Dy strofat janë shqipëruar nga Robert Shvarc më 1970)

Studimi dhe ribotimi i veprave të Shilerit, inskenimet e shumta në skenat evropiane e botërore tregojnë se vepra dhe mesazhet e tij i mbijetojnë ndryshimit të kohërave. Ai nuk i përket vetëm të shkuarës, por edhe të tashmes dhe së ardhmes, për sa kohë që shoqëria progresive njerëzore mendon dhe lufton për liri, demokraci, identitet e dinjitet.

Petro Luarasi
 
Sajesat e Tomi Matos dhe miqësia L.Poradeci, S.Luarasi, Dh.Pasko

Petro Luarasi
Sajesat e Tomi Matos dhe miqësia L.Poradeci, S.Luarasi, Dh.Pasko


Sajesat e Tomi Matos dhe nëma e Mitrush Kutelit

Tomi Mato është një emër i famshëm jo vetëm në qytetin e Pogradecit. Ndonëse në prag të 90-tave, ky babaxhan rrezaton energji fizike e mentale, çmohet për bisedat e ëmbla dhe shakatë e kripura me hove rinore dhe trille pleqërishte, shkurt është krijues me dell ëndërrimtari, qejfli vere e korani që flladitet me vegime. Fantazia e tij e mëkuar në moshën djaloshare nga rrëzëllimat e magjishme të liqenit të Pogradecit, e ngjizur me vegimet hyjnore të Pragës së pasioneve dhe sfidave studentore, përjetoi lindjen e filizave të shpresës për demokraci dhe terrorin psiqik të sharrës diktatoriale. Në profesion i dhanë krahët e shqiponjës (në flatrimet regjisoriale të mbi 140 shfaqjeve teatrale) dhe brengën e bufit (që nuk mund të shohë dot dritën e diellit).
Kur doli në pension, Tomi Mato, i yshtur nga perspektiva e ndryshimeve demokratike, nga ekonomia e tregut dhe e xhepit, vendosi ta shpaloste personalitetin e talentin në të ashtuquajturat ‘’studime biografike’’ apo ‘’memoaristike’’ duke iu përkushtua me sy e mendje jetës së dy engjëjve pogradecarë, Lasgushit e Mitrushit. Edhe fati e përkrahu: mes miqve të qejfit e interesit, të xhanit e të namit, mes atyre që u pëlqen të koloviten rreth gotës e sahanit në lokalin ‘’Praga’’ të të birit, e gjeti edhe frymëzuesin e krijimtarisë, botuesin dhe propaganduesin e ‘’kryeveprave’’ me të cilat nuk kanë të nginjur mediat, ekspertët dhe gjindja e etur për zbulim e trillime sensacionale. Krijesa e parë (‘’Lasgushi më ka thënë ‘’, 2002) deri tani ka njohur katër rilindje me tirazhe marramendëse të sponsorizuara, ndërsa e dyta ("Kulteli, kalvari i një jete plot brenga",2013) nuk dihet se si do të çapitet.
Një vit më parë propaganda shpallte se ‘’u promovua një nga veprat e rralla dhe me një rëndësi të veçantë për letërsinë shqiptare, "Kuteli, kalvari i një jete plot brenga" i autorit të njohur Tomi Mato’’, i cili, sipas ligjëruesve akademikë, si një bletë punëtore modeste kishte mbledhur e mlatuar nektarin për mikun e tij të zemrës, Kutelin. Sipas logjikës së tyre "të dhënat e këtij libri nuk janë thjesht një përshkrim letrar, por një grumbull rrëfenjash të mara nga vetë Kuteli, i cili në raporte të një miqësie të afërt me Maton, kishte rrëfyer për kalvarin e një jete me plot peripeci".
Për një pedagoge ky libër ‘’i pasur me mendime objektive, i filtruar nga të pavërtetat, i bindshëm në konstatime, i qartë në zbulimin e anëve të padukshme ajsbergiane të Kutelit… plotëson një vakum të lënë keq të historisë së letërsisë shqiptare, letërsinë memoaristike shqiptare...Andaj libri ‘’Kuteli, kalvari i një jetë plot brenga’’ është një kontibut i madh në historinë e librave të tipit të memoareve".
Por nga media e ndërgjegjësuar mësuam se ‘’libri biografik’’ për Mitrush Kutelin i Tomi Matos ka përfunduar në gjykatë ‘’për shpifje, denigrim të figurës së Kutelit dhe keqinformim të publikut, duke sajuar dhe fantazuar në lidhje me Kutelin dhe familjen e tij, duke krijuar situata që nuk kanë lidhje me të vërtetën’’.
Kështu familja e nderuar e Dhimitri Paskos (alias Mitrush Kuteli) vijon edhe në demokraci kalvarin e kërkimit të së drejtës, në përballje me xhambazët e leverdisë së tregut dhe gjallesat shurdh-qorr- memece të klanit “E ç’u bë?-Hiçkurrgjë!‘’
Ata tek e fundit mund të pranojnë që ‘’kryevepra’’ të mos quhet ‘’biografi’’ apo ‘’memoar’’ por ‘’roman fantastiko-shkencor’’ ku shpikjet e shpifjet, me vello letrare, nuk i dënon ligji. Edhe ndonjë kritik kurajoz, i cili e quan biografinë “një përbaltje të tmerrshme të Kutelit”, do ta përqeshnin: ‘’Këtu po grabitet prona dhe jeta e njerëzve, zotrote na kërkoke kokërzën e grurit në mullar!’’
Sido që të zbatohet ligji, vegjeton edhe morali, të cilin mëkatarët do të bënin mirë ta përfillnin më tepër sepse, sikurse thotë populli, ’’ më mirë syri, sesa të të dalë nami’’, më mire të hiqet vepra dhe harxhet e gjynahqarit, sesa të të ndjekë edhe në ferr nëma e Kutelit.


Petro Luarasi
Lasgush Poradeci dhe qorrollepsja e një kronikani të dështuar


I ndërgjegjshëm për rëndësinë e çështjes, i bëj me dije opinionit publik dhe institucioneve përkatëse të shtetit shqiptar përvojën e hidhur që kanë patur me librin e Tomi Matos “Të verteta dhe të pathëna për Lasgushin” edhe familjarët e Lasgush Poradecit, por edhe të Skënder Luarasit

Vlera dhe antivlera
T’i ofrosh vatrës kulturore-letrare shqiptare krijime (sidomos kronika) të vlefshme, sipas kutit e rangut të personalitetit të Lasgush Poradecit me shokë, nuk mjafton vetëm dëshira, talenti apo fantazia e një romancieri a regjisori, qoftë edhe tematika e pasur me shumëllojshmëri skenash e personazhesh, por mbi të gjitha përjetimi real, lënda - mielli safi i bluar e i qëmtuar mirë, me sa më pak krunde (trajtesa gjysmë të vërtetash e ‘‘huazime’’ - plagjiate, thashetheme e sajesa) e me një unitet vlerash në formë dhe përmbajtje të shprehura thjesht e bukur. Për më tepër, lum ai që fati e ka përzgjedhur edhe të jetë pjesëtar në zhvillimin e ngjarjeve, edhe të shkruajë si dëshmitar për to.
Kështu dua të shpreh thelbin parimor të vlerësimit letrar, se sa për anën komerciale të çështjes, mjafton një sponsorizim i fuqishëm, një reklamim efektiv nga protektorë autoritarë dhe suksesi në treg është i garantuar: për masën e gjerë, malli kallp serviret e konsumohet menjëherë si i cilësisë ekstra.
‘‘I marrosur’’ siç jam pas temave historiko-patriotike, biografive e kronikave, shpesh edhe unë e kam shijuar mallin kallp, instikti e kureshtja më kanë sunduan motivimin për leximin e tyre dhe vetëm në fund logjika e lodhja më ka dënuar për metodën aspak selektive të përzgjedhjes së lëndës dhe për pjesëzën e jetës së shkuar dëm. Me këtë përvojë personale dëshmoj se pa mohuar arritjet në botimet cilësore, në tregun tonë letrar qarkullojnë rëndom ca palo ‘‘kronika’’, të cilat janë veçse pjella fantazish të arnuara me thashetheme, interpretime e përgojime që shprehin e mbrojnë thjesht interesa personale e klanore të mbrapshta (për të mos thënë më tepër).
Këto farë veprash që tjetërsojnë jo vetëm të vërtetën historike, por edhe vlerat e mirënjohura të personalitetit dhe rrethit shoqëror e familjar të tij, në një mjedis mediokër dinak e fjalëshumë, marrin vlerën e faktit dhe nuk është çudi që ‘‘me sponsorizim’’ të farkëtojnë opinione tabu apo të konsiderohen si dokumentim i realitetit në ndonjë CV personale, familjare, film dokumentar, studim akademik, konferencë shkencore, e pse jo edhe në ndonjë muze.
Ky fenomen bëhet veçanërisht shqetësues kur objekt ‘‘bombardimi’’ janë personalitete ‘‘enigmatikë’’, të ‘‘vetizoluar’’, për të cilët flitet shumë por njihen realisht pak. Për ata publiku ka shpesh opinione kontradiktore për shkak të propagandës apo diktatit të pushteteve apo interesit të qarqeve të caktuara.
Për këtë tematikë, nën shtytjen e disa faktorëve, po i referohem një personaliteti si poeti Lasgush Poradeci, për të cilin janë shkruar disa kronika, çoroditëse edhe për lexues të kultivuar, të njohur, mik a familjar të tij, me ‘‘sajesat’’ që, në fund të fundit, jo vetëm nuk i shkojnë për shtat, por e zbehin rëndshëm madhështinë e tij.
Këtë mendim personal detyrohem ta provoj me disa fakte, që në rrethana të tjera, për shumë arsye, nuk do t’i publikoja kurrsesi.

Reklama, shpirti i tregtisë
Para disa ditësh më ra në dorë libri voluminoz i sponsorizuar ‘‘Të vërteta e të pathëna për Lasgushin’’ me autor regjisorin veteran T. M. I apasionuar përgjithësisht pas kronikave, aq më tepër ndaj vlerës së mirëfilltë kombëtare të Lasgush Poradecit, librin e lexova me një frymë edhe për stilin e tij mjeshtëror të këndshëm, edhe për larminë e ngjarjeve, ambienteve e personazheve, aq të mirënjohura e të dashura për mua. M’u ringjall nostalgjia e viteve të rinisë, kujtimet e pushimeve verore disavjeçare buzë liqenit të Pogradecit dhe ah, mbi të gjitha, qenësia e tim eti, 25 vjet pas ndarjes nga jeta, më 1982. Ndaj, të paktën edhe për këtë ndjesi që më dhuroi ky libër normalisht duhej t’i isha mirënjohës autorit. Edhe për lexuesin e gjerë, ky libër, për nga forma e përmbajtja që ofron autori, dora vetë, si dëshmitarit okular, duhej të ishte ‘‘perlë’’ lasgushiane.
Këtë besim na e vulos që në faqe të parë vetë botuesi - gazetar i mirënjohur si skrupuloz, tek shprehet: ‘‘‘nuk duhet lejuar në asnjë mënyrë që shkarravina të ndryshme të bëjnë njohësin apo kompetentin, apo role të tjera lidhur me figurën e Lasgushit. Në këtë kuptim, libri që po i jepet në dorë lexuesit me autor T.M. (identiteti është zëvendësuar me iniciale nga P.L. për të mos i mëshuar personit, por fenomenit) ka një vlerë dokumentare, ku saktësia dhe preçizionin i episodeve është fare e papërpunuar nga ndonjë fantazi qëllimesh të mëpastajme. Tomi thotë: kështu ka ndodhur’’. Por libri i Tomit është shumë i vyer për penda të një niveli tjetër studimi dhe pasqyrimi psikoanalitik, shoqëror, politik, letrar, estetik, artistik i kambanës ‘‘Poradeci’’... sinqeriteti dhe çiltërsia e autorit, dhe për fat të mirë mungesa e një fantazie përpunuese, ose mosshfrytëzimi i saj kanë shërbyer për mirë në vërtetësinë rreth figurës së Lasgushit".
E të tjera e të tjera vlerësime që do t’i shkonin shtatit të çdo gjeniu të letrave botërore.
Vetë autori, me modesti, na thotë: ‘‘E pranoj se nuk kam qenë ndonjë mik shumë i afërt, siç i mbante Ai disa në xhepin e brendshëm të anës së majtë, po unë isha i kënaqur që më mbante në një qoshe të xhepit të vogël të pantallonave të anës së djathtë’’ dhe vijon duke na e thënë shqip e shqeto: ‘‘Po mundohem që kujtimet e mia t’i rrëfej pa gënjeshtra. Ato i kam incizuar në memorje në shkallën më të lartë të vëmendjes, dhe tani erdhi momenti të lëshoj shiritin për t’i dëgjuar bashkëqytetarët e mi shqiptarë’ Në rrëfenjat e mia do të përpiqem të zbuloj disa kënde të errëta të panjohura të karakterit, krenarisë, të vuajtjeve të tij. Do të përpiqem që nëpërmjet fjalës, dialogut, të krijoj atmosferën e vendit, kohës, dhe romantikën e ambientit’’.

Qorrollepsja e xhepit
Por ky regjisor i moshuar pogradecar (tani së fundmi iu përkujtua 80-vjetori i lindjes) që pretendon se ka qenë në një nga ‘‘xhepat e pantallonave‘‘ të Lasgushit, na del dhe njohës i sekreteve të zemrës së poetit, na merr përsipër të na përshkruajë ‘‘natyrshëm’’ e hollësisht edhe rrethin shoqëror lasgushian, ku ndër më të afërtit përmend Eqerem Çabejin, Mitrush Kutelin dhe tim atë, Skënder Luarasin. Duke përmendur këtë të fundit me emër e mbiemër, T.M. me një stil të rafinuar, shtjellon plot dublicitete e kontradiksione logjike ku ‘‘me çiltërsi’’ njëherazi edhe e lavdëron, edhe i ngjit ca mballoma lasgushiane, pa harruar të citojë fije për pe me një memorie brilante edhe ca thashetheme nga goja ‘‘e vetë’’ S.Luarasit për disa kolegë të nderuar (A ia vlen të themi për hesap të T.M. sajesat që i paskish "treguar" atij Lasgushi, ku përmendet S.Luarasi si kinse përgojues i A.Budës, I.Kadaresë e D.Agollit(‘!), me të cilët Luarasi dihet mirëfilli se kishte marrëdhënie respekti reciprok. Hajde e dëgjoji këto dëngla të dala pa doganë nga "xhepi i djathtë i pantallonave lasgushiane!")
Broçkullat e T.M. më lanë aq pa mend sa të pyes veten me dyshim: a po i referohet ky kronikan të mirënjohurit prof.Skënder Petro Luarasit apo ndonjë fantazme shekspiriane. Vërtet të paskisha qenë unë Petro, i biri i vetëm i Skënderit, personazh i Lasgush Poradecit sipas historiçkës ‘‘Hikni se na vranë’’ që i paskish treguar ai T.M.-së? Kur paskam qenë vallë "së bashku me motrat", në Pogradec atëherë kur ‘‘lejoheshin kishat’’ (d.m.th. deri më 1967) ‘‘kur na është turrur për vdekje familjarisht qeni Murro’’, dhe mbi të gjitha, cili mund të ketë qenë ky qen e bir qeni Murro-trimoshi që e paskish bërë ateistin "e mallkuar" Skënder Luarasi të shkonte të ndizte qiri në kishën e Katjelit?!
Por trutë e kokës më dhanë shenja të pakundërshtueshme se kjo histori ‘‘e treguar nga Lasgushi për T.M" është sajesë fund e krye: sepse para vitit 1967 unë mezi çapitesha rreth djepit e jo më të degdisesha deri tek Burimi i Gështenjave në Pogradec, ku të merrja leqet para Murros. Pogradecin e kam parë me sy vetëm pas vitit 1970 dhe asnjëherë nuk kam qenë atje me ndonjë nga motrat (me nënë tjetër). Gjithashtu, logjika më tha se sado i pamundur nga mendja të ketë qenë poeti Lasgush Poradeci, nuk mund të shprehte këto "zbukurime" pasaktësi apo hamendje të fandaksuri, për mikun e tij Skënder Luarasi e për më tepër t’ia tregonte për qyfyre "xhepit" T.M.( ‘!), sepse mesa e kam njohur unë e të tjerë Lasgush Poradecin, mbi të gjitha ai ishte NJERI, intelektual e mirënjohës ndaj mikut të vjetër Skënder Luarasi ndaj nuk mund të sajonte e shiste ‘‘qyfyre’’ për të, se në fund të fundit, kush vlen më tepër ‘‘një gjallesë rastësore në xhepin e vogël të pantallonave të anës së djathtë’’ apo miku i besës në thellësinë e zemrës’!

Zbukuron dhe gënjen
Për të kuptuar se qysh e tek është gatuar kjo përrallë nga e kaluara me asortimentet përkatëse të garniturës së kuzhinierit, kinse disident, më ndihmoi sentenca e tim eti "Haj vetëm gjellën e gatuar nga duar të pastra" dhe një zbulimi im rastësor, të cilin kuzhinieri T.M. e ka sajdisur e servirur me mjeshtëri në pjesën ‘‘Lasgushi, E. Çabej, S. Luarasi dhe Mitrushit".
Në këtë pjesë ai përshkruan një tjetër gaztore se "ç’i ka thënë Lasgushi" në prezencë të kushëririt të tij Todi M. për ‘‘studentin e Universitetit të Gracit Skënder Luarasi’’ (i cili dihet se ka qenë student vetëm në Universitetin e Vjenës’!) dhe se si Lasgushi përpiqej e botoi librat ‘‘Vallja e Yjeve’’ e ‘‘Ylli i zemrës’’ me ndihmën e Çabejit e Kutelit
( kjo çështje do sqarohet më tej).
Por një paragraf sensacional është diskutimi katërsh: Poradeci, Çabej, Kuteli, Luarasi mbi vlerat e veprës lasgushiane, dhe pse nuk botohet ajo sipas asaj që i paskish thënë Lasgushi ‘‘fjalë për fjalë’’ dhe T.M e shkruan më 16 prill 2005!
Këtu, shpikësi i sensacioneve T.M. zbulon veten haptazi kur përmend ‘‘mrekullinë’’ se si im atë i paska treguar Lasgushit mbi censurimin e një dedikimi të Viktor Eftimiut, drejtuar Fishtës në librin ‘‘Vallja e yjeve’’. Në të vërtetë, ky është një zbulim i rastësishëm i imi në fondin e Bibliotekës Kombëtare në vitin 1997 (15 vjet pas vdekjes së tim eti) për të cilin kam shkruar në Gazetën "Republika" më 14.11.1997)
E ç’të përmend sajesat e tjera ‘‘me gojën e Lasgush Poradecit, Skënder Luarasit’’ e miqve të tyre të nderuar, të cilat më hidhëruan për papërgjegjshmërinë e kronikanit, i cili së paku ndaj meje ka kryer një akt të dënueshëm ligjor e moral: ka përdorur shkrimin tim dhe e ka shtrembëruar me qëllim poshtërimi. Falur qoftë!
Kur lexova librin ‘‘Të vërteta e të pathëna për Lasgushin’’ m’u kujtua filmi ‘‘Zbukuroj, por nuk gënjej’’ personazhi kryesor i të cilit na shfaqej realisht si gënjeshtar, teksa titulli rrekej të bindte publikun se ai vetëm zbukuronte.
Dikujt që do të pyesë nëse ia vlen lodhja për të mbyllur gojët e botës në tregun e sensacioneve që shiten e blihen me leverdi, do t’i përgjigjesha: ‘‘Për hir të së vërtetës dhe nderit, që ua kemi borxh personaliteteve kombëtare, po! Por jo me llafe, me fakte!’’


10 vjetori i përjetësimit të Lasgush Poradecit
Llazar Gusho, poeti me pseudonim Lasgush Poradeci (1899-1987) u nda nga jeta më 12 nëntor 1987.
Në përkujtim të tij shkrova artikullin ‘‘10 vjetori i përjetësimit të Lasgush Poradecit’’ (Gazeta ‘‘Republika’’, 14.11.1997) nga po shkëpus dy fragmente:

Zbulim interesant

Në Bibliotekën Kombëtare, duke kërkuar disa botime të hershme të poetit të mirënjohur Lasgush Poradeci, rastësisht më ra në dorë libri i tij poetik ‘‘Vallja e Yjeve’’ (skeda S51 A60) shtypur në Tipografinë Albania-Kostancë në muajin Vjeshtë e Dytë (Tetor) 1933 me përkrahjen lëndore të Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë dhe të miqve të Bukureshtit’’ dhe ‘‘edituar nën kujdesin e M. Kutelit’’.
Në pjesën e brendshme të kapakut të librit më tërhoqi vëmendjen një shkrim me bojë jeshile që ishte shkarravitur me një laps blu dhe për më tepër i ishte ‘‘vënë kryqi’’. Kureshtja më shtyu të përpiqem të lexoj përmbajtjen e shkrimit ‘‘heretik’’, i cili bëhej akoma më i vështirë për t’u lexuar nga njollat letër-zamk-gjurma të mballosjes së censurës së dikurshme.
Që në rreshtin e parë shtanga:

‘’I nderuari At Gjergj Fishta!
Po ju dërgojmë këtë libërth të ligjëronjësit L.Poradeci, tipografuar ndë shokërinë tonë
Mbesoj se do të mbeteni i ngazëlluar
Mot e jetë i juaji
Viktor Eftimiu
Fillim i vjeshtës III
Bucurest 1933’’.

Lasgushi është bërë i përjetshëm...
"Miqësia mes Skënder Luarasit e Lasgush Poradeci, edhe pas çlirimit të vendit nga fashizmi, nuk u dobësua, por u forcua më tepër. Përballë dallkaukëve dhe shpifësve që kërkonin t’u bënin varrin intelektualëve të vërtetë, ata ruajtën miqësinë dhe dinjitetin. Mjafton të kujtohet qëndrimi i përbashkët demaskues ndaj puthadorëve e lakenjve të diktaturës (disa prej të cilëve sot kanë paturpësinë të qëndrojnë në podiume e t’i thurin himne miqësisë me Lasgushin e ish-viktimat e tyre).
Vërtet Skënder Luarasi e Lasgush Poradeci takoheshin rrallë e kurdoherë të survejuar nga spiunët, por bisedat e veprimet e tyre ishin një sfidë e hapur ndaj diktaturës.
Kur një herë Petraq Kolevica, miku dhe studiuesi i Lasgush Poradecit, e pyeti Skënder Luarasin se ç’mendonte për këtë poet, ai iu përgjigj:
‘‘Kur isha i ri, bota thoshin: ‘‘Po vdes, po vdes Lasgushi. Tani që është plak thonë: ‘‘More, po rron, po rron Lasgushi! Ndërsa mua më duket se Lasgushi është bërë i përjetshëm...’’
Ndërsa Maria, e bija e Lasgushit më ka thënë se kur e pyesnin të atin se ç’mendonte për S. Luarasin ai shprehej::
"Skënder Luarasi është shumë patriot, shumë demokrat, shumë liridashës, shumë i sinqertë, shumë guximtar, dhe (si pasojë) shumë sherrxhi. Por disa citues ‘‘intelektualë’’ nuk dihet përse fjalën në kllapa ‘‘si pasojë’’ e kanë hequr nga ky përcaktim(‘!)


Sajesa nga libri i T.M.’’Të vërteta e të pathëna për Lasgushin’’


‘‘Lasgushi, E. Çabej, S. Luarasi dhe Mitrushi.
("Flet Lasgushi"): - Në këto rrethana e ndjej veten të aftë t’i përkthej vetë poezitë e mija në gjermanisht.
Kërceu me sy të zgurdulluara Paskua dhe fishkëlleu:
- I ke mëntë. Shejtani fle, ti kërkon ta zgjosh. E ke të kjartë se ti kanë hedhur në rezervë, mor t’i kanë hequr nga qarkullimi, ti kërkon të përkthesh ‘‘Vallen e Yjeve’’ dhe ‘‘Yllin e zemrës’’’
Ndërhyri furishëm Skënder Luarasi:
- Paskua e ka mirë fjalën. Haje atë kafshore buke e tulitu pranë zjarrit me Kafkën se krevati që la ky pogradecari është i lirë. Lasgush. Unë e kuptoj ty të vjen inat që Isuf Vrioni përktheu në Francë Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin. Po të dy janë komunistë, të besuarit e partisë. Janë të imunizuar nga çdo re keqe ty të zë plumbi gropave’
Ndërhyri përsëri: Do t’ju rrëfej edhe një çudi tjetër që me siguri do çuditi, o miqtë e mi. Në bibliotekën kombëtare, duke gërmuar për të gjetur disa botime të hershme, e di çfarë gjeta’ S’e di ti, s’e dinë miqtë e mi, dëgjoni. U ngjetha. Librin tënd, ‘‘Vallja e Yjeve’’, shtypur në tipografinë shqiptare Kostancë në vjeshtën e dytë të 1933, nën kujdesin e bashkëqytetarit tënd dhe mikut tonë të madh, Mitrush Kutelit. Mbajta frymën , s’po kuptoja gjë e klitha:
- Çfarë, do të thuash me këtë, që vepra ime është futur në rezervë’’
- Prit. Dëgjo. Në kapakun prapa të librit, mbi një shkrim me bojë jeshil, ishte shkarravitur mbi një dedikim një laps blu, ishte bërë një kryq përsipër. Poshtërsia më e madhe ishte se mbi të ishte ngjitur me zamkë një letër e hollë. (Shenjë e vërtetë censure mbi librin). Si pa rreth e rrotull Luarasi vazhdoi: ‘‘E tmerrshme, e llahtarshme ishte kur lexova me monokël fjalë për fjalë këto fjalë: ‘‘I NDERUARI AT GJERGJ FISHTA! PO JU DËRGOJ KETE LIBERTH TE LIGJERONJESIT L.Poradeci. mot e jete, i juaji’’.
Viktor Eftimiu’’.
(Pyes lexuesin e nderuar: A nuk është ky ‘’zbulim” i T.M. plagjaturë e zbulimit të Petro Luarasit?)

Skënder Luarasi dhe Lasgush Poradeci
Përkundër tymnajës që pompon autori i librit ‘‘Të vërteta e të pathëna për Lasgushin’’, të cilit fatkeqësisht i ka rrëshqitur pena e mendja në hone të thepisur, i shtyrë nga rrethanat, detyrohem të publikoj disa fakte mbi marrëdhëniet tepër konfidenciale të Skënder Luarasit me Lasgush Poradecin.
Njohja e tyre ndodhi rastësisht kur Llazar Gusho (Lasgush Poradeci) erdhi në Vjenë, në selinë e Shoqërisë së studentëve shqiptarë ‘‘Albania’’ ku Skënder Luarasi qe kryetar dhe editor i organit të saj ‘‘Djalëria’’.
Që në takimin e parë mes tyre u mbrujt një respekt reciprok që, natyrshëm, nga geni i tyre kolonjar apo nga miqësia e hershme e baballarëve të tyre patriotë - mësues flamurtarë të gjuhës shqipe; nga ideali atdhetar e personaliteti i tyre intelektual apo thjesht nga sojllëku dhe shpirti i tyre human, lidhja u shndërrua në një unitet e dashuri vëllazërore të përjetshme.
Ishte dhjetor 1928 kur Lasgush Poradeci, i cili studionte në Universitetin e Gracit, në gjendje të mjeruar ekonomike dhe i sëmurë rëndë, me një letër i lutet ‘‘mikut të shtrenjtë’’, Skënder Luarasit, i cili studionte në Universitetin e Vjenës, ‘‘të vinte nga Vjena në Grac për ta ndihmuar’’.
Dhe Skënder Luarasi, ndonëse cilësohej kundërshtar i regjimit monarkist, shkoi në Grac dhe së bashku me Lasgushin u nisën për në Shqipëri. Rrugës, gjendja e Lasgushit u përkeqësua ndaj u kthyen prapë në Grac. Në këto kushte, Skënder Luarasi u nis i vetëm për në Shqipëri që t’u bënte thirrje intelektualëve shqiptarë të mblidhnin ndihma për të ndihmuar Lasgush Poradecin. Por, sa mbërriti në Shqipëri, rregjimi e futi në burg. Shtypi përparimtar shkruante për ngjarjen:

Përcjellja e Lasgush Poradecit
Poeti Lasgush Poradeci u nis për në Shqipëri. Gjëndja e tij shëndetësore vazhdon të jetë e keqe.
Graz. 1 janar: Poeti Lasgush Poradeci, pas dy vjet vojtjeje, tue qenë se s’mundi të shohë as një përmirësim në shëndetin e tij, u nis dje për në atdhe, pas rekomandimeve të mjekësit universitar Profesor Heinrich di Gaspero. Lasgushi do vejë në shtëpinë e tij prindërore në Poradec, për t’i rënë pas shëndetit të tronditur. Shpresohet se ndryshimi i klimës, dieta dhe shërbimi që do të gjejë poeti pranë familjes së vet do t’ia ristabilizojnë krejt shëndetin. Gjithë studentët shqiptarë në Grac u mblodhën ta përcjellin Lasgushin. Poeti shoqërohet në këtë udhëtim prej kolegut të tij të Vjenës Skënder Luarasi, i cili mori leje nga inspektoria e studentëve ta përcjellë Lasgushin gjer në Poradec. Skënder Luarasi një nga më eminentët studentë shqiptarë, është i biri i Petro Nini Luarasit, i ati ylli të ndritur q’u doq me aq zjarr në qjellin e veteranërisë shqiptare: gjesti fisnik i studentit Skënder Luarasi na mbush me mallëngjim.
(Përcjellja e Poradecit, "Shqipëria e Re", 6 janar 1929)

Gazeta ‘‘Zëri i Korçës’’, 15.1.1929.
Dje në mëngjes, u dërgua nën vërejtje me aeroplan në Tiranë, Skënder Luarasi, student në universitetin e Vjenës.

‘‘Shqipëria e Re’’, 3 shkurt 1929
Skënder P.Luarasi, studenti entuziast i Vjenës, q’ish nisur për të shoqëruar Lasgushin në Poradec, masi poeti u kthye prapë në Grac, vazhdoi vetë udhëtimin dhe arriti në Korçë. Atje autoritetet e zunë dhe e dërguan nën vërejtje, me aeroplan në Tiranë.
Si shpjegohet kjo sjellje e autoriteteve të Korçës’

Gazeta "Shqipëria e Re’’, 14 prill 1929
Në Shqipëri simpathia e përgjithshme për vjershëtorin Lasgush Poradeci sa vjen po shtohet. Nga të gjitha anët ndihmat rrjedhin pa kursim. Shenja të mira se zumë të çmojmë artin
Kujdesi i Skënder Luarasit, por edhe i miqve të tjerë të Lasgushit, ishte i vazhdueshëm siç tregohet në letrën e mëposhtme që Lasgush Poradeci i dërgon Luarasit:

Lasgush Poradeci
Grac, 29.1.1930
I dashur Skënder,
K.P. (kartë postalen, shën. i P.L.) t’ënde të dashur me datë 24.1.1930 e mora. Pse bëhesh merak e më flet ashtu’
I shtrenjtë shok Skënder, të lutem të vish sa më shpejt këtu në Grac që të shkojmë në Shqipëri, se mua më s’ka kush të më bëjë shërbim, ashtu siç e kërkon sëmundja ime. Shtëpisë këtu iu mërzita dhe më s’po më durojnë dot.
Telefonomë urgjentisht!
Adresa: Lazgush, Klosterëiegs 74 parterre
Graz

Skënder Luarasi e ndihmoi Lasgush Poradecin edhe financiarisht, me të holla në një nga periudhat më të vështira, kur vetë atij ia kishte prerë bursën regjimi monarkist, në vitin 1929. Me ato pak para që ia dërgonte i vëllai Dhimitri nga Amerika, ai ndau hallin me poetin në mjerim. Sakrifica e tyre ishte reciproke, meqë edhe Lasgushi, kur Skënderi qe në nevojë, për t’i kthyer borxhin, shiti një nga pronat e babait të tij.

Grac, 30/XII. 29
Skënder Luarasit, Universitat Wien, Austri
I dashur Skënder
‘Kush pyet, kush çan kokën për gjendjen t’ime shëndetësore, për gjendjen t’ime financiare’ Asnjeri, përveç meje vetë! Ah, dhe vetëm ti, i dashur shok, u mundove dhe bëre një detyrë të ëmbël kundrejt një njeriu që vuan. U mundova dhe unë të të përshëndet sot sa mund. Si do ngjajë nesër, si do ngjajë pasnesër, kjo varet prej vetëdijes s’ime, prej vetëdijes s’ate...

Një fakt të panjohur përbën nxitja, interesimi i vazhdueshëm, përkrahja dhe ndihma e drejtpërdrejtë që dha Skënder Luarasi për botimin e veprave të Lasgush Poradecit ‘‘Vallja e Yjeve’’ dhe ‘‘Ylli i zemrës’’. Rrethanat dhe përpjekjet e tij në terren, për të gjetur burime financiare, bazën materiale dhe botuesin e përshtatshëm, njohja për këtë çështje dhe kontaktet me Mitrush Kutelin në Rumani etj. na zbulohen qartazi në letrat e mëposhtme.

Tiranë, 2.XI.30
I dashur Lasgush,
Po mbushet sot java që kurse kam ardhur përmes Poradecit këtu në Tiranë. Me gjithë atë që kam dashur, si pas porosisë me telefon, të qëndroj me ty, kjo gjë qe e pamundur. Jo vetëm se koha qe e keqe fort, po shoferi kishte frikë se, duke qëndruar, mos e gjobitnin që kishte 5 njerëz në një automobil, i cili merrte ligjërisht vetëm katër.
Po t’i lemë mënjanë excusez- moi-të, se e di që nuk je as jam i këtyre. Pyetja është kur ke për të ardhur në Tiranë, për të shkuar në Austri’ Të lutem ndë qënsh akoma në Pogradec, mos harro të vish në Tiranë më parë se të nisesh për në Grac.
Puna e botimit të librës nuk duhet të mbetet zvarrë. Sille aty dhe un do të përpiqem që të botohet përpara Janarit, ndë qoftë se do ta kesh mbaruar këtë muaj kopiimin e manuskriptevet. Nga Paskoja akoma nuk kam marrë ndonjë letër ‘ po ti’ (Shënim P. L. Flitet për veprën e Lasgush Poradeci ‘‘Vallja e Yjeve’’,që u botua në vitin 1933, në Bukuresht, nën kujdesin e Dhimitër Paskos, alias Mitrush Kuteli)
Pllaka e "Këngës pleqërishte" nuk gjendej për ta dërguar, as baullën nuk ta bleva dot se s’kisha të holla.
Të lutem përgjigjmu sapo të marrësh këtë letër.
Të dërgon të fala, Skënder Luarasi
(Letrat e rralla të Lasgushit, Republika 4.4.2004, f.11)

Poradec 17 shtator 1936
Zotit Skënder Luarasi, Profesor i gjermanishtes në Liceun frëng, Korçë(‘)
I dashur Skënder
S’munda të të shkruaj më parë, nga shkaku se kam qenë (dhe jam) shumë i zënë; siç ta dhashë fjalën, po përgatit volumin me poezitë e mbaruara më 1924, të cilat (mea culpa!) s’i kam përmbledhur nga moskujdesja. Ti Skënder ma qite shpirtin këto dy vjetët e fundit që t’i mbledh, t’i mbledh’Nga ana ime të falem nderit për kujdesjen që më rrëfen si dhe për mundimet e mëdha që ke bërë duke kërkuar një editor, duke ‘‘lypur’’ të holla’Ke të drejtë . Po puna është e vështirë: poezitë duhen mbledhur nër gazeta dhe revista të ndryshme të mërgimit, ku gjinden të përhapura, pastaj duhen rishikuar, duhen ndrequr’ Ja ky është shkaku i vonesës sime. Duke u përgjigjur mi sa i the zotit Dh.P.Pasko dhe mi ç’më telefonove drejt për drejt këtu, po të pyes: gjete editor, apo shtypja do të bëhet me të holla (që ku këto të holla’) ‘‘private’’’ (Shënim P.L. Flitet për veprën e Lasgush Poradecit "Ylli i Zemrës", e botuar në vitin 1937, në Bukuresht, nën kujdesin e Mitrush Kutelit, alias Mitrush Kuteli)
‘Sa për të ardhur në Korçë, tashi s’mund; s’kam të holla. S’kam marrë bursën për dy muaj e 17 ditë. Në e marça do të vij
Të ngjatjeton me dashuri
Yti Lasgush

P. S. Për festivalin dansant që dhatë aty më parë, të dërgova me anën e Zotit Dh.P.Pasko midis të tjerave dhe poezinë ‘‘Ri me shëndet’’, siç më urdhërove në telefon. Ta dërgova të prerë nga revista ‘‘Dialëria’’ e Vjenës. Me qenë që s’kam tjetër kopje, të lutem të m’a këthesh prapë një orë e më parë’ Unë për t’iu përgjigjur kërkesës s’ate, të dërgova kopjen e vetëme që kisha, pasi ti m’i kërkoje poezitë për ‘‘nesër’’, dhe unë s’kisha kohë ta shkruaj përsëri; automobili për në Korçë s’priste. Kopjet e poezive të tjera i shkrojti zoti Dhimitër P.Pasko, unë duke mos mundur të punoj, nga shkaku i së nxehtës së madhe.

Miqësia e tyre rezistoi e u konsolidua më tej edhe në vitet e egra të diktaturës.
Letër drejtuar Skënder Luarasit, shef i degës së Anglishtes në UT.
I dashur dhe i adhuruar shok,
Mbesa ime, Roza Prifti, mori bursë për Doktoreshë, po meqë s’e ka për zemrë të bëhet mjeke, dëshëron të marrë anglishten. Për këtë punë ka ardhur me nipin tim (djalin e motrës sime) ta ndryshojë degën. Mbesoj se do ta ndihmosh jashtëzakonisht. Të shënoj vetëm kaq:
Motra ime (Zografina Gusho) më ka mbajtur në krah, kur isha foshnjë dhe më mbajti prapë kur u sëmura rëndë në Austri, për të cilën sëmundje ti, shok i dashur dhe i shtrenjtë i dhe kushtrimin botës shqiptare me anë të shtypit.
Me falenderime dhe mirënjohje që përpara,
Të fala,Yti Lasgushi
Poradec, 12 gusht 1965
Zotit Skënder Luarasi, Instituti i Shkencave, Tiranë
Pogradec, 27 Qershor 1952

I dashur Skënder, Mëso se t’u rezervua dhoma, duke filluar që prej datës 27 qershor, është me dy krevate (sepse me 1 krevat nuk ka hoteli). Për fat të keq nuk ka asnjë dhomë të lirë nga ana e liqenit, janë të gjitha të okupuara. Lirohet vetëm një dhomë nga ana e liqenit (këtë mund të ta rezervojmë) po kjo është me tre krevate (jo me dy). Po ti eja, vendosu në atë dhomën me 2 krevate dhe ne do të mundohemi, të bëjmë si të bëjmë, dhe të ta shkëmbejmë me një dhomë nga ana e liqenit (në u liroftë ndonjëra jashtëzakonisht). Të jemi të kënaqur që po na rezervonet dhe kjo me 2 krevate, sepse dhe kjo është e rezervuar për pionerët, po Kalua (djali i motrës time) më tha se ‘‘për hatrin tënd, dajo Lasgush, do t’ia rezervoj Skënderit, të cilin unë e njoh’’, dhe le të vijë njëherë të zërë dhomën në atë datë (27 qershor) pa pastaj do bëjmë si të bëjmë, dhe mund t’i shkëmbejmë një dhomë me dy krevate nga liqeni, le të vijë pa do bëjmë si do bëjmë. Prandaj, ti Skënder mos u dëshpëro dhe dërgoje zonjën se ajo do të jetë si në shtëpi të saj; Kalua më tha se nuk lejohet me fëmijë sivjet, se hoteli s’është për familje me fëmijë e me zhurmë, kështu është rregulli i hotelit. Unë i thashë: ‘‘Tashi, o nipçe, unë e hapa gojën e ta thashë, sepse, po ta dinja këtë rregullore, nuk e turpëronja veten të t’u them, dhe si ti të më lesh mua me gojë hapur (d.m.th pa përgjigje pozitive). Ay më tha pastaj: ‘‘Urdhëro, o dajo, të pijmë në kopsht një birrë’’.
Unë i thashë: ‘‘S’dua birrë, sepse kam merak për dhomën’’.
Ay më tha: ‘‘Ç’ke merak ti dajo, puna e dhomës ka mbaruar’’. Pastaj pimë nga një birrë. Kalua iku se kish punë, ardhi vëllai m’i madh (ky rri në shtëpi t’ime me familinë këtu në Pogradec). Me të vëllanë, Mitin, ndenjëm pimë raki, se ay më ftoi për raki me meze e peshk. I thashë dhe Mitit për muhabetin e dhomës që pata me Kalon. Miti më tha: ‘‘Ç’e loth gojën dy herë, dajo, dajua një herë urdhëron, dhe nipolli i thotë peqer, puna e dhomës ka mbaruar’’.
Prandaj, mos ki hiç merak Skënder, për dhomën, ajo është rezervuar për ty më 27 qershor. T’i rrëfeva këto dy muhabete që pata me të dy nipërit për dhomën, që t’i dish hollësisht dhe të mos kesh asnjë dyshim për dhomën.
I dashur Skënder, të lutem të më dërgosh me zonjën tënde një termometër dhome, të cilën e harrova në shtëpi time, ku kam lënë të më ruajë shtëpinë zotin Loni Zguri, nëpunës në Tenis-Klub (ku është tenis-klubi). Të lutem shumë lodhu dhe ecë në shtëpinë time, merre termometrin prej Lonit. Ay është në shtëpi përdita në orët pas drekës (prej orës 1,1/2 ose 3 gjer në orën 4, ose 4,1/2). Lutem që termometri të mbahet në vend të butë që të mos thyhet udhës, sepse s’gjendet termometër në asnjë vend. Të lutem, mos harro të më dërgosh termometrin. Termometrin e harrova në dhomën e fjetjes, për mi dërrasën që është në kokë të krevatit.
Me kaq të përqafoj me dashuri, Lasgushi.
P. S. Edhe Zonja, mirë se të vijë, sepse për çdo nevojë dhe lehtësirë, jemi gati si unë si nipërit e mij (6 në numër) si farefisi jonë.

Të lutem, i dashur Skënder, mos harro të më sjellësh termometrin (për të cilin kam nevojë absolute)
Nderimet e mia të çquara Zonjës dhe mirë se të na vish në qytet.
Shënim me rëndësi: Trokiti në derë Lonit me forcë dhe shumë herë, gjersa të dëgjohet nga trokitja se ay zakonisht ri shtrirë në ato orë (2-4) trokit fortë.

Zotit Skënder Luarasi, Instituti i Shkencave, Tiranë
Pogradec, 27 Qershor 1952
I dashur Skënder
Sot mora telegramin tënd të dashur. Dhoma rri e rezervuar gjer më 1 korrik, siç më telegrafove. Të lutem, me çelësin që do të të sjellë prej meje Marija Paluca (Marija Kraja) ecë përnjëherësh në minutë në shtëpi time edhe, bashkë me zotin Loni Zguri (i cili rri në shtëpi time) hapni me atë çelës derën e dhomës s’ime të punës edhe nxirni macen, e cila po ngorth brenda në atë dhomë (sepse e kemi haruar brenda). Si ta nxjerrësh macen, mbylle përsëri dhomën, merre çelësin me vete, edhe sillma çelësin bashkë me termometrin kur të vish.
Shënim: a) Mos harro të sjellësh termometrin
b) Mos harro të sjellësh çelësin
Shumë Të Fala Të Dërgon dhe Ju Pret Përdita me gëzim,
Yti Lasgushi.
I botojmë këto letra e shënime të shkurtra konfidenciale vetëm e vetëm për të shprehur mirëfilli lidhjen mes Skënder Luarasit e Lasgush Poradecit, që nuk mund ta fshehë asnjë ‘‘xhep’’ spekulanti, asnjë shtrembërim mendjengushti apo shpifje dashakeqi.

Ajo qe dhe mbetet miqësi e përjetshme e shpirtrave të tyre të amëshuar.

(Fragmentet jane shkeputur nga shkrimi Petro S. Luarasi, Lasgush Poradeci dhe qorrollepsja e një kronikani të dështuar : "10 vjetori i përjetësimit të Lasgush Poradecit" , Ndryshe, Nr. 307, 18 maj, 2007, f. 10 – 11)



Artikull i panjohur i Skënder Luarasit për Lasgush Poradecin

Një ditë fatlume vajza e Lasgush Poradecit, Marija, më tregoi një letër që i ati ia pat dërguar Mitrush Kutelit. Atje bëhej fjalë për një artikull të panjohur të Skënder Luarasit mbi Lasgushin, të botuar në gazetën "Laboremus" .
Letrën po e botoj me lejen e të nderuarës Marije Poradeci:

M. Llazar S.Gusho
Klosterëiesgasse 74
Graz Austria
Graz 12.12.1932
Dimitrie Pasko
Bukuresht
I dashur Mitrush,
Mbesoj t’a kesh marrë k.p. të 1 Dhjetorit ku të shkruaja se poezitë do të t’i dërgoj më vonë. Disa poezi tashi (me qenë që jam prapë i zënë) do t’i gjesh të riprodhuara prej së përkohshmes ‘‘Laboremus’’ ( VIII, 16 Tiranë, Gusht, 1932, f.5-8) në skicën e Skënder Luarasit: ‘‘Lasgush Poradeci -Vija themeltare’’. Janë (natyrisht, si të gjitha gjer më sot) me shumë gabime (54) po unë i ndreqa dhe i bëra të sakta.
Skënder Luarasi e ka shkruar në këto rrethana:: ‘’Kur isha në Tiranë më 1930, drejtori i shkollës teknike Mr. Fultz më ftoi të mbaj një konferencë dhe Skënderi me këtë rast bëri një studim të shkurtër mbi mua për në shtyp. Studimi s’u botua dot nga shkaku i largimit të Skënderit pas artikullit që shtypi kundër librës ‘‘Neuland Albania’’ (pak kohë më parë Skënderi kish ‘‘tronditur’’, me gjith atë mënyrë zyrtarët ministerialë me artikullin e tij të guximshëm mbi Themistokli Gërmenjin). Majin e shkuar erdhi redaktori i ‘‘Laboremus’’-it në librarinë ‘‘Argus’’ ku unë gjindesha rastësisht dhe, me një karnet në dorë, më kërkoi një interviu literar mbi veprën time për atë revistë. Redaktorin unë s’e njihja, por i thashë thjesht dhe drejtpërdrejtë të më ndjejë se jam i shtrënguar ta refuzoj, duke mos qenë poezija objekt parade publike po fshehtësi e përbrendëshme e zemrës. Në atë çast u shfaq papritur Skënderi në librari, dhe zuri të bisedojë anglisht me ‘‘intervistonjësin’’ tim, i premtoi, duket, ‘‘gjësend’’’( as njëri as tjetri s’më bënë fjalë kur u ndanë prej meje, mbi çështjen e biseduar). Pastaj administrata e ‘‘Laboremus’’-it më dërgoi në Pogradec (Gushtin e shkuar ) numurin e mësipërm të revistës. Skica e 1932-së është siç duket me disa shtesa dhe jashtëlënie, pothuajse ajo e 1930-tës. Eshtë lënë jashtë, poezia gjermanisht që më kish dërguar Richard Pichler-i në Poradec, 1929. Më 1930 Skënderi e kish përkthyer anglisht ( sepse studimi destinohej për Shkollën Teknike të Tiranës) po tashti e paska hequr fare. (Artikulli s’ka nënshkrim, që të duket si nga ana e gjithë Institutit).
Në paraditen e burgosjes Skënderi më dha një kopje të studimit dhe me ekspresivitetin e hekurt të fytyrës së tij - trashëgimtar heroik i heroit Petro Nini Luarasi -, më urdhëroj: ‘‘Lasgush! Dërgoje për shtyp, se më del nga zemra’’( sikur ç’gjë s’i del nga zemra Skëndos’), ‘‘pa mua në burg le të më farmakosin!!’’
Pastaj iu konfiskuan dorëshkrimet etc.
Unë ‘‘urdhërin’’ nuk ia përmbusha, sepse ku më linte vetëdija të bëj luks literature në kohë që shoku i dhemshur tretej në burg’’
Të puth me dhembje Llazari

Duke u bazuar në letrën e mësipërme arrita të identifikoj në revistën ‘‘Laboremus’’ nr. 16, gusht 1932, faqe 5,6. artikullin ‘’Lasgush Poradeci - Vija themeltare’’ me autor anonim Skënder Luarasin. Komentin ia lej lexuesit e studjuesve më të ngeshëm.

(Skënder Luarasi)

‘’Lasgush Poradeci - Vija themeltare’’
Vjet e kishim Lasgush Poradecin midis nesh, si mysafir të shkollës Teknike duke qenë të lumtur që mundëm ta njohim për së afërmi vjershëtorin djaloshar të kombit tonë. Veçanërisht na u shtua gëzimi, kësaj vere, duke e parë përsëri të kthyer prej vendit të studimeve me shëndet të mirë dhe studime të absolvuara. Për Institutin tonë, mbi të cilin Lasgushi ka patur përherë - që të përdorim vetë fjalët e tij: "një admirim heshtës", - vizita e " krijonjësit" t’artist sever të gjeneratave të reja shqiptare është një eveniment kultural me rëndësi. Sepse emri i poetit pushton sot zemrat e një kombi të tërë, duke filluar prej momentit prej të cilit u duk për së pari, se fryma e një arti të ri po fryn e po zotëron pa pandehur truallin e republikës së letrave shqiptare.
E bëmë zakon ta quajmë Lazgushin një poet të ri. Por, vallë kush mund ta marrë me mend se pëpjekjet letrare t’autorit "Këngës Pleqërisht" kanë një gjenezë prej 10 vjetoresh? Kush ka njohje, se "Kruan" e tij- këtë debut gazmor- Lazgushi e shkroi më 1912, me rastin e ndreqjes nga ana e një mirëbërësi vendës? Se më 1914, si liceist, ai botonte vjershën "Filozofi" në revistën "Enciklopedia" të shkruar dhe të drejtuar prej tij nën pseudonimin H. Hidoro? Se dy vjet më vonë, në vjeshtën e 1916-ës, linte në duart e një miku letrar nga Korça të thellën dhe tronditësen "Oh, vanë fletët!..." , strofat e para të së cilës projektojnë konsepsionin e lartë filozofik- kryemendimin e KËNGËS SË MALLIT PËRJETËSISHT RIGJENERONJËS- si një ‘’leading motive’’ (motiv udhëheqës) dhe me një DHËMBJE e me një dëshirë kundër fatit e cila vihet re në gjithë veprën poetike të Lazgushit.

" Oh vanë fletët e në zi ra

Si mot për mot vjeshtori pyll:

me zinë e kohës çel dëshira:

dëshirat çelur-gazi mbyll...

Përtej nga i qënieve si nuar!

Dhe lark për jetën-helmori gaz!

Dhe jo:- Ah, malli q’u pat shuar

Lind e rilin m’i ndritur pas’"

Këtë koncepsion të projektuar aq shpejt, poeti e fikson definitivisht pas 6 vjetësh, më 1922, në indrotuksionin (hyrjen) e "Valles së Yjve" i cili koncetron argumentin rreth të cilit zhvillohet ky poem i madhërishëm.
Vjershat hijerënda, të cilat mezi sot, ne kohën e fundit, thuren përqark kryes së vjershëtorit posi një aureolë martiri në përmbushjen e Destinit të vet, janë shtypur e rishtypur në variante të ndryshme midis vjeshtës të vitit 1921 dhe vjeshtës 1924. Tri janë fytyrat më reprezetantive të poezisë shqiptare në tërë fuqinë e fjalës, secili një ekspresion bindës i gjeniut të vet.
Fishta rrëfeu, se gjuha shqipe ka fuqi; Prendushi rrëfeu se gjuha shqipe ka një mësim; Lasgushi rrëfeu se gjuha shqipe ka thellësi. Thellësia e ndjenjës dhe e mendimit, e shprehur me një stil të ri, zgjuarsisht original, i cili trupëzon të fshehtën e pa imitueshme të harmonisë lasgushiane është karakteristika qëndrore e gjithë veprës së tij. Kudo, na obsedon konteplacioni symvrejtur i greminave të saj të pafundëshme. Këtë e takojmë (sikundër një njohësi të mirë pati shkruar mbi cilësinë e vjershave të këtij poeti) në "Vallën e qiellit", me drithmën brendërisht fshehtësiplote të procesit divin të inspirimit poetik ("Rri mbështetem në tryezë") në "Vallen e dherit" me misticizmin e rëndë të muzikës kombëtare, akordet e paperceptueshme të së cilës ngrihen solemnisht nga fundi i zemrës për të rënë prapë mu në fundin e saj ("Kënga pleqërishte"); në "Vallen e yjve", me intuicionin e lartë të këngës së mallit përjetësisht rigjeneronjës, i cili përshkon dhe aktivon posi një impuls kosmogonik gjithë qënien njerëzore (" Rri me shëndet", "Resurrectio", "Vallja e yjve"); "Në vallen e përjetësisë" me realizimin e simbolit final të ekzistencës ("Aeternitas"); në "Vallen e vdekjes", me mposhtjen e Elementit dhe me triumfimin e përjetësisë ("Lundra dhe flamuri"). I pajosur me këto virtute poetike të pakontentuara që mbajnë me vete vulën e gjeniut, Lasgush Poradeci na paraqitet si një poet modern në tërë kuptimin e fjalës, ka mision të stolisi vjershën shqiptare me krijimin e një arti të ri, të pasurojë letraturën me reflektimin e një koncepcioni original, mburimi i së cilit është mburimi i kombit të vet.
(Artikull anonym i Skëndër Luarasit, në revistën "Laboremus" nr: 16, gusht 1932, faqe 5,6. )

Rekomandoj te lexoni edhe shkrimin e Atalanta Paskos
Ju rrëfej trillimet e Tomi Matos për tim at, Mitrush Kutelin
http://arkivalajmeve.com/Ju-rrefej-t...in.1047624514/
 
Sokrati migjenian dhe derri i kënaqur

Petro Luarasi
Sokrati migjenian dhe derri i kënaqur


Moikom Zeqo është shembull i njeriut të fismë,atdhetarit të përkushtuar dhe intelektualit të kompletuar në talent e dije. Zemërbardhësinë e tij e kemi parë dhe ndeshur në halle e gëzime, kur ka qenë funksionar I rëndësishëm i shtetit si dhe i papunë me pullë të kuqe. Pavarësisht gjendjes personale a familjare, financiare a shëndetësore, kurdoherë i është gjendur atdheut, vegjëlisë e idealit atdhetar. Veprimtaria e tij letrare e kulturore përfaqëson vlera kolosale në kohë sfidash parimore. Kurdoherë e ka përbuzur ‘’kulaçin’’ dhe servilizmin e puthadorëve duke i rezistuar me dinjitet e burrëri kërbaçit politik e burokratik. Në ditët e sotme ai përbën shembullin e idealistit të keqtrajtuar për bindjet e tij të majta. Personalisht nuk mund të mos përmend aktin e tij burrëror në mbrojtjen e vlerave të luftëtarëve të parë antifashistë të luftës së Spanjës duke ideuar dhe rezervuar për herë të parë fonde, ambjent dhe stenda dinjitoze për evidentimin dhe nderimin e tyre në pavionin e luftës antifashiste nacionalçlirimtare. Në këtë mision atdhetar e shkencor ai mbrojti me vendosmëri idealin dhe vlerat historike të çlirimit të atdheut. Por ai është edhe një nga më të shquarit studjues e mbrojtës të vlerave migjeniane. Deri tani nuk është kujtuar asnjë burokrat ministrie, bord shoqate a komision çmimesh për profesionalizmin, aktivitetin dhe veprat e tij cilësore. Ndaj po ia dedikoj këtë shkrim modest Sokratit migjenian në përballjen e tij fisnike me derrat e kënaqur.

Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun
Dihet e stërnjihet tarafi e hatëri në vlerësime, shpërblime, ofiqe e dekorata, me standarte të shumëfishta dhe shkapërdredhje meritokracie, sikurse e ka shprehur me ndonjë fjalë tjetër, popullorce, mendjendrituri Dritëro, përcudnimin e vlerave. Ende pa nisur viti bitis reklamimi dhe shpërblimi për filanfistekun e preferuar. Na e ndyen corbaxhinjtë edhe këtë vit jubilar të krenarisë së ligjshme atdhetare të fitores mbi pushtuesit nazifashistë, të përkujtimit me dinjitet të dëshmorëve, të trajtimit me përgjegjshmëri të vlerave historike dhe luftëtarëve trima atdhedashës. U përmbysën edhe kriteret e vlerësimit të cmimeve letraro-kulturore. U zgerlaqen njerezit, parimet e vlerat, u çorren faqe e u shkulen floke, ustallaret ia gjeten mendjen edhe sherrxhinjve sipas postulatit poetik ‘’Dardha e ka bishtin prapa’’: ‘’Përreth qypit me dollarë, jepni shpirt o ‘’atdhetarë‘’, qar’ i langos jet’ e mot , jua ka mbushur xhepat plot’’
Me rastin e 70-vjetorit të çlirim–”pushtimit” u ofroj ‘’pashallarëve komunistokolaboracionistodemokratë’’ të harremit ‘’titull-kolltuk-para-lavdimani’’, pa dallim feje, krahine e ideje, perlën migjeniane ‘’ Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun’’ tok me indulgjencën “Rrno vetëm për me tregue“:
Migjeni shkroi dikur tek ‘’Sokrat i vuejtun apo derr i kënaqun’’:
‘’Një alternativë me dy ftyra, siç janë të gjitha alternativat. Tue u krue mbas veshi, rri njeriu përpara alternativës; dy ftyra – mbrapa nji ftyre asht Sokrati i vuejtun me rropatmet e veta e mbrapa së dytës ashte derri i kënaqun me trup të rrumbullakët të vetin. Te Sokrati nuk ke çka shef: dy sytë të tretun në rrashtë, disa shkarravina të palexueshme dhe një trup me do gjymtyrë të zhgatrrueme e pa asnjë vijë harmonike; e te derri ke çka shef: at frotë të kombinuese mbas rregullave strikt estetike, – e sidomos që të kënaqë synin – aj trup i majun e i shndoshë e me andje zhigatuni, dhe në fund ai bisht i përculluem në flakën e bukurisë hyjnore. Rri njeriu përpara kësaj alternative tue u krue gjithnji mbas veshi, ku e ha dyshimi – se nuk di se ç’ftyrë të zgjedhi…. Ç’bani njeriu me alternativën? … njeriu u ba batakçi. Ndroi ftyrat: ftyrën e derrit ja vu Sokratit, e ftyrën e Sokratit ja vu derrit e në këtë të mbramin u mushniue vetë...Mbet Sokrati i vuejtun me ftyrën e derrit – dhe mbet të vuejë edhe mbas vdekjes së vet…Por ka i herë njeriu nuk mund të mshehi cilsinat e derrit dhe na paraqitet ashtu siç asht. Kështu njeriu kalon nëpër shekuj. Në vend që të naltsohet ndër sfera të kullueta e të shklasi prej hyllit në hyll me hapa përparimi – njeriu poshtnohet e bahet derr dhe Sokratin e dëbon të fyem, tuj ja vu maskën e derrit.Q’ashtu njeriu ja luejti lojën. Kujt? Vehtes, vehtes! – bërtet morali prej mërgimit.’’
Por ka nga ata që duan ta varrosin përjetësisht ‘’poetin e mjerimit’’ tok me konceptin e tij sokratik mbi të rolin e fakteve dhe të logjikës.

Ithtarët e propagandës demokratike të çmitizimit të kulteve politike e historike, tok me Gjergj Kastrioti/Sk[nderbeun. na e paskeshin përjashtuar kultin e martirëve të fesë nga objektivi i tyre, mbi kreun Janullatos të autoqefalisë ortodokse dhe yllin e pashuar të martirizimit franceskan, Flamurtar e Nderi Kombëtar Zef Pllumi, autor i kryeveprës s[ të gjitha kohërave “Rrno vetëm për me tregue“.
Në lidhje me fitoren dhe fitimtarët antifashistë, femrat luftëtare, ndjesitë fetare katolike e myslimane dhe opinionin popullor atje shkruhet:
‘’29 nandori gdhini ditë e zymtë dhe e ftohtë...Për hir të së vërtetës, duhet dishmue se popullsia katolike e qytetit nuk merrte pjesë n’atë manifestim, përveç ndonji personi të rrallë, që njihej si prokomunist, ndërsa nji pjesë e madhe e popullsisë myslimane, veshë në tesha festet, jepte dukjen e nji pritje të gëzueshme. Ushtrija partizane e veshun me gjithnduer uniformash të hueja, paraqitej si nji ushtri e parregullt, leckamane, me opinga dhe e untë. Çka bante ma shumë përshtypje ishin partizanet.
Çfarë nanash mund ishin ato femna me pushkë në krah? (!!!!!!!!!)
Ndër kazerma nuk kishin çka me ba, mbasi nuk kishin as rroba fjetje, as ushqime, prandej i shpërndanë nëpër familje: dikund 3, dikund 6-7. Populli i strehoi, i ushqeu dhe u mbush me parazitë. Por nuk ishin rob Zotit: këqyrshin me tinzi nëpër shpija nëse mund gjejshin ndonji gjerman ose “reaksionar” të mshehun. E para punë që banë qe vumja në funksionim e burgjeve, të cilat u mbushën plot e përmajë me njerëz të pafajshëm. Nuk kishin bukë me u dhanë, prandej duhej t’ua çojshin familjet, përndryshe vdisshin. Ushqimet që u dërgojshin familjet ishin ma shumë për partizanët e unshëm, se për ata të mjerët e torturuem.’’ (!!!!!!!!!)
(http://www.fjalareview.com/2012/10/k...at-zef-pllumi/)
Në këto dy dekada të proceseve demokratike, krahas demaskimit të krimeve të diktaturës dhe rivlerësimit të viktimave të pafajshme, po vërehet edhe riaktivizimi dhe fuqizimi i klaneve revanshiste, që synojnë imponim me dasi politike, fetare, krahinore e gjuhësore. Ndërsa ‘’harrohen’’ krimet e tradhëtitë dhe kërkohen favore si shtresë ‘’oxhaqesh të privilegjuar’’, ‘’mëshira kristiane’’, reabilitimi e madje hyjnizimi, për pasardhësit e fitimtarëve antifashistë ushtrohet terror psiqik, politik e ekonomik. Vetëm po të dëshmojnë pendesë të thellë, të zbulojnë prova dhe të propagandojnë ‘’krimet’’ e nënave dhe baballarëve, motrave dhe vëllezërve, apo paraardhësve të tyre ‘’tradhëtarë‘’, nga kohët e ‘’qyqeve’’mbretëreshës Teuta apo princeshë Mamica Kastriotit, Shote Galicës apo Margarita Tutulanit, të luftës kundër ‘’miqve shekullorë‘’, atëhere po, jepen ‘’bekime e dhurata me ofiqe e dekorata’’.
Në të kundërt, paçin veten me familje në qafë, le të shtyjnë jetën si Sokrati migjenian.

Foto 1 Moikom Zeqo
Foto 2 Derri i kenaqur
 
Një urim jo vetëm për ortodoksit shqiptarë

Petro Luarasi
Një urim jo vetëm për ortodoksit shqiptarë


Në median e adhuruar të intelektualit atdhetar Fatmir Terziu, me emrin kuptimplotë ‘’Fjala e Lirë’’, me interes të veçantë lexova kushtrimin ‘’Ka ardhur koha të ringrihet Madhështia e Ortodoksisë Fanoliane’’, të një zemre të dëlirë dhe shpirti të përmalluar atdhedashësi në mërgim.Mendja e begatë e një intelektuali të qetë dhe të ekuilibruar si Prof.Dr. Eshref Ymeri, shpërthen vullkanin që përvëlon e shkrumbon, por dhe pasuron truallin e të ardhmes kombëtare së begatë. Për qëllimin madhor ai përballet me shpifje e akuza, me teori konspirative dhe veprimtari të kobshme gjallesash kënetore dhe kultesh ‘’hyjnore’’ . Mesazhet e shkrimit, ku përmendem edhe unë tok me paraardhësit, më justifikojnë dhe detyrojnë të shpreh këndvështrimin si bashkatdhetar dhe pasues i grigjës ortodokse.
[
B]
Urimi i Presidentit, mendimi i Keshilltarit dhe anonimi ''Pirro''[/B]
U informova nga mediat, por dhe u binda për lajmin e gëzueshëm (në adresënhttp://president.al/?p=23525) se në urimin për Krishtlindjet kreu i shtetit shqiptar kishte shprehur dëshirën që në krye të institucionit fetar katolik të vendosej një shqiptar. Akoma më shumë më entuziazmoi artikulli kuptimplotë i këshilltarit të Presidentit, zotit Ndriçim Kulla, i cili përmes përshkrimit historik dhe domosdoshmërisë objektive të realitetit kombëtar shqiptar orientonte dhe përkrahte ortodoksët shqiptarë në të drejtën e tyre për të patur edhe ata një shqiptar në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.(http://webcache.googleusercontent.co...&ct=clnk&gl=al)
Përkundër shkrimit të këshilltarit të Presidentit, më çuditi komenti i një personi me emërtim Pirro (i cili shfaqet edhe si Pirro10, me shkrimin ‘’Nje pergjigje per Ndricim (Erresim) Kullen dhe per te gjithe `Kullat` prej rere’’ (http://www.**************.com/thread...llat-prej-rere)
Për të qenë korrekt me Pirron (apo Pirro10) po ia citoj disa pjesë teksti:
‘’Ne gazeten MAPO ne vend qe te botojë ndonje falenderim per Festen e Krishtlindjeve, z. Erresim Kulla ka botuar nje shkrim te turshem me titull `Tradita Jone e krishtere dhe sfida e Autoqefalise`, ku zoteria ne vend te gezohet, vjell vrer, ne vend te uroje kerkon percarje, ne vend qe te flase per paqe flet per perplasje fetare.z. Erresim Kulla, nuk mund te flasesh per Autoqefaline dhe KOASH-in kur nuk je i komunitetit orthodoks... Ne e respektojme Kryepeshkopin Anastas sepse ai ka kontribuar ne menyre te shkelqyer per Shqiperine...Kjo eshte mikpritja shqiptare, keto jane ateistet ish-komuniste shqiptare qe kane shkaterruar cdo gje të mire ne Shqiperi dhe shohin se ka ndenjur pa u shkaterruar Koash... Patetizmi juaj duke i qare hallin KOASH-it bie ere klientelizem dhe eshte per te lene Nam...Harron qe edhe komuniteti Katolik ka nje te huaj ne krye. Per shqiptaret do te ishte mire qe edhe qeverite shqiptare te ardhme te drejtohen nga te huajt sepse ne nuk e drejtojme Shqiperine me njerez si puna juaj qe vjellin vrer ne cdo rast kur shikohet se nuk fiton ndonje gje. Nga KOASH-i nuk ke per te fituar ndonje lek prandaj rriji larg.’’
Nuk mund të përfshihem në ‘’lojën’’ Pirro (Pirro10) përderisa nuk paraqitet me identitet real, të plotë, se mund të na dalë rrobot dhe bëhem unë gaz i botës. Në rast se është njeri, për më tepër besimtar ortodoks, i drejtohem me dorë në zemër dhe shpirt të qetë se
në artikullin e këshilltarit të Presidentit, nuk përmendet fare emri dhe veprimtaria e Fortlumturisë Anastas Janullatos, i cili vërtet është kreu aktual i KOASH-it, por aspak vetë institucioni tok me tërë grigjën ortodokse shqiptare dikur, sot e në të ardhmen.
Cilido shqiptar ka të drejtë dhe detyrim moral, aq më tepër si studjues dhe këshilltar i Presidentit, të shqetësohet dhe të japë mendime mbi baza shkencore edhe për komunitetet fetare shqiptare.
Në lidhje me mendimin për qeverisjen nga të huajt dhe akuzat për afera financiare, ato përmbajnë përgjegjësi penale…

Koment mbi artikullin tek gazeta ‘’Mapo’’

‘’ Po shkruaj me identitet të plotë, jam shqiptar i besimit ortodoks, i nipi i Petro Nini Luarasit, martirit të gjuhës shqipe dhe flamurtar për themelimin e kishës ortodokse shqiptare të pavarur nga diktati i klerit shovinist grek. Ai ka qenë krah për krah Fan Nolit në krijimin e konsolidimin e kishës ortodokse shqiptare në SHBA. Në kongresin e Dytë të Manastirit ka qenë përfaqësuesi i Lidhjes Ortodokse dhe i fshatrave Negovan e Ballkamen, u zgjodh sekretar dhe mbajti një fjalim të rëndësishëm për hallin e madh të ortodoksisë shqiptare në luftë të papajtueshme me qarqet klerikale shoviniste greke. Kur u helmua prej tyre, veprimtarinë e vazhdoi i biri i tij më i madh Dhimitri Petro Nini-Luarasi i cili së bashku me Sofron S.Borovën, qe delegat i Kolonjës, në kongresin e parë të Kishës Orhodhokse Kombëtare të Shqipërisë, që i zhvilloi punimet në Berat në shtator 1922, u zgjodh sekretar dhe nënshkroi statutin themeltar të KOASH.
Po paraqesim emrat e delegateve, Kongresi i Pare i KOASH, Berat 10/19 Shtator 1922 ( Korçë Shtyp. & Libraria Dhori Koti Korçë 1923)
Delegatët
Korça / Ikonom P. Josif, At Vasil Marko
Pogradeci / Dh. Haviari, Thanas P. Kerxhalli
Bilishti / At. Jorgj, Anastas Çekrezi Kolonja / Oshenar Sofron S.Borova, Dhimitri Petro Nini Luarasi
Leskoviku / At Vangjel Çamçe, Thoma K. Prifti
Përmeti / Dr. Stathi Koni V. Zoto
Berati / P. Kona Dh. Tutulani Vlora / Jan S. Shkrami, Tol S. Arapi
Fieri / Lon Xoxe, Dh. Killica
Lushnja / Llazar Boza, Tun. Gjergji
Durrësi / Arhi V. Xhuvani, G. Manushi
Kavaja / Pal Xhumari A. Ikonom
Tirana / Papa Simoni, Mark Hobdari
Elbasani / Vasil Llapushi, Simon Shuteriqi
Shpati / Taqi Buda, Dhi. Paparistja
Dibra / Arhit K. Pajtali Për L.Nishku, K.Paftali
Gjirokastra / Dr. Stathi Kondi
Libohova / Spiro Kati
Delvina / K. Thoma, S. Kondi
Shkodra / Risto Gjyrbabi, Gjoko Nikoliq (Gjok Nikolla, babai i Migjenit)
Kryetar / Ikonom P. Josifi
Nën-Kryetar / Pal Xhumari
Sekretarë / Dhimitri Petro NiniLuarasi, V. Elapushi
Komisar / H. Theodhosi
Përfaqësonjës i Prefekturës / Llazar Puli
( Korçë Shtyp. & Libraria Dhori Koti Korçë 1923)
Unë, familja Luarasi, farefisi dhe qindra ortodoksë shqiptarë të tjerë që njoh nuk e duam një të huaj ne krye, për këtë le të pyeten edhe pasardhësit e nënshkruesve të mësipërm). Në një format më të gjerë, në të gjithë Shqipërinë, numërohen me dhjetra mijra ortodoksë shqiptarë që nuk kanë pranuar të shënohen si ortodoksë në censusin e kryer, edhe që të distancohen nga realiteti konjuktural që shkel idealet dhe gjakun e martirëve të ortodoksisë shqiptare dhe veprën madhore të Fan Nolit, Visarion Xhuvanit, Kristofor Kusit me shokë, për të patur një drejtues shqiptar në krye të grigjës ortodokse shqiptare.

Veprimtaria dhe Amaneti i paraardhësit martir

Besojme se ka ardhur koha për të vendosur për ortodoksët shqiptarë të nëpërkëmbur në të drejtën e tyre të shenjtë dhe për këtë kërkojmë përkrahjen e shtetarëve tanë, të veprojnë dhe t’i perkrahin në realizimin e idealit rilindas të paraardhësve të tyre atdhetarë.’’
Bazohem edhe tek veprimtaria, mesazhet dhe amanetin e martirit të gjuhes shqipe dhe të kishës ortodokse shqiptare, Petro Nini Luarasit, që shkroi me gjak ‘’edhe 99 herë të rrëzohemi, përsëri duhet të ngrihemi’’, thirrje aktuale edhe për ortodoksët shqiptarë të sotëm.
Kontribut i Petro N. Luarasit për ndërtimin e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare
Historiografia shqiptare e ka minimizuar trajtimin e veprimtarisë atdhetare të ortodoksëve shqiptarë për përkthimin e literaturës ortodokese në shqip, përpjekjet për futjen e gjuhës shqipe në kishën ortodokse, ndërtimin e fundamentit të kishës ortodokse shqiptare me arritjen madhore të krijimit të Kishës Ortodokse Autoqefale me Fan Nolin në krye. Eshtë anashkaluar në tekstet shkollore e akademike heroizmi dhe nderimi ndaj martirëve të kishës ortodokse shqiptare. Në këtë aspekt e harruan edhe rolin e rëndësishëm të Petro Nini Luarasit në përdorimin e gjuhës shqipe në kishë ( në kishën e Luarasit dhe në ShBA), në ideimin dhe ndërtimin e themeleve të kishës ortodokse shqiptare të pavarur në ShBA. Petro Nini Luarasi është një nga martirët, por dhe çelësi për të trajtuar të vërtetën tragjike të vrasjes së tyre, të heshtjes kriminale ndaj tyre, të shtrembërimit të veprës dhe idealit të tyre, që u bëhet në ditët e sotme nga qarqe shoviniste grekofone edhe në mjedisin shqiptar. Po u drejtohemi fakteve.
Bashkëkohësi i tij, veterani Guri Sevo, tregon:
“Një ditë kam parë një plakë, të Simo Itës, që ish më fanatikja në punë feje: siç rrinim në hajat të kishës erdhi me një shkop në dorë, dalë nga dalë i shtrëngoi dorën Petros dhe i tha: “ Lum ajo nënë që të ka se ti sot në kishë me fjalën që na fole na bëre të derdhim lot të gjithë. Kurrë ndonjë herë në jetën time s’kam qarë kaq me mallëngjim sa sot”. Në kishë Petroja vinte gjithnjë çdo të djelë e të kremte. E kish vendin e tij më të djathtë ku psallnin dhe sanddejmi jepte fjalë dhe lëçiste shqip sa mundte. Kur vinte që kremtonin fshati, dita e Shën Marisë, më 15 gusht, dhe kish njerëz të huaj nga Vakëfet dhe nga Lubonja, Qafëzezi, Vodica, Blushi, Gostivishti, Orgocka, dhe nga gjithë fshatrat ku luarasllinjtë kishin miq e të njohur, Petroja jepte fjalë në kishë e iu shpjegonte ungjillin dhe i falenderonte mysafirët si nga ana e fshatit, si dhe nga ana e kishës. Se qe dhe epitrop. Dhe kështu me anën e kishës bënte propagandë nëpër fshatrat në mes të burravet dhe gravet, duke u folur në këtë mënyrë, dhe në mes të fëmijëve, të cilëve u jepte mësim edhe në shkollë e duke u përkthyer e duke u mësuar Apostollin, Pistevon, Paterimonin, e të tjera, që t’i thoshin edhe ata shqip në kishë”...Dhe kur u ktheva më 1886 në Luaras ...Stefan Kostë Rrapo, më thotë: Dhaskali sivjet na ka mësuar vjershën e Shën Llazarit ta dimë pa kartë, e kemi kënduar ditën e shenjtit dhe e kemi mbledhur vezë më shumë nga motet e tjerë se na i jepnin nga dy e tri vezë në çdo shtëpi.”. (Petro Luarasi, Jeta dhe Vepra, f.30-31)
Veprimtarinë si ortodoks shqiptar e vazhdoi edhe në ShBA, ku qe emigrant politik.
"Zgjedhjet e shoqërisë Besa-Besë ( ku u diskutua edhe për të patur një prift shqiptar) Folën Kristo Dako dhe FanNoli ...Pas priftit Jakob që bëri të njohur se arkipeshkopi rus Platoni do të ndihmojë, z.Petro Luarasi me një fjalë të shkurtër rrëfeu mirënjohjen që do të kenë shqiptarët në kishën ruse porsa të ndihmojë të fillojë kisha shqip. Kështu mbetën të gjithë të kënaqur e plot gëzim nga kjo.’’ (Gazeta Kombi, 10 janar 1908)

Nga një rekord zyrtar i marrë tek arshiva e zyrës civile Hudson, të botuar më vonë në Kalendarin e botës, 1939, shkruhet
‘’U mbajt një mbledhje tjetër e cila zgjodhi një komision që të kërkojë kandidaturën e një shqiptari për prift. Dhe kandidatë ishin dy: Fan Noli nga Bostoni dhe Petro Luarasi nga Klintoni Mass të cilët u votuan prej delegatëve të Natic-ut,Balboro-it, dhe Hudson-itdhe fitoi Fan Noli që të dorëzohej prift’’

Veterani Guri Sevo, shkruan:
“Edhe në çështjen e kishës shqipe që lojti një rol të madh në lëvizjen kombëtare tonës, Petro Nini Luarasi ka qenë flamurtar i parë, jo vetëm në Shqipëri po e po, por edhe në Amerikë. Më 1905 me rastin e refuzimit të priftit grek të Wochester-it,Mass, që të mbulonte një shqiptar të vdekur, shqiptarët iu lutën Petros të bëhej prift...Për hir të çështjes shqiptare edhe prift do të kish pranuar të bëhej Petroja por ai ia lëshoi vendin një shqiptari më ‘’aksios’’ për këtë zyrë të shenjtë Fan Nolit...”
(Guri Sevo, Mësuesi im i shqipes, 1936, f.84-85)

‘’Pasi u dorëzua Fan Noli prift më 25 mars 1908 nxorri meshën e parë shqip në Boston i vetmi që mund të zinte vendin e psalltit qe Petro Luarasi...natyrisht nuk gjendej psallt tjetër në gjuhën shqipe i përgatitur. Z.Luarasi psallti mirë. Pas ungjillit mbajti një fjalë për këtë çështje dhe provoi dobitë që do të kish patur atdheu tonëporsa të kish përdorur gjuhën e vet në kishë. Si u mbarua mesha foli Petro Luarasi ërmbi këtë çështje shumë bukur.’’ Shumë shqiptarë porsa dëgjuan se ai (Fan Noli) u urdhërua (prift) prej episkopit rus u bindën se me të vërtetë është ortodoks. Pas kësaj ata që ishin më fanatikë ndjekës të Patrikanës, u bënë më të zjarrtit e kishës shqipe. Kuptuan se nuk është mëkat të përdoret gjuha shqipe në kishë si u kish thënë dhespoti dhe që të gjitha mallkimet kishin qëllim politik’’ (Kombi 22 mars 1908)
Guri Sevo shkruan: "Si mbaroi mesha Petro sa s’qante nga gëzimi! dikush i tha që prifti shqiptar qenkesh me të vërtetë shumë i zoti. Përndryshe nuk do të vinte mitron pa vënë kamillafin, iu përgjegj Petro për të caktuar kryelartësinë me të cilën e nxorri meshën e parë prifti i parë shqiptar’’ Guri Sevo, Mësuesi im i shqipes, 1936, f.86)

Mesha në Hudson Mass
Siç dihet në Hudson u fillua shoqëria kishtare ‘’Nderi Shqiptar’’ prandaj pas Bostonit natyrisht vjen Hudsoni. Kjo shoqëri vuri në praktikë idenë e fillimit të një kishe shqip duke mbledhur ndihma dhe duke dërguar priftin Fan Noli në Nju Jork. Pas meshës mbajti një fjalë greqisht Fan Noli (që krijoi keqkuptime ndër dëgjuesit). Pas fjalës së priftit z.Petro Luarasi foli shqip mjaft orë dhe shumë bukur . (“ Kombi, 27 mars 1908)
Në Kongresin e Dytë të Manastirit që u çel më 20 mars 1910, ku Petro Nini Luarasi mori pjesë si përfaqësues i shoqërisë “Lidhja orthodhokse”, i Negovanit e Ballkamenit, ai u shpreh:
“Çështjet e shkronjave dhe të programit të përparimit e biseduat; dhe zotnija juaj dhe të gjithë shqiptarët e vërtetë për këtë gjë po përpiqen dhe punojnë. Po unë në këtë mbledhje, jo vetëm si përfaqësonjës i Negovanit dhe i Ballkamenit, po edhe si i krishter orthodhoks shqiptar, përfaqësoj edhe “Lidhjen Orthodhokse të Shqiptarëve” andaj do të përmbështillem vetëm duke folur përmbi çështjen për të cilën jam i dërguar: Me tu shfaqur librat shqip në kohë të tiranisë, sa shqiptarë orthodhoksë që kishin ndjerë mungimin editurisë, si të uritur fort i pushtuan shkronjat tona dhe me çdo mënyrë, pa vënë re çdo therrori që do të na rëndonte nisën të nginjeshin me mësimin e gjuhës sonëduke u gëzuar për diturinë shqipe më shumë nga vëllezërit tanë shqiptarë katolikë; se këta , nën urdhër feje të Shenjtërisë së tij Atit Papë, kishin dhe kanë liri të mjaftë për të lëçitur diturinë në gjuhën shqipe. Tek ne kleri grek, jo vetëm na mundon dhe na ndalon me mallkime, por edhe përdor çdo farë mënyre për të na sprapsur nga shkrimi dhe mësimi shqip.
Si të uritur, pra, që kanë qenë Orthodhoksët shqiptarë për shkrimin shqip, shtatuan shoqërira në Bukuresht e Sofje dhe kudo ku gjenin mbrojtje e liri. Tani nën liri konstitucionale shtatuan shoqërinë ‘’Lidhja Orthodhokse e Shqiptarëve” me qendrën në qytet të Korçës për t’u mbaruar nga orthodhoksia elinishte e grekërve dhe ne pandehmë se Qeveria do të na çmonjë punën tonë, do të na japë liri, të drejta dhe siguri nderi e jete....
Ju lutem zotërinj, vëllezërve tanë, bashkëkombësve myslymanë dhe katolikë, a dotë mos vuajnë keq kur tëshohin që një pjesë e trupit shqiptar po vuan dhe humbet për qejf të klerit grek?!
Andaj si anëtar i ‘’Lidhjes Orthodhokse të Shqiptarëve” u lutem së nderçmes qeveri si dhe të shumëvlyerit Kongres të sotmë që të veprojnë ku duhet për të drejtat e “Lidhjes Orthodokse të Shqiptarëve” e cila veç qeverisë konstitucionale dhe mëmëdhethit të dashur tjetër mbështetje s’ka.
Rroftë Shqipëria! Rrofshin Shqiptarët!”
P.Raullasi (Pseudonim i Petro Nini Luarasit)
(P.Raullasi, Shqiptarët orthodhoksë dhe rregjimi i sotëm Lirija, Selanik 1910, v.2, nr.81, f.1-2) P.Raullasi (Pseudonim i Petro Nini Luarasit)

Petro Nini LUARASI (1865 - 1911)
KUNDËR MALLKIMIT TË GJUHËS SHQIPE

Si shqiptarë që jemi
Shqip ne duhet të mësojmë
Dhe Zotin, të drejtë kemi,
Ne gjuhën shqipe ta lëvdojmë.

Epo ju gjuhën tonë
Doni ta humbisni fare
Dhe me mallkim e me nëmë
Shprehni ta shpini në varre.

S’më vjen rëndë nga priftërinjtë
Që s’ dinë ç’ bëjnë e ç’punojnë,
I urdhërojnë të zinjtë
Që gjuhën shqipe ta mallkojnë.

Po krye-priftërinjtë e tyre
Nëkëmbës t’ orthodoksisë
Shumë punë prej mynxyre
Bëjnë kundër Shqipërisë!

Të mallkojnë njerëzinë
Të nëmosin gjuhën tonë,
Të përçajnë Shqipërinë,
Zoti mos e pastë thënë!

Thonë s’ ditka Krishti shqip
Dhe shqip-fjalë s’ pret prej nesh,
Vetëm në gjuhën greqisht
Të dëgjon e të mban vesh!

Këto e shumë të tjera,
Që dëgjon në kishë brenda
Dhe na mallkojnë për hera
Gjuhën tonë që s’ ua k’ënda.

S’ kanë frikë as turpërohen
Që përçmojnë Perendinë,
Po mburren edhe lëvdohen
Sepse shërbejnë Grejqinë!

Gjuhën e kemi tonë
Të vjetër dhe të vyer,
Nga Perendia ish thënë
Që ta ruajmë të çkëlqyer.

Aktualitet
Sikurse unë, ka me qindra e mijra pasardhës veprimtarësh ortodoksë shqiptarë që kanë menduar, punuar e sakrifikuar pasurinë e jetën për kishën ortodokse autoqefale me drejtues shqiptar në krye. Ne së bashku urojmë që viti 2015 të na sjellë një drejtues shqiptar në krye të grigjës sonë ortodokse shqiptare. Të gjithë njëzëri i lutemi Zotit dhe kërkojmë nga vëllezërit tanë të të gjitha komuniteteve fetare, tok me përfaqësuesit tanë në institucionet shtetërore e kudo, të ndihmojnë me sa munden në këtë mision të shenjtë që i kontribuon aq shumë unitetit kombëtar dhe mirëqenies sonë të përbashkët.
Gëzuar Vitin e ri 2015, bashkatdhetarë shqiptarë, pa dallim feje, krahine, ideje, gjinie, përkatësie politike e ekonomike.

Petro Luarasi
 
Një paradoks kuptimplotë për ortodoksit shqiptarë

Petro Luarasi
Një paradoks kuptimplotë për ortodoksit shqiptarë


Një paradoks kuptimplotë është moslejimi i vendosjes së bustit të Peshkop Fan Stilian Nolit në Katedralen Ortodokse të Durrësit, ku ai ishte mitropolit, me rastin e 100-vjetorit të themelimit të Kishës Ortodokse Shqiptare. Atëhere ortodoksit shqiptarë e vendosën në kishën ortodokse ‘’Shën Mëria’’ në Elbasan, me ndihmën e shoqatave ‘’Foleja Kombëtare’’ dhe ‘’Tifozat kuq e zi’’ dhe frymëzimin atdhetar të atdhetarit të shquar At Nikolla Marku.
Ky lajm u përhap në tërë mediat atdhetare në botë.
Shihni artikullin me fotot përkatëse:
Noli's 100th Anniversary Orthodox Albanian mass, its organizers and opponents – ILLYRIA
 
Back
Top