Përgjigje e: Me tërhoqi vëmëndjen ky shkrim...
Hekuran Vladi
Jane jufka o Edi, nuk janë makarona!
Nga Hekuran Vladi.
Pas disa investigimeve, arrita të zbuloj axhendën e Edi Rames në Dibër. E keni më poshtë…është nga një burim shume i besueshëm.
Edi Rama në Diber – nga ERTV
Në datat 10-11 Nëntor, në kuadër të takimeve gju me gju me popullin-aktor shqiptar, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, bashkë me gjithë kabinetin qeveritar, zhvillon turin “Dibra përjetë me Edi Ramën”. Më poshtë keni axhendën e këtij turi shumë të rëndësishëm:
Dita e parë, 11.11.2017
Ora 11:00 – Nisja nga Tirana. Nisja do të bëhet në grup, me dy autobusa të linjës Tiranë - Peshkopi. Qeveritarët do përzihen bashkë me udhetarë rastësorë të kësaj linje. Meqë premtimi i 2013-es ishte për vënien e plotë në funksionim të transportit ndër-urban dhe ky është një premtim i mbajtur, kryeministri ka urdhëruar që qeveritarët të ulen të shpërndarë, mes pasagjerëve të tjerë, dhe të këndojnë kenge popullore. Jane shperndare qe para nje jave kaseta të këngëve dibrane, si “Hajredin Pasha po vjen Radikës”, “Po i bjen era retë e zeza”, “Po vijnë pamporat”, etj. Në pushim të këngëve, ministrat do t’ju flasin pasagjerëve për sukseset e qeverisë dhe premtimet e mbajtura, duke permendur të parin premtim, atë të transportit modern ndër-urban, si një permtim i prekshëm për ta.
Shënim i rëndësishëm: Meqë rruga e Arbrit është vënë në përdorim që në përfundim të mandatit të parë 2013-2017, sipas premtimit, ministrat janë porositur që të organizojnë një sondazh me pasagjerët e rastësishëm, me temë: “Sa të kënaqur janë ata me cilësinë e punimeve”, në mënyrë që kryeministri të pushojë nga puna supervizoret e punimeve, duke qenë akoma rrugës, me telefon dhe të jete i përgaditur për ndonjë pyetje surprizë.
Ora 12:00 – Ndalesë në Bulqizë. Ndalesa do të bëhet në lagjen “Qyteti i Vjetër”. Strukturat e partisë kanë organizuar ndërkohë pjesëmarrjen, pasi janë njoftuar të gjitha shkollat 9-vjecare dhe të mesme të Martaneshit, Ulzës, Bulqizës, Shupenzës, Zerqanit dhe Klenjës.
Fjalimet e takimit të Bulqizës dhe pikat kryesore të fjalimeve.
1. Ministri Damian Gjiknuri do të flase për: Operacionin e sukseshëm të vitit 2014 në Bulqizë, i cili rregulloi përfundimisht cështjen e shfrytëzimit pa kriter te minierës së kromit; Vënien para përgjegjësisë penale të ish-ministrave Bode e Ruli ; Dëmshpërblimin prej 100 milion euro të arkëtuar në arkën e shtetit nga firmat fantazmë, që kishin shkatërruar minierën. Gjithashtu ministri do të theksojë edhe efektet pozitive nga normalizimi i punës së minierës së kromit, si pasojë e investimit prej 500 milion euro të korporatës ndërkombëtare “Shelli”; punësimin e 3.500 personave deri më tani në punimet e minierës dhe në shërbimet ndihmëse; perspektivën e hapjes së minierave të reja të vogla, etj. Ministri është porositur disa herë, që të përmendë arritjet dhe sukseset e pastaj të theksojë që këto kanë qenë të gjitha premtimet e rilindjes në 2013-ën. I vetmi problem që mund të dalë gjatë fjalimit të ministrit, mund të jetë fakti që ish-ministri Shkëlqim Cani bëri dorëheqjen, por që nga mediat u transmetua sikur e pushoi kryeministri pa ia komunikuar fare. Për këtë detaj të sikletshem është përgaditur vetë kryeministri, i cili do ta kalojë diskutimin tek lajmet e rreme dhe mediat e kazanit.
2. Fjalën kryesore do ta mbajë kryeministri. Dy djem adoleshentë, të veshur me citjane tradicionale të Bulqizës, do të shoqërojnë kryeministrin, duke qëndruar gjatë gjithë fjalimit, anash tij. Përmbajtja e fjalës përshendetese të kryeministrit nuk është e shkruar. Dihen vetëm pikat kryesore. Do të flasë per citjanet, durimin e grave për burrat që vonohen duke pirë raki, të ftohtin e Bulqizës dhe lidhjen e tij me të votuarit për PS, etj. Eshtë planifikuar me kujdes, që fjalën e tij ta ndërpresë vetëm një shofer furgoni, i cili do të ankohet për Ismet Drishtin dhe këngët e tij për Edi Ramën, që ia kërkojnë shumë pasagjerët e linjës së Martaneshit.
Takimi në Bulqizë do të zgjasë 2 orë (12:00-14:00). Pas tij, do të bëhet nisja për në Peshkopi. Udhëtimi për në Peshkopi do të bëhet me autobusët e linjës Bulqizë-Peshkopi-Llixha. Ministrat janë porositur të shpërndajnë dhurata për të moshuarit dhe të flasin me ta për rritjen e pensioneve dhe rimbursimin e ilaceve. Përmbajtjen e bisedave të ministrave me popullin e moshuar e ka pergaditur ish-ministri dhe deputeti aktual i Dibrës, Ilir Beqja. Do të bëhet shumë kujdes, që autobusët të mos kalojnë nëpër Maqellarë, por t'i bien nga unaza. Nga burime të policisë jemi njoftuar që qytetari Bert Beqa është përgaditur të qëllojë me domate autobusin ku udhëton kryeministri, për arsye që akoma nuk i kemi të qarta. Në rrugën për në Peshkopi, në lagjen “Dobrovë”, njërit nga autobusët do ti ulet në timon kryeministri dhe poshtë këmbëve të tij do të futet deputeti Erion Brace, në menyre që kryeministri të mbajë vetëm timonin dhe gaz-fraksion ti lëvizë Erioni. Ky është edhe qëllimi pse Brace është thirrur të jete në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm. Kujdes! Ky veprim duhet të bëhet patjetër në Dobrovë, jo në fshatin para-ardhës Grevë, pasi është vendlindja e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi dhe mund të dalin probleme rrugës. Pra, mesazhi duhet të jepet i qartë, që timonin e ka vetëm Ed Rama.
15:00 – Takim me qytetarët e Peshkopisë dhe fshatrave perrreth. Ky takim do të zhvillohet në Pallatin e Kultures. Sfondi hyres i takimit do të ketë një këngë të Noizit, si dibran dhe fitues i 2 festivaleve rrjesht, të kengës në RTSH. Do të bëhet shumë kujdes rreth pranisë së kompozitorit Përparim Tomcini, i cili pavarsisht se përkrahës i yni, mund të jetë ndikuar nga lajmet e rreme, që kolegu i tij kompozitori Edmond Zhulali është pushuar nga puna pa asnjë motiv. Tomcinin e kanë pushuar edhe për vete, por nuk është tip që ankohet shumë. Fjalimet janë këto:
1. Fjalim i ministres së arsimit Lindita Nikolla. Ky fjalim do të përqendrohet në dy pika kryesore: Rindërtimin e Universitetit dhe rezultatet e larta të tij dhe Cmimin e parë në rang kombtar të mësuesve të Dibrës për vitin 2017.
2. Pas fjalës së ministres, takimi do të ketë kryesisht përmbajtje argtuese, për shkak edhe të vendit ku zhvillohet. Do të flasë vetëm kryeministri Edi Rama. Gjatë fjalimit të tij do të ketë ndërprerje për pantonima artistike, si: Vallja “kala dibrance”, e kercyer nga deputetët Sadri Abazi dhe Ilir Beqja, Kënga “Për doktorin”, e kënduar në sfond nga Anita Take (që dihet së është për doktor Rrahim Gjikën, por që do jepet konteksti sikur është për doktor Muharrem Ramën, aktualisht kryetar i Bashkisë Dibër), etj.
18:00 – 19:00 – Shëtitje në bulevardin e Peshkopisë. Kjo shëtitje do të përmbajë shtërngime duarsh me qytetarët, kryesisht pleq e plaka, foto me të rinj dhe ndalesa për dëgjim batutash të kryeministrit. Do të kihet parasysh që të sqarohet me qytetarët, që fondet për rindërtimin e sheshit të qytetit i ka marrë një kompani që nuk ka lidhje me qeverinë, pasi në Dibër është përhapur një lajm i rremë, që firma që ka kryer punimet është e deputetit Abazi.
19:00-24:00 – Darkë. Darka është përgaditur në një nga hotelet me 5 yje të Dibres, i cili është i vendosur në breg të përroit të Llixhave, në pronësi të biznesmenit të suksesshëm Musë Selëmi. Darka është sponsorizuar nga biznesmeni shumë i suksesshëm Ymer Lala, i cili ka sjellë posacërisht nga vendlindja e tij Muhurr, kuzhinierin e famshëm “Shef Xhani”. Menuja e darkës do të përmbajë të gjitha ushqimet tradicionale dibrane, të kryesuara nga jufkat. Në këtë pikë, janë porositur të gjithë kamarierët e lokalit, që ti kujtojnë kryeministrit, që nuk janë makarona, pasi qëndron rreziku potencial i përseritjes së skenës së famshme të tij me makaronat. Po ndodhi kjo, turi : “Dibra përjetë me Edi Ramën” dështon.
00:00-03:00 - Darkë e ngushtë e kryeministrit me ministrin Ahmetaj, sponsorin e darkës Lala, Noizin dhe Z.Shukri Gjelili.
Dita e dytë, 12.11.2017.
10:00 – Takim në Kastriot.
Regjia e këtij takimi është përgaditur nga një ish-reporter i gazetës “Ushtima e Maleve”, ndërsa përmbajtja e bisedave dhe gjithcka tjeter, nga ministri i bujqësisë Niko Peleshi.
1. Fjalim i ministrit të bujqësisë Niko Peleshi. Pikat kryesore të këtij fjalimi do të përmbajnë: Sukseset e formules së subvencionimeve ne bujqesi, te premtuara dhe te realizuara nga qeveria; Rritja e prodhimit te frutoreve; Rritja e numrit të krereve të bagëtive të imta; Eksportet e larta të djathit të dhisë dhe të deles në vendet e BE; Eksportet e larta të mollve, arrave dhe qershive në vendet e BE, Lindjen e Mesme dhe USA, etj.
2. Fjalim i deputetes Elisa Spiropali. Ky fjalim do të ketë një shpjegim shkencor historiko-fiziologjik rreth ngjashmërisë së kryeministrit Edi Rama me Gjergj Kastriotin. Parashikohet që gjatë fjalës së deputetes Spiropali do të ketë edhe reagime të pjesmarrësve, si rrudhje vetullash, apo clirim gazrash, por kryeministri ka porositur që të mos i kushtohet shumë rëndësi këtij detaji.
3. Bashkebisedim i kryeministrit Edi Rama me banorët e Kastriotit e Cidhnës. Nuk ka një përmbajtje të shkruar. Ky bashkbisedim do të përmbajë kryesisht: Batutat e kryeministrit me deputeten Spiropali; Taktikat e peshkimit me kosh në lumin Drin, sahatet e ujit për banorët e fshatit Koder Leshe; etj.
12:00 – Nisja per Lurë. Udhëtimi për Lurë do të bëhet me autobusat turistikë të linjës Sarandë – Tiranë – Lurë, të cilët në orën 12:00 ndalojnë në Sinjë për të vizituar muzeun e Gjergj Kastriotit. Ministrat do te perzihen serish me turistet dhe do te vazhdojne udhetimin. Gjatë rrugës, autobusët do të ndalojnë në Lanë Lurë, ku kryeministri do të vizitojë disa stane bagëtish dhe do të bëjë foto me një qingj në duar. Eshtë porositur njëri nga cobanët, që është njëkohësisht edhe mësues në Rec, që të gjejë nje qing sa më të dobët për t’ia dhënë kryeministrit për foton, pasi në këtë periudhë qingjat janë bërë deshë, falë punës së qeverisë.
14:00 – Takim me banorët e Lurës. Kujdes! Eshtë pika më delikate e ndalesës së këtij turi. Lurasit njihen si mosmirënjohësit më të mëdhenj të historisë. Pavarësisht se ne mbajtëm premtimin për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Lurë dhe Peshkopi-Lurë gjatë mandatit të parë, ata nuk duan t’ia dinë. Nga 5 hotelet luksoze dhe 30 shtëpitë e pritjes, asnjë nuk ka pranuar të zhvillohet takimi. Ndaj, takimi nuk do të ketë fare subjekt turizmin. Eshtë vendim personal i kryeministrit, që normalisht nuk diskutohet. Per kete arsye, eshte vendosur, qe takimi te zhvillohet ne Fushe Lurë, në vendin e quajtur “Fusha e kuajve”. Në këtë takim është organizuar një bashkebisedim i kryeministrit me banorët, me regji të posacme. I vetmi problem që mund të dalë, është pasi Z.Hasan Nika, shok fëmijërie i Hekuran Vladit (kundërshtar ideologjik yni dhe pretendent për postin e kryeministrit në vitin 2050, pas antarsimit në BE), mund ti kujtojë kryeministrit, që “Ato që hëngre në Dibër nuk janë makarona, por janë jufka”. Nëse kjo ndodh, turi “Dibra përjetë me Edi Ramën”, do të quhet i dështuar. Do të na mbetet, ose ta kalojme Lurën me Lezhën në reformën e re teritoriale qe po pergadisim me Lulin, ose të bëjmë zgjedhje të parakohshme.
15:00 – Largimi nga Lura për Tiranë. Ky udhëtim është organizuar të bëhet me helikopterë 4-vendësh, sponsorizuar nga kompania e fluturimeve turistike “Riformato”