Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA
Petro Luarasi
SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA
3. Përkthime
Skënder Luarasi vlerësohet ndër përkthyesit më të shquar shqiptarë të letërsisë artistike, i cili e pasuroi bibliotekën shqiptare me kryevepra autorësh të letërsisë botërore si: Kalidasa, Schiller, O.Wilde, A. Tennyson, Pushkin, Whitman, De Vega, Dickens, Byron, Goethe, A.Ostrovski, Shakespeare, Longfellow, Lessing, Winkop, Gribojedov, Milton, etj.
Në këtë drejtim studjuesi Jup Kastrati, i cili është marrë mbi dyzet vjet me punën e Faik Konicës, pohon ”me përgjegjësi shkencore se prof. Skënder Luarasi qëndron përkrah Nolit dhe Konicës”
138 J. Kastrati. Skënder Luarasi përkrah F.S.Nolit e F.Konicës, Artikull i cituar, f. 2
Ky vlerësim është objektiv dhe i bazuar në analizën shkencore të krijimtarisë së tij si shqipërues i kryeveprave botërore dhe përkthyes i literaturës shqipe në gjuhë të huaja, për stilin, ritmin, pasurinë e gjuhës shqipe dhe njohjen e thellë të gjuhëve të huaja
“Merrni cilëndo vepër që Skënder Luarasi ka përkthyer në shqipe. Do të vini re menjëherë koherencën e stilit, pasurinë dhe begatinë e shqipëruesit, natyrshmërinë e konteksteve dhe frymën e lartë të komunikimit. Po do të pikasni menjëherë vrullin e ritmit, qoftë në prozë, qoftë në poezi, gjallërinë dhe ekspresivitetin e dialogut dhe monologëve dramatikë, peshën dhe saktësinë e fjalës, bukurinë e shprehjes dhe buisjen e përfytyrimeve te cilido lexues.” 139
139 A. Kallulli: Shqipërimet e Skënder Luarasit janë Fanoliane, Drita, 16 janar, 2000, f.7.
Skënder Luarasi mendohej shumë për veprën që do të përkthente dhe e përjetonte gjatë analizën e saj duke shqyrtuar autorin, veprat e tjera të tij, situatën, epokën, mjedisin kur qe krijuar dhe ndikimin mbi lexuesin. “Po ky vazhdues i denjë i rrugës shqipëruese të Fan Nolit rronte dhe preokupohej si ai për mënyrën si duhej ta thithte veprën lexuesi shqiptar. Një dashuri sublime për këtë lexues dhe për gjuhën amtare. Fjalën shqipe, që ai e desh si ai, bëri të mundur që gjenitë e njerëzimit të jenë më të intimtë, të kuptueshëm dhe thellësisht ndikues.” 140
140 Po aty.
Mjeshtëria e tij si përkthyes spikasin në poezi e në prozë, në tragjedi, komedi, romanca e lëndë historike. Për një përiudhë të gjatë kohore, Luarasi solli në gjuhën shqipe dhjetra tituj kryeveprash të letërsisë botërore disa prej të cilave kanë humbur apo nuk janë botuar ende. Në përkthimin e tyre ai i qëndrojnë besnik veprës origjinale, frymës së përgjithshme të saj dhe individualitetit të përkthyesit. Këto përkthime cilësohen nga kritikët si rikrijime.
Si një shkrimtar me parime demokratike, i cili nuk iu bind orientimeve, presioneve e urdhërave të regjimeve despotike, Skënder Luarasi i përzgjodhi veprat, u dha pamjen objektive realiste, me synime të përcaktuara, edhe përmes parathënieve e komenteve. Ai përktheu për hir të pasionit dhe objektivit kulturor e politik në rrethana e për kërkesa të ndryshme mësimore, kulturore e politike. Kur qe mësues në Shkollën Teknike përktheu “Enoch Arden” të Alfred Tennyson, “ sa ka qënë e mundur literalisht duke mbetur besnik si në formën ashtu edhe në lëndën e origjinalit... Kjo poemë tregimtare është marrur si një shembëlltyrë prej letërsis engleze me qëllim që të plotësonjë një nevojë shkolle” 141 141 A. Tennyson. Enoch Arden, Tiranë, Gutenberg, 1933, f.3.
Ndërsa në Institutin Tregëtar të Vlorës, ku italishtja qe gjuhë kryesore dhe biblioteka e institutit qe mbushur me libra që propagandonin ide fashiste e reaksionare, ndjeu më fort përgjegjësinë që mbajnë mësuesit e gjuhës shqipe, të letërsisë e historisë shqiptare në rritjen e ndërgjegjes kombëtare të rinisë së vendit të tyre.
Kur diskutohet për vlerat e Skënder Luarasit si përkthyes duhet patur parasysh vështirësia e origjinalit, pasuria e madhe e aforizmave, fjalëve të urta, sentencave, metaforave, simboleve që përmbajnë veprat. Atje Skënder Luarasi ka dhënë tensionin e brendshëm dramatik që përshkon skenat e gjalla e plot larmi, skalitjen e karaktereve me fjalë dhe shprehje të një gjuhe tjetër. “Veprat, pavarësisht nga zhanri që i përkasin, nuk janë zbehur e s'janë rrafshuar e rrumbullakosur, por kanë ruajtur atë jetë dhe gjallëri që kanë dhe në origjinal. Diku të ashpra e të murrëtyera, diku me ngarkesa të mëdha psikologjike e filozofike, diku të brishta e fluide, diku plot dritë e tinguj, diku si të kallkanosura e me një ngurosje të llahtarshme e mjaft domethënëse."142
142 P. Jorgoni. Me forcë e guxim Prometeu, Artikull i cituar, f.6.
Skënder Luarasi e ka filluar shtegtimin e gjatë të përkthimit në vitin 1920, kur qe nxënës në SHBA. Nga një lajmërim në revistën Studenti, shënimet autobiografike të tij dhe indikacione të tjera, provohet që përkthimet e para të tij kanë qenë Skënderbeu i Whincopit, Jul Cesari i Shekspirit (i humbur) si dhe vjersha e Bajronit “Suljotët”.
Në vitin 1933, kur inteligjencia progresive rrekej të ndizte pakëz dritë kulture e shprese në terrin e injorancës e të dëshpërimit, Skënder Luarasi përktheu kryeveprën e Kalidasës, “Sakuntala”, margaritarin e letërsisë indiane. Goethe e çmonte atë si një prej yjeve që ia bëri netët më të ndritshme se ditët: “Them vetëm emrin tënd , o Sakuntala, dhe me këtë janë thënë të gjitha.'' Sakuntala u botua si një shembëlltyrë për programin shkollor dhe për të pasuruar bibliotekën shqip me një kryevepër të Lindjes. Skënder Luarasi ia dërgoi veprën “Sakunala” edhe shokut të burgut Haki Stërmilli “si nji kanis që i dërgon i shëndoshi të sëmurit, me nji shënim miqësuer” për t’i pasuruar mendjen dhe qetësuar shpirtin tek ndodhej nën pranga. Zemra e tij “shpesh here u rrëmbye nga rryma e dashunis së flaktë që diktohet herë mbas here, u pezmatua e u kënaq simbas rasës dhe shumë herë mbeta shtangur ose me shpirt pezull. Me nji fjalë derdha lot dëshpërimi e gëzimi dhe shkaktarja e kësaj gjendjeje qe Sakuntala.” 143
143 H. Stërmilli.Burgu, Tiranë, 1935, f.245-246
Haki Stërmilli vlerësonte që përkthimi “asht i përsosun, pjella e një mjeshtrit të hollë që i zotnon të dy gjuhët dhe aq i lehtë e i rrjedhshëm sa i duket njeriut se asht tue lexue nji vepër origjinalee jo nji përkthim. Vepra vetë, Sakuntala, asht nji mrekulli e pashoqe nga ato që ngjaj nënë Hindin misterioz.” të Hirësis së Hindit dhe s’e lëshova nga duert deri sa u kënaqa dhe u ngopa me të.” 144
144 Po aty.
Në vitin 1934 kur në Shqipëri sundonte malarja e analfabetizmi, terrori dhe spiunimi sa të kishte “gardhi veshë e muri sy” dhe inteligjencia progresive luftonte të ndizte pakëz dritë lirie e drejtësie, Skënder Luarasi përktheu kryeveprën e Shilerit, “Vilhelm Teli”. Kjo dramë që himnizon luftën e popullit zvicerian për liri e drejtësi u prit me entuziazëm nga rinia shkollore dhe inteligjencia progresive. Subjekti i saj u përdor në disa drejtime. Fragmentin e saj ''E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, '' mësuesi i shqipes Skënder Luarasi e dha si temë hartimi, pjesë të dramës u luajtën nga trupa amatore e Institutit Tregëtar të Vlorës dhe e Gjimnazit të Shkodrës. Për vlerat e kësaj vepre janë shprehur poeti Migjeni, pedagogu Aleks Buda, regjizori Xhemal Broja dhe aktorët e ardhshëm Sandër Prosi e Naim Frashëri.
Në shtypin e kohës shkruhej se: ‘’kemi edhe përkthyesa që janë punëtorë, të aftë, të zellshëm,të cilët na kanë falur përkthime kryeveprash të vështira. Në krye të tyre qëndron Skënder Luarasi me Sakuntalën e Kalidasës, Vilhelm Tell-in e Schillerit dhe Novelat e Oscar Wilde…’’ 145
145 Vilhelm Teli, Illyria, 15 korrik 1934, f.3.
Ndërsa Et’hem Haxhiademi vlerësonte se ‘’me një vepër të tillë dhe të tjera si këto duhet të pasurohet pa vonesë lëmi i vogël i literaturës sonë. Zoti Skënder Luarasi i cili ka ditur kaq bukur të përkthejë me gjithë hollësirat e saj këtë kryevepër e cila e mëson rininë të dojë dhe të mbrojë lirinë, letrarët e pakët shqiptarë duhet ta përgëzojnë dhe ta urojnë nxehtësisht.Nga pjesa ime përkthimin e Luarasit dua ta quaj një nga përkthimet më të goditura që janë ba deri sot në Shqipëri.’’ 146
146 Et’hem Haxhiademi, Vilhelm Teli i Shilerit, Demokratia’’, 23 shtator, 1934, f.3.
Përkthimet e Skënder Luarasit vlerësoheshin edhe nga shkrimtarë e institucione të huaja.
Gazeta ‘’Besa’’ dhe gazeta austriake Salzburge ‘’FolksBlat’’ njoftonin se Akademia Gjermane e Munchen-it i dha Skënder Luarasti medaljen e argjendtë për përkthimin e veprës ‘’Wilhelm Tell’’. 147
147 Besa. Çquajtja e një letrari shqiptar, 27 mars, 1935.
“Akademia Gjermane e Munchen-it i konferoi shkrimtarit shqiptar prof.Skënder Luarasi medaljen e argjendtë t’Akademisë Gjermane për përkthimin e tij të veprës ‘’Wilhelm Tell’’të Friedrich Schiller-it.”148
148 Salzburge FolksBlat.Njoftohemi nga Tirana, 12 prill1935, f.4.
“Akademia Gjermane në Mynih shkrimtarit shqiptar Skënder Luarasi për përkthimin e Vilhelm Telit të Shilerit, i ka dhënë ‘’Medaljen e Argjendtë‘’ të Akademisë Gjermane. Luarasi ka qënë nxënës në Gjimnazin e Fraishtadt-it në të cilin në 1926 ka mbaruar maturën”.
Ajo cilësohet një nga përkthimet më të dëshëruara për lexuesin shqiptar dhe ka njohur gjashtë ribotime në Shqipëri e Kosovë.
Është një ngjarje e lumtur për kulturën shqiptare që Skënder Luarasi u njoh me veprën e F.Shilerit në rini dhe u dashurua sidomos me dramaturgjinë e tij duke shqipëruar veprat ‘’Vilhelm Tel’’, ‘’Intrigë e dashuri’’, ‘’Hajdutët’’, ‘’Fiesko’’, ‘’Don Karlos’’ dhe ‘’Vajza e Orleansit’’. Ajo që e tërhoqi më fort nuk ishte vetëm romantizmi i Shilerit, por natyra e mesazheve universale me të cilën ai u drejtohet brezave. Me “Vilhelm Telin”, Skënder Luarasi nisi përkthimin e kolanës së veprave të Shilerit duke shtuar ndër vite edhe pesë vepra të tjera. Në këtë mënyrë ai përmbushi edhe një dëshirë të hershme të Fan Nolit dhe orientimin e tij letrar e politik me të cilat bashkohej edhe ajka e inteligjencies progresive shqiptare
Vepra e Shekspirit. Skënder Luarasi vlerësohet, pas Fan Nolit, si shqipëruesi më i shquar i veprës shekspiriane, me shtatë përkthime : Jul Cesari (i humbur), “Mbreti Lir”, “Rikardi II”, “Rikardi III”, “Tregtari i Venedikut”, “Komedia e gabimeve” dhe “Si ta doni”.
Me përkthimin e veprave të Shekspirit, ai vijoi rrugën e ndritur të Fan Nolit i cili i përgëzonte përkthyesit më të rinj shqiptarë që plotësonin kolanën e veprës shekspiriane në të cilën ai kishte kontribuar me katër përkthime të çmuara. ”Midis këtyre ai fuste , pa dyshim, edhe mikun e tij të vjetër, Skënder P.Luarasin... të përkushtuar si asnjë tjetër për të ecur gjurmëve të F.Nolit, idealeve demokratike, kombëtare e shoqërore të tij” 149
149 A.Uçi. Shekspiri në botën shqiptare. Koncepti shekspirian i tragjikes, Tiranë, Marin Barleti, 1996, f. 17.
Shaqir Shaqiri ka analizuar përkthimet në shqip të veprave të Shekspirit dhe mendon se “ në qoftë se përkthimet e Fan Nolit kanë qenë abetare nga e cila brezat e mëvonshëm të përkthyesve kanë mundur të nxjerrin mësime të dobishme se si duhen përkthyer tragjeditë e mëdha, atëherë mund të thuhet lirisht se përkthimet e Luarasit , janë një lloj teorie, e cila mëson se si të përkthehet drama historike. Ai është një përkthyes i madh në llojin e vet.” 150
150 Sh. Shaqiri Skënder Luarasi dhe vepra dramaturgjike e Shekspirit. Rilindja, 1 nëntor, 1980, f.14.
Skënder Luarasi në përkthimet e tij u frymëzua jo vetëm nga dëshira e Fan Nolit për njohjen e lexuesit shqiptar me veprën e plotë të Shekspirit dhe nga përvoja, qëllimet dhe kriteret që kishte përzgjedhur paraardhësi i tij, por dhe ta paraqiste veprën në kuadër të zhvillimeve më të reja historike. Ai ishte i bindur se vepra e Shekspirit do t’i shërbente lexuesit shqiptar që të kuptonte edhe personazhe e ngjarje të kohëve moderne. Veprat e Shekspirit e shprehin me vërtetësi artistike frymën e kohës por janë edhe universale, japin vlera mbihistorike, që sintetizojnë përvojën botërore të historisë njerëzore. Ndaj në veprat e tij mund të shihen edhe pjesëza të historisë së hershme, edhe mund të gjykohet mbi kohë, ngjarje e vende të tjera. Refik Kadia vëren se përkthyesi i parë shqiptar i dramave të Shekspirit, Fan Noli , qe i motivuar politikisht për të përkthyer katër tragjeditë Otello, Makbeth, Hamleti dhe Jul Cezari, po ashtu si edhe tre përkthyesit e tjerë të talentuar Skënder Luarasi, Vedat Kokona dhe Alqi Kristo, të cilët përkthyen disa tragjedi të Shekspirit, komedi dhe drama historike. “Kur u përkthye “Tregtari i Venedikut” nga Skënder Luarasi ai i dha rëndësinë e duhur përcaktimit të Heines: “O Shylock, ti je i padrejtë! “Skënder Luarasi një pedagog i njohur për këndvështrimin e tij disident, përktheu “Rikardin II” dhe“Mbretin Lir” me synimin për të denoncuar tiraninë e diktatorit komunist.” 151
151 R. Kadia. William Shakespeare në Shqipëri. William Shakespeare në përkthimet shqip përpara dhe pas epokës komuniste, LCPJ, Volume 2 / 1, nr.37, 2009, f.8.
Veprat që përzgjodhi e përktheu Skënder Luarasi nga Shekspiri dhe komentet që u bënte, tregojnë qartë qëllimin e tij për të demaskuar, dënuar dhe satirizuar realitetin që po kalonte Shqipëria. Ai përktheu tragjeditë “Mbreti Lir”, “Rikardi II” e “Rikardi III” meqë “ mendonte se kuadri shekspirian në shqip do të bëhej më i plotë dhe zëri i tij do të tingëllonte më bashkëkohor në qoftë se tragjeditë e përkthyera nga Noli do të ndërsuazoheshin midis kronikave historike me subjekte tragjike. Në këtë mënyrë do të kuptohej më mirë thelbi i konceptit shekspirian të tragjikes” 152
152 A.Uçi. Shekspiri në botën shqiptare. Koncepti shekspirian i tragjikes. Libër i cituar, f.18.
Veçori karakteristike e përkthimeve të Skënder Luarasit është se ai i është përmbajtur tekstit dhe kontekstit të origjinalit duke ruajtur vlerën artistike të veprës. Kjo është arritur në sajë të kulturës së gjerë, njohjes së shkëlqyer të gjuhës së huaj dhe të gjuhës shqipe, afinitet ndaj veprave të shkrimtarëve të mëdhenj, njohjes së shkëlqyer të letërsive e të kulturave të kombeve të ndryshme, njohjes së shpirtit e sjelljes së njerëzve në situata të ndryshme. Ai i ka kushtuar vëmendjen konstrukioneve ideomatike, aforizmave e proverbave, metaforave dhe shprehjeve metaforike nën një gjuhë të pasur e fleksibile, përdorimit të fjalëve e shprehjeve të rralla të tabanit popullor, proverbave e aforizmave. “Mund të thuhet se, në qoftë se aforizmat e Shekspirit janë quajtur margaritarë të veprave të tij, atëherë, lirisht mund t'i quajmë përkthimet e tyre në gjuhën shqipe nga S.Luarasi margaritarë të mjeshtërisë së përkthyesit tonë.” 153
153 Sh. Shaqiri: Skënder Luarasi dhe vepra dramaturgjike e Shekspirit. Artikull i cituar, f.14.
Vlerë të posaçme në përkthimet e Luarasit paraqet thesari i pasur gjuhësor, në të cilin gjejmë mjaft shprehje ''popullorçe''. Frazeologjia popullore dhe proverbi popullor ka pasur gjithmonë ndikim të madh në gjuhën e shkruar shqipe. Ato kanë ndihmuar për njohjen më të mirë të letërsisë botërore, për zhvillimin e shijes letrare ndër lexuesit shqiptarë, për ngritjen e kritereve të tyre artistike , për zgjerimin e diapazonit estetik e kulturor në përgjithësi por edhe për të kritikuar e demaskuar grupimet e privilegjuara e vetë kreun e diktaturës . ‘’Përkthimet e veprave të Shekspirit nga Prof.Skënder Luarasi pa mëdyshje i takojnë fondit elitar botëror të përkthimeve’’ 154
154 Po aty.
Studjues të ndryshëm kanë theksuar vlerat e mëdha të Uollt Uitmanit dhe kryeveprën e tij ‘’Fije bari’’ e cilësojnë ''Bibla e Demokracisë'' që sintetizon dashurinë e zjarrtë për parimet mbi të cilat mbështetet demokracia.
Skënder Luarasi e shqipëroi kryeveprën ‘’Fije Bari‘’ ne vitin 1956 me rastin e 100-vjetorit të botimit të saj. Në Shqipëri u imponua një heshtje e thellë për këtë ngjarje të madhe në kulturën shqiptare. Jo të paktë qenë ata të cilët, për shkak të titullit e kompozimit të kapakut, e mendonin si libër agronomie. Ndërkohë që në Kosovë shqipërimi i Skënder Luarasit pati sukses të dukshëm.
Ajo është vlerësuar për kohën kur u krye, mjeshtërinë, cilësitë e shqipërimit dhe risitë.
Skënder Buçpapaj analizon pengesat që haste dikur në krijimtarinë e tij kur metrika ishte shndërruar në një formë të mirëfilltë të censurës e të vetëcensurës. Nga metrika e ngurtë hoqi dorë pasi lexoi veprën "Fije bari" të Uollt Uitmanit. Ai vlerëson “se përkthimi i Skënder Luarasit është i përkryer. Plot të tjerë kanë përkthyer pas tij Uitmanin, ndër ta kam provuar edhe unë, por nuk ia kalon asnjëri përkthimit që ka bërë Skënder Luarasi.” 155
155 S.Buçpapa. Intervistë, Nacional, 27maj, 2011, f.3.
Studjuesi Anton Papleka tregon riskun e asaj kohe kur të shkruaje me varg të lirë rrezikoje kokën. Ai vlerëson mjeshtrinë e shqipërimit të Skënder Luarasit dhe zbërthen arësyen që e ka shtyrë këtë njohës të letërsisë botërore, të përkthejë poetin e Manhatanit: synimi për t’i dhënë publikut shqiptar një kryevepër të letërsisë botërore, Biblën e poezisë moderne por edhe diçka më intime, më të thellë që lidhej me frymën antikonformiste, demokratike të poezisë uitmaniane dhe shpirtit të Luarasit, që i ngjiste një lumi të vrullshëm , një rrebeshi.
Ai argumenton se për Skënder Luarasin, këtë intelektual sypatrembur, në fillim ishte liria, pastaj vinin gjithë të tjerat. Botimi i përkthimit të‘’Fije bari’’ më 1956 tregonte shumëçka por dhe “ishte një ndër ata modele që duhet të kenë parasysh përkthyesit e sotëm, për të mos lënë që veprat e mëdhatë përmbyten nga mediokritetet dhe përkthimi të uzurpohet nga zanatçinjtë.” 156
156 W.Whitman. Fije bari, Tiranë, Argeta LMG, 1997, f.308.
Studjuesi Moikom Zeqo vlerëson botimin e veprës në vitin 1956 si një çudi dhe paradoks për kohën, ndërsa përkthyesin e saj “disident trim, i cili bëri sfidën e tij të çuditshme, si një hedhje doreze dueli për tërë mediokritetin letrar të kohës...Një analizë akribike do të vërtetonte se’’Fije bari’’ ka ndikuar në poezinë moderne shqiptare si lëndë radioaktive” . 157
157Po aty, f.307.
Këtë ndikim e shpreh edhe Preç Zogaj i cili pasi lexoi librin "Fije bari" të përkthyer nga Skënder Luarasi, vendosi të bëhej poet. Roli i Uitmanit e largoi nga stili i vjetër në poezinë e tij. Natasha Lako thekson që së pari kufijtë e ngujuar mes letërsisë shqiptare dhe asaj botërore i shembi më 1956 Skënder Luarasi kur solli në shqip ‘Kryeveprën “Fije bari” të Witmanit. Ndërsa botuesi Mehmet Gëzhilli përshkruan gëzimin që ndjeu kur e lexoi “ Fije bari” në fillim të viteve ’60-të dhe vlerëson shqipëruesin i cili “nuk përktheu thjesht vargjet e Uitmanit, por ju dha edhe shpirtin dhe talentin e vet. Dhe këtë e bëri kur në Shqipëri, në fshatin tim, e kam lexuar Uitmanin, jo nën dritën elektrike, por nën dritën e zbehtë të një llampe vajguri." 158
158 Po aty
Përkthimi i veprës “Çajld Haroldi” i Bajronit është një tjetër meritë e madhe e Skënder Luarasit. Atje përshkruan “me vargje të zjarrta traditat dhe zakonet burrërore të shqiptarëve, trimërinë dhe dashurinë e flaktë të tyre për lirinë“ 159
159 Fjalori enciklopedik shqiptar. Akademia e Shkencave e RPSSH. Tiranë, 1985, f.64.
Poema me katër pjesë, rrëfen udhëtimet që ndërmori Xhorxh Bajron në Europë dhe ndërthur, sipas pikëpamjes e stilit të tij romantik, vlera historike, kulturore, gjuhësore, doke e zakone të popullit shqiptar.
Botimi i kësaj kryevepre të çmuar për Shqipërinë e shqiptarët, për koincidencë, qe fatbardhësi edhe për Bajronin pasi, së pari, e bëri të famshëm në lëmin letrar.
Nga " Çajld Haroldi" dhe letrat që i dërgon Bajroni nënës dallohet qartë cilat qenë rrethanat dhe qëllimi i ardhjes së tij në Shqipëri, çfarë i tërhoqi vëmendjen dhe e lidhi shpirtërisht me shqiptarët, si e përshkroi realitetin e vendit e popullit, ngjarjet e figurat historike, traditat, zakonet e doket, folklorin, tiparet fizike e morale, etj?
Me përshkrimin e tij objektiv e dashamirës të bazuar në terren ai dëshmon për kulturën materiale e shpirtërore të shqiptarëve dhe i krahason me popujt fqinj.
“Në krijimtarinë letrare botërore që prek Shqipërinë si vend, shqiptarët si popull dhe personalitetet e tyre të shquara, vepra më e bukur dhe më e goditur është padyshim poema e poetit romantik anglez Lord Xhorxh Gordon Bajron” Shtegtimi i Çajld Haroldit‘’ e përkthyer në shqip nga Skënder Luarasi më 1956.” 160
160 K. Frashëri. Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën, Tiranë, Dudaj, 2009, f.15
Skënder Luarasi ka meritën e madhe se krahas përkthimit të goditur shqip të poemës madhështore “Shtegtimet e Çajlld Haroldit”, ka shkruar në hyrje një sintezë mbi jetën dhe vlerën e veprën e Bajronit si dhe korespondencën e tij me nënën.
Moikom Zeqo vlerëson “përkthyesin e mrekullueshëm Skënder Luarasi, i cili ka përkthyer kryeveprën e plotë të Bajronit dhe mund të quhet me plot gojën “Qytetar Nderi i Bajronizmit Shqiptar.’’ 161
161 M. Zeqo. Themeluesit e Bajronizmit në Shqipëri, Koha jonë, 4 janar, 2003, f. 20-21.
“Fausti” i Gëtes përbën pa dyshim kurorën e vlerave të Skënder Luarasit si shqipërues.
Ai dëshironte që përkthimi i tij i plotë të botohej në vitin 1980, në 150-vjetorin lindjes së Gëtes, ose më 1981, në 100-vjetorin e lindjes së Fan Nolit, meqë përkthimi i blatohet “Fan Stilian Nolit, figurës faustiane të popullit shqiptar''. 162
162 J.Goethe. Fausti , Tiranë, Argeta LMG,1999 f.3.
“Ky përkthim i blatohet Fan Stlian Nolit figurës faustiane të popullit shqiptar”. Shqipëruesi
Shënim i shqipëruesit: “Gjithë jetën e tij Fan S.Noli kërkoi të vërtetën dhe rrojti e punoi e luftoi për të gjetur atë. Përpjekja e Nolit identifikohet me përpjekjen e Faustit”.
Por për shkak të rrethanave politike dhe pengesave klanore, përkthimin ia botuan të copëzuar. Pjesa e parë e Faustit u botua më 1957 ndërsa vepra e plotë, ''me redaktime të thella'', më 1987, ndërkohë që shqipëruesi nuk jetonte më.
Lexuesi shqiptar pati fatin ta ketë në gjuhën amtare tragjedinë e shkrimtarit gjerman falë përkthyesit Skënder Luarasi “ personalitet poliedrik i përmasave faustiane. Nëqoftëse Gëtes iu desh të punojë një gjysmë shekulli për t’i dhënë atë shkallë përsosmërie, që e bëjnë “Faustin” një nga 5-6 monumentet më madhore të letërsisë botërore, edhe Skënder Luarasit nuk i mjaftoi gjysmë shekulli jetë që ta shihte të botuar përkthimin në shqip të “Faustit” të plotë.” 163
163 J. Goethe. Fausti, Tiranë, Argeta LMG, 1999. Libër i cituar f.543-552
Botimi i plotë i Faustit sipas dorëshkrimit të Skënder Luarasit u realizua në vitin 1999. Ai u shoqërua me dy shkrime nga Prof. Alfred Uçi dhe Prof. Jup Kastrati.
Botimi i Faustit të plotë, me të dyja pjesët, përbën një ngjarje të shënuar për kulturën shqiptare por “çuditërisht” kaloi në heshtje. Alfred Uçi këtë paradoks e shpjegon me klanet që luftonin Skënder Luarasin, ku përfshiheshin edhe “disa përkthyes ambiciozë ziliqarë të aftë të merrnin forcë nga intrigat e ngatërresat politike që i mbështillnin me analiza letrare”. 164
164 Po aty.
Ai kritikon metodat që janë përdorur për të ulur vlerat e Luarasit dhe thekson se i përmend peripecitë e përkthimit të “Faustit” të Gëtes jo vetëm me nderim të merituar ndaj Skënder Luarasit, këtij mjeshtri të madh të Fjalës shqipe, por edhe për të kujtuar se edhe në fushën e letrave ka rëndësi të respektohen nga seicili parimet e moralit e të drejtësisë.” 165
165 Po aty.
Për vlerat e shqipërimit të Skënder Luarasit kanë bërë komente vlerësuese studjues vendas e të huaj si: F.Nemet, E.Hanko, R. Buchwold, Holtzhauer, Aleks Buda, Jup Kastrati.etj.
M.Lamberci vlerëson parathënien, gjuhën e bukur të përkthimit dhe ndjesinë e thellë dhe dëshëronte të shkruante një reçension për këtë “si shëmbull të një përkthimi që asht besnik kuptimit të origjinalit, por e ka marë me mend e me ndjenjë origjinalin ashtu thellësisht, sa mundet me e dhanë përsëri origjinalin me një mjeshtëri të një poeti të vërtetë.” 166
166 M. LambertZ. Letër dërguar Skënder Luarasit , 6.8.1961. (Fondi i familjes S.Luarasi)
Në analizën interesante të Jup Kastratit cilësohet se Skënder Luarasi ka përkthyer vetëm kryevepra botërore dhe tregohen bagazhi gjuhësor, letrar, artistik, estetik, historik, publiçistik dhe njohuritë që i shërbyen për kurorëzimin me sukses të punës së vështirë.
Argumentohet se shqipëruesi ka arritur të japë një përkthim në lartësinë e duhur të mundësive shprehëse të shqipes; se gjuha e tij është e pastër, e dëlirë; leksiku - i pasur dhe i larmishëm; frazeologjia - tërheqëse; sintaksa - me një fizionomi disi të veçantë, se kur të kompjuterizohet leksiku i përkthimeve të tij atëhere do të dalë në pah, edhe më qartë, rezja e gjërë njohëse e gjuhës amëtare dhe zotërimi i saj aktiv.
“Prof. Luarasi ka derdhur gjithë kujdesin e tij, gjithë dashurinë për Klasikun dhe Olimpikun e Madh të letërsisë reflekse gjermane, Gëten, gjithë nderimin e tij të thellë për këtë kolos gjenial.” 167
167 Goethe; Fausti. Libër i cituar, f. 556.
Vlerësohet tek suksesi i Skënder Luarasit njohja e thellë e gjuhës së origjinalit; njohja e shumanshme e gjuhës amtare ku hyjnë: leksiku adekuat, gjuha e shkathtë dhe poetike, frazeologjia, sintaksa, ekonomia e fjalës dhe tek dhënia e thelbit të filozofisë: platonizmit, spinozizmit e monadologjizmit leibnician brënda dramës metafizike dhe paraqitja si duhet e karakterit universal të tragjedisë; se shpjegoi si duhet artin, shkencën, historinë, traditat popullore, besimet e kota, jetën individuale, jetën shoqërore, të cilat i ndryn në vetvete kjo dramë: poemë simbolike, filozofike e psikologjike. 168
168Po aty.
Përkthimet e Skënder Luarasit “mund t’i përqasim me piedestalin e një përmendoreje. Ai i ngriti vetes një monument lavdie dhe pavdekësie. Ndaj ka gjithë mirënjohjen tonë. Dhe do ta ketë përjetë. E ngriti shqipen në nivelin e gjuhëve më të lëvruara europiane. 169
169 Po aty.
Si në shumë fusha të tjera edhe në fushën e përkthimit, Skënder Luarasi arriti të japë një kontribut madhor me përkthimin e mbi dyzet veprave të rëndësishme të letërsisë botërore duke qenë kështu një nga shqipëruesit më prodhimtarë e më cilësorë shqiptarë.