Aforizma të përzgjedhur ( margaritarë ) nga Sami Frashëri
– Zemra e njeriut të përsosur është gjithmonë e pezmatuar, por fytyra e tij është kurdoherë e gëzuar.
Njeriut të gëzuar gjëmbi i duket trëndafil, për njeriun e pezmatuar s’ka ndryshim trëndafili nga gjëmbi; në çdo gjë ai sheh një pezmatim, një dëshprim, s’kënaqet me asgjë.
– Njeriu dëshiron madhështinë dhe famën, trembet nga mospërfillja; megjithëkëtë nuk largohet nga sjelljet e këqija; kjo është si kur ke frikë nga lagështira e banon në moçal.
– Mos i poshtëroni njerëzit e mëdhenj për një a dy faje të tyre, sepse diamanti sado i prerë shtrembër të jetë, është më i vlefshëm se një gur i zakonshëm, i prerë në formën më të përsosur.
– Virtyti i bën të dashur me njëri- tjetrin, njerëzit e mëdhenj, njerëzit e zakonshëm- dëfrimi dhe zbavitja, të këqinjtë, vagabondazhi dhe delikti.
– Tri raste kanë tri virtyte shumë të pëlqyeshme: të ndihmosh nevojtarët kur janë në gjendje të vështirë, të thuash të vërtetën edhe në zemërim, të falësh kur je i zoti të ndëshkosh ose të hakmerresh
– Gjëja që ka shkaktuar fanatizmin (fetar) janë përrallat të shpikura nga keqdashja, të pranuara nga frika dhe të ruajtura nga marrëzia.
– Filozofi kinez Ming Çu thot: “T’i duash njerëzit e aftë e të talentuar dhe të mos i nderosh ata është sikur t’i thërrasësh në gosti dhe t’u mbyllësh portën, për të mos i pranuar.”
– Skamja dhe përvuajtja kërkon nikoqirllëk, përvuajtja dhe nikoqirllëku mirësjelljen, mirëpo pasuria sjell kryelartësinë e dorëlirësinë, e kryelartësia e dorëlirësia shthurjen dhe keqsjelljen.
– Mos jep shkas të flasë kush keq për ty; por mos u mundo t’i mbyllësh gojën keqdashësve, sepse qeni, ashtu sikundër i leh natën kusarit që i kalon afër, ashtu i leh edhe njeriut të ndershëm.
– Lëvdata e bën njeriun të kthehet nga rruga që ka zënë, kurse kritika e bën ta kontrollojë rrugën e vet dhe ta vazhdojë.
– Njeriut të gëzuar gjembi i duket trëndafil, për njeriun e pezmatuar s’ka ndryshim trëndafili nga gjembi; në çdo gjë ai sheh një pezmatim, një dëshpërim, s’kënaqet me asgjë.
– Babai që neglizhon edukimin e së bijës, përgatit turpin e vet dhe shkatërrimin e dhëndrit të tij.
– Miqësia është si drita e rrufesë, sa më i errët të jetë vendi, aq më shumë ndriçon.
– Po të dyshosh për besnikërinë e një shoku, dyshimi yt mund të bëhet shkak që edhe ai të dyshojë për ty.
– Tre vetë që ndihmojnë njëri-tjetrin çojnë një peshë, të cilën s’mund ta ngrenë gjashtë vetë, të cilët kërkojnë t’ia lënë barrën njëri-tjetrit.
– Jeta e njeriut është një pe i dredhur nga lumturia dhe fatkeqësia. Po të ishte dredhur vetëm nga fatkeqësia, do të ishte këputur shpejt, po të ishte përbërë vetëm nga lumturia, do të ishte tepër i ashpër dhe nuk do të hynte në punë.
– Fjala e keqdashësit është si qymyri, edhe kur nuk të djeg, të nxin.
– Kush nuk dëshiron të humbasë për jetë privilegjet e tij, duhet të lëshojë ca prej tyre me dëshirën e tij, sepse druri rritet më shumë kur krasitet.
– Ai që i përgjigjet me ligësi mirësisë sate, bëhet mjet për të bërë të njohur mirësinë tënde dhe ligësinë e vet.
– Viktimat e gjuhës janë më të shumta se ato të shpatës.
– Për të jetuar njeriu rehat në botë, i nevojiten katër gjëra prej metali: një torbë me florinj, një pishtar i argjendtë, një fytyrë prej bronzi, një zemër prej hekuri.
– Njeriu nuk është i përjetshëm, le të përpiqet të jetë e pavdekshme ajo që do të thotë dhe ajo që do të bëjë
– Është për keqardhje që në botën politike nuk është bërë zakon të respektohet nderi dhe mirësjellja. Një njeri i rëndomtë humb besimin po nuk e mbajti fjalën, një diplomat që qeverisë një shtet, sa më shumë të gënjejë, aq më shumë numërohet për diplomat.
– Në kohën tonë të gjithë po merren me politikë; kjo punë ka bërë që të rinjtë të harrojnë zbavitjet e tyre, pleqtë -hallet e tyre, gratë – qeverisjen e shtëpive të tyre, adhuruesit – adhurimin, tregtarë- fitimin dhe mjekët – të sëmurët e tyre.