Guest viewing is limited
  • Përshëndetje Vizitor!

    Nëse j’u shfaqet ky mesazh, do të thotë se ju nuk jeni regjistruar akoma. Edhe pse nuk jeni regjistruar, ju arrini të shihni pjesën më të madhe të seksioneve dhe diskutimeve të forumit, por akoma nuk gëzoni të drejten për të marrë pjesë në to dhe në avantazhet e të qënurit anëtar i këtij komuniteti. J’u lutem:REGJISTROHUNI që të dërgoni postime dhe mesazhe në Forum-Al.

    Regjistrohu !

Skënder Luarasi

Uollt Uitman, Fije Bari (Walt Whitman: Leaves of Grass)
Shqipëroi nga origjinali: Skënder Luarasi (Translated by: Skender Luarasi)

NE TË DY - SA KOHË, QË U GËNJYEM!
Ne të dy - sa kohë që u gënjyem!
Tani, në trup të ndryshuar shpëtojmë shpejt, si shpëton
Natyra;
Jemi natyra - shumë kohë qemë larg saj, po tani kthehemi,
Bëhemi bimë, fije, fletë, rrënjë, lëvozhgë;
Mbështillemi në truall - jemi gurë;
Jemi lisa - rritemi krah për krah drejt hapësirës.
Gjërmojmë - jemi çift kopesh t’egra, zot më vete si kushdo,
Jemi dy peshq që notojmë tok në det;
Jemi siç janë gonxhet - përhapim aromë nëpër lëndina, në
mëngjes e mbrëmave;
Jemi dhe pëgër’ bagëtish e drush e mineralesh;
Jemi dy zogj grabitës - fluturojmë sipër dhe vështrojmë poshtë,
Jemi dy diej - ne vetë e mbajmë peshën, pezull, si top, si yll
jemi si dy kometa;
Ecim në pyll me kthetra a putra - dhe biem pre;
Jemi dy re, para dreke e pas dreke, që endemi në qiell;
Jemi dete të përzier - dy nga ato valët gazmore, që rrokullisen
mbi njëra-tjetrën e lagin njëra-tjetrën.
Jemi siç është atmosfera, pranojmë, përmbajmë, dëbojmë;
Jemi shira, dëborë, të ftohtë, errësira - jemi secili pjellë e
pasojë e lëmshit të dheut,
U vërtitëm rreth e rrotull gjer u kthyem në shtëpi - ne të dy;
U larguam nga të gjitha veç lirisë, nga të gjitha veç gëzimit.
 
Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

SKËNDER LUARASI
PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA LETRARE
PËRSHKRIM BIBLIOGRAFIK I VEPRËS


Nga Petro Luarasi

HYRJE

Punimi, që po paraqesim, synon të ofrojë një informacion sa më të plotë mbi krijimtarinë e Skënder Luarasit duke u përqëndruar në hartimin e një bibliografie të veprës së tij në përputhje me kërkesat e studimit të fushën së bibliotekonomisë.
Një ndërmarje e tillë është sa e vështirë, aq edhe delikate po të kemi parasysh shtrirjen në kohë dhe shpërndarjen e materialeve. Për më tepër, prezantimi i veprës së Skënder Luarasit nuk do mund të kuptohej si duhet pa e ndërthurur me personalitetin e veprimtarinë e tij, të bazuar në sintezën e një informacioni të gjerë, të vjelë për një kohe të gjatë në forma të ndryshme.
Zgjidhja e detyrës do të orientohet edhe nga disa çështje që i kemi trajtuar në artikuj e studime të publikuara më parë, të cilat do t’i përdorim sipas kritereve shkencore në shërbim të temës.
Kur analizohet një personalitet i shquar me veprimtari në shumë fusha, është e rëndësishme të përcaktohen motivimi i tij, veçoritë e personalitetit, faktorët që kanë ndikuar, drejtimet, rezultatet e veprimtarisë dhe vepra konkrete.
Ndaj punimin e kemi ndarë në dy pjesë të ndërlidhura me njëra-tjetrën ku personaliteti dhe veprimtaria e Skënder Luarasit i paraprijnë përshkrimit bibliografik të veprës së tij. Në përcaktimin dhe shtjellimin e temës jemi mbështetur tek fakti i rëndësishëm që Skënder Luarasi kurrë nuk e ndau fjalën nga vepra. Në prozën poetike “Fjala Shqipe”, ai shkruan simbolikisht mbi Fjalën Shqipe dhe Veprën. Ai thekson se në fillim qe Fjala, më pas Fjala u shkrua në Abetare dhe Abetarja përhapi Dritën. Në këtë rrugëtim të vështirë qenë Shenjtorët e saj, martirët dhe mjeshtrit që i dhanë Fjalës Shqipe fytyrë, frymë, fuqi dhe krahë Shqiponje për të flatruar anembanë vatrës stërgjyshore ku ngriti çerdhe në zemrën e të gjithë popullit duke e nxjerrë nga Errësira në Dritë: të rilindur, të bashkuar, të ndritur.
Ai shpreh besimin që mendja shqiptare do të dijë ta shkruajë Fjalën Shqipe në Librin e Qytetërimit: “Dashtë fati i mirë i Shqipërisë që Fjala Shqipe të fitojë në bukuri dhe mbarësi...Kuptimi i vjetër ia lëshoftë vendin mendimit të ri! Dhe Fjala Shqipe u bëftë Vepër!”
Skënder Luarasi vlerësohet nga bashkëkohësit si një nga personalitetet më përfaqësues të inteligjencies shqiptare në shekullin XX, me veprimtari të gjerë atdhetare-demokratike-antifashiste, mësues edukator e pedagog, biograf, publicist, përkthyes, dramaturg, etj.
Ai e ka nisur krijimtarinë letrare që në moshën 17-vjeçare duke krijuar për 65 vjet një vepër madhore në shumëllojshmëri, sasi e cilësi. Shkrimet e tij dallohen për nga forma e stili, gjuha e pasur e brendia, ritmi e muzikaliteti, shumëllojshmëria e portreteve dhe shtrirja e tematikës, ndërthurja e kulturave, e zhanreve letrare e publicistike. Ai shfaqet diku si idealisti rilindas i “Shqipërisë zonjë”, diku si një realist që përballet me gjendjen e rëndë sociale, ekonomike, arsimore e kulturore të vendit, i ndjeshëm si për nevojat e popullit shqiptar dhe të mbarë popujve të botës. Ideali i tij u shpreh si në përballje me armiqtë e lirisë e demokracisë në Shqipëri dhe kundër fashizmit për mbrojtjen e republikës spanjolle (1936-1939).
Tematikat e shkrimeve me karakter atdhetar, demokratik e antifashist, ndërthurja e subjektit romantik me realizmin kritik, dëshmohen veçanërisht në revistat “Studenti”, “Dialëria” e “Vullnetari i Lirisë”, të cilat i drejtoi vetë, por edhe në ato dhjetra organe të censuruara para e pas çlirimit të Shqipërisë.
Për shkak të bindjeve demokratike antifashiste u burgos tre herë nga rregjimi i Zogut, vuajti kampet e përqëndrimit të kolaboracionizmit francez e të nazizmit gjerman dhe u përndoq nga regjimi i Hoxhës. Ndërkohë që në mjaft raste iu pengua dhe ndalua botimi.
Këto rrethana kanë ndikuar që personaliteti, veprimtaria dhe vepra e Skënder Luarasit nuk janë njohur, studjuar, evidentuar e vlerësuar si duhet mbi baza shkencore.
Duke analizuar rrethanat historike e politike, ngjarjet dhe faktet, nuk është e tepërt të thuhet se harresa apo vlerësimi sipërfaqësor i veprës letrare të Skënder Luarasit rrjedh nga:
-Krijimtaria letrare e shtrirë në vende të ndryshme, në shumë organe, në një periudhë të gjatë kohore.
-Aktiviteti politik e shoqëror që shpesh e ka detyruar të botojë si anonim, me iniciale apo pseudonime.
-Përndjekja e rregjimeve jodemokratike gjatë etapave përkatëse në Shqipëri si pasojë e aktivitetit dhe karakteri jokonformist të Skënder Luarasit që ka lënë gjurmë edhe tek mendimi kritik. Ajo shfaqet diku haptas, diku e zbukuruar me hipoteza apo opinione të përpunuara sipas interesave të caktuara.
-Klane e individë që nisen nga interesa subjektive jashtëletrare.
Edhe disa studjues dashamirës e seriozë, të paorientuar si duhet, nuk ia kanë arritur që të njohin dhe interpretojnë të vërtetën e dokumentuar të jetës, veprimtarisë dhe veprës së tij letrare, madje, në disa raste, ia kanë tjetërsuar.
Nuk mund të mohoet që në dy dekadat e fundit, në periudhën e demokracisë, në kuadër të mendimit të hapur e të lirë, janë shkruar artikuj të shumtë, poezi e libra, janë zhvilluar aktivitete letrare e kulturore që kanë vlerësuar personalitetin, veprimtarinë dhe disa anë të veprës së Skënder Luarasit. Përgjithësisht ai përmendet në fushën e përkthimeve, më pak në punimet biografike dhe pothuajse aspak si duhet në publicistikë, pedagogji, studimet historike dhe dramaturgji. Përkundër ndonjë kapitulli përshkrues, ende nuk i është botuar ndonjë biografi apo bibliografi. Vepra e tij ende nuk përfshihet në tekstet shkollore, universitare dhe botimet akademike ndërkohë që vërehen referime ndaj krijimtarisë së tij në libra, periodikë dhe në burimet elektronike.
Me ndryshimet demokratike, qeveritë e ndryshme në Shqipëri e Kosovë e kanë vlerësuar Skënder Luarasin për personalitetin, veprimtarinë dhe veprën e tij me dekorata të larta, emërtime institucionesh arsimore e kulturore dhe aktivitete letrare artistike si p.sh.me filmin dokumentar “Njeriu i fjalës së lirë”.

* * *

Pjesa e dytë e punimit bazohet në drejtimin profesional të shkencës së bibliotekonomisë dhe i kushtohet paraqitjes e përshkrimit bibliografik të veprës (origjinale e të përkthyer) të Skënder Luarasit.
Ajo synon të pasqyrojë për herë të parë, pothuajse të plotë, krijimtarinë e tij 65-vjeçare (1917-1982) si biograf, publicist, dramaturg, përkthyes, pedagog etj., që nga botimi i tij i parë në moshën 17-vjeçare.
Ky punim i shton vargut të bibliografive të përfaqësuesve të kulturës e letrave shqipe si Naim Frashëri, Migjeni, Lasgush Poradeci, Eqerem Çabej, Dritëro Agolli, Petro Marko, Jup Kastrati, Shaban Demiraj e të tjerëve, atë mbi një tjetër personalitet i cili, pavarësisht nga përndjekjet politike e pengesat klanore, krijoi e botoi një vepër të begatë.
Në këtë bibliografi Skënder Luarasit i paraqiten shkrime të botuara në 56 organe brenda e jashtë vendit ku figuron me identitet të mirëfilltë apo të ndryshëm (Skënder Nini, Skënder P. Nini, Skënder P. Nini-Luarasi), me iniciale (S.L, L.,) me pseudonime (S.Raullasi, Lek Petroni) dhe anonim.
Bibliografia është e ndarë në katër rubrika dhe përmban vepra të botuara (bibliografi, përmbledhje publicistike, drama, tekste mësimore), shkrime origjinale të botuara në periodikë, botime vepravesh të përkthyera dhe përkthime të tjera të botuara në periodikë .
Ajo ka renditje kronologjike d.m.th. botimet janë renditur sipas vitit dhe përbrenda rubrikës janë renditur alfabetikisht.
Në bibliografi shkrimet publicistike janë të komentuara me qëllim që të rritet shkalla e njohjes dhe e vlerësimit të tyre.
Bibliografia ofron një aparat të pasur informativ nëpërmjet gjashtë lloj treguesish. Atje jepet treguesi alfabetik i veprave dhe i shkrimeve të botuara, treguesi alfabetik i autorëve të krijimeve të përkthyera, treguesi alfabetik i titujve të krijimeve të përkthyera, treguesi kronologjik i veprave dhe artikujve të botuara, treguesi kronologjik i përkthimeve të botuara dhe treguesi alfabetik i organeve të periodikut, në të cilat janë botuar pjesë të veprës letrare dhe përkthime nga Skënder Luarasi.
Për hartimin e bibliografisë janë shfrytëzuar burime të ndryshme informative, klasike dhe elektronike, bibliografitë kombëtare retrospektive e korrente, të periodikut e librit shqip, fondi i shtypit dhe i librit të Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, të Bibliotekës së Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë, të Bibliotekës së Akademisë së Shkencave e Fakultetit të Histori-Filologjisë, fondet e bibliotekave publike në Elbasan, Shkodër, Durrës, Korçë, Vlorë. Janë shfrytëzuar katalogu elektronik i Bibliotekës Kombëtare Universitare të Kosovës, i Bibliotekës elektronike “Besa” të Kozencës, etj. Gjithashtu janë konsultuar e përdorur shkrime nga fondi i familjeve të Skënder Luarasit, Lasgush Poradecit, Aleks Budës e Petro Markos, janë kryer konsultime me pjesëtarë të familjeve të tyre, me farefis, bashkëpunëtorë, miq, nxënës e studentë.
Mbi bazën e informacionit janë zbuluar libra, artikuj e përkthime të panjohur, të botuar nga Skënder Luarasi në shtypin shqiptar e të huaj. Gjithashtu përmenden libra e artikuj të pabotuar apo “të humbur” por pa i përfshirë në bibliografinë e veprës së botuar.
Treguesi i veprave dhe shkrimeve të Skënder Luarasit është paraqitur me titull për të mos përsëritur emrin e tij ndërsa për autorët e tjerë është përdorur emërtimi si në gjuhën e tyre të origjinalit.
Për inicialet, anagramat dhe pseudonimet e identifikuara, janë përdorur shënime referuese, që sqarojnë identitetin e vërtetë të tij.
Me këtë bibliografi të veprës së Skënder Luarasit, të shoqëruar me shpjegime plotësuese mbi jetën, veprën, personalitetin e veprimtarinë, tentojmë të kontribuojmë sado pak, në njohjen më në detaje të figurës dhe vlerave të tij duke shpresuar që të tjerë të interesuar në lëmin e studimeve në fushë të gjuhësisë, letërsisë, publicistikës, pedagogjisë, historisë, dramaturgjisë, do të dinë të nxjerrin në pah më shumë aspekte dhe do ta thellojnë më tej analizën.
Objekti. Tenton të japë një informacion sa më të plotë mbi krijimtarinë e Skënder Luarasit me një përshkrim bibliografik të veprës së tij (punime origjinale dhe përkthime). Këtij objekti i paraprin njohja e personalitetit dhe veprimtarisë së tij mbi bazën e parimit të unitetit të Fjalës me Veprën, të cilat ai nuk i ndau kurrë.
Metoda. Qasja ndaj objektit bazohet tek kërkimet në arkiva shtetërore e private, në botime periodike, në vepra të gjinive të ndryshme, tek kritikat letrare, intervistat, korespondencat, shkrime e kujtime bashkëkohësish dhe botimet e ndryshme bibliografike.
Risia. Shton njohjen e veçorive të personalitetit dhe anë të veprimtarisë së Skënder Luarasit.
-Plotëson, në mënyrë gati shterruese, njohjen e veprës së botuar të tij me krijimtari origjinale, dramaturgji, publicistikë, tekste mësimore, përkthime veprash e pjesësh letrare.
-Ofron të dhëna të reja në shërbim të historisë së publicistikës, dramaturgjisë shqiptare dhe mendimit pedagogjik.
-Për herë të parë botohet një bibliografi e mirëfilltë për veprën e tij.
Në vijim të përshkrimit të kapitujve të lëndës theksojmë që i kemi kushtuar rëndësi analizës së fakteve që i shërbejnë njohjes së veprës së Skënder Luarasit në përgjithësi, sipas këndvështrimit të fushës së bibliotekonomisë dhe jo analizës teorike në fusha të tjera, të cilat shpresojmë t’i kryejnë specialistët përkatës.
Struktura:
Punimi paraqitet në dy pjesë që ngjizin me njëra-tjetrën personalitetin, aktivitetin dhe veprën e Skënder Luarasit me bibliografinë e krijimtarisë letrare të botuar.
Pjesa e parë:
1. Në kapitullin e parë kemi dhënë një pamje të përgjithshme të ambjentit në të cilin u lind e u rrit Skënder Luarasi: krahina e Kolonjës, fshati Luaras dhe familja Kostallari-Luarasi me veçoritë përkatëse.
Besojmë se kjo do të ndihmojë për të krijuar një përfytyrim të qartë të gjenezës së Skënder Luarasit që ndikoi në personalitetin dhe botëkuptimin e tij.
2. Në kapitullin e dytë kemi dhënë në mënyrë të përmbledhur jetën dhe veprën e Skënder Luarasit, ngjarjet e datat kryesore, të cilat japin një ide të përgjithërishme mbi jetën, veprimtarinë politike, arsimore e social-kulturore dhe veprën e tij letrare, të botuar dhe të pabotuar, duke përmendur edhe shkrimet “e humbura”.
3. Në kapitullin e tretë kemi trajtuar personalitetin e Skënder Luarasit: veçoritë e faktorët ndikues, tiparet kryesore të tij si njeri e intelektual dhe disa mendime të bashkëkohësve për traditën “Skënder Luarasi”.
4. Në kapitullin e katërt tregohet aktiviteti i përgjithshëm i Skënder Luarasit: si pedagog,
të veprimtarisë politike, shoqërore, arsimore e kulturore, të ndarë nga krijimtaria letrare.
5. Në kapitullin e e pestë kemi trajtuar veprën letrare të Skënder Luarasit. Do të përqëndrohemi në evidentimin e gjinive letrare: punimet biografike, publicistikë dhe përkthimi i veprave. Do të përmendim vetëm krijimet të cilat i gjykojmë si më përfaqësuese.
6. Në kapitullin e gjashtë kemi shprehur përfundimet përkatëse të punimit.
Në përfundim, por mbi të gjitha, falenderohen përzemërsisht Prof. Bashkim Gjergji për kurajon e ofruar dhe drejtimin profesional, Prof. Hamit Boriçi e Maksim Gjinaj për konsulencën dashamirëse dhe familjet Poradeci, Buda e Marko për materialet e përzemërsinë e shprehur.
Pjesa e dytë:
1.Në ndarjen e parë të bibliografisë jepet vepra e botuar e cila përmban monografi, drama, përmbledhje letrare dhe publicistike me kriteret përkatëse.
2.Në ndarjen e dytë paraqiten shkrime të botuar në periodikë të ndryshëm, vendas e të huaj. Ajo a jep një ide të qartë të llojit të zhanrit dhe tematikës së publicistikës së autorit
3.Në ndarjen e tretë jepen veprat e përkthyera.
4.Në ndarjen e katërt jepen përkthime të botuar në organe të ndryshme të periodikut shqiptar
5.Në ndarjen e pestë paraqiten disa tregues bibliografik: treguesi alfabetik i veprave dhe i shkrimeve të botuara, treguesi alfabetik i autorëve të krijimeve të përkthyera, treguesi alfabetik i titujve të krijimeve të përkthyera, treguesi kronologjik i veprave dhe artikujve të botuara, tregues kronologjik i përkthimeve të botuara dhe treguesi alfabetik i organeve të periodikut, në të cilat janë botuar pjesë të veprës letrare dhe përkthime nga Skënder Luarasi.

Falenderim
Në përfundim, por mbi të gjitha, u shprehet mirënjohja e thellë Prof. Bashkim Gjergji për kurajon dhe ndihmën profesionale, Prof.Hamit Boriçit e Maksim Gjinaj për ndihmesën dhe dashamirësinë, familjeve Poradeci e Buda e Marko për materialet e ofruara dhe konsulencën.
 
Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

Petro Luarasi

PJESA E PARË
SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA


I AMBIENTI KU U LIND E U RRIT SKËNDER LUARASI

1. Krahina e Kolonjës.
Ndodhet në skajin jug-lindor të kufirit administrativ të Shqipërisë dhe dallohet për kontrastet natyrore e klimaterike.2
2 Rrugëtimi përgjatë Krahinës Malore Qendrore, pasi kalon rrafshinën korçare, përballet në jug-perëndim me masivin shkëmbor të Qafës së Qarrit. Përtej shfaqet pllaja madhështore e Kolonjës: në një anë mali i Gramozit ku të rrok syri kullota, në anën tjetër mali i Zi me pyje pishe dhe tej majtas feks maja e Çukapecit. Rrëzë malit Gramoz shtrihen njëri pas tjetrit fshatrat; Butka, Bezhani, Starja, Rehova, më poshtë Erseka, më lart Prodani, më tej Borova dhe Qafa e Badrës prapa së cilës gjenden Poda, Gërmenji, Leskoviku dhe më poshtë Melesini e Postenani. Më të djathtë, rrëzë malit të Zi, dallohet Vithkuqi, Selenica, Qyteza, majat e Qelqëzës, prapa së cilës fshihet Frashëri dhe mbyll horizontin mali i Dhëmbelit. Në qendrën e kësaj treve madhërisht të bukur, anës së majtë të rrjedhës së Osumit, dergjen fshatrat Qafëzez, Vodicë, Gostivisht dhe në të djathtë, mbi kodrat, ngrihen mëhallat e fshatit Luaras. Kolonja dallohet për ashpërsinë e dimrit dhe verën e freskët por klima është zbutur në krahasim me të shkuarën kur thuhet se dëbora shkonte në lartësinë e avllive.
Vrojtimet në terren dhe gërmimet arkeologjike, kanë provuar se ajo përfaqëson një nga rajonet më të pasura të qytetërimit prehistorik, brenda vendit tonë e më gjerë në rrafshin ballkanik. “Krahina e Kolonjës është banuar në lashtësi nga fisi ilir i Desaretëve. Vendbanimi neolitik i Kamnikut, fortifikata e Gradecit e Kalaja e Hollmit, tumat ilire në Prodan e Rehovë... provojnë lashtësinë e vendbanimeve në këtë trevë” 3
3 S.Aliu.Tumat e Luarasit, Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2004, f.9.

Kolonjarët historikisht kanë qenë të prirur për të njohur popuj e vende të huaja. Në lashtësi banorët e Kolonjës kanë qenë të orientuar drejt qytetërimit egjean, në udhëtimet e tyre shfrytëzonin kryqëzimin e rrugëve adriatiko-egjeniane dhe luginat e lumenjve Osum e Langaricë. Punëtorë prej fshatrave të Kolonjës, nga Bezhani, Shtika, Rehova, Vodica, Gërmenji, i gjejmë që në shekullin e 19-të në Bullgari, në Turqi, në Rumani, në Rusi. Punëtorët e Perasit, të Gostivishtit e të Lëngëzës, të dalluar si mjeshtër e sharrëxhinj, shkonin për të ushtruar zanatin e tyre në Mal të Shenjtë, nëpër qytetet e bregdetit grek; nga Kallabaka dhe Janina arrinin gjer në Athinë e në Patër të Moresë.
Kur ktheheshin nga kurbeti, u sillnin familjeve kursimet por edhe përvojë apo ndonjë lajm mbi jetesën e popujve, luftën e tyre për liri e një jetese më njerëzore.
Kultura e traditat e pasura kolonjarë, ku ndihet ndikimi i faktorëve të brendshëm e të jashtëm, shfaqen tek muzika karakteristike, vallet e veshjet tradicionale, të cilat i kanë ruajtur e zhvilluar ndër shekuj, në fushën e folklorit gojor, instrumental, koreografik e vokal si dhe tek zejet tradicionale që i kanë ruajtur brez pas brezi.
Në shekullin I të erës sonë Kolonja ishte pjesë e zotërimeve të Muzakajve me kryeqendër në Berat. Në shekullin V-IX u pushtua nga sllavët dhe më pas nga turqit, të cilët kanë lënë toponimet e tyre. Qyteti i Ersekës është qendra kryesore e Kolonjës, i themeluar në fillim të shekullit XVIII. 4
4 Nga ana gjeografike dhe etnokulturore Kolonja përfshin malin e Gramozit me fshatrat në të dy faqet e tij lindore e perëndimore, qafën e Kazanit në veri deri në urën e Shalësit në jug. Në të bëjnë pjesë edhe fshatrat e Osumit të sipërm e të përrenjve që derdhen deri në Orgockë me zonat e Vithkuqit dhe të Vakëfeve. Nga krahina e Leskovikut e ndan lumi i Podës.
Kolonjarët janë krenarë për traditat atdhetare, liridashëse e arsimdashëse dhe vlerësohen si njerëz punëtorë dhe me kulturë. Nga kjo trevë e kane origjinen e kanë dalë mjaft ideologë të shquar, publicistë të talentuar, mesues të perkushtuar ndaj shkollës e arsimit shqip, si dhe kapedanë trima që kanë zënë vend nderi në panteonin e kujtëses sonë kombëtare. Treva e Kolonjës dhe fshatrat e saj janë të ngarkuara me ngjarje e emra të shënuar ndaj dhe shpesh përmenden në histori me emrat e përfaqësueve të tyre si Poda e Zylyftarit, Postenani i Jani Vretos, Vithkuqi i Naum Veqilharxhit, Gërmenji i Themistëkliut, Luarasi i Petro Ninit, Butka e Saliut, Prodani i Zalos, Qyteza e paraardhesve të Fan Nolit apo Perasi i Qiriazëve.
Në Periudhën e Rilindjes Kombëtare, pas disfatës së Lidhjes së Prizrenit, patriotët kolonjarë, të përkushtuar për të çelur shkolla në gjuhën amtare u ndeshën me Portës e Lartë të Stambollit dhe Patrikanën greke të cilat kishin qëndruar gjithmonë krah për krah për pushtimin dhe asimilimin e kombit shqiptar. Ndërkohë mjaft shqiptarë, duke mos e njohur njëri-tjetrin si bashkëkombas, vriteshin për të huajt e përkatësinë fetare.
Përgjithësisht në Kolonjë djenjat atdhetare kanë qenë të forta edhe në kohët më të vështira për shqipëtarët. Sulltani nuk i bëri dot turq myslimanët kolonjarë dhe Patrikana nuk i bëri dot grekër ortodoksët e kësaj krahine.
Që në fillim të rilindjes sonë kombëtare kolonjarët e provuan patriotizmin e tyre për shkollat kombëtare shqipe dhe luftuan deri në fund kundër tiranisë së sulltanit dhe politikës shoviniste të kishës greke. Zylyftar Poda dhe Naun Bredhi, Zyko Kamberi dhe Petro Nini Luarasi qenë disa nga këta atdhetarë të përkushtuar kolonjarë.

2. Fshati Luaras
Njihet si një nga fshatrat më të shquar të trevës së Kolonjës, me gjenezë e rrënjë të shtrira thellë në lashtësi. Gjurmët më të hershme i perkasin epokës së Neolitit të përfaqësuara nga kultura materiale e zbuluar në vendbanimin e Gurit të Ninës. Me dhjetra gjurmë ilire ndodhen mbi shpatet veriore të tij në lagjen Zizkollarë. “Mbështetur mbi materialet e gjetura mendojmë se shek. XIV para Krishtit shënon një kufi të pranueshëm për fillimin e ndërtimit të kësaj tume në Luaras. 5
5 S. Aliu. Tuma e Luarasit, Libër i cituar, f.136.
Prova të tjera janë platforma me varre në sheshin e Pradellës, varri monumental në vendin e quajtur ‘’Lisi i Madh’’, dy kalatë: njëra te Shkëmbi i Madh e tjetra te Guri i Ninës, dhe qindra objekte muzeale me vlera të rralla.
Ndër shekuj Luarasi u shkatërrua disa herë dhe disa lagje të tij mbetën të shkreta. 6
6 S.Luarasi. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar : Kujtime në dorëshkrim, V.1, f. 96. (Fondi familjar S.Luarasi)
“Historia e Luarasit është e mbushur me ngjarje tragjike shkatërrimesh e plaçkitjesh nga pushtimet e huaja që lanë kudo gërmadha fshatrash si Valanji, Kisha e Keqe, Arat e Zeza, Qyteza e Vjetër, Lisi i Madh, Perasi, Përrenjasi, Petranji, Haskaj. Në pjesë e kaptuan malet e Pindit e arrinë në Maqedoni ku ngrehën shtëpi të ra nëpër fshatra ku banonin të tjerë shqiptarë, si në Negovan, Bellkamen, Lehovë, Ellovenë e Sipërme, Sllovë, Pleshovicë e tjera katunde rreth Follorinës e Manastirit.”
Në shekullin XIX Luarasi përmendet si fshati më i rëndësishëm i krahinës së Kolonjës, si “sofra e parë kolonjare”, për rangun e ofiqarëve të Perandorisë Otomane, me dy oxhaqet e lidhura ngushtë me Portën e Lartë të Stambollit, të përfaqësuara nga Xhafer Beu i Shkëmbit dhe Mehmet Be Alltëni.
“Në fund të shekullit XIX Luarasi kishte mbi 200 shtëpi të shpërndara në 10 mëhalla, ortodokse e myslimane të emërtuara: Mal, Kostallarë, Penkollarë, Pepillarë, Priftanj,
Frëngjas, Mujollarë, Gurakë, Ziskollarë e Matorukë”. 7
7 S.Luarasi. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar, Libër i cituar, f.14

Banorët e tij dalloheshin për tolerancën fetare, traditat dhe nivelin kulturor që pasqyrohej në aktivitetet e ndryshme që zhvilloheshin me rastin e festave fetare e familjare ku shpaloseshin kostumet popullore, këngët, vallet dhe zakonet e moçme. Përfaqësuesit e tyre të shquar Petro Nini Kostallari-Luarasi, Kristo Papa Stefan - Luarasi e dhjetra të tjerë u dalluan në veprimtaritë atdhetare brenda e jashtë vendit.

3. Familja Kostallari-Luarasi.
Në fillim të shekullit XX familja e Skënder Luarasit banonte në një shtëpi dykatëshe prej guri në ballë të sheshit të mëhallës Kostallarë, e themeluar nga Kosta, paraardhësi i 12-të i kreut të shtëpisë, Petro Nini Luarasi, i cili në fshat njihej edhe me mbiemrin Kostallari. Në familjen Kostallari emrat më të përsëritur brez pas brezi kanë qenë Kostandin (Nini) dhe Petro. Nga gojëdhënat, vetëm njëri nga djemtë e Kostës, Sotiri, qëndroi në shtëpinë e tij, ndërrsa të tjerët u larguan në Stamboll, Volo e Athinë.
Petro N.Luarasi kishte tre motra dhe ishte martuar me Lina Sevon nga Luarasi. Petro qe bërë i njohur për kontributin e tij të gjithanshëm në organizimin e lëvizjes kombëtare e çeljen e shkollave shqipe. Atdhetarët dhe populli atë e vlerësonin për mençuri dhe trimëri. Trimërinë thuhej se e trashëgonte nga geni i gjyshes, Vasile Naun Pando nga Gostivishti, nëntë vëllezërit e së cilës i qenë vrarë me armë në dorë. Nga kjo familje rridhte edhe heroina atdhetare Paro Kita, e cila gjithashtu u vra nga forcat pushtuese greke.
Petro N. Luarasit i jetuan më gjatë dy djem (Dhimitri e Skënderi) dhe dy vajza (Thomaidha e Shega). Sipas ritit ortodoks emrin e fëmijës duhej ta zgjidhnin dhe ta pagëzonin vetëm nuni e ndrikulla. Kur lindën dy fëmijët e parë, Petro Nini Luarasi gjendej në Bukuresht e Stamboll, ndërsa për të tjerët u gjend në atdhe dhe këmbënguli që tu vihen emra shqiptarë Skënder e Shega. 8
8 S.Luarasi. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar, Libër i cituar, f.21.
“Aq fort pati rënë në sevda me emrin e heroit tonë kombëtar sa, me siguri, e pati vendosur të ma vinte emrin Skënder, po të lindja djalë, jo Gjergj, jo Aleksandër, por Skënder. Dhe vërtet kështu më quajtën, për të keqen e vetë nunit, për të keqen e tim eti dhe timen, për të keqen e të gjithë atyre që më vonë, duke patur mbiemrin Luarasi, u pagëzuan me emrin Skënder.”
Skënder Luarasi kujton rrethanat e pagëzimit dhe si i ati lajmëroi autorin e poemës “Histori e Skënderbeut”, mikun e tij Naim Frashëri, se i kishte lindur një djalë të cilit ia vuri emrin Skënder. Naim Frashëri i gëzuar, iu përgjigj: “Skënderi u bëftë 100 vjet dhe i ngjaftë t’et”. Skënder Luarasi krenar për emrin dhe “kumbarin” e tij thoshte: “Kam bekimin e Naim Frashërit unë!” 9
9 S.Luarasi. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar, Libër i cituar, f.5
 
Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

Petro Luarasi

SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

II JETA DHE VEPRA

1. Biografi
Skënder Petro Luarasi u lind në Luaras të rrethit të Kolonjës, më 19 janar 1900. Kreu arsimin fillor në mësonjëtoret shqipe të drejtuara nga i ati, Petro Nini Luarasi, në Korçë (1909) e Negovan (1910-1911). Në vitin 1912, me rekomandim të shoqërisë atdhetare “Përparimi”, nisi studimet në Robert Kolegj, Stamboll-Turqi me bursë nga Fondacioni amerikan Charles Crane. Pas një viti u kthye në atdhe për të ndihmuar familjen që po përndiqej nga forcat pushtuese greke dhe i ndërpreu studimet pasi autoritetet greke ia mohuan lejen e kalimit. Më 1916 emigroi në Sh.B.A ku studjoi në “Easton Academy” dhe “American International College”-Springfield Mass, në Sh.B.A, deri në vitin 1920. Në këtë periudhë u dallua si veprimtar atdhetar, qe inisiator e një nga themeluesit e shoqërisë Lidhja e Studenteve Shqiptarë (1918) dhe editor i organit të saj, Studenti (1920) ku botoi disa artikuj. Së bashku me të vëllanë, Dhimitrin, iu përgjigj thirrjes së Kongresit të Lushnjës për të kontribuar në Shqipëri. Për dy vjet punoi si sekretar e mësues në shkollat e Kryqit të Kuq të Rinisë Amerikane në Elbasan. Me bursë të shtetit shqiptar studjoi në Austri në Gjimnazin Klasik, Fraishtadt (1922-1926) dhe u diplomuar në Fakultetin e Filozofisë të Vjenës (1930) në degën Letërsi Moderne.
Skënder Luarasi qe përkrahës i bindjeve politike të Fan Nolit. Së bashku me të vëllanë iu gjendën me armë në dorë në ditët e fundit të qeverisjes dhe e përcollën kur u largua përgjithnjë nga vendi.
Në vitet 1926-1927 ai u zgjodh kryetar i shoqërinë “Albania” të studentëve shqiptarë në Austri dhe editor i organit të saj, “Djalëria”. Për shkak të qëndrimit politik, një artikulli që botoi më 28 nëntor 1927 në revistën “Djalëria” dhe protestës ndaj shpalljes së Shqipërisë monarki, iu pre bursa nga shteti shqiptar dhe më pas u arrestua.
Pasi përfundoi studimet, ministri i arsimit Hilë Mosi e ndihmoi të punësohej si arsimtar në Shkollën Teknike Amerikane (1930-1931). Për shkak të pikëpamjeve e veprimtarisë së tij “të padëshiruar” e transferuan në disa shkolla të mesme: në Institutin Tregëtar të Vlorës (1931-1933), në gjimnazin e Tiranës (1933-1934), në gjimnazin e Shkodrës (1934-1935), ku drejtoi edhe konviktin e saj “Malet tona” si dhe sërish në gjimnazin e Tiranës (1936). Në këtë periudhë kreu një veprimtarisë të gjerë social-kulturore e emancipuese me nisma, eskursione dhe grupe teatrale rinore, kontribuoi për zhvillimin e arsimit në frymë kombëtare, laike, demokratike e antifashiste dhe ndihmoi në organizimin e disa shoqatave dhe revistave progresive. Skënder Luarasi konsiderohej një nga përfaqësuesit më elitarë të inteligjencies së re shqiptare, i cili u vu nën shënjestrën e agjenturës fashiste dhe u persekutua nga regjimi që e burgosi tri herë: në janar 1928, në janar 1931 dhe në gusht 1935. Ndonëse gjendej në kushte të vështira, i ndaluar dhe i censuruar, u dallua në krijimtarinë letrare: në publicistikë, dramaturgji dhe përkthime.
Në 14 dhjetor 1936, Skënder Luarasi u nis vullnetarisht për të mbrojtur Republikën Spanjolle në luftë kundër intervencionit nazi-fashist. Nga dokumentat arkivore provohet që ai është i pari antifashist që u nis drejtpërdrejt nga Shqipëria për në Spanjë duke u bërë shembull për disa nga nxënësit, shokët e një shoqe, Justina Shkupin, të cilët e pasuan. Duke vlerësuar personalitetin e tij, shtabi i Brigadave Ndërkombëtare i besoi detyra të rëndësishme si përgjegjës i vullnetarëve shqiptarë në Shtabin Ballkanik, shef i propagandës dhe i censurës, redaktimin dhe botimin e revistës “Vullnetari i Lirisë” në gjuhën shqipe (për daktilografimin e materialeve dhe si gazetar kontribuoi Petro Marko). Ndërkohë ai përgatiti dhe transmetoi disa emisionet radiofonike në gjuhën shqipe nga radiot Valencia, Madrid e Barcelona. Ato janë të parat programe shqip në historinë e radiodifuzionit shqiptar dhe me platformë antifashiste.
Në këtë periudhë, shkroi disa artikuj në revistën “Vullnetari i Lirisë” dhe në organe të tjera.
Mbas marrëveshjes për largimin e forcave të Brigadave Ndërkombëtare, në 13shkurt 1939, Skënder Luarasi u largua nga Spanja për në Francë, ku vuajti persekutimin në kampet e përqëndrimit në St.Cuprien, Gurs, Vernet dhe Bordo. Dashuria dhe malli për atdheun e familjen, dëshira për të kontribuar sa më shumë për Shqipërinë e lirë, bëri që përkundër kërkesës së vëllait dhe Fan Nolit, në vend të SHBA të zgjidhte riatdhesimin.Pas nëntë vitesh lufte e vuajtjesh në Spanjë e Francë, më 13 qershor 1945, Skënder Luarasi u kthye në Shqipëri. Në fillim u mirëprit nga personalitetet më të larta të qeverisë, u zgjodh përfaqësues i Kolonjës në Kongresin e Parë të Frontit Demokratik dhe deputet i Kolonjës për një legjislaturë. Gradualisht u përball me realitetin antidemokratik, me presionet dhe interesat joparimore të disa klaneve të përkrahura nga kreu i diktaturës me të cilin që në takimin e parë pati mospërputhje mendimesh.. Për pasojë, edhe ndaj Skënder Luarasit u zbatua principi “ Ose me ne, ose kundër nesh. Rrugë të mesme s’ka!”
Skënder Luarasi punoi kryesisht si arsimtar në shkollat e mesme të Tiranës: në liceun e Tiranës dhe Teknikumin Financiar (1946-1948), në Institutin e Shkencave (1949-1954), në Ndërmarrjen e Botimeve Shtetërore (1954), në shkollën pedagogjike, në Institutin e Gjuhësisë dhe të Historisë dhe në Universitetin e Tiranës. Më 1960 kontribuoi në çeljen e degës së gjuhës angleze, të cilën e drejtoi për disa vjet. Në vitin 1967 e nxorën në pension. Luarasi qe në grupin nismëtar të themelimit të Lidhjes së Shkrimtarëve.
Në mbledhjen themeluese mbajti fjalimin programatik që u diskutua në dy ditë dhe drejtoi një seancë të mbledhjes.Gjithashtu u zgjodh për disa muaj anëtar i bordit të botimit të organit të lidhjes së shkrimtarëve, ku botoi disa artikuj e përkthime. Për shkak se kundërshtoi metodat antidemokratike të udhëheqjes dhe përkrahu Sejfulla Malëshovën e përjashtuan si anëtar nga lidhja e shkrimtarëve. Më pas përballoi përndjekje të gjerë, ia hoqën të drejtën e botimit dhe ia fshinë emrin nga tekstet shkollore dhe botimet e ndryshme. Edhe pas ripranimit në Lidhjen e Shkrimtarëve, në vitin 1954, ndonëse për fasadë respektohej, iu kufizuan përgjithnjë të drejtat e botimit pasi etiketohej shkrimtar borgjez, i cili nuk pajtohej me normat e realizmit socialist. Në këtë periudhë botoi kryesisht përkthime, biografi historike, një dramë dhe artikuj studimorë e me tematikë historike Shpesh veprat e shkrimet nuk i botoheshin, i përgjysmoheshin, madje në disa raste edhe i shtrembëroheshin qëllimisht duke i shtuar paragrafe te papërshtatshme. Nën këto kushte të vështira, Skënder Luarasi arriti të botojë një pjesë të krijimtarisë së tij deri sa u nda nga jeta më 27 prill 1982.
Deri në vitin 1990 krijimtaria e tij në monografi, publicistikë, drama, studime letrare e historike, nuk analizohej shkencërisht dhe nuk përmendej në botimet shkollore e akademike
Mbas rrëzimit të sistemit totalitar, personaliteti i Skënder Luarasit është nderuar e rivlerësuar në Shqipëri dhe në Kosovë.
Krahas vlerësimit si “Qytetar nderi i Ersekës” dhe dekorimit me “Urdhërin e Flamurit” e “Nderi i Kombit”, mban emrin e tij biblioteka e qytetit të Ersekës, shkolla e mesme teknike në Therandë-Kosovë, një shkollë 8-vjeçare në Tiranë, disa rrugë në qytete të Kosovës e në Tiranë. Tashmë ai zë vend në fjalorin enciklopedik shqiptar dhe në botimet akademike.
Por, sikurse përmendë, ndihen mungesa e një biografie serioze, bibliografia e veprës së tij apo studime të mirëfillta shkencore mbi krijimtarinë e tij që vazhdon të zbulohet e botohet.

2. Bibliografi
Kontributin e Skënder Luarasit në lëmin letrar do ta paraqesim në periudhat : 1917-1944 dhe 1945-1982 – (2011) .. pasi vazhdon botimi i veprës së tij.
Në periudhën 1917-1944 kontribuoi në:
- Publicistikë. Shkroi me dhjetra artikuj: studime letrare e historike, reportazhe, portrete, esse, kritikë e satirë, në organe të rëndësishme brenda e jashtë Shqipërisë.
Ndër artikujt më të rëndësishmit përmendim: “Letërsia moderne në Shqipëri”, “25 vjet indipendencë”, “Naim Frashëri”, “Lasgush Poradeci-Vija themeltare”, “Popullsia e Kosovës”
- Dramaturgji: Shkroi dramat “Agimi i Lirisë” dhe “Liria”.
Përkthime: Botoi disa vepra të njohura të letërsisë botërore si : “Vilhelm Teli” nga Schiler, “Sakuntala” nga Kalidasa, “Enoh Arden” nga Tennyson, “Përralla” nga Oscar Wilde ndërsa “ Lirika” nga Li Taj Pe dhe “Prometeu” i lidhur “nga Percy Shelley kanë “humbur”.
- Biografi: Botoi biografinë e shkurtër “Kolonel Tomson”
Ai gjithashtu qe editor i revistave “Studenti” (1920), “Dialëria” (1926-1928) dhe përgjegjës për redaktimin dhe botimin e revistës “Vullnetari i Lirisë” (1937).
Në periudhën 1945-1990 kontribuoi në :
- Publicistikë. Shkroi me dhjetra artikuj: studime letrare e historike, reportazhe, portrete, esse, kritikë e satirë. Ndër më të rëndësishmit përmendim: “Kongresi i Dytë i Manastirit”, “Skënderbeu në letërsinë angleze”, “Bajroni në Shqipëri”, “Shileri në Shqipëri”, “Fletë nga historia e shkollave të para shqipe”, “ Publicistika e motrave Qiriazi”.
- Përmbledhja me artikuj “Fjala shqipe”
- Dramaturgji: Botoi dramën “Stuhi në Prill”
- Përkthime: Shkroi mbi tridhjetë kryevepra të letërsisë botërore si “Fausti” nga Goethe, “Gëci i Berlihingenit” nga Goethe, “Fije bari” nga Whitman, “Mbreti Lir” nga Shakespeare
- Biografi: Shkroi biografitë e rilindasve Ismail Qemali, Isa Boletini, Petro Luarasi, Gjerasim Qiriazi, Sevasti Qiriazit ndërsa ajo për Fan Nolin “humbi”
Mbas ndarjes së tij nga jeta, në periudhën e viteve 1990 - 2010 janë botuar në:
- Publicistikë. Janë botuar për herë të parë disa shkrime të Skënder Luarasit
me kujtime, studime letrare e historike, korespondenca , ndër më të rëndësishmit përmendim: “Ditari i Skënder Luarasit: Si u likuiduam. Debatet që fshehu diktatura”, “Ambasadori amerikan, miku ynë i besës : Herman Bernstein“, “Komplotonjësit e heshtjes" “Mbylle gojën Skënder Luarasi!-kujtime”, “Ata që nuk më deshën në Lidhjen e Shkrimtarëve”: kujtime.
U botuan për herë të parë, i plotë, sipas variantit në dorëshkrim “Fausti” nga Goethe, “Vajza e Orleansit” nga Schiller, “Si ta doni” nga Shakespeare, “Zgjimi kombëtar shqiptar” nga Stavro Skëndi si dhe libri “Në brigadat Internacionale në Spanjë : Kujtime”
Janë ende të pabotuara librat: Skënder Luarasi: ‘’Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar : Kujtime”, F.Reshpja: “Albanian Rhapsody” (përkthim në anglisht), Schiller: “Don Karlos”, Aleksandr S. Gribojedov: “Mjerë kush ka mend”, Rodrigues. “Këtu fjeti një perëndi”, Morton F.Eden: “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre” etj. Konsiderohen “të humbura” (nuk gjenden njësi fizike) librat “Fan Noli: Jeta dhe vepra” dhe “Sevasti Qiriazi-Dako”; përkthimet: Percy Shelley: “Prometheu i lidhur”, Li Tai Pe: “Lirika” dhe dispencat: “A people history of England” (1963) dhe “English Literature” (1963) etj.
 
Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

Petro Luarasi

SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

III PERSONALITETI

1.Veçoritë e personalitetit
Personaliteti, “tërësia e veçorive psikike, të karakterit, të sjelljes, të veprimtarisë së njeriut, të cilat e dallojnë atë nga të tjerët” përcakton veçoritë psikologjike më të qenësishme dhe më të qëndrueshme të tij. Personaliteti i njeriut formohet si rezultat i aktivitetit jetësor që bën njeriu në shoqëri.10
10 Fjalori i shqipes së sotme, Tiranë, Toena, 2002, f. 995.

Në kategorinë e veçorive që përcaktojnë personalitetin e njeriut, bëjnë pjesë bindjet e idetë, interesat, aftësitë, temperamenti dhe karakteri. Njeriu me personalitet ka fizionominë e tij shpirtërore, pavarësinë e të menduar, dallohet për ndjenjat e larta, forcën e vullnetit dhe të energjisë pasionante. 11
11 J.Andrew. Psikologjia.Karakteristikat psikologjike të personalitetit, Athinë, Deftera, 13 shtator, 2010, f.23.
Në këtë kuadër Skënder Luarasi cilësohet si një personalitet tek i cili dallohet qartë dashuria për atdhenë e kombin, pasioni për gjuhën e letersinë shqipe, të cilat u bënë pjesë e formimit të tij që në vogëli. A i përmendet edhe për sinqeritetin dhe guximin qytetar, të cilat i sollën shumë probleme dhe tronditje të mëdha, por nuk e tërhoqën asnjëherë nga kredoja e tij: Për një Shqipëri krejt të lirë e demokratike, një popull shqiptar të kulturuar e të lumtur.
Personaliteti nuk është i lindur, por formohet në procesin e jetës dhe të përpjekjeve që bën njeriu në shoqëri për të njohur botën që e rrethon, për tu përballur dhe për ta shndërruar atë. Në këtë proces ai shndërron e lartëson nivelin e personalitetit të tij.
Disa studjues mendojnë se veçoria më e spikatur e personalitetit të Skënder Luarasi është shkalla e lartë e ndjeshmërisë së të qënurit shqiptar, vetëdija në gjenezën e trashëgiminë e çmuar të paraardhësve që ai e shfaqi dhe e mbrojti me dinjitet përgjatë tërë jetës e veprimtarisë së tij, në vazhdimësi të paraardhësit të tij martir. Në rast se dikush do t’ia mohonte këtë qenësi, ”natyrisht që kjo do të merrej si një dhunim, i ngjashëm me dhunimin e varreve. E kështu do të ishte për Faik Konicën, Petro Nini Luarasi e birin e tij Skënder Luarasin, e shumë të tjerë , të cilët mohimin e zanafillës shqiptare do ta merrnin si një gjëmë.’’ 12
12 I. Kadare. Poshtërimi në Ballkan, Tiranë, Onufri, f.61-62.
Ndjeshmëria e tij e lartë për hallet dhe të ardhmen e kombit shqiptar qe e dukshme, e sinqertë dhe pjesë e qenësishme e jetës së tij. Këtë “e kuptojnë më mirë ata që kanë patur fatin ta njohin nga afër dhe që ruajnë në kujtesë takimet, bisedat, idetë dhe shpërthimet e tij të cilat i lexoheshin në fytyrë, në mimikë, në lëvizje dhe i reflektonte gjithë vrullet e brendëshme, gjithë shqetësimet. Kjo flet për një përputhje të plotë të vizionit të jashtëm plastik me botën shpirtërore, veçori që nuk e ndeshim shpesh si sinqeritet dhe angazhim total për të vërtetën.” 13
13 M. Islami. Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe çështja e bashkimit kombëtar. Prof.Skënder Luarasi personifikim i problemit kombëtar shqiptar, Tiranë, Afërdita, 1998, f.322.
Dashuria për tërë gjymtyrët etnike të kombit e e përshkonte çdo qelizë të qënies së Skënder Luarasit, idealist por edhe realist në sensin e mbrojtjes së të vërtetës historike, drejtësisë e lirisë së popujve të nëpërkëmbur në kohët moderne. “Luarasi shkroi me një mallëngjim drithërues e njohje të shkëlqyer edhe për Kosovën, e kosovarët, si ndoshta, rrallëkush tjetër nga Shqipëria e Jugut, për atë Kosovë, që nuk e hoqi asnjë herë nga goja...Ai ishte edhe patriot i flaktë e luftëtar i paepur për atdhetarizëm dhe burim i pashtershëm ndjenjash atdhetare. Njihet si antifashisti i parë shqiptar...Ka qenë pjesëmarrës i luftës së Spanjës.” 14
14 M. Gjevori. Shkolla Teknike e Tiranës: Monografi shkollore, Prishtinë,2003, f.134.
Skënder Luarasi ndjente dhimbje të madhe për fatin e kosovarëve, të cilët ishin therrorizuar për pavarësinë e Shqipërisë dhe vetë vuanin robërinë. Si simbol të sakrificës e heroizmit të tyre ai përmendte Isa Boletinin.
Ali Aliu kujton që ka patur fatin ta takojë shumë herë, “kam patur e kam admirim për këtë figurë që të pushtonte nga takimi i parë. Pa e tepëruar mund të thuhet se Kosovën e kishte shqetësim të parë, çfarë ishte njëri nga ''mëkatet'' e tij. Ishte admirues i Isa Boletinit, sa herë takoheshim e përsëritëte: ''Nuk dua të vdes pa e parë fshatin e lindjes së Isës”, thoshte…'' 15
15 A. Aliu. Kosovën e kishte shqetësim të parë. Drita, 16 janar 2000, f.7.
Rinush Idrizi e portretizon si “luftëtar i mendimit të lirë, i çlirimit shpirtëror, i progresit, i lirisë e pavarësisë dhe respektimit të njeriut, ai në çdo çast ishte e vërteta e kohës. Ne nxënësit e quanim ''I pakorruptueshmi!'' Miqtë e shokët e quanin ''I papërkuluri!''...Brezit që nuk ka patur fatin ta njohë po ia jap me dy fjalë portretin e tij: Do të ishte me flamur në dorë për demokraci.” 16
16 R. Idrizi. Republika, Rreze nga dielli i demokracisë, 7.3.1991, f.8.
Ndërsa Zija Xholi dallon si tipar mbizotërues që përfaqëson gjithë personalitetin e Luarasit “të qënit antikonformist, luftëtar i paepur kundër gënjeshtrës dhe dizinformimit, veçanërisht kur këto preknin Shqipërinë dhe kombin e saj”17
17 Z. Xholi. Skënder Luarasi, një shqiptar i vërtetë: Me rastin e 95 vjetorit të lindjes, AKS, 15.1.1995, f.7.
Edhe në veprat e krijuara apo të përkthyera prej tij ai shprehej kundër sistemeve jo demokratike si tek ''Vilhelm Teli'' i Shilerit, ku dilte mbrojtës i hapur dhe i vendosur i lirisë, kundër tiranisë dhe arbitraritetit.
Ai përgjatë jetës u ndesh ashpër me hierarkinë burokratike të regjimit totalitare, madje e sfidoi hapur.
“Ai kishte kurajë t'i thoshte hapur pikëpamjet e tij; kishte një personalitet të tillë që nuk mund të ndryshonte ngjyrat e realitetit, nuk mund të fshihte realitetin, nuk mund të gënjente, nuk mund të mos thoshte atë që ndiente për gjithçka të mbrapshtë që ndodhte në vend.” 18
18N. Bezhani. Mëkatarët. Nëpër dosjet sekrete të sigurimit të shtetit, Vol.1,Tiranë, Toena, 2001, f.172.
Shumë të tjerë në personalitetin e Skënder Luarasi veçojnë humanizmin e modestinë. Ai qe ndër ata intelektualë që jo vetëm nuk e njihte smirën, por madje përkrahte dhe sakrifikonte për njerëzit në nevojë. Ndërkohë shfaqej aq modest për ndihmën e dhënë.
Shumë intelektualë e shkrimtarë bashkëkohës, ia kujtojnë me nderim ndihmën që u ka dhënë në fushën humane, letrare, kulturore, pedagogjike etj. Ata janë nga ajka e elitës intelektuale, letrare e kulturore shqiptare ndër vite si: Parashqevi e Sevasti Qiriazi, Lasgush Poradeci, Aleks Buda, Qemal Stafa, Arshi Pipa, Xhemal Broja, Migjeni, Jusuf Vrioni, Ismail Kadare.
Ngjarjet, situatat dhe opinionet janë nga më të ndryshmet disa prej të cilave do t’i përmendim shkurtimisht.
Lasgush Poradeci u sëmur rëndë në dhjetor të vitit 1928, kur qe student në Austri. Skënder Luarasi “shoku i dashur dhe i shtrenjtë, i dha kushtrimin botës shqiptare me anë të shtypit” 19
19 P. Luarasi. Lasgush Poradeci dhe qorrollepsja e një kronikani të dështuar, Ndryshe, 18 maj, 2007, f. 10-11.
Ai pa marrë parasysh pasojat nga regjimi monarkist, që e kishte dënuar me burg në mungesë, u nis për në Shqipëri të mblidhte ndihma për kurimin e Poradecit. “ Skënder P.Luarasi, studenti enthusiast i Vjenës, q’ish nisur për të shoqëruar Lasgushin në Poradec, masi poeti u kthye prapë në Grac, vazhdoi vetë udhëtimin dhe arriti në Korçë. Atje autoritetet e zunë dhe e dërguan nënë vërejtje, me aeroplan në Tiranë. Si shpjegohet kjo sjellje e autoriteteve të Korçës? 20 20Lajmërim. Shqipëria e Re, 3 shkurt, 1929, f.4.

Ai i sugjeroi dhe e nxiti poetin për të përgatitur e botuar vëllimet poetike ‘’Vallja e yjeve’’e “Ylli i Zemrës” tek i shkruante:
“Puna e botimit të librës nuk duhet të mbetet zvarrë. Sille aty dhe un do të përpiqem që të botohet përpara Janarit (1931) ndë qoftë se do ta kesh mbaruar këtë muaj kopiimin e manuskriptevet. Nga Paskoja akoma nuk kam marrë ndonjë letër – po ti? 21
21 Letrat e rralla të Lasgushit . Republika, 4 prill, 2004, f. 11.
Këmbënguljes së Skënder Luarasit për botimin e veprës “Ylli i Zemrës” (që u botua në vitin 1937, në Bukuresht, nën kujdesin e Mitrush Kutelit) Lasgus Poradeci iu përgjegj me një letër nga Poradeci, më 17 shtator 1936: “Ti Skënder ma qite Shpirtin këto dy vjetët e fundit që t'i mbledh, t'i mbledh…Nga ana ime të falem nderit për kujdesjen që më rrëfen si dhe për mundimet e mëdha që ke bërë duke kërkuar një editor, duke ''lypur'' të holla.” 22
22Po aty.
Skënder Luarasi, i bindur për talentin e Lasgushit, e mbronte në debate e konferenca dhe ka shkruar dy shkrime të rëndësishme mbi veprën e tij. Në njërin do të shkruante : "Po të kalojmë tashti në letërsinë e kohëve më të afërta, dafinat e poezisë do t'ia kushtojmë pa ngurrim Benjaminit të poetëve tanë: Lasgush Poradecit (1899) poet serioz dhe filozof merite.”23
23 S.Luarasi. Letërsia moderne në Shqipëri, Tirana observer, 24 mars, 2007, f. 9.
Në kujtesën time kanë mbetur të pashlyera miqësia e tyre dhe diskutimet e zjarrta. Kam shkruar disa artikuj për marrëdhëniet e tyre, mbi disa zbulime interesante si dhe kam kritikuar ndonjë keqinformim apo plagjiature si në rastin e librit ”Lasgushi më ka thënë”. Atje shkruhen sajesa “që jo vetëm nuk i shkojnë për shtat, por e zbehin madhështinë e tij” 24
24 P. Luarasi . Lasgush Poradeci dhe qorrollepsja e një kronikani të dështuar. Artikull i cituar
Migjeni qe një tjetër shok ideali për Skënder Luarasin. Ata u njohën në Shkodër, në shtator të vitit 1935 dhe e forcuan shoqërinë në disa takime. Luarasi e çmoi menjëherë si talent dhe njeri me zemër të madhe ndaj i dha idenë dhe e nxiti Migjenin për të botuar përmbledhjen poetike “Vargjet e lira”. Mbasi i premtoi që do ta ndihmonte u takua me botuesin e “Gutenberg”, Ismail Mal Osmanin, ka paguar një kapar për nisjen e procesit të botimit dhe ka ndjekur parapërgatitjen dhe korrekturat për disa fashikuj.
Vazhdimi i ndihmës u ndërpre në rrethana të caktuara personale dhe politike, kur ia kaloi përkujdesjen e botimit Gjergj Kokoshit, kushëri i Migjenit dhe u nis për në luftën e Spanjës. 25
25 S.Luarasi.‘’Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar ‘’: Kujtime në dorëshkrim, V.4, f. 26 (Fondi familjar S.Luarasi)
“Unë diçka bëra që ta plotësonja zotimin që i dhashë. Ndoshta mund të kisha bërë më shumë;por rrethanat nganjëherë na pengojnë edhe në dëshirat tona më të zjarrta. Kjo përpjekje nga ana ime për të botuar ‘’Vargjet e lira’’më 1936 më jep sot një farë ngushëllimi dhe më qetëson,sado pak vetëdijen....Korrekturat dërgoheshin me postë në Shkodër, në shkollën ‘’28 Nëntori’’.
Në vitin 1946, Skënder Luarasi u martuar me të motrën, Olga Nikollën, dhe ndihmoi shumë për njohjen e familjes, jetës dhe veprës së Migjenit. Në vitin 1948 Skënder Luarasi përgatiti dhe dorëzoi për botim vëllimin “Migjeni-Vepra”, e cila pas peripecirash të mëdha iu botua në vitin 1957. Vepra dhe dokumentat origjinale që Skënder Luarasi e familja e tij dorëzuan për krijimin e arkivit të Migjenit në Shkodër përbëjnë bazën dokumentare të studimeve migjeniane.
Botimet mbi Migjenit “bazohen të gjitha te botimi kryesor i bërë nga Skënder Luarasi.” 26
26 M.Zeqo. Migjeni, më konceptuali i letrave shqipe, Koha jonë, 24 gusht, 2003, f. 12-13.

Edhe Jusuf Vrioni e familja e tij nuk e harrojnë ndihmën që u ka dhënë Skënder Luarasi, në momente të vështira për ta, kur ai sapo kishte dalë nga burgu e jetonte në Fier.
Isuf Vrioni dhe Skënder Luarasi kishin njohje të hershme. Duke e çmuar si njeri me kulturë, njohës i mirë i gjuhës frënge dhe i talentuar, Luarasi e rekomandoi dhe këmbënguli që ai ta përkthente në frengjist veprën e Migjenit “Vargjet e Lira, ndonëse sapo ishte liruar nga burgimi politik “. E shoqja e Jusufit, Agi Vrioni, kujton se në ato kohë të vështira për familjen e tyre “shënohet një tjetër pikë kthese. Ka qenë i madhi Skënder Luarasi, ai që i jep Jusufit të përkthejë Migjenin në frëngjisht. Dhe Luarasi nuk kishte gabuar. Mjeshtëria e Jusufit në përkthim ishte e njëjtë me atë të Migjenit në vargje. Luarasi nuk kishte bërë gjë tjetër veçse kishte zbuluar gjeniun shqiptar të përkthimeve.” 27
27 A. Vrioni: Ju tregoj jetën e vërtetë të Jusufit : me bashkëshorten e Jusuf Vrionit, Tirana observer, 15 mars, 2006, f. 16.
Duhet të kihet parasysh që në atë kohë nuk shiheshin “me sy të mirë“ këto lloj rekomandimesh.
Ismail Kadare sapo kishte botuar romanin e tij të parë "Gjenerali i ushtrisë së vdekur" i cili kishte ngjallur debate e kritika. Në vitin 1964, në një diskutim të gjerë për romanin në klubib e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, Skënder Luarasi, u përball me kritikat e diskutantëve dhe vlerësoi romanin e Kadaresë, talentin e tij, risitë që solli në romanin modern shqiptar, personazhet interesantë dhe stilin e tij modern të ndikuar nga Hemingway. Mbi të gjitha shkaktoi debate vlerësimi i tij se me “Gjeneralin e Ushtrisë së vdekur” nis udha e romanit modern shqiptar” 28
28 S.Luarasi. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar, V.4, f. 44. Libër i cituar, f.45
“Në atë mbledhje në seancën e parë folën Trim Gjata dhe Kudret Velça. Që të dy e qortuan autorin për atë pjesë ku i zoti i shtëpisë ku bëhej dasma e priste me nderime gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur,’’dhe do të bënte më mirë t’a vriste edhe atë…’’ Punë për ta. Kur u çel seanca e dytë, kryesonjësi u ngrit dhe tha:’’Tani do të flasë Skënder Luarasi!’’
Po mirë!’’Ky roman ‘’, thashë, ‘’më pëlqeu shumë. E lexova me një frymë brenda 24 orëve. Një natë të tërë nuk fjeta…Në stilin e tij, duke menduar sipas atyre pakë romaneve të huaj që kam lexuar,Ismail Kadareja më duket se qëndron më afër Heminguejit…’’ Më shumë u përqëndrova në përshkrimin e dasmës; mbrojta mikpritjen e fisnikërinë e babait të dhëndrit, lëvdova zotësinë artistike të shkrimtarit që e ka shpëtuar gjeneralin nga ndonjë krim lufte (duke e patur vënë atë në rezervë gjatë luftës) karakterizimin e mrekullueshëm të gjeneralit dhe të priftit që e shoqëronte. ”Nga gjithë episodet e bukura”, thashë, ”më mahniti qëndrimi i plakës Nica dhe humanizmi i saj i lartë kur ua përplas gjeneralit e priftit thesin me kockat e kolonelit :’’Merrini të mallkuarat, se edhe këto kockat e birit të një nëne janë!...Mendoj që me “Gjeneralin e Ushtrisë së vdekur” nis udha e romanit modern shqiptar”.
Vlerësimi shkaktoi xhelozi e debate të ashpra dhe, për pasojë, Skënder Luarasin, e përjashtuan si anëtar të klubit “për shkak të qëndrimit të papajtueshëm me kërkesat e Klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.” 29
29 Th. Frashëri. Njoftim, Tiranë, 28.10.1964. (Fondi i familjes S.Luarasi)
Dëshmitari i ngjarjes Skifter Këlliçi thekson se “sfida ishte e madhe dhe nuk mund të kapërdihej lehtë. E gjithë kjo grindje pati si pasojë përjashtimin e Skënder Luarasit nga Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ç’turp për ata që patën marrë këtë vendim!...” 30
30 S.Këlliçi. Me Kadarenë në vite: Kujtime, Metropol , 21 tetor 2010, f.4.
Këlliçi mendon se “Duke vlerësuar "Gjeneralin e ushtrisë së vdekur", Skënder Luarasi mohonte në një farë mënyre romanin e deriatëhershëm shqiptar. Mos ishte ndonjë kokëkrisje marroke? Jo, Skënder Luarasi ishte burrë tepër i kulturuar, për më tepër, siç e thamë më lart, njohës i shkëlqyer i letërsisë angleze,gjrmane dhe botërore. Si pasojë, atij nuk i pëlqente qorrsokaku në të cilin ishte hedhur letërsia shqiptare e ndrydhur në kanunet primitive të realizmit socialist. Duke u shprehur në këtë mënyrë, ai nuk mohoi aftësitë e shkrimtarëve, por, tërthorazi, këtë metodë që i shtynte ata të shkruanin vepra, të cilat i nënshtroheshin kësaj metode, e si pasojë ishin skematike. Mirëpo kjo shprehje tingëllonte doemos nihiliste, për të mos thënë… armiqësore. Skënder Luarasi u thoshte hapur shkrimtarëve, edhe prapa tyre, edhe zyrtarëve komunistë, se ja një vepër e tillë si "Gjenerali…", shkruar nga një djalosh 26-vjeçar, një vepër moderne, me stil të përkryer, jashtë artificiales e shabllonizmave që ishin parë deri atëherë në prozën tonë, duhej të bëhej shembull për ta në të ardhmen.”
I përndjekuri politik Maks Velo komenton entuziazmin e Skënder Luarasit kur diskutoi për romanin ''Gjenerali i ushtrisë së vdekur'' të Kadaresë: “ që ky libërth i vogël është romani i parë i letërsisë moderne shqiptare. Fjalët e tij ishin profetike. Më vonë nga ky fakt kuptova se çfarë kulture të plotë dhe të gjerë kishte Luarasi. 31
31 M.Velo. Kur derdhej maska e diktaturës. Tunelet dhe komunizmi. Albania, 23 nëntor 1999, f.10

Skënder Luarasi dhe familja Qiriazi
Humanizmi dhe sakrifica e Skënder Luarasit spikat edhe në mbrojtje të familjes Qiriazi-Dako anëtarët e së cilës kishin kontribuar për kombin shqiptar dhe po u nëpërkembej nderi. Mbas shumë përpjekjesh ai arriti t’i rehabilitonte përkundër luftës së egër që iu bë nga klane të caktuara për motive politike, fetare e klanore. “I vetmi mik i familjes së tyre, studjuesi, historiani, përkthyesi, demokrati Skënder Luarasi, që njihte nga afër veprimtarinë e gjithanshme të tyre në shërbim të kombit shqiptar, dha një kontribut të ndjeshëm për rivlerësimin e figurave të motrave Qiriazi.” 32
32 Dh. Dishnica. Motrat Qiriazi, Tiranë, Shtëpia Botuese Enciklopedike, 1997, f.193.
Skënder Luarasi ndihmoi edhe pasardhësin Aleksandër Dako që ti kthehej vila e grabitur nga një titullar i Kinostudios.
 
Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

Petro Luarasi

SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

2. Faktorët ndikues
Personaliteti i tij u formua e u forcua nga tre faktorë të rëndësishëm: trashëgimia e pasur familjare e krahinore, talenti dhe ndikimi i rrethit shoqëror.
Skënder Luarasi trashëgoi genin e të atit, atdhetarit Petro Nini Luarasi. Ai u lind e u rrit në mjedisin atdhetar e kulturor të Luarasit e Kolonjës, në një periudhë të rëndësishme historike kur vendosej fati i vendit. Pati mundësi të njihej me rilindasit e veprën e tyre dhe të qe dëshmitar i mjaft ngjarjeve heroike e tragjike. Një shtysë e rëndësishme qe emri i tij emblematik, Skënder që gjithnjë i kujtonte heroin kombëtar shqiptar dhe “kumbarin shpirtëror”, Naim Frashërin. Jeta, vepra e vrasja e të atit, therroritë e mjaft atdhetarëve të tjerë miq e farefis të tij, iu rrënjosën në ndërgjegje dhe përcaktuan idealin e jetës së tij. Ambjenti atdhetar i begatë me takime e biseda në mes të miqve të shquar të të atit, në shtëpi apo në ambjente të tjera, gjatë periudhës kur Petro Nini Luarasi drejtonte shkollat shqipe në Korçë e Negovan, apo gjatë zhvillimit të Kongresit të Dytë të Manastirit, i rrënjosi mbresa të pashlyeshme. Portretet e Vani Cico Kosturit e Thimi Markos, Çerçizit e Bajo Topullit, Telemakut e Spiro Ballkamenit, Sali Butkës e Gani Butkës, Sevastisë e Parashqevi Qiriazit, Dervish Himës, Hysni Currit e Mihal Gramenos, qenë ikonat ku falej shpirti i tij .
Në vitet e mëvonshme takohet me Ismail Qemalin në Stamboll, me Fan Nolin e Kristo Dakon në SHBA, me Bajram Currin, Aqif pashë Elbasanin e Hasan Prishtinën në Vjenë, e me sa e sa të tjerë personalitete shqiptarë e të huaj.
Mësoi në fëmijëri gjuhën e ndaluar shqipe dhe mori dijet e para letrare përmes veprave të rilindasve. Motra e tij e madhe, Thomaidha, e cila qe nxënëse në shkollën shqipe të vashave në Korçë, i rrënjosi dëshirën të mësojë sa më shumë, të donte librat, të ndiente gëzim kur i mësonte edhe të tjerët. “O sa më e dashur m'u bë motra që më dha librat në dorë dhe sa i nderuar emri i atij që shkroi ‘’Istorinë e Skënderbeut’’ që më mësoi ta dua mëmëdhenë dhe të mburresha që kisha lindur shqiptar. Sa e bukur më dukej fjala Shqipëri dhe sa e dashur m'u bë ajo zonja e madhërishme, të cilën e sulmonin sulltanët e pashallarët e Turqisë, por që e mbronin Skënderbeu dhe trimat e tij: Urani, Moisiu...Muzakë kordhëtari, Golemi mjekërziu dhe djaloshi Linjarosa himarjoti.” 33
33S.Luarasi. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar, Vepër e cituar, f. 96
U edukua me letërsinë e rilindasve, lexoi prozë e poezi si : ''Shqipëria si qe, si është, si duhet të jetë'' e Sami Frashërit; ''Mori Shqypni, e mjera Shqypni'' e Pasko Vasë Shkodranit; ''Kristomathia'' e Gjerasim Qiriazit; ''Bleta'' e Thimi Mitkos; ''Valët e detit'' e Spiro Dines; ''Rreshku arbëror'' i Ilo Mitkë Qafëzezit; ''Baba Tomorri'' i Çajupit; elegjinë ''Papa Kriston na e vranë'' prej Loni Llogorit, e sa e sa të tjera, të cilat që prej kohës së fëmijërisërisë, iu bënë shokë që i pasuruan mendjen. I kujtonte me nderim të thellë gjithe ata atdhetarë që hodhën themelet e gjuhës e letërsisë shqipe. Për ata hulumtonte, shkruante dhe ua kujtonte popullit shqiptar, veçanërisht rinisë, e cila duhej të edukohej e ndërgjegjësohej me sakrificat për atdhe.
“Mjerë ai popull që nuk ka libra dhe mjerë ata fëmijë që prindët i lënë pa shkollë...na ndihmojnë të krijojmë qytetërimin e të pasurohemi me kulturë, të dimë për bardhoshe Teutën ilire dhe ‘’Istorin e Skënderbeut’’, na tregojnë ''punëtë që ka punuar kordhëtari i vërtetë/ kombin duke nderuar dhe Shqipërinë përjetë''! 34 34 Po aty
Skënder Luarasi u mëkua me gojëdhënat, traditat e zakonet e pasura të vendlindjes, të trevës kolonjare e më gjerë: me aktivitetet kulturore e fetare, me dasmat plot pasqyli e kostumet popullore.
Ai kujton sa të bukura i dukeshin të kremtet në dimër kur vinin për vizitë hallat e tezet. Ç'këngë e shakara buçisnin ... ç'prralla e gjëagjëza tregoheshin mbrëmanet për të shkurtuar netët e gjata të dimrit... “Ajo që quhet sot folklor - sa fort ka ndihmuar në gojën e gruas shqiptare për të na shpëtuar gjuhën shqipe e zemrën shqiptare në ato kohë të zeza të tiranisë politike dhe të fanatizmit fetar. Edhe zjarrin e ndiznin me poezi” 35 35Po aty
Që në moshë të vogël ai shfaqi interes të madh ndaj çështjeve madhore kombëtare dhe zhvillimit të shoqërisë shqiptare e më gjerë. Me kalimin e kohës interesat e tij u bënë të shumanshme dhe të qëndrueshme, e nxitën për t’i njohur thellë shkaqet dhe pasojat e dukurive politike, historike e shoqërore dhe për tu marrë vetë me zgjidhjen e tyre. Jeta i ofroi mundësi të shumta për të zhvilluar prirjet e aftësitë dhe me vullnet të madh, kultivoi e shfaqi talentin në disa fusha. Skënder Luarasi mësoi me zell në rini disa gjuhë të huaja dhe lëndët e letërsisë, historisë dhe filozofisë, u ushtrua në psikologji e oratori, në sport e dramaturgji, në publicistikë e përkthime. Binte veçanërisht në sy për zërin kumbues, reflekse të larta në replika, për temperamentin dhe karakterin e fortë.
Në formimin e personalitetit të Skënder Luarasit ndikuan kulturat e lindjes e perëndimit dhe arsimimi mbi 15- vjeçar jashtë vendit, në Turqi, SHBA e Austri. Ai kujtonte me nderim mësuesin e historisë dhe të sociologjisë Bowden që e edukoi me dashuri jo vetëm për historinë e kulturën amerikane e atë botërore por i rrënjosi edhe parimet demokratike të Thomas Painit, Thomas Jefersonit e të Abraham Linkolnit dhe botëkuptimin përparimtar.
Sikurse thotë Jup Kastrati, ai “njihte me themel gjermanishten. Po ai ka qenë njohës shumë i mirë edhe i anglishtes e i spanjishtes. Njohuri ka pasur edhe për greqishten e re, turqishten, italishten, frëngjishten e rusishten. Me krijimtarinë letrare u muar që herët, kur ishte 17 vjeç. Është një nga intelektualët tanë më të përmendur për 65 vjet, në periudhën 1917 - 1982.” 36
36 J. Kastrati. Skënder Luarasi përkrah F.S.Nolit e F.Konicës, Drita, 16 janar, 2000, f. 2.

Në SHBA ai takoi mjaft miq e simpatizantë të të atit si Fan Noli, Kristo Dako, Bahri Omari, Kol Tromara dhe iu bashkua grupimeve shoqërore përparimtare, me antarë që i bashkonte ambicja madhore për të ndërtuar Shqipërinë e Re të lirë, të pavarur e demokratike si: motrat Parashqevi e Sevasti Qiriazi, Petraq Kolonja, Qamil Panariti, Koço Tashko. Në Austri krijoi një miqësi të përjetshme me Lasgush Poradecin, Mihal e Aleks Budën, Qemal Butkën, Eqerem Çabejin, Hasan Cekën, Ilia Mitrushin, Hamdi Sulçebegun e Jorgji Jorgonin, por dhe me austriakë si Karl Wagner, Hans V.Pisk dhe Leo Freundlich. Në Shqipëri krijoi lidhje me personalitete si Tajar Zavalani, Branko Merxhani, Milto Sotir Gura, Ibrahim Shyti, Migjeni, Gjergj Kokoshi, etj. Në vitet 1930-1936 kur punoi si arsimtar në Shkollën Teknike, në Institutin Tregtar të Vlorës, në gjimnazin e Tiranës e atë të Shkodrës, edukoi e bashkëpunoi me një brez të rinjsh me pikëpamje përparimtare, shumë prej të cilëve dhanë jetën për të mbrojtur lirinë e atdheut si: Qemal Stafa, Emin Duraku, Nazmi Rushiti, Xheladin Hana, Elez Braha, Vojo Kushi, Sadik Stavaleci, Ali Demi, Asim Zeneli, Nexhat Agolli, Teufik Çanga, Kristo Isak, Murat Paci, Skënder Çaçi, Hajdar Dushi, Reshit Çollaku, etj.
Në kolektivin e tyre ai gjeti kushte më të favorshme për formimin e bindjeve e ideve, për zhvillimin e aftësive, forcimin e karakterit dhe shpalosjen e veçorive të personalitetit të tij.
Në formimin e Skënder Luarasit si njeri, intelektual e shkrimtar, pati rëndësi të madhe lidhja shpirtërore me paraardhësit autoktonë pellazgo-ilirë-arbërorë, ndryshe nga disa shkrimtarë toskë e gegë të cilët u edukuan me ndjenjën e inferioritetit, me mbivlerësimin e kulturës së huaj, ndikimin e madh fetar dhe politik të shteteve fqinje apo të fuqishme. Skënder Luarasi, ashtu si i ati, qe mëkuar me frymën e unitetit kombëtar dhe tolerancës fetare duke u orientuar kryekëput nga politika e vendeve që i shërbenin realisht kombit shqiptar. Përkundër përkatësisë ortodokse, ai mbajti lidhje të ngushta me bektashinjtë e protestantët duke vlerësuar kontributin e tyre të çmuar në çështjen kombëtare . Me asnjanësi ndaj besimeve fetare ai vlerësonte kombin mbi fenë, gjenezën pellazgo-ilire-arbërore mbi atë greke e latine dhe politikën e re amerikane të Presidentit Wilson mbi atë europiane, por deri në cakun ku ajo i shërbente Shqipërisë. Më pas u kalit në luftën kundër fashizmit në Spanjë, në kampet e përqëndrimit në Francë dhe në përballjet me sistemin totalitar.

3.Tradita “Skënder Luarasi”
Dëshmitarë ngjarjesh e studjues të ndryshëm kanë zbuluar thënie, kontribute dhe veprimtari “sporadike” e “të pabesueshme” të cilat edhe të vetme do ti bënin nder kujtdo. Në tërësi ato formojnë një traditë që e paraqet Skënder Luarasin si një “legjendë, mit dhe realitet”. “Vetëm kur njerëzit kthehen në fenomene të tilla, thëniet dhe sentencat e tyre përhapen si thëniet e Bernard Shout dhe të Ajnshtainit…Tradita e Skënder Luarasit nuk harrohet...Në kulturë zë radhën e parë të traditës përparimtare demokratike, ndërsa në traditën e dinjitetit të njeriut të kulturës është i pakrahasueshëm me asnjëri.” 37
37D. Agolli. Skënder Luarasi – legjendë, mit dhe realitet, Zëri i popullit, 20.1.2000, f.10.
Tradita Skënder Luarasi ka zënë rrënjë në shtresa të gjera të kombit shqiptar, tek ata që e kanë njohur, kanë lexuar, analizuar e zbatuar pikëpamjet e tij.
Një ndër ata shpreh mbresat nga takimi i parë me Skënder Luarasin: ''Sot kam takuar Skënder Luarasin, më të madhin njeri që kam takuar ndonjëherë. Shumë e kujtojnë të vdekur ndoshta pse ai është i fundit njeri i gjallë i Rilindjes sonë Kombëtare a ndoshta për shkak të bëmave të tij. Bëmat e njerëzve të mëdhenj tregohen mbas vdekjes, por ato të profesor Skënderit tregoheshin që në gjallje. .. Ai kishte diçka hem prej Moisiut, hem prej Isa Boletinit, hem prej Uitmanit, hem prej Bajronit dhe ca më shumë prej Faustit… e prej Petros.” 38
38 K.Laka. Sa shumë erëra e kishin rrahur. Takimi im i parë me Skënder Luarasin, Kolonja, nr.4, prill 2000, f.5.
Kristaq Laka kishte dëgjuar shumë bëma të Skënder Luarasit, kishte lexuar vepra e përkthime, kishte lexuar publicistikën dhe gjithnjë ishte befasuar nga madhështia e veprës së tij. Më pas kishte patur fatin ta njohë e të bisedojë shumë herë me të, por kurrë nuk mundi ta përcaktojë “ku fillonte Skënderi e ku mbaronte profesori, ku fillonte shkrimtari e ku mbaronte shkencëtari, ku fillonte historiani e ku mbaronte gjuhëtari, ku fillonte kolonjari e ku mbaronte kosovari…ku fillonte njeriu e ku mbaronte legjenda. Ai ishte një njeri legjendë“ 39
39 Po aty.
Lasgushi Poradeci ka thënë: “Skënder Luarasi është shumë patriot, shumë demokrat, shumë liridashës, shumë i sinqertë, shumë guximtar, dhe (si pasojë) shumë sherrxhi” 40
40 P. Kolevica, Lasgushi më ka thënë, Tiranë, Naim Frashëri, 1992, f.142.

Shpesh ata me të cilët përballej, kur nuk kishin argumenta të tjera për ta kundërshtuar, e cilësonin “sherrxhi”, por pa e shpjeguar përse bëhej ai i tillë. “Karakteri i tij, i një njeriu shumë të ndershëm dhe të vendosur e bëri të krijonte edhe armiq. Nganjëherë qëllonte që të zemërohej edhe me miqtë e tij, por ata që ia njohën këto cilësi të rralla të shpirtit, jo vetëm nuk ia morrën kurrë për të keq, por e vlerësuan lart.” 41
41T. Haxhimihali. Aleks Buda: Kujtime, Tiranë, Akademia e Shkencave, 2005, f.202.
 
Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

IV VEPRIMTARIA

1. Mësues, edukator e pedagog
Skënder Luarasi zë vend të nderuar në plejadën e shquar të mësuesve e pedagogëve shqiptarë për kontributin e tij të gjithanshëm në fushën e arsimit dhe të mendimit pedagogjik shqiptar. Ai filloi të punojë si arsimtar që në vitin 1920 në kurset dhe shkollën e mbrëmjes që organizonte “Kryqi i Kuq i Rinisë Amerikane” në Elbasan. Në periudhën 1930-1936 la gjurmët e tij të pashlyeshme në një sërë shkollash të mesme dhe në fakultete të Universitetit të Tiranës. Të shumtë janë ata që shprehin konsideratat për mësuesin e edukatorin e tyre, shumë syresh u bënë dhe vetë mësues e pedagogë të nderuar ndaj dhe shpesh e quanin Skënder Luarasin “Mësues të mësuesve”.
“Kështu mund ta quajnë shumë vetë Skënderin, kështu mund ta quaj unë me plot gojën sot”- deklaron Aleks Buda- “ që jam tetëdhjetë e sa vjeç, kështu e quajta para disa vjetësh kur e pashë për herë të fundit pak minuta pasi kishte dhënë shpirt... Dhe kam të drejtë t'i vë vetes këtë titull nderi krahas një Qemal Stafe e ndonjë tjetri, që duke e njohur atë nga bangat e shkollës kanë pohuar të njëjtën gjë” 42
42 T. Haxhimihali. Aleks Buda: Kujtime, Libër i cituar, f.202.
Skënder Luarasi kishte aftësinë që t’i bënte nxënësit dhe studentët që ta dëgjonin me kërshëri pasi ai “ishte mësues i lindur dhe unë nuk mund të flas për të pa ndjenjën e dashurisë e të mirënjohjes që ruan gjithnjë nxënësi për mësuesin e tij...” 43
43 Po aty.
Talentin si mësues dhe edukator ai e ndërlidhte me tematikën e gjerë e të pasur, me përshkrime romantike e realiste mbi historinë, kulturën, letërsinë shqiptare e të huaj, me të shkuarën, të tashmen e të ardhmen. Aleks Buda i larguar në moshë të vogël nga Shqipëria, kujton që nuk dinte asgjë nga jeta e popullit shqiptar dhe këtë filloi ta njohë “nëpërmjet fjalës magjepsëse të Skënderit. Për sa kohë ndodheshe në fushën e gravitetit të ligjëratës së tij e ndjeje veten të elektrizuar…. Para meje, një djali të ri, po zbulohej vazhdimisht e më tepër , me një qartësi të habitshme, një botë e tërë, e madhe, e panjohur, falë detajeve realiste që tregonte ai për Shqipërinë e viteve '20 -'30.” 44
44 Po aty.
Krahas kërkesës së përthithjes së lëndës nga nxënësit e studentët, ai nxiste tek ata debatin dhe shprehjen e talentit individual letrar, oratorik e plastik. Në të njëjtën kohë ai kryente edukimin atdhetar e kulturor përmes lëndës e aktiviteteve që zhvillonte. Kjo metodë e punës së tij kultivoi admirimin e nxënësve për mësuesin, edukatorin dhe lëndën që zhvillonte .
Nxënës të tij Mehmet Gjevori e Kristofor S. Xhani kujtojnë mbresat e tyre nga mësuesi i tyre i shqipes, si e zhvillonte mësimin. 45
45 M. Gjevori. Shkolla Teknike e Tiranës: Monografi shkollore, Prishtinë, 2003, f.134.
Mehmet Gjevori nxënës në Shkollën Teknitë tëTiranës (1930) kujton: “Skënder Luarasi ishte një personalitet i shquar i arsimit. Ai ishte intelektual me autoritet dhe me zgjuarësi të jashtëzakonshme, figura më simbolike e kulturës shqiptare, edukator i përsosur dhe pedagog i talentuar e me njohuri të gjera, posaçërisht në fushën e letërsisë shqiptare, por dashamir i madh edhe i letërsisë botërore. Kur recitonte në klasë ndonjë vjershë përkthyer bukur nga F.S.Noli, në klasë mbretëronte qetësi e plotë, duke dëgjuar zërin e lartë e të thekshëm të prof. Skënder Luarasit…46
46Shkolla Tregtare e Vlorës çerdhe e lëvizjes patriotike e revolucionare: Maket, Vlorë, 1974, f.31.
Nxënësi Kristofor S. Xhani kujton që në vitin 1931, në të njëjtën kohë me Naum Strallën, erdhi në shkollën Tregtare të Vlorës si mësues letërsie Skënder Luarasi “pedagog me ndjenja patriotike dhe pikëpamje demokratike. Në këtë kohë u gjallërua më shumë edukimi patriotik dhe demokratik i nxënësve nëpërmjet procesit mësimor dhe lëvizjes kulturale artistike. Në mësimin e letërsisë një vend të rëndësishëm filluan të zenë veprat që revokonin të kaluarën historike të popullit tonë, luftën për liri e pavarësi, ose vepra të letërsisë përparimtare botërore, me frymë demokratike e përparimtare”

Skënder Luarasi prej librave që lexonin në klasë, si :‘’Të mjerët’’, ‘’Jul Qezari’’ e të tjera drama të Shekspirit, zgjidhte pjesë të bukura dhe së bashku me nxënësit i analizonin dhe i mësonin përmendësh. “Pashë se leximi kolektiv i dramave në klasë jepte rezultate të dobishme për të folur sa më mirë e më kthjellët. Këtë metodë pune e vazhdova, sipas nevojës e mundësive, në gjithë klasat e ulta të gjimnazeve ku u transferova.” 47
47 S. Luarasi. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar, vol.3, f. 45. (Fondi i familjes S.Luarasi)
Ai shquhej për metodën pedagogjike që e tregonte në zhvillimin krijues të programit mësimor, për frymën e diskutimit të hapur e polemizues brenda e jashtë klasës, në shoqatat studentore apo në eskursionet që organizonte në vende historike. Në këtë mënyrë ndihmonte studentin të krijonte bindje të shëndosha dhe mendim të pavarur. Ai i afronte nxënësit e tij që të ishin të lirshëm në biseda, nuk u mbante distancë, i nxiste që të ishin atdhetarë aktivë, të sinqertë, të ndershëm, punëtorë, të emancipuar dhe kërkues për demokraci e progres shoqëror.
Në kohën kur sundonte frika e varfëria, shtypja e lirive demokratike e injoranca, kanuni, dasitë krahinore e fetare, Skënder Luarasi me fjalët e shembullin e tij, i mësoi nxënësit ta donin atdheun ndryshe nga sa i mësonin shumë të tjerë. Ai u hapi nxënësve dyert e thesareve të letërsisë botërore me Shilerin, Shekspirin, Gëten, Bajronin, Uitmanin dhe kolosët e mëdhenj të pendës të cilët i recitonte me një stil e frymëzim të veçantë.
Nxënësi Iliaz Gogaj e vlerëson këtë metodë nga aspekti i edukimit patriotik, ndërsa Zef Ashta nga aspekti kulturor.48
48 I. Gogaj. Skënder Luarasi - shëmbëlltyrë e përkryer e mësuesit atdhetar e demokrat, Mësuesi, 2 maj 1992, f.4.
Nxënësi I. Gogaj mendon se “duke paraqitur fakte nga jeta e bëmat e njerëzve të shquar, ai realizonte synime të caktuara në edukimin moral, sidomos atdhetar të nxënësve” 49
49 Z. Ashta. Në kujtim të mësuesit tim të letërsisë, Skënder Luarasi, Demokracia,16.1.2000, f. 4.
Nxënësi Zef Ashta kujton: “Kjo formë mësimdhënie e letërsisë e bënte orën e mësimit mjaft të gjallë, tërheqëse dhe interesante. Shpjegimet e tij për këta kollosë të letërsisë ishin të tilla që të nxisnin dashurinë për letërsinë. “
Pjesë e metodës së tij edukative qenë përzgjedhja e temave të hartimeve të cilat më pas i diskutonte në klasë, u tregonte rregullat e drejtshkrimit, mënyrën si duhej të trajtohej tema në formë e brendi, etj. Nxënësi i gjimnazit të Shkodrës Vasil Llazari, në një përvjetor, ia përmend disa nga meritat si mësues edukator dhe militant i idealeve të mëdha patriotike: ”Ju e nxitët, udhëzuet, ndihmuet dhe ma vonë i dhatë mundësi ta lexonte në klasë hartimin e njoftun: ’’E vjetra shëmbet…’’ të paharrueshmin, nxënësin tuaj Qemalit dhe shokëve të tij...Ju kur i bëtë këto nuk muart parasysh as persekutimet, pozitën, vuajtjet dhe konseguencat e tjera që mund të vijshin..” 50
50 D.Kaloçi. V.Llazari : Si e dëgjuam Skënder Luarasin kur fliste nga Radio-Madridi : Letra e panjohur e Vasil Llazarit nga qytet i Shkodrës i cili ia dërgon atë Profesor Luarasit , Gazeta shqiptare, 11 prill, 2003, f. 12 - 13.
Skënder Luarasi, mësues e edukator, i bindur në idealet dhe drejtësinë e çështjeve që mbronte, nuk u ndal vetëm tek leksionet me fjalë dhe nxitje, por dha shembullin personal si “propagandist i flaktë i ideve njerëzore, patriotike, antifashiste... adhurues i së mirës, së bukurës dhe së resë përparimtare... i pari flamurtar dhe luftëtar aktiv i këtyre idealeve të mëdha të njerëzimit, tue shkue me luftue në Spanjën heroike, aty ku mbroheshin vlerat e mëdha të njerzimit, ku mbrohej nderi e përparimi, ku mbrohej edhe jeta e pamvarësia e Atdheut” 51
51 Po aty.
Rolin si mësues edukator ai e vazhdoi edhe në periudhën e pasçlirimit duke kultivuar tek nxënësit marrëdhëniet njerëzore, nxitjen e talenteve dhe dashurinë për letërsinë.
“Kishte cilësitë e një njeriu të mirë, që e shkurtonte largësinë pedagog-student, me shikimin , sjelljen dhe fjalën e ëmbël e nxitëse, në auditor dhe jashtë tij.Ndjenim se me të na lidhte diçka e brendëshme, e pakuptueshme” 52
52M. Gecaj. Filologë që nuk harrohen, Tiranë, Erik, 2002, f.69.
Perlat Xhiku nxënës në Institutin Ekonomik ( 1947) kujton që përkundër ambjentit të zymtë, të akullt që i frenonte dëshirat e tij për letërsi, dallonte mësuesin e letërsisë Skënder Luarasi, tek i cili që në fillim i '‘ngjiti’’ frymëzimi letrar që nuk i gjente mbështetje në atë shkollë. I bëri përshtypje metodika e mësimdhënies së tij, kultura e gjerë, oratoria dhe sinqeriteti në trajtimin e temave. “Ai i diskutonte ‘’pa dorashka’’ çështjet e figurat letrare, opinionet e ngjarjet, nxiste debatin, krahasonte hartimet e mira dhe të këqijat...Me zellin dhe mjeshtrinë e shprehjes, ai i bëri nxënësit e tij, jo vetëm ta dashuronin letërsinë por edhe të merreshin me të, kush më shum e kush më pak. 53
53 Po aty.
Shkrimtarë, poetë, kritikë letrarë si: Petro Marko, Arshi Pipa, Andrea Varfi, Fatos Arapi, Adriatik Kallulli, Meri Lalaj, Adelina Mamaqi e shumë të tjerë, kanë shprehur nderimin e tyre për mësuesin e letërsisë Skënder Luarasi që i nxiti e u nxorri në pah talentin letrar.
Nga natyra Skënder Luarasi zotëronte një zë mbresëlënës . Aleks Buda në takimin e parë me Skënder Luarasin njëzetvjeçar, vuri re temperamentin e tij tepër energjik, vështrimin e mprehtë e të rreptë, gojëtarinë e zjarrtë, zërin e tij melodik plot kumbim, që të kujtonte zërin e Aleksandër Moisiut. Edhe miku i tyre i përbashkët austriak, Hans Pisk, pati thënë: ''Pasi kam dëgjuar zërin e Skënder Luarasit e kuptoj përse ju thoni se Aleksandër Moisiu është shqiptar. Në zërin e secilit ka një diçka tipike unikale që i bashkon.'' 54
54 A.Buda. Libër i cituar, f.176.
Me këtë dhunti të natyrshme ai magjepste nxënësit duke recituar vargje e pjesë dramatike
“Ai ishte një folës shumë i mirë, me prirje të fortë aktori dhe me dashuri të veçantë për dramaturgjinë gjë që duket qartas nga përkthimet e tij…Gjatë vjetit akademik 1935-36 ai u përqëndrua tek komentimi i ''Vilhelm Telit'', përkthyer nga ai vetë. Ishte ****zmatik prej natyre dhe tërhiqte nxënësit me të cilët kishte bisedime të shpeshta.”
55 A.Pipa. Letër dërguar Skënder Luarasit, Drita, 16 janar 2002, f.12.55
Skënder Luarasi “në orën e mësimit organizonte ''një teatër në miniaturë'', ku nxënësit, luanin pjesë nga tragjeditë e Shekspirit apo komeditë Molierit.”. 56
56 Z.Ashta. Në kujtim të mësuesit tim të letërsisë, Artikull i cituar.
 
Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

Petro Luarasi

SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

2. Grupet teatrale amatore
Skënder Luarasi kishte studjuar me zell të madh artin dramatik në ShBA dhe Austri, kishte dëshirë të mësonte përmendësh pjesë nga vepra të njohura dhe i recitonte në klasë e auditore, në klubet studentore, në konferenca kulturore e mes miqve e shokëve. Dashurinë për artin dramatik, ia dedikonte mësuesve të tij amerikanë e austriakë dhe në një masë të madhe Aleksandër Moisiut të cilin disa herë kishte patur fatin ta takojë e ta shohë në skenë, të mahnitej dhe të mësonte shumë prej artit të tij sublim si aktor. Të parën herë e ka parë në dramën ''Fiesko'' në vitin 1927. “Moisiu- Fiesko më qëndron i gjallë para syve. Mund të them se qe kjo shfaqje e aktorit gjenial që më bëri ta dua Shilerin më shumë, e ta lexoj më shumë.” 57
57 S.Luarasi. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar, Libër i cituar.
Mjeshtërinë e tij, Aleksandër Moisiu e arriti me anën e përpjekjeve të mëdha ndaj, kur i takoi studentët shqiptarë në një festë në Vjenë, u tha: ''Simboli juaj qoftë puna''. 58
58 S.Luarasi. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar, Libër i cituar.
I talentuar nga natyra, i frymëzuar nga arti magjik i Aleksandër Moisiut dhe me punë këmbëngulëse, Skënder Luarasi kreu organizimin dhe drejtimin e grupeve teatrale të nxënësve në Institutin Tregëtar të Vlorës, në gjimnazin e Shkodrës e Konviktin “Malet tona” dhe në gjimnazin e Tiranës. Në këto aktivitete ai synonte të shfaqeshin pjesë me karakter edukativ, patriotik dhe tematikë që ti shërbente shoqërisë
Me ardhjen në shkollën Tregtare të Vlorës e mësuesit të letërsie Skënder Luarasi “u gjallërua më shumë edukimi patriotik dhe demokratik i nxënësve nëpërmjet procesit mësimor dhe lëvizjes kulturale artistike. Nxënësit shfaqën dramën ‘’Vilhelm Teli’’ dhe ‘’Agimi i Lirisë‘’(i Skënder Luarasit) me rastin e festës së 28 nëntorit të 1932. “Dramat ‘’Vilhelm Teli’’ apo ‘’Klubi i Selanikut’’ kanë patur jehonë mjaft të madhe në atë kohë…” 59
59 K. S. Xhani. Kujtime. Libër i cituar.
Ndërsa në gjimnazin e Shkodrës ‘’jo pa qëllim nxënësit deshën të vinin në skenë, në fillim të vitit 1934, në kohën e tensionit të marrëdhënieve shqiptaro-italiane, dorëshkrimin e S.Luarasit, dramën ‘’Liria’’ 60
60 Gjimnazi i Shtetit Shkodër (1922-1972), Shkodër, 1971, f.54.
Vështirësitë për shfaqjen e dramave me subjekt përparimtar dhe synime artistike e ideore qenë të mëdha sepse ballafaqoheshin me opinionin konservator e paragjykimet fetare dhe krijohej artificialisht një tension i madh që shoqërohej me akuza e informacion të rremë.
Një ngjarje e njohur në historinë e teatrit amator, ku “harrohet” Skënder Luarasi, është përgatitja e dramës "Kalorësi dorështrënguar", ku Qemal Stafa u dallua në rolin e fajdexhiut Xhemal Broja, kujton atë ngjarje të vitit 1935 kur në krye të shoqërisë‘’Besa Shqiptare’’të Gjimnazit të Shkodrës u zgjodhën disa studentë të cilët mendonin të botonin një gazetë dhe të jipnin ndonjë shfaqje. “Edhe në këtë rast si në rastin e revistës iu drejtuem profesorit të Shqipes të na rekomandonte ndonjë dramë” . 61
61 Xh. Broja. Si u pengua shfaqja e ‘’Kalorësit dorështrënguar’’ të Pushkinit, Literatura Jonë, prill-maj1949,f.41.
Skënder Luarasi propozoi të luhej drama ‘’Kalorësi dorështrënguar’’. Kur Skënder Luarasi pa se Qemal Stafa “sikur nuk ia pat andja të luante fajdexhiun” i tha: “Këtu do të provosh sa i zoti që je tanë urrejtjen t’ande për fajdexhinjtë t’a shprehish në këtë rol, në mënyrë që fajdexhinë t’a urrejë i gjithë populli” . 62
62 Po aty.
Ndërsa grupi theatral i gjimnazistëve bënte provat dhe për ditën e shfaqjes, më 28 Nëntor 1935, profesorin e letërsisë Skënder Luarasin e transferuan. “Para se t’ikte ai thirri Qemalin e disa nxanës tjerë e u përshëndet. Mos u mërzitni nga pengesat.Me vullnet e bashkim të gjitha kalohen.’’Kur ka nevojë,lundrar, çdo udhe i delet’’. Mësoni.Ju jeni të rinj e bota është e të rinjvet.Veprën e Pushkinit dhe të tjera si ajo , mundohuni t’i çfaqni me grupin t’uaj....Ky qe mësimi i fundit që u dha nxanësve të tij n’intimitet profesori i Shqipes.” 63
63 Po aty.
Dhe porosinë e tij ata e mbajtën. Dramën e Pushkinit ’’Kalorësi dorështrënguar’’, me gjithë pengesat, e shfaqën për publikun e nxënësit e shkollave me rastin e Vitit të Ri.” 64
64 Po aty.
Ndërkohë Skënder Luarasi ka kontribuar në dramaturgjinë shqiptare edhe me krijimet e tij: ‘’Agimi i Lirisë’’ ‘’Liria’’, dhe ‘’Stuhi në prill’’, ku me stil të veçantë trajtohen tematika të rëndësishme për kohën, me frymëzim atdhetar, demokratik, antifashiste. Që të treja krijimet patën të njëjtin përfundimin: u ndaluan për motive politike e klanore në kohën e sundimit të regjimeve përkatëse antidemokratike.
‘’Agimi i Lirisë’’ u shkrua në nderim të heroit Spiro Ballkameni dhe dëshmorëve në Orhan Çiflig. Tema qe përpjekja e çetës së Spiro Ballkamenit me asqerët e Rexhep Pallës më 17 korrik 1911, në Orhan Çiflig, ku ranë dëshmorë bujku Bajazit Rehova dhe disa studentë të shkollës shqipe të Korçës. Maturantët e shkollës Tregtare, nën drejtimin e Skënder Luarasit si regjisor e përgatitën shfaqjen e dramës ‘’Agimi i Lirisë’’ me rastin e festës së 20-vjetorit të pavarësisë pa ndihmë financiare. Për kostumet i ndihmuan fshatarët e Hormovës. “Kur u treguam qëllimin dhe u përmendëm emrin e Spiro Ballkamenit, një plaku iu mbushën sytë me lot. Ai e pati njohur Spiro Ballkamenin më 1910 kur i pat ardhur në shtëpi tok me Muharrem Hurshitin dhe qenë bërë shok lufte.” Ata pleqtë e nderuar të Mavrovës na siguruan për kostumet.” Shfaqja u dhamë mbrëmjen e 27 nëntorit 1932.
Korespondenti i gazetës ''Shqipëria e Re'' shkruan për këtë ngjarje artistike:
‘’Me rastin e ditës së Indipendencës Shqiptare, 28 Nëntor, u shfaq në qytetin tonë prej nxënësve të shkollës Tregëtare drama ‘’Agimi i Lirisë‘’ e shkruar prej profesorit të atij instituti, z.Skënder Luarasi. Salla ku u shfaq drama ishte mbushur plot tue i tërhequr më shumë titulli dhe subjekti i bukur i asaj drame që i përshtatej tamam asaj dite.”
Gjithashtu ata e këshillojnë “autorin e dramës z.Skënder Luarasi që këtë dramë të përkujdeset ta verë në shtyp sa më shpejt që kështu të kenë rast edhe shoqëritë e tjera kulturale shqiptare dhe ca më shumë për propagandën kombëtare kjo pjesë të shfaqet gjithashtu edhe nëpër qytetet e tjera të Shqipërisë sikundër edhe nëpër kollonitë e tjera shqiptare” 65
65 Korespondenti. Shfaqje teatrale në Vlorë. Agimi i lirisë, Shqipëria e Re, 9 nëntor, 1932, f.3.
Hil Mosi, ministri i Arsimit, që asistoi në shfaqjen e dramës, i ftoi që ta shfaqnin edhe në Tiranë. Edhe ''në Tiranë u shfaq me sukses drama patriotike ‘’Agimi i Lirisë‘’ e z.Skënder Luarasi...Të Kremten e Krishtlindjes, pata rastin të ndodhesha si asistent në shfaqjen theatrore të dramës origjinale: ‘’Agimi i Lirisë‘’ përpiluar prej z.Skënder Luarasi. Drama përgjithërisht u luajt bukur dhe këtë e vërtetonin edhe duartrokitjet e nxehta, herë mbas here.“ 66
66 Po aty.
Në koment lavdërohet drama, vepër origjinale shqiptare e cila shprehu “me të vërtetë karakteristikat, ndjenjat dhe valëzimet e shpirtit arbëresh të cilat të bashkuara me artin dramatik,” kanë për të na përfaqësuar denjësisht në theatret e antipodeve të qytetëruara, gjëra këto që, pas mendimit tim, s’i mungojnë veprës në fjalë…” 67
67 A.V. Rreth shfaqjes theatrore të dramës origjinale: Agimi i Lirisë, Shqipëria e Re, 10 janar,1933, f.2.
Drama u shfaq me sukses, në 26 e 27 dhjetor 1933, por vetëm dy herë, të tretën u ndalua. Për këtë ndërhyri Abdurahman Dibra duke përdorur edhe gazetën e tij “Besa” ...
“Në tetor 1912, Abdurahman Dibra pati qenë kajmekam (mydir) i Neveskës. Ky e kurdisi planin për ta shtënë Spiron në pusi. Pas luftës Ballkanike shkoi në Stamboll. Më vonë Zogu e thirri në Shqipëri dhe e bëri ministër të Arsimit. Ky anadollak që e vrau trimin shqiptar në Neveskë, e vrau për të dytën herë Spiro Ballkamenin në Tiranë! 68
68 S.Luarasi. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar, Libër i cituar, f. 20.
Drama “Liria”, është shkruar nga Skënder Luarasi në periudhën e provokacioneve të flotës italiane në Vlorë. Kemi të dhëna të pakta për subjektin dhe historikun e shfaqjeve të saj. Sipas kujtimeve të Luarasit ajo u shfaq nga grupi teatror i nxënësve në ambjentet e Institutit Tregëtar në Vlorë, ndërsa me nxënësit e gjimnazit të Shkodrës nuk u lejua të shfaqej.
Drama ''Stuhi ne prill'' e bazuar në ngjarje historike e personazhe reale, vlerësohet si krijimi dramatik më i mirë i Skënder Luarasit, për nga forma, mesazhet , gjuha e stili. Atje ai trajton ngjarje të rëndësishme: krijimin e grupeve të para të rinisë antifashiste, pjesëmarrjen e shqiptarëve në Luftën e Spanjës, manovrat e elementëve profashistë dhe të agjenturave të huaja në prag të pushtimit fashist, etj. Drama u shkrua në vargje me rimë dhe portretizonte personazhe historike gjatë periudhës përpara e pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste. Me gjithë shpjegimet e Luarasit mbi rëndësinë e mesazheve të kësaj vepre, censura , ‘‘me urdhër nga lart” sajoi argumenta dhe e ndaluan botimin Në një recensë, theksohej: “Çështja e vullnetarëve të Luftës së Spanjës, që përshkojnë dramën, dhe “Zëri i Madridit”, e kanë errësuar të vërtetën historike, që çdo aksion patriotik- revolucionar, mbështetjen kryesore e ka pasur te lëvizja revolucionare e vendit, e cila në ato momente ishte mjaft e gjallë...” 69
69S.Luarasi. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar, Libër i cituar, f. 47.
Ndërkohë, për të njëjtën vepër, shkrimtari Mark Dodani, privatisht shkruan: “Për Spanjën (luftën e asaj kohe), për sa është trajtuar në vepër, nuk shoh asnjë shqetësim”. 70
70 M. Dodani. Letër dërguar Skënder Luarasit. (Fondi i familjes S. Luarasi)
Mbas shumë përpjekjesh drama u botua në revistën “Teatri” me shkurtime por i shkaktoi telashe të mëdha redaktorit përgjegjës Mexhit Premçi i cili u kritikua dhe u dënua. Akuzat kundër tij kishin të bënin me botimin e disa dramave ndër të cilat përmendej edhe dramëa ''Stuhi në Prill'' e Skënder Luarasit. Ai, akuzohej se aty kishte ''importim revolucioni''. “Kjo akuzë mbështetej në faktin se vetëm në një faqe të dramës, autori nëpërmjet një radioje të Spanjës, paralajmëroi shqiptarët se fashizmin e kishin në prag. Edhe kjo akuzë ishte një absurditet më vete...''.Ai dënohej “për gabime ideologjike në fushën e botimeve të dramës”. 71
71 M. Premçi, Intervistë, Gazeta shqiptare, 5 korrik, 2002, f.13.
Kur teatri “A.Z.Çajupi” i Korçës nisi të shfaqë dramën më 26 e 27 nëntor 1972, nën regjinë e Dhimitër Orgockës dhe në role kryesore: Pandi Raidhi, Dhimitër Grabocka, Dhorkë Orgocka, Minella Borova, Jani Riza etj., ditën e tretë shfaqja u ndalua me urdhër nga lart.
Skënder Luarasi mori shumë urime nga intelektualët korçarë për suksesin e shfaqjes. Gaqo S.Peci, i dënuar politik, i shkruan: “nuk munda t’ju përshëndes e t’ju shtrëngoj dorën për vlerat e saj të mëdha, pavarësisht se qëllimisht u mbajt një heshtje fajtore, për të mos përdorur fjalën kriminale...Ju në jetë sigurisht kini ngrënë grushte të pabesë po kaq të rëndë e, megjithatë, s’kini dashur t’ia dini. Ju jini kockë e fortë.... Këtë e presim, këtë e kini detyrë” 72
72 Komplotonjësit e heshtjes. Letërkëmbimi i Skënder Luarasit me Gaqo Pecin, Ndryshe, 8 prill, 2007, f. 13.
 
Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

Petro Luarasi

SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA


3. Drejtues në media
Skënder Luarasi ka drejtuar tre organe shtypi të rëndësishme për kohën dhe qëllimin që kanë realizuar. Roli i tij si editor- kryeredaktor i organeve “Studenti”, “Dialëria” e “Vullnetari i Lirisë“ dhe rëndësia e tyre reale përmendet nga studjues seriozë si Hamit Boriçi, Bashkim Gjergji, Mark Marku, ndërkohë që bëjnë pjesë ndër ato organe që nuk njihen si duhet.”Të gjitha këto organe do të mbeten objekt me shumë interes për studjuesit e historisë së gazetarisë shqiptare, pasi, siç vërehet, deri tani kemi vetëm disa të dhëna bibliografike për to, pa e njohur përmbajtjen , qëndrimin që mbajnë ndaj çështjes kombëtare, rolin që luajnë në zgjerimin e vetëdijes kombëtare dhe vendin që kanë në historinë e shtypit në Shqipëri “ 73
73 H. Boriçi, M.Marku, Histori e shtypit shqiptar, Libër i cituar, f.320.
''Studenti''. Organi ''Studenti'' i shoqërisë ‘’Lidhja e studentëve shqiptarë’’ nisi të botohet në janar 1920 dhe kishte si moto: ''Jeta pa libra është vdekje''.Ajo ishte e para revistë studentore shqiptare në SHBA. “Në diasporë u krijua kështu një sistem i gjerë i shtypit shqiptar e mbi Shqipërinë, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku spikatën: e përjavshmja “Studenti”, organ i shoqërisë Lidhja e studentëve shqiptarë, me qendër në kolegjin ndërkombëtar amerikan në Springfield (Masaçusets, SHBA) me kryeredaktor Skënder Luarasin, fletorja “Drejtësia” (The Justice) e Josif Panit në Uotërton po në shtetin Masaçusets në ShBA etj.” 74
74 H. Boriçi - M.Marku. Histori e shtypit shqiptar, Libër i cituar, f. 18.1
Blendi Fevziun shkruan që “nga viti 1920, u shfaqën jashtë kufijve edhe botimet që i takonin organizatave të studentëve shqiptarë të regjistruara në universitetet e huaja. Më përfaqësueset ndër to qenë “Studenti” dhe “Djalëria”. “Studenti” u botua nga nxënësit shqiptarë, ose me origjinë shqiptare , në American International College më 1920. Ai synoi kryesisht njohjen e Shqipërisë dhe kultivoi krenarinë kombëtare të nxënësve, një pjesë e të cilëve kishin lindur në SHBA.” 75
75 B. Fevziu. Historia e shtypit shqiptar: 1848-2005, Tiranë: Onufri, 2005, f. 48.

Krahas njohjes së atdheut dhe kultivmit të krenarisë kombëtare revista njoftoi dhe kreu shpërndarjen e librave shqip, përkthime të Nolit, Konicës si dhe “Jul Cesari” i Shekspirit dhe “Skënderbeun” e Uinkopit të përkthyer nga Skënder Luarasi. Një pjesë e të ardhurave përdoreshin për shoqatën dhe për të ndihmuar djem shqiptarë për t'u arsimuar. U bë një punë e mirë për ndërgjegjësimin e studentëve shqiptarë e familjeve të tyre për bashkëpunim, për mbledhjen e ndihmave, botimin e disa librave shqip dhe propagandimin e ideve kombëtare.
Në revistën ‘’Studenti’’, me editor Skënder Luarasin, krahas shkrimeve të tij u botuan mjaft materiale të rëndësishme: kanunorja, disa raporte përmbledhjesh, artikuj, aktivitete, lajmërime mbi disa përkthime dhe telegrame. Qerim Panariti dhe Skënder Luarasi në emër të studentëve shqiptarë të Amerikës, iu drejtuan Kryetarit të Konferencës së Paqes në Paris, Presidentit të SH.B.A. Woodrow Wilson dhe Delegacionit Amerikan në Konferencën e Parisit, për të rivendosur pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë, duke përfshirë në kufijtë e saj krahinat e Kosovës dhe të Çamërisë, në bazë të së drejtës së kombësisë dhe të vetvendosjes, për hir të së drejtës dhe paqes së ardhshme në Ballkan.
Revista “Studenti”, u shpërnda në Shqipëri, SHBA, Kanada dhe në vende të tjera ku kishte shoqata shqiptarësh dhe dashamirës që mund të ndihmonin. Numri i parë i saj gjendet edhe në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë.
Disa pliko iu dërguan edhe botuesit Kristo Luarasi, pronar i shtypshkronjës ”Mbrothësia” në Sofje dhe albanologut danez Holger Pedersen të cilët i përgëzuan për botimin
Në motin shkollor 1920-1921 ‘’Lidhja e studentëve shqiptarë’’ u shpërngul në Boston, Mass dhe revista ''Studenti'' mori titullin “The student'' , me drejtues të ri Jorgji N.Priftin.
“Dialëria”. Botimi i revistës ''Djalëria'' cilësohet një nga arritjet më të rëndësishme të shoqërisë së studentëve shqiptarë‘’Albania’’ që u realizua në mënyrë jo të rregullt në vitet 1920-1929. Për nivelin shkencor e përmbajtjen patriotike si dhe për paraqitjen dinjitoze grafike, revista ''Djalëria'' renditet ndër revistat më cilësore shqiptare të botuar në gjysmën e parë të shek.XX. Atje botuan shkrime personalitete si : Jani Basho, Fuad Asllani, Gjovalin Gjadri, Kolë Mirdita-Helenau, Xhevat Korça, Lasgush Poradeci, Krist Maloki, Hasan Ceka, Safet Butka, Skënder Luarasi etj.
Blendi Fevziu e cilëson organin “Djalëria” një nga më të suksesshmet e kohës e cila “pati në drejtimin e saj njerëz të cilët më vonë u bënë mjaft të njohur në Shqipëri , si Skënder Luarasi, Hasan Ceka, etj.” 76
76 Po aty. f.48
Kur u shpall Shqipëria monarki, Skënder Luarasi i drejtoi një protestë me shkrim mbretit, në ceremoninë e kremtimit të pavarësisë, më 28 Nëntor 1928, si kryetar i shoqërisë Albania mbajti një fjalim të ashpër ku as e përmendi me emër monarkun ndërsa numrin special të kushtuar festës së 28 Nëntorit botoi dy portete: të Ismail Qemalit me diçiturë ''Pater Patria'' dhe të Bajram Currit me fjalët ''Kosovë!'' dhe ''Per aspera ad astra'' të pikturuara nga sekretari i shoqërisë, Qemal Butka.
Në këtë botim ai shkruan edhe për hallin e madh që po kalojnë bashkatdhetarët në trojet e pushtuara:”Le të qëndrojmë një grimë në mendim vaji për vëllezrit tanë në veri e në jugë q'akoma rrojnë robër. Koha do të vinjë - dhëntë Zoti - që Kosova, atdheu i mbytur në gjakun e fatosave të liris arbnore dhe i larë me lotët e nënave fatkeqe, atdheu i puthur prej buzëvet të njoma foshnjash të pafajshme, që n'agoni shpirti bijen nën forcën e gjakpirësit: që Kosova jonë trime do të bashkohet me mëmën Shqipëri.” 76
76 S. Luarasi. Popullsia e Kosovës, Dialëria, nëntor 1928, f.15.
Konsulli shqiptar në Vjenë, lajmëroi urgjentisht Tiranën, u morrën masa të ashpra, prerje bursash dhe u ndalua bordi botues ta shpërndanin revistën pasi botimi u quajt privat...
‘‘Vullnetari i Lirisë’’. Vullnetarët antifashistë shqiptarë, megjithëse të pakët në numër,fituan respektin e qeverisë spanjolle dhe të komandës së lartë të brigadave ndërkombëtare. Vlerësimi më i madh ndaj trimërisë dhe përkushtimit të tyre qe dhënia e lejes për botimin e revistës ‘‘Vullnetari i Lirisë’’ në gjuhën shqip, me tirazh 5000 kopje, krahas pesë gjuhëve më të rëndësishme ndërkombëtare.
Botues dhe kryeredaktori i revistës ‘‘Vullnetari i Lirisë’’ u caktua Skënder Luarasi i cili zgjodhi si ndihmës gazetarin Petro Marko.
Petro Marko kujton që “Skënder Luarasi ishte në krye të punës duke u shkruar shokëve shqiptarë në fronte të ndryshme që të dërgonin sa më parë shkrime...Pasi lënda u pa dhe u stërpa mirë, Skënder Luarasi u nis për në Madrid, pasi aty ishte shtypshkronja e Brigadave Internacionale ku botohej “Vullnetari i Lirisë“ në shumë gjuhë.’’ 77
77 P. Marko. Vullnetari i Lirisë, Tribuna e gazetarit, nr.6, 1972, f.33.
Numuri i dytë u përgatit të ishte më i pasur në tematikë. Kishte shkrime nga shumë vullnetarë shqiptarë, më shumë fotografi dhe ishte menduar të botohej me tirazh më të madh “Skënder Luarasi shkoi në Madrid , por shtypshkronja Diana Llara në Madrid ishte bërë gërmadhë nga bombardimet fashiste...Kështu që numri i dytë nuk doli dot.” 78
78Po aty.
Numri i parë përmban një sërë artikujsh të rëndësishëm ku trajtohen gjendja në Shqipëri, e vërteta mbi luftën antifashiste të Spanjës dhe qëllimet e vullnetarëve shqiptarë, rrezikun e pushtimit fashist të Shqipërisë, ideja për krijimin e frontit popullor antifashist edhe në Shqipëri dhe programi i mundshëm.
Sipas Petro Markos “Vullnetari i Lirisë‘: ‘’mund të themi me plot gojën se është e para revistë revolucionare e rrugës së gjatë dhe të vështirë të shtypit tonë para çlirimit”79
79 Po aty
Skënder Luarasi qe ndër të parët që i sqaronin shqiptarët kudo në botë për rrezikun fashist që po i kërcënohej Shqipërisë:
‘‘Asnjë popull tjetër nuk e ka kokën e tij më afër hanxharit të fashizmit se sa e ka populli shqiptar’Duke luftuar në frontin e Madridit, luftohet edhe në të gjithë frontin e Shqipërisë sonë. Aty po i përgatitet varri fashizmit italian, i cili është edhe kuçedra e popullit të Shqipërisë’’ 80
80 Po aty.
Këto pikëpamje i shprehu më qartë, si përgjegjësi i vullnetarëve shqiptarë, në artikullin programatik ‘‘25-vjet indipendencë’’.‘‘Përsëri po shkojmë drejt humbjes së plotë të pavarësisë së Kombit tonë; përsëri po ngrysemi në natën e robërisë e në ankthin e kohëve të errëta që ia ka përgaitur botës fashizmi barbar. Mbi kurrizin e popullit shqiptar Musolini po sheshon udhën e penetracionit romak në Ballkan. Shqipëria është në kthetrat e kuçedrës fashiste.’’ 81
Këtë fakt e analizojnë Petro Marko 82 dhe Kristo Frashëri 83
81 S.Luarasi. 25 vjet indipendencë, Vullnetari i Lirisë, 1937, f. 18.

82 P.Marko. Intervistë me vetvete. (Retë dhe gurët), Tiranë, Omsca, 2000.
“Që ata patën bërë propagandë kundër nesh të Spanjës doli në shesh jo vetëm nga letra që i patën dërguar Komitetit Ballkanik kundër botimit të ‘’Vullnetarit të Lirisë‘’ por edhe në një raportim që kishin bërë kundër Skënder Luarasit.” 83
83 K. Frashëri. Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së :1878-1941 : vështrim historik me një shtojcë dokumentare, Tiranë, Ilar, 2006, f.382-383.
Në një raport të Ali Kelmendit, më 15 janar 1938, ai njofton “ ka dy javë e ma qi rivista V. i L. (Vullnetari i Lirisë) na erdhi nga Spanja e cila ka gabime politike. Fryma e saj asht e ashpër përsa u përket punëve tona të ditëve të sodit. Redaktor i kësaj reviste asht Skënder Luarasi, një ish profesor i literaturës për shkolla në Shqipëri. Asht i ndershëm deri në palcë por mjaft konfuz. Horizonti i tij politik asht i ngushtë.”
Sipas historianit Kristo Frashëri (po aty , f.112) : “Raporti që i dërgoi Ali Kelmendi Kominternit, më 15 janar 1938, përshkohej nga një mllef ndaj shokëve, mllef i cili duket se e ka burimin te mospërfillja e shokëve ndaj tij. Ali Kelmendi nuk u shqua as në trajtimin politik dhe ideologjik të situatës dhe të problemeve që shtroheshin para vendit...Ai e ndjente edhe vetë dobësinë e penës së tij si kapter që kishte qenë. Pas këtij raporti Ali Kelmendi nuk jetoi gjatë ”
Emisionet radiofonike në gjuhën shqipe. Një tjetër kontribut i Skënder Luarasit në median shqiptare janë emisionet radiofonike në gjuhën shqipe nga radiot spanjolle, një ngjarje e rëndësishme për historinë e radiofonisë shqiptare. Që në janar 1937 pati nisur të përhapej nga Spanja zëri i lirisë dhe i së vërtetës në gjuhën tonë amtare nga emisionet që u përgatitën me tekst dhe zë nga Skënder Luarasi. Revista ‘‘Vullnetari i Lirisë’’ informonte se disa emisione shqip u dhanë nga Valencia e Barcelona, disa edhe nga radioja e Madridit. Petro Marko kujton që ‘’ profesor Skënder Luarasi fliste nga radio Barcelona dhe emisionet në gjuhën tonë mund të themi se ishin emisionet e para revolucionare në gjuhën shqipe. Nëpërmjet tyre bëhej një punë e madhe’’ . 84
84 P.Marko. Vullnetari i Lirisë. Organ i vullnetarëve shqiptarë në Spanjë, Tribuna e gazetarit, Nr.6, 1972, f.33.
Ai thekson se “Është një ngjarje historike në radiofoninë shqiptare, që për herë të parë në histori është transmetuar emisioni radiofonik në gjuhën shqipe përmes zërit të Skënder Luarasit. Hera e parë që në eterin e universit, gjuha shqipe u dëgjua në tërë botën, nga radio Barcelona e ku Profesori foli për luftën e Spanjës dhe vullnetarët shqiptarë që merrnin pjesë atje.” 85
85 S.Luarasi. Në brigadat internacionale.Tiranë, Toena, f.88.
Edhe ky fakt i ka shpëtuar atyre që kanë shkruajtur historinë e radiofonisë shqiptare.
 
Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

Petro Luarasi

SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

4. Aktivist
Skënder Luarasi ka luajtur një rol të rëndësishëm si aktivist e organizator i shoqërive studentore në SHBA, Austri e Shqipëri dhe veprimtar shoqëror.
“Lidhja e Studentëve shqiptarë” në SHBA, në historinë e themelimit të saj, ka të shkruar në krye emrin e Skënder Luarasit, një ndër themeluesit kryesorë të saj, i cili që në moshë të re u aktivizua në lëvizjen kombëtare shqiptare në SHBA duke mbajtur lidhje me personalitete të shquara si: Fan Noli, Kristo Dako, Sevasti Qiriazi-Dako, Parashqevi Qiriazi, Bari Omarin, etj.
Në një takim me Parashqevi e Sevasti Qiriazin ata biseduan për nevojën e krijimit të një bashkimi studentor me degë në të gjithë Amerikën. Në vjeshtë 1917, me të filluar shkolla, së bashku me disa studentë shqiptarë si Qerim Panariti, Zenel Drizari, Jovan Morcka, George Frashëri, Mina Lluka, Rafael Burgaleci, të influencuar nga Parashqevi Qiriazi, u bënë inisiatorë të krijimit të shoqërisë: ''Lidhja e Studentëve Shqiptarë'' . Ajo paraqitej si një nevojë e madhe dhe e ngutshme për organizimin e përgjithshëm ndërmjet studentëve dhe të gjithë rinisë shqiptare. “ Që të bëjmë gjeç me vleftë duhet së pari të shikojmë të jemi të organizuar, se ndryshe veprimi jonë sado i gjerë, e i lartë të jetë, do të vejë fare kot. Ndë dëshërojmë të bëjmë detyrën tonë duke ndihmuar në veprimin e shenjtë që kanë nisur bashkatdhetarët për lulëzimin e Atdheut Shqipëri, duhet të organizohemi tërësisht'' 86
86[S. Luarasi]. Studenti, nr.1, janar 1920, f.8.
Qe Skënder Luarasi, ai që në emër të komisionit nismëtar, njoftoi për mbledhjen përfundimtare të Lidhje së studentëve shqiptarë, të cilët mësonin në shkollat e Shteteve të Bashkuara dhe në Kanada, e cila u mbajt më 22 shkurt 1918, në American International College, Springfield, Mass.
Në mbledhje Luarasi u shpreh: ''Jam i sigurtë se e kini kuptuar, që kur jeni duke luftuar në jetën tuaj shkollore, një detyrë tjetër ju thërret: të tjerë djem shqiptarë që nga fatkeqësia ende s'kanë njohur vleftën e arsimit, t'i udhëhiqni në atë rrugën e drejtë që keni marrë ju...'' 87
87 Po aty.
Lidhja e Studentëve shqiptarë u krijua me qëllim që:
Të ndihmojë studentët shqiptarë në mësimet e tyre, të nxisë të rinjtë shqiptarë të mësojnë dhe “të përpiqet të mbjellë e të forcojë në zemrat e studentëve ndjenjën e detyrës për të punuar në fushën e arsimit për të ndrituarit e popullit pasi të mbarojnë mësimet.” 88
88 Po aty.
Letra me urime dhe përkrahje për shoqërinë qenë të shumta, nga qytete të ndryshme në SHBA e Kanada. Skënder Luarasi shkroi disa artikuj mbi aktivitetet e shoqërisë ‘’Lidhja e studentëve shqiptarë’’ që u përkrah veçanërisht nga motrat Qiriazi dhe Bahri Omari të cilët i publikuan në organet e tyre ''Ylli i Mëngjezit'' e ''Dielli''.
Shoqëria ''Albania'' e studentëve shqiptarë në Austri, u themeluar në Vjenë më 10 mars 1918. Motoja e saj ‘’sa kam shpirt kam shpresë’’ shfaqej në stemën që e mbanin me krenari në xhaketën e tyre studentët shqiptarë: një shqiponjë dykrenore në fushë të kuqe dhe në pesë cepat e saj gërmat S.K.S.K.S. Studentët nismëtarë për themelimin e saj qenë Fuat Asllani, Xhevat Korça, Irakli Buda, Jani Basho, Sokrat Dodbiba, Gjovalin Gjadri, Kolë Mirdita etj. Ata të ndërgjegjësuar me ndjenjën kombëtare, donin të aktivizoheshin në veprimtari patriotike, kulturore, arsimore e publicistike që t'i vinin në ndihmë atdheut e shtetit të ri shqiptar.
Anëtarët e shoqërisë studentore ''Albania'' çdody vjet mbanin mbledhjen e përgjithshme ku votonin një këshill nga i cili zgjidhej kryetari, sekretari dhe arkëtari. Më 28 nëntor 1926 u bë mbledhja që zgjodhi Skënder Luarasin kryetar dhe njëkohësisht redaktor përgjegjës të organit “Djalëria”.
Në artikullin redaktorial të organit “Dialëria”, të botuar në 10-vjetorin e shoqërisë ‘’Albania’’ përshkruhet historiku i lëvizjes studentore shqiptare në botë që nis nga shoqëria ‘’Lidhja e Sudentëve Shqiptarë e themeluar në SHBA nga fundi i shkurtit (22 shkurt) të vitit 1918 dhe vazhdon me shoqërinë “Albania” në Austri, e cila u themelua në 10 mars 1918. Në këtë artikull Skënder Luarasi thekson se “i përmenda këto dy organizata që të provojmë... se themelimi i tyre s’u shkaktua nga ndonjë mendim i kotë për të endur disa nyja të zbrazëtam mbi kartë, por nga nevoja e natyrshme q’u ndje kudo për të mbledhur dialërin shkollare të Shqipëris rreth një organizimi të përgjithshëm.“ 89
89 [S. Luarasi]. Albania: 1918-10 mars-1928, Dialëria, nr.5, mars 1928, f.2-4.
Aleks Buda kujton që Skënder Luarasi “qe një organizator, aktivisti palodhur… Me energjinë dhe vendosmërinë e tij u bë shpirti drejtues i shoqërisë sonë të studentëve të Vjenës” 90
90 T.Haxhimihali. Aleks Buda: Kujtime, Vepër e cituar.
Agim Fortuzi, Kryetari i ‘’Shoqatës së Graduatëve” në Shkollën Teknike përmend edhe Skënder Luarasin si një gazetar të shquar në revistën letrare shkencore ‘’Shekulli XX’’ e cila “me shkrimet e Tajar Zavalanit, Mit’hat Frashërit, Harri Fulcit, Skënder Luarasit dhe Filip Fishtës, pretendonte që në fillim të bëhej një laborator i rëndësishëm me orvatjet për diagnostikimin dhe shërimin e sëmundjeve të shoqërisë shqiptare”. 91
91 A. Fortuzi, Shkolla Teknike. Kujtimet e një studenti të Shkollës Teknike, Tiranë, Mokra, 2003, f.2.
Sipas Joan Fultz-Kontos toni i saj si dhe shumica e përmbajtjes së botimeve tregonin prirje anglosaksone që nuk i përgjigjes mendësisë e strukturës burokratike të Shqipërisë ''Ajo që ishte ndoshta më acaruese për autoritetet shqiptare ishin bashkëpunëtorët shqiptarë si Skënder Luarasi dhe Mit'hat Frashëri që njiheshin gjerësisht për qëndrimin e tyre kritik” 92
92 J. Fultz-Kontos. Kryqi i Kuq, shqiponja e zezë, Shtëpia Botuese Enciklopedike, 1994, f.166.
Kur qe mësues në gjimnazin e Shkodrës Skënder Luarasi ndihmoi në organizimin e shoqërisë “Besa Shqiptare” dhe influencoi drejtuesit e saj të rinj me në krye nxënësit e tij Q.Stafa, N.Rushiti, Ramiz Xhabia, Emin Duraku, Hajdar Dushi, Sadik Bekteshi, Xhemal Broja etj që të aktivizoheshin me shkrime dhe aktivitete social-kulturore, të nxirrnin një gazetë, të kryenin shfaqje teatrale e aktivitete të tjera dhe të luftonin dasinë fetare.
Disa studjues kanë vënë në pah kontributin e tij për të botuar revistën “Vepra” me frymë atdhetare, demokratike antifashiste ku të shpalosej fjala e lirë shqipe në bashkëpunim me intelektualët Selim Shpuza, Gani Dizdari, Salo Halili, Millosh Nikolla, Teufik Gjyli,Rragip Gjylbegu, Malo Beci , Rrefik Shpuza, Ahmet Çaku.
‘’Skënder Luarasi ishte organizator shoqëror i veprimtarisë së këtyre mësuesve, me të cilët u lidh një shoqëri e miqësi e vërtetë, duke i vënë edhe këto ndjenja të fuqishme në funksion të çështjes kombëtare’’. 93
93 I. Gogaj. Skënder Luarasi – shëmbëlltyrë e përkryer e mësuesit atdhetar e demokrat, Artikull i cituar, f.4
Mbas çlirimit të vendit, Skënder Luarasi qe nismëtar në themelimin e Lidhjes së Shkrimtarëve, mbajti fjalimin programatik dhe u zgjodh anëtar i Kryesisë së saj deri në tetor 1949. Ai që në fillim u shpreh që Lidhja e Shkrimtarëve duhej të bazohej në parimet demokratike e vendimmarje kolegjiale. Ai mendonte se letërsia shqipe nuk mund të zhvillohej duke krijuar vlera të mirëfillta, pa zhvillimin e natyrshëm të saj. Skemat dogmatike të imponuara me urdhëra nga lart ngurtësonin botën e brendshme, të pasur e të lirë të krijuesit. Liria shpirtërore dhe idealet (demokratike, socialdemokrate e socialiste) binin ndesh me konceptin dhe praktikën e kultit të individit dhe diktatin e partisë në pushtet. “Skënder Luarasi, Kasem Trebeshina, Mehmet Myftiu e ndonjë tjetër, mbetëm të vetëm në përpjekjen e tyre ballore ndaj diktaturës. Mungesa e karaktereve të fuqishme ishte fatkeqësia më e madhe e letërsisë dhe e shoqërisë shqiptare në ato vite” 94
94 F.Arapi Kujtohem që jam, Tiranë, Marin Barleti, 1997, f.60.
Ndryshe nga shumë shkrimtarë të brezit të tij, që e pranonin këtë gjendje të heshtur, Skënder Luarasi e quante detyrë madhore kombëtare për ta demaskuar . Si pasojë klanet keqdashëse e etiketuan “grindavec” ndërkohë që dashamirët e quanin “Shqipëria rilindase në socializëm” 95
95 Po aty.
Sipas Ali Dhrimos “Skënder Luarasin ishte një figurë nga më të pastrat” që nuk grindej për qejfmbetje të vogla personale, por për çështje madhore kombëtare.''96
96 A.Dhrimo Si e kam njohur Skënder Luarasin, Shekulli, 27 prill, 2007, f. 21.
Një shembull kuptimplotë është debati në konferencën e Tretë të Lidhjes së Shkrimtarëve ku Sefulla Malëshova, Skënder Luarasi e Ymer Dishnica u përjashtuan si anëtarë të lidhjes për qëndrimin e tyre antikonformist ndaj metodave e qëndrimeve jodemokratike që ndiqte Kryesisë e Lidhjes në fushën e letërsisë e të arteve e nënshtruar ndaj diktatit të partisë.
Kol Jakova atëhere “treshen” e quante “të çmendur që i binin murit me kokë”.
“Ata qëndronin të patundur në mendimet e tyre...deklaronin se letërsia dhe Organizata e Lidhjes së Shkrimtarëve kishte rënë në dorë të njerëzve të paaftë e servilë... Në këtë mbledhje u përjashtuan të tre këta shkrimtarë” . 97
97 K.Jakova. Treshja e çmendur që i binte murit të diktaturës me kokë: Kujtime, Shekulli, 21 mars, 2005, f.5
Në këtë situatë kuptimplotë është akuza e Enver Hoxhës ndaj Skënder Luarasit:” se ka një kuptim borgjez për lirinë e fjalës”. 98
98 E.Hoxha.Të shtojmë vigjilencën revolucionare për të ruajtur fitoret e arritura...", Vepra 6, Tiranë, 1971, f.353.
"Në konferencën e shkrimtarëve pati edhe ndonjë element si S. L. që bërtiste të lejohej të fliste Sejfulla Malëshova "se te ne ka liri fjale". Tipa si ky kanë një kuptim borgjez për lirinë e fjalës dhe janë gati në emër të saj të mbrojnë e të kënaqin interesat e tyre të ngushta prej intelektuali të sëmurë e arrivisti pa princip"
Skënder Luarasit e shfaqte me të gjitha format kundërshtimin e tij ndaj diktaturës e kultit të individit. Bindjet e tij atdhetare e demokrate nuk mund të pajtoheshin me sistemin diktatorial që abuzonte me terminologjinë socialiste duke i shtrembëruar idealet në praktikë. 99
99 S.LuarasiNë brigadat internacionale, Libër i cituar, f.9.
“Së pari, e kam ndjerë veten të lidhur me atdhenë gjithë jetën time. Them kështu, që të mos përdor fjalën patriotizëm, me të cilën janë bërë aq shumë spekulime. Së dyti, kam dashur që në këtë atdhe, populli të bënte një jetë të njerëzishme, me drejtësi dhe barazi shoqërore, që secili të gëzonte frutet e punës së vet, të nderohej si qytetar i plotë e të mos rronte njeri në kurriz të tjetrit. Them kështu, që të mos përdor fjalën socializëm, me të cilën nuk janë bërë më pak spekulime”
“Të dhënat e grumbulluara nga “vitet 1990 e në vijim, kanë hequr tashmë çdo dyshim për ekzistencën e disidencës edhe në Shqipëri. Kjo rrymë letrare, paraprihet nga pikëpamja ideoestetike që në vitet 1945-1946 me kundërshtimet e S. Malëshovës, S. Luarasit, I. Dishnicës ndaj ideve zhdanoviste që nisën të depërtonin këtu që me vendosjen e pushtetit komunist.” 100
100 Gj. Kola. Mehmet Myftiu, autori i romanit për disidencën shqiptare, Kritika,18 tetor, 2007.
Kundërshtimin e tij ndaj diktaturës, madje sfidën e tij, e dëshmojnë shumë njerëz e ngjarje
dhe dosjet me deponimet e informatorëve.
Shkrimtari Zija Shkodra, i dënuar politik, ka përshkruar në ditarin e tij dhimbjen që ndjente Skënder Luarasi kur ai i përshkruante se si u sajuan akuzat që e dënuan së bashku me disa pedagogë e studjues.“Skënder Luarasit i vinte shumë keq dhe i shtrembërohej fytyra, herë zverdhej nga inati dhe urrejtja që kishte.” 101
101 Z. Shkodra. Intelektualët-sfidues të regjimeve. Rilindja, 15 shkurt, 1998, f.12.
Këtë mekanizëm terrori mbi inteligjencin mund t’a kundërshtonin vetëm njerëz idealistë me karakter të fortë. “Skënder Luarasi, Kasëm Trebeshina, Mehmet Myftiu e ndonjë tjetër, mbetën të vetëm në përpjekjen e tyre ballore ndaj diktaturës. Mungesa e karaktereve të fuqishme, ishte fatkeqësia më e madhe e letërsisë dhe e shoqërisë shqiptare në ato vite 60'.” 102
102 Fatos Arapi. Kujtohem që jam, Libër i cituar, f.150.
Në rrethe të ndryshme janë hedhur hipoteza të shumta mbi ata që e përndiqnin Skënder Luarasin, shkaqet dhe arësyet përse nuk e arrestuan.
Një fakt të rëndësishëm ka shpallur Nafiz Bezhani, i cili në vitin 1997 kryente detyrën e Kryetarit të Komisionit Shtetëror të Kontrollit të Figurës së Zyrtarëve.
I bazuar në dosjet sekrete ai dëshmon që vetë udhëheqësi i Partisë, kishte caktuar një informator potencial për ta survejuar e për të përgatitur dosjen por i cili nuk e kreu detyrën. : ”Për profesor Luarasin, Roberti dhe kushdo tjetër e kishin shumë të lehtë të mbushnin dosje apo edhe thasë plot me raporte për të, për shkak se ai ishte kundër diktaturës dhe kishte kurajë t'i thoshte hapur pikëpamjet e tij; kishte një personalitet të tillë që nuk mund të ndryshonte ngjyrat e realitetit, nuk mund të fshihte realitetin, nuk mund të gënjente, nuk mund të mos thoshte atë që ndiente për gjithçka të mbrapshtë që ndodhte në vend. Por, a ishte e drejtë të prangosej një personalitet kaq i madh për mendimet e shprehura me logjikë të pavarur?!” 103
103 N. Bezhani. Mëkatarët. Nëpër dosjet sekrete të sigurimit të shtetit. Libër i cituar, f.172
Fatos Arapi, një ndër shkrimtarët, pjesë e asaj barikade të heshtur por rezistente ndaj diktaturës shpjegon se të gjithë e kuptonin mesazhin dhe rrugën që përshkonte Skënder Luarasi, të cilën ua tregonte edhe të tjerëve, atë nga kultura e gjerë e popujve dhe njerëzve të mëdhenj të kombit. “Të gjithë e përvetësonim simbolin e përhershëm, metaforën e luftrave të Luarasit, ''majuckën'' partiake së cilës i sulej e çkurorëzonte.” 104
104 F.Arapi, Nderim Skënder Luarasit artikull i cituar, f.1
Dritëro Agolli ka thënë për Skënder Luarasin: “fjala e tij kapërcente çdo gardh, përhapej dhe vepronte ndër njerëzit. Ai, me kulturën e gjerë evropiane, me ndërgjegjen e lartë patriotike dhe me konceptet e palëkundshme të një socialisti demokrat, ishte hallka lidhëse e epokës së ndritur të rilindasve me epokën e re të atdhetarëve demokratë, mendimtarëve dhe luftëtarëve për një shoqëri të përparuar demokratike dhe për një Shqipëri të qytetëruar.” 105
105 D. Agolli, Skënder Luarasi – legjendë, mit dhe realitet.artikull i cituar
Naum Prifti shkruan se vdekja e tij la një boshllëk të ndjeshëm në rrethet intelektuale. “Skënder Luarasi qëndroi i paepur ndaj diktaturës duke rrezatuar me shembullin e tij guxim e vetëbesim te shpirti njerëzor.” 106
106 N. Prifti. Midis dy kohësh: Shënime udhëtimi. Prishtinë, Buzuku, 2005, f.418
Ndërsa poeti Xhevahir Spahiu shkroi që Skënder Luarasit : “Njeriut të Fjalës së Lirë”, “gojën ia mbylli vetëm vdekja!” 107
107Xh. Spahiu: Skënder Luarasi njeriu i fjalës së lirë : në kujtim të prof. Skënder Luarasit: [poezi], Ndryshe, 27 prill, 2007, f. 12.
 
Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

Petro Luarasi

SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

V KRIJIMTARIA LETRARE

1. Monografi
Skënder Luarasi, kur bëhej e mundur, fjalën shqipe e rrënjoste në botime veprash mbi personalitete të shquara të kombit shqiptar. Ndër vite ai botoi veprat ''Kolonel Thomson'' (1934), ''Migjeni''(1957),''Petro Luarasi” (1958), 'Ismail Qemali'' (1962), '' Isa Boletini'' (1971) ''Gjerasim Qiriazi''(1962), ''Motrat Qiriazi'' (1962) (anglisht e frengjisht). Vepra ''Sevasti Qiriazi'' dhe ''Motrat Qiriazi'' (1962) iu bllokuan nga censura ndërsa “ Fan Noli-jeta dhe vepra” “humbi”.
“Do të mjaftonin këta emra për të kuptuar kostelacionin e yjeve që ndizte Skënder Luarasi në qiellin tonë sterrë për të kuptuar se çfarë rruge i tregonte ai këtij populli, dhe më në fund, për të kuptuar se prej çfarë materie, prej çfarë drite dhe me çfarë orbitash jete dhe lirie jetonte ky burrë.”
“ Kolonel Tomson” është biografia e parë e Skënder Luarasit, të cilën e botoi në revistën ‘’Dialëria’’ në Vjenë, më 15 qershor 1929, për të nderuar kujtimin e heroit Tomson në 15-vjetorin e rënies “si një homazh që djalëria atdhetare shqiptare nuk i harron mirëbërësit” .
Skënder Luarasi si të gjithë atdhetarët shqiptarë e kishin peng në zemër që nuk mundën ta ruajnë heroin Tomson i cili erdhi të “mpronjë pavarësinë, të luftonjë nën flamurin e Kastriotëvet, t’i falë gjakun lirisë s’onë.. Dhe ne…e vramë!” Vepra e tij është e mbushur me heroizma e sakrifica nën betimin ushtarak ‘’Për Shqipërinë jap jetën, jo nderin!’’ Dhe e mbajti fjalën. Lirinë e Shqipërisë e mbrojti me gjakun e vet.... Vlefta e njerëzve si Thomsoni ndjehet, çmohet e kërkohet sa herë që dëgjohet rënkim i popujve të robëruar” 110
110 S. Po aty.
Kur qe student, studjuesi Fluturak Gërmenji dëshironte të shkruante një studim mbi Kolonel Thomsonin, i frymëzuar nga vjersha “ Tomsoni dhe kuçedra” e Fan Nolit dhe biografia e Skënder Luarasit.
“Kur e gjeta në një gazetë artikullin e prof.Skënder Luarasit u befasova për jetën e vrullshme të heroit tim. Ishte një çast kur kërkimi vazhdoi intensivisht. Por gjithçka bëhej në fshehtësi. Nuk e lejonin programet e Universitetit të Tiranës. 111
111 F. Gërmenji. Mesazhe paqeje : Misioni ushtarak hollandez ne Shqiperi, Tiranë, Koha, 1999, f.3.
Në atë kohë ndaj kolonelit Tomson u mbajt një qëndrim fyes e armiqësor , ishte e rrezikshme të studjohej pasi ai qe cilësuar nga Enver Hoxha si agjent i huaj që luftoi kundër lëvizjes fshatare të kryesuar nga Haxhi Qamilit .
” Në takimet me prof. Skënder Luarasin ia thashë brengën time. ‘’Puno - më tha, - puno se do të vijë dita’’.Dhe dita erdhi. Po e nis këtë libër tek ju, bashkë me nderimin për prof. Skënder Luarasin, që është frymëzuesi i tij” 112
112 Po aty
Në vitet e demokracisë është rivlerësuar personaliteti i kolonel Tomsonit dhe kontributi i tij në ndihmë të konsolidimit të shtetit shqiptar duke zënë vendin e merituar ndër miqtë e Shqipërisë.
“Migjeni”. Në shkrimet e tij Skënder Luarasi thekson se kur u kthye në Shqipërinë e çliruar nga fashizmi, kujtonte me mallëngjim Migjenin, mikun e dashur dhe kishte një peng në zemër që, ndonëse kishte ndihmuar me sa mundej, nuk mundi t’ia botojë “Vargjet e Lira”, para se të nisej për në Spanjë. Prandaj qëllimi i tij më i rëndësishëm në lëmin letrar u bë njohja me trashëgiminë letrare të Migjenit dhe botimi i plotë i saj. Deri në vitin 1948 arriti të mbledhë gjithë krijimtarinë e Migjenit në prozë e poezi. “Pjesa më interesante e përmbledhjes do të ishin novelat e panjohura që më pati dorëzuar ime shoqe, motra e Migjenit, Olga. Pata përgatitur edhe një biografi të tij, rreth 100 faqesh, të pasuruara me plot fotografi dhe faksimile.” 113
113 S.Luarasi. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar. Libër i cituar
Për t’a bërë sa më të pasur kërkoi të takonte në Jugosllavi të afërm të Migjenit: Në Ulqin banonte kushërira e parë e tij, në Tivar motra më e madhe, në Beograd një kushërira e parë nga e ëma. “ Por, pasi nuk m'u mundësua, u kënaqa me burimet në Shqipëri.” 114
114 Po aty.
Skënder Luarasi bisedoi në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve mundësinë e botimit të përmbledhjes së tij me rastin e shënuar të10-vjetorit të vdekjes së Migjenit dhe më pas e dorëzoi materialin tek sekretari i kryesisë. “ Lajmi për novelat e panjohura të Migjenit bëri bujë, dashamirët u gëzuan dhe prisnin të botoheshin sa më parë, por krijuan zili në disa shkrimtarë që do të donin të mos i përmendej emri kurrë Migjenit”. 115
115 Po aty.
Historiku i botimit të punimit të Skënder Luarasit mbi Migjenin është i dhimbshëm dhe me peripeci të shumta. Pasi Skënder Luarasin e përjashtuan si anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve, mbas debatit në Konferencën e Tretë, përmbledhja letrare mbi Migjenin u botua e copëtuar nga disa të tjerë. Naum Prifti mendon se “Skandali për librin “Migjeni” u mbyll pa zhurmë, sikurse gjykoj tani, për shkak të marrëveshjes në rang zyrtar, që vepra të mos botohej me emrin e tij. Ky përvetësim skandaloz nuk ia theu aspak vullnetin Skënderit. Me energjinë e tij të pashtershme, iu vu punës dhe hartoi një përmbledhje më të plotë të veprave të Migjenit, të cilën e botoi disa vite më vonë.” 116
116 N.Prifti. Midis dy kohësh: Shënime udhëtimi, Libër i cituar, f.511.
Mbas debatesh të shumta Skënder Luarasit iu botua vepra “Migjeni” në vitin 1957. Në hyrjen e saj përshkruhen edhe peripecitë e botimit: “Më 1954, Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve botoi librin “Migjeni-Vepra”...Në fakt, ky vëllim pushton pjesën më të madhe të lëndës që Skënder Luarasi ja pati dorëzuar për botim komitetit drejtonjës të Lidhjes së shkrimtarëve në gusht 1948 për ta botuar me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes së Migjenit:”.
Ky botim paraqet rëndësi të madhe sepse mbi bazën e dokumentave dhe fakteve historike u dha përgjigje mjaft spekulimeve që bëheshin mbi jetën dhe veprën e Migjenit, kinse ai qe me prejardhje e mendësi jo shqiptare, nuk e dinte mirë shqipen, talenti iu shfaq për shkak të sëmundjes, nuk kishte vlera të spikatura letrare por qe produkt i mendësisë së diktaturës dhe përfaqësues i realizmit socialist, etj. Gjithashtu shërbeu si orientim për studime të tjera. Arshi Pipa shkruan se studimi i tij “i shkruar frëngjisht mbi Migjenin ''Mythi i prendimit në poezinë e Migjenit'' (Sudost-Foschungen,1971) është bazuar në vëllimin “Migjeni,Vepra” të përgatitur nga Skënder Luarasi.” 117
117 A.Pipa. Letër. Letër dërguar Skënder Luarasit, 7 janar 1992. (Fondi i familjes S.Luarasi)
Familja Qiriazi. Ndonëse Gjerasim Qiriazi njihej nga rilindasit si një atdhetar i flaktë, aktivisti i palodhur për çështjen kombëtare, që të gjitha energjitë e tija fizike dhe mendore ia kushtoi çështjes së çlirimit dhe përhapjes së gjuhës shqipe në popull, ai ka qenë përgojuar “si protestant” e “agjent” dhe mbuluar nga haresa. Skënder Luarasi nëpërmjet artikujve, debateve dhe veprave që botoi i bëri të njohur në masat e popullit. Autori evidentoi karakteristikën thelbësore të veprës së tyre, e cila qe shpallja e parimeve të larta që duhet të drejtojnë njeriun në jetë, virtytet që duhet të zbukurojnë karakterin e tij, atdhetarizmi, dashurisë për njeriun, respekti për punën, punën e jashtëzakonshme në arsim etj.
‘’Të gjithë anëtarët e kësaj familje, burra e gra, në vendlindje e në mërgim, kudo ku i patën
përplasur dallgët e jetës, kush më shumë e kush më pak, ia kushtuan jetën dhe veprën e tyre
Shqipërisë duke lënë gjurmët e tyre të pashlyeshme në historinë e rilindjes kombëtare’’. 118
118 S.Luarasi. Gjerasim Qiriazi, Jeta dhe vepra, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1962, f.12.
Në periudhën pas çlirimit të vendit, në rrethana të caktuara ndaj Gjerasimit, Sevastisë dhe Parashqevisë u mbajt një qendrim armiqësor. Në këto rrethana Skënder Luarasi shkroi dhe arriti të botojë jetën dhe veprën e tyre, mbas shumë peripetish, në vitin 1962, në kuadër të 50-vjetorin të Pavarësisë: “U vu re një ndryshim në qëndrimn ndaj familjes Qiriazi. Shkak për këtë ndryshim u bë intelektuali i dëgjuar shqiptar, Skënder Luarasi ... ai botoi një biografi të shkurtër me titull ‘’Gjerasim Qiriazi, Jeta dhe Vepra’’…Libri pati sukses të madh…Që nga kjo kohë Gjerasim Qiriazi dhe familja e tij filluan të zënë vendin që u takonte në historinë shqiptare. Botimi i Luarasit përbën bazën e studimeve të mëvonshme rreth Qiriazit.’’ 119
119 Xh. Kuanrud, Besë, shpresë dhe dashuri. Jeta e Gjerasim Qiriazit,Tiranë, Kartë e pendë, 1998, f.19-20.
Në këtë periudhë u botuan përveç monografisë ‘’Gjerasim Qiriazi-jeta dhe vepra’’, edhe broshura ‘’Motrat Qiriazi’’, anglisht e frengjisht ndërsa veprat “Motrat Qiriazi”, shqip dhe “Sevasti Qiriazi” mbetën lastra në shtypshkronjë sepse u dha urdhër të mos qarkullojnë.
‘’Këto botime …i bënë të njohur disa nga përfaqësuesit më të shquar të familjes Qiriazie
veçanërisht kontributin e madh që ata kanë dhënë për zhvillimin e arsimit e të kulturës
kombëtare në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX” 120
120 Po aty
“Ismail Qemali.” Skënder Luarasi vërente që në diskutime, artikuj e botime historianësh e
politikanësh, për arrësye subjektive mbahej një qëndrim jo i drejtë ndaj personalitetit dhe
veprës së Ismail Qemalit. Nga disa thuhej se kinse nuk njihej, nga të tjerë se kishte bërë
gabime. Skënder Luarasi theksonte se për veprën e tij madhore, Ismail Qemali u bë njeriu më
i luftuar dhe më i lëvduari në historinë e Rilindjes shqiptare, ndaj të cilit u sajuan shumë
shpifje e intriga nga armiqtë e Shqipërisë, por që populli shqiptar duhet ti marrë si lëvdata për
të, e t’i jetë mirënjohës për jetë. 121
121 S.Luarasi. Ismail Qemali, Tiranë, SHBLP,1972, f.10-11
Ai shfrytëzoi rastin e kujtimit të 50-vjetorit të Pavarësisë
për të botuar monografinë e flamurtarit të saj. Botimi, edhe pse iu censurua me mbi 30 fletë,
ngjalli entuziazëm në Shqipëri dhe gëzim të madh në Kosovë e diasporë. Në Kosovë u botua
menjëherë. U shkruajtën mjaft komente mbi këtë vepër dhe autorin e saj.
”Në monografitë për figura të ndritura të kombit si Ismail Qemali e Isa Boletini lexuesi ndodhet përpara një njeriu me fuqira titanike, përpara një pune të madhe e të parreshtur, përpara një mjeshtri artist me zemër të madhe që farkëtoi e qëmtoi fjalën shqipe, që skaliti gjer në çastin e fundit fjalën dhe gjuhën tonë të lashtë e të madhërishme, me dashurinë për të parët tanë, për kombin e të ardhmen e tij”. 122
122P. Jorgoni. Me forcë e guxim Prometeu, Drita, 16 janar 2000, f.6.
“Isa Boletini.” Skënder Luarasi e vlerësonte shumë veprimtarinë atdhetare të Isa Boletinit dhe sakrificat madhore të familjes së Boletinëve. Në një situatë të përshtatshme, me rastin e 50-vjetorit të pavarësisë, kur ndaj Isait mbahej një qëndrim mospërfillës ai shkroi një artikull për kryetrimin e betejës së Cernalevës dhe i shkroi biografinë e cila iu botua pas një dekade, në vitin 1971. Në vitin 1972 u botua edhe në Kosovë . Skënder Luarasi me biografinë e tij e përjetësoi me vërtetësi këtë personalitet me cilësitë e një strategu ushtarak në lëvizjen tonë kombëtare. Ai e vlerësoi Isa Boletinin edhe për personalitetin e shquar burrëror, që qëndroi krahpërkrah Ismail Qemalit në shpalljen e pavarësisë sonë kombëtare. Botimi paraqiste interes të veçantë si burim studimi, edukimi atdhetar dhe sidomos si një kushtrim në përkrahje të Kosovës në situatat e vështira që po kalonte . Libri u prit me një entuziazëm në diasporë. Organet e saj lajmëronin që në pragun e 60-vjetorit të Indipendencës shqiptare doli libri mbi Isa Boletinin, me jetën dhe veprat e tija të shkëlqyera për Atdheun dhe popullin shqiptar.
“Autori i këtij libri me rëndësi është Profesor Skënder P.N.Luarasi, i cili ka treguar një kujdes të posaçëm duke mbledhur në libra dhe nëpër broshura jetën dhe veprat patriotike të Nacionalistëve Shqiptarë që lëftuan me pushkë dhe me penë për çlirimin e Shqipërisë nga kthetrat e robërisë së huaj” 123
123 Lajmërim. Liria, Boston, Mass. 12.5.1972, f.2.
Duke shkruar biografinë e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit, këtyre dy prijësve të njohur politike e luftarake, autori farkëtonte unitetin mbarëkombëtar. Jo pa qëllim autori jep një përshkrim historik të popullsisë së Kosovës, që u bëri ballë sulmeve të huaja për të mbrojtur truallin e tyre; si vazhdues të dardanëve, të parëve të tyre ilirë. Skënder Luarasi ndjehej i lumtur që mundi të paguajë këtë tribut të vogël të detyrës ndaj Varrit të Dëshmorëve. ''Ç'është e vërtetë për Ismail Qemalin, mund të thuhet edhe për shokun e tij të armëve Isa Boletinin, i cili bëri për atdhenë në fushën e betejave, atë që bëri Ismail Qemali në fushën e politikës e të diplomacisë''. 124
124 S.Luarasi. Isa Boletini: Jetëshkrim i shkurtër, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1971, f.5.
Autori këtë biografi ia dedikoi “Nanës Kosovë që e lindi , e rriti dhe e mban në gji Birin e Saj Besnik, me zemër që rrahu gjer në fund për Shqipërinë” të cilave më pas u shtonte thënien e Isa Boletinit si një amanet për brezat e ardhshëm ''Tokën tonë q'e thau Osmanllia /Lotët tanë nuk mundën me e njomë/ E tash na kena me e vaditë / me gjak të Shqiptarit! 125
125 Po aty.
Kritikë të ndryshëm e vlerësuan këtë biografi për rigorozitetin shkencor në ngjarjet e faktet historike, për gjuhën e gjallë dhe rrjedhshmërinë emocionale të subjektit, ku janë përgjedhur me mjeshtëri ngjarjet më tipike, më të rëndësishme në jetën e heroit. Ndërkohë që klane dashakeqe e pengonin dhe tentonin ta shtrembëronin personalitetin e Isa Boletinit dhe veprimtarinë e tij. Me botimin e veprës ''Isa Boletini'' (1971) Skënder Luarasi “theu tabunë e atyre fallsifikatorëve apo ''kambanat'' e vrasësve të popullit kosovar”. 126
126 M.Islami. Lidhja shqiptare e Prizrenit, Libër i cituar.
 
Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

Petro Luarasi

SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

2. Publicistika
Skënder Luarasi bën pjesë në grupin e atyre publicistëve që krijuan e botuan në periudhat e rëndësishme të viteve 20-të, 30-të dhe të “realizmit socialist”. Përgjatë kësaj kohe ai ka trajtuar tema me ndjeshmëri të lartë sociale, historike, kulturore, letrar e politike. Publicistika e tij në vite trajton temat më të rëndësishme për kombin shqiptar: çlirimin kombëtar e shpirtëror, unitetin kombëtar, dinjitetin e gruas shqiptare, përpjekjet për arsimimin kombëtar laik e gjuhën e unifikuar shqipe, evidentimin e personaliteteve kombëtare dhe miqve të Shqipërisë.
Studjues të ndryshëm kanë vërejtur se për nga mënyra e të shkruarit Luarasi ndërthur frymën romantike të rilindasve e klasikëve botërorë me realitetin dhe vizionin për të ardhmen e Shqipërisë së Re.
Luarasi paraqet një konceptim realist të jetes, të tipave e të problemëve, por në të njëjten kohë ndihet prirja në përgjithësi për një frymë romantizuese të periudhës së Rilindjes që ndjehet sidomos në trajtimin e temave nga e kaluara , trajtimi i temës kombëtare - fati i trojeve etnike paraqitja e jetës së fshatit, përshkrimi i natyrës shqiptare, trajtimi i temës së kurbetit, i temës së gjakmarrjes etj.
Por problemet shoqërore që ngriti, fryma antifeudale,antifashiste, pakënaqësia e intelektualëve, fshatarëve dhe e punëtorëve, demaskimi i pushtetit abuzues dhe shtresave të privilegjuara, krijimi i karaktereve të fuqishme dhe i mjediseve të natyrshme, e bëjnë publicistikën e tij realiste.
Të tillë e bëjnë edhe ligjërimi, gjuha dhe mënyra se si është trajtuar tema dhe dukuria.
Asnjë kritik nuk e ka analizuar e shpjeguar se cilit drejtim i takon Skënder Luarasi duke theksuar vetëm faktin se nuk i përket drejtimit të realizmit socialist. Mua më duket më bindës mendimi që të trajtohet Skënder Luarasi si vazhdues i traditës së Rilindjes me një vizion realist drejt një epokë të re demokratike.
Në qarqet e publicistikës shqiptare Luarasi përmendet për shkrimet e tij të fuqishme, me tematikë e stil të veçantë. “Duhet thënë me zë të lartë se në gjithë shtypin e asaj kohe janë botuar shumë artikuj të fuqishëm prej të rinjve me talent dhe me karakter...Janë shkruar artikuj të shëndoshë, problematikë, të Skënder Luarasit, Selim Shpuzës , Sterjo Spasses dhe të shumë të tjerëve, si të Zihni Sakos e Jorgji Meksit.” 127
127 L.Zelka. Mendimi shqiptar për gazetarinë: nga fillimet e Rilindjes sonë Kombëtare deri në fund të viteve 1930, Tiranë, Globus R., 2006, f.136.
Kristo Frashëri e dallon Skënder Luarasin , krahas Ismet Totos, si një prurje e re e viteve 30-të, i cili dallohej ndër intelektualët e publicistët e rinj me shkrimet e tij mbresëlënëse e “therëse.” 128
128 K. Frashëri: Tregoj Shqiperine e Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhes, Koha jonë, 20 tetor, 2007.
Ndërsa Myslim Islami thekson që “veçoria si publicist e S.Luarasit ishte se dinte të përzgjidhte temat e rëndësishme dhe i shkruante në një mënyrë që lexuesin e mbërthente, e bënte për vete... Nervi në të shkruar, stili i tij ishte edhe pasqyrë e temperamentit dhe e karakterit të tij.” 129
129 M.Islami. Lidhja shqiptare e Prizrenit, Libër i cituar.
Petro Marko e kujton si koleg në organin ‘ Përpjekja shqiptare” ku “bashkëpunuan intelektualët më të shquar të kohës si Aleksandër Xhuvani, Lumo Skëndon, Skënder Luarasin, Lasgush Poradecin, Eqerem Çabejn, Ernest Koliqin, Vangjel Kocan, Selaudin Toton, Ramiz Harxhin , Veli Stafën, e shumë të tjerë.
Edhe në vitet e para pas çlirimit të vendit ai bënte pjesë në ajkën e publicistëve si dhe në stafit botues të revistën “Bota e Re”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë ku “përfshiheshin Dhimitër S.Shuteriqi, Aleks Buda, Nexhat Hakiu, Mitrush Kuteli, Skënder Luarasi, Shefqet Musaraj, Arshi Pipa, Zihni Sako, Selahudin Toto e Andrea Varfi” . 130
130 H. Boriçi. Një shekull e gjysëm publicistikë shqiptare (1848-1997), Tiranë, Gjergj Fishta, 1997, f.169.
Gjatë kësaj periudhe të shkurtër ai shkroi artikuj të rëndësishëm. Më pas, në rrethana që i kemi përmendur, ai u mënjanua.
Shkrimin e para publicistik Skënder Luarasi e botoi në moshën 17-vjeçare kur qe nxënës në ShBA. Ai titullohet “Vdekja heroike e Paros” dhe përshkruan masakrimin barbar që i bënë andartët grekë babait të moshuar Vasil Kita dhe të bijës Paro, në oborrin e kishës së Gostivishtit, sepse ata nuk e mohonin përkatësinë e tyre ortodokse shqiptare. Me një stil mbresëlënës autori jep mesazhin heroik të qëndresës, trimërisë dhe therorisë së gruas shqiptare që vdes krenare e me nder si shqiptare.
Në të njëjtën kohë shkruan artikullin “Ikja e profesorit Bowden...” ku përshkruhet respekti i nxënësve shqiptarë për mësuesin e tyr të nderuar dhe mënyra shembullore se si e organizuan mbrëmjen e lamtumirës. Organizimi la mbresa tek drejtuesit dhe stafi pedagogjik i kolegjit dhe tek studentët e kombësive të tjera. Autori uron që po në këtë mënyrë të forcojnë më tej lidhjen studentore dhe të përpiqen për botimin e organit të saj në gjuhët anglisht e shqip.
Gjatë periudhës së qëndrimit në SHBA Skënder Luarasi botoi disa artikuj në organe të shtypit amerikan e shqiptar me tematikë të gjerë: mbi çështjen kombëtare e mbrojtjen e integritetit teritorial të Shqipërisë, organizimin e studentëve shqiptarë në SHBA kudo të ku gjendeshin, mbrojtjen e dinjitetit, kulturës, gjuhës e zakoneve të tyre, forcimin e marrëdhënieve midis popujve mbi bazën e respektit reciprok. Ai replikon me një jurist grek në mbrojtje të të vërtetës historike mbi Epirin dhe epirotët. Rëndësi paraqesin shkrimet e tij në organin “Studenti” ku me një talent të spikatur e frymëzim atdhetar: himnizon simbolin kombëtar, përcakton objektivat kombëtare për vitin e ri, argumenton rëndësisnë e zbulimit, ruajtjes e shpalosjes së traditave të vyera popullore etj. Rëndësi paraqet edhe korespondenca që së bashku me Qerim Panaritin, në emër të lidhjes studentore shqiptarë, i dërgojnë presidentit Wilson dhe Kryetarit të Konferencës së Paqes në Paris.
Ali Dhrimo dallon tek Skënder Luarasi, krahas talentit, një sedër jashtëzakonisht të fortë atdhetare për moshën e tij të re që jo vetëm ka hedhur ide të mëdha e mobilizuese për mbarë kombin, por këto ide i ka hedhur në një moshë çuditërisht të njomë...Dhe ai përmend për këtë shkrimet e njohura të Luarasit “Vdekja heroike e Paros” si dhe “Dita e flamurit” 131
131 A. Dhrimo Si e kam njohur Skënder Luarasin. Artikull i cituar, f. 21.
Ndjeshmëria atdhetare vërehet edhe tek artikujt : ” Kundër shpifjeve greke”, “Kryedita e çdo viti shqiptar”, “Mbi popullsinë e Kosovës” dhe sidomos tek artikulli kritik ndaj librit të Fridrih Walish - “Shqipëria shtet i ri”.
Në artikullin “Kundër shpifjeve greke” ai nxjerr në shesh falsitetin e argumenteve të avokatit Janitis që i rrëzon duke përdorur katër dëshmi personalitetesh të huaja.Tetë vjet më vonë, kur ishte student në Austri, hedh poshtë një shpifje diskredituese ndaj gruas shqiptare të botuar në “Mayers Konversation Lexikon”, duke evidentuar vlerat e mirëfillta.
Për shkak të shkrimeve të tij realiste e therrëse u kërcënua e u përndoq. Kur shkroi artikullin ’’Për komb e flamur’’ në nderim të Themistokli Gërmenjin, shkruan se “ të nesërmen, më thirrën në Ministri të Arsimit ku më qortuan rëndë se pata shkruar diçka që mund të na armiqësojë me Francën... Në fund më porositën që si mësues të merrem vetëm me punën e shkollës” 132
132 S. Luarasi. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar: Kujtime, Libër i cituar.
Ndërkohë Milto Sotir Gura i shkruan për artikullin:
“Vërtet, i dashur Skënder, e ke shkruar me ndjenjë të vërtetë shqiptari i cili edhe i ka kujtimet e vojtjes së skllavërisë të të huajve fare të gjalla, në zemrën e tij dhe i cili edhe e ka zemrën plot me gjak se me të e ka ngjyer dhe penën që ka shkruar ato sëre. E dinja Skënder që do ta bësh këndonjësin t'i dridhet zemra...Prapë të shtrëngonj dorën se me ato sërat e bukura bën dy shërbime:a) U përkëdhel thinjat dhe rrudhat të motuarve dhe b) U jep disa mësime të rinjve, shumica e të cilëve janë vandalë të çdo punë të gjyshërve, stërgjyshërve dhe etërve të tyre.” 133
133 M. S. Gurra, Letër dërguar Skënder Luarasit. Korçë, 3 dhjetor, 1930. ( A.Q.Sh.F.152, V.1931, D.26, f.1 )
Me ironi e sarkazmën ndaj paaftësisë dhe paditurisë, ai kritikon librin “Neuland Albanien” (“Shqipëria vend i ri”) të një austriaku të vetëquajtur albanofil i madh, i cili ndonëse qe paguar nga regjimi i Zogut, shkroi një libër të dobët që shtrembëronte historinë e Shqipërisë e tallej me popullin shqiptar.
Luarasi krahason vlerat e botimeve të mëparshme të albanologëve të shquar austriakë me botimin e ri dhe kritikon mungesën e profesionalizmit dhe e qëndrimin servil të disa gazetarëve që reklamonin antivlerat.
“ E drejtë është edhe kritika që u bën autori intelektualëve shqiptarë për qëndrimin apatik që mbanin ndaj studimit të problemeve të shoqërisë sonë “
134 S.Luarasi. Fjala Shqipe. Libër i cituar.134
Luarasi hedh poshtë tezën antihistorike se Shqipëria u krijua si shtet vetëm për hir të lodrave diplomatike gjë që mohonte luftën e patriotëve dhe popullit shqiptar.
Ky shkrim i Luarasit që dilte kundër rrymës së kritikës zyrtare i shkaktoi persekutim politik e burgimin disa mujor.
Qëndrimin jokonformist e shpreh hapur në disa shkrime kritike. Në mënyrë të drejtpërdrejtë ai godet jo vetëm personat e privilegjuar të regjimit, klanet, veprimet dhe mendësinë e sferave të larta, por edhe monarkun. Në artikullin “Një gjyq me rëndësi” duke marrë shkas nga një krim që kreu një bej korçar i privilegjuar nga regjimi, sulmon klasën që e ka lindur dhe e mbron. Në shkrimin “Ismet Toto” analizon jetën e veprën e Ismetit, fundin tragjik të urdhëruar nga mbreti dhe u drejtohet të rinjve e intelektualëve që të hapnin sytë dhe të kuptonin më në fund se cili qe i biri i Xhemal Pashës.
Nga cikli i shkrimeve të botuar në organin “Vullnetari i Lirisë” në Spanjën republikane, Andrea Varfi vlerëson atë me titull “25-vjet indipendencë”: “Teksa në artikujt e mëparshëm vëmë re ndjenjat e patriotizmit, frymën e revoltës, në këtë artikull ne shikojmë edhe përpjekjet e autorit për ta vëzhguar zgjidhjen e çështjes së çlirimit tonë nga diktatura zogiste mbi baza më të shëndosha....Ai thoshte se ishte detyra që të ngjallnim idenë e frontit popullor edhe në Shqipëri” 135
135S.Luarasi. Fjala shqipe. Libër i cituar, f.9.
Në publicistikën e tij vend të rëndësishëm zenë portretet letrare ku shquhen ato për Themistokli Gërmenjin, Spiro Bellkamenin, Naim Frashërin, Ismail Qemalin, Isa Boletini, Aleksandër Moisiun, Gjerasimit, Sevastisë e Parashqevi Qiriazit e të tjera të shquarave.
Ai i kushtoi rëndësi dëshmimit të së vërtetës historike kur trajton historinë e arsimit, shkollës kombëtare laike dhe dëshmorëve të saj por edhe shfaq frynëzim për të ardhmen e ndërtimit të Shqipërisë së Re e bashkimin kombëtar si tek artikulli “Ta begatojme gjuhën ...”
Një pjesë e publicistikës së Skënder Luarasit gjendet tek përmbledhja “Fjala Shqipe” (1961) i cili më pas u hoq nga qarkullimi. Në të përfshihen artikuj të shkruar në vitet 1917-1960, të ndarë në shkrime të rinisë, shkrime politiko-letrare, potrete letrare, shënime kritike, cikli i shkrimeve mbi luftën antifashiste të Spanjës dhe shkrime mbi historikun e shkollave shqipe dhe librin shqip.
Tek “Fjala Shqipe” dalin qartë idetë qendrore të autorit, ideali dhe veprimtaria e tij, e vërteta e madhe që shpall çdo njeri i ndershëm, patriot i ushqyer që në rini me dashurinë për Atdheun, popullin, traditat. Shkrimet në përgjithësi janë botuar me tituj të ndryshuar, të shkurtuar, të censuruar, parafjala përban kritika ndaj autorit për mangësi letrare, historike e politike në përshtatje me kërkesat e asaj kohe
Përkundër kritikës zyrtare, shumë intelektualë janë shprehur për vlerat e saj historike, politike, njerëzore, letrare. Jolanda Kodra çmon ndjenjën që e gjallëron veprën dhe qëllimin e lartë që synon , si nga origjinaliteti i paraqitjes, ashtu edhe nga forca e stilit.
“Panorama e gjerë e jetës shqiptare e paraqitur në këtë përmbledhje dhe galerija e madhe e
karaktereve, të realizuara me një psikologji të hollë, përbëjnë një vepër organike që plotëson në mënyrë të shkëlqyeshme një boshllëk në prodhimin e letërsisë shqipe të këtij tipi.” 136
136 J. Kodra. Letër dërguar Skënder Luarasit, Tiranë, 12 tetor, 1961. (Fondi i familjes S.Luarasi)
“Fjala Shqipe” vlerësohet nga Mihal Hanxhari si “libër që vjen si një grusht ujë në buzët e
përvëluara të Kombit, është një libër që duhet të vejë jo vetëm në çdo kënd të Shqipërisë, por
në çdo kënd të dheut ku ka një shqiptar; është një libër që po ta shihnim në pëllëmbët e
njoma të të rinjve do të kishim një shkak të vërtetë për t’u gëzuar. Është Fjala e Vërtetë” 137
137M. Hanxhari. Letër dërguar Skënder Luarasit, Tiranë, 19 të nëntor, 1961 (Fondi i familjes S.Luarasi)
 
Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

Petro Luarasi

SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

3. Përkthime
Skënder Luarasi vlerësohet ndër përkthyesit më të shquar shqiptarë të letërsisë artistike, i cili e pasuroi bibliotekën shqiptare me kryevepra autorësh të letërsisë botërore si: Kalidasa, Schiller, O.Wilde, A. Tennyson, Pushkin, Whitman, De Vega, Dickens, Byron, Goethe, A.Ostrovski, Shakespeare, Longfellow, Lessing, Winkop, Gribojedov, Milton, etj.
Në këtë drejtim studjuesi Jup Kastrati, i cili është marrë mbi dyzet vjet me punën e Faik Konicës, pohon ”me përgjegjësi shkencore se prof. Skënder Luarasi qëndron përkrah Nolit dhe Konicës”
138 J. Kastrati. Skënder Luarasi përkrah F.S.Nolit e F.Konicës, Artikull i cituar, f. 2
Ky vlerësim është objektiv dhe i bazuar në analizën shkencore të krijimtarisë së tij si shqipërues i kryeveprave botërore dhe përkthyes i literaturës shqipe në gjuhë të huaja, për stilin, ritmin, pasurinë e gjuhës shqipe dhe njohjen e thellë të gjuhëve të huaja
“Merrni cilëndo vepër që Skënder Luarasi ka përkthyer në shqipe. Do të vini re menjëherë koherencën e stilit, pasurinë dhe begatinë e shqipëruesit, natyrshmërinë e konteksteve dhe frymën e lartë të komunikimit. Po do të pikasni menjëherë vrullin e ritmit, qoftë në prozë, qoftë në poezi, gjallërinë dhe ekspresivitetin e dialogut dhe monologëve dramatikë, peshën dhe saktësinë e fjalës, bukurinë e shprehjes dhe buisjen e përfytyrimeve te cilido lexues.” 139
139 A. Kallulli: Shqipërimet e Skënder Luarasit janë Fanoliane, Drita, 16 janar, 2000, f.7.
Skënder Luarasi mendohej shumë për veprën që do të përkthente dhe e përjetonte gjatë analizën e saj duke shqyrtuar autorin, veprat e tjera të tij, situatën, epokën, mjedisin kur qe krijuar dhe ndikimin mbi lexuesin. “Po ky vazhdues i denjë i rrugës shqipëruese të Fan Nolit rronte dhe preokupohej si ai për mënyrën si duhej ta thithte veprën lexuesi shqiptar. Një dashuri sublime për këtë lexues dhe për gjuhën amtare. Fjalën shqipe, që ai e desh si ai, bëri të mundur që gjenitë e njerëzimit të jenë më të intimtë, të kuptueshëm dhe thellësisht ndikues.” 140
140 Po aty.
Mjeshtëria e tij si përkthyes spikasin në poezi e në prozë, në tragjedi, komedi, romanca e lëndë historike. Për një përiudhë të gjatë kohore, Luarasi solli në gjuhën shqipe dhjetra tituj kryeveprash të letërsisë botërore disa prej të cilave kanë humbur apo nuk janë botuar ende. Në përkthimin e tyre ai i qëndrojnë besnik veprës origjinale, frymës së përgjithshme të saj dhe individualitetit të përkthyesit. Këto përkthime cilësohen nga kritikët si rikrijime.
Si një shkrimtar me parime demokratike, i cili nuk iu bind orientimeve, presioneve e urdhërave të regjimeve despotike, Skënder Luarasi i përzgjodhi veprat, u dha pamjen objektive realiste, me synime të përcaktuara, edhe përmes parathënieve e komenteve. Ai përktheu për hir të pasionit dhe objektivit kulturor e politik në rrethana e për kërkesa të ndryshme mësimore, kulturore e politike. Kur qe mësues në Shkollën Teknike përktheu “Enoch Arden” të Alfred Tennyson, “ sa ka qënë e mundur literalisht duke mbetur besnik si në formën ashtu edhe në lëndën e origjinalit... Kjo poemë tregimtare është marrur si një shembëlltyrë prej letërsis engleze me qëllim që të plotësonjë një nevojë shkolle” 141 141 A. Tennyson. Enoch Arden, Tiranë, Gutenberg, 1933, f.3.
Ndërsa në Institutin Tregëtar të Vlorës, ku italishtja qe gjuhë kryesore dhe biblioteka e institutit qe mbushur me libra që propagandonin ide fashiste e reaksionare, ndjeu më fort përgjegjësinë që mbajnë mësuesit e gjuhës shqipe, të letërsisë e historisë shqiptare në rritjen e ndërgjegjes kombëtare të rinisë së vendit të tyre.
Kur diskutohet për vlerat e Skënder Luarasit si përkthyes duhet patur parasysh vështirësia e origjinalit, pasuria e madhe e aforizmave, fjalëve të urta, sentencave, metaforave, simboleve që përmbajnë veprat. Atje Skënder Luarasi ka dhënë tensionin e brendshëm dramatik që përshkon skenat e gjalla e plot larmi, skalitjen e karaktereve me fjalë dhe shprehje të një gjuhe tjetër. “Veprat, pavarësisht nga zhanri që i përkasin, nuk janë zbehur e s'janë rrafshuar e rrumbullakosur, por kanë ruajtur atë jetë dhe gjallëri që kanë dhe në origjinal. Diku të ashpra e të murrëtyera, diku me ngarkesa të mëdha psikologjike e filozofike, diku të brishta e fluide, diku plot dritë e tinguj, diku si të kallkanosura e me një ngurosje të llahtarshme e mjaft domethënëse."142
142 P. Jorgoni. Me forcë e guxim Prometeu, Artikull i cituar, f.6.
Skënder Luarasi e ka filluar shtegtimin e gjatë të përkthimit në vitin 1920, kur qe nxënës në SHBA. Nga një lajmërim në revistën Studenti, shënimet autobiografike të tij dhe indikacione të tjera, provohet që përkthimet e para të tij kanë qenë Skënderbeu i Whincopit, Jul Cesari i Shekspirit (i humbur) si dhe vjersha e Bajronit “Suljotët”.
Në vitin 1933, kur inteligjencia progresive rrekej të ndizte pakëz dritë kulture e shprese në terrin e injorancës e të dëshpërimit, Skënder Luarasi përktheu kryeveprën e Kalidasës, “Sakuntala”, margaritarin e letërsisë indiane. Goethe e çmonte atë si një prej yjeve që ia bëri netët më të ndritshme se ditët: “Them vetëm emrin tënd , o Sakuntala, dhe me këtë janë thënë të gjitha.'' Sakuntala u botua si një shembëlltyrë për programin shkollor dhe për të pasuruar bibliotekën shqip me një kryevepër të Lindjes. Skënder Luarasi ia dërgoi veprën “Sakunala” edhe shokut të burgut Haki Stërmilli “si nji kanis që i dërgon i shëndoshi të sëmurit, me nji shënim miqësuer” për t’i pasuruar mendjen dhe qetësuar shpirtin tek ndodhej nën pranga. Zemra e tij “shpesh here u rrëmbye nga rryma e dashunis së flaktë që diktohet herë mbas here, u pezmatua e u kënaq simbas rasës dhe shumë herë mbeta shtangur ose me shpirt pezull. Me nji fjalë derdha lot dëshpërimi e gëzimi dhe shkaktarja e kësaj gjendjeje qe Sakuntala.” 143
143 H. Stërmilli.Burgu, Tiranë, 1935, f.245-246
Haki Stërmilli vlerësonte që përkthimi “asht i përsosun, pjella e një mjeshtrit të hollë që i zotnon të dy gjuhët dhe aq i lehtë e i rrjedhshëm sa i duket njeriut se asht tue lexue nji vepër origjinalee jo nji përkthim. Vepra vetë, Sakuntala, asht nji mrekulli e pashoqe nga ato që ngjaj nënë Hindin misterioz.” të Hirësis së Hindit dhe s’e lëshova nga duert deri sa u kënaqa dhe u ngopa me të.” 144
144 Po aty.
Në vitin 1934 kur në Shqipëri sundonte malarja e analfabetizmi, terrori dhe spiunimi sa të kishte “gardhi veshë e muri sy” dhe inteligjencia progresive luftonte të ndizte pakëz dritë lirie e drejtësie, Skënder Luarasi përktheu kryeveprën e Shilerit, “Vilhelm Teli”. Kjo dramë që himnizon luftën e popullit zvicerian për liri e drejtësi u prit me entuziazëm nga rinia shkollore dhe inteligjencia progresive. Subjekti i saj u përdor në disa drejtime. Fragmentin e saj ''E vjetra shembet, kohët po ndryshojnë, '' mësuesi i shqipes Skënder Luarasi e dha si temë hartimi, pjesë të dramës u luajtën nga trupa amatore e Institutit Tregëtar të Vlorës dhe e Gjimnazit të Shkodrës. Për vlerat e kësaj vepre janë shprehur poeti Migjeni, pedagogu Aleks Buda, regjizori Xhemal Broja dhe aktorët e ardhshëm Sandër Prosi e Naim Frashëri.
Në shtypin e kohës shkruhej se: ‘’kemi edhe përkthyesa që janë punëtorë, të aftë, të zellshëm,të cilët na kanë falur përkthime kryeveprash të vështira. Në krye të tyre qëndron Skënder Luarasi me Sakuntalën e Kalidasës, Vilhelm Tell-in e Schillerit dhe Novelat e Oscar Wilde…’’ 145
145 Vilhelm Teli, Illyria, 15 korrik 1934, f.3.
Ndërsa Et’hem Haxhiademi vlerësonte se ‘’me një vepër të tillë dhe të tjera si këto duhet të pasurohet pa vonesë lëmi i vogël i literaturës sonë. Zoti Skënder Luarasi i cili ka ditur kaq bukur të përkthejë me gjithë hollësirat e saj këtë kryevepër e cila e mëson rininë të dojë dhe të mbrojë lirinë, letrarët e pakët shqiptarë duhet ta përgëzojnë dhe ta urojnë nxehtësisht.Nga pjesa ime përkthimin e Luarasit dua ta quaj një nga përkthimet më të goditura që janë ba deri sot në Shqipëri.’’ 146
146 Et’hem Haxhiademi, Vilhelm Teli i Shilerit, Demokratia’’, 23 shtator, 1934, f.3.
Përkthimet e Skënder Luarasit vlerësoheshin edhe nga shkrimtarë e institucione të huaja.
Gazeta ‘’Besa’’ dhe gazeta austriake Salzburge ‘’FolksBlat’’ njoftonin se Akademia Gjermane e Munchen-it i dha Skënder Luarasti medaljen e argjendtë për përkthimin e veprës ‘’Wilhelm Tell’’. 147
147 Besa. Çquajtja e një letrari shqiptar, 27 mars, 1935.
“Akademia Gjermane e Munchen-it i konferoi shkrimtarit shqiptar prof.Skënder Luarasi medaljen e argjendtë t’Akademisë Gjermane për përkthimin e tij të veprës ‘’Wilhelm Tell’’të Friedrich Schiller-it.”148
148 Salzburge FolksBlat.Njoftohemi nga Tirana, 12 prill1935, f.4.
“Akademia Gjermane në Mynih shkrimtarit shqiptar Skënder Luarasi për përkthimin e Vilhelm Telit të Shilerit, i ka dhënë ‘’Medaljen e Argjendtë‘’ të Akademisë Gjermane. Luarasi ka qënë nxënës në Gjimnazin e Fraishtadt-it në të cilin në 1926 ka mbaruar maturën”.
Ajo cilësohet një nga përkthimet më të dëshëruara për lexuesin shqiptar dhe ka njohur gjashtë ribotime në Shqipëri e Kosovë.
Është një ngjarje e lumtur për kulturën shqiptare që Skënder Luarasi u njoh me veprën e F.Shilerit në rini dhe u dashurua sidomos me dramaturgjinë e tij duke shqipëruar veprat ‘’Vilhelm Tel’’, ‘’Intrigë e dashuri’’, ‘’Hajdutët’’, ‘’Fiesko’’, ‘’Don Karlos’’ dhe ‘’Vajza e Orleansit’’. Ajo që e tërhoqi më fort nuk ishte vetëm romantizmi i Shilerit, por natyra e mesazheve universale me të cilën ai u drejtohet brezave. Me “Vilhelm Telin”, Skënder Luarasi nisi përkthimin e kolanës së veprave të Shilerit duke shtuar ndër vite edhe pesë vepra të tjera. Në këtë mënyrë ai përmbushi edhe një dëshirë të hershme të Fan Nolit dhe orientimin e tij letrar e politik me të cilat bashkohej edhe ajka e inteligjencies progresive shqiptare
Vepra e Shekspirit. Skënder Luarasi vlerësohet, pas Fan Nolit, si shqipëruesi më i shquar i veprës shekspiriane, me shtatë përkthime : Jul Cesari (i humbur), “Mbreti Lir”, “Rikardi II”, “Rikardi III”, “Tregtari i Venedikut”, “Komedia e gabimeve” dhe “Si ta doni”.
Me përkthimin e veprave të Shekspirit, ai vijoi rrugën e ndritur të Fan Nolit i cili i përgëzonte përkthyesit më të rinj shqiptarë që plotësonin kolanën e veprës shekspiriane në të cilën ai kishte kontribuar me katër përkthime të çmuara. ”Midis këtyre ai fuste , pa dyshim, edhe mikun e tij të vjetër, Skënder P.Luarasin... të përkushtuar si asnjë tjetër për të ecur gjurmëve të F.Nolit, idealeve demokratike, kombëtare e shoqërore të tij” 149
149 A.Uçi. Shekspiri në botën shqiptare. Koncepti shekspirian i tragjikes, Tiranë, Marin Barleti, 1996, f. 17.
Shaqir Shaqiri ka analizuar përkthimet në shqip të veprave të Shekspirit dhe mendon se “ në qoftë se përkthimet e Fan Nolit kanë qenë abetare nga e cila brezat e mëvonshëm të përkthyesve kanë mundur të nxjerrin mësime të dobishme se si duhen përkthyer tragjeditë e mëdha, atëherë mund të thuhet lirisht se përkthimet e Luarasit , janë një lloj teorie, e cila mëson se si të përkthehet drama historike. Ai është një përkthyes i madh në llojin e vet.” 150
150 Sh. Shaqiri Skënder Luarasi dhe vepra dramaturgjike e Shekspirit. Rilindja, 1 nëntor, 1980, f.14.
Skënder Luarasi në përkthimet e tij u frymëzua jo vetëm nga dëshira e Fan Nolit për njohjen e lexuesit shqiptar me veprën e plotë të Shekspirit dhe nga përvoja, qëllimet dhe kriteret që kishte përzgjedhur paraardhësi i tij, por dhe ta paraqiste veprën në kuadër të zhvillimeve më të reja historike. Ai ishte i bindur se vepra e Shekspirit do t’i shërbente lexuesit shqiptar që të kuptonte edhe personazhe e ngjarje të kohëve moderne. Veprat e Shekspirit e shprehin me vërtetësi artistike frymën e kohës por janë edhe universale, japin vlera mbihistorike, që sintetizojnë përvojën botërore të historisë njerëzore. Ndaj në veprat e tij mund të shihen edhe pjesëza të historisë së hershme, edhe mund të gjykohet mbi kohë, ngjarje e vende të tjera. Refik Kadia vëren se përkthyesi i parë shqiptar i dramave të Shekspirit, Fan Noli , qe i motivuar politikisht për të përkthyer katër tragjeditë Otello, Makbeth, Hamleti dhe Jul Cezari, po ashtu si edhe tre përkthyesit e tjerë të talentuar Skënder Luarasi, Vedat Kokona dhe Alqi Kristo, të cilët përkthyen disa tragjedi të Shekspirit, komedi dhe drama historike. “Kur u përkthye “Tregtari i Venedikut” nga Skënder Luarasi ai i dha rëndësinë e duhur përcaktimit të Heines: “O Shylock, ti je i padrejtë! “Skënder Luarasi një pedagog i njohur për këndvështrimin e tij disident, përktheu “Rikardin II” dhe“Mbretin Lir” me synimin për të denoncuar tiraninë e diktatorit komunist.” 151
151 R. Kadia. William Shakespeare në Shqipëri. William Shakespeare në përkthimet shqip përpara dhe pas epokës komuniste, LCPJ, Volume 2 / 1, nr.37, 2009, f.8.
Veprat që përzgjodhi e përktheu Skënder Luarasi nga Shekspiri dhe komentet që u bënte, tregojnë qartë qëllimin e tij për të demaskuar, dënuar dhe satirizuar realitetin që po kalonte Shqipëria. Ai përktheu tragjeditë “Mbreti Lir”, “Rikardi II” e “Rikardi III” meqë “ mendonte se kuadri shekspirian në shqip do të bëhej më i plotë dhe zëri i tij do të tingëllonte më bashkëkohor në qoftë se tragjeditë e përkthyera nga Noli do të ndërsuazoheshin midis kronikave historike me subjekte tragjike. Në këtë mënyrë do të kuptohej më mirë thelbi i konceptit shekspirian të tragjikes” 152
152 A.Uçi. Shekspiri në botën shqiptare. Koncepti shekspirian i tragjikes. Libër i cituar, f.18.
Veçori karakteristike e përkthimeve të Skënder Luarasit është se ai i është përmbajtur tekstit dhe kontekstit të origjinalit duke ruajtur vlerën artistike të veprës. Kjo është arritur në sajë të kulturës së gjerë, njohjes së shkëlqyer të gjuhës së huaj dhe të gjuhës shqipe, afinitet ndaj veprave të shkrimtarëve të mëdhenj, njohjes së shkëlqyer të letërsive e të kulturave të kombeve të ndryshme, njohjes së shpirtit e sjelljes së njerëzve në situata të ndryshme. Ai i ka kushtuar vëmendjen konstrukioneve ideomatike, aforizmave e proverbave, metaforave dhe shprehjeve metaforike nën një gjuhë të pasur e fleksibile, përdorimit të fjalëve e shprehjeve të rralla të tabanit popullor, proverbave e aforizmave. “Mund të thuhet se, në qoftë se aforizmat e Shekspirit janë quajtur margaritarë të veprave të tij, atëherë, lirisht mund t'i quajmë përkthimet e tyre në gjuhën shqipe nga S.Luarasi margaritarë të mjeshtërisë së përkthyesit tonë.” 153
153 Sh. Shaqiri: Skënder Luarasi dhe vepra dramaturgjike e Shekspirit. Artikull i cituar, f.14.
Vlerë të posaçme në përkthimet e Luarasit paraqet thesari i pasur gjuhësor, në të cilin gjejmë mjaft shprehje ''popullorçe''. Frazeologjia popullore dhe proverbi popullor ka pasur gjithmonë ndikim të madh në gjuhën e shkruar shqipe. Ato kanë ndihmuar për njohjen më të mirë të letërsisë botërore, për zhvillimin e shijes letrare ndër lexuesit shqiptarë, për ngritjen e kritereve të tyre artistike , për zgjerimin e diapazonit estetik e kulturor në përgjithësi por edhe për të kritikuar e demaskuar grupimet e privilegjuara e vetë kreun e diktaturës . ‘’Përkthimet e veprave të Shekspirit nga Prof.Skënder Luarasi pa mëdyshje i takojnë fondit elitar botëror të përkthimeve’’ 154
154 Po aty.
Studjues të ndryshëm kanë theksuar vlerat e mëdha të Uollt Uitmanit dhe kryeveprën e tij ‘’Fije bari’’ e cilësojnë ''Bibla e Demokracisë'' që sintetizon dashurinë e zjarrtë për parimet mbi të cilat mbështetet demokracia.
Skënder Luarasi e shqipëroi kryeveprën ‘’Fije Bari‘’ ne vitin 1956 me rastin e 100-vjetorit të botimit të saj. Në Shqipëri u imponua një heshtje e thellë për këtë ngjarje të madhe në kulturën shqiptare. Jo të paktë qenë ata të cilët, për shkak të titullit e kompozimit të kapakut, e mendonin si libër agronomie. Ndërkohë që në Kosovë shqipërimi i Skënder Luarasit pati sukses të dukshëm.
Ajo është vlerësuar për kohën kur u krye, mjeshtërinë, cilësitë e shqipërimit dhe risitë.
Skënder Buçpapaj analizon pengesat që haste dikur në krijimtarinë e tij kur metrika ishte shndërruar në një formë të mirëfilltë të censurës e të vetëcensurës. Nga metrika e ngurtë hoqi dorë pasi lexoi veprën "Fije bari" të Uollt Uitmanit. Ai vlerëson “se përkthimi i Skënder Luarasit është i përkryer. Plot të tjerë kanë përkthyer pas tij Uitmanin, ndër ta kam provuar edhe unë, por nuk ia kalon asnjëri përkthimit që ka bërë Skënder Luarasi.” 155
155 S.Buçpapa. Intervistë, Nacional, 27maj, 2011, f.3.
Studjuesi Anton Papleka tregon riskun e asaj kohe kur të shkruaje me varg të lirë rrezikoje kokën. Ai vlerëson mjeshtrinë e shqipërimit të Skënder Luarasit dhe zbërthen arësyen që e ka shtyrë këtë njohës të letërsisë botërore, të përkthejë poetin e Manhatanit: synimi për t’i dhënë publikut shqiptar një kryevepër të letërsisë botërore, Biblën e poezisë moderne por edhe diçka më intime, më të thellë që lidhej me frymën antikonformiste, demokratike të poezisë uitmaniane dhe shpirtit të Luarasit, që i ngjiste një lumi të vrullshëm , një rrebeshi.
Ai argumenton se për Skënder Luarasin, këtë intelektual sypatrembur, në fillim ishte liria, pastaj vinin gjithë të tjerat. Botimi i përkthimit të‘’Fije bari’’ më 1956 tregonte shumëçka por dhe “ishte një ndër ata modele që duhet të kenë parasysh përkthyesit e sotëm, për të mos lënë që veprat e mëdhatë përmbyten nga mediokritetet dhe përkthimi të uzurpohet nga zanatçinjtë.” 156
156 W.Whitman. Fije bari, Tiranë, Argeta LMG, 1997, f.308.
Studjuesi Moikom Zeqo vlerëson botimin e veprës në vitin 1956 si një çudi dhe paradoks për kohën, ndërsa përkthyesin e saj “disident trim, i cili bëri sfidën e tij të çuditshme, si një hedhje doreze dueli për tërë mediokritetin letrar të kohës...Një analizë akribike do të vërtetonte se’’Fije bari’’ ka ndikuar në poezinë moderne shqiptare si lëndë radioaktive” . 157
157Po aty, f.307.
Këtë ndikim e shpreh edhe Preç Zogaj i cili pasi lexoi librin "Fije bari" të përkthyer nga Skënder Luarasi, vendosi të bëhej poet. Roli i Uitmanit e largoi nga stili i vjetër në poezinë e tij. Natasha Lako thekson që së pari kufijtë e ngujuar mes letërsisë shqiptare dhe asaj botërore i shembi më 1956 Skënder Luarasi kur solli në shqip ‘Kryeveprën “Fije bari” të Witmanit. Ndërsa botuesi Mehmet Gëzhilli përshkruan gëzimin që ndjeu kur e lexoi “ Fije bari” në fillim të viteve ’60-të dhe vlerëson shqipëruesin i cili “nuk përktheu thjesht vargjet e Uitmanit, por ju dha edhe shpirtin dhe talentin e vet. Dhe këtë e bëri kur në Shqipëri, në fshatin tim, e kam lexuar Uitmanin, jo nën dritën elektrike, por nën dritën e zbehtë të një llampe vajguri." 158
158 Po aty
Përkthimi i veprës “Çajld Haroldi” i Bajronit është një tjetër meritë e madhe e Skënder Luarasit. Atje përshkruan “me vargje të zjarrta traditat dhe zakonet burrërore të shqiptarëve, trimërinë dhe dashurinë e flaktë të tyre për lirinë“ 159
159 Fjalori enciklopedik shqiptar. Akademia e Shkencave e RPSSH. Tiranë, 1985, f.64.
Poema me katër pjesë, rrëfen udhëtimet që ndërmori Xhorxh Bajron në Europë dhe ndërthur, sipas pikëpamjes e stilit të tij romantik, vlera historike, kulturore, gjuhësore, doke e zakone të popullit shqiptar.
Botimi i kësaj kryevepre të çmuar për Shqipërinë e shqiptarët, për koincidencë, qe fatbardhësi edhe për Bajronin pasi, së pari, e bëri të famshëm në lëmin letrar.
Nga " Çajld Haroldi" dhe letrat që i dërgon Bajroni nënës dallohet qartë cilat qenë rrethanat dhe qëllimi i ardhjes së tij në Shqipëri, çfarë i tërhoqi vëmendjen dhe e lidhi shpirtërisht me shqiptarët, si e përshkroi realitetin e vendit e popullit, ngjarjet e figurat historike, traditat, zakonet e doket, folklorin, tiparet fizike e morale, etj?
Me përshkrimin e tij objektiv e dashamirës të bazuar në terren ai dëshmon për kulturën materiale e shpirtërore të shqiptarëve dhe i krahason me popujt fqinj.
“Në krijimtarinë letrare botërore që prek Shqipërinë si vend, shqiptarët si popull dhe personalitetet e tyre të shquara, vepra më e bukur dhe më e goditur është padyshim poema e poetit romantik anglez Lord Xhorxh Gordon Bajron” Shtegtimi i Çajld Haroldit‘’ e përkthyer në shqip nga Skënder Luarasi më 1956.” 160
160 K. Frashëri. Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën, Tiranë, Dudaj, 2009, f.15
Skënder Luarasi ka meritën e madhe se krahas përkthimit të goditur shqip të poemës madhështore “Shtegtimet e Çajlld Haroldit”, ka shkruar në hyrje një sintezë mbi jetën dhe vlerën e veprën e Bajronit si dhe korespondencën e tij me nënën.
Moikom Zeqo vlerëson “përkthyesin e mrekullueshëm Skënder Luarasi, i cili ka përkthyer kryeveprën e plotë të Bajronit dhe mund të quhet me plot gojën “Qytetar Nderi i Bajronizmit Shqiptar.’’ 161
161 M. Zeqo. Themeluesit e Bajronizmit në Shqipëri, Koha jonë, 4 janar, 2003, f. 20-21.
“Fausti” i Gëtes përbën pa dyshim kurorën e vlerave të Skënder Luarasit si shqipërues.
Ai dëshironte që përkthimi i tij i plotë të botohej në vitin 1980, në 150-vjetorin lindjes së Gëtes, ose më 1981, në 100-vjetorin e lindjes së Fan Nolit, meqë përkthimi i blatohet “Fan Stilian Nolit, figurës faustiane të popullit shqiptar''. 162
162 J.Goethe. Fausti , Tiranë, Argeta LMG,1999 f.3.
“Ky përkthim i blatohet Fan Stlian Nolit figurës faustiane të popullit shqiptar”. Shqipëruesi
Shënim i shqipëruesit: “Gjithë jetën e tij Fan S.Noli kërkoi të vërtetën dhe rrojti e punoi e luftoi për të gjetur atë. Përpjekja e Nolit identifikohet me përpjekjen e Faustit”.
Por për shkak të rrethanave politike dhe pengesave klanore, përkthimin ia botuan të copëzuar. Pjesa e parë e Faustit u botua më 1957 ndërsa vepra e plotë, ''me redaktime të thella'', më 1987, ndërkohë që shqipëruesi nuk jetonte më.
Lexuesi shqiptar pati fatin ta ketë në gjuhën amtare tragjedinë e shkrimtarit gjerman falë përkthyesit Skënder Luarasi “ personalitet poliedrik i përmasave faustiane. Nëqoftëse Gëtes iu desh të punojë një gjysmë shekulli për t’i dhënë atë shkallë përsosmërie, që e bëjnë “Faustin” një nga 5-6 monumentet më madhore të letërsisë botërore, edhe Skënder Luarasit nuk i mjaftoi gjysmë shekulli jetë që ta shihte të botuar përkthimin në shqip të “Faustit” të plotë.” 163
163 J. Goethe. Fausti, Tiranë, Argeta LMG, 1999. Libër i cituar f.543-552

Botimi i plotë i Faustit sipas dorëshkrimit të Skënder Luarasit u realizua në vitin 1999. Ai u shoqërua me dy shkrime nga Prof. Alfred Uçi dhe Prof. Jup Kastrati.
Botimi i Faustit të plotë, me të dyja pjesët, përbën një ngjarje të shënuar për kulturën shqiptare por “çuditërisht” kaloi në heshtje. Alfred Uçi këtë paradoks e shpjegon me klanet që luftonin Skënder Luarasin, ku përfshiheshin edhe “disa përkthyes ambiciozë ziliqarë të aftë të merrnin forcë nga intrigat e ngatërresat politike që i mbështillnin me analiza letrare”. 164
164 Po aty.
Ai kritikon metodat që janë përdorur për të ulur vlerat e Luarasit dhe thekson se i përmend peripecitë e përkthimit të “Faustit” të Gëtes jo vetëm me nderim të merituar ndaj Skënder Luarasit, këtij mjeshtri të madh të Fjalës shqipe, por edhe për të kujtuar se edhe në fushën e letrave ka rëndësi të respektohen nga seicili parimet e moralit e të drejtësisë.” 165
165 Po aty.
Për vlerat e shqipërimit të Skënder Luarasit kanë bërë komente vlerësuese studjues vendas e të huaj si: F.Nemet, E.Hanko, R. Buchwold, Holtzhauer, Aleks Buda, Jup Kastrati.etj.
M.Lamberci vlerëson parathënien, gjuhën e bukur të përkthimit dhe ndjesinë e thellë dhe dëshëronte të shkruante një reçension për këtë “si shëmbull të një përkthimi që asht besnik kuptimit të origjinalit, por e ka marë me mend e me ndjenjë origjinalin ashtu thellësisht, sa mundet me e dhanë përsëri origjinalin me një mjeshtëri të një poeti të vërtetë.” 166
166 M. LambertZ. Letër dërguar Skënder Luarasit , 6.8.1961. (Fondi i familjes S.Luarasi)
Në analizën interesante të Jup Kastratit cilësohet se Skënder Luarasi ka përkthyer vetëm kryevepra botërore dhe tregohen bagazhi gjuhësor, letrar, artistik, estetik, historik, publiçistik dhe njohuritë që i shërbyen për kurorëzimin me sukses të punës së vështirë.
Argumentohet se shqipëruesi ka arritur të japë një përkthim në lartësinë e duhur të mundësive shprehëse të shqipes; se gjuha e tij është e pastër, e dëlirë; leksiku - i pasur dhe i larmishëm; frazeologjia - tërheqëse; sintaksa - me një fizionomi disi të veçantë, se kur të kompjuterizohet leksiku i përkthimeve të tij atëhere do të dalë në pah, edhe më qartë, rezja e gjërë njohëse e gjuhës amëtare dhe zotërimi i saj aktiv.
“Prof. Luarasi ka derdhur gjithë kujdesin e tij, gjithë dashurinë për Klasikun dhe Olimpikun e Madh të letërsisë reflekse gjermane, Gëten, gjithë nderimin e tij të thellë për këtë kolos gjenial.” 167
167 Goethe; Fausti. Libër i cituar, f. 556.
Vlerësohet tek suksesi i Skënder Luarasit njohja e thellë e gjuhës së origjinalit; njohja e shumanshme e gjuhës amtare ku hyjnë: leksiku adekuat, gjuha e shkathtë dhe poetike, frazeologjia, sintaksa, ekonomia e fjalës dhe tek dhënia e thelbit të filozofisë: platonizmit, spinozizmit e monadologjizmit leibnician brënda dramës metafizike dhe paraqitja si duhet e karakterit universal të tragjedisë; se shpjegoi si duhet artin, shkencën, historinë, traditat popullore, besimet e kota, jetën individuale, jetën shoqërore, të cilat i ndryn në vetvete kjo dramë: poemë simbolike, filozofike e psikologjike. 168
168Po aty.
Përkthimet e Skënder Luarasit “mund t’i përqasim me piedestalin e një përmendoreje. Ai i ngriti vetes një monument lavdie dhe pavdekësie. Ndaj ka gjithë mirënjohjen tonë. Dhe do ta ketë përjetë. E ngriti shqipen në nivelin e gjuhëve më të lëvruara europiane. 169
169 Po aty.
Si në shumë fusha të tjera edhe në fushën e përkthimit, Skënder Luarasi arriti të japë një kontribut madhor me përkthimin e mbi dyzet veprave të rëndësishme të letërsisë botërore duke qenë kështu një nga shqipëruesit më prodhimtarë e më cilësorë shqiptarë.
 
Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

Petro Luarasi

SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

PJESA E DYTË

BIBLIOGRAFI E VEPRËS SË SKËNDER LUARASIT
I VEPRA TË BOTUARA
II SHKRIME TË BOTUARA NË PERIODIKË
III VEPRA TË PËRKTHYERA
IV PËRKTHIME TË BOTUARA NË PERIODIKË
V TREGUES TË VEPRËS
1. Treguesi alfabetik i veprave dhe i shkrimeve të botura të Skënder P. Luarasit
2. Treguesi alfabetik i autorëve të krijimeve të përkthyera nga Skënder Luarasi
3. Treguesi alfabetik i titujve të krijimeve të përkthyera nga Skënder Luarasi
4. Tregues kronologjik i veprave dhe artikujve të botuara nga Skënder Luarasi
5. Tregues kronologjik i përkthimeve të botuara nga Skënder Luarasi
6. Treguesi alfabetik i organeve të periodikut ku ka botuar Skënder Luarasi (*)

(*) Bibliografia e veprës së Skënder Luarasit do të botohet së shpejti.



PERFUNDIME

Skënder Luarasi vlerësohet nga bashkëkohësit si një nga personalitetet më përfaqësues të inteligjencies shqiptare në shekullin XX, me veprimtari të gjerë atdhetare-demokratike-antifashiste, mësues edukator e pedagog, biograf, publicist, përkthyes, dramaturg, etj.
Në punim ofruam një informacion mbi krijimtarinë e Skënder Luarasit me një bibliografi të veprës së tij në përputhje me kërkesat e studimit të fushën së bibliotekonomisë.
Ai pasqyron për herë të parë, pothuajse të plotë, krijimtarinë e Luarasit si biograf, publicist, dramaturg, përkthyes, pedagog etj. me një aparat të bollshëm informues me tre rubrika dhe gjashtë tregues
Një ndërmarje e tillë qe e vështirë dhe delikate po të kemi parasysh shtrirjen në një periudhë kohe 65-vjeçare dhe shpërndarjen e botimeve në shumë vepra e organe vendase e të huaja. Besojmë se prezantimi i veprës së Skënder Luarasit u bë më i lehtë dhe më i kuptueshëm me paraqitjen edhe të personalitetin e veprimtarisë së tij duke i shtuar karakterit të ngurtë të një bibliografie gjallërinë jetësore të tij: ndjesitë, motivimin i tij, veçoritë e personalitetit, drejtimet, rezultatet e veprimtarisë dhe vepra konkrete.
Konceptimi i punimit, i ndarë në dy pjesë të ndërlidhura me njëra-tjetrën, jo aq i zakonshëm në formatet e punimeve të tilla, shpresojmë të ndihmojë në kuptimin dhe përdorimin më mirë të bibliografisë dhe objektit të studimit në tërësi. Në përshkrimin e kapitujve të lëndës theksojmë që i kemi kushtuar rëndësi analizës së fakteve që i shërbejnë njohjes së veprës së Skënder Luarasit në përgjithësi, sipas këndvështrimit të fushës së bibliotekonomisë dhe jo analizës teorike në fusha të tjera, të cilat shpresojmë t’i kryejnë specialistët përkatës.
Komentet e shumta të bashkëkohësve dhe analizat e studjuesve, ndihmojnë të dallohen nuancat e veprës e shkrimet për nga forma e stili, gjuha e pasur e brendia, ritmi e muzikaliteti, shumëllojshmëria e portreteve dhe shtrirja e tematikës, ndërthurja e kulturave, e zhanreve letrare e publicistike, na tregojnë ku Luarasi shfaqet si idealisti rilindas, ku si realist në përballje me situatën.
Duke analizuar rrethanat historike e politike, ngjarjet dhe faktet, shpresojmë se u argumentua si vlerësimi i përgjithshëm, edhe harresa apo komentimi sipërfaqësor i veprës letrare të Skënder Luarasit, e cila mendojmë se shkaktohet nga faktorë objektivë e subjektivë si: Krijimtaria letrare e shtrirë në vende të ndryshme, në shumë organe, në një periudhë të gjatë kohore; Aktiviteti politik e shoqëror që shpesh e ka detyruar të botojë si anonim, me iniciale apo pseudonime; Përndjekja e rregjimeve jodemokratike gjatë etapave përkatëse në Shqipëri; Nga klane e individë të cilët e luftuan dhe e penguan për motive politike, ekonomike e profesionale.
Me këtë punim të shoqëruar me shpjegime plotësuese mbi jetën, veprën, personalitetin e veprimtarinë, tentuam të kontribuojmë sado pak, në njohjen më në detaje të figurës dhe vlerave të Skënder Luarasit duke shpresuar që të tjerë të interesuar në lëmin e studimeve në fushë të gjuhësisë, letërsisë, publicistikës, pedagogjisë, historisë, dramaturgjisë, do të dinë të nxjerrin në pah më shumë aspekte dhe do ta thellojnë më tej analizën.
Sidoqoftë, në dy dekadat e fundit të periudhës së demokracisë, në kuadër të mendimit të hapur e të lirë, ndjehet interesim dhe po bëhen përpjekje për të rivlerësuar personalitetin, veprimtarinë dhe veprën e tij e cila mendojmë se dallohet për vlera letrare dhe kombëtare, si rrjedhim nuk ka përse të mos përfshihet në tekstet shkollore, universitare dhe botimet akademike.
 
Petro Luarasi. SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

Petro Luarasi

SKËNDER LUARASI: PERSONALITETI, VEPRIMTARIA DHE VEPRA

LITERATURA E PERDORUR

Aliu, Skënder. Tumat e Luarasit Skënder Aliu, Tiranë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2004, 228.
Arapi, Fatos. Kujtohem që jam, Tiranë:1997.
Bezhani, N. Mëkatarët. Nëpër dosjet sekrete të sigurimit të shtetit. Vol.1,Tiranë,Toena, 2001
Boriçi, H.; Marku,M. Histori e shtypit shqiptar: nga fillimet deri në ditët tona. Tiranë, SHBLU, 2010
Dishnica, Dhimitër. Qiriazi : Monografi .Tiranë, Shtëpia Botuese Enciklopedike, 1997.
Fevziu, Blendi. Historia e shtypit shqiptar: 1848-2005/Blendi Fevziu. Tiranë: Onufri, 2005
Frashëri, Kristo. Kristo Frashëri. Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH-së: (vështrim historik me një shtojcë dokumentash). Tiranë, Akademia e Shkencave, 2006.
Frashëri, Kristo. Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (vjeshtë 1809) : me rastin e 200 vjetorit të vizitës.Tiranë, Dudaj, 2009.
Fortuzi, Agim. Kujtimet e një studenti të shkollës Teknike : 1923-1945 : kujtime.Tiranë, Mokra, 2003
Gecaj, Murat. Filologë që nuk harrohen. Njeri me temperament të gjallë dhe pedagog i veçantë.Tiranë, Erik, 2002
Gërmenji, Fluturak. Mesazhe paqeje : Misioni ushtarak hollandez ne Shqiperi ne vitet 1913-1914 . Tirane, Koha, 1999.
Goethe, J.W. Fausti. Tiranë, Argeta LMG,1999
Gjevori, Mehmet. Shkolla teknike e Tiranës - e Fullcit : 1921-1933 : monografi shkollore . Prishtinë, 2003
Haxhimihali, Tatjana. Aleks Buda.Kujtime. Tiranë, Akademia e Shkencave, 2005
Islami, Myslim. Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe çështja e bashkimit kombëtar. Tiranë, Afërdita, 1998
Kadare, Ismail. Poshtërimi në Ballkan : sprovë . Tiranë, Onufri, 2004
Fultz-Kontos, Johana. Kryqi i Kuq, shqiponja e zezë: Biografi e Shkollës Teknike shqiptaro-amerikane të Tiranës. Tiranë , Shtëpia Botuese Enciklopedike, 1994
Kolevica, Petraq. Lasgushi më ka thënë, Tiranë, Naim Frashëri, 1992
Kuanrud, Xhon. Besë, shpresë dhe dashuri. Jeta e Gjerasim Qiriazit, Tiranë, Kartë e pendë, 1998
Luarasi, Skënder. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar : Kujtime në dorëshkrim, V.1
Luarasi, Skënder. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar : Kujtime në dorëshkrim, V.2
Luarasi, Skënder. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar : Kujtime në dorëshkrim, V.3
Luarasi, Skënder. Ç'kam parë e ç'kam dëgjuar : Kujtime në dorëshkrim, V.4
Luarasi, Skënder. Fjala Shqipe, Tiranë, “Naim Frashëri”, 1961
Luarasi, Skënder .Gjerasim Qiriazi, Jeta dhe vepra . Tiranë, “Naim Frashëri”, 1962
Luarasi, Skënder. : Isa Boletini.Jetëshkrim i shkurtër. Tiranë, “Naim Frashëri”, 1971
S.Luarasi.Ismail Qemali. (Jeta dhe vepra), Tiranë, SHBLP,1972
Luarasi, Skënder. Në Brigadat Internacionale në Spanjë. Tiranë, Toena, 1996
Prifti, Naum. Midis dy kohësh: Shënime udhëtimi. Kujtime. Prishtinë, Buzuku, 2005
Stërmilli, Haki. Burgu. Tiranë,1935
Tennyson, Alfred.Tiranë, Gutenberg, 1933
Uçi,Alfred. Filozofia e "DonKishotizmit". Tiranë, Akademia e Shkencave, 2010.
Uçi,Alfred. Shekspiri në botën shqiptare. Koncepti shekspirian i tragjikes. Tiranë, Marin Barleti, 1996
Whitman, Walt. Fije bari, Tiranë, Argeta LMG, 1997
Zelka, Luan. Mendimi shqiptar për gazetarinë:nga fillimet e Rilindjes sonë Kombëtare deri në fund të viteve 1930. Tiranë, Globus R., 2006

Agolli, Dritëro. Skënder Luarasi – legjendë, mit dhe realitet. Zëri i popullit, 20.1.2000
Aliu, Ali. Kosovën e kishte shqetësim të parë. Drita, 16 janar 2000
Andrew, J. Psikologjia. Karakteristikat psikologjike të personalitetit, Athinë, Deftera,13 shtator 2010.
Arapi, Fatos. Nderim Skënder Luarasit . ( Në 10 -vjetorin e vdekjes). Drita, 26.4.1992
Ashta, Zef. Në kujtim të mësuesit tim të letërsisë Skënder Luarasi. Demokracia,16.1.2000
Broja, Xhemal. Si u pengua shfaqja e ‘’Kalorësit dorështrënguar’’ të Pushkinit. Literatura Jonë, prill-maj1949
Idrizi, Rinush. Republika, Rreze nga dielli i demokracisë, 7.3.1991
Buçpapa, Skënde. Intervistë, Nacional, 27 maj, 2011
Frashëri, Kristo. Tregoj Shqiperine e Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhes, Koha jonë, 20.10.2007
Jakova, Kolë për Sefulla Malëshovën: Treshja e çmendur që i binte murit të diktaturës me kokë. Shekulli, 21mars, 2005
Jorgoni, Perikli. Me forcë e guxim Prometeu, Drita, 16 janar, 2000
Gogaj, Iljaz. Skënder Luarasi - shëmbëlltyrë e përkryer e mësuesit atdhetar e demokrat. Mësuesi, 2 maj, 1992
Haxhiademi, Et’hem. Vilhelm Teli i Shilerit, Demokratia, 23 shtator, 1934
Kadia, Refik. William Shakespeare në Shqipëri. William Shakespeare në përkthimet shqip përpara dhe pas epokës komuniste. LCPJ, Volume 2 / 1, nr.37, 2009
Kaloçi, Dashnor. Si e dëgjuam Skënder Luarasin kur fliste nga Radio - Madridi : Letra e panjohur e Vasil Llazarit nga qytet i Shkodrës i cili ia dërgon atë Profesor Luarasit, Gazeta shqiptare, 11 prill, 2003
Kallulli, Adriatik. Shqipërimet e Skënder Luarasit janë Fanoliane. Drita, 16 janar, 2000
Kastrati, Jup. Skënder Luarasi përkrah F.S.Nolit e F.Konicës, Drita, 16 janar, 2000
Këlliçi, Skifter. Me Kadarenë në vite: Kujtime, Metropol, 21 tetor, 2010
Kola.Gj. Mehmet M., autori i romanit për disidencën shqiptare, Kritika,18 tetor, 2007
Laka, Kristaq. Sa shumë erëra e kishin rrahur. Takimi im i parë me Skënder Luarasin: Kolonja, nr.4, prill 2000
Luarasi, Petro. Lasgush Poradeci dhe qorrollepsja e një kronikani të dështuar.
Ndryshe,18 maj, 2007
Luarasi, Skënder. 25 vjet indipendencë, Vullnetari i Lirisë, 1937
Luaras, Skënder. Kolonel L.W.J.K.Thomson, ‘’Dialëria’’ 7 korrik, 14 korrik, 21 korrik, 1929
Luarasi, Skënder. Letërsia moderne në Shqipëri, Tirana observer, 24 mars, 2007
Luarasi, Skënder. Komplotonjësit e heshtjes" : botohet për herë të parë letërkëmbimi i Skënder Luarasit me Gaqo Pecin, Ndryshe. 8 prill, 2007
Luarasi, Skënder. Popullsia e Kosovës, Dialëria, nëntor 1928
[Luarasi, Skënder]. Studenti, nr.1, janar 1920.
[Luarasi, Skënder] Albania: 1918-10 mars-1928, Dialëria, Nr.5, mars 1928
Marko, Marko. Vullnetari i Lirisë. Tribuna e gazetarit, nr.6, 1972
Poradeci, Lasgush. Letrat e rralla të Lasgushit. Republika, 4 prill, 2004
Premçi, M. Intervistë, Gazeta shqiptare, 5 korrik, 2002
Spahiu, Xhevahir. Skënder Luarasi njeriu i fjalës së lirë : në kujtim të prof. Skënder Luarasit Poezi. Ndryshe, 27 prill, 2007
Shaqiri, Shaqir. Skënder Luarasi dhe vepra dramaturgjike e Shekspirit. Rilindja,1.11, 1980
Shkodra, Zija. Intelektualët-sfidues të regjimeve. Rilindja, 15 shkurt1998
Velo, Maksi. Kur derdhej maska e diktaturës. Tunelet dhe komunizmi. Albania, 23 .12.1999
Vrioni, Agi. Ju tregoj jetën e vërtetë të Jusufit : me bashkëshorten e Jusuf Vrionit në 90- vjetorin e lindjes së tij, Tirana observer, 15 mars, 2006
Xholi, Zija. Skënder Luarasi, një shqiptar i vërtetë: Në-95 vjetorit të lindjes, AKS, 15.1.1995
Zeqo, Moikom. Migjeni, më konceptuali i letrave shqipe. Koha jonë, 24 gusht, 2003
Zeqo, Moikom. Themeluesit e Bajronizmit në Shqipëri, Koha jonë, 4 janar, 2003

Fjalori enciklopedik shqiptar. Akademia e Shkencave e RPSSH. Tiranë, 1985
Fjalori i shqipes së sotme. Tiranë, Toena, 2002
Shkolla Tregtare e Vlorës çerdhe e lëvizjes patriotike e revolucionare: Maket, Vlorë, 1974
Gjimnazi i Shtetit Shkodër (1922-1972), Shkodër, 1971

Gazeta “Besa”. Çquajtja e një letrari shqiptar, 27 mars, 1935
Gazeta “Illyria”. Vilhelm Teli, 15 korrik, 1934
Gazeta ”Liria”. Lajmërim. 12 maj, 1972
Gazeta “Salzburge FolksBlat”. Njoftohemi nga Tirana, 12 prill,1935
Gazeta “Shqipëria e Re”. Shfaqje teatrale në Vlorë (‘’Agimi i lirisë’’), 9 nëntor, 1932
Gazeta “Shqipëria e Re”, Lajmërim, 3 shkurt, 1929.
Gazeta “Shqipëria e Re”. Rreth shfaqjes theatrore të dramës origjinale: ‘’Agimi i Lirisë‘’,
10 janar, 1933
 
Përgjigje e: Skënder Luarasi

Morton Frederick Eden. Albania: Its discontents and their origin.
Translated by Skender Luarasi

Morton Frederick Eden , Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre.
Përktheu Skënder Luarasi.

Keto dite qarkullon libri i famshem albanologjik i anglezit Morton Frederick Eden , Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre, përkthim i hershem i Skënder Luarasit i cili u pergatit per botim nga Petro Luarasi. Ky liber eshte botuar nga INFBOTUES dhe shitet kryesisht ne Librarine Albania, Tirane.
Disa nga pasazhet e librit jane:

- Shqiptarët janë banorët autoktonë të Ilirisë, Epirit e të Maqedonisë dhe një nga racat më të moçme në Europë. Ata i bënë rezistencën më të gjatë dhe më të dëshpëruar përparimit të turqve drejt Perëndimit për të dalë në Adriatik dhe kështu i bënë një shërbim pamasë të madh Europës së krishterë.

- Rivalitetet egoiste të Europës së shekullit XV e lanë Shqipërinë e Skënderbeut të përpiqej vetë e vetme kundër turqve. Europa e këtij shekulli ka treguar vetëm fare pak simpati për shqiptarët e sotëm dhe për aspiratat e tyre. Që prej kohës që turqit janë përzënë, indipendenca e Shqipërisë dhe vetë ekzistenca e saj është vënë në rrezik prej xhelozive ndërkombëtare dhe lakmisë së shteteve fqinj.

- Shqiptari gjithmonë ka qenë disi indiferent dhe i çlirë përsa i përket çështjeve religjioze. Ata mbetën pothuajse ashtu sikundër patën qenë gjithmonë duke mbajtur për vete karakterin e tyre të vjetër prej shqiptari, gjuhën e zakonet . Ata janë edhe sot, pas kaq shekujsh nën zotërimin turk, fare pak të influencuar prej fesë ose kulturës së tyre.

- Kur kushtet e Traktatit të Fshehtë (të Londrës) të motit 1915 u botuan prej bollshevikëve pas Revolucionit Rus, austriakët i përkthyen ato në gjuhën shqipe dhe i bënë të njohura në Shqipëri... Traktati i Fshehtë (i Londrës) i motit 1915, në pikën VII të tij shprehte se një pjesë e Shqipërisë do të hynte nën sundimin serb, një pjesë nën Greqinë, ndërsa Italia do të aneksonte Vlorën dhe do të kishte mandat mbi pjesën tjetër të Shqipërisë,

Shqiptarët nuk e kanë humbur besimin në popullin e Britanisë së Madhe dhe të Shteteve të Bashkuara, duke u kapur ende pas idesë që qeveritë e këtyre vendeve do të ushtrojnë influencën e tyre në favor të tyre: së pari, sepse Shtetet e Bashkuara nuk janë të lidhur me traktatin e fshehtë dhe, së dyti, sepse ata mendojnë se opinioni publik në këto vende anglo-saksione, gjer tani të informuar keq dhe të çapëlyer shtrembër prej propagandës së fqinjëve të tyre ballkanas do të jetë në favor të shqiptarëve në qoftë se do të shpjegohet pozita reale dhe do të bëhet e njohur e vërteta.

Është mirë që publiku në Shtetet e Bashkuar dhe në Britaninë e Madhe t'i dijë motivet reale të atyre që dëshirojnë të prishin Shqipërinë, ta peshojnë mirë pozitën e tashme në atë vend dhe shkaqet prej të cilëve rrodhi kjo gjendje.

Shtetet fqinj ballkanas dëshironin ta përpijnë për vete Shqipërinë, e cila po të lejohej të bëhej e pavarur, mund të rritej në përmasat reale, sepse vetitë e shqiptarëve si ushtarë, burra shteti dhe tregëtarë të zotë njiheshin mirë nga të gjithë. Po të lejoheshin shqiptarët të bashkoheshin atëherë energjitë e talentet e atyre burrave, që gjer tani qenë shtrënguar të gjenin fushë për aktivitetin e tyre në vise të huaj, do të përdoreshin për të zhvilluar atdhenë e tyre.
Popullsia e këtij vendi të prapambetur, por jashtëzakonisht inteligjente, do të bënte përparim të shpejtë po të kishte udhëheqës që t'i prinin në drejtimin e duhur.

Tani dëshira e shumicës së shqiptarëve është për një bashkim kombëtar brenda kufijve të përshtatshëm etnografikë, dhe ata janë të përgatitur të japin garancira të arsyeshme për liri religjioze, për të gjitha fetë dhe për çdo minoritet që përmblidhet brenda kufijve të tyre. Ndaj këto dëshira legjitime meritojnë konsideratë.

Gjëndja e pakënaqshme në Shqipërinë e sotme, është krijuar nga fakti që nuk u është dhënë konsiderata e duhur aspiratave të popullit shqiptar për shkak të interesave të fuqishme që synojnë prishjen e Shqipërisë.

Shqiptarët dëshirojnë të rrojnë në paqe dhe marrëdhënie të përzemërta me fqinjët e tyre në Ballkan dhe në kushte të mira me Italinë, me të cilën ata kanë shumë interesa të përbashkëta, por vetëm nëqoftëse këta vende do të kenë respektin e duhur për të drejtat dhe aspiratat legjitime të tyre.

Petro Luarasi

Parathënie

Gjendemi në pragun e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë kur përfaqësuesit më të lartë të republikës kërkojnë me këmbëngulje studimin, publikimin e saktë të historisë kombëtare, vlerësimin si duhet të ngjarjeve kulmore të saj dhe nderimin e personaliteteve kontribues shqiptarë e të huaj.
Krahas Atit të Pavarësisë, Ismail Qemalit, i cili ngrehu sërish pas shekujsh robërie simbolin kombëtar, flamurin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, synohet të ndriçohen, siç e meritojnë, veprimtaritë e qindra atdhetarëve të shquar, nga tërë trevat etnike shqiptare e diaspora, të cilët me sakrifica e therrori të tejskajshme programuan, përgatitën dhe realizuan dëshirën shumëshekullore të popullit shqiptar për pavarësi.
Gjithashtu synohet të njihen dhe të vlerësohen edhe të gjithë ata që kontribuan për ideimin, themelimin, ndërtimin dhe forcimin e shtetit sovran shqiptar.
Në këtë përvjetor historik, kombi shqiptar ka rastin të tregohet fisnik me mirënjohjen dhe nderimin e tij kundrejt miqve të shquar të huaj, të cilët me përkushtimin e tyre e ndihmuan të rilindë duke mbrojtur e shpallur vlerat e tij, përkundër përfoljeve e lakmisë së armiqve shovinistë. Atyre ua ka më të madhin borxh, jo vetëm për t’i përmendur, por dhe për t’i vlerësuar siç e meritojnë.
Në vargun e miqve të shquar të huaj, përkatësisht atyre anglezë, prej Lord Bajronit deri tek shqiptarofilët e mirënjohur Hebrey Herbert e Mary Edith Durham, meriton nderimin e shqiptarëve edhe Morton F. Eden.

Morton Frederick Eden (16 qershor 1865 - 2 janar 1948) qe djalë i vetëm i familjes fisnike britanike të Charles Calvert Eden dhe Cecile Freiin von Sinner, të cilët patën edhe vajzat Evelyn e Violet.
Mbas arsimimit të përgjithshëm, ai ndoqi traditën familjare duke iu përkushtuar ****erës në fushën e shërbimit ushtarak dhe informativ. Në vitin 1889 u caktua të shërbente në Australi ku për 25 vjet u dallua si eksplorues i trevave të virgjëra të kontinentit.
Udhëtimet plot aventura e vëzhgime të rëndësishme që ngërthehen në rajone të gjera në jug e lindje të Australisë, në Tasmani, Hong-Kong e SHBA, përgjatë periudhës 1890- 1940, i ka përshkruar në ditarin e tij i cili gjendet në dorëshkrim në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Australisë. Kjo lëndë e ka frymëzuar shkrimtarin Jim Barrett për të shkruar librin mbresëlënës “The first bushwalker: the story of Fred Eden” ( “Eksploruesi i parë: historia e Fred Eden”)
Ndërkohë, si ushtarak , Morton F. Eden mori pjesë në luftën e Boerëve.
Në mesin e vitit 1915, ai u caktua në vartësi të shtabit të përgjithshëm të forcave aleate me qendër në Selanik. Si anëtar i stafit të Misionit Britanik u ngarkua për të ndjekur ngjarjet në Shqipëri deri në nënshkrimin e armëpushimit mes palëve ndërluftuese. Në vitet 1916-1919 veproi në Korçë si agjent i shërbimit anglez Inteligence Servic dhe në periudhën 1919-1920 u gjend në stafin e Gjeneral Phillips-it, komandant i trupave angleze në përbërje të forcave aleate me qendër në Shkodër,.
Për aktivitetin e gjerë dhe meritat e spikatura , në vitin 1919 u vlerësua Anëtar i Urdhërit të Perandorisë Britanike (M.B.E)
Në këtë kohë Morton F.Eden u shqua në ndërgjegjësimin e atdhetarëve shqiptarë për fatet e vendit në momentet delikate të mbarimit të luftës, për qartësimin e tyre mbi synimet e vërteta të diplomacisë evropiane dhe të fqinjëve shovinistë, për përgatitjen dhe mbarëvajtjen e Kongresit të Lushnjës, për ndihmesën gjatë luftës së Vlorës në dëbimin e trupave italiane nga Shqipëria, për forcimin e shtetit dhe ushtrisë shqiptare, etj.
Anglezi Morton F.Eden, eksploruesi trim, ushtaraku i rreptë, agjenti dinak dhe politikani mendjehollë, në kontakt me popullin dhe realitetin tragjik, shfaq dhembshurinë e humanizmin prej miku të përkushtuar me mish e me shpirt për shpalljen dhe mbrojtjen e të drejtave thelbësore të kombit shqiptar, duke rrezikuar edhe jetën.
Pas katër vjet veprimtarie të suksesshme në Shqipëri, më 1920, ai u zgjodh anëtar i Këshillit Ekzekutiv të Shoqërisë Anglo-Shqiptare, me kryetar Sir Aubrey Herbertin dhe sekretare Ms. Mery Edith Durham. Sipas dëshmive të ndryshme, ai erdhi disa herë në Shqipëri dhe bashkëpunoi me mjaft personalitete shqiptare si Sulejman Delvina, Aqif Pashë Elbasani, Ahmet Zogu, Fan Noli, Abdi Toptani , Abdyl Ypi, Hafiz Ibrahim Dalliu, Qazim Koculi, Ali Këlcyra etj.
Sipas atdhetarit A.Këlcyra sinqeriteti i ndjenjave të Edenit shprehej në interesimin dhe simpatinë që tregonte vazhdimisht për problemet shqiptare gjatë shumë viteve edhe kur nuk kishte asnjë lidhje pune.
Gjatë okupacionit fashist ai u bëri thirrje patriotëve shqiptarë që të ktheheshin një orë e më parë në atdhe. Ali Këlcyrës i tha: ‘’Kam besim dhe bindjen e plotë se Ju mund t’i bëni më shumë shërbim çështjes kombëtare në Shqipëri, sepse ajo rishtazi ka për të shpëtuar si në vitet 1912 dhe në 1920, me luftë në malet e saj dhe prej djemve të saj. Këto nuk janë vetëm mendimet e mia, por edhe të disa qarqeve politike londineze që merren me çështjet e Shqipërisë dhe të Ballkanit e sidomos miqve të Shqipërisë”.
Morton F. Eden kontribuoi familjarisht në luftën kundër fashizmit duke mbetur me mendje e zemër pranë kombit shqiptar deri sa u nda nga jeta në moshën 82 vjeçare.

Morton F. Eden njihet pak dhe i dyzuar ndër shqiptarët e sotëm. Ai vlerësohet në disa shkrime gazetash e opinione të viteve 20-30-të, haset si “agjent i huaj” tek ndonjë paragraf i Historisë së Shqipërisë të shkruar gjatë sistemit diktatorial apo në ndonjë memuar, korespondencë a dokument arkivor të botuar vitet e fundit. Sidoqoftë, personaliteti i tij, humanizmi dhe dashuria për shqiptarët, provohen nga sa dëshmojnë bashkëpunëtorët e tij, por dhe më shumë nga kundërshtarët, të cilët theksojnë se ai vepronte me ndërgjegje e jo pse ia kërkonte pozita e misioni si zyrtar britanik.
Ndër ato pak shkrime të botuara, edhe nga i nënshkruari, mbi veprën dhe meritat e Morton F. Eden, dallohet ekstrakti i Uran Asllanit, specialist i mirënjohur i bimëve medicinale, me referenca e opinione personalitetesh bashkëkohës. Ai argumenton bindshëm se “majori Iden, agjenti anglez i kongresit të Lushnjës”, edhe vetëm për këtë kontribut të vyer duhej të vlerësohej nga historianët shqiptarë dhe burokracia shtetërore me studime, dekorata dhe emërtesat institucionale përkatëse që i takojnë normalisht rangut të shërbimit të tij madhor.
Rivlerësimi ndaj tij dhe albanofilëve të tjerë anglezë të kryesuar nga miku i madh Sir Hebrey Herbert, do t’i përgjigjej denjësisht kuotës së marrëdhënieve miqësore me Mbretërinë e Bashkuar edhe si përkrahëse e madhe e pavarësisë së Kosovës.

Morton F. Eden ka dhënë edhe një tjetër kontribut të çmuar, si albanolog, me veprën “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre” (“Albania : its discontents and their origin”, 1920)
Ky libërth i përmendur në literaturën e huaj albanologjike për origjinalitetin dhe objektivitetin e mesazheve “magjike”, tepër domethënëse për vlerat dhe historinë e kombit shqiptar, përbën një “ xhevahir” i cili ndriçon me nuancat e tij jetësore, vizionin, misionin, strategjinë, mendimin historik, politik dhe diplomatik të kombit shqiptar. Ai i ndriçon popullit të thjeshtë dhe përfaqësuesve elitarë të tij shumë të fshehta dhe enigmën e madhe : Shqipëria, si ka qenë e si duhet të jetë, sipas këndvështrimit të qarqeve mike dhe armike. Në përgjithësi na kujton veprën “Shqipëtarët” ( “The Skypetars “) të albanofilit amerikan George Fred Williams, të botuar thuajse në të njëjtën kohë, me të njëjtin qëllim dashamirës por me një spektër më vezullues .
Në veprën e Edenit përshkruhet prejardhja e shqiptarëve dhe europianizmi i tyre i natyrshëm, kontributi i tyre historik e kulturor në Europë, prapaskenat politike në vorbullat e luftës së parë botërore, ngjarjet madhore dhe personazhet kryesore historikë, interesat që mbajnë peng kombin shqiptar, ballafaqimi i platformës së Rilindjes Kombetare me politikat shoviniste antishqiptare, tendencat e kombit shqiptar në rivalitetin midis Perëndimit dhe Lindjes, etj.
Në vepër mbizotëron mendimi se “gjendja e pakënaqshme në Shqipërinë e sotme, është krijuar nga fakti që nuk u është dhënë konsiderata e duhur aspiratave të popullit shqiptar për shkak të interesave të fuqishme që synojnë prishjen e Shqipërisë.”
Ky mesazh është aktual edhe në shek.XXI, kur pak gjë ka ndryshuar për kombin tonë i cili për të përballuar sfidat e rreziqet duhet të bashkojë e të bashkërendojë tërë gjymtyrët e energjitë e tij në tërë popullatën e “Komunuelthit shqiptar” në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni, Mal të Zi, Serbi, në Greqi, Turqi e kudo.
Sikurse u deklaroi zyrtarisht parlamentarëve shqiptarë z. Behgjet Pacolli, si President i Kosovës, “me këtë qasje, unë dua t’i thërras ndërgjegjes suaj kombëtare, vetëdijes suaj politike, aftësive tuaja profesionale, për të menduar pak: A duhet të kënaqemi me këtë nivel të bashkëpunimit ekonomik, kulturor, shpirtëror mes veti? ...Ne duhet t’i japim kuptim sakrificave të mëdha historike të heronjve tanë të përbashkët, angazhimit shekullor të paraardhësve tanë, duke hapur pista të reja bashkëpunimi.”
"Aspiratat tona kombëtare, në përputhje me rregullat e hapësirës evropiane".
Nga fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, z.Behgjet Pacolli, në Parlamentin Shqiptar, 21 Mars, 2011
Se përse ndodh kështu, cilët janë faktorët e aktorët e kësaj gjendje ka dashur të na e sqarojë edhe përkthyesi i kësaj vepre, atdhetar Skënder Luarasi, i cili shprehej:
“Më dhimbset e vërteta në histori dhe do të isha i lumtur të ndriçoja, në dritën e së vërtetës, qoftë dhe ndonjë ngjarje ose persona të kësaj historie të së kaluarës. Se ja, do s’do, vjen një kohë, kur duhet të bëjmë bilancin e jetës e t’i japim përgjigje shoqërisë: Ç’i lamë vendit tonë?”
Vepra e Edenit, “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre”, e përkthyer prej origjinalit nga Skënder Luarasi në vitet 60’, u bllokua në Institutin e Historisë pa e parë dritën e botimit. Indikacionet e saj rastisën të gjenden në regjistrat e institutit ku vepra e pabotuar përcaktohej si përkthim i Skënder Luarasit.
Materialin e plotë të daktilografuar fatmirësisht e gjeta në një nga dosjet e përkthyesit, i cili edhe si historian nuk bëri kurrë pazar me të vërtetat historike.
Në kushte të vështira censure, ai nuk rreshti së shpalluri nderimin e tij ndaj jetës dhe veprës së miqve të vërtetë të kombit shqiptar duke shkruar me dashuri edhe për albanofilët anglezë: Lord George Byron, Lord Tennyson, Sir Aubrey Herbert e Lady Elisabet Carnarvon, Lady Mary Worthey Montag, Lucy M.J.Garnett dhe Mary Edith Durham....:
Botimi në shqip i veprës “Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre” në prag të festës së 100- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë është një dëshmi mirënjohje ndaj albanofilit Morton F. Eden dhe përmbush dëshirën e hershme të atdhetarit Skënder Luarasi për t’ia bërë të njohur kombit shqiptar.
 
Përgjigje e: Skënder Luarasi

Skender Luarasi,vertet figure shqiptare per tu admiruar.Nga te paktet intelektual qe mbajti kurrizin drejt e ballin lart.
 
Morton F. Eden , Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre.

Morton Frederick Eden. Albania: Its discontents and their origin.
Translated by Skender Luarasi

Morton Frederick Eden , Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre.
Përktheu Skënder Luarasi.

Në këtë vepër të rëndësishme albanologjike, përfshihet si përmbyllje edhe një letër kuptimplotë që z. Morton Frederick Eden, nga Berna e Zvicrës, ia ka drejtuar Agjentit të Përgjithshëm për Australinë, në Londër, më 25 gusht 1924.
Po botojmë një fragment të saj ku z. Morton Frederick Eden shkruan:
"...Sipas informatave që kam marrë nga Shqipëria e Jugut gjenden një numër meshkujsh të gatshëm të emigrojnë në Australi. Arësyeja përse të interesuarit më janë drejtuar mua prej andej është kjo: gjatë luftës unë isha në përbërje të Shtabit të Lartë të Përgjithshëm të Selanikut dhe qëndrova në Shqipëri deri në armëpushim pas së cilës u bëra anëtar i Misionit Ushtarak Britanik në Shqipëri kështu që shpenzova rreth katër vjet në këtë vend, ku shumë njerëz e dinin që kisha ardhur nga Australia për të luftuar dhe ndoshta disa prej tyre tani mendojnë që unë mund tu jap atyre përgjigje që kërkojnë.
Unë po shtoj disa shënime në lidhje me emigrantër shqiptarë që mund të jenë me interes për ju:
Më parë kishte një fluks emigracioni nga Shqipëria drejt SHBA që u ndalua nga ligjet e reja amerikane të emigracionit të cilët lejonin vetëm një përqindje të caktuar nga popullsia e përgjithshme e Shqipërisë të hynin çdo vit në Shtetet e Bashkuara. Meqë popullsia e Shqipërisë numëron më pak se një milion kjo kuotë vjetore është ekstremisht e vogël, listat janë plotësur vite më parë nga ata që tashmë kanë të afërm në Amerikë dhe shumica që dëshirojnë të emigrojnë nuk kanë shpresë të marrin leje të hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Gjendja e tashme e trazuar në Ballkan, mungesa e stabilitetit në Jugosllavi dhe Greqi, disavantazhi i vendosjes së kufijve pa u konsultuar dëshirat dhe nevojat e popullsisë, kanë qenë shkaqet e krizës ekonomike që janë duke shkaktuar mjaft fatkeqësi dhe sakrifica midis atyre që nuk janë të pasur, kështu që shumica zvarriten në varfëri me një ekzistencë të mjerë në shtëpi, ndonëse janë fizikisht të aftë dhe burra inteligjentë...
Numri i atyre që mund të emigrojnë nga Shqipëria në Australi mund të jetë i vogël, por kualiteti i këtyre emigrantëve mund të jetë i mirë. Unë i vlerësoj ata më të vlefshëm për konditat e Australisë dhe gjerësisht mjaft më lart se grekët dhe italianët e jugut. Me aq sa unë kam qenë në gjendje të përcaktoj, njerëzit në Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft të kënaqur me shqiptarët që gjendeshin mes tyre.
Shqiptarët mësojnë anglisht në një kohë pabesueshmërisht të shkurtër dhe shpejt e përshtasin veten me mendësinë dhe zakonet britanike. Ata janë një popull i thjeshtë, i vjetër, mjaft i gatshëm të ndryshojë qëndrim në vende të largëta, tej konfortit të civilizimit.
Duke qenë shumica malësorë, të mësuar të bëjnë një jetë të pasigurtë në ambjent të egër, vende të copëtuar, ku nuk ka rrugë dhe gjithçka duhet të transportohet me kuaj barre, kjo më ka bërë të mendoj, përpara se të kem dëgjuar që dëshërojnë të shkojnë në Australi, që ata mund të jenë mjaft të vlefshëm të stabilizohen në zona të zbazura vendesh të pabanuara që ekzistojnë përgjatë Vargmalit të Madh, (Great Dividing Range), si përshembull në anën lindore të New Englandit në drejtim të rrjedhjes veriore, në Blue Mountains, midis Monoro dhe Gippsland dhe mbi zona të tjera të konsiderueshme të vetë Gippslendit. Të tilla hapësira që anglosaksonët e zakonshëm të vendosur do t’i zëvendësonin me të tjera territore më pak të shkreta e të thyera diku gjetkë. Këto zona do të plotësoheshin me shpejtësi nga këta malësorë shqiptarë që janë barinj të mirë, bujqër të mësuar me njohuri të veçanta mbi vaditjen dhe me bërjen e digave e kanaleve ujore, të kryera ndër shekuj eksperience në një vend ku uji është i çmuar gjatë muajve të verës. Ata janë gjithashtu një popull i cili zotëron cilësi luftarake që mund të përdorej në mbrojtjen e banesave të tyre eventualisht kur të kërkohej një gjë e tillë.
Australia kërkon banorë të bardhë që janë të dëshëruar të jetojnë në largësi dhe në solidaritet me të tjerët rreth e rrotull, të cilët të kenë eksperiencë në aktivitetet bujqësore dhe blegtorale, cilësi siç i zotërojnë shqiptarët.
Nëse do të donte ndonjë nga guvernatorët shtetërorë të drejtojë një rrjedhje të vogël të emigrantëve shqiptarë në territoret e tyre, tani është një moment i favorshëm për të bërë një gjë të tillë.
Qeveritarë të vendeve të tjera eventualisht do të zbulojnë vlerën e këtyre banorëve dhe do i afrojnë ata në vendet që administrojnë. Në një kohë që rrjedha e emigrantëve shqipëtarë në drejtimin e duhur do të vazhdojë disa shkaqe specifike, si ato që përshkruam më sipër, mund të shkaktojnë ndryshimin e këtij kursi.
Ndërkohë shqiptarët kanë filluar të shkojnë në Kili dhe pjesë të Amerikës së Jugut që janë më pranë tyre sesa Australia , kështu ata do ti mungojnë kontinentit tuaj i cili ka nevojë për këta banorë të llojit që kërkohet...

(SGD) Morton Frederick Eden

(Kjo letër e përkthyer nga Petro Luarasi botohet e plotë në libër)
 
Përgjigje e: Skënder Luarasi

Me rastin e 100-vjetorit te lindjes se Migjenit po publikohet ky artikull qe deshmon se si falsifikohet e verteta dhe amplifikohen spekulimet me jeten dhe vepren e tij. Shkrimi ka te beje me Migjenin dhe Skender Luarasin.

Petro Luarasi
Migjeni “i panjohur”: padituri apo sfidë së vërtetës?!
Në pragun e 100- vjetorit të lindjes së Millosh Gj. Nikollës, Migjenit (13 tetor 1911-26 gusht 1938) shumëkush dëshëron të dijë fakte të reja, ngjarje, opinione e studime rreth jetës dhe veprës së tij.
Mjedisi migjenian i lakmueshëm, me një spektër të gjerë fenomenesh e nuancash rrezatimi letrar, politik, historik, botëkuptimor, ka ndjellë ndjesi “bletësh, grerash dhe mizash”, që ballafaqohen ashpër për interesat e tyre duke krijuar tematika voluminoze, mijra herë më të mëdha se shkrimet e Migjenit, por të painventarizuara e seleksionuara si duhet, me apo pa qëllim.
Ndër shkrime e opinione mjeshtrish, spekulantësh apo diletantësh, hasen teza realiste, të gabuara, e madje spekulime skandaloze që të përkrahura e amplifikuara edhe nga media të etura sensacionesh, shkaktojnë qëndrime të egra ndaj jetës, veprës e personalitetit të Migjenit (me pseudoincest, tjetërsim etnik, përdhosje varri, heqje nga programet shkollore) por edhe ndaj nderit të familjes dhe rrethit të miqve e dashamirëve të tij.
Në kolanën e gazetës “Shqip” për kujtimin e Migjenit, me shkrime të botuara mbi bazën e lirisë së shprehjes dhe ballafaqimit demokratik të pikëpamjeve, si migjenolog dhe djali i Prof.Skënder Petro Luarasit, detyrohem të ballafaqohem dhe të analizoj tre shkrime të një migjenologu, një spekulanti të xhindosur dhe një gazetareje të keqinformuar (apo të keqpërdorur?). Argumentet do ti shoqëroj edhe me dokumenta e pikëpamje të tim eti, të ndjerit Skënder Luarasi, mik, kunat dhe studjues i mirënjohur i Migjenit, meqë së bashku jemi bërë vend e pavend objekt dhe subjekt i atyre shkrimeve. Shpresoj që kështu japet edhe një kontribut modest në studimet migjeniane.
---------
(Moikom Zeqo, Migjeni i panjohur, Shqip, 5. 10.2011)
- Migjeni i Panjohur? Tingëllon paradoksale? Aspak. Është e vërtetë që ka një popullarizim të pazakontë për të, për emrin e tij. Por studimi i veprës së tij epokale është ende sipërfaqësor, sidomos në rrafshin estetik.
- Në 100-vjetorin e lindjes së Migjenit, akademizmi zyrtar është flu-indiferent, dekorativ, krejtësisht i kotë dhe i panevojshëm. Migjeni nuk ka asnjë lidhje me këtë akademizëm, as me instrumentet klienteliste të shkrimorëve mediokër, që as e kanë kuptuar ndonjëherë, dhe as do ta kuptojnë, padyshim.
- Migjeni është shkrimtari ynë më konceptual i modernitetit letrar. Ata që nuk e kuptojnë këtë të vërtetë sot, do ta kuptojnë nesër, ose s’do ta kuptojnë asnjëherë. Aq me keq për ta...
- Migjeni tingëllon jashtëzakonisht aktual sot...Për të gjykuar vetë lexuesi po botojmë tekstin e kësaj letre, e cila gjendet në librin “Krijimtaria e Migjenit”, e studiueses Gentruda Entrej, botuar shumë vite më parë. ...
Për fat të keq, ne nuk dimë se ç'u bë dhe ku ndodhet origjinali shqip.Në librin e letrave origjinale, si dhe të ditarëve të Migjenit, për fat të keq këto citime jepen të përkthyera në rusisht dhe jo sipas faksimileve në shqip...unë po shpalos tani fragmentet e pesë letrave të Migjenit, që citohen në librin e Entrejt. Letrat i dërgohen në harkun kohor 1936‑1937, mikut të ngushtë të Migjenit, dëshmorit të ardhshëm të Luftës Antifashiste, Jordan Misjes.

Migjeni i Panjohur në rrafshin estetik.
Prof Moikom Zeqo vlerësohet si një migjenolog i shquar për dhjetra artikujt me prurje të reja dhe për përmbledhjen e tij cilësore të veprës së Migjenit (Vepra/Migjeni.; Tiranë : Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1988)
Në shkrimin ai vlerëson popullaritetin dhe personalitetin e Migjenit, kritikon ata që e përshfaqin Migjenin sipërfaqësor, “të panjohur”, sidomos në rrafshin estetik dhe i referohet 5 letrave të përkthyera prej librit “Krijimtaria e Migjenit”, të botuar më 1973 prej studiueses sovjetike Gentruda Entrej. Këto letra shprehet se Migjeni ia ka dërguar mikut të tij Jordan Misjes në vitet 1936‑1937 dhe janë botuar në rusisht, pa asnjë indikacin apo faksimile në shqip. Sipas tij autenticiteti i këtyre letrave supozohet mbi bazën e miqësisë së Migjenit me Jordan Misjen, nga ngjashmëria e pikëpamjeve krahasuar me një letër të botuar në revistën “Bota e Re”. Ndërsa në lidhje me komentet e librit që i referohet një ditari të panjohur të Migjenit, ai e cilëson Ollga Nikolla - Luarasin, motrën e Migjenit , si “mikja intime” e studjueses Gertruda Entrej dhe pa dashje nxit hamendësime spekulantësh mbi “poseduesin e parë dhe trafikuesin ilegal‘’
Sigurisht, edhe trashëgimtarët e Migjenit kanë kërkuar e kërkojnë t’i gjejnë këto materiale origjinale, t’i posedojnë sipas ligjit dhe t’i përdorin si tua dojë dëshira, por përkundër spekulimeve, ato (pesë letrat dhe ditaret e Migjenit) dëshmohet se i ka patur familja e dëshmorit Jordan Misja në Shkodër. Nga ana tjetër, nga sa kam pyetur anëtarët e familjes së Migjenit dhe miq e farefis të tij, nuk rezulton që Ollga Luarasi, motra e Migjenit, të ketë qenë “mikja intime” e Gertruda Entrejt. As për materialet në fjalë nuk kam gjetur ndonjë indikacion nga studjuesi dhe kunati i Migjenit, Skënder Luarasi, i cili po ti kishte parë me sy, të paktën do ti kishte kopjuar apo cituar diku shqip e shqeto. Madje ai është interesuar në forma të ndryshme për origjinalitetin e referencave të botuara nga Gertruda Entreit dhe ajo vetë i është shmangur sqarimeve. Po t’i kishte patur në posedim apo të kishte ndonjë të dhënë Ollga Nikolla-Luarasi, përse do t’ia fshihte bashkëshortit të saj Skënder Luarasi, i cili ka shkruar i pari, më 1948, përmbledhjen për veprën e Migjenit me një hyrje të rëndësishme ku shpallen shumë të vërteta të anatemuara?
Do të ishte me interes që Moikom Zeqo të sqaronte se çfarë ka biseduar për këto çështje edhe me trashëgimtarët e familjes të Jordan Misjes, të Migjenit me studjuesin Skënder Luarasi apo, edhe më mirë, me Gjovalin Lukën e djalin e tij, diturakun Agron Luka, pasi ata vetëshpallen si “personat më të mirinformuar” për Migjenin dhe veçanërisht kompetentë në lidhjet me ish-Bashkimin Sovjetik. (Sipas Agronit , Gjovalin Luka, ka qenë sekretar i shoqatës Shqipëri-BRSS, korieri sekret që ndërlidhte ambasadën sovjetike me Koçi Xoxen e Enver Hoxhën dhe me mjaft shërbime të tjera për t’i patur “fijet informative” në dorë. Prandaj nuk do e kishte të vështirë kontaktin e “mirëkuptimin” edhe me Gertruda Entrein )
Sidoqoftë, Prof.Moikom Zeqo ka meritë se është interesuar të sqarojë enigmën, për gjetjen e origjinaleve shqip dhe përkthimin e letrave nga rusishtja, ku shpallen disa nga pikëpamjet progresive te Migjenit, të cilat i ka shpallur me kohë edhe Skënder Luarasi në shkrimet e tij, paçka se nuk ia përmend njeri. Hipotezat flatrojnë, faktet mbeten.
------------
(Agron Luka. Me rastin 100-vjetorit të ditëlindjes së Migjenit, Shqip, 2011-10-07)
“Kush i dërgoi pesë “Letrat e panjohura e befasuese të Migjenit”, në BRSS, Ollga (Nikolla) Luarasi, para vitit të vdekjes më 1959? I dërgoi Skënder Luarasi vetë apo ndonjë ish-shtetase sovjetike?! Mos i mori vetë G. Entrej, mikja intime e ngushtë e Ollgës?!”
“Si dhe pse, Skënder Luarasi, që i deklarohej sh. Enver se i kishte bërë shërbime të mëdha partisë dhe atij, ia fshehu partisë dhe sh. Enver se, nga “sënduku misterioz”, i manoskriteve origjinale migjeniane kishte edhe pesë letra manoskrite dhe ndonjë copë ditar dhe se ato mungonin nga inventari?!” (Ku e bazon shpifjen e tij Agron Luka se “Skënder Luarasi, i deklarohej sh. Enver se i kishte bërë shërbime të mëdha partisë dhe atij?”)
“Këto të vërteta të katërcipta nuk mund të fshihen dot kurrë, sado që pretendenti trashëgimor, z. P.L., të shkojë te ndonjë redaksi metistësh dhe në vend që t’i çojë origjinalin e vitit 1957, nga ishin nxjerrë citimet e mia, i çon ribotimin e 1961-shit dhe meqenëse nuk i korrespondojnë faqet, unë qenkam falsifikues citimesh apo si “mashë e skuqur”, që Petri Juniori do të më paditë në Prokurori apo se do të më riinternojë edhe më zi se në Roskovec…!”
(Flitet për denoncimin që gazeta “Albania” i bën shpifjeve të tij në lidhje me Migjenin dhe Skënder Luarasit, të cilin kinse e ka cituar . Denoncimi është shpallur edhe në internet.)
----------------

Në gazetën Albania, 22 .4.2010, f.21 nën titullin “Saktësim”, shkruhet:
SAKTËSIM : Në datat 15 e 16 prill 2010 janë botuar artikujt e zotit Agron Luka, me tituj redaktorialë ‚’Anonimi misterioz që censuroi Migjenin dhe loja e Enver Hoxhës’’ ku thuhet: "Sipas përkufizimeve e pikëpamjeve të Skënder Luarasit, më 1957, shkruhej se: “Migjeni...i shfrytëzoi modelet e ideologjisë dhe të stilit të Gorkit e Majakovskit” (f 11; f 33 etj); ishte “revolucionar internacionalist i vërtetë komunist” (f 33); “letërsia e tij ishte me përmbajtje të KONARE-s dhe tërësisht socialiste” (f 47); “Migjeni ishte një “kontribuues i pajtimit të grupeve komuniste (f 48) ”; “ishte përkrahës i vendosjes së një regjimi model stalinist edhe në Spanjë”; “Migjeni ishte një dëshmor i luftës nacional-çlirimtare dhe prandaj edhe Partia ia vendosi eshtrat pas kthimit nga Italia në Varrezat e Dëshmorëve”, duke e nderuar me “Urdhrin e Lirisë”, Klasit I, (f 32; f 44) etj. (Shih, S. Luarasi, “Migjeni, Vepra”, bot. 1957 e ribotim 1961, përgjithësisht , Hyrja, Jeta, Vepra, f 5-58.) "Ndërsa në artikullin redaktorial “Incesti i Migjenit me Bojkën dhe manipulimi me këtë histori”(Dosja e Migjenit në Muzeun Historik në Shkodër dhe roli i S.Luarasit) i botuar më datën 16 prill, zoti Agron Luka shkruan: ’’(Edhe Dh. Fullanit, pa asnjë lloj pendese, siç edhe mjaft të tjerëve, Skënder Luarasido ia rregullonte qejfin me një letër spiunimi, që pati si pasojë një internim me urdhër të protektorit, M. Shehu... Dhe ky personalitet, S. Luarasi na quhet e na mbahet si “Disident i Vjetër”, si “Nderi i Kombit”, akorduar me Dekretin, Nr. 1467 nga Sali Berisha... i cili për vete ishte i katapultuar direkt nga Ramiz Alia...)’’Sipas verifikimit të redaksisë, u konstatua se citimet e mësipërme , të marra nga autori i shkrimit, nuk ekzistojnë në librin ‘’Migjeni’’, Veprat, botim i vitit 1957 dhe botim i vitit 1961, të përgatitura nga Skënder Luarasi. Pra konstatojmë se kemi të bëjmë me një falsifikim nga e cila redaksia e gazetës Albania distancohet. Gjithashtu, edhe citimi në lidhje me zotin Dh.Fullani është i pavërtetë. Ndjejmë keqardhje që nuk kemi bërë verifikimet përkatëse tek personat e prekur në këtë shkrim, duke i kërkuar ndjesë familjes Luarasi.’’

Fenomeni Agron Gjovalin Luka
Një spektër të zi mbi Migjenin na ofron Agron Luka që vazhdon me manipulimet e rradhës këto vitet e fundit që kur ka nisur të “marrë hak” ndaj Skënder Luarasin dhe trashëgimtarëve letrarë të Migjenit, në mbrojtje të “përvetësimit të ndershëm“ të të atit Gjovalin. Ai rëndom sajon citime, deformon perifrazime dhe lëmshin logjik e tematik ia servir ta zgjidhë lexuesit shqiptar. Kur dikush si unë e merr mundimin të zbardhë të vërtetën dhe i ballafaqon të thënën me të bërën ( si tek gazeta “Albania”) ai ka talentin dhe kurajon ta etiketojë denoncuesin si “mashtrues” e “dizinformim” , ndaj ftoj lexuesin të krahasojë e gjykojë.
Replikën “miqësore” me Mojkom Zeqon, kinse e nis mbi Migjenin dhe përgojon të motrën dhe kunatin e tij, përkatësisht Ollga Nikolla-Luarasin dhe Skënder Luarasin me aludime të tipit: korierë në trafikun e dokumentave të Migjenit, apo se S. Luarasi deklaronte se i ka bërë shërbime të mëdha Enver Hoxhës, por pa na sjellë ndonjë provë!
Agron Luka , për variacion tematik , “fut në thes” edhe Prof.Aurel Plasarin, “i dhuron edhe 5 copë kopje Bibliotekës Kombëtare, kinse nga ribotimi i fotoskanuar i librit, “Migjeni, Vepra, mbledhë dhe shpjegue nga Gjovalin Luka”, NSHB, Tiranë 1954.” Në fakt libri titullohet ndryshe dhe në dijeni të lexuesit për këtë ribotim të veprës së Migjenit, Agron Luka nuk ka marrë ndonjë leje nga trashëgimtarët e veprës së Migjenit. Si rrjedhim ribotimi përbën shkelje të të drejtës së autorit. Megjithëse deklaron që nuk e ka për shitje, në kapak i ka vënë çmimin e shitjes 600 lekë! Madje atje boton edhe 6 copa letrare të tjera të Migjenit, “ se ia kishin censuruar të atit”!
Ta ketë pranuar këtë libër në fondin e Bibliotekës Kombëtare drejtori i saj, Aurel Plasari, edhe pse shkelet ligji i të drejtës së autorit?!
Në rast se po, atëhere ky akt do të përligjte përsëri historinë e përvetësimin të përmbledhjes së Skënder Luarasit mbi Veprën e Migjenit nga Gjovalin Luka, madje tani edhe nga i biri kundrejt Migjenit.
Në vijim të shkrimit theksohet se Aurel Plasari e pyeti nëse kishte dijeni “për disa letra të pabotuara të Migjenit, të cilat dikush i paskej dërguar në BRSS?!” Agroni: ” Unë iu përgjigja qartë se, nuk kisha asnjë lloj dijenie për këtë rast specifik konkret.”
(Po trillimet për Olga Nikollën e Skënder Luarasin, harroi t’ia thoshte edhe Plasarit?)
Më tej vazhdon “ zbulimet” me parimin “turbullo e peshko”: Një gabim të rëndomtë shtypi tek fjala “Gutenberg” ( “Gutemberg”) e cilëson “ faksimile të falsifikuar” nga Skënder Luarasi!?
Si përfundim ai thekson “Do vijë edhe koha kur do ta shuajmë edhe kuriozitetin, se çfarë kishte bërë Gjovalin Luka, që krimineli skizofreni E. Hoxha provoi t’ia shuante komplet trutë e kokës. “Hiqni maskat”, ose ndryshe “Hiqni Bragashat apo Pantallonat e Majakovskit”...zotërinj hipokritë, Përfitues e privatizues të Migjenit” dhe migjenologë ndryshues-shtrembërues-përdhunues, kameleonë post enveristë!”
Ai “harron” që babait të tij Gjovalinit “ ia kanë hequr me kohë maskën që kur e deformoi thënien e Migjenit “ Hiqni Bragashat”, “harron” se ka shkruar që babai i tij ishte adhurues i Majakovskit dhe “korier i ” i Kominternit’’ i cili ‘’aty nga vitet 1936,1937,1938 e më pas...nga Parisi, nga Torino e nga Livorno, siguroi një literaturë të madhe komuniste. ..që përfshinte pjesën më të madhe të materialeve të Kongresit VII të Kominternit ‘’(Agron Luka. Tullën e bazamentit Evropës ia vuri kristianizmi)
Edhe “sinqeriteti” i tij kur demaskon “kameleonët postenveristë” meriton tia kujtojme me një nga deshmite e tij se “çfarë kishte bërë Gjovalin Luka, që E. Hoxha provoi t’ia shuante komplet trutë e kokës”.
Në një nga replikat me mua shkruante se babai i tij , Gjovalin Luka, me origjinë nga Lukiçi i Shestanit, qe korier sekret i ambasadës sovjetike në Tiranë që ndërlidhte titullarin e saj, Ch.. me Koçi Xoxen, Sekretar organizativ i Partisë dhe në dopjo rol materialet për Koçin ia jepte Enverit (bëhet fjalë, për dokumentat tepër të rëndësishme te InformByrosë dhe letrën e PKBS për prishjen e marrëdhënieve sovjeto-jugosllave dhe udhëzimet e ambasadorit për të preferuarin e tij K.Xoxe. Desh e pësoi keq edhe ambasadori Ch. kur i justifikohej Stalinit e Byrosë së tij Politike se ‘’proletari Xoxe’’ ishte “komunist i vendosur dhe besnik i Bashkimit Sovjetik!) Vetë Agroni na sqaron se në fund kur Koçi Xoxe e kuptoi “puçin” , një ditë të bukur feste ia zhdëpi publikisht të atin në Pallatin e Brigadave por mirë që u gjend Enveri që ia shpëtoi duarsh “hafijen”.
Mjafton fakti i mësipërm që provon se Gjovalini dinte dhe kishte bërë shumë shërbime speciale për Enverin që duheshin fshehur nga kujtesa.
Kur Agroni (apo Gjovalini) ankohej se diktatori nuk ua shpërbleu shërbimet madhore me mirënjohje i kam kujtuar fjalët e Stalinit drejtuar sekretarit të vet:’’Mirënjohje?! - Nuk e njoh këtë zakon qensh!’’ Por gjithsesi ai u shpërblye edhe për disa vjet sepse gëzoi goxha pushtet e ofiqe ( deputet, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor të R. P. Sh., përfaqësues i Komitetit Shqiptar për Mbrojtjen e Paqes etj.)
Në lidhje me dënimin : Një ditë Gjovalini grindet keq me Fatmir Gjatën për unin dhe procedurat burokratike në Drejtorinë e Arsimit të Komitetit Qëndror, seç i shkau goja dhe megjithëse kërkoi ndjesë me kritikë të thellë, “shokët e Partisë” nuk e falën. Edhe Enver Hoxha nuk e mbrojti më (ndoshta kujtoi mos ia shpallte sekretet dhe një ditë mund t’ia punonte dopjorolin e Xoxes, tek krerët e rinj sovjetikë) . Sa për “përleshjen e ashpër” të Gjovalinit me diktatorin dhe “disidencën e hershme” të tij, vetë Agroni nuk po i beson më trillimit të tij, deri sa ka botuar faksimilen ku i ati lyp ndjesë nga Enver Hoxha në prezencë të Rita Markos më 18 qershor 1955. (Agron Luka, Rreth të vërtetës për botimin e Migjeni”,faksimile proces-verbali, f.15
I analizuam ngjarjet pasi ka mundësi që Agroni i ngatërron ndërsjelltazi konceptet “disidencë“ e “puthador” duke akuzuar Skënder Luarasin në këtë libër, (f.17). Madje ka botuar një letër ku Luarasi, i përjashtuar nga Lidhja e Shkrimtarëve në Konferencën e III, akuzohet si “njeri i fjalës së lirë...avukat i Sejfulla Malëshovës... intelektual borgjez “ dhe i kërkon llogari Enver Hoxhës pse e ka cilësuar kështu në veprën VI të tij. Kjo letër me shpjegimet përkatëse për akuzat, mbaron me pyetjen : Kush është arrivist?! Gjithashtu boton edhe protestën që Skënder Luarasi (më 11.7.1953) i bën Drejtorisë së Arsimit në Komitetin Qëndror, të drejtuar nga Fatmir Gjata, kundër mbrojtjes që i bëjnë ata përvetësimit të Gjovalin Lukës, të përmbledhjes së Migjenit të përgatitur prej tij.
Sa për “trajtimet” që gëzoi Skënder Luarasi nga Enver Hoxha “për shërbimet” e tij ka me qindra dëshmi personalitetesh si z.Nafiz Bezhani në librin “Mëkatarët I” , i cili ia vlerëson personalitetin e palëkundur përpara persekutimit e hafijeve që i vinte pas diktatori.
Për “hipokrizinë“, i kujtoj Agron Lukës Deklaratën e Myftinisë së Shkodrës: ‘’masha të tilla si Agron Luka dhe shokët e tij të futur nga të tjerë, gjithashtu nuk po reshtin së vepruari që të provokojnë dhe nxisin urrejtje dhe konflikte ndërfetare’’(Deklarate e Myftinise Shkoder , e shtunë, 19 gusht 2006 ‘’ ). Rolin e mashës katolike ai e kryente kur kandidonte për deputet të Partisë Demokristiane, paçka se më parë e më pas deklarohej “komunist idealist” si Gjovalini, të cilit barinjtë e perëndisë ia provuan “idealizmin” në lëkurën e tyre.
Të më ndjejë lexuesi për terminologjinë e përdorur dhe hollësitë, por vetëm kështu kuptohet e vërteta e hidhur e manipuluar rëndshëm.
Mendoj se Agron Luka (apo Lukiçi nga Shestani) përfaqëson një specie të rrallë për qytetin e traditave tregtare e kulturore. Meqë rënkon Shkodra se në diktaturë tregtarët e mendimtarët ia vranë e sakatosën, në burgje, internime e çmendina, ndaj edhe media ia përzgjidh leshkon si ikonë të gjallë të persekutimit dhe shenjtërimit të fjalës së lire! Të reklamosh banalitetet ( “visaret migjenane”) të Agron Lukës si kryevepra të pjekurisë është mëkat i madh ndaj paraardhësve dhe pasardhësve të inteligjencës shkodrane!!!
---------------
Ndersa nje gazetare shkruan:
- “Megjithëse i konsideruar si poet i privilegjuar prej shkencës letrare bolshevike, “Vargjet e lira” të Migjenit nuk njohën botim tjetër deri në vitin 1954. Ishte Gjovalin Luka...që u kujdes për këtë botim, i cili konsiderohet më i ploti deri më sot, shprehës i vullnetit të autorit vetë.
- Pas një bisede me E. Hoxhën vetëm një vit më pas Gjovalin Luka u dënua politikisht si karrierist dhe i pasinqertë. Vëllimi i poezive dhe prozave të Migjenit u hoq sërish nga qarkullimi, një fakt i mohuar përgjatë më shumë se katër dekadave. Nuk u mor vesh kurrë një arsye e vërtetë e dënimit të tij.
- Migjeni do të njihej prej shumë brezash përmes botimit të vitit 1958, përgatitur dhe realizuar nga një prej jetëshkruesve më të besueshëm të Migjenit, Skënder Luarasi, kjo edhe për shkak të lidhjeve familjare...
- Por me siguri mund të thuhet se ende shqiptarët nuk e kanë lexuar mirë Migjenin.

Padituri apo sfidë së vërtetës?
Gazetarja me shkrimin e saj më ka befasuar me përmbajtjen dhe klasifikimin e “inventarit të magazinës” migjeniane duke servirur produkte të skaduara me etiketë “moderne sensacionale”. Në fund ajo i jep përgjigje vetes se “me siguri mund të thuhet se ende shqiptarët nuk e kanë lexuar mirë Migjenin” jetën dhe veprën e tij.
Krahas shumë pyetjeve “enigmatike për të “ por që ua ka dhënë përgjigjen me kohë, mbi bazën e fakteve, bashkëkohësi, miku, familjari dhe studjuesi më i shquar i Migjenit, Skënder Luarasi, gazetarja deklaron pa asnjë argument se “Vargjet e lira” të Migjenit “nuk njohën botim tjetër deri në vitin 1954. Ishte Gjovalin Luka, , që u kujdes për këtë botim, i cili konsiderohet më i ploti deri më sot, shprehës i vullnetit të autorit vetë. (?!)
Ajo shton se “pas një bisede me E. Hoxhën vetëm një vit më pas Gjovalin Luka u dënua politikisht si karrierist dhe i pasinqertë. Vëllimi i poezive dhe prozave të Migjenit u hoq sërish nga qarkullimi, një fakt i mohuar përgjatë më shumë se katër dekadave. Nuk u mor vesh kurrë një arsye e vërtetë e dënimit të tij.”
Këto dy citime duket sikur t’i ketë shkruar vetë dora Agron Luka!
Ky mendim i paargumentuar, që shpreh shkallën e njohurive të saj në raport me të vërtetën, i kundërvihet fakteve që botimi i Gjovalin Lukës , në pjesën më të madhe, ishte një përvetësim dhe sakatim i punës së Skënder Luarasit, të paraqitur për botim në vitin 1948!
Sikurse është publikuar, materiali, ku përfshiheshin edhe 7 novela të panjohura, Luarasi ia dorëzoi Dhimitër Shuteriqit. Ai u botua i copëzuar një pjesë edhe nga vetë Shuteriqi. Por ai të paktën në botimin e dy novelave të panjohura të Migjenit (Të çelen arkapijat dhe Studenti në shtëpi) ka vënë shënimin:
“Me rastin e 15 vjetorit të vdekjes së Migjenit, botojmë dy tregime të pabotuara të nxjerrura nga origjinalet që ndodhen pranë familjes së Migjenit ( përkatësisht në “sundukun misterioz” të Ollga Nikolla Luarasit e Skënder Luarasit.)
Shuteriqi, ndoshta me peng në zemër, si dëshmitar dhe i vetëdijshëm për ‘’huazimin’’ dhe ‘’sakatimin’ e veprës së Migjenit që ia dorëzoi Skënder Luarasi më 1948 pohon: ‘’Migjeni ka një botim të keq të veprave të tij më 1954 (nga Gj.Luka); ka edhe një të mirë, nga Skënder Luarasi, më 1961. (Dh.Shuteriqi, Marin Beçikemi dhe shkrime, f.305, v.1986).
Edhe në grupin e vlerësimeve të botimeve të veprës së Migjenit nga të tjerë, në asnjë rast nuk gjen mbështetje konkluzioni fillikat i gazetares...
Ndërkohë ajo me të drejtë pohon se “Migjeni do të njihej prej shumë brezash përmes botimit të vitit 1958, përgatitur dhe realizuar nga një prej jetëshkruesve më të besueshëm të Migjenit, Skënder Luarasi, kjo edhe për shkak të lidhjeve familjare”, por harron të përmendë edhe botimet e mëvonshme të Skënder Luarasit të përmirësuara (1961 dhe 2009). Është fakt i pamohueshëm që Skënder Luarasi përveç botimit të përvetësuar dhe të sakatuar të Gjovalin Lukës, në çdo rast ka ndihmuar dhe mirëpritur përmbledhjet e të tjerëve mbi Migjenin me gjetje të reja.
Gazetares të interesuar veçanërisht për botimin e Gjovalin Lukës i rekomandoj që pasi ta lexojë, ta krahasojë me botimet e Luarasit dhe të tjerëve deri në ditët tona, se do ta kuptojë lehtas që edhe në kohën e diktaturës, përgjithësisht dënohej plagjiatura, shkelja e të drejtës së autorit dhe sakatimi pa kriter.
Nuk duhet të ngatërrohen, pasi janë çështje të ndryshme, gabimet e Gjovalin Lukës ndaj Skënder Luarasit dhe veprës së Migjenit, dënimi nga shokët e tij komunistë dhe qëndrimi ndaj Migjenit dhe veprës së tij.
Kureshtjen e saj për dënimin e Gjovalin Lukës mund ta shuajë tek trajtimi i mësipërm i shkrimit të Agron Lukës. Mua më intereson fakti që ajo e cilëson Luarasin si më të besueshmin, por nga ana tjetër nuk e ka lexuar botimin e tij për Migjenin, ku në përballje me pikëpamje të disa studjuesve të tjerë, ka triunfuar me argumentat e tij mbi prejardhjen shqiptare të Migjenit, botëkuptimin e tij atdhetar, laik, progresiv, antifashist, e pse jo edhe me nuanca revolucionare e socialdemokrate ( sipas këndvështrimit të sotëm). Edhe pse mund të shkaktojnë debate disa pikëpamje, duhet të pranohet se i shpreh Skënder Luarasi, një bashkëkohës që e ka njohur mirë dhe ka argumentuar me fakte të cilat ndeshen edhe me shtrembërimet që i janë bërë historisë e që vazhdojnë të diktojnë deri më sot.
Ndaj Migjenit, sikurse edhe mjaft të tjerëve, gjykohet me disa standarte, sipas interesit dhe jo të vërtetës historike. Në këtë logjikë ka patur edhe shumë spekulime, që ndonëse janë zbardhur qartë nga Luarasi e të tjerë , amplifikohen vend e pa vend . Në shkrimet e tij Skënder Luarasi ka treguar për njohjen e tij me Migjenin, botëkuptimin dhe interesat e tij, për rrethin e tij familjar e shoqëror. Ai ka shpjeguar realitetin e kohës ku në mjaft raste ai dhe nxënësit, kolegët dhe shokët e tij u etiketuan “revolicionarë” se ishin kundër regjimit antidemokratik, kundër dasisë fetare, kundër agjenturave të huaja, etj. Në atë këndvështrim të realitetit ata ishin “revolicionarë” paçka se shumë nga këta në periudhën e diktaturës komuniste, për shkak të pikëpamjeve të tyre u etiketuan “reaksionarë borgjezë” dhe “antikomunistë”. Pra ka rëndësi pikëpamja, veprimtaria dhe jo etiketimi që u bëhet në kohë të ndryshme. Këtë fakt e dëshmon jeta dhe vepra e Migjenit, me oshilimet përkatëse, i pëlqente apo jo dikujt në kohën e monarkisë, diktaturës apo në të ashtuquajturën demokraci kur si asnjëherë ia shkatërruan muzeun e ia përdhosën varrin.
Ndaj duhet të sqarohet nëse ka padituri apo sfidohet e vërteta?
 
Përkrhim i ri i Skënder Luarasit

Morton Frederick Eden. Albania: Its discontents and their origin.
Translated by Skender Luarasi

Morton Frederick Eden , Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre.
Përktheu Skënder Luarasi.

Keto dite qarkullon libri i famshem albanologjik i anglezit Morton Frederick Eden , Shqipëria: Pakënaqësitë e saj dhe origjina e tyre, përkthim i Skënder Luarasit . Ky liber eshte botuar nga INFBOTUES dhe shitet kryesisht ne Librarine Albania, Tirane me 200 lek
Disa nga pasazhet e librit jane:

- Shqiptarët janë banorët autoktonë të Ilirisë, Epirit e të Maqedonisë dhe një nga racat më të moçme në Europë. Ata i bënë rezistencën më të gjatë dhe më të dëshpëruar përparimit të turqve drejt Perëndimit për të dalë në Adriatik dhe kështu i bënë një shërbim pamasë të madh Europës së krishterë.

- Rivalitetet egoiste të Europës së shekullit XV e lanë Shqipërinë e Skënderbeut të përpiqej vetë e vetme kundër turqve. Europa e këtij shekulli ka treguar vetëm fare pak simpati për shqiptarët e sotëm dhe për aspiratat e tyre. Që prej kohës që turqit janë përzënë, indipendenca e Shqipërisë dhe vetë ekzistenca e saj është vënë në rrezik prej xhelozive ndërkombëtare dhe lakmisë së shteteve fqinj.

- Shqiptari gjithmonë ka qenë disi indiferent dhe i çlirë përsa i përket çështjeve religjioze. Ata mbetën pothuajse ashtu sikundër patën qenë gjithmonë duke mbajtur për vete karakterin e tyre të vjetër prej shqiptari, gjuhën e zakonet . Ata janë edhe sot, pas kaq shekujsh nën zotërimin turk, fare pak të influencuar prej fesë ose kulturës së tyre.
Ky liber trajton hollesisht dhe ne menyre origjinale problemin e identitetit shqiptar dhe politikat shoviniste te vendeve fqinje, te cilat duhet ti mesoje mire çdo atdhetar shqiptar ne ditet e sotme, kur po ushtrohet presion per asimilimin etnik.
 
Back
Top